Showing posts with label Nepotizem. Show all posts
Showing posts with label Nepotizem. Show all posts

Tuesday, September 8, 2015

Letër e hapur nga një aplikant pune në Agjencinë e Akreditimit

 

Edmond Çata, pedagog i jashtëm në Universitetin e Durrësit, ka aplikuar për një vend pune si specialist pranë Agjencisë Publike të Akreditimit të Arsimit të Lartë. Zotit Çata (PhD.) i është refuzuar aplikimi për arsye jo transparente. Për këtë zoti Çata ka publikuar një letër të hapur për ministren e arsimit znj. L. Nikolla.

Më poshtë letra e tij me disa shkurtime. Letrën e poshtë e gjeni të botuar tek Gazeta Dita, 8 qershor 2015 dhe këtu: xxxx.

Kjo letër denoncon publikisht Agjencinë e Vlerësimit dhe Akreditimit, e drejtuar nga Dhurata Bozo, dhe nën varësinë tuaj direkte. Në bisedën tonë telefonike datë 3 Shtator 2015, ju më thatë tju dërgoja një letër. Unë letrën po ua dërgoj, por PUBLIKISHT! Për tre arsye: prej rëndësisë që i keni dhënë ju si Ministre, bashkë me Kryeministrin Rama, akreditimit; prej rëndësisë që ka për reformën Agjencia e Akreditimit; dhe, prej faktit që kjo agjenci varet direkt prej jush. Shtysë për këtë letër janë praktikat e rekrutimit të Agjencisë.

….

Në Buletinin e Prokurimeve Publike, Nr. 9, datë 9 Mars 2015, faqe 380-383, Agjencia shpalli rekrutim për dy specialistë “për Promocionin dhe Vlerësimin e Cilësisë” më kritere arsim i lartë, 3 vjet punë, njohuri në anglisht, legjislacionin mbi arsimin, dhe akreditimin, aftësi të shkruari dhe aftësi të punuarit në grup. Aplikimet kërkohej të paraqiteshin brënda datës 16 mars 2015. Ndaj në 15 Mars unë paraqita dosjen time e cila përmbante: CV-në, Diplomat me Notat në PhD, Master, dhe Bachelor, eksperiencën time të punës, si dhe një listë me artikuj të mi për çështjet e reformës, universiteve, dhe arsimit të lartë në Shqipëri.

Ajo që ka ndodhur nga Prill deri në Shtator minimalisht mund të quhet tallje, ndërsa në një vlerësim më radikal, mund të konsiderohet një praktikë e dyshimtë dhe e ndëshkueshme. Deri në mes të Prillit, 4 javë pas aplikimit, agjencia nuk u bë e gjallë të njoftonte si po procedonte. Dy herë tentova të merrja vesh çpo ndodhte, duke shkuar vetë në Agjenci. Në zyrat e saj askush nuk jepte sqarim as për aplikimin, as për vetë Drejtoren Dhurata Bozo. Të cilën sa herë kam shkuar, asnjëherë nuk e kam gjetur në zyrë.

Agjencia u bë “e gjallë” vetëm në datë 22 Prill me një telefonate në numrin 224-3423. Por telefonata kishte dy paradokse: 1) me personin dhe 2) logjikën që përçonte në emër të Agjencisë. Telefonuesja, kur e pyeta me ç’kapacitet më fliste, më tha…  se procesi është anulluar sepse vetëm ti ke paraqitur aplikim! “Anullim?” ia ktheva i çuditur! I bie të jem fitues direkt! Jo vetëm si kandidat i vetëm por edhe sepse përmbush dhe tejkaloj gjithë kriteret. … Me këtë logjikë, në 27 Prill 2015 Agjencia e Akreditimit përsëriti shpalljen, me të njëjtat kritere, në Buletinin e Prokurimeve Publike, Nr. 16, faqe 573-574.

Si një njeri i cili ka shkruar që nga viti 2002 mbi 30 artikuj për reformimin e Arsimit të Lartë dhe Universiteteve shqiptare; si një njeri direkt i interesuar për rezultatet e reformës suaj, padyshim që kam ndjekur me vëmëndje çdo veprim apo mosveprim tuajin në arsimin e lartë dhe ndaj universiteteve; kam ndjekur me vëmëndje çdo premtim të tuajin, çdo mënyrë që ju shpallni se do të ndiqni në kryerjen e reformës, dhe çdo hap që ju si qeveri keni hedhur konkretisht deri tani. Por cilësinë dhe rezultatet e reformës suaj unë nuk i “mas” me deklaratat që bëni ju; Nuk i mas as me të treguarit se sa të fortë jeni ju dhe argumentet tuaj në debatet me përfaqësuesit e universiteteve. Cilësinë dhe progresin e reformës suaj unë i “mas” me “fatin” tim: Sa do të ndryshojë ai nga një person i papunë, në një person ju do ti lejoni të japë kontributin e tij në universitetet apo agjencitë qeveritare që operojnë në fushën e arsimit të lartë. Ju nuk mundeni që në njërën anë të bëni deklarata në publik të tipit “do të bëjmë këtë, e do të bëjmë atë”- që po ti marrësh ashtu siç bëhen do ti binte që unë të mos kisha mbetur sot i papunë – dhe nga ana tjetër, në sjelljen tuaj në realitetin praktik, të silleni krejt kundër nga sa thoni në deklaratat tuaja! Ndaj meqë “zyrtarisht” më kërkove të të dërgoja më postë një “letër zyrtare” por praktikisht as nuk dëshëroja të dëgjoje atë çfarë unë kisha për të të thënë, letrën time po ua dërgoj PUBLIKISHT! Në këtë letër, përveç informacionit që ka të bëjë specifikisht me Agjencinë e Akreditimit po ju kumtoj edhe disa gjëra që ju si Ministre nuk treguat ndonjë dëshirë për ti dëgjuar.

Agjencia që ju keni aktualisht, çdo gjë mund të konsiderohet por vetëm një instrument efikas nuk mund të quhet. Që nga drejtoresha e deri tek “specialistët” që e popullojnë atë mund të thuhet se kanë bërë pallë me paratë e taksapaguesve por vetëm për rezultate nuk mund të pretendojnë. Ca më pak mund të pretendojë vetë Drejtorja e agjencisë, apo ju si Ministre, se agjencia ka qënë ndihmuese e fuqishme në reformën tuaj! Kush thotë të kundërtën gënjen! Kush thotë se agjencia ka bërë punën e vet, nuk dëshëron të shohë të vërtetën në sy: Që tregu akademik është mbushur me universitete që kanë programe skandaloze dhe profesorat pa një historik, axhendë, dhe interes specifik në kërkimin shkencor! Agjencia aktuale e Akreditimit, të cilën ju e keni në varësi, është e populluar jo me profesionistë por me klientë; është e populluar jo me njerëz të ditur dhe eksperiencë mësimdhënëse, drejtuese, kërkimore në akademi por me djem dhe vajza të miqve partiakë apo familjarë; është e populluar jo me njerëz që kanë doktorata por me “bachelorista” dhe “masterista” të fituar universiteteve shqiptare; është e populluar jo me njerëz me eksperiencë dhe doktorata serioze nga nga universitete serioze por me njerëz me eksperiencë dhe doktorata “leshi”! Mjafton të verifikoni CV-të dhe eksperiencën e tyre jetësore, profesionale, akademike, dhe pastaj dilni dhe i thoni publikut dhe mua që këto që them në këto rreshta nuk janë të vërteta!

Që Agjencia e Akreditimit ka nevojë të reformohet, të ndryshojë drejtor, të popullohet me staf cilësor, kjo nuk ka pikë dyshimi. Ky imperativ konfirmohet nga dy fakte: 1) rezultatet e munguara të Agjencisë dhe 2) thirrja nga ju e Agjencisë Angleze të Akreditimit. Agjencia shqiptare e Akreditimit nuk është krijuar sot, ajo ka qënë edhe në kohë e dyshes Berisha-Tafaj. Por kur ju flisni për universitete, standarte, dhe cilësi të DYSHUESHME kjo tregon që kjo Agjenci, kështu siç është aktualisht, me këtë drejtore, staf, dhe mendësi, KA DËSHTUAR të kryejë misionin dhe detyrën për të cilën taksapaguesit shqiptarë e paguajnë dhe e mbajnë në këmbë: Agjencia ka dështuar të vlerësojë dhe akreditojë tamam, realisht, vërtetësisht universitetet shqiptare, programet e tyre, cilësinë dhe kredibilitetin e profesoratit të tyre! Agjencia ka dështuar të vërë gishtin dhe tregojë cilat universitete shqiptare nuk vlejnë dhe cilat universitete vlejnë dhe sa vlejnë. Është pikërisht mungesa e rezultateve konkrete arsyeja përse sot ne kemi universitete që, siç keni deklaruar ju dhe kryeministri Rama, kanë programe, kanë profesorat, dhe lëshojnë diploma, por diplomave të tyre nuk mund tju zihet besë, profesoratit i mungon kërkimi shkencor, dhe vetë qeveria nuk mund ti drejtohet asnjë universiteti për ndihmë konkrete apo know-how për çështje të qeverisjes së këtij vendi! Po ashtu, thirrja dhe pagimi nga ana juaj i Agjencisë Britanike të Akreditimit është treguesi tjetër i dështimit të Agjencisë Shqiptare të Akreditimit. Përse do të duhej që qeveria shqiptare të punësonte një agjenci të huaj akreditimi kur ajo ka një agjenci të vetën dhe paguan për mbajtjen e saj? Shpjegimi mund të ish vetëm një: Agjencia ose ka dështuar, ose nuk është në gjëndje, pra nuk ka KAPACITETE dhe KNOW-HOW të kryejë akreditimin e universiteteve shqiptare! Ndonëse ky është misioni dhe puna për të cilën mbahet në këmbë dhe paguhet me paratë e taksapaguesve shqiptarë!!!!

