Tuesday, February 23, 2016

Prokuroria nis hetimet për studentët që hodhën vezë kundër Edi Ramës


Birn, 23 Shkurt, 2016

Prokuroria e Tiranës ka nisur hetimet kundër dy studenteve që gjuajtën me vezë kryeministrin Edi Rama gjatë një vizite në Fakultetin e Shkencave Sociale.

http://www.reporter.al/prokuroria-nis-hetimet-per-studentet-qe-hodhen-veze-kunder-edi-rames/
Nëpërmjet një njoftimi të martën Lëvizja Për Universitetin njoftoi që Prokuroria e Tiranës ka regjistruar një procedim penal kundër dy aktivisteve të saj Anita Lushi dhe Bora Mema, të cilat me 2 nëntor hodhën disa vezë në drejtim të kryeministrit në formë proteste për politikat e qeverisë për arsimin e lartë.
“Sot Prokuroria e Tiranës, me kërkesë të Policisë së Shtetit, ka nisur veprimet proceduese penale ndaj studenteve dhe aktivisteve të Lëvizjes Për Universitetin Anita Lushi dhe Bora Mema, duke i akuzuar për goditjen me vezë të kryeministrit,” tha Lëvizja për Universitetin nëprmjet një njoftimi në rrejtin social Facebook.
“Në vend që të hetojë kryeministrin dhe ministren e Arsimit për hartimin klientelist të ligjit të arsimit të lartë dhe të ngrejë akuza për badigardët dhe policët që dhunuan studentët në oborrin e fakultetit dhe në mjediset e komisariatit nr. 2, Prokuroria e Tiranës gjen kohën të ndjekë pas interesat e atyre që dhunuan studentët dhe po privatizojnë jetën universitare,” shtoi ajo.
Pas protestës së 2 nëntorit, 8 aktivistë të Lëvizjes Për Universitetin u shoqëruan në polici dhe u lanë të lirë pas pak orësh.
Ky grupim studentor ka organizuar për një vit e gjysmë protesta kundër Ligjit të Arsimit të Lartë, një ligj polemik që synon të ndajë fondet publike me universitetet private, i kundërshtuar edhe nga disa profesorë dhe specialistë të fushës së arsimit.
Prokuroria e Përgjithshme konfirmoi që ndaj studentëve është regjistruar një procedim penal, por saktësoi së ato nuk akuzohen për tentativën për të goditur kryeministrin me vezë.
“Prokuroria e Tiranës ka nisur një hetim për kundërshtim dhe goditje të forcave të rendit, pas referimit të bërë nga policia e shtetit,” tha për BIRN Albi Serani, zëdhënës i Prokurorisë së Përgjithshme.
Lëvizja për Universitetin e cilësoi hetimin e Prokurorisë si një gjyq politik të frymëzuar nga kryeministri, duke paralajmëruar protesta të reja.
“Në një vend ku pushteti gjyqësor i shërben qeverisë, gjyqi i pritshëm ndaj studenteve do të jetë politik. Akuzuesi dhe gjykatësi i vërtetë është ai që e konsideroi aksionin e aktivistëve kakarisje në demokraci: Edi Rama,” tha Lëvizja për Universitetin.
“Atij që po tenton të na bëjë gjyq politik do t’i bëjmë gjyqin qytetar në sallë, në fakultete dhe sheshe. Ne nuk kemi frikë. Ne do të jemi frika e pushtetarëve të korruptuar deri në palcë. Studentë dhe qytetarë, bashkohuni për universitetin, për shoqërinë,” përfundoi ajo.
http://www.reporter.al/prokuroria-nis-hetimet-per-studentet-qe-hodhen-veze-kunder-edi-rames/