Monday, March 7, 2016

Mbi rregulloren e re te zgjedhjeve te rektoratit


Rregullorja që çrregullon


Kryeministria dhe Minis tria e Arsimit dhe e Sporteve kanë anuncuar jo pa pompozitet këto ditë dy lajme, në përpjekjet e tyre për të na bindur që reforma  në arsimin e lartë po vazhdon me “sukses” të plotë dhe jo që realisht po e fut atë në kaos të plotë. I pari ishte nënshkrimi i marrëveshjes me agjencinë britanike “Quality Assurance Agency for Higher Education”.
E përfolur prej një viti e gjysmë, marrëveshja duket se ka marrë një firmë finale, pas shumë “fintesh” deklarative, për gjoja fillime, për punë të nisur, por ende të pabitisur, për revoltën e shprehur ndaj situatës “për të vënë duart në kokë”, siç shprehej Rama, të universiteteve. Pa shtuar këtu barsaletat që Kryeministri sajonte në seancat e Parlamentit.
Të gjitha të bëra përgjatë muajve pararendës nga krerët më të lartë të shtetit. Në to përziheshin si pa të keq vetëlavdërimi, mashtrimi, vetëkënaqësia absurde, ndërkohë që e vërteta na doli se nuk kishte kurrfarë kontrate me agjencinë e supozuar deri ditë më parë. I dyti është shpërndarja tek universitetet, e draftit të Rregullores së zgjedhjeve në IALtë publike, jo pa “buzëqeshje” “suksesi” nga ministrja e Arsimit.
E vërteta në fakt është “shtrëngimi” “i suksesshëm”, sepse data 8 Mars shënon fundin e mandateve ekzistuese të autoriteteve drejtuese dhe neni 131, i ligjit të ri, në pikën 2 shprehet në mënyrë taksative për këtë detyrim.
Ky draft vjen si gjithmonë me një “cen” të vogël. Na qenkesh “final”, megjithëse formalisht, me shpejtësi drite, u kërkohet senateve të japin gjoja mendimet e tyre, sikur të bëhej fjalë për zgjedhjen e hashtagut dhe jo për rregulloren e zgjedhjeve më të rëndësishme, që siç shprehet edhe vetë drafti, “janë të parat pas miratimit të ligjit të ri”.
Shpresoj që kjo fjala “final” të mos jetë ajo porta e mbyllur, siç ka ndodhur dhe me ligjin, për të gjitha ato reagime që ka ngjallur kjo rregullore, e cila ende pa u diskutuar brenda senateve është cilësuar me të drejtë si antikushtetuese dhe si antiligjore në shumë pika të saj.
Pavarësisht këtij nxitimi, Ministria duket se e ka marrë me nge këtë punë dhe e ka përpunuar mirë politikisht për të kapur politikisht universitetet. Që në nenin 3 ajo tejkalon ligjin e AL. Përcakton si subjekt të saj vetëm IAL-të publike, duke i veçuar nga ato “të pavarurat” (publike të pavarura). Bën sikur harron se dhe këto janë publike, sipas përcaktimeve të vetë ligjit të ri, nenit 17, pika 4 dhe nenit 118 pika 1. Këto i vendos në të njëjtin rend me ato jopublike dhe për të dy rregullorja shprehet se “i referohen kësaj rregulloreje në rast zhvillimi të proceseve zgjedhore” (neni 3).
Ndërkohë vetë ligji i AL në nenin 36 përcakton se në IAL-të jopublike “autoritetet drejtuese akademike… emërohen dhe shkarkohen…”. Së paku, sipas ligjit, i cili detyron që “IAL-të jopublike riorganizohen brenda të njëjtit afat”, rregullorja duhej të shprehej qartë dhe pa ekuivok për riorganizim. Këtu ajo është tërësisht e çalë dhe favorizuese, duke bërë rolin e “së paditurës”.
Po këto duken se janë çrregullimet më të “vogla”, në raport me të tjerat. Më e rënda dhe që shkel njëkohësisht Kushtetutën është kushti që kjo rregullore imponon për komandim të autoriteteve drejtuese deri në konstituimin e të rejave, në nenin 4, pika 5. Ligji i AL nuk ka në asnjë element të tij termin apo nocionin “komandim”, pavarësisht se rregullorja i referohet atij. Ndërkohë Kushtetuta nuk njeh komandim për organe të zgjedhura, por i njeh të drejtën të ushtrojnë autoritetin e tyre deri në konstituimin e të rejave. Kështu veprohet me gjykatat, me anëtarët e Këshillit të Ministrave, apo me mandate të tjera.
Logjika e formula e zbatuar në këtë rast është e thjeshtë: komandim i kamikazëve politikë për të siguruar rezultat zgjedhor politik. Më tej, rregullorja në kundërshtim me nenin 40 të ligjit, për Asamblenë e personelit, përjashton nga trupa zgjedhore anëtarët e personelit akademik me kohë të plotë të cilët kanë nënshkruar kontrata pune rishtas, pas vitit akademik 2014-2015 (neni 11, pika 1).