Gjëja e dytë që duaj tju kujtoj ka të bëjë me qëndrimin tuaj ndaj njerzve si puna ime, me kualifikime mëse të vlefshme si për universitetet, ashtu edhe për qeverinë shqiptare dhe agjencitë e saj. Në disa raste kryeministri Rama nuk ka munguar të shprehë “interesin” për kontributin e atyre shqiptarëve që kanë studiuar jashtë. Unë jam një ndër ta, i kthyer në Shqipëri në 2009, por që ka mbetur jo vetëm i papunë, por edhe është përballur me refuzimin tuaj për të më bërë pjesë të përpjekjeve tuaja në procesin reformues të arsimit të lartë dhe universiteteve shqiptare. Nëse kjo është filozofia juaj reale, përtej llafeve të bukura që artikuloni konferencave madhështore punë për ju kjo! Dhe mbase mendoni se e keni edhe luksin për të mënjanuar dhe mos angazhuar njerëz si unë! Por luksi juaj po shëndrrohet në mizerje po të shohim faktet dhe realitetin e reformës në arsimin e lartë!

Kjo mospërfillje e juaj, ky hendek i madh i veprave tuaja në raport me deklaratat që keni bërë, duket në dy drejtime. Së pari duket në paaftësinë tuaj për të na hapur njerzve si unë rrugët dhe dyert e universiteteve shqiptare. Është pikërisht kjo gjë që nuk e bën fare të çuditshme zbythjen tuaj në raste si ai i debatit tuaj me titullarë të universiteteve, specifikisht, rasti me rektorin mediokër të Universitetit Aleksandër Moisiu Durrës, Mithat Mema, një njeri të katapultuar aty nga Myqerem tafaj. Zbythje e juaj, sepse nuk ka se si të ndodhë ndryshe kur vihesh të mbrosh një kauzë që nuk është kauzë; kur vihesh në mbrojtje të njerzve të currufjapsur si ai dekani i UAMD-së që ju kërkonit ta rivendosnit në detyrë; kur në vënd të merreni me dhe tu jepni fund luftërat meskine për pushtet qqë ndodhin brënda universiteteve shqiptare mes forfesorëfve të rreështuar në klane, ju bëheni palë me njërën palë kundër tjetrës.

Në ndërtesën që quhet Ministria e Arsimit dhe Shkencës kanë hyrë dhe kanë dalë si ministra shumë emra. Të pyesësh shqiptarët në mbajnë mënd emrin e ndonjërit prej tyre, vështirë se do të kujtojnë ndonjë. Kjo sepse ata që janë bërë ministra, kanë hyrë në atë Ministrinë e Arsimit jo për të bërë një gjë për arsimin shqiptar që vërtet të mbahen mënd edhe pasi të mos jenë më ministra, por për ti shërbyer partisë dhe interesave klienteliste. Ndaj kanë hyrë dhe ulur në zyrën e Ministrit si ministri i rradhës, kanë “sunduar” stafin e Ministrisë, kanë kënaqur egoizmin e tyre sipas logjikës “hej, jam Ministri unë,” janë sjellë si Ministra tepër të “zënë,” të pakapshëm, të padisponueshëm, për njerzit! Kur nuk kanë qënë më ministra, janë harruar që ditën e nesërme! Ose janë edhe për ndjekje neale – ju parardhësin tuaj e keni paditur edhe penalisht, apo jo?!?!? Ka ndodhur kështu sepse asnjëri prej tyre kur ka hyrë në Ministrinë e Arsimit as ka patur ndonjë vizion për arsimin, as ka patur njohuri të mjaftueshme për çështje të arsimit, as ka deshur të bëjë vërtet diçka për të mbetur, dhe as ka bëri realisht ndonjë gjë për njerzit, shoqërinë, vetë arsimin! Madje edhe nëse mbahet mënd ndonjë emër, mbahet mënd për idiotësi ose pazarllëqe!

Cili do të rezultojë i vërtëtë, pretendimi juaj për kontribut, apo supozimi im dyshues, mbetet për tu parë, ditët e provës përpara i kemi! Por siç thonrë një fjalë e urtë, “dielli duket që me mëngjez”. Dhe deri tani, në dy vjetët e qeverisjes tuaj, nuk po duket kurfarrë dielli por vetëm llafe! Kështu si e keni nisur dhe po vazhdoni, e keni te garantuar që sado të qëndroni si ministre, do të përfundoni njësoj si të gjithë paraardhësit tuaj të djathtë apo të majtë! Ndryshimi është në dorën tuaj. Një rast për ta treguar këtë e keni jo vetëm me mua si person, por edhe me Agjencinë e Akreditimit.

Friday, April 24, 2015

Kritika ndaj dekanit të fakultetit të shkencave social - UT

 

HYSAMEDIN FERAJ “Pagjumësia e Dekan Dhorit”

