Saturday, May 17, 2014

Majlinda Keta – Mbi reformën e arsimit të lartë

 

Nga Bolonja drejt Londrës.....A mund ta quajmë dokument strategjik draftin e parë të Komisionit për Arsimin e Lartë?

 

6 Maj, 2014
- Çështet që parashtrohen nga znj. Keta, ish-drejtoresh e Drejtorisë Arsimore të Tiranës (2001-05) dhe pedagoge në Fakultetin e Shkencave Sociale.
1. Cilësia e dokumentit strategjik (analizë apo strategji?)
2. Vlerësimi i synimeve strategjike të reformave të shkuara dhe i historikut të arsimit të lartë në Shqipëri
3. Sugjerime për strategjinë që në thelb kërkojnë zgjerimin e ndikimit të reformës  në shumë dimensione (në synim: arsimi profesional; në impakt: nivel ndërkombëtar; në fusha: kërkimi shkencor etj.) dhe alternativa për zgjerimin dhe thellimin e analizës së sistemit (sigurimi i cilësisë, vlerësimi i riskut, vlerësimi i zbatueshmërisë nga pikëpamja ekonomike etj.) 
 
Kritika: Analiza në aspektin terminologjik është e mirë, por termat janë përdorur shabllon pa u trajtuar për kontekstin aktual të reformës dhe jo në kuptimin e tyre operacional. Sugjerimet janë të pakuptueshme për një lexues të panjohur me sistemin e hartimit dhe vleresimeve të strategjive politike (p.sh. çfarë nënkupton vlerësimi i riskut në aspektin e zbatimit të reformës? apo sugjerimi për një guidë të sigurisë). Thellimi vetëm në një aspekt të strategjisë do ti kishte shërbyer më mirë lexuesit.

