Wednesday, April 16, 2014

Shitje-diplomash-Kristal


Marrë nga: https://peizazhe.com/2012/05/03/diplome-per-troften/, Pishak Zhgaba, 3 Maj 2012



https://xhaxhai.files.wordpress.com/2012/05/diploma-renzo-bossi.jpg

Vetëm sot u bë e njohur se Renzo Bossi qenka diplomuar në Shqipëri, në universitetin “Kristal”, në Fakultetin Administrim Biznes. Sipas prokurorive të Napolit e Milanos, ekziston dyshimi se kjo diplomë është paguar me fondet e partisë “Lega Nord”.
Ky lajm, për t’u kuptuar, por edhe për të parë ndërlikimet me Shqipërinë, duhet detyrimisht kontekstualizuar. Së pari duhet kujtuar se djali i Bossi-t përflitet për injorancën e vet gati në mënyrë proverbiale, pavarësisht nga karriera politike që ka bërë nën ombrellën e të atit. Vetë nofka “Trota” (Trofta) iu ngjit prej babait të vet. Bossi junior nuk e mori dot maturën menjëherë, iu desh ta përsëriste tri herë, madje duke akuzuar profesorët se nuk i kishin dhënë hakun meqë ishin me origjinë nga jugu i Italisë.
Së dyti, duhet shënuar se akuzat për keqpërdorim të fondeve partiake kanë ardhur si brenda Lidhjes, ashtu edhe nga organet gjyqësore. Shtypi ka kohë që flet për disa investime të çuditshme të firmosura nga përgjegjësi administrativ i “Lega Nord”. Një nga këto bëri bujë sepse u krye në Tanzaninë e largët, ku u investuan disa milionë euro të partisë.
Së treti, nuk duhet harruar përshoqërimi i emrit të Renzo Bossi-t me arsimin universitar perceptohet nga opinioni publik si i pamundur, si i pabesueshëm, si “kundër natyrës”, si oksimoron. Nga ana tjetër, kur u fol për investimet në Afrikë, shumëkush u tall me këtë lloj zgjedhjeje bizare, kryer nga një parti të njohur për ksenofobinë, provincializmin dhe reagimet e saj kundër imigrantëve.
Lakimi i Shqipërisë në këtë kuadër, sa të lëvizshëm aq edhe problematik, nuk mund të sjellë asgjë të mirë. Nuk tingëllon mirë, as për imazhin e përgjithshëm të Shqipërisë, as për sistemin universitar shqiptar. Këtu nuk e kam fjalën për mjediset shqiptare, të cilat e njohin sistemin arsimor të Shqipërisë, me të mirat e të metat e veta. Këtu është fjala për imazhin që i jepet opinionit publik ndërkombëtar, i cili vetëm sa i shtron palë palë paragjykimet e veta për Shqipërinë, të cilat jo gjithnjë janë të çminueshme, sidomos kur embrioni ofrohet nga vetë realiteti shqiptar.



0 comments:

Post a Comment