Showing posts with label Diskutime. Show all posts
Showing posts with label Diskutime. Show all posts

Sunday, October 1, 2017

Diskutimet tek Gazeta Panorama dhe MAPO mbi arsimin e lartë në prag të përfundimit të sezonit të regjistrimit

Diskutimet mbi thelbin dhe rolin e arsimit te larte nisin gjithmone ne muajin shtator, koha kur fillojne regjistrimet. Si zakonisht jane pedagog te Universitetit Evropian te Tiranes, disa me dicka per te thene, e disa me dicka per te percjelle nga cfare u kane thene.

Diskutimet per muajt Korrik-Shtator 2017 kapin keto tematika:


  • Roli i arsimit te larte publik ne kuadrin e interesit publik, ne perballje me rolin e institucioneve arsimore private. 
  • Universiteti i Tiranes, cilesia dhe konkurrenca me sektorin privat
  • Cilesia e arsimit te larte, diskutohet procesi i akreditimit dhe pasojat, si p.sh. niveli i dobet i disa universiteteve publike. 
  • Diskutime mbi karakteristikat e cilesise ne kerkimin shkencor dhe mesimdhenie

-> Ne kete link <- do te gjeni nje PDF me diskutimet. 

Fjalet me te shpeshta sic verehet jane publik/privat, universitet/shtet, arsim/cilesi. Pjesa me e madhe rekomandojne politika te caktuara (perdorin "duhet", dhe vendosin alternativa perjashtuese "apo"). Fjala UET eshte edhe shume shpesh, cfare tregon se nje pjese e diskutimeve vijne nga UET apo trajtojne ceshtje ne interes te saj. 

Re fjalesh ne diskutimin e arsimit te larte Korrik - Shtator 2017





Sunday, October 30, 2016

Pedagoge te angazhuar shprehin pakenaqesine ndaj Ministres Nikolla

Përgjigje një kryeministri në lajthitje

26 Tetor, 2016, Organizata Politike 
 
Arlind Qori
Kryeministri gëzon një privilegj si rrallëkush. Duhet ta marrësh seriozisht edhe kur nuk është serioz, edhe kur gënjen, keqinterpreton e, në tërësi, flet roma për toma. Kjo vlen edhe në një vend si yni, ku interesat, deal-et apo kokëshprekjet e kryepushtetarit janë ligj e kryeligj.
Kryeministri u takua pardje me pedagogë të universiteteve publike. Askush brenda universiteteve publike, përveç të ftuarve nominalë, nuk mori vesh gjë për takimin para se të ndodhte, as kuptoi se mbi ç’kriter ishin shpërndarë ftesat. Sidoqoftë nga botimi i fotove të takimit në faqen në fejsbuk të Edi Ramës vihet re që midis pjesëmarrësve në takim dominon garda e vjetër e burokratëve dhe ish-burokratëve të universiteteve publike (të cilët shpesh herë janë të njëjtët njerëz, si rezultat i ndërrimit të karrigeve). Domethënë e bajraktarëve të cilët janë përgjegjësit kryesorë brendauniversitarë për atë që edhe kryeministri e pranon se është gjendja e keqe e universiteteve shqiptare. Nuk mungonin në sallë edhe nëpunës të lartë të Ministrisë së Arsimit, të takëmit të P. Ndrecës të cilin, bashkë me dy të tjerë, Kontrolli i Lartë i Shtetit e ka paditur për dëm ekonomik ndaj shtetit, me vleftën e rreth 700.000 eurove, nëpërmjet favorizimit të universiteteve private me hapjen ekskluzive të programeve doktorale.
Ç’u tha në këtë takim? Mediat raportuan gjerë e gjatë fjalimin e kryeministrit dhe ministres, si edhe ndonjë batutë tek-tuk burokrati. Fatmirësisht, faqja web e kryeministrisë, e cila nuk vonon të shpalosë krenarisht çdo dalje të zotërisë së madh, e ka botuar tanimë fjalën e plotë të kryeministrit. Plot 9 faqe Word-i. E përkthyer në kohë fjalimi rivalizon fort me ato të fjalimmbajtësve autoritarë legjendarë. Nejse, ky është tjetër muhabet.
Nga sa u kuptua, takimi u dominua nga kryeministri dhe ministrja. Bajraktarët me spaleta akademike si të gjeneralëve sovjetikë ose nuk folën fare, ose belbëzuan. Kjo tregohet edhe në faktin se kryeministri i dha lirinë vetes t’u mbante leksion profesorëve tanë, të cilët harruan se detyra e tyre është t’u japin mend politikanëve, sidomos në auditorët universitarë, jo të ulin kokën e të hapin veshët si nxënës që kërkojnë të kalojnë me mik. Si intelektualë, për më tepër, u takonte të parashtronin qëndrimet kolektive të universitarëve, të cilët e kanë kundërshtuar me themeli reformën qeveritare në arsimin e lartë, dhe jo ta lejonin kryeministrin t’i trajtonte ata dhe universitetet si rripa transmisioni të politikave qeveritare, siç ndodhi kur ai iu drejtua si të ishin policë ose nëpunës patentash: “…ju jeni garantët e një reforme historikë në arsim, siç janë garantët e reformave tona të gjithë ata që punojnë për këtë shtet…” Po edhe ky është tjetër muhabet.
Fjalimi i Ramës, fidelkastrist në formë, mund të ndahet në dy shtylla. Në të parën ai përmend simptoma e disa të vërteta të hidhura të sistemit arsimor shqiptar. Mirëpo këto të vërteta janë jo vetëm të pjesshme – duke kursyer privatët –, por edhe të shkontekstualizuara. Shtylla e dytë, më e rëndësishmja dhe ajo që është plot e përplot me lëndë të parë, bazohet në gënjeshtra dhe keqinterpretime, aq fort të lidhura me njëra-tjetrën saqë vështirë se mund të ndash se ku mbaron njëra e ku fillon tjetra.