Kjo është dhe qesharake, edhe skandaloze, pasi ligji në nenin 39, jo vetëm i njeh të drejtën e konkurrimit për Rektor ose Dekan edhe personave që nuk janë as anëtarë të personelit: “mund të vijë nga radhët e personelit akademik të institucionit të arsimit të lartë ose dhe jashtë tij”.
Me logjikën e kësaj rregulloreje, i bie që një profesor i ardhur rishtas ka të drejtë të kandidojë edhe për rektor e për çdo gjë, por nuk ka të drejtë të votojë!!! Ndërkohë pengimi i atyre që janë në proces hetimi, duket qartë që bie ndesh me parimin kushtetues të prezumimit të pafajësisë.
Ndërsa masa administrative, si penguese për persona të veçantë brenda kësaj rregulloreje, bëhet një mjet efikas për të “kill”, çdo rival potencial, duke i sajuar atij një gjë të tillë, për motive politike ose personale. Nga ana tjetër, rregullorja nuk pengon persona në prag të pensionit për të kandiduar, që nuk kapin afatin 4-vjeçar, siç e diktojnë dhe zgjedhje të autoriteteve të ngjashme në institucionet e tjera. Kjo ndoshta për të favorizuar “të dashmit” e partisë. Ajo çrregullon madje edhe studentët.
Sipas nenit 24, për to vendos me përcaktim sipas parimit absurd “një kandidat për Fakultet” nga Këshilli Studentor. Bëhet sikur harrohet që zgjedhjet për këshillat studentorë kanë katër vite që nuk janë bërë dhe ato nuk ekzistojnë fare. Përpos kësaj, nuk është rregullorja ajo që përcakton numrin e përfaqë- sisë studentore, apo të kandidatëve, por është Senati akademik në bazë të shumë treguesve.
Brenda saj parashikohet dhe zgjedhja e anëtarëve të komisioneve të përhershme të njësive kryesore, e cila i vë vulën një çrregullimi kohor të kësaj rregulloreje. E them këtë për shkak se komisionet e përhershme të njësive kryesore (fakultetet) në të gjitha universitetet tona nuk janë krijuar. Pavarë- sisht se dispozitat kalimtare të ligjit kushtëzojnë përputhjen e strukturës me ligjin e ri.
Kjo ka ardhur sepse sot rolin kryesor në to e luan Këshilli i Fakultetit, i cili pushon së ekzistuari pas vendimit të Senatit të ri. Vetë ligji këtu është kaotik si dëshmi e dobësisë së tij të denoncuar. Në nenin 38, pika i, të drejtën e krijimit të komisioneve ia atashon Senatit, ndërsa në nenin 41, pika ç, të drejtën ia jep Asamblesë së personelit akademik!!!???
Madje, në qoftë se në këtë pikë e shtyjmë logjikën tonë më tej, nonsensi i kësaj rregulloreje bëhet më i madh për shkak dhe të ligjit të mbrapshtë. Sot janë pa statute të reja, pa rregullore të re, pa strukturë, sepse pikërisht ligji mbetet kontrovers. Për më tepër sot IAL-të publike janë ende të paakredituara, për shkak të vonesës së argumentuar në hyrje dhe aq më tepër që pengesë ka qenë jo vetëm mosfunksionimi i APAAL për tri vite, por edhe mosmiratimi ende i Kodit të Cilësisë së Arsimit të Lartë. Ky fakt vë në dyshim dhe mënyrën e operimit të agjencisë britanike të akreditimit.
Për këtë shkak, sot që bëhen këto zgjedhje ende nuk dihet cili institucion do të jetë Universitet dhe cili Kolegj! Cilët fakultete do të qëndrojnë të tilla dhe cilat do të shkrihen?!! Cilat programe studime do akreditohen dhe cilat jo?!!! Më e keqja: Çfarë do të ndodhë me këto autoritete pas 2017-2018, kur Strategjia e AL dhe ligji i detyrojnë IAL publike të shndërrohen në IAL publike të pavarura?!!
Apo si gjithmonë “me të parë e me të bërë” politikisht! Rregullorja që çrregullon ka edhe shumë probleme që lidhen me shkelje të tjera ligjore, të cilat synojnë të kontrollojnë numrat përfaqësues të senateve, si dhe ato që lidhen me çështjet e ankimeve e të apelimeve të vendimeve, duke futur si gjithmonë “hundët” ministria në punët e akademizmit.
Synimi mbetet kontrolli i procesit e kushtë- zimi i rezultatit. Si çdo produkt i këtyre kohërave dhe kjo rregullore duket qartë që bëhet jo për të rregulluar universitetet për studentët, por politikën e radhës në universitete.
http://www.panorama.com.al/rregullorja-qe-crregullon/