Wednesday, May 18, 2016

8 Studente ndiqen penalisht

Vezët kundër Edi Ramës “pjellin” akuza penale për aktivistët e majtë

Prokuroria e Tiranës dërgoi për gjykim 8 studentë, të akuzuar se hodhën disa vezë drejt kryeministrit Edi Rama në formë proteste kundër ligjit për arsimin e lartë – të cilin ata e kundërshtojnë sepse financon me para publike universitetet private.

http://www.reporter.al/vezet-kunder-edi-rames-pjellin-akuza-penale-per-aktivistet-e-majte/

Autor: Besar Likmeta  BIRN  Tiranë
Të mërkurën në gjykatën e Tiranës filloi shqyrtimi i çështjes së ngritur nga prokuroria kundër 8 studentëve, të cilët akuzohen për goditje për shkak të detyrës dhe kundërshtim të forcave të rendit, gjatë një proteste simbolike kundër kryeministrit Edi Rama.
Ngjarja nën hetim gjyqësor ka ndodhur në 2 nëntor në Fakultetin e Shkencave Sociale të Universitetit të Tiranës, në momentin që Rama po largohej nga një takim me grupe interesi të bizneseve të vogla. Pas hedhjes së vezëve, 8 studentë u shoqëruan në polici dhe u mbajtën të ndaluar për rreth 6 orë. Pas inicidentit, studentët e akuzuan policinë dhe rojet e gardës së kishin ushtruar dhunë gjatë shoqërimit të tyre. Policia nga ana e saj e mohoi ushtrimin e dhunës.
Studentët nën akuzë i përkasin Lëvizjes Për Universitetin, një grupim aktivistësh të majtë që gjatë dy viteve të fundit ka organizuar protesta masive kundër reformës së arsimit te lartë.
Sipas avokatit Dorian Matlija nga qendra Res Publica në Tiranë, i cili është përfaqësuesi ligjor i aktivistëve të akuzuar nga prokuroria, dy nga studentët akuzohen për goditje për shkak të detyrës të kryeministrit, ndërsa të tjerët për kundërshtim të forcave të rendit, sepse presupozohet se kanë bërë një lloj rezistence në momentin që kanë dashur t’i  shoqërojnë në makinat e policisë.
“Është e paqartë sa vezë janë hedhur, por në dosje kam parë vetëm një fotografi të një veze të rrëzuar në tokë. Ndoshta në filmim mund të duken më shumë se një,” i tha Matlija BIRN.
“Asnjë nga vezët nuk e ka prekur kryeministrin, por ligji parashikon dhe një vepër të mbetur në tentativë në qoftëse për rrethana objektive nuk është realizuar- për shembull në qoftëse nuk ka pasur nishan,” shpjegoi Matlija.
Në një deklaratë për shtyp të mërkurën jashtë Gjykatës së Tiranës- ku u mbajt dhe seanca e parë kundër studentëve – Lëvizja Për Universitetin ironizoi akuzat e ngritura nga prokuroria si të motivuara politikisht.
“Studentët nuk goditën kryeministrin për shkak të detyrës, por protestuan ndaj një kryeministri të katandisur në shërbëtor të diplomoreve private, për shkak të moskryerjes së detyrës nga ana e tij: mbrojtjes së interesit publik,” thuhej në deklaratë.
“Studentët nuk refuzuan t’u bindeshin urdhrave të ligjshme të policisë së shtetit, por u mbrojtën nga dhuna e badigardëve dhe policëve të ndërsyer, që në shkelje të ligjit i rrahën dhe i tërhoqën zvarrë në oborrin e fakultetit,” shtoi Lëvizja.
Klodi Hoxha, 22-vjeç nga Tropoja është një nga dy studentet që akuzohet nga prokuroria se ka goditur kryeministrin Edi Rama me vezë. Studentja e vitit të tretë në Departamentin e Shkencave Politike të Universiteti të Tiranës thotë se Fakulteti i Shkencave Sociale – auditorin e të cilit Rama zgjodhi për të mbajtur konferencën me bizneset – konsiderohet si vatra e rezistencës studentore dhe vendi ku është ngjizur Lëvizja Për Universitetin.
Hoxha kujton se në 2 nëntor, pasi kishin marrë vesh se “i gjati” kishte ardhur në Fakultet, aktivistët e Lëvizjes kanë tentuar të hyjnë në auditorin ku mbahej mbledhja, por janë ndaluar nga siguria me argumentin se ajo ishte e mbyllur për publikun.
