Wednesday, February 18, 2015

B. Gjongecaj: Universiteti si djep dhe si varr i demokracise

Gazeta Tema, 18 Shkurt, 2015

Besnik Gjongecaj, Universiteti Bujqesor i Tiranes

Pavarësisht nga natyra apo modeli i analizës që aplikon për të “shkuar” te substanca e një universiteti shqiptar, pra, pavarësisht premisave, koncesioneve, përafrimeve, madje, pavarësisht edhe ndonjë frymëzimi politik apo ideollogjik të vetë analizës, është e pamundur që në fund të saj të mos arrish në përfundimin se universiteti shqiptar, në krahasim me kohën kur demokracia u nda me diktaturën, jo vetëm që nuk e ka ruajtur, por, përkundrazi, e ka humbur potencialin demokratik të tij. Është një vërtetë e madhe po aq sa edhe tragjike e Shqipërisë pas diktatoriale. Këtij përfundimi i shtohet edhe mergulla që dendësohet rreth tij. Njerëzit e thjeshtë, madje vetë universitarët, përpiqen pa pikën e suksesit të përcaktojnë se çfarë realisht nuk shkon në arsimin e lartë të këtij vendi. Janë diplomat e pamerituara, është korrupsioni, mungesa e kërkimit shkencor, pranimet pa konkurs, masivizimi, nepotizmi, defektet strukturore, administrimi; çfarë pra nuk shkon në universitetet publike të këtij vendi?! Sejcila prej tyre është shkak, janë disa, apo të gjitha bashkë? Kush pra, është ai, bash-shkaku i prapambetjes tragjike të universiteteve shqiptare? Në pamundësi të ndërtimit të një arsyetimi solid për një sistem universitar të zhytur në kaos dhe të kërrusur nga një numër i madh të panjohurash, është e mënçur të ndjekësh parimin “të mendosh pa krahasuar është e pamendueshme”. Nëse është e pamundur që Shqipëria të krahasohet me një vend tjetër, dhe kjo është pothuajse gjithmonë e vërtetë, atëhere mund të krahasohet me një periudhe historike të ndonjë vendi apo të një grupi vendesh. Nuk do të bënim ndonjë gabim sinjifikativ nëse do të krahasonim gjendjen e arsimit të lartë në Shqipëri me gjendjen universiteteve evropiane në vitet 60, gjithmonë nga pikpamja institucionale dhe e politikës arsimore. Që të shmangnin një çrregullim shoqëror, (ky ishte edhe objektiv i vendimmarrësve të asaj kohe, çka është konsideruar edhe një objektiv për Shqipërinë gjatë këtyre viteve), vendimmarrësit krijuan një legjislacion mjaft të detajuar, pra një strategji mjaft “ndërhyrëse” të qeverisë te universitetet, por edhe brënda tyre, gjë që e kufizoi ekstremisht autonominë universitare. Ishin vitet kur mendohej që popujt evropianë ende nuk ishin pergatitur për një demokraci reale, ashtu sikundër ndodh ekzaktesisht në Shqipërinë e sotme. Dy dekada më vonë, idetë politike ndryshuan rrënjësisht. Filloi të mbizotërojë koncepti që fuqia vendimmarrëse duhet vendosur brënda universiteteve, çka do t’i bënte ato autonome. Kështu do të plotësoheshin dy kërkesa universale: universitetet do të bëheshim thellësisht legjitime, por edhe efektive. Sistemi universitar publik i Shqipërisë është ekzaktesisht në këtë pikë. Në pikën në të cilën Evropa ka qenë para, sëpaku, dyzet apo pesëdhjetë vitesh. T’i japim apo jo fuqi vendimmarrëse universiteteve!? Nën peshën e kësaj dileme ka kaluar pothuajse një çerek shekulli kohë pasdiktatoriale, aq sa mund të numërosh edhe brinjët në kurrizin e kërrusur të universiteteve tona. Në kuptimin e pafuqisë së tyre. Të rrënimit që nuk ndalet.

 

