Friday, December 26, 2014

Akreditimi si ndëshkim

 

Akreditimi në arsimin e lartë s’mund të jetë vetëm ndëshkim!

Myqerem Tafaj

Panorama, 24 Dhjetor 2014

Studentët, prindërit dhe pedagogët e universit-eteve kanë filluar të përjetojnë një ankth të ri. Qeveria “Rama” shpalli me pompozitet kontratën me një agjenci britanike për akreditimin e institucioneve publike dhe private të arsimit të lartë. Si në asnjë vend tjetër, vetë Kryeministri dhe ministrja e Arsimit dhe Sportit paralajmëruan rezultatet e akreditimit pa filluar akoma procesi: do të mbyllim shkolla të larta dhe programe studimi!
Sigurisht, duke e dëgjuar këto deklarata të qeverisë çdo student i bën pyetje vetes: A do mbyllet universiteti/shkolla e lartë ku studioj unë? Po të mbyllet, ku do të shkoj unë? Ankthi ka përfshirë çdo prind dhe familje që ka fëmijën student, sepse është i pasigurt nëse fëmija i tij do të mund të ndjekë studimet vitin tjetër akademik. Edhe pedagogët janë në ankth të madh, sepse qeveria me arrogancë mund të mbyllë universitete, fakultete, degë ose programe dhe t’i lë pa punë. Pra ankthi i ka përfshirë të gjithë: studentët, prindërit e tyre dhe pedagogët. Në ankth janë sot mbi 120 mijë familje shqiptare që kanë dërguar fëmijët e tyre në shkollat tona të larta.
Arsimi i lartë privat është konsideruar nga kjo qeveri si diçka e huaj që duhet shkulur dhe dora e qeverisë mund të bjerë mbi të pa mëshirë. Siç duket qeveria synon që përmes këtij akreditimi t’i japë goditjen përfundimtare vdekjeprurëse këtij sektori dhe ai të shkojë drejt shuarjes thuajse të plotë brenda 2–3 viteve që vijnë. Nëse akreditimi do të mbyllë shumicën e shkollave të larta private, Kryeministri do të dalë dhe do t’u thotë shqiptarëve se pronarët e tyre nuk kanë investuar për personel akademik dhe bazë mësimore si dhe studentët janë me mesatare shumë të ulët etj.
Pra vetë e kanë fajin, do të mbyllen dhe studentët do t’i sistemojnë në universitetet publike që do të mbijetojnë nga kjo “terapi radikale” e paralajmëruar nga qeveria.
Mirë për shkollat e larta private fajin e kanë pronarët, po për universitetet publike çfarë do të thotë qeveria si pronare e vetme? Sigurisht që do të thotë se fajin e kanë qeveritë e 25 viteve dhe sidomos qeverisja e PD. Unë po qëndroj tek çështja e akreditimit të universiteteve publike, jo vetëm sepse ato kanoset gati 90% të studentëve, por edhe sepse janë shtetërore dhe financohen nga shteti dhe tarifat e studentëve.
A mund të jetë akreditimi gijotinë për botën universitare?
Akreditimi është vlerësim i jashtëm i cilësisë së studimeve universitare që afron një institucion i arsimit të lartë. Në Europë ai ka filluar të zbatohet në mesin e viteve ’90 (vetë agjencia britanike e përzgjedhur është krijuar në vitin 1997), ndërkohë që në SHBA akreditimi është aplikuar disa dekada më herët se në Europë.
Modeli amerikan i akreditimit është modeli më i mirë, sepse ai mbështetet në parimin “bottom up” (nga poshtë lart) dhe në interesin e vetë institucioneve autonome universitare për të prodhuar dhe konkurruar me cilësi të lartë në hapësirën e arsimit të lartë. Ndërsa modeli europian është shumë më burokratik e formal, mbështetet në parimin e kontrollit shtetëror “top down” (nga lart poshtë) dhe, si i tillë, ai është shumë më pak eficient. Kush e njeh arsimin e lartë e kupton shumë mirë se akreditimi periodik, sado shpesh që të bëhet ai, nuk përbën asnjë garanci absolute për cilësi. Çelësi i cilësisë në arsimin e lartë është krejt i thjeshtë: pedagogë të mirëkualifikuar dhe të motivuar që punojnë me përkushtim për të mësuar studentët përmes bashkëpunimit dhe jo tutelës. Në fund të fundit, është pedagogu që mëson dhe provon studentët për dijet kyçe që duhet të marrin, për të qenë të aftë që të mësojnë gjatë gjithë jetës. Sot dijet vjetrohen për më pak se 10 vjet, në disa drejtime për më pak se 5 vjet. Kjo kërkon teknika dhe metoda mësimdhënie që u japin kompetencat kyçe studentëve dhe i aftësojnë ata për të përditësuar dijet dhe pasuruar ato gjatë gjithë jetës, në mënyrë që t’i përgjigjen më mirë garës në tregun e punës.
Në thelb, akreditimi është një proces periodik që u shërben universiteteve për të përmirësuar veprimtarinë mësimore shkencore që çon në rritjen e cilësisë së studimeve universitare, orientimin më të mirë ndaj nevojave të zhvillimit ekonomik e të tregut të punës.
