Sunday, October 1, 2017

Arsimi shqiptar, viktimë e papërgjegjshmërisë së kabinetit Rama


Panorama, Valentina Duka, 1 Tetor 2017 
http://www.panorama.com.al/arsimi-shqiptar-viktime-e-papergjegjshmerise-se-kabinetit-rama/

Miratimi vetëm me votat e shumicës i Aktit Normativ për ndryshimet buxhetore, tregoi hapur qëndrimin shpërfillës dhe aspak serioz që Qeveria e Edi Ramës mban ndaj arsimit shqiptar në përgjithësi dhe atij të lartë në veçanti. Në Aktin e lartpërmendur, “viktima” të gërshërës qeveritare janë bërë edhe fondet e dedikuara për financimin e investimeve në sferën e arsimit të të gjitha niveleve.
Për ilustrim, mjafton të përmendim se, krahasuar me buxhetin fillestar të këtij viti, investimet në arsimin bazë shkurtohen me 2.9%, ose minus 40 mln lekë (400 mijë dollarë). Investimet në arsimin e mesëm të përgjithshëm ulen me 5.6%, që do të thotë 55 mln lekë (550 mijë dollarë) më pak. Janë pakësuar gjithashtu me 4.1% ose 50 mln lekë (500 mijë dollarë) investimet në arsimin e mesëm profesional.
Akoma më dëshpëruese bëhet kjo tablo, kur sheh se fondi i investimeve që shkojnë për arsimin e lartë (në fakt, deri tani fare minimal për të përballuar nevojat e universiteteve), është paraparë të shkurtohet në masën 31.8% ose 105 mln lekë (1 mln dollarë)! Mendoni se ç’mund të bëjnë universitetet publike, që zënë 90% e tregut të arsimit të lartë në Shqipëri) në situatën e re financiare, kur edhe me fondin financiar të pashkurtuar që u akordonte qeveria, nuk mbulonin dot as nevojat e tyre elementare për infrastrukturë dhe logjistikë. Po të flasim më tej për financimet e destinuara për kërkimin shkencor në universitete, ato kanë qenë pothuajse inekzistente.
Gjendja, në të cilën ndodhet sot arsimi shqiptar duhet ta shtynte qeverinë që, në vend të shkurtimit të fondeve, t’i shtojë ato ndjeshëm dhe të bëjë funksionale sipas detyrimeve të përcaktuara me ligj, Agjencinë Kombëtare të Kërkimit Shkencor dhe Inovacionit si dhe Agjencinë Kombëtare të Financimit të Arsimit të Lartë (të krijuar vetëm disa muaj më parë), në mënyrë që të mbështeten projektet kërkimore dhe infrastrukturore të universiteteve shqiptare. Ne duhet të kemi një filozofi zhvillimi, modernizimi e fuqizimi të institucioneve të arsimit të lartë shqiptar dhe jo një filozofi tkurrjeje e rrënimi. E para i shërben interesit tonë kombëtar për një arsim të lartë cilësor e demokratik dhe na afron me Europën dhe botën e qytetëruar, ndërsa e dyta, përkundrazi, na mban larg prej tyre.
Kohët e fundit po bëhet një zhurmë e madhe me sponsorizim të qartë qeveritar rreth “rezultateve” të akreditimit të universiteteve shqiptare, të shpallura zyrtarisht së fundmi edhe nga ASCAL. Shqiptarët po shohin një spektakël të shëmtuar mediatik, ku spikasin sulmet poshtëruese e fyese ndaj Universitetit të Tiranës, gjigandit të arsimit të lartë në Shqipëri, institucionit prestigjioz të themeluar gjashtëdhjetë vjet më parë, me kontributin e elitës intelektuale shqiptare. Ky universitet jo vetëm që mundi të mbijetojë me dinjitet në kohët e errëta të komunizmit, por mori përsipër një mision fisnik duke u bërë bartës i njërës prej kthesave më të rëndësishme në historinë moderne të Shqipërisë: shembjes së diktaturës më të egër e më brutale të Europës dhe instalimit të pluralizmit dhe demokracisë në Shqipëri. Studentët dhe pedagogët e këtij universiteti sfiduan diktaturën, flakën tej me guxim simbolet e diktatorit Enver Hoxha, nxorën nga gjiri i tyre forcën më të madhe antikomuniste, Partinë Demokratike dhe e bashkuan Shqipërinë me Europën dhe botën e përparuar demokratike.