Evropa e sotme ka kohë që e ka përcaktuar modelin e një universiteti. Në thelbin e tij ai nuk është gjë tjetër vetëm se një kombinim i kontributeve që kombet e Evropës kanë dhënë historikisht në ndërtimin e universiteteve brenda vendit të tyre. Ky model është katërdimensional: një universitet që ekziston nëpërmjet një autonomie institucionale – tradita Humboldtiane (liria akademike e kombinuar me autonominë administrative, strukturore dhe financiare); ku mësohet nëpërmjet kërkimit shkencor – tradita Humboldtiane, (unifikimi i mësimit me kerkimin shkencor); me një kulturë dhe praktikë hibride – orientimi drejt shoqërisë dhe tregut ose tradita amerikane (universiteti është përgjegjës për perspektivën e sektorit publik dhe merr pjesë në zgjidhjen e problemve të tij, sepse paguhet nga qeveria, por nga ana tjetër, ai është gjithashtu subjekt i forcave të tregut); dhe i aftë të zhvillojë personalitetin e studentit duke e përgatitur atë për demokraci – tradita Newman, apo tradita angleze. Aplikimi i këtij modeli ka prodhuar, përveç shumë të tjerash, një status të veçantë të universitetit në shoqëri. Ka kohë që, prandaj, në botën demokratike universiteti është shndrruar në terrenin ku seleksionohet dhe rafinerohet liria e shprehjes, liria e mendimit, e ndërgjegjes. Për këtë, por dhe për arsye historike, universiteti është vendi sublim i lindjes dhe zbatimit të këtyre parimeve me vlerë universale. Në një pikpamje, universiteti është shndrruar në bërthamën e demokracisë së një vendi, me densitetin më të lartë të vlerave të saj. Si në Big Bang-un e famshëm, i cili shpjegon formimin e universit përmes zgjerimit (shpërthimit) të materies fillestare superdense, universiteti, si vendi me densitetin më të lartë të vlerave të demokracisë në shoqëri, nuk bën gjë tjetër veçse i emeton ato duke përcaktuar edhe madhësinë e demokracisë së një vendi, kufijtë e saj, cilësinë brenda tyre. Ashtu si zgjerimi i materies pas Big Bang krijoi universin, po ashtu edhe emetimi i vlerave universitare krijon vetë universin e demokracisë së një vendi.

Shqipëria, ku është? Universiteti publik i këtij vendi, ku është? Ç’model ndjek ai? Ç’raport ka një universitet publik shqiptar me demokracinë, shoqërinë shqiptare në përgjithsi? Edhe një jo universitar mund t’i përgjigjet këtyre pyetjeve, në kuptimin që nuk do ndonjë informacion të specializuar për të thënë që universitetet e këtij vendi, tragjikisht, janë shumë larg modelit evropian të një universiteti. Akoma më shumë. Ngaqë koha rrjedh më ngadalë në këtë vend gjysëm demokratik e gjysëm perandorak, distanca vjen e bëhet më e madhe me kalimin e kohës, diferencat edhe më të mëdha. Asnjë dimension i modelit evropian nuk është i shprehur në universitetet e këtij vendi. Universiteti është organizuar pa aplikuar asnjë nga parimet që do t’i siguronin autonominë institucionale; mësimi është absolutisht i pamundur të zhvillohet përmes kërkimit shkencor; universiteti nuk del në shoqëri për të zgjidhur problemet e saj, përkundrazi; dhe së fundi, studentët jo vetëm që nuk përgatiten për demokraci, por e kundërta është e vërtetë: ata edukohen se si të mbijetojnë në një vend ku demokracia mungon. Distanca gjithmonë në rritje me modelin evropian e ka bërë të pamundur statusin e universiteteve si pole të demokracisë së këtij vendi. Universitetet, madje, kanë rënë nën nivelin e shoqërisë shqiptare, çka është një nga gjërat më të rralla që mund të ketë ndodhur në historinë universitare të vendeve demokratike dhe jo demokratike. Universitetet shqiptare nuk emetojnë më vlera në shoqëri, përkundrazi, thithin prej saj çfarë mund të thithet në një proces gati gati fizik, rastësor, të pakontrollueshëm. Nëpërmjet një fluksi të lirë, në universitetet shqiptare futen nga jashtë dhe bëhen pjesë e natyrshme e ekzistencës së tyre korrupsioni, klientelizmi, sundimi i të paaftëve, votimi sipas kritereve nepotike, trafiku i rezultateve, botimeve shkencore, pedagogjia e rreme, inkompetenca, mungesa alarmante e karakterit…Gjithçka universitare vihet nën pushtetin e antivlerave. Kanë kohë që vlerat vdesin një nga një, pashmangshmërisht dhe bashkë me to, shuhen po kështu, një nga një, edhe mjetet që do të mund të ringrinin universitetet e rëna të këtij vendi. Aq sa, edhe kur flitet për zbatimin e një standardi evropian, psh votimi universitar, ai nuk prodhon rezultatin për të cilin është projektuar, pra, nuk nxjerr në krye të universitetit “njerëzit që nuk janë vetëm një zgjedhje e përbashkët, por përfaqësojnë personalitetin, shpresat dhe shqetësimet e çdo universitari”, por përkundrazi, njerëzit që do të vazhdojnë të mbajnë në punë kushërinjtë, të paaftët, të korruptuarit si bashkëpuntorë. Gradualisht, vetë shoqëria shqiptare, prandaj, ka rënë në kurthin e mungesës së modelit. Universitetet nuk janë aty, përkundrazi. Duke emetuar antivlerat po i tregojnë shoqërisë ekzaktësisht rrugën përmes së cilës shkohet drejt greminës.