Në çdo vend demokratik qeveria krijon më përpara kushtet për akreditimin e universiteteve publike dhe pastaj e fillon atë. Çfarë do të thotë kjo? Shumë e thjeshtë. Siguron një financim të mjaftueshëm dhe burime njerëzore që mundësojnë realizimin e misionit të universitetit publik, pra mësimdhënien, kërkimin shkencor dhe transferimin e njohurive dhe të teknologjisë.
Buxheti i vitit 2015 sapo u miratua dhe financimi i arsimit të lartë publik është 0.4% e PPB, ose në shifra: 350 USD për student në vit, kur kostoja minimale e studimeve universitare është rreth 700 USD për shkencat shoqërore dhe 1300 USD për shkencat teknike, natyrore, bujqësore. Qeveria do të kishte plotësisht të drejtë që të kërkonte një akreditim internacional nëse do të dyfishonte buxhetin dhe numri i pedagogëve për të paktën 3 vjet radhazi dhe pastaj të verifikonte rezultatet e këtij investimi real të shoqërisë.
Pra akreditimi nuk mund të jetë në asnjë rast një mjet në duart e qeverisë vetëm për të mbyllur shkolla të larta, fakultete dhe programe, çka do të ishte në kundërshtim me qëllimin dhe parimet e procesit të akreditimit. Ai duhet të jetë një proces i natyrshëm vlerësimi për rezultatet e një investimi që ka bërë shoqëria për rritjen e cilësisë së arsimit të lartë dhe të kërkimit shkencor, si dhe një bazë për përmirësimet që duhen bërë jo vetëm nga universitetet, por edhe nga qeveria në politikat e saj arsimore.
Çfarë pritet nga akreditimi i universiteteve publike?
Rezultatet e akreditimit të universiteteve publike mund të parashikohen lehtë. Po përmend vetëm disa prej tyre.
Sensacioni i madh që do të trumbetohet nga qeveria si gjetje e akreditimit do të jetë: Numri i pedagogëve me shkallën e nevojshme të kualifikimit është i pamjaftueshëm për të përballuar mësimdhënien dhe kërkimin e nevojshëm shkencor për mësimin e rreth 145 mijë studentëve në universitetet publike! Kjo mangësi është shumë e theksuar në universitetet rajonale. Dhe qeveria do të duhet të marrë vendim për universitete apo fakultete publike rajonale do të mbyllen. Kjo është rruga më e lehtë për dikë që nuk e di se cili është kontributi i universiteteve rajonale në arsimin e lartë. Universitetet rajonale përballojnë sot mbi 60% të numrit total të studentëve të sistemit publik. Ato kanë luajtur një rol të jashtëzakonshëm në zhvillimin e qyteteve dhe rajoneve të vendit. Është e vërtetë se numri i pedagogëve me shkallën e nevojshme të kualifikimit është ende i pamjaftueshëm, sidomos në fakultetet dhe degët e hapura në dy dekadat e fundit në universitetet rajonale. Por qeveria e ka tërësisht në dorë për ta përmirësuar këtë tregues. Të akordoj vende të reja pune për pedagogë të rinj në universitete dhe jo për policë.
Numri i pedagogëve është rritur mbi dy herë gjatë tetë viteve të fundit, por ai është ende i pamjaftueshëm. Shqipërisë i duhen 2 herë më shumë pedagogë dhe kërkues për të përballuar nevojat e shkollimit të lartë të të rinjve dhe ato të kërkimit shkencor. Pedagogët e universiteteve duhet të kenë së paku 30% të kohës në dispozicion për të zhvilluar kërkim shkencor. Përndryshe nuk mund të rritet cilësia e arsimit të lartë dhe nuk mund të zhvillohen kërkime që i paraprijnë zhvillimit ekonomik të vendit. Shqipëria ka plot të rinj të talentuar që kanë përfunduar shkëlqyer studimet universitare në nivelin “Master” dhe “Doktoratë”, brenda dhe jashtë vendit. Rreth 200 të rinj kthehen çdo vit me studimet të përfunduara të doktoratës jashtë vendit, madje edhe në universitete shumë prestigjioze. Ata janë pa punë dhe kërkojnë të punojnë në universitete.
Qeveria do të bëjë zbulimin tjetër sensacional nga akreditimi: Mjediset e universiteteve publike janë të pamjaftueshme për të përballuar këtë numër studentësh! Kjo dihet nga të gjithë dhe nuk ka nevojë për ndonjë agjenci të huaj. Këtë situatë e kanë kaluar edhe vendet më të zhvilluara të Europës Perëndimore në vitet ‘70 kur u liberalizua arsimi i lartë, pas protestave të Lëvizjes së ‘68-s. Infrastruktura në universitetet publike është përmirësuar ndjeshëm në 8 vitet e fundit, por ajo kërkon ende investime shumë të mëdha nga shteti. Qeveria në dy buxhetet e saj nuk i ka kushtuar asnjë rëndësi rritjes së investimeve në arsimin e lartë. Përkundrazi, i ka hequr godina universiteteve publike.