1. A mund ta quajmë dokument strategjik? Kam bindjen se mund të quhet më shumë një dokument analize me ide zhvillimi se sa një dokument ku qartësisht lexohet Reforma. Sigurisht jemi në draft të parë dhe do thellohet e pasurohet. Këtë duhet ta mundësojmë të gjithë.
A. Elementi i parë i pasurimit të asaj që kemi për diskutim lidhet me disa bashkëngjitje dokumentare. Brenda analizës ka një sens kritik të analizës për gjendje kritike dhe të diskutueshme por mun të paraprihej edhe nga një bllok i arritjeve të realizuara nga bota universitare në më shumë se 60 vjet.
3. Psh ja vlen të analizohen arritjet në lirinë akademike deri më sot po aq sa dhe shembuj të qasjeve të krenarisë institucionale në ballafaqim me eksperiencat dhe modelet e suksesshme botërore. Sado që të jenë këto qasje, psh Profesorë që deputojnë suksesshëm në universitete perëndimore, projekte ndëruniversitare me modele prestigjoze universitare në botë në raport me zhvillimet bashkëkohore, anëtarësime në lidhje, programe, projekte apo inisiativa që kanë patur ndikimin e tyre  në zhvillimet tona DUHEN pasqyruar. Ky është një sygjerim që do të pasuronte elementin analitik për t’u plotësuar më shumë pamja prej nga ku do të fillojë ndryshimi.
4. Ne lipset të ushqejmë më tej lirinë akademike të arritur deri më sot për cilësinë në universitete sikurse kemi nevojë të ndërtojmë një liri financiare që do i shërbejë po asaj. Ne duhet të mirëorganizojmë kërkimin shkencor sikurse duhet të qendërzojmë fushat e kërkimit në dobi të zhvillimit të qendrueshëm të vendit, t’i paraprijmë këtij zhvillimi. Kjo trinomi kërkon që në dokument të paraqitet si një kompetencë vertikale nga universitetet drejt Akademisë së Shkencave po aq sa kërkon ndërtimin e  përgjegjësive horizontalisht në institucionet e AL dhe fushës së akademizmit.
5. …  kam bindjen se dokumenti do të duhet bashkëngjitet me një studim tjetër strategjik të tipit “Shqipëria e profesioneve dhe aftësimeve 2030”.
Ky do të ishte një dokument që do na conte suksesshëm tek aftësimi për tregun e punës. Është absolutisht e domosdoshme që zhvillimet reformatore në arsimin e lartë, paraprirë nga ndryshimet në Ligjin e AL duhet të bashkëshoqërohen me një Dokument të Zhvillimeve të Pritshmërive në vend dhe cilësisë së burimeve njerëzore që ne fakt bazuar në analiza e prognozë të zhvillimit makroekonomik të vendit duhet ti qasen këtyre zhvillimeve në AL.
Pas këtij dokumenti strategjik ne mund t’i japim më tepër sens vlefshmërisë dhe dobishmërisë së këtij “Green Paper”-i. Ne nuk kemi vuajtur kurrë nga punime ku jemi dhe sa jemi, gjykoj se ne nuk kemi prodhuar akoma një dokument që strategjikisht ti paraprijë një Shqipërie të pas 15-20 viteve. Besoj që ky duhet të jetë misioni i gjithë aktivitetit akademik e shkencor në vend, t’i paraprijë zhvillimeve. Me sa di pranë Kryeministrit është një drejtori e kërkimit shkencor dhe zhvilllimit së cilës mund t’i besohet urgjentisht ky dokument. Konceptimi i saj pranë zyrës së Kryeministrit është një arritje dhe kjo duhet të hyjë në funksionalitet me studime të tilla që duhet t’i paraprinin këtij “Green Paper”-i.
B. Elementi i dytë, është një pyetje (sygjerim) se pse ky tip dokumenti i prodhuar që jep pamje të sakta e të vërteta të gjëndjeve në AL dhe IAL nuk analizon që pse dokumente të së shkuarës të shkruara bukur për lirinë akademike dhe kërkimin shkencor, zhvillimet në universitete apo përafrimet me tregun e punës,  përfshirë këtu edhe Kartën e Bolonjës, Strategjinë Kombëtare të Zhvillimit të Arsimit apo Strategjinë Kombëtare të Kërkimit Shkencor dhe Inovacionit nuk sollën atë që pritej por sollën këto gjëndje tepër kritike në AL dhe përdhosjen e cilësisë së diplomave universitare. 
6. … cili është modeli që do bashkëvendosim të ndërtojmë tani?
Me guxim hartuesit e dokumentit duhet të deklarojnë modelin dhe epërsitë e tij në tregun ndërkombëtar të dijes dhe zhvillimit.
Grupi i reformës ka pohuar se “Qëllimi i çdo reforme është të përmirësojë treguesit, kryesisht ata të matjes në “dalje”. Në rastin e Reformës së Arsimit të Lartë dhe Kërkimit Shkencor, reformimi ka si qëllim të sugjerojë ndryshime me qëllim përmirësimin e cilësisë së arsimit të lartë në dy drejtimet kryesore: 1. mësimdhënie dhe punë kërkimore,  2.shkencore”.
7. …. të thellohet që të japë modelin, treguesit e ndryshimit, argumentet për to dhe analizën e rriskut për atë cka pretendohet të arrihet.
8. Kalimi në diskutim të gjerë është një standard që duhet vlerësuar dhe që kam bindjen se do ta pasurojë dokumentin. Ajo që shkruhet për mision duhet të gjejë standardin dhe matësin e realizimit të tij në dokument.
9. …  dokumenti shoqërues [duhet te] ishte Guida e Sigurisë për të paraprirë zhvillimet e pritshme në vend por dhe Standardi i Analizës së Rriskut për një reformë që duhet t’i japë fund shumë fenomeneve negative për të ardhmen e vendit dhe punësimin e gjeneratave të reja përmes  zhvillimeve në arsimin e lartë të pas 2005-sës.
10. Analizën në detaje, vërejtjet dhe rekomandimet do t’i japim dhe DUHET t’i japim të gjithë, punonjës në AL por dhe intelektualët shqiptarë, këtu dhe në hapsirat shqipfolëse. Është një nisje e mbarë që do pasuruar ashtu si normalisht duhet të ndodhë në një Reformë të përmasave të tilla. Komisioni ka kapacitetet për të moderuar edhe procesin e pasurimit më tej deri në dokumentin final.




