“Rama asnjëherë nuk na ka dëgjuar gjatë dy viteve qe kemi protestuar dhe dërguar peticione dhe erdhi në fakultet për të folur për bizneset. Kjo ishte fyerje për ne,” tha Hoxha, duke shpjeguar vendimin e aktivistëve për ta goditur kryeministrin me vezë.
Pamje të incidentit të postuara në You Tube, të cilat janë filmuar nëpërmjet një telefoni celular, tregojnë një studente që i afrohet kryeministrit teksa ai largohet nga godina e Fakultetit dhe hedh diçka që nuk dallohet në drejtim të tij, ndërkohë që të tjerë studentë dëgjohen të thërrasin “hajdut” dhe “sharlatan.” Video mbyllet me forcat e gardës që i vërsulen studentëve për t’i neutralizuar dhe më pas i shoqërojnë me forcë drejt një patrulle policie.
Klodi Hoxha kujton se hedhja e vezëve kundër Ramës nuk kishte për qëllim ta lëndonte atë.
“Shpëtoi, por nuk është e rëndësishme e kapi apo s’e kapi, se po të donim ta lëndonim ne e gjuanim me diçka tjetër dhe jo me vezë. Ne e kemi thënë vazhdimisht që kjo ishte protestë- një formë proteste brenda limiteve të shprehjes,” tha ajo.
Avokati Matlija bie dakord duke thënë që për sa i përket akuzës së ngritur nga prokuroria për “goditje për shkak të detyrës” kemi të bëjmë më një “veprim që është në kuadër të lirisë së shprehjes, edhe pse mbase në kapërcim të kufirit të lejueshëm.”
“Qëllimi i tyre nuk ka qenë ta dhunojnë kryeministrin, për t’i bërë atij dëmtime fizike… por ka qenë më tepër për ta bërë pis,” tha Matlija.
Sipas avokatit të të drejtave të njeriut, ndërhyrja e policisë dhe e gardës brenda ambienteve të universitetit për të shoqëruar studentët ka qenë e paligjshme.
“Ligji për Arsimin e Lartë i jep një lloj imuniteti territorit të universitetit dhe forcat policore mund të hyjnë aty vetëm me leje të titullarit ose kur është duke u kryer një krim në flagrancë e sipër,” tha Matlija.
Viki Çipi, një nga studentet e akuzuara për kundërshtim të policisë, i tha BIRN që forcat e gardës jo vetëm që i kanë marrë me forcë nga ambientet e universitetit, por kanë ushtruar dhe dhunë ndaj tyre.
“Ne na kanë tërhequr zvarrë truprojet civile dhe jashtë kangjellave jemi përballur me policë që ka ushtruar dhunë,” tha 22-vjeçarja. “Ne na kanë rrëmbyer nga fakulteti, ndërkohë na kanë vënë nën akuzë se kemi kundërshtuar forcat e policisë,” shtoi ajo.
Çipi i tha BIRN që me 2 nëntor, studentët ndjeheshin të provokuar nga kryeministri, i cili pasi kishte bërë një vesh shurdh ndaj protestave të tyre për dy vjet, kishte zgjedhur pikërisht fakultetin e tyre për të biseduar me bizneset. 
 “Në qoftë se kthej kokën mbrapa dhe të isha në të njëjtën situatë, prapë do ta bëja këtë gjë,” tha Çipi. “Unë po protestoja kundër kryeministrit për t’i treguar që arsimi nuk është e drejtë vetëm për të pasurit që i kanë xhepat plot, por edhe për të varfrit,” shtoi ajo.
Arlind Qori, profesor në Fakultetin e Shkencave Politike në Universitetin e Tiranës i tha BIRN se sot i gjithë pushteti është investuar për t’i ndërshkuar këto studente në mënyrë shembullore, të cilat “nuk e cënuan fizikisht zotin Rama, por prekën pushtetin e tij simbolikisht.”
“I treguan atij që në oborrin e fakultetit ai nuk mund të jetë zot i pakufizuar, siç tenton të jetë në qeverisjen e vendit,” tha ai.
“Vajzat po tentohet të ndëshkohen, sepse tek organizimi i tyre, pushtetarët kanë parë farën ose potencialin e nje organizmi më masiv që do nxjerrë dobësinë e tyre në shesh,” përfundoi Qori.
http://www.reporter.al/vezet-kunder-edi-rames-pjellin-akuza-penale-per-aktivistet-e-majte/

Monday, May 16, 2016

Konsulence ligjore per aktet nenligjore te ligjit te arsimit te larte: Rrezik per klientelizem.



