Tuesday, November 25, 2014

Arrestohet Drejtoresha e Agjencisë së Akreditimit në Kosovë

 

Sikur në Shqipëri edhe ne Kosovë procesi i akreditimit ka qenë shoqëruar me parregullsi, keqmenaxhim dhe korrupsion. Por në Kosovë institucionet e drejtësisë kanë arritur të krijojnë një çështje për drejtuesen e agjencisë së akreditimit në Kosovë. Në Shqipëri ish-kryetari i këshillit të akredimit në periudhën 2006-2013, Prof. Dr. B, Musai,  është sulmuar disa herë në media (Gazeta Sot dhe Telegraf), por pa akuza bindëse.

 

Express, Nëntor 25, 2014

Policia ka arrestuar sot Drejtoreshën e Agjencisë së Akreditimit për Arsim të Lartë, Ferdije Zhushi, dhe ish-zyrtar i UNDP-së, Armend Muja nën dyshimin se kanë marrë ryshfet nga universitetet private.

Një skandal i madh ka plasur  në Agjencinë e Akreditimit të Arsimit të Lartë. Policia e Kosovës ka nisur hetimet ndaj disa personave ndërsa ka arrestuar shefen e kësaj agjencie, Ferdije Zhushi dhe ish zyrtarin e UNDP’së, Armend Muja.

Sipas prokurorisë, për të pandehurit ekziston dyshimi i arsyeshëm se kanë keqpërdorur pozitën e tyre zyrtare, duke shfrytëzuar detyrën dhe autoritetin zyrtar, me qëllim që të përfitojnë dobi në mënyrë të drejtpërdrejt dhe të tërthortë, duke kërkuar përfitime në të holla nga disa pronarë të universiteteve private.

“Sipas kërkesës së Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës dhe urdhëresës së Gjykatës Themelore në Prishtinë, Policia e Kosovës ka kryer sot një operacion në Agjencionin Kosovar të Akreditimit në Prishtinë, ku ka arrestuar F.Zh.E, zyrtare e këtij agjencioni dhe A.M., ish zyrtar i lartë në UNDP, si dhe ka bastisur shtëpitë e tyre”.

Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës, pas shqyrtimit të shkresave të lëndës, si dhe raportin mbi veprimet e ndërmarra nga Departamenti Special Antikorrupsion në Policinë e Kosovës, më 14 nëntor 2014, ka marrë aktvendim për fillimin e hetimeve kundër: B.M. zyrtar i Agjencionit Kosovar të Akreditimit, F.Zh.E. zyrtare e Agjencisë së Kosovës për Akreditim, si dhe A. M., ish zyrtar i lartë në UNDP.

“Për të pandehurit ekziston dyshimi i arsyeshëm se kanë keqpërdorur pozitën e tyre zyrtare, duke shfrytëzuar detyrën dhe autoritetin zyrtar, me qëllim që të përfitojnë dobi në mënyrë të drejtpërdrejt dhe të tërthortë, duke kërkuar përfitime në të holla nga disa pronarë të universiteteve private”.

“Me këtë të pandehurit B.M. dhe F.Zh.E. në vazhdim dhe bashkëkryerje kishin për të kryer veprën penale keqpërdorim i pozitës apo autoritetin zyrtar nga neni 422 par.1 lidhur me nenin 31 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës, si dhe së bashku me të pandehurin A.M. në vazhdim dhe në bashkëkryerje kishin për të kryer veprën penale marrja e ryshfetit nga neni 428 par.2 dhe 3 lidhur me nenin 31 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës”.

Prokurori i rastit nga Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës ka marrë aktvendim për ndalim ndaj dy personave të arrestuar.

http://www.gazetaexpress.com/lajme/zyrtare-arrestohen-ferdije-zhushi-dhe-armend-muja-62091/

Konflikti i personelit me rektoratin ne Universitetin e Tiranes

 

Gazeta Panorama, 25.11.2014

Flet Hysamedin Feraj, themeluesi i Shkencave Politike

“Dekani Karaj më dha leje gojore për disa ditë, tani e mohon për t’i bërë qejfin rektorit Kule”