Një tjetër zbulim i sensacional, madje i paralajmëruar nga vetë Kryeministri, do të jetë: Bolonja është implementuar keq, janë hapur shumë programe. O burra t’i mbyllim sa më shpejt dhe ta shpëtojmë Shqipërinë! Implementimi i Procesit të Bolonjës është sfida më e madhe dhe reforma më e thellë e arsimit të lartë e 100 viteve të fundit. Ajo ka qenë shumë e vështirë edhe për vendet më të zhvilluara dhe me sisteme arsimore shumë të konsoliduara, dhe jo më për vende si Shqipëria. Ne duhet t’i jemi mirënjohës komunitetit akademik për punën e jashtëzakonshme të bërë në reformimin e studimeve universitare. Rezultatet e ristrukturimit të studimeve është vështirë të vlerësohen me realizëm, sepse brezat e parë të studentëve janë diplomuar pas vitit 2011, periudhë në të cilën kriza ekonomike financiare arriti kulmin e saj, çka goditi rëndë tregun e punës dhe shkaktoi papunësi të madhe te të rinjtë e diplomuar, madje edhe në shumë vende të BE-së.
Departamentet dhe fakultetet shfrytëzuan lirinë e tyre akademike, që i jep Kushtetuta dhe ligji, dhe zhvilluan programe të reja, me synimin t‘u përgjigjen më mirë kërkesave të tregut të punës. Për këtë ata nuk mund të fajësohen. Por çdo pedagog është i vetëdijshëm se programet e studimeve duhen riparë, për të qenë më ndërdisiplinore, më fleksible, të orientuara më mirë nga tregu i punës dhe zhvillimi ekonomik i vendit, dhe, mbi të gjitha, për t‘u krijuar më shumë mundësi zgjedhje studentëve, në mënyrë që ata të jenë më të suksesshëm në tregun e punës.
Një tjetër konkluzion i akreditimit do të jetë: Niveli i studentëve që ndjekin disa programe studimi në shkencat teknike, natyrore, bujqësore dhe të aplikuara është i ulët. Qeveria do të thotë menjëherë: t‘i mbyllim se nuk preferohen nga studentët e mirë! Kjo nuk është zgjidhja. Kriza e studimeve universitare në drejtime e shkencave të sipërcituara është e njohur edhe në vende të tjera. Mbyllja është rruga më e thjeshtë, por me pasoja afatgjata për vendin. Zgjidhja duhet të jetë mbështetja financiare me përparësi fakulteteve dhe drejtimeve të shkencave teknike, natyrore dhe bujqësore si dhe mbështetja përmes bursave, tarifa shumë të ulëta ose zero të studimeve për të studentët e këtyre fakulteteve dhe programeve. Ky është një investim shumë i sigurt që bën shoqëria, sepse të rinjtë e diplomuar në këto drejtime kanë shanset më të mëdha për punësim, jo vetëm në tregun e brendshëm por edhe atë internacional të punës.
Zbulimi tjetër sensacional i akreditimit do të jetë: kërkimi shkencor në universitete është i pamjaftueshëm. Qeveria do të thotë: e shihni se nuk ka kërkim shkencor. Si paskan bërë shkencë universitetet, prandaj t’u heqim statusin “universitet”! A ka ndonjë pedagog që nuk e di sa financohet kërkimi shkencor! Madje edhe qeveria e di mirë sepse buxheti për kërkimin shkencor është më pak se 0.1% e PPB, pra shumë afër zeros. Në fakt, qeveria duhet të mbajë premtimin që ka bërë në fushatë dhe të rrisë buxhetin për kërkimin shkencor, të rrisë numrin e pedagogëve në universitete dhe çdo pedagogu t’i lejojë që të paktën 30% të kohës së punës ta përdorë për kërkimin shkencor.
Në përfundim dëshiroj të theksoj se nëse akreditimi do të përdoret si gijotinë për arsimin e lartë, ai do të ketë pasoja negative afatgjata në zhvillimin e gjithanshëm të vendit. Unë shpresoj se agjencia britanike e përzgjedhur nuk do të bjerë në grackën e një akreditimi politik arrogant. Akreditimi përmes një agjencie të huaj vjen pas një dekade transformimesh të thella në arsimin tonë të lartë. Kësisoj, ai duhet shfrytëzuar si një mundësi për thellimin e reformave strukturore në arsimin tonë të lartë. Siç është praktika e çdo vendi tjetër, institucioneve të arsimit të lartë duhet t’u jepet mbështetja dhe koha e nevojshme, jo vetëm për të përmirësuar mangësitë që do të evidentohen nga vlerësimi, por edhe për t‘u riorganizuar, ristrukturuar dhe riorientuar, në mënyrë që t‘i përgjigjen më mirë kërkesave afatgjatë të zhvillimit ekonomik dhe shoqëror të vendit si dhe atyre të tregut të punës.