Friday, May 16, 2014

Jani Marka mbi Reformen

 

Jani Marka prek disa çështje mbi reformën, por në tërësi nuk ndalohet të shprehë alternativa mbi një aspekt të caktuar të reformës:
1. Autonomia institucionale
2. Cilësia e raportit
3. Aktualiteti: Cilësia dhe financimi
4. Interesi i studentëve: rritja e tarifave dhe kredia studentore
5. Kërkesë për diskutim të gjerë mbi konceptin e universitetit, rolin, misionin dhe objektivat (mbi të cilat mund të vlerësohet performanca)



Jani Marka
http://rreth.wordpress.com/2014/05/14/reforma-ne-arsimin-e-larte/
….
“…Unë besoj që më shumë se sa për paratë, më shumë se sa për mjediset, më shumë se sa për shumë reforma të tjera, shumë të rëndësishme, arsimi shqiptar ka nevojë për liri. Shkolla shqiptare ka nevojë për liri. Universiteti ka nevojë për liri. Në Universitetin publik shqiptar, sidomos, mungon liria. Aty ku mungon liria është pastaj e natyrshme që të ndeshesh me deformime dhe me sëmundje nga më të ndryshmet dhe nga më të rëndat.”.

Këto nuk janë fjalët e mia, por pjesa hyrëse e fjalimit të Z. Edi Rama në tryezën për Rilindjen e Arsimit në nëntor të vitit 2012 (http://www.ps.al/te-reja/liri-konkurrence-e-merite-per-rilindjen-e-arsimit-22-11-2012/).