Prej më shumë se një muaji, në Fakultetin e Shkencave Sociale është pushuar nga puna pedagogu me përvojë 28-vjeçare, doktori i Shkencave Hysamedin Feraj.
Ai është themeluesi i degës së Shkencave Politike dhe drejtues i departamentit të këtij Fakulteti për shumë vite, anëtar i Senatit dhe anëtar i Këshillit të Fakultetit. Gjithashtu ai është autor i dhjetëra artikujve publicistikë, kritikë e analitikë mbi politikën shqiptare në të kaluarën dhe të sotmen, autor i tekstit universitare “Hyrje në shkencat politike”, i monografisë “Skicë e mendimit politik shqiptar” dhe i shumë eseve kritike, si “Kriza e përkryer në Shqipëri”, “Pamundësia e kozmopolitizmit shqiptar” etj. Pavarësisht kontributit në Fakultetin e Shkencave Sociale në tri dekada, tashmë Feraj është zyrtarisht pa punë. Ai është shkarkuar nga dekani i këtij Fakulteti, Theodhori Karaj. Motivi? Ka munguar disa ditë në punë, duke u larguar në auditorët e studentëve të Prishtinës e Tetovës, pa leje me shkrim. “Leja ishte gojore nga dekani, por që tani e mohon duke ia bërë qejfin rektorit”, thotë dr. Hysamedin Feraj, teksa flet për gazetën “Panorama”. Feraj është i njohur prej disa kohësh për artikujt kritikë ndaj eprorëve të tij, rektorit Dhori Kule dhe dekanit Theodhori Karaj, duke i akuzuar publikisht për abuzime me detyrën, konflikte interesi, keqmenaxhim të fondeve të Fakultetit, dëmtime të interesave të studentëve etj. Sipas tij, janë pikërisht këto akuza, që “de facto” bënë që atij t’i ndërpriteshin marrëdhëniet e punës me Fakultetin…


Profesor, pas 28 vitesh në Fakultetin e Shkencave, jeni pushuar nga puna. Si ndodhi, cili është motivacioni?
Do të më pëlqente të flisja më shumë për universitetin, për studentët dhe jetën akademike sesa për veten. Në fund të fundit nuk vuaj për punë. Megjithatë, për t’iu përgjigjur pyetjes suaj, arsyetimi formal është “mungesa në punë” për 6-7 ditë të shkëputura gjatë dy viteve, pa humbur orë mësimi, përkatësisht shtator-tetor 2013 kur mësimi nuk kishte filluar, dhe shkurt-mars 2014. Sipas “ekzekutorit”, këto ditë kam qenë pa leje, jashtë shtetit dhe jam paguar. Kjo përbën shkelje të rëndë e të patolerueshme të ligjit. Dua të shtoj se “jashtë shtetit”, në këtë rast kupton në Prishtinë dhe Tetovë, aty ku edhe është një pjesë e objektit të studimeve të mia: shqiptarët dhe territoret shqiptare.


Vërtet shkuat pa leje?
Vërtet, jo. Por leja ishte gojore nga dekani, i cili tani e mohon atë për t’i bërë qejfin rektorit.


A ka precedentë të tjerë që kanë ikur jashtë shtetit pa leje dhe janë pushuar nga puna?
Precedentë se kanë ikur “pa leje” jashtë shtetit, në kuptimin edhe jashtë hapësirës shqiptare ka, ndërsa precedentë që për këtë të jenë pushuar nga puna nuk di të ketë. Madje, edhe një precedent i tillë mbas meje me prof. Sokol Abazin nga Fakulteti i Shkencave të Natyrës nuk është i tillë, sepse edhe ai ishte me leje me shkrim, por që dekani përpiqet ta mohojë. Gjithsesi, nuk kam bërë hetime në këtë drejtim, por di se vajzën e dekanit, znj. Stela Karaj, pedagoge në të njëjtin Fakultet, nuk e njeh pothuajse askush, sepse me periudha të gjata qëndron jashtë e brenda shtetit pa u dukur në Fakultet. Njëlloj është situata me disa pedagogë të tjerë…


Nëse nuk qëndron motiv zyrtar, cili mendon se është motivi i vërtetë?
Motivi i vërtetë është rezistenca që i kam bërë presionit të ushtruar nga rektori Dhori Kule, që unë dhe kolegët e mi të shkelim ligjin; kritikat dhe denoncimet publike që u kam bërë shkeljeve ligjore nga ana e tij, shpërdorimit të detyrës e të funksionit publik që mban, dëmtimit të interesave të studentëve, të akademizmit dhe të universitetit publik përgjithësisht.