Qeveria shqiptare ka bërë dy përpjekje për të ndikuar te universitetet e këtij vendi. E para, ngarkoi një grup ekspertësh për përgatitjen e Reformës së sistemit; dhe e dyta, përgatiti Projektligjin e arsimit të lartë, i cili ende nuk ka kaluar në qeveri. Në thelb, meqënëse Projektligji origjinon ekzaktësisht nga dokumenti i Reformës, të dy dokumentet mund të quhen edhe si një përpjekje e vetme e qeverisë për të ndikuar te universitetet. Autori i këtij shkrimi e ka shprehur publikisht qëndrimin e tij ndaj dokumentit të Reformës (Gazeta Shqiptare, dt 6 Maj 2014), prandaj, ai s’ka se si të jetë ndryshe veçse një qëndrim i vlefshëm edhe për Projektligjin. Në kontekstin e këtij shkrimi do të konsiderohet vetëm Projektligji, dhe vetëm në pikpamjen nëse mund të shërbejë, sadopak, si një mjet ligjor për nxjerrjen e universiteteve nga prapambetja e frikshme ku janë zhytur. Nëpërmjet Projektligjit qeveria shprehet se do t’i nxjerrë universitetet nga prapambetja e thellë vetëm duke marrë pjesë në qeverisjen e tyre. Këtë mund ta realizojë përmes Bordit Administrativ, i cili, meqënëse ka një probabilitet të lartë të drejtohet nga qeveria dhe meqënëse ka si detyrë ligjore “përmbushjen e misionit të universitetit”, mbetet të jetë, në thelbin e vet, formë e qeverisjes së universitetit jo nga universitarët, por nga qeveria (për hollësi shih Gazeta Shqiptare, dt 6 Maj 2014). A mund të ndodhë kështu, pra, a mund të ndodhë që qeveria, politika në thelb, t’i shpëtojë universitetet në përgjithsi dhe ato shqiptare në veçanti? Jo, sigurisht. E gjitha kjo është në kundërshtim me procesin historik evropian. Pas krizës së viteve 60, Evropa i nxori universitetet nga tronditja e thellë jo duke i qeverisur ato, por duke bërë të kundërtën: duke i lënë të vetëqeverisen përmes një autonomie të gjerë ligjore. Kështu i shpëtoi universitetet Evropa. Pak a shumë kështu shpëtohen universitetet në një vend demokratik. Kështu duhet të veprojë edhe qeveria me universitetet e këtij vendi. Sigurisht, përmes një procesi shumë delikat adoptimi. Që sigurisht nuk mund të çojë, si i tillë, në një nga çudirat më të mëdha që kam dëgjuar ndonjëherë dhe që nuk do të mund ta lija jasht këtij shkrimi. Potencialisht, sipas Projektligjit, edhe një individ me nivelin “master” mund ta drejtojë Bordin Administrativ të një universiteti. Pra, në prani të dhjetra profesorëve, “përgjegjësinë për përmbushjen e misionit të universitetit” mund ta marrë edhe një individ me kualifikimin “master”! Dhe ku, në Shqipëri!? Gjë që jo vetëm nuk është e llogjikshme, jo vetëm që nuk është etike, por mbi të gjitha është edhe e frikshme, aq më shumë kur të shkon mendja te ajo se si janë dhënë diplomat “master” nga universitetet e këtij vendi!

Pasi mbaron së numruari të gjitha problemet e një universiteti publik shqiptar (në një analizë serioze universitetet private të një vendi si Shqipëria janë vetëm një hollësi e parëndësishme, por mjaftueshmërisht virulente) nuk ka se si të mos arrish në përfundimin që bash-problemi i universiteteve shqiptare është niveli i ulët i potencialit demokratik. Ato rezultojnë, pas një çerek shekulli ndarje me diktaturën, të zbrazur prej demokracisë dhe vlerave që mbart ajo. Madje më të zbrazëta edhe se vetë shoqëria shqiptare, gjë që e bën jashtzakonisht tragjik statusin e tyre. Aq sa universitetet e sotme nuk janë të krahasueshëm as me universitetet në prag të ndryshimeve të viteve 90. Në kuptimin relativ të gjërave, universitetet e asaj kohe, në raport me shoqërinë, ishin shumë më të përparuara se ato të sotmet, sepse ishin të afta të shndrroheshin në pole demokracie ashtu sikundër u shndërruan dhe ta udhëhiqnin atë, shoqërinë shqiptare, drejt ndryshimeve të mëdha. Sot ndodh e kundërta. Të vendosur nën nivelin e shoqërisë, universitetet shqiptare janë bërë pengesë për zhvillimin e saj. Frikshëm, sepse në vend të mesazhit të lirisë po japin mesazhin e skllavërimit. Sepse nga djep i demokracisë po shndërrohen në varrin e saj.