1. Në këtë këndvështrim, vetë ky proces i reformimit të arsimit të lartë cenon lirinë e pretenduar, autonominë, sepse gjithë procesi është mbështetur në parime të gatshme të hedhura në tryezë nga politika, duke e bërë këtë proces krejt të centralizuar. Komisioni ka punuar mbi parime të gatshme, ndërkohë që një proces i lirë do të ishte që parimet e reformës të dilnin nga vetë universiteti, dhe kryesisht të dy komuniteteve kryesore: trupa pedagogjike dhe studentët.
Drafti i reformës që na është paraqitur mbart në vetvete defekte serioze, si të karakterit akademik, (për shembull mungojnë referencat, shpeshherë duket sikur nuk janë akademikë që bëjnë përgjithësime, por sikur janë përfaqësues me përvojë të Ministrisë së Financave: “Premisa e parë për ndryshimin e sistemit tonë universitar, gjithnjë nën këndvështrimin e mundësive financiare që ka aktualisht ky sistem, është pamundësia e shtetit/buxhetit për të financuar dhe mbështetur arsimin e lartë në nivelet që kërkojnë standardet dhe cilësia bashkëkohore.” drafti faqe 30), në mënyrën e shtruarjes dhe gjuhës së përdorur, duket sikur edhe vetë anëtarët e komisionit nuk e kanë lexuar më kujdes draftin e shtypur, dhe mbi të gjitha në vetë kontradiktat që mbart drafti, si në lidhje me pavarësinë, shëndoshja në tre vite e sistemit, kredia studentore, etj. Në këtë proces reformimi, që duhet të jetë shumë i pjekur dhe i kujdesshëm, me sa duket, ka shumë ngut. Synohet të shëndoshet Arsimi i Lartë në një periudhë 3-5 vjeçare, për një sëmundje që ka të paktën 20 vjet që përparon nga dita në ditë. Nëse nuk është aventurë, është papjekuri, apo edhe më keq akoma, është mashtrim, sepse kurrsesi nuk mund të jetë mrekulli.
Në këtë draft nëse shikojmë analizën e problematikës dhe gjendjes aktuale të IAL-ve duket shumë qartë se nota nuk është kaluese, madje shumë larg saj. Universitetet kanë ngelur në klasë, si në aspektin e mësimdhënies, po ashtu edhe në atë të kërkimit shkencor. Po kush është përgjegjës për këtë? Vetëm universiteti, apo edhe shteti?! Shteti ka financuar universitetin publik vetëm për pagat e punonjësve, ndërsa pjesa tjetër është mbuluar nga tarifat e studentëve, dhe kjo nuk është një vlerë e vogël, për shembull për universitetin e Tiranës është rreth 40%, dhe të gjitha këto kanë shkuar kryesisht për pagesën e pedagogëve të jashtëm dhe orëve mbi ngarkesën mësimore, investime infrastrukture, për t’iu përgjigjur masivizimit të imponuar, dhe pothuajse fare për kërkim shkencor. Universiteti është ngelës, dhe përgjegjës për këtë është padyshim edhe shteti, jo vetëm me mosfinancimin e universitetit publik, por edhe me imponimin e kuotave, që kanë çuar në masivizim të skajshëm në dëm të cilësisë, me cenimin e autonomisë së universitete, me mbështetjen e politikës ndaj burokracisë; dhe shteti në këtë draft reformë synon një braktisje të fundit të universitetit publik, duke e çuar drejt një pavarësie të plotë, por që edhe kjo është një kontradiktë e draftit, sepse shteti me agjencitë financuese të tij do ndikojë fortë në lirinë e universiteteve. Universitetet publike nuk mund të jenë të pavarura, ose nëse do jenë të pavarura, do jenë për të shkatërruar veten e tyre.
Nëse në vendet perëndimore Arsimi i Lartë financohet në masën 1-3% (sipas draftit), vendin tonë kjo vlerë është 0.5%. Në draft jepet si argument që edhe në vendet perëndimore ka vështirësi, por problemi në Shqipëri qëndron në faktin se vështirësia fillon shumë më herët se sa 1-3%. A nuk duhej që fillimisht të arrihej në këtë përqindje të financimit dhe pastaj të shikohej për mundësi të tjera?
Në draft në disa raste shprehet se do të ketë në mënyrë të pashmangshme rritje të tarifave,ndërkohë në draft thuhen edhe të pavërteta (si për shembull: “Pagesat e studentëve. Deri tani këto pagesa kanë qenë minimale dhe si të tilla nuk janë bërë një përqindje e konsiderueshme e të ardhurave të universiteteve publike.” drafti faqe 33). Ndërsa sot, realisht, tarifat e masterave janë në koston reale të shërbimit që ofrohet. Në draft thuhet që shteti do ndihmojë studentët që e kanë të pamundur të ndjekin universitetin për shkak të pamundësisë financiare, por nuk jepen hollësi se cili është pragu i kësaj pamundësie, kujtojmë këtu që ndihma ekonomike për familjet në nevojë sot është vetëm 6000 lekë në muaj. Bëhet fjalë për këto kategori që do ndihmohen nga shteti, apo edhe më gjerë? Nga një përshtypje e përgjithshme edhe sot një masë mjaft e gjerë e popullsisë (edhe shtresa e mesme?!), pavarësisht se formalisht nuk konsiderohet e varfër, është në vështirësi të mëdha për të përballuar koston e jetesës, ushqim, strehim, shëndet, arsim, kulturë dhe argëtim.
Në draft përmendet kredia studentore si model suksesi, por nuk thuhet që ky model është tërësisht i dështuar në vendet ku aplikohet, mbi të gjitha sepse diplomon një borxhli ndaj sistemit, duke e bërë të varur në të ardhmen e tij, duke shkelur rëndë në formimin e njeriut të lirë me përgjegjësi qytetare universale.
Me zbatimin e këtij drafti universiteteve aktualisht të forta u jepet mundësia të forcohen edhe më tej, ndërsa ato të dobëta të dobësohen edhe më tej, sepse financimi do mbështetet tek konkurrenca. Ndërkohë që, shteti në këtë fazë mund të përpiqej më tepër për të financuar këto universitete të dobësuara, përkundrazi i braktis ato, dhe shkon dhe financon universitetet e tipit fondacion që rrjedhin kryesisht nga një e shkuar piramidale në aspektin financiar, nga një e shkuar e errët në cilësinë e diplomave dhe pa asnjë kontribut shkencor.
Nëse vërtet duhet diskutuar për draftin duhet folur për vizionin afatgjatë, sepse në draft është futur një periudhë 3-5 vjet, që më tepër ngjan si karrem, për të gëlltitur reformën si të tërë.
Në reformë thuhet se është marrë parasysh edhe realiteti shqiptar, krahas propozimit të një modeli anglo-sakson. Por pyetja që shtrohet është se cili realitet shqiptar është marrë parasysh? Mos vallë realiteti që diplomoret private me pangopësinë karakteristike të biznesit dhe nuhatjen e thellë për të ardhmen e tyre, e shikojnë vetën të rrezikuar, nëse nuk financohen nga taksat e përbashkëta?
Në draft nuk flitet për studentin në mënyrë të qenësishme, fjala student përmendet shpeshherë pranë fjalës tarifë, financim, përqindje, euro, numër, konkurrencë. Ndërkohë që janë përjashtuar studentët nga këshillat dhe senatet.
Përfundimisht kjo reformë e thellë nuk mund të përparojë, së pari edhe sepse është e thellë, duke përbërë kështu një rrezik shumë të madh për dështim. Ajo që na duhet janë hapa të vegjël për të sjelle lirinë, autonominë në universitet, eliminimin e burokracisë, hapjen e një debati të pandërprerë për idenë e universitetit nga trupa pedagogjike dhe studentët, fillimisht për të realizuar një reformim të brendshëm si rezultat i vendimmarrjeve kolegjiale dhe gjithëpërfshirëse.
http://rreth.wordpress.com/2014/05/14/reforma-ne-arsimin-e-larte/

