Panorama, 8 Prill 2015

I kërkoj ndjesë lexuesit për serinë e shkrimeve me Theodhori Karaj, dekanin e FSHS, por, siç thoshte Deleuze, ai më shumë është personazh social dhe koncept, sesa thjesht individ. Si fenomen social dhe si koncept ka rëndësi për mendimin publik shqiptar, nëse ky dëshiron të reflektojë për shoqërinë që kemi ndërtuar. Kësaj here për të reflektuar mbi marrëdhëniet ndërmjet “punës” dhe “ligjit”.
Dekani Karaj del se është për vite të tëra pa gjumë, i lodhur dhe dërrmuar nga puna e tejligjshme. Aktet ligjore e nënligjore i kërkojnë të bëjë 1.500 orë pune në vit, aq sa të plotësohet norma prej tetë orësh pune në ditë, normë të cilën dekani e realizon dhe madje e tejkalon. Mirëpo, tej e përkundër akteve ligjore e nënligjore, dekani bën edhe 1.800 orë pune shtesë në vit: dekani udhëheq njëkohësisht ndoshta mbi njëzet, por, po e lëmë njëzet doktorantë për tezën e doktoratës; nga financa publike secila i llogaritet dhe i paguhet për 90 orë pune (20×90=1.800), rreth 9 orë në ditë përgjatë vitit, që bashkë me normën si pedagog dhe dekan i bëhen mbi 17 orë pune në ditë (8+9=17). As kjo llogari nuk është e plotë: dekani ka një OJF, e cila i merr afërsisht edhe 3-4 orë pune në ditë, duke e çuar punën ditore në 21 orë. I mbeten tri orë gjumë në njëzet e katër orë. Ndoshta nuk është pak, pasi thuhet se të majtë e të djathtë, Marksi ose Theatcher, gjeni dhe talente të tjera, flinin vetëm tri-katër orë në njëzetekatër. Mirëpo, dekani jep mësim edhe në universitetet publike nëpër rrethe, edhe në universitetet private, duke punuar kështu së paku rreth 30 ose më shumë orë në 24.
Kjo punë sigurisht që i shpërblehet: përtej pagës së përmuajshme, në fund të vitit vetëm për udhëheqje doktoratash i firmos vetes një pagesë prej 20 milionë lekësh të vjetër e të bërë copë-copë në fakultetin ku është dekan, njëlloj siç i firmosin pagesa universitetet e tjera publike e private, nëpër rrethe e në kryeqytet. Për rrjedhojë, gjithnjë ankohet se është i lodhur, se po e vuan postin që mban dhe vazhdueshëm i delegon kompetencat te të tjerët gjatë kohës që është në fakultet (jo në gjumë).
Gjithnjë kam menduar se shumë prej ligjeve dhe akteve që kanë pasuar prej tyre, e pengojnë punën dhe punëtorin të punojë e të japë aq sa mundet. Duke pasur parasysh se Dhori punon shumë më tepër sesa i kërkon dhe lejon ligji, na jepet mundësia të reflektojmë për këtë marrëdhënie të supozuar ndërmjet punës dhe ligjit në vendin tonë. Këta nuk lejojnë që një udhëheqës shkencor të drejtojë më shumë se pesë punime doktorale njëkohësisht, mirëpo Dhori ka provuar se mund të udhëhiqen mbi njëzet të tillë, duke realizuar paralel edhe punën si dekan dhe pedagog. Kush ka të drejtë?
Me sa duket, ligji dhe aktet e nxjerra në vijim të tij kanë pasur parasysh njeriun mesatar dhe jo gjenitë ose talentet që mund të punojnë mbi 24 në 24 orë. Me sa duket, ligji ka pasur parasysh se pa qenë gjeni njeriu mesatar, nuk mundet të mbajë mend as titujt e njëzet temave doktorale dhe aq më pak të zotërojë literaturën që ekziston për secilën, ta konsultojë me studentin që udhëheq, të rrahë mendimet me të, t’i këshillojë autorë dhe përvijime të reja argumentimesh etj. Pra, ligji duket se ka pasur parasysh cilësinë e udhëheqjes dhe të punimeve doktorale e jo vetëm sasinë (as të parave që jepen nga studentët ose merren nga udhëheqësit). Rasti i Dhorit tregon se ligji e pengon këtë sasi, dhe madje kërkon cilësi në vend të sasisë (!), duke penguar prodhimin e sa më shumë doktoratave… pa cilësi. Çka nuk kujtohet ai dreq ligji!
Këtu nis kontributi origjinal shqiptar në filozofinë botërore, jo vetëm në filozofinë e ligjit, por të vetë konceptit të kohës. Mbas ligjit ka pasuar një vendim të ministrit të Arsimit, që nuk lejon të udhëhiqen nga një person më shumë se pesë doktorata njëkohësisht. Njerëzit e etur për punë, si Dhori, konceptin e njëkohësisë e kanë interpretuar “para e mbas vendimit”: nëse para vendimit kishte tashmë njëzet udhëheqje, pas vendimit merr edhe pesë të tjera, vazhdon të udhëheqë njëzetepesë doktorata, por këto udhëheqje nuk janë më të njëkohshme! Në këtë interpretim, vendimi bëhet ndarësi absolut i kohësisë: kohësia nuk ka më asnjë dëftim te koha fizike, as të matur me orë që i duhen udhëheqësit për të bërë punën. Ndërsa vendimi mund të ketë pasur parasysh këto të fundit, se në një matje njëzetekatërorëshe të kohës, udhëheqësit nuk i del koha fizike të udhëheqë aq punime doktorale sa Dhori dhe njëkohësisht të realizojë punët e tjera si dekan, pedagog etj. Mirëpo, në relativizimin e kohës nga “Dhori” është parashtruar problemi i ngjeshjes kohore: cilado qoftë njësia e matjes, njësia më e madhe është më e vogël dhe e tkurrshme brenda kësaj – mbi njëzetekatër (orë) mund të tkurret në më pak se aq dhe të dalë kohë edhe për gjumë; mbi njëzet e pesë udhëheqje njëkohësisht mund të tkurren në më pak se pesë njëkohësisht etj.
Në këtë interpretim “punëdashës”, meqenëse ligjet dhe vendimet nuk kanë fuqi prapavepruese, koncepti “njëkohësisht” i vendimit nuk mund të ketë asnjë realitet tjetër, siç mund të jetë udhëheqja “njëkohësisht” e jo më shumë se pesë punimeve doktorale, pavarësisht para apo pas vendimit, duke vendosur njëkohësinë e numrit të udhëheqjeve dhe jo pikën e ndarjes kohore. Duke vendosur në qendër njëkohësinë e udhëheqjeve, vendimi mund të ketë pasur parasysh vijimësinë kohore: pavarësisht se njëzet udhëheqje ishin marrë para dhe pesë mbas vendimit, i njëjti person vijon të udhëheqë njëzet e pesë të tilla. Ndërsa nga “Dhori” vendimi është lexuar e zbatuar sipas konceptit të mosvijimësisë kohore: e kaluara nuk ka vijimësi dhe asnjë ndikim mbi kohën e tashme ose të ardhme – udhëheqjet e mëparshme dhe të tashme nuk mundet të jenë, as të vendosin njëkohësinë e kohës së vet.
Më tej, vendimi mund të ketë pasur parasysh lidhjen ndërmjet kohës dhe cilësisë së punimeve doktorale, mirëpo sipas “Dhorit” kjo as nuk mundet të ketë qenë, sepse në interpretimin e tij njëkohësia ka të bëjë vetëm me sasinë para e pas vendimit: pas vendimit nuk do të marrë më shumë se pesë njëherësh, por pesë e nga pesë në çdo rast, prandaj, edhe nëse për tri vite, sa parashikohet të zgjasë punimi, i grumbullohen pesëdhjetë udhëheqje, këto nuk janë të njëkohshme, sepse nuk janë marrë në të njëjtin çast kohor. Madje, në këtë interpretim, as vetë çasti kohor i matur me konvencione të tilla si orë, ditë, vite etj., nuk kanë kuptim, sepse është matje e kohës fizike dhe e supozon udhëheqësin edhe si trup fizik. Mirëpo, siç e pamë në fillim, ky soj i njeriut del përtej konvencioneve të matjes kohore dhe udhëheqësi nuk ka trup fizik: mund të punojë më shumë se njëzetekatër orë në njëzet e katër orët e ditës e të natës. Pa gjumë.
Siç shihet, ndonëse si shumë shqiptarë Dhori e urren filozofinë, duke na shtruar probleme ka dhënë një kontribut të rëndësishëm në filozofinë botërore, madje në një prej fushave më të vështira, atë të kohësisë: të kohës fizike dhe afizike, kohës dhe trupit, vijimësisë kohore, njëkohësisë, kohës dhe punës, ligjit dhe kohës, sasisë kohore dhe parave që merr në kohë etj., pavarësisht se gjithë këtë kontribut të spërdredhur teorik mund ta ketë dhënë për hir të këtyre të fundit në konkretësinë e tyre. Pavarësisht se i gjithi duket në shërbim të udhëheqjes, njëkohësisht të sa më shumë punimeve doktorale prej tij dhe që i paguhen mirë nga të tjerët, megjithatë ky interpretim na kontribuon si shoqëri që të shohim efektet e sjelljes së tillë po të jetë masive. Në fund të fundit, sjellja thotë se ligjet nuk janë asgjë, interpretimet në favorizim të vetes ose të tij janë gjithçka. Ja pse është kaq interesant si personazh publik dhe ia vlen të mbetet si ilustrim në debatin serioz mediatik.

Monday, July 21, 2014

Shkenca si zanat i bukës së gojës

 

Publikuar nga www.Peizazhe.com

Në 1917, kur Max Weber referoi mbi “Shkencën si Profesion” (Wissenschaft als Beruf) dhe krahasonte profesionin e akademikut ndërmjet Gjermanisë dhe SHBA-së, ai e karakterizonte profesionin e akademikut si të pasigurt dhe e cilësonte karrierën akademike si të varur nga rastësia dhe jo nga merita apo aftësitë. Për disa studiues të fushës, kjo situatë vazhdon ende në të dyja kontinentet. P.sh. Ulrich Teichler i Universitetit të Kassel-it në Gjermani përmend se nga 100 të diplomuar vetëm një person do të punësohet si profesor; i paparashikueshëm se kush. Ndërsa nga rreth 25 mijë doktorata në vitin 2009 vetëm 10-15% do të mund të punësohen në ndonjë institute kërkimi apo universitet në Gjermani. Në SHBA në vitin 2007 vetëm 30% e personelit akademik ishin në rrugën e sigurt për profesor (tenure track), prej nga 56% në 1975 apo 42% në 1995; ndërkohë që pagat e pedagogëve në SHBA rriten mesatarisht me 0.17% në vit. Ndërsa nga 170 mijë doktorata në vitin 2012 vetëm 37% do të angazhohen në mësimdhënie në SHBA, 40% në kërkim shkencor dhe zhvillim, e kusuri në industri. Në të dyja vendet numri i pedagogëve me kohë të pjesshme tregon tendencë rritje prej vitesh. Për shkak të këtij “prekariteti” të gjendjes së akademikëve, kritikët e ekonomizimit të sistemit (apo tregut) të arsimit të lartë i cilësojnë pedagogët e sotëm si “proletarë të dijes” (dhe veglat e punës, dija, nuk është e tyre).

Në Shqipëri situata nuk është e ngjashme për shkak se problemet janë tërësisht të ndryshme. Arsimi i lartë u konceptua jo si një industri prodhimi të dijes, por i prodhimit i të diplomuarve dhe si një industri punësimi. Numri i pedagogëve pa doktoratë punësuar me kohë të plotë u rrit rreth 4-fish që prej vitit 2004, ndërsa numri i pedagogëve pa doktoratë me kohë të pjesshme u rrit dyfish që prej vitit 2004. Rritja e kërkesës dhe e kuotave në arsimin e lartë, si dhe hapja e tregut privat, krijuan mundësi punësimi për shumë persona që synuan profesionin e pedagogut si një punë shteti e mirë-paguar, relativisht e rehatshme dhe për hir të statusit të lartë social. Por situata e pedagogëve dhe e aspiruesve, sidomos e atyre që kishin studiuar jashtë vendit e nuk gëzonin lidhjet e duhura sociale, nuk u përmirësua dhe së fundmi pakënaqësitë e disave janë shprehur edhe në media.

