Sunday, April 13, 2014

UBT-Mitmarrje

Tirana Observer, dt. 04/10/2013 raporton rast mitmarrje në Universitetin Bujqësor të Tiranës Ka rënë në pranga pedagogu i Institutit Bujqësor, Fidel Gjurgji, që u kërkonte studentëve nga 100-200 mijë lekë (të vjetër) ryshfet për provimet. Ngjarja është bërë me dije ditën e djeshme nga Policia ndërsa skema korruptive praktikohej prej pedagogut Gjurgji prej vitesh, por vetëm gjatë vitit të fundit studentët e kanë denoncuar atë tek uniformat blu. Gjatë sezonit të kaluar të provimeve shefi i katedrës së veterinarisë në Institutin Bujqësor, duke futur si sekserë dy kolegët e tij pedagogë u merrte studentëve për një provim, nga 100-200 mijë lekë( të vjetër) në varësi të lëndës. Skema korruptive ishte denoncuar nga disa studentë, ndërsa sektori i korrupsionit në Policinë e Tiranës, pas një hetimi 5 mujor, ka vënë në pranga për korrupsion pasditen e djeshme pedagogun e njohur Fidel Gjurgji, shef prej disa vitesh në Katedrën e Veterinarisë, në Universitetin Bujqësor.
Arrestimi
Burime nga policia kanë bërë me dije ditën e djeshme se Fidel Gjurgji u arrestua me vendim gjykate, pasi një grup hetuesish e kishin vëzhguar atë prej më shumë se 6 muajsh kohë në të cilën akuzohet se pedagogu ka marrë një shumë prej 100 mijë lekësh për një provim nga një prej studentëve duke i kërkuar atij para në këmbim të një note kaluese. Por duket se pikërisht ky student është bërë shkas i një ankese në zyrën e kreut të Universitetit Bujqësor ndërsa ngjarja është cilësuar si e sajuar nga pedagogët e tjerë e stafi akademik. Studenti pasi ka ngelur në lëndën me pedagogun Gjurgji ka filluar të pyesë shokët e shoqet e klasës nëse dikujt prej tyre shefi i katedrës u kishte kërkuar para. Precedenti
Burimet policore bëjnë me dije se bashkë me Gjurgjin janë arrestuar dhe dy shtetas të tjerë, të cilët kryenin rolin e sekserëve, përkatësisht Fation Goxhaj dhe Alfred Qyra ish studentë e më pas të punësuar si pedagogë në Institutin Bujqësor. Mësohet se materialet i janë referuar Prokurorisë për ndjekje të mëtejshme të rastit. Mësohet se dy të arrestuarit e tjerë i takonin studentët jashtë ambienteve të Institutit duke i bërë presion për notën e duke i thënë se nëse nuk jepnin nga 100 mijë lekë për provim ata nuk do të kalonin vitin. Pasi siguronin kontaktet mes shefit të katedrës dhe studentëve që i ofronin atij para në këmbim të notave kaluese dy të arrestuarit përfitonin nga skema korruptive 20-30 mijë lekë (të vjetër) për provim.

0 comments:

Post a Comment