Wednesday, May 14, 2014

Akuza për Keqmenaxhim në Universitetin Politeknik të Tiranës

 
image

Bardhi Sejdarasi
6 maj 2014, Shqiptarja.com
(Shkrimi është modifikuar për të hequr pjesët jorelevante të ngarkuara me “hartizma” dhe akuza jothelbësore)

Akuza Nr. 1: Kolonat

1. …  Sekretari i Përgjithshëm i Ministrisë së Arsimit, në datën 17 Prill 2014, nëpërmjet një letre me nr 3/234/1, i kërkon “akademikut” informacion të plotë lidhur me disa shqetësime të depozituara në Ministrinë e Arsimit dhe Sportit. …
2. Në vitin 1995, me Urdhrin nr 10, datë 1/6/1995, Biblioteka Shkencore Universitare kaloi në pronësi të Universitetit Politeknik të Tiranës (BSHUPT). Deri në vitin 2005, tre të kartërtat e godinës ishin pjesë e BSHUPT. Një marrëveshje mes ish-rektorit të UPT, Përparim Hoxha dhe ish-rektorit të Universitetit të Tiranës (UT), Shezai Rokaj i siguron katin e dytë të BSHUPT Rektoratit të UT.
Nuk gjendet askund, asnjë gjë e shkruar për këtë tjetërsim prone, as marrëveshja si e tillë.
Të dy rektorët e mësipërm kanë qenë në detyrë, kur në hapësirën mes BSHUPT dhe Muzeumit Arkeologjik (tani Instituti Albanalogjik) u ndërtuan “Kolonat”, një fast-food, që ka një histori të çuditshme pagesash për kontrata qeradhënie që nuk është e lehtë t’i gjesh.
2. Në vitin 2007, në muajin korrik,…  kërkesa për  Bar-Kafe ( e ngjashme me atë të bërë në krahun tjetër, pra tek Instituti Albanologjik) nënshkrohet nga Prof. Përparim Hoxha, mbante nr 408/1 prot dhe datën 04/06/2007 dhe i dërgohej Arben Palit, drejtor i BSHUPT.
3. Kryetari i Bashkisë, Rama, ishte i ndjeshëm ndaj kësaj kusarie dhe e bllokoi menjëherë. Z. Edi Rama ishte kryetar i Bashkisë së Tiranës, një SMS e ka detyruar të dërgojë Inspektoratin Urbanistik Vendor të bllokojë punimet brenda BSHUPT. 
Mbrapa saj (kafese) ishte një deputet dhe eksponent i PD, gjithashtu edhe ministër. Por “ruspa” e Bashkisë e bllokoi ndërtimin, ndërsa për “kthimin në identitet” të punimeve ilegale të ish-ministrit të PD, pagesa u firmos nga paratë publike të UPT, firmosur tashmë nga “akademik” Jorgaq Kaçani.