Prej sa kohësh ka nisur konflikti me rektorin Dhori Kule dhe me dekanin Dhori Karaj?
Rreth dy-tri vite më parë. Por një moment i rëndësishëm është fillimi i këtij viti kur për disa muaj, duke shpërdoruar detyrën dhe funksionin publik, rektori Kule ka ushtruar presion që të shkelim ligjin. Ndër të tjera, rektori Kule për disa muaj nguli këmbë t’i propozojmë për punësim me kohë të pjesshme një të pëlqyerin prej tij, të cilin gjithsesi e kishim angazhuar si të tillë për disa vite, mirëpo në konkurrimin e vitit të kaluar kishte kandidatura shumë më të kualifikuara.


Dekani është aty prej shumë vitesh. Si kanë qenë marrëdhëniet e mëparshme me të? Pse filluan pikërisht tani konfliktet?
Marrëdhëniet e mia me dekanin kanë qenë korrekte, ose më saktë gati jo marrëdhënie. Përgjithësisht unë isha shumë i zhytur në studime e në mbarëvajtjen e shkencave politike dhe as që vija re se çka bëhej rreth meje dhe ata rreth meje më linin “rehat”. Angazhimet këto dy vite si anëtar i Këshillit të Fakultetit dhe anëtar i Senatit të UT, njohja me një farë persekutimi që po i bënte rektori i UT, i toleruar pa kufi nga dekani, përgjegjëses së Departamentit të Filozofisë, znj. Mandeta Minxhozi, e cila po ashtu e kishte kritikuar publikisht rektorin para disa vitesh etj., më tërhoqën vëmendjen dhe paskëtaj konstatova masakrimin që po i bëhej Universitetit publik të Tiranës. Me një fjalë të kolegut tim Arlind Qori: nga univers-itet ai ishte kthyer në pervers-itet, në lulëzim të veseve njerëzore, para së gjithash të vesit të babëzisë së rektorit dhe disa dekanëve.


Si është gjendja e përgjithshme e universiteteve publike?
Si shumëçka tjetër në këtë vend, universiteti publik, ashtu si hapësira të tjera publike, edhe Universiteti i Tiranës është privatizuar nga rektori Kule dhe nga disa Dekanë fakultetesh, ndaj të cilëve “INUK” me sa duket ka mirëkuptim. Nga rektori Dhori Kule, e në modelin e tij nga dekani ynë, shkurt Dhori Karaj, Universiteti i Tiranës dhe fakultetet janë kthyer në sh.p.k. private, ndër të tjera për të zgjidhur problemet e punësimit për familjarët e vet. Kështu, krejt në kundërshtim me ligjin për konfliktin e interesit, rektori Dhori ka punësuar në departamentin e tij vajzën e tij (Ekonomik), dekani Dhori ka punësuar në Fakultetin e tij vajzën e tij (më herët ka pas punësuar kunatën e tij). Në marrëdhënie të tilla private të dy Dhorët realizojnë një diskriminim të hapur në punë ndaj pedagogëve që i pëlqejnë e nuk i pëlqejnë, përdorin ndikimin e tyre për t’u vënë nota të mira studentëve me të cilët s’dihet se ç’lidhje kanë, ushtrojnë presion për të shkelur ligjin, aktet nënligjore dhe kriteret e pranimit të pedagogëve të jashtëm, si rasti i mësipërm. Ushtrojnë një diskriminim të hapur mes studentëve, ndër të tjera duke shpërdoruar fondin e ekselencës, duke u dhënë bursa ekselence studentëve me nota të dobëta për shkak të lidhjeve të dyshimta me ta dhe duke i shmangur studentët e shkëlqyer. Me vite mbasi diplomojnë studentët nuk pajisen me diploma, sepse s’ka para, se paratë ikin në drejtim të paditur, se tenderat…? Për studentët e doktoraturës ka vite që dekani nuk dorëzon në sekretari procesverbalin e notave. Në kundërshtim me ligjin dhe çdo akt nënligjor, udhëheq 15-20 studentë në punimet doktorale duke ulur çdo cilësi të udhëheqjes, por duke ngritur shumën e milionave që merr. Vetë rektori, pa asnjë formim profesional, udhëheq punime doktorale… në Filozofi! Por në fund të fundit, ashtu si pronarë të vetëm të një sipërmarrjeje private, ndonëse ligji i detyron, as dekani dhe as rektori nuk bëjnë ndonjë transparencë financiare dhe të buxhetit, ndër të tjera nëse iu është lëvruar studentëve pjesa e buxhetit që u takon, kujt i është dhënë dhe për çka është përdorur. Mirëpo, për rektorin Kule asnjë veprim i tillë nuk përbën shkelje ligjore; për të ekziston vetëm një shkelje ligjore: nëse dikush shkon sot e kthehet nesër pa leje në një konferencë shkencore ose atje ku është objekti i studimit. Ose për shkeljet e tjera rektori ka dhënë leje, vetes dhe të tjerëve.