http://appa.al/raport-maj-2016-ministria-e-arsimit-dhe-sportit/


Rigels Xhemollari,  Raport Maj 2016 – Ministria e Arsimit dhe Sportit
1-Reforma në arsimin e lartë, MAS shkelje ligji nga “paaftësia”
Sipas nenit 141 të ligjit për arsimin e lartë dhe kërkimin shkencor brenda nëntë muajve nga hyrja në fuqi e këtij ligji duhet të kishin dalë të gjitha aktet nënligjore që e bëjnë funksional zbatimin e tij dhe krijimin e instituteve dhe institucioneve që parashikohen. [1] Ky afat ka rreth 2 muaj që ka kaluar dhe ende nuk ka dalë asnjë akt i vetëm nënligjor, udhëzim apo VKM. Pra jemi para faktit që një ministri dhe një qeveri pompon çdo ditë në media dhe auditorë si sukses reformën në arsimin e lartë dhe nuk është ulur një ditë të vetme të shohë afatet, aktet dhe nevojën e përshpejtimit të procesit. Kur dëshira nuk të përputhet me arritjen, ky fenomen trajtohet si paaftësi, prandaj mungesa e një kolone aktesh nënligjore dhe papërgjegjshmëria institucionale kanë bllokuar një seri procesesh të rëndësishme për zhvillimin e arsimit të lartë.
Duke nisur nga VKM për krijimin e Bordit të Administrimit, për çlirimin e doktoraturave pas një pauze 3-vjeçare, për modelin dhe Agjencinë e Financimit të arsimit të lartë, e deri te kodi i cilësisë së arsimit të lartë janë rreth 30 akte nënligjore që duhet të ishin nxjerrë sipas afateve që përcakton ligji nga Këshilli i Ministrave. Kjo anomali dëmton procesin, arsimin dhe dështimin e ndërtimit në kohë të institucioneve të parashikuara në ligj. Shqipëria nuk ka mekanizëm ligjor shtrëngues që të detyrojë Këshillin e Ministrave të miratojë aktet në afat, kështu që çdo reformë apo ligj i rëndësishëm është i destinuar të mbetet në mëshirën e fatit dhe dëshirën e atyre që na drejtojnë.
Por edhe vetë Ministria e Arsimit dhe Sportit nuk mbetet mbrapa sa i takon “paaftësisë”. Janë rreth 20 akte të tjera nënligjore (udhëzime të Ministrit) që duhet të ishin miratuar deri në fund të muajit prill, por siç dallohet edhe nga faqja e internetit muajt e fundit ka qenë e ngarkuar me festivale dhe ceremoni të ndryshme. Madje MAS ka zhvilluar edhe seminare për orientime drejt karrierës duke harruar që orientimi më i mirë është zbatimi i ligjit, detyrë të cilën e ka harruar. Nga neglizhenca dhe paaftësia e këtij institucioni ne sot nuk kemi udhëzime për dokumentacionin dhe procedurat e hapjes së programeve të reja të studimit, ngarkesat mësimore, format e diplomës, forma e aplikimit për grantet dhe politikat e zhvillimit të IAL-ve. Ky lloj ngërçi ligjor ka krijuar konfuzion tek pedagogët e studentët, ka krijuar pakënaqësi tek kërkuesit shkencorë tek drejtuesit e universiteteve publike dhe private dhe nëse do të vazhdojë deri ne fillimin e vitit të ri akademik do të kemi një reformë të dështuar jo nga mungesa e vizionit por nga paaftësia institucionale.
2- Zgjidhje me shkop magjik, ligj me tender
Pasi kaloi rreth një vit nga hyrja në fuqi e ligjit dhe as Këshilli i Ministrave dhe as MAS nuk ja dolën të miratojnë qoftë edhe një akt të vetëm, sytë u drejtuan nga Agjencia e Prokurimit Publik si ilaç i paaftësisë. Ministria e Arsimit dhe Sportit, pavarësisht se në faqen e saj zyrtare nuk ka asnjë shenjë, ka shpallur tender publik me objekt kontrate “Konsulencë në hartimin e akteve nënligjore për zbatimin e ligjit të arsimit të lartë”, në vlerën e 2.5 milion lekëve pa TVSH.[2] Nëpërmjet një tenderi me afat një mujor zyrtarët e Ministrisë i kërkojnë ekspertëve përgatitjen e rreth pesëdhjetë akteve nënligjore për të cilat së pari duhet të kërkojnë ndjesë publike që nuk i realizuan dot as për një vit dhe as me paratë që paguhen nga taksapaguesit për të bërë detyrën e tyre. Qytetarët shqiptarë për shkak të paaftësisë së institucioneve, përveç kostos që sjell moszbatimi i ligjit në kohë do të duhet të paguajnë edhe koston ekonomike të ardhur nga kontraktimi i ekspertëve të cilët dot ë bëjnë punën e Ministrisë e cila këtë muaj kishte shumë ceremoni dhe nuk pati kohë të angazhonte departamentin e saj juridik.
[2] Buletini APP Nr. 19 datë 16 Maj 2016 https://www.app.gov.al/ep/2016_Arkiva_e_Buletineve.aspx