4. Ky është dëmi më i vogël i shkaktuar nga papërgjeshmëria e një drejtuesi të institucionit publik.
Ndërtimi i fast-food “Kolonat”, solli shkatërimin e plotë të fondit të librit të bibliotekës. Bllokimi i dritareve të ajrimit dhe ventilimit e nxori jashtë përdorimit katin e poshtëm të bibliotekës, 2.5 herë më e madhe se sipërfaqja e katit të parë! As rektori Përparim Hoxha, as drejtorët e biblotekës nga viti 2005 deri në 2008 nuk e shpëtuan dot kalbjen dhe mykjen e mijëra librave në këtë fond. Në 3 Mars 2008 Drejtoria e Shëndetit Publik merr një kërkesë të drejtorisë së BSHUPT, për të inspektuar mjedisin, sepse në të punonin një numër i konsiderueshëm punonjësish, shëndeti i t ë cilëve rrezikohej seriozisht.
5. Ministri i Shëndetësisë i kohës reagon. Ai ngarkon Drejtorinë e Shëndetit Publik dhe Inspektoratin Sanitar Shtetëror të verifikojnë shqetësimin e drejtorisë së BSHUPT. Në procesverbalin me nr 43, dt 10/09/2008, të firmosur nga Dr. Vili Sinjari dhe I. Prifti, mbështetur në ligjin nr 7643, dt. 02.12.1992 “Për Inspektoratin Sanitar Shtetëror” (nenet 14, 17) dhe ligjeve nr. 9636, dt. 06.11.2006 dhe nr. 9518, dt. 18/04/2006, u vendos: “Ky ambient është i papërshtatshëm, ndikon në shëndetin e punonjësve dhe përbën rrezik për ta” si dhe u rekomandua: “Të hiqet i gjithë fondi i librit i mykur, të riparohet i gjithë ambjenti, të hapen dritaret, të vendoset sistemi i ajrimit, të rregullohen kanalizimet”.
Ky dokument i Ministrisë së Shëndetësisë, iu dërgua “akademik” Kaçanit me shkresën nr. 105 prot, datë 19.09.2008, shkresë në të cilën i shpjegohen rekomandimet e MSH dhe -citoj- i: “kërkohet ndërhyrje e shpejtë për të shpëtuar çfarë mundemi nga fondi i rëndësishëm i librit”  si dhe i propozohet- citoj- “ngritja e një komisioni të përbashkët të bibliotekës dhe administratës së UPT për të parë konkretisht gjendjen dhe për të përcaktuar disa masa për përmirësimin e gjendjes si dhe për të përgatitur një projekt për një ndërhyrje rehabilituese të shpejtë”.

6. Në datën 06/02/2009 me shkresën nr 31 prot, “akademik” Kaçanit i dërgohet “Informacion mbi gjendjen e rënduar të mjediseve të fondit të librit”, ku i shpjegohet se “sipërfaqja 2,5 herë më e madhe se sa hapësira aktuale e BSHUPT, (që shtrihet në kufijtë: Lindje-Sheshi Italia, Perëndim- Sheshi “Nënë Tereza”, Veri- Muzeu Arkeologjik (fondi shtrihet gjatë gjithë hapësirës mbi të cilën ngrihet fast-food “Kolonat”, Jug-Rruga e Sheratonit), ndodhet në një gjendje të rënduar”. “Akademikut” nuk ia ndjen akoma! Sinjalizohet përsëri se “është dëmtuar çatia, si rezultat i punimeve të kryera nga subjekti “Kolonat”, duke sjellë sipërfaqe të suvasë të rrëzuara dhe futje të lagështirës nga ujrat e bardha dhe të zeza të lokalit”.

