Saturday, August 15, 2015

Presidenti kthen ligjin e arsimit ne parlament – përgjigjet MAS

 

Dekreti i presidentit: shkarko ketu

http://president.al/?p=28478 14 Gusht 2015

Presidenti i Republikës ka kthyer ligjin e arsimit të lartë me argumente të ngjashme si të kritikëve në rradhët e disa pedagogëve dhe opozitës.

Kritikat janë përqëndruar në autonominë, p.sh. nga gjashtë pika, 4 janë për autonominë. Disa prej kritikave janë jo substanciale dhe ligji është vërejtur në parim. Më poshtë argumentet kryesore të grupuara sipas çështjeve të prekura:

Autonomia

1. Fryma mbi bazën e të cilit është konceptuar dhe ndërtuar ligji, duket se nuk garanton autonominë e arsimit të lartë, gjë e cila është dhe baza për të garantuar vijimësinë e procesit të Bolonjës dhe përmbushjen e detyrimeve që vijnë nga dokumentet ndërkombëtarë të cilat janë të detyrueshme për Shqipërinë.

2. Ky Ligj nuk garanton Autonominë e Institucioneve të Arsimit të Lartë dhe Lirinë Akademike të parashikuar nga Kushtetuta në nenin 57/t të Saj.

3. Autonomia e IAL në kuptim të Jurisprudencës së Gjykatës Kushtetuese vendim nr. 9/2008 cenohet për sa kohë krijohen apo ristrukturohen Agjenci të ashtuquajtura Autonome, të cilat janë në varësi të plotë të Ministrisë Përgjegjëse për Arsimin dhe pretendohet të realizojnë synimet e kësaj Reforme në drejtim të cilësisë, konkurrueshmërisë dhe garantimit të mundësive të barabarta mbi bazën e meritës dhe transparencës për të gjithë individët që dëshirojnë të ndjekin studimet e larta.

4. Autonomia e Universiteteve duket e cenuar edhe nga ndikimi i ekzekutivit në përbërjen e Bordit të Administrimit.

5. Ligji në Kreun V të tij përmban dispozita në lidhje me mbarimin e mandatit të strukturave drejtuese të IAL-ve,  ndërsa në nenin 131 përcakton rregulla për kufizimin e mandateve të drejtimit, duke cenuar sërish autonominë organizative të IAL-ve.

6. Në ligj nuk janë vendosur guidelines apo kritere të mirëpërcaktuara, mbi bazën e të cilave do të hartohen aktet nënligjore, duke rrezikuar që këto akte të tjera ligjore dhe nën ligjore të kufizojnë autonominë dhe të çojnë në kontroll të tepruar, abuzim, vonesa dhe stanjacion, dhe për më tepër të ekzistojë mundësia edhe e cenimit të parimit të sigurisë juridike.

Financimi i arsimit të lartë

7. Përmes këtij ligji rrezikon të kushtëzohet e drejta për arsimin e lartë nga kriteri i pagesës së tarifave të ndryshme të përcaktuara në ligj, por që mund të arrijnë në shifra të larta të papërballueshme për nivelin mesatar të jetesës në Shqipëri.

Ministria e Arsimit përgjigjet ndaj këtij veprimi të presidentit.

14 Gusht 2015

E zhgënjyer me qëndrimin aspak mbi palët të Presidentit të Republikës dhe me shurdhërinë e tij partiake ndaj argumentimit të hollësishëm të Komisionit të Reformës së Arsimit të Lartë dhe Kërkimit Shkencor, ku rikujtoj se bëjnë pjesë ekspertët më të spikatur shqiptarë të fushës pa dallime prirjesh e bindjesh politike. E zhgënjyer me faktin që Zoti President shpërfilli produktin profesional të një procesi gjithëpërfshirës dëgjesash e konsultimesh që si rrallë herë u shtri në më shumë se një vit, duke i dhënë mundësi e hapësirë të gjerë demokratike çdo zëri të veçantë, çdo institucioni të arsimit të lartë, çdo grupi e komuniteti pedagogësh e studentësh të interesuar për të thënë fjalën e tyre.

Por e zhgënjyer gjithashtu me faktin se Presidenti bëhet palë me pakicën politike dhe me pakicën shumë të vogël të pedagogëve që e kundërshtuan Ligjin e Arsimit të Lartë verbërisht, ndërkohë që për Presidentin mbështetja dhe përgëzimi publik që ky ligj mori nga Drejtoria e Përgjithshme e Arsimit të Komisionit Evropian, si edhe nga një numër i vyer ekspertësh të shquar evropianë, nuk paska asnjë vlerë.

Megjithatë, ky qëndrim antireformist i radhës nga ana e Presidentit të Republikës, nuk e lëkund aspak, përkundrazi e përforcon bindjen dhe vullnetin e shumicës sonë për ta rivotuar Ligjin e Arsimit të Lartë sapo të çelet sesioni i ri parlamentar. Arsimi i Lartë nuk do të jetë më as bajrak i partive politike, as tokë e djegur nga disa bajraktarë që duan ta mbajnë peng atë. Koha kur konkurenca dhe merita abuzoheshin papushim në emër të një autonomie të kufizuar vetëm në kuadrin e papërgjegjshmërisë ndaj prindërve e studentëve, ka marrë fund.

http://www.arsimi.gov.al/al/newsroom/deklarata-per-shtyp/deklarate-per-shtyp-e-ministres-se-arsimit-dhe-sportit-te-republikes-se-shqiperise-znj-lindita-nikolla