Gjatë tërë periudhës postkomuniste e deri sot, në 60-vjetorin e tij, Universiteti i Tiranës, duke zotëruar potencialet akademike e studentore më të mira e më të fuqishme në vend, ka qenë dhe mbetet promotori kryesor i zhvillimit dhe modernizimit të Shqipërisë, prodhuesi më i madh i ekspertëve, specialistëve, menaxherëve dhe studiuesve të sektorëve jetikë të ekonomisë, kulturës e politikës në vend.
Universiteti i Tiranës, sot është institucioni që ka spektrin më të gjerë të lidhjeve me universitete të njohura në mbarë botën, që ka shkëmbime akademike e studentore intensive si me institucionet analoge të hapësirës shqiptare, ashtu edhe me ato të huaja, një institucion që e zhvillon procesin mësimor dhe veprimtarinë kërkimore të orientuar drejt standardeve bashkëkohore të Perëndimit, një institucion që ka zhvilluar e zhvillon projekte të rëndësishme kombëtare e ndërkombëtare, të cilat kanë efekte të drejtpërdrejta në përmirësimin dhe konsolidimin e parametrave të cilësisë së mësimdhënies dhe kërkimit.
Gjithçka u përmend më lart, e bën Universitetin e Tiranës më të preferuarin dhe më të kërkuarin në radhën e universiteteve shqiptare, gjë që tregohet qartë edhe në statistikat zyrtare që disponon Ministria e Arsimit për raundin e parë të regjistrimeve në universitete.
Në këto kushte, habitet i madh e i vogël në Shqipëri kur dëgjon ose sheh në media të shpallen nga Bordi i Agjencisë Shqiptare të Akreditimit rezultatet e akreditimit të universiteteve shqiptare, ku Universiteti i Tiranës gjendet i rreshtuar në fund, si më i dobëti në vend! Duket e pabesueshme, por ky rreshtim absurd paraqitet nën etiketën e Agjencisë Britanike të Sigurimit të Cilësisë (QAA), një nga agjencitë më prestigjioze në këtë fushë! Unë mendoj se skema të tilla rreshtimi nuk duken britanike, por farsa të përgatitura në zyra të caktuara, me qëllime të caktuara, për të goditur e diskredituar ikonat e trashëgimisë sonë kombëtare, ndër të cilat Universiteti i Tiranës zë një vend nderi.
Natyrisht, duke thënë këto fjalë për Universitetin e Tiranës, unë njoh mirë edhe mangësitë dhe problemet e këtij institucioni. Megjithatë, unë ashtu si gjithë shqiptarët, kam bindjen e plotë se ai vijon të jetë më i miri, më cilësori dhe më tërheqësi në Shqipëri. Nga ana tjetër, kjo nuk më bën që të mos vlerësoj lart rolin dhe kontributin e madh që kanë edhe universitetet e tjera publike e private për shkollimin e rinisë shqiptare. Për këtë arsye, ato duhen mbështetur pa rezerva nga qeveria.
Vetëm se dua të nënvizoj, që politika qeveritare ndaj operatorëve të arsimit të lartë duhet të jetë serioze, e drejtë, transparente dhe jodiskriminuese, në mënyrë që edhe prestigji i lartë i një kompanie të njohur, siç është Kompania Britanike e Sigurimit të Cilësisë së arsimit të lartë, të mos komprometohet e të njolloset në mjedisin shqiptar.
http://www.panorama.com.al/arsimi-shqiptar-viktime-e-papergjegjshmerise-se-kabinetit-rama/

0 comments:

Post a Comment