Vihet në dijeni nga drejtuesi i institucionit se “në pjesën e dritareve të ajrimit është bërë bllokimi i tyre me material të ngurta, që kanë sjellë jo vetëm mungesën e ventilimit natyral, por janë bërë shkas edhe për depërtimin e ujrave të shiut”. I thuhet se “në veriperëndim të godinës, hedhja e mbeturinave të ngurta ka kufizuar mundësinë e ventilimit dhe ka rritur sasinë e lagështirës”. “Akademikut” nuk ia ndjen edhe njëherë tjetër.

7. Pak vite më vonë, kur mjediset e katit përdhes u shkatërruan plotësisht, ka pasur një tentativë për të ndërtuar një parkim të nëndheshëm në sheshin “Italia”, i bllokuar jo thjesht sepse askush nuk investoi, (edhe pse vendimi u zbardh “sa hap e mbyll sytë”), por sepse inxhinierët projektues mësuan se kati përdhes i BSHUPT kishte një udhë nëntokësore, të projektuar nga italianët (Projekti mban shënimin Vizatimi nr. 17, Romë, 09/12/1939- Arkivi Bosio- i azhornuar në Tiranë më 26/04/1940), e cila do të përdorej për të lidhur sheshin e sotëm “Nënë Tereza” me dhomat e larjes së futbollistëve në Stadiumin “Qemal Stafa”. (Nuk mund ta konfirmoj dot këtë, sepse ka qenë e pamundur të hysh në nënkatin e BSHUPT!)

8. Ministrja Lindita Nikolla, pas letrave të pafundme në adresë të saj,  nxjerr Urdhrin nr. 106, dt. 28.03.2014 dhe ia dërgon ‘akademikut” me nr. 2176 prot.,  ku i kërkon t’i përgjigjet në mënyrë shkresore,  sidomos pikave 1, 3, 8, 15, 18, 26, 32 dhe 35!
9. A ka lidhje kjo me lënien në mëshirë të fatit të katit përdhes të BSHUPT? A kanë gisht dy rektorët e fundit në ndonjë aferë korruptive? Kjo është një çështje e prokurorisë, tashmë dhe jo e artikullshkruesit!

Reagimi nga Kontrolli i Lartë i Shtetit

10. Leskaj thuhet që ka njohje të vjetër me “akademik” Kaçanin! Punë e tyre! Njohja është një gjë, puna e shtetit është një gjë tjetër. Kontrolli i Lartë i Shtetit nuk ka gjetur “asgjë” në shkelje të ligjit dhe akteve nënligjore në Universitetin Politeknik. Raporti i kontrollit nuk është bërë publik, por disa pyetje duhen shtruar edhe për kryekontrollorin:

1. A ka informacion vlonjati Leskaj për dëmin që ka shkaktuar vlonjati Kaçani në katin përdhes të BSHUPT? (kujtojmë se janë mbi 45 mijë tituj librash që i mungojnë inventarit të kësaj biblioteke- kontrolli i KLSH është bërë këtë pranverë!);
2. A ka informacion z. Leskaj se, duke shkelur në mënyrë të përsëritur (prej vitit 2011) vendimet e Këshillit të Administrimit të UPT, z. Kaçani ka emëruar punonjës e ka ndarë tituj si ofiqe personale apo ndere, në kundërshtim me vendimet e Këshillit Administrativ, duke dëmtuar financiarisht arkën e shtetit dhe të institucionit (çdo titull i dhënë ka koston 10 mijë lekë/muaj më shumë në pagë!)
3. A ka identifikuar Leskaj ndonjë shkresë si psh. atë të drejtores së burimeve njerëzore, e cila paguhet sikur ka mbaruar doktoraturën, ndërsa doktoraturën nuk e ka mbaruar akoma. Ose më drejtpërdrejt; a e kanë parë inspektorët e Leskajt se vetëm dekania e Fakultetit të Teknologjisë së Informacionit (FTI) nuk e ka respektuar një urdhër kaçanian për të paguar të gjithë kandidatdoktorantët me pagën e atij që mbaron doktoraturën?! Mbase edhe këtu ka vend për të parë përdorimin e parave publike që vijnë nga taksapaguesit shqiptarë apo nga kuotat e studentëve!
4. A ka dijeni KLSH dhe madje edhe ministrija Nikolla se, gruaja e vlonjatit Kaçani punon në Institutin e Gjeoshkencave, që varet nga “akademiku” Kaçani, se Neritan Shkodrani, shef katedre në Fakultetin e Inxhinierisë së Ndërtimit, ka gruan drejtore të BSHUPT dhe vëllanë, Migen Shkodrani, drejtor të prokurimeve, institucione që varen drejpërdrejt nga “akademik” Kaçani?
5. A ka dijeni KLSH dhe znj. Nikolla që, Përparim Deçolli, profesor i FIM dhe i ngarkuar për Qendrën e Sigurimit të Brendshëm të Cilësisë së Rektoratit, ka vajzën specialiste të statistikave në UPT, kur ajo thjesht ka mbaruar për psikologji!?
6. A i ka gjetur z.Leskaj dhe inspektorët e tij “letrat” e punonjëses N.Suparaku, sekretare e Dekanes së FIE, që punon në të njëjtin dekanat me burrin e vet?!
7. A e di z. Leskaj dhe inspektorët e tij se kancelarja e inxhinierisë së Gjeologji-Minierave është transferuar nga kancelare e këtij fakulteti, në postin e kancelares së Inxhinierisë së Ndërtimit me arsyen kaçaniane “se i biri i kancelares duhet të ishte pedagog te fakulteti i Gjeologji-Minierave”?!

 

Akuza Nr. 2: Shtesa e UPT


Shumë njerëz e kujtojnë se si Artanët, Lame dhe Shkreli, pak para zgjedhjeve të qershorit, dolën në media, pikërisht prapa kurrizit të Korpusit Qendror të UPT, duke kundërshtuar projektin për shtesën e UPT në dëm të Parkut Kombëtar të Tiranës.
1. U mor vendimi për shtesën e UPT, u përzgjodh kompania dhe filloi punimet. Kjo ishte dhe është e vetmja kompani që fiton tendera në UPT.

2.  Kompania nuk kishte përvojën e duhur në punime të tilla. Gjatë procesit u punua pa një projekt të qartë, nga gërmimet u lëviz nga vendi një nga faqet anësore të godinës ekzistuese, duke e dëmtuar seriozisht konstruksionin ekzistues.
3. Kush foli për këtë u “kërcënua” deri edhe me vendin e punës. Kush nuk foli dhe firmosi, u bë… ”zëvendësrektor”! Sot, në katin e parë të Korpusit Qendror mund t’i gjesh ende “zgavrat” e gabimit fatal të kompanisë.
4. Por gabimi më fatal është urdhri i “akademikut” për të ngritur një grup pune që të firmoste se nuk ka “asgjë” për t’u shqetësuar! Në këtë grup bënin pjesë vartësit e Kaçanit, por edhe drejtuesi i punimve, inxh. A. Sevrani! Si ka mundësi, edhe të drejtosh punimet, të bësh “zarar” dhe të firmosësh se “nuk ke bërë zarar?”. Edhe këtu mbase më shumë gjëra i duhen bërë të njohura prokurorisë sesa media-s! Por sidomos z. Bujar Leskaj!
5. Ministrja Lindita Nikolla e ka tashmë një dosje të plotë të të gjithë asaj që ka ndodhur dhe është përgjegjësi e saj nëse nuk vë para përgjegjësisë autorët.  Ajo do të ndodhet, afër apo vonë në kohë, përballë ndonjë katastrofe kur t’i gjejë studentët nën inerte, sepse  riparimi i bërë “natën” nuk do të mund ta shpëtojë godinën ekzistuese nga gafa e “meremetimit” të zgavrës së hapur nga gabimi inxhinierik dhe mungesa fatale e përvojës!