Të vërtetat e shkontekstualizuara
Kryeministri përmendi gjendjen katastrofale të administratës publike shqiptare, çka vihet në dukje, sipas tij, edhe në faktin se një numër nëpunësish nuk arrijnë të hartojnë as edhe një shkresë të thjeshtë pa e llangosur letrën me gabime drejtshkrimore, simptomë kjo e një sistemi arsimor kryekreje të atrofizuar. Ama kryeministri nuk thotë se nëpunësi dallkauk nuk është vetëm produkt i sistemit të mësipërm. Zakonisht ai nuk është studenti mesatar i universiteteve publike, por pesanjosi që ka depërtuar në administratën publike duke pasur për meritë të vetme shërbimin deri në kufijtë e paligjshmërisë për partinë në pushtet, atë të kryeministrit në këtë rast. Madje, në jo pak raste, edhe kur diploma i skuqet me dhjeta, këto të fundit nuk janë produkt i mundit të tij, por i integrimit në tarafet pedagogjike, aq fort të lidhura dhe shërbëtore të partive politike. Pra një birbo freshist, lrist apo frpdist e ka më të lehtë të dalë ekselent e të zërë punë drejtori, pa ditur as t’i japë drejtim dorës që të shkruajë pa gabime, lere më të drejtojë një dikaster. Kjo implikon edhe faktin se, ndryshe nga ç’pretendon poshtë e lart kryeministri, e mira e sistemit arsimor shqiptar nuk do të vijë edhe aq nga mënyra se si të privilegjohen ekselentët, por se si ekselenca në nota të jetë e merituar dhe jo fiktive. Përndryshe do të kemi ekselentë si ai që i ka shkruar fjalimin kryeministrit – në mos, larg qoftë, e ka shkruar Rama dora vetë – i cili nuk e di se pjesorja e foljes “jam” nuk shkruhet labçe “qënë”, por “qenë”. (Nuk bëhet fjalë për lapsus sepse në tekst, siç mund ta konstatoni nëse editorët e faqes nuk e kanë ndrequr, gabimi ndodh plot gjashtë herë.)
Nga ana tjetër, kjo derexhe e administratës publike nuk është vetëm produkt i qeverisë së vjetër sepse, siç dihet, asgjë nuk ka ndryshuar në marrëdhëniet e dykahshme patronalo-klienteliste: në njërën anë me sponsorët e mëdhenj biznesorë dhe në tjetrën me detashmentet e aktivistëve partiakë. Nëse marrim rastin e shtimit të koncesioneve – të cilat parashikohet të mbulojnë edhe shërbime bazike administrative – vetë qeveria po pranon tërthorazi se po i përkeqësohen edhe më kapacitetet administrative saqë është gati t’ia japë me qira privatit, sipas praktikës më të keqe paramoderne të shitjes së ofiqeve.
Me të drejtë, gjithashtu, kryeministri konstaton se në Shqipëri ka pasur më shumë universitete për numër banorësh sesa në vende të përparuara si Gjermania dhe Britania. Mirëpo, kur mbyllën disa diplomore private, për të forcuar të tjerat, askush nuk e përmendi këtë si motiv. Ato u mbyllën sepse, sipas qeverisë, nuk përmbushnin kriteret bazike ligjore të ushtrimit të funksionit si universitete. Me këtë kriter mund të mbylleshin të gjitha ose asnjëra, ashtu sikundër në të ardhmen mund të shtohen.