Që domethënë?
Domethënë se pa asnjë ndjesi universitare dhe akademike të dy Dhorët e konceptojnë universitetin si fabrikë dhe akademikun si punëtor fabrike ose kooperative. Në këtë mungesë të lidhjes së tyre me jetën akademike e ka burimin këmbëngulja që pedagogu të rrijë tetë orë në punë e më pas nuk është e nevojshme të mendojë. Kush nuk rri tetë orë në punë, ka ikur nga puna pa leje dhe prandaj duhet të pushohet fare nga puna. Në krye të një institucioni akademik, por pa asnjë lidhje me jetë akademike, ata kujtojnë se mendimi është me orar: tani po mendoj, më vonë nuk më lejohet të mendoj se nuk jam në punë. Nuk kuptojnë atë gjë elementare, që e thotë miku im, prof. Fuga, se pedagogu është në punë në çdo orë të jetës së tij, se është në punë edhe kur shkon në Tetovë, në Prishtinë apo Prizren dhe sodit peizazhin, lidhjen e tij me përfytyrimin për atdheun, psikologjinë kombëtare etj. Por për Dhorët duhet marrë leje për të menduar, për të punuar, për të studiuar dhe vetëm gjatë orarit të punës, dhe vetëm në zyrë, ndonëse Euklidi e gjeti formulën më të rëndësishme kur ishte në WC. Mirëpo Dhorët përgjithësisht nuk kanë bërë ndonjëherë jetë akademike: Dhori Kule e ka kaluar jetën si administrator, një herë në Qytetin Stalin, më vonë dekan, që shumë vite rektor, anëtar i shumë bordeve, njëlloj si Dhori Karaj, dekani i “përjetshëm” i Fakultetit të Shkencave Sociale.
Çfarë rruge do të ndiqni për t‘u kthyer në punë?
Rrugën ligjore. Por kthimi im nuk është i rëndësishëm në vetvete. Unë jam vetëm simptoma e një sëmundjeje. Ndërsa vetë sëmundja është uzurpimi, privatizimi i Universitetit publik të Tiranës nga Dhorët. Shërimi është kthimi i kësaj pasurie te pronari i vërtetë, te publiku, te taksapaguesit, te populli shqiptar. E shpresë për këtë kanë mbetur studentët: lëvizja studentore për Universitetin.

Dekani Karaj: Feraj, shkelje penale dhe administrative
Reagon Theodhori Karaj: Denigrime Universitetit me opinione kafenesh
“Hysamedin Feraj gënjen, nuk i kam dhënë leje me gojë”

Dekani Theodhori Karaj

Pas akuzave të dr. Hysamedin Feraj, gazeta “Panorama” kontaktoi dekanin e Fakultetit të Shkencave Sociale, Theodhori Karaj. Pasi u njoh me pretendimet e kolegut, prof.dr. Karaj reagoi me një letër sqaruese, të cilën po e sjellim të plotë…
Ajo që konstatoj në qëndrimet e Hysamedin Ferraj, është se ai përpiqet të denigrojë drejtues dhe institucionin e Universitetit të Tiranës, duke përdorur fakte jo të vërteta, por opinione kafenesh. Dhe këto i bën sikur të ketë qenë një i huaj për këtë Universitet, dhe jo si dikush që ka punuar për rreth dy dekada, si pedagog dhe për shumë vite edhe si drejtues në të si anëtar i Senatit dhe si anëtar i Këshillit të Fakultetit, ku ai ka votuar për vendimet që kanë rregulluar jetën e Universitetit. Personalisht jam i nderuar që jam pjesë e këtij Universiteti që, pavarësisht problemeve që ka, është nga më prestigjiozët në vend, dhe kjo (në kundërshtim me thëniet e z.Ferraj), pikërisht sepse nuk është një sh.p.k., por drejtohet nga organe të zgjedhura në mënyrë legjitime
Elementi i dytë që konstatoj, është se ai merr rolin e vlerësuesit absolut për persona që nuk janë të departamentit apo të fushës së tij për të përcaktuar se kush është akademik dhe kush nuk është akademik, cilët pedagogë jo të departamentit të tij vijnë apo nuk vijnë në Fakultet, bëjnë mësim apo nuk bëjnë mësim etj. Që të dyja këto qëndrime mendoj se nuk i shkojnë për shtat një personi si ai, që pretendon se është i zhytur tërë kohën në studime dhe, po ashtu, nuk i shkojnë për shtat as etikës elementare të jetës akademike.
Pretendimi i z.Feraj se ka marrë leje gojore nga dekani është i pavërtetë. Dua të theksoj se universiteti është institucion dhe, si çdo institucion, funksionon në bazë të rregullave. Që prej dy vitesh në Fakultetin e Shkencave Sociale është vendosur dhënia e lejeve me shkrim. Këtë praktikë kanë zbatuar të gjitha departamentet dhe, po ashtu, e ka zbatuar me rigorozitet edhe z.Feraj si përgjegjës i departamentit. Në mënyrë të vazhdueshme, në kohën që ka qenë përgjegjës departamenti ai, bazuar në kërkesat individuale, ka propozuar me shkrim dhe dekani ka miratuar po me shkrim leje për pedagogët e Departamentit të Shkencave Politike. Vetë zoti Feraj ka kërkuar leje me shkrim dhe dekani i ka miratuar leje me shkrim për disa ditë edhe gjatë vitit, kur ai ka ikur pa leje me shkrim nga puna. Për këtë ka prova shkresore, të cilat rrëzojnë pretendimin e tij se ka marrë leje gojore.
E vërteta është se zoti Feraj, në kohën që ka qenë përgjegjës i Departamentit të Shkencave Politike, ka ikur 8 ditë jashtë shtetit pa leje të miratuar sipas praktikës së vendosur në institucion, duke kryer në këtë mënyrë shkelje të rënda dhe të përsëritura të disiplinës në punë. Shkelja bëhet më e rëndë, po të kihet parasysh se, bazuar në aktet rregullative të Universitetit të Tiranës, përgjegjësi i departamentit monitoron, krahas të tjerave, edhe disiplinën në punë të punonjësve të departamentit dhe, mbi këtë bazë, harton dhe firmos fillimisht listëprezencën në punë. Zoti Feraj ka nënshkruar listëprezencat në punë si ish-autoritet drejtues i Departamentit të Shkencave Politike dhe se ai me vullnet ka paraqitur në dokumentacionin zyrtar fakte të pavërteta për prezencën e tij në institucion për 8 ditë, kur kjo gjë nuk është e vërtetë, sepse ai ka qenë pa leje jashtë shtetit, duke mashtruar në këtë mënyrë edhe strukturat drejtuese dhe financiare të institucionit. E thënë shkurt. Z.Feraj, përveçse ka munguar tetë ditë në punë, ai ka firmosur listëprezencën për veten e vet sikur ka qenë në punë, duke qenë jashtë shtetit. Kjo është penalizuar, sapo është konstatuar në bazë të legjislacionit në fuqi. Kjo është arsyeja e vërtetë e masës që është marrë për të.
Drejtuesit e institucionit nuk e kanë ndaluar z.Feraj të mendojë, të bëjë studime apo të sodisë peizazhet, siç shprehet ai, qoftë edhe në trojet shqiptare jashtë shtetit. Ajo që kemi kërkuar, është se, përderisa ai ka qenë i punësuar me kohë të plotë në institucion, duhej të zbatonte rregullat e marrjes së lejes për largimin nga vendi i punës, në rastet për jashtë shtetit. Dekanati ka dhënë leje me shkrim për çdo punonjës të Fakultetit, sa herë që kjo është kërkuar dhe ka qenë në përputhje me rregullat. Fakti është, se kur është shkelur disiplina në punë, janë penalizuar, në varësi të shkeljes, edhe pedagogë të tjerë në Fakultet. Vetë z.Feraj në kohën kur ishte përgjegjës departamenti, ka mbajtur një qëndrim shumë rigoroz, duke u hequr ditë të punës punonjësve të departamentit të tij që nuk kanë qenë prezent në punë. Unë e kam miratuar këtë veprim të tij se ka qenë në përputhje me rregullat. Po në këtë linjë, ndaj zotit Feraj është marrë një masë që është e përligjur, për arsye se ai ka bërë dy shkelje njëherësh, një administrative dhe një shkelje të natyrës penale. Mendoj se z.Feraj duhet të gjejë forcën (të cilën unë them se e ka) dhe të përgjigjet ndaj këtyre shkeljeve para ligjit, si një njeri i rritur dhe i përgjegjshëm.
Zoti Feraj vë në dukje se si dekan unë kam vepruar në kundërshtim me ligjin për konfliktin e interesit. Dua të theksoj (dhe ai e di mirë) se dekani në bazë të ligjit nuk është punëdhënës dhe, si i tillë, unë nuk kam punësuar asnjë pedagog dhe nuk kam firmosur asnjë kontratë me asnjë pedagog (dhe as me z.Feraj kur ishte punonjës i Fakultetit). Në këtë pikëpamje, unë mendoj se nuk kam konflikt interesi. Në këtë linjë, unë kam miratuar për vite me radhë edhe propozimin që vinte nga Departamenti i Shkencave Politike dhe me firmën e zotit Feraj për angazhimin si pedagog të jashtëm në të njëjtin departament të baxhanakut të tij, të cilin, si parimor që pretendon se është, zoti Feraj, nuk duhet ta kishte harruar pa përmendur. Me sa di unë, problemin e konfliktit të interesit ai e ka kallëzuar edhe në institucionin ligjor që mbulon zbatimin e ligjit për konfliktin e interesit. Do të kishte bërë mirë të priste konkluzionet nga ky institucion, para se ta bënte fakt të kryer me synime denigruese në shkrimet e tij në gazeta.
Zoti Feraj (dhe ndonjë tjetër që e përkrah) shpërndan thashetheme për fonde ekselence dhe dhënie bursash ekselence, por kjo nuk ka ndodhur kurrë, sepse unë si dekan nuk kam pasur kurrë ndonjë fond ekselence në Fakultet dhe se nuk është në kompetencën time shpërndarja e fondeve të ekselencës.
Zoti Feraj vë në dukje se dekani udhëheq shumë doktoratura në kundërshtim me ligjin. Kjo është e pavërtetë, se kjo praktikë është realizuar në përputhje të plotë me ligjet dhe aktet nënligjore. Dua të theksoj këtu se si dekan unë kam po të njëjtin numër doktoraturash në udhëheqje, sa edhe profesorët e tjerë të Fakultetit të Shkencave Sociale, se ky numër shtrihet për një periudhë 5-6 vjeçare dhe se vendimet janë marrë në mënyrë kolegjiale nga Këshilli i Profesorëve të Fakultetit, në përputhje të plotë me ligjet në fuqi. Kjo vërtetohet shumë lehtë. Duket se akti i veçimit të dekanit nga ana e z.Feraj është tendencioz dhe kjo nuk shkon për shtat me frymën e parimorit të madh, që pretendon se është.

Studentët në protestë: Të kthehen në detyrë pedagogët e shkarkuar
Studentët e Fakultetit të Shkencave Sociale kanë protestuar para godinës së Fakultetit, duke dalë kundër vendimit për shkarkimin e dy pedagogëve. Për orë të tëra ata kanë bojkotuar mësimin në shenjë revolte, duke kërkuar kthimin në detyrë të dy pedagogëve të shkarkuar, përkatësisht Sokol Abazi dhe Hysamedin Feraj. Në qëndrimin për mediat, studentët dhe pedagogët pjesëmarrës në këtë protestë e cilësuan këtë politikë që po ndërmerret nga rektorati si përjashtuese nga sistemi universitar. Ata kanë dalë edhe kundër tarifave të larta të shkollimit, si dhe reduktimit të numrit të kuotave për pranimet e reja. Në lidhje me pagesën e menjëhershme, prej 30% gjatë momentit të regjistrimit në Fakultet, studentët kanë kërkuar që qeveria të tërhiqet nga ky vendim, pasi sipas tyre kjo penalizon ata që nuk kanë mundësi financiare. Ndër kërkesat që kanë paraqitur, veç rishikimit të tarifës dhe rikthimin e menjëhershëm në detyrë të profesorëve të pezulluar nga puna, është edhe ajo për dorëheqjen e dekanit të Fakultetit të Shkencave Sociale, Theodhori Karaj.

http://www.panorama.com.al/2014/11/25/feraj-si-me-hoqen-karaj-e-kule-ngaqe-i-denoncova-dekani-karaj-feraj-shkelje-penale-dhe-administrative/