Për ilustrim po përmend dy histori personale në dy institucione të ndryshme të arsimit të lartë, atë publik, në Universitetin e Tiranës, dhe privat, në Universitetin Evropian të Tiranës. Elvis Hoxha, në Universitetin e Tiranës, dëshmon tek Panorama se procedurat e rekrutimit në UT janë të korruptuara, nepotike dhe nuk bazohen aspak në parimet dhe misionin e universitetit si një institucion i gjenerimit të dijes. Gjatë procedurave për emërimin e një pedagogu të brendshëm Hoxha, autor dhe përkthyes i disa trajtimeve filozofike, shprehet se edhe pse “në komisionin e tre vjetëve më parë, tri votat e pedagogëve të filozofisë ishin pro meje, Petraq Simo (një nga emrat e simptomës) gjeti një pretekst tipik shqiptar për të më nxjerrë jashtë konkurrimit: listën e notave. Nuk kishte rëndësi për të as mësimdhënia 4-vjeçare në një universitet francez, as alokimi i kërkimit trevjeçar akorduar nga Ministria franceze e Kërkimit, as nota me mention très bien në diplomën time, as vlerësimi i studentëve për cilësinë e leksioneve të mia, as përkthimi deri në atë kohë i gjashtë librave filozofikë.” Më tej Hoxha dëshmon se konkurrentja tjetër që synonte të njëjtin pozicion e mori vendin e punës në mënyrë të pamerituar dhe në saj të kapitalit të saj politik. Ndërsa X, e punësuar në Universitetin Evropian të Tiranës, dëshmon në gazetën Dita mbi trysninë që ushtron administrata e universitetit për të pranuar si të vlefshëm një punim diplome plagjiaturë. Autorja kujton me qesëndi se të nesërmen e pyetën sërish nëse i qëndronte vendimit të saj për mos ta njohur punimin si të vlefshëm: “Sigurisht që i qëndroja, kisha argumentuar qëndrimin tim në 4 faqe vlerësim, me të cilin vetë kolegët e mi të rinj në komisionin e diplomave, ishin tallur ndërsa rrufisnin makiaton e porositur nga bari poshtë në sallën lart.”

Në 1917 Weber dallonte ndërmjet sistemit të organizimit të komuniteteve akademike gjermane, si sistem plutokratik, dhe amerikane, si sistem burokratik. Por në të dyja sistemet kanë ekzistuar diskriminime etnike (si p.sh. ndaj hebrenjve si Walter Benjamin në Gjermani) apo klasore në emërimin e pedagogëve. Ndërsa në Shqipëri dëshmitë e akademikëve tregojnë se komuniteti akademik nuk udhëhiqet nga parime të brendshme, si ajo e esnafëve akademikë në Evropën kontinentale apo e “ndërmarrjes” (enterprise) në SHBA, por në bazë të lidhjeve familjare apo politike ndërmjet akademikëve dhe politikanëve. Këtë e dëshmon shumë mirë rrëfimi i guximshëm i Elvis Hoxhës. Këto praktika të universiteteve publike, ku studentë të ekonomisë politike e të filozofisë së gjymtuar marksiste u shndërruan brenda natës në psikologë e politologë dhe u rrekën të shtrëngojnë radhët e hulumtuesve mediokër, u përcollën me sukses edhe në drejtimin e personelit akademik në institucionet private. Këtë e dëshmon autorja nga UET në ditarin e saj, ku vlerësimi me notë është çështje pazari dhe jo merite.

Sidoqoftë, unë mendoj se pakënaqësitë, sidomos kur paraqesin shkelje të ligjeve dhe procedurave formale, duhet ti drejtohen gjykatës dhe jo vetëm medias. Probleme të tilla në komunitetin akademik shqiptar, edhe kur përgjegjësit kanë emra, janë sistemike dhe autonomia e premtuar nga qeveria për komunitetin akademik nuk paraqet zgjidhje të këtyre problemeve. Sidomos, për sa kohë drejtuesit e politizuar kanë epërsi në vendimmarrje ndaj vlerësimit të kolegëve dhe shkencëtarëve, zgjidhja e premtuar nga qeveria nuk do të sjelli ndonjë risi.

Friday, July 18, 2014

Mbi emërimet në Universitetin e Tiranës

 

Kronikë e një banaliteti të specializuar

Elvis Hoxha

Panorama, 18.07.2014

Objekt i këtij shkrimi janë emra të përveçëm. Në këtë lagjen tonë fenomeni mund të shpjegohet vetëm me emra të përveçëm. Jo thjesht për t’i akuzuar në cilësinë e personave të veçantë, por si bartës të rrënimit dhe banalitetit të institucioneve. Natyrisht që shprehem për një zonë të caktuar të jetës, por gjendja për të cilën flas mund të shërbejë për analogji me skena të tjera ku fiton banaliteti. Mbërrin një pikë ku e keqja bëhet aq banale dhe banalja aq aktive, sa nuk ka më rimëkëmbje apo “rilindje”. Rilindjen nuk e mundësojnë reformat, por vetëm një pasion intim i njerëzve me ndonjë segment jete. Përkundër kësaj, ne jemi gjithnjë në banalitetin e të bërit të gjërave jashtë gjërave, në privatizimin psiko-biologjik të shpirtit. Ndaj, në këto raste nuk mbetet gjë tjetër veçse pedagogjia e banalitetit.


Më së pari, banaliteti është injoranca e aprovuar nga ekuivoku. Shpesh banaliteti i lartë aprovohet nga një gjykim pa guxim që thotë se njeriu nuk është aq i keq. Ky gjykim pa guxim ngatërrohet. Duhet të rezistojmë në mendimin se njeriu nuk është aq i keq, por mund t’i lejojmë vetes ta mendojë njeriun të aftë për të qenë i përkryer në injorancën e vet. Këtu të paktën mos të ketë ekuivok. Për shembull, ai mund të marrë përsipër një post publik dhe ta ruajë gjendjen e tij të injorancës dhe paaftësisë përkundrejt këtij posti me një besnikëri të habitshme. Dhe në këtë lagjen tonë ka plot të këtij lloji. Banaliteti duhet t’i përngjitet termit Rilindje, ta llangosë atë që ne të mund ta kuptojmë si Rilindje. Rilindja nuk është çështje reforme. Sepse, miqtë e mi – natyrisht u flas atyre që ndiejnë nën të njëjtët terma pamundësitë e këtij lloji – nuk ka mundësi reforme në asnjë banalitet. Banaliteti ka për natyrë të pjellë banalitet. Nuk ka përkufizim të emancipuar të banalitetit. Kaq e thjeshtë është ta thuash. Është term që shpreh një gjendje të mbyllur në vetvete. Banaliteti nuk bën dallim.


Po shkruaj nga pozicioni i pedagogut të jashtëm në departamentin e filozofisë pranë Fakultetit të Shkencave Shoqërore, ky i fundit brenda Universitetit të Tiranës. Kam një përvojë relative ashtu si çdo njeri në jetën e vet të kufizuar në hapësirë, gjeografi dhe njerëzim. Por e them pa pikën e ndrojtjes se kam një përvojë të gjerë në mjedisin e dijes dhe universitetit. Ka tre vjet që pjesa më e madhe e anëtarëve bën përpjekje të më integrojnë si mua dhe të tjerë në departamentin e filozofisë. E megjithëse në komisionin e tre vjetëve më parë, tri votat e pedagogëve të filozofisë ishin pro meje, Petraq Simo (një nga emrat e simptomës) gjeti një pretekst tipik shqiptar për të më nxjerrë jashtë konkurrimit: listën e notave. Nuk kishte rëndësi për të as mësimdhënia 4-vjeçare në një universitet francez, as alokimi i kërkimit trevjeçar akorduar nga Ministria franceze e Kërkimit, as nota me mention très bien në diplomën time, as vlerësimi i studentëve për cilësinë e leksioneve të mia, as përkthimi deri në atë kohë i gjashtë librave filozofikë. Për Petraq Simon ishte e rëndësishme të më hiqte qafe me dy vota, të vetën dhe të këshilltarit juridik të rektoratit. Përfundimisht, kisha tri votat e njerëzve më të lidhur me fushën dhe dy votat kundër të atyre që nuk e njohin e as u intereson filozofia. Dhe çuditërisht këto dy vota ishin vendimtare. Për ata që e kanë të vështirë, dhe me të drejtë, ta kuptojnë një gjë kaq banale sa banaliteti, jam pothuaj i sigurt se do t’i ndihmojë shembulli i mësipërm.


Banaliteti është pra i mbyllur në vetvete. Ai ka për tavan dyshemenë e tij. Si ta kuptojmë ndryshe? I njëjti Petraq Simo, kur pa reagimin tim minimal, u prek shumë. Nuk ishte mësuar i gjori. Le ta sqaroj dhe këtë pikë. Cila është diploma e vërtetë e zv.dekanit të Fakultetit të Shkencave Sociale, Petraq Simos? Edukimi fizik. Natyrisht, një njeri me një sukses të tillë administrativ pas një përpjekje krejt tjetër edukative, me një sukses të ngjashëm me atë të elektronit në efektin tunel – po flas për mikrobotën – nuk mund ta pranojë të ketë ndonjë reagim që mbështetet mbi aftësinë. Ai u prek kaq shumë, sa prej tri vitesh ngre e ul, kudo ku i jepet rasti, se Elvis Hoxha është një rrugaç. Kjo gjë mund të jetë e vërtetë. Të dy e kemi nga një akuzë për njëri-tjetrin: ai më quan rrugaç sepse e quajta të kotë pretekstin e tij për të shmangur një post në të cilin do të vazhdoja të punoja në fushën time. Ai nuk tha se nuk isha i aftë. Pak i interesonte një gjë e tillë. I duhej të asgjësonte mendimin e atyre që ishin pro meje sepse vinin me idenë se mund të bëja një gjë të mirë me studentët dhe veten në lidhje me disiplinën e filozofisë. Gjatë konkursit tha se nuk kisha listë notash, pas konkursit deklaroi se isha rrugaç. Ndërsa unë, nga ana ime, e quaj hajdut të atributeve institucionale dhe administrative, shkurt hajdut të aftësive publike të institucionit. Në këtë kuptim banaliteti nuk ka as tavan, as dysheme. E rëndomta e banalitetit është pezulltia e rëndë e mungesës së hapësirës. Për Petraq Simon nuk ka rëndësi as pasioni dhe as cilësia profesionale. Nuk kam si t’ia shpjegoj një gjë të tillë një njeriu pa hapje, pa hapësirë. Mes nesh dallimi është i skajshëm. Petraq Simo është tavan dhe dysheme e vetes, identik me veten: thënë ndryshe, është përdorimi privat i fakulteteve (lexo aftësive) publike. Është thjesht injorant. Ndërsa unë i nënshtrohem faktit që studimi nuk ka fund: pra jam përdorimi publik i aftësive private. Jam mediokër.


Le të vazhdoj shkurt rrëfimin e asaj çka ndodhi më tej. Në të njëjtën kohë, si me teleportim, vjen nga Rektorati i Universitetit të Tiranës me postin e pedagoges së brendshme M.K. Më falni që po e evitoj përdorimin e formave të etiketës në një shkrim të tillë. Ma lejo lexues i dashur që kur të flas për banalitetin të mos përdor zgjerime fisnike të tjetrit, si zotëri apo zonjë. E thashë pak më parë se banaliteti është i mbyllur. Substanca e banalit është të mos jetë person në kuptimin e tjetrit, por person në kuptimin e askujt. Është si të thuash: Petraq Simo është askush në terrenin e filozofisë ku jetoj unë, por banalisht merr në dorë gjithçka në këtë terren. Është aftësia e banalit. Duke mos pasur asnjë meritë, nuk ka asnjë aftësi ndërtimi dhe njehsimi. Kështu që i falet t’u prishë punë interesave të departamentit të filozofisë. Është çështje moskuptimi. Departamenti ku punon ai ka mbi 20 pedagogë, ndërsa filozofia ka vetëm 7. Sepse zona ku punon një banal është treg i mirë postesh dhe influencash. Me këtë lloj paaftësie për njehsim e ndërtim, institucioni është vetëm një vend privat. Banalizimi i institucionit rrjedh nga natyra banale e njeriut që i vendosim në krye për të përmbushur mbarëvajtjen e institucionit. Kështu që nga Petraq Simo mund të vinte pedagoge e brendshme – kuptohet, pa kaluar ndonjë konkurs – një person i ngjashëm me të, M K. Drejtoreshë arsimi, me një master në studime europiane, pa lexuar një libër filozofie ndonjëherë, ajo është saktësisht personi që i përshtatet në banalitet.


Dhe M.K. erdhi. Me të kam edhe një kujtim të hidhur sa dhe qesharak. Më kërkoi të bëhesha asistenti i saj në lëndën e Shkrimit akademik. Ndërkohë që për të ishte një shenjë e mirëfilltë respekti dhe ndihme, për shumë kolegë të mitë është ende një anekdotë që nuk lodh. Për ata që nuk arrijnë ta ndiejnë shkallën e qesharakes, lexues që nuk njohin në planin e aftësive as njërin, as tjetrin, pra as Majlinda Ketën dhe as autorin e këtij shkrimi, po përpiqem ta them në këtë formë: përsa më takon, kam kaluar pothuaj tetë vjet në një departament filozofie i themeluar nga Foucault, ku kanë punuar Deleuze, Lyotard dhe Chatelet, me ndjekje të gjata leksionesh të Ranciere-it dhe Badiou-së; ndërsa K. vjen nga Drejtoria Arsimore dhe nga Face-book-u.


Banaliteti ka vetëm një dituri: relacion të paditur me dijen (injoranca institucionale specifike shqiptare). Ka ardhur pra koha t’i rezervojmë një status më të respektueshëm mediokritetit: relacion i ditur me padijen (nostalgji e injorancës sokratike). Injoranca mbledh në këtë kuptim bartësit e vet. Duke mos pasur asnjë prekje reale me idenë e bashkëkohësisë së dijes, relacioni i vetëm është ai me injorantin e afërt. “Injorantë të të gjitha viseve, bashkohuni në këtë cep administrate, do ta mbrojmë njëri-tjetrin! Ndërkohë ata pak profesionistë do të na shërbejnë si alibi ose performancë”. Dhe M.K. erdhi në territorin e filozofisë. Madje ishte e pakënaqur tek shihte paaftësinë e atyre që kishin kaluar konkursin për këto poste. Bëri dhe një shkrim të hapur kundër departamentit të filozofisë, kundër departamentit, sepse për filozofinë nuk di gjë. Është e thjeshtë të marrësh vesh se me ç’nivel mendimi ke të bësh kur sheh në shkrimin e saj disa herë të njëjtin grup fjalësh të magjepsur: “standarde të reputacionit”. Natyrisht që nuk është gjuhë filozofike. Gjuha e saj nuk ka lidhje me ndonjë terminologji filozofike, por ndoshta vetëm Face-book. E thotë vetë ky togfjalësh absurd. Pastaj, përse ta lexojë pedagogja Kantin kur nuk e ka friend në Facebook? Kjo lloj injorance është vetëm forma e shprehur e dijes natyrore brenda dijeve disiplinore. Dijes natyrore nuk i lipset asnjë raport me bashkëkohësi dijesh apo ligjëratë krijimtare: ju mbetet të mendoni vetëm thellësinë banale në terminologjinë “standard reputacioni”. Mjaft të ndiqni çdo shkrim të saj dhe do kuptoni sjelljen cinike që prodhon natyrshëm banaliteti mbi gjuhën. Nëse dikush zbavitet ende me injorancën, le të lexojë ç’shkruan ajo në gazetën “Koha jonë” të datës 11 mars 2014. Ky person, që jep lëndën e Shkrimit akademik, nuk njeh as me ndjesi përdorimin e parafjalëve. Gjithnjë shprehet gabim. Ka një relacion me gjuhën shqipe sikur të ishte gjuhë e huaj për të. Ju e vini re që nuk kam asnjë vërejtje me temë filozofike. Personi në fjalë nuk ma lejon një këndellje të tillë; edhe tezën e doktoratës, në filozofi, e bën nën drejtimin e ekonomistit Dhori Kule. Më vjen keq që ajo përmend në shkrimin e saj Artan Fugën si ta kishte të llojit të vet. Sado dhe sido të prezantohet në terrenin shqiptar ky i fundit, Fuga s’mund t’ia shpjegojë dot Majlinda Ketës se në ç’ujëra dijesh ka notuar. Është si t’i shpjegosh mjelëses se nga gjinjtë e lopës u frymëzua edhe Kepleri për të gjetur optimumin mes formës dhe lëndës. Ju do më thoni se nuk ekziston ndonjë anekdotë e tillë lidhur me Keplerin. Ndërsa më mbetet t’u përgjigjem se derisa M. K.  hyri si anekdotë në zonën e filozofisë, çdo anekdotë e mëtejshme bëhet vetvetiu e mundshme. Kësisoj, pedagogjia filozofike puqet me të pamundshmen dhe gjeneron banalitetin.


E di pastaj që do më thoni për sa e sa deputetë se plotësojnë të njëjtat “standarde reputacioni”. Përsëri e kam përgjigjen: nuk kam studiuar për deputet, shqetësohem vetëm për lëndën e filozofisë. Një injoranti i falet të jetë deputet. Fajin e kanë ata që e kanë zgjedhur. Ndërsa M.K. e kanë emëruar. Natyrisht, rektori Kule. Shkurt, ata janë shumë.


Në provimin e fundit pedagogja kishte vlerësuar rreth 40 studentë me dhjeta (diku 60 studentë në total). Dihet që ne pedagogët disponojmë një sasi të pakufizuar dhjetash. Ndaj dhe Majlinda Keta, me aftësinë për të mos përcaktuar ndonjë aftësi, bashkë me dijen e mjeruar që u ka transmetuar, u dha dhe nga “një flamur të shkymë e të dalun bese”. Sa prindër ka bërë të lumtur atë natë! Asnjë prej tyre nuk pyeti mbi statusin e dhjetës. Paqja e trullosur dhe e paravendosur mes prindërve dhe Ketës është konformiteti mes ekuivokut dhe banalitetit. Është harmonia cinike e banalitetit. Banaliteti është harmoni pa frekuencë.


Dhe M.K. erdhi në filozofi për t’u shprehur mbi standardet e reputacionit. Pikërisht këtë semestër nuk dha gjashtë javë as leksion, as seminar. Departamenti nuk kishte asnjë justifikim për mungesën e saj. Pas gjashtë javësh ajo shkoi e mblodhi raportet mjekësore. Ajo vazhdoi të japë “mësim”, atë mësim që vlerësohet prej një kolegu të saj – kuptohet administrativisht koleg – si leksioni ku shpjegohet metafizika e fërgesës. Ndërkohë u pezullua drejtuesja e departamentit të filozofisë, sepse guxoi t’i gjente zëvendësues për dy lëndët e patrajtuara. Përgjegjësia e drejtueses së departamentit për të mos lënë studentët pa mësim si duket u ndëshkua me pezullimin e drejtueses. Të ndëshkohesh sepse bën atë që duhet të bësh dhe të vlerësohesh kur bën atë që nuk duhet të bësh, ja ç’do t’i japë banalitetit kurajë. Dhe nuk ju thashë gjithçka. Ka shumë për të thënë mbi banalitetin në këtë paradhomë akademie. Nëse ngacmohem të vazhdoj, ju siguroj se do të rafinohem më tej në lëndën e shkrimit të banalitetit. Në një shoqëri vërtet të hapur do të duhej të gjithë ta shndërronim banalitetin në objekt arti.


Sepse duhet t’ia mbërrish të shpikësh një shkrim që ta japë bukur banalitetin, pra ta nxjerrë në shëmtinë e vet të mirëfilltë. Është arti më i vështirë, por dhe më emergjent. Mund të nisesh nga akuza, por kjo nuk do të bëjë gjë tjetër veçse do të gjallërojë aleancën mes injorantëve. Është sigurisht më e drejtë t’i shtysh injorantët të ndiejnë dëmin që sjellin. Është ndoshta e pamundur për shkak të relacionit të tyre të paditur me dijen. Por është e mundur të bësh të kthejnë udhë mediokrit që u shërbejnë vetëm sepse janë gjetur nën varësinë e injorantëve në një moment të vështirë të jetës së tyre. Mbijetesa e vetme mbetet të jesh injorant e të prodhosh studentë injorantë që nuk hapin punë. Të prodhohen dita-ditës “lypësit e të marrët që mbushin rrugët tona”. Ndaj, në lëndën e leximit kritik do t’i nxisja studentët mos ta shihnin mjerimin për të cilin shkruan Migjeni si një fenomen me shkakësi objektive, por si rezultati i një rrënimi psikologjik. Migjeni e ka shkruar poemën e banalitetit, por që prej atëherë ne kemi prodhuar shumë, shumë mjerim.

Wednesday, May 14, 2014

Akuza për Keqmenaxhim në Universitetin Politeknik të Tiranës

 
image

Bardhi Sejdarasi
6 maj 2014, Shqiptarja.com
(Shkrimi është modifikuar për të hequr pjesët jorelevante të ngarkuara me “hartizma” dhe akuza jothelbësore)

Akuza Nr. 1: Kolonat

1. …  Sekretari i Përgjithshëm i Ministrisë së Arsimit, në datën 17 Prill 2014, nëpërmjet një letre me nr 3/234/1, i kërkon “akademikut” informacion të plotë lidhur me disa shqetësime të depozituara në Ministrinë e Arsimit dhe Sportit. …
2. Në vitin 1995, me Urdhrin nr 10, datë 1/6/1995, Biblioteka Shkencore Universitare kaloi në pronësi të Universitetit Politeknik të Tiranës (BSHUPT). Deri në vitin 2005, tre të kartërtat e godinës ishin pjesë e BSHUPT. Një marrëveshje mes ish-rektorit të UPT, Përparim Hoxha dhe ish-rektorit të Universitetit të Tiranës (UT), Shezai Rokaj i siguron katin e dytë të BSHUPT Rektoratit të UT.
Nuk gjendet askund, asnjë gjë e shkruar për këtë tjetërsim prone, as marrëveshja si e tillë.
Të dy rektorët e mësipërm kanë qenë në detyrë, kur në hapësirën mes BSHUPT dhe Muzeumit Arkeologjik (tani Instituti Albanalogjik) u ndërtuan “Kolonat”, një fast-food, që ka një histori të çuditshme pagesash për kontrata qeradhënie që nuk është e lehtë t’i gjesh.
2. Në vitin 2007, në muajin korrik,…  kërkesa për  Bar-Kafe ( e ngjashme me atë të bërë në krahun tjetër, pra tek Instituti Albanologjik) nënshkrohet nga Prof. Përparim Hoxha, mbante nr 408/1 prot dhe datën 04/06/2007 dhe i dërgohej Arben Palit, drejtor i BSHUPT.
3. Kryetari i Bashkisë, Rama, ishte i ndjeshëm ndaj kësaj kusarie dhe e bllokoi menjëherë. Z. Edi Rama ishte kryetar i Bashkisë së Tiranës, një SMS e ka detyruar të dërgojë Inspektoratin Urbanistik Vendor të bllokojë punimet brenda BSHUPT. 
Mbrapa saj (kafese) ishte një deputet dhe eksponent i PD, gjithashtu edhe ministër. Por “ruspa” e Bashkisë e bllokoi ndërtimin, ndërsa për “kthimin në identitet” të punimeve ilegale të ish-ministrit të PD, pagesa u firmos nga paratë publike të UPT, firmosur tashmë nga “akademik” Jorgaq Kaçani.

4. Ky është dëmi më i vogël i shkaktuar nga papërgjeshmëria e një drejtuesi të institucionit publik.
Ndërtimi i fast-food “Kolonat”, solli shkatërimin e plotë të fondit të librit të bibliotekës. Bllokimi i dritareve të ajrimit dhe ventilimit e nxori jashtë përdorimit katin e poshtëm të bibliotekës, 2.5 herë më e madhe se sipërfaqja e katit të parë! As rektori Përparim Hoxha, as drejtorët e biblotekës nga viti 2005 deri në 2008 nuk e shpëtuan dot kalbjen dhe mykjen e mijëra librave në këtë fond. Në 3 Mars 2008 Drejtoria e Shëndetit Publik merr një kërkesë të drejtorisë së BSHUPT, për të inspektuar mjedisin, sepse në të punonin një numër i konsiderueshëm punonjësish, shëndeti i t ë cilëve rrezikohej seriozisht.
5. Ministri i Shëndetësisë i kohës reagon. Ai ngarkon Drejtorinë e Shëndetit Publik dhe Inspektoratin Sanitar Shtetëror të verifikojnë shqetësimin e drejtorisë së BSHUPT. Në procesverbalin me nr 43, dt 10/09/2008, të firmosur nga Dr. Vili Sinjari dhe I. Prifti, mbështetur në ligjin nr 7643, dt. 02.12.1992 “Për Inspektoratin Sanitar Shtetëror” (nenet 14, 17) dhe ligjeve nr. 9636, dt. 06.11.2006 dhe nr. 9518, dt. 18/04/2006, u vendos: “Ky ambient është i papërshtatshëm, ndikon në shëndetin e punonjësve dhe përbën rrezik për ta” si dhe u rekomandua: “Të hiqet i gjithë fondi i librit i mykur, të riparohet i gjithë ambjenti, të hapen dritaret, të vendoset sistemi i ajrimit, të rregullohen kanalizimet”.
Ky dokument i Ministrisë së Shëndetësisë, iu dërgua “akademik” Kaçanit me shkresën nr. 105 prot, datë 19.09.2008, shkresë në të cilën i shpjegohen rekomandimet e MSH dhe -citoj- i: “kërkohet ndërhyrje e shpejtë për të shpëtuar çfarë mundemi nga fondi i rëndësishëm i librit”  si dhe i propozohet- citoj- “ngritja e një komisioni të përbashkët të bibliotekës dhe administratës së UPT për të parë konkretisht gjendjen dhe për të përcaktuar disa masa për përmirësimin e gjendjes si dhe për të përgatitur një projekt për një ndërhyrje rehabilituese të shpejtë”.

6. Në datën 06/02/2009 me shkresën nr 31 prot, “akademik” Kaçanit i dërgohet “Informacion mbi gjendjen e rënduar të mjediseve të fondit të librit”, ku i shpjegohet se “sipërfaqja 2,5 herë më e madhe se sa hapësira aktuale e BSHUPT, (që shtrihet në kufijtë: Lindje-Sheshi Italia, Perëndim- Sheshi “Nënë Tereza”, Veri- Muzeu Arkeologjik (fondi shtrihet gjatë gjithë hapësirës mbi të cilën ngrihet fast-food “Kolonat”, Jug-Rruga e Sheratonit), ndodhet në një gjendje të rënduar”. “Akademikut” nuk ia ndjen akoma! Sinjalizohet përsëri se “është dëmtuar çatia, si rezultat i punimeve të kryera nga subjekti “Kolonat”, duke sjellë sipërfaqe të suvasë të rrëzuara dhe futje të lagështirës nga ujrat e bardha dhe të zeza të lokalit”.

Vihet në dijeni nga drejtuesi i institucionit se “në pjesën e dritareve të ajrimit është bërë bllokimi i tyre me material të ngurta, që kanë sjellë jo vetëm mungesën e ventilimit natyral, por janë bërë shkas edhe për depërtimin e ujrave të shiut”. I thuhet se “në veriperëndim të godinës, hedhja e mbeturinave të ngurta ka kufizuar mundësinë e ventilimit dhe ka rritur sasinë e lagështirës”. “Akademikut” nuk ia ndjen edhe njëherë tjetër.

7. Pak vite më vonë, kur mjediset e katit përdhes u shkatërruan plotësisht, ka pasur një tentativë për të ndërtuar një parkim të nëndheshëm në sheshin “Italia”, i bllokuar jo thjesht sepse askush nuk investoi, (edhe pse vendimi u zbardh “sa hap e mbyll sytë”), por sepse inxhinierët projektues mësuan se kati përdhes i BSHUPT kishte një udhë nëntokësore, të projektuar nga italianët (Projekti mban shënimin Vizatimi nr. 17, Romë, 09/12/1939- Arkivi Bosio- i azhornuar në Tiranë më 26/04/1940), e cila do të përdorej për të lidhur sheshin e sotëm “Nënë Tereza” me dhomat e larjes së futbollistëve në Stadiumin “Qemal Stafa”. (Nuk mund ta konfirmoj dot këtë, sepse ka qenë e pamundur të hysh në nënkatin e BSHUPT!)

8. Ministrja Lindita Nikolla, pas letrave të pafundme në adresë të saj,  nxjerr Urdhrin nr. 106, dt. 28.03.2014 dhe ia dërgon ‘akademikut” me nr. 2176 prot.,  ku i kërkon t’i përgjigjet në mënyrë shkresore,  sidomos pikave 1, 3, 8, 15, 18, 26, 32 dhe 35!
9. A ka lidhje kjo me lënien në mëshirë të fatit të katit përdhes të BSHUPT? A kanë gisht dy rektorët e fundit në ndonjë aferë korruptive? Kjo është një çështje e prokurorisë, tashmë dhe jo e artikullshkruesit!

Reagimi nga Kontrolli i Lartë i Shtetit

10. Leskaj thuhet që ka njohje të vjetër me “akademik” Kaçanin! Punë e tyre! Njohja është një gjë, puna e shtetit është një gjë tjetër. Kontrolli i Lartë i Shtetit nuk ka gjetur “asgjë” në shkelje të ligjit dhe akteve nënligjore në Universitetin Politeknik. Raporti i kontrollit nuk është bërë publik, por disa pyetje duhen shtruar edhe për kryekontrollorin:

1. A ka informacion vlonjati Leskaj për dëmin që ka shkaktuar vlonjati Kaçani në katin përdhes të BSHUPT? (kujtojmë se janë mbi 45 mijë tituj librash që i mungojnë inventarit të kësaj biblioteke- kontrolli i KLSH është bërë këtë pranverë!);
2. A ka informacion z. Leskaj se, duke shkelur në mënyrë të përsëritur (prej vitit 2011) vendimet e Këshillit të Administrimit të UPT, z. Kaçani ka emëruar punonjës e ka ndarë tituj si ofiqe personale apo ndere, në kundërshtim me vendimet e Këshillit Administrativ, duke dëmtuar financiarisht arkën e shtetit dhe të institucionit (çdo titull i dhënë ka koston 10 mijë lekë/muaj më shumë në pagë!)
3. A ka identifikuar Leskaj ndonjë shkresë si psh. atë të drejtores së burimeve njerëzore, e cila paguhet sikur ka mbaruar doktoraturën, ndërsa doktoraturën nuk e ka mbaruar akoma. Ose më drejtpërdrejt; a e kanë parë inspektorët e Leskajt se vetëm dekania e Fakultetit të Teknologjisë së Informacionit (FTI) nuk e ka respektuar një urdhër kaçanian për të paguar të gjithë kandidatdoktorantët me pagën e atij që mbaron doktoraturën?! Mbase edhe këtu ka vend për të parë përdorimin e parave publike që vijnë nga taksapaguesit shqiptarë apo nga kuotat e studentëve!
4. A ka dijeni KLSH dhe madje edhe ministrija Nikolla se, gruaja e vlonjatit Kaçani punon në Institutin e Gjeoshkencave, që varet nga “akademiku” Kaçani, se Neritan Shkodrani, shef katedre në Fakultetin e Inxhinierisë së Ndërtimit, ka gruan drejtore të BSHUPT dhe vëllanë, Migen Shkodrani, drejtor të prokurimeve, institucione që varen drejpërdrejt nga “akademik” Kaçani?
5. A ka dijeni KLSH dhe znj. Nikolla që, Përparim Deçolli, profesor i FIM dhe i ngarkuar për Qendrën e Sigurimit të Brendshëm të Cilësisë së Rektoratit, ka vajzën specialiste të statistikave në UPT, kur ajo thjesht ka mbaruar për psikologji!?
6. A i ka gjetur z.Leskaj dhe inspektorët e tij “letrat” e punonjëses N.Suparaku, sekretare e Dekanes së FIE, që punon në të njëjtin dekanat me burrin e vet?!
7. A e di z. Leskaj dhe inspektorët e tij se kancelarja e inxhinierisë së Gjeologji-Minierave është transferuar nga kancelare e këtij fakulteti, në postin e kancelares së Inxhinierisë së Ndërtimit me arsyen kaçaniane “se i biri i kancelares duhet të ishte pedagog te fakulteti i Gjeologji-Minierave”?!

 

Akuza Nr. 2: Shtesa e UPT


Shumë njerëz e kujtojnë se si Artanët, Lame dhe Shkreli, pak para zgjedhjeve të qershorit, dolën në media, pikërisht prapa kurrizit të Korpusit Qendror të UPT, duke kundërshtuar projektin për shtesën e UPT në dëm të Parkut Kombëtar të Tiranës.
1. U mor vendimi për shtesën e UPT, u përzgjodh kompania dhe filloi punimet. Kjo ishte dhe është e vetmja kompani që fiton tendera në UPT.

2.  Kompania nuk kishte përvojën e duhur në punime të tilla. Gjatë procesit u punua pa një projekt të qartë, nga gërmimet u lëviz nga vendi një nga faqet anësore të godinës ekzistuese, duke e dëmtuar seriozisht konstruksionin ekzistues.
3. Kush foli për këtë u “kërcënua” deri edhe me vendin e punës. Kush nuk foli dhe firmosi, u bë… ”zëvendësrektor”! Sot, në katin e parë të Korpusit Qendror mund t’i gjesh ende “zgavrat” e gabimit fatal të kompanisë.
4. Por gabimi më fatal është urdhri i “akademikut” për të ngritur një grup pune që të firmoste se nuk ka “asgjë” për t’u shqetësuar! Në këtë grup bënin pjesë vartësit e Kaçanit, por edhe drejtuesi i punimve, inxh. A. Sevrani! Si ka mundësi, edhe të drejtosh punimet, të bësh “zarar” dhe të firmosësh se “nuk ke bërë zarar?”. Edhe këtu mbase më shumë gjëra i duhen bërë të njohura prokurorisë sesa media-s! Por sidomos z. Bujar Leskaj!
5. Ministrja Lindita Nikolla e ka tashmë një dosje të plotë të të gjithë asaj që ka ndodhur dhe është përgjegjësi e saj nëse nuk vë para përgjegjësisë autorët.  Ajo do të ndodhet, afër apo vonë në kohë, përballë ndonjë katastrofe kur t’i gjejë studentët nën inerte, sepse  riparimi i bërë “natën” nuk do të mund ta shpëtojë godinën ekzistuese nga gafa e “meremetimit” të zgavrës së hapur nga gabimi inxhinierik dhe mungesa fatale e përvojës!

Friday, April 18, 2014

Universiteti-Korçës




Akuza për nepotizëm në Universitetin e Korçës

GazetaTelegraf, 12 Shkurt 2014


… universiteti “Fan S. Noli” është kthyer me kohë në një organizëm kompleks nepotik, ku nëpërkëmben: dinjiteti njerëzor, liria dhe të drejtat themelore, ndershmëria dhe profesionaliteti. …

…  …. media shtetërore në Korçë…është në kompromis të heshtur mbasi vetë drejtori i filialit të RTSH-së Korçë, zoti Roland Karanxha është jo vetëm pedagog i jashtëm në U.K. por dhe “kunati i shokut Xhemal”, sot alias i rektorit i këtij universitetit z. Gjergji Mero.
…. ky shkrim do të trajtojë vetëm problemin e nepotizmit në këtë universitet. Ndërsa për diplomat e marra në Bllogojegrad të Bullgarisë dhe në përgjithësi për gradat shkencore të blera dhe për sistemin e shitjes së provimeve e për shumë çështje të tjera të korrupsionit të lartë dhe shpërdorimit të detyrës, do t’i trajtoj me fakte dhe argumente në artikujt pasardhës.

Pema nepotike e Universitetit “Fan S. Noli”
… Interesant është fakti i bashkëjetesës së të dy krahëve politikë brenda universitetit. Duket që torta që kanë përpara (universiteti) është e bollshme që ata jo vetëm të ngopen, por as të mos kenë arsye të hungërijnë me njëri-tjetrin.

Rektori (ish- Kryetar i Këshillit Bashkiak, Korçë dhe anëtar i përjetshëm i këtij këshilli) – Gjergji Mero në cilësinë e rektorit punëson në Fakultetin e Bujqësisë, bashkëshorten e tij Tatjana Mero si pedagoge në këtë universitet.

Rektori, Gjergji Mero – i afërt me dekanin e Fakultetit Ekonomik Fredi Çuçllari. Dekani i Fakultetit Ekonomik (kuadër i PD)– Fredi Çuçllari i afërt i rektorit i punësuar me gjithë të shoqen në të njëjtin fakultet.

Është momenti që të verifikohen me detaje diplomat e këtyre, datat e provimeve ku i kanë dhënë , kur kanë shkuar ,ku kanë fjetur, a i kanë deklaruar këto shpenzime në deklaratë personale që kanë dorëzuar në ILDKP-ë. Koço Nasto dhe bashkëshortja e tij Mira Nasto të katapultuar nga forumet e PD e jo për ndonjë meritë shkencore vegjetojnë në pemën nepotike të këtij universiteti

- ashtu si Robert Damo (ish- kryetar i bashkisë, i propozuar nga PD) dhe shoqja e tij e auditorit Irma Damo.

Është momenti që të gjithë pedagogët të testohen për dëshmitë e gjuhëve të huaja dhe në çfarë gjuhe e kanë dhënë provimin. Të bëhet ky testim nga MAS dhe pastaj do shikoni që s’do ketë nevojë për koment.

Fakulteti i Edukimit dhe Filologjisë
Dekani – Ali (Kërçeli) Jashari, Doktor Profesor (i ardhur në arsimin korçar nga qarqet e majta) .. ofron si pedagoge të bijën e tij, që e pasuron edhe më tepër pemën nepotike të këtij universiteti. Jo vetëm kaq, por dekani Ali i gjeti një folezë në këtë “pemë” dhe në zyrën e tij si sekretare bijës së pedagogut të Fakultetit të Bujqësisë E. Spahiu, e cila njëkohësisht është me pagesë. Besoj se edhe zoti Kërçeli (dekani) duhet të jetë i ndërgjegjshëm që ka bërë shkelje….Padyshim ashtu si rektori Mero, dekani i Ekonomikut Çuçllari edhe Ali dekani as u shkon ndër mend se kanë kryer shkelje, sepse kanë patur parasysh në këto emërime rregulloren e etikës së këtij universiteti shtetëror (nëse mund ta quajmë të tillë).

Erion Nexhipi (anëtar i Këshillit Bashkiak nga PS), ndodhet në pemën nepotike të këtij universiteti me të shoqen dhe e vetmja “shkencë” që bën është botimi i buletinit dhe materialeve të tjera të këtij universiteti.

Kështu Anila Manxhe, pedagoge në Fakultetin e Edukimit dhe Filologjisë i ka tashmë shpatullat e ngrohta dhe duhet të vërtetojë lidhjet e sajë me Benita Manxhe (vetëm 22 vjeç) si zv.rektore dhe anëtare e senatit (si e tillë duhet patjetër të kesh doktoraturën) kur pedagogë të spikatur dhe me stazh nuk e gëzojnë këtë status dhe kur neni 13, pika 3 e statutit të U. ”Fan S. Noli” përcakton se: “Anëtarët e Senatit Akademik, të zgjedhur nga personeli akademik duhet të kenë të paktën gradën shkencore “Doktor”. Po rregullorja etike e këtij universiteti në faqen e pasme të saj, duket që bëka dhe përjashtime.
… ky universitet mund të thirret edhe privat paçka se paguajnë taksapaguesit shqiptarë.

Për të mos folur për korrupsionin e lartë që është një nga burimet e ushqimit dhe mbajtjes në këmbë të kësaj peme, le të shohim se ç’thotë vetë statuti dhe rregullorja e etikës e UK për rregullat e punësimit dhe për nepotizmin.

Në nenin 47 “Procedura e punësimit” të statutit të UK “Fan Noli” shkruhet:
  1. 1. Marrja në punë e personelit në U.K. kryhet me konkurrim publik.
  2. 2. …Për vendet e lira në fakultete, dekani përkatës përgatit kriteret e përgjithshme dhe të veçanta, të cilat ia njofton Rektoratit.
  3. 3. Dekani i fakultetit përkatës ngre komision ad hoc të konkursit publik për vlerësimin e kandidaturave për punësimin e personelit akademik…
  4. 4. Për emërimin e personelit akademik, dekani i fakulteti përkatës i paraqet rektorit kandidatin e renditur i pari në klasifikimin e bërë nga komisioni ad hoc i konkursit publik. Rektori lidh kontratë pune me kandidatin e përzgjedhur.
Tani, për rastin kur dekani i fakultetit të Edukimit dhe Filologjisë punëson të bijën në fakultetin ku drejton vetë zoti Ali Jashari dok. prof. dhe Rektori z. Gjergji Mero punëson të shoqen, le të shohim se ç’thotë “rregullorja e etikës e UK “Fan Noli””.
Neni 8 – Konflikti i interesit
Ka konflikt interesi kur interesi privat i një anëtari të universitetit, me përjashtim të studentit, bie në kundërshtim realisht apo pontecialisht me interesin, jo vetëm ekonomik, të universitetit…
Neni 9 – Nepotizmi
UK dënon nepotizmin dhe favorizimin, të cilët bien në kundërshtim me dinjitetin njerëzor, me vlerësimin e meritave individuale, profesionalitetin dhe lirinë akademike, me drejtësinë, paanësinë dhe transparencën dhe u kërkon pedagogëve dhe çdo anëtari tjetër të universitetit të përmbahet nga të tilla zakone dhe t’i referojë Këshillit të Etikës rastet e dyshimta.
Kemi të bëjmë me nepotizëm apo favorizëm, kur një pedagog apo një pjesëtar i personelit administrativ, direkt ose indirekt, përdor autoritetin e tij apo aftësinë bindëse për të dhënë përfitime, për të favorizuar detyra apo emërtime, për të influencuar mbi përfundimet e konkurseve apo në procedurat e përzgjedhjes që kanë të bëjnë, në veçanti, por jo ekskluzivisht, me fazën fillestare të formimit në karrierën universitare apo në dhënien përparësi të fëmijëve, familjarëve apo personave që bashkëjetojnë me ta.
Siç shihet edhe nga statuti edhe nga rregullorja e etikës, shkelësit e këtyre të fundit janë vetë drejtuesit kryesorë të universitetit. Vetë rektori firmos kontratë për të shoqen e vet. Njëkohësisht po ky rektor firmos dhe kontratën e të bijës së dekanit. Së fundi ish drejtorit të bujqësisë, nënkryetarit të PD zoti Maho, i firmoset kontrata e punësimit në Universiteti po nga Rektori Mero.
… Nëse zoti Rama dhe qeveria e tij e ka seriozisht që t’i shkojnë deri në fund kësaj “emergjence kombëtare” në arsimin e lartë, duhet t’i çmontojnë atij suportin politik bipartiak, ku mbështetet pema nepotike dhe t’ua kthejnë pemën e shëndoshë shkencore rinisë studentore, që aspiron për dije dhe nivel përpara se të ngjajë ajo që ngjau në Universitetin e Prishtinës.
Edhe njëherë qeveria duhet të kursejë ngjarje të tilla duke bërë auditin në këtë universitet dhe shkelësit e rregullores dhe statutit e shpërdoruesit t’i çojë në prokurori. Sfida nuk është e lehtë sepse drejtuesit e këtij universiteti janë të pleksur me qindra fije me të dy krahët e politikës, si dhe me drejtësinë e korruptuar.
Pra korrupsioni, që po i merr frymën shoqërisë shqiptare, është në nivelet e larta dhe paralel. Vështirë të besohet se ai do të shembet duke zënë poshtë ata që përfitojnë prej tij, me një të rënë të sëpatës dardhare siç është edhe kjo reformë e ndërmarrë në arsim me të drejtë nga Kryeministri i vendit zoti Edi Rama.