Puna qëndron ca më gjerë se kaq. Vetë pedagogët që punësoi kryeministri në famëkeqin komision të hartimit të reformës në arsimin e lartë kanë pranuar se Shqipëria është ende mbrapa vendeve të tjera për sa i përket numrit të studentëve për banorë. Mirëpo si ideja e kryeministrit, ashtu edhe sugjerimi i nëpunësve të tij pedagogjikë nuk vlejnë në vetvete pasi janë abstraksione bosh që i prodhojnë mendjet që nuk duan të lodhen. Se sa studentë apo universitete duhet të ketë për numër banorësh në Shqipëri varet kryekëput nga strategjitë afatgjata të zhvillimit, baza ekonomike e shoqërisë dhe nevojat kulturore e emancipuese të saj. Përgjigje të tilla kërkojnë vrarje kolektive mendjeje për ca më shumë kohë sesa gugëllimi i pesë fakteve apo hartimi i një fjalimi.
Po ashtu kryeministri i kthehet një teze të kahershme të tij, se rritja e numrit të universitarëve në Shqipëri ka shërbyer si valvul shkarkimi për papunësinë rinore. Ajo që kryeministri nuk thotë është se tentativa e gjithnjë e më shumë të rinjve për të hyrë në universitete është jo vetëm produkt i dëshirës së tyre për t’u formuar intelektualisht, por edhe strategji e shmangies së mallkimit të proletarit: pra e të punuarit në një treg pune që për forcën punëtore të pakualifikuar intelektualisht ofron vetëm punë tjetërsuese, të mundimshme deri në shkatërrim dhe të rrezikshme deri në vdekje. Tregu i famshëm shqiptar nuk kërkon inxhinierë e mekanikë Mercedes-i, por punëtore fasonerie, as hidraulikë e muratorë, por mbledhës kanaçesh e operatorë call center-i.
Ky botëkuptim imagjinar i lejon atij të përqeshë si mentalitet të vjetër faktin se “… puna në privat është skllavëri sepse normal puna në shtet të garanton një pension në moshë të re, dhe pastaj ti mund të rrish gjithë ditën në kafene se rrogën e ke të sigurtë, ndërsa puna në privat është rrogë, nuk është pension që duhet ta fitosh çdo ditë.” Tani, dredhësit e zinxhirit i bie të jenë ata që nuk kanë frikë ligjin, se e kanë mirë me Maliqin dhe Maliq sot është Rama dora vetë. Sa i përket gëzimit të pensionit në moshë të re, nuk di se nga i gjen këto mufka pasi me ndryshimet që i ka bërë qeveria ligjit të pensioneve punëtorët shqiptarë, pavarësisht nëse punojnë në shtet a privat, pas pak dekadave do të dalin në pension në moshën 67-vjeçare. Rini hesapi (!) Kurse rreth rrogës që duhet fituar në privat, zotëria e tij harron se, hiq punonjësit e përkëdhelur të bankave, kompanive celulare apo diplomoreve private, masa dërrmuese e punëtorëve dërrmohet në punë fizike për të nxjerrë një pagë aq mjerane saqë atyre u garanton vetëm bukën, kurse pronarëve të tyre luksin, madje edhe haraçin që i darovisin burokracisë politike me në krye Ramën.
Nga ana tjetër, kryeministri vëren me të drejtë se procesi i rekrutimit të studentëve bazuar në rezultatet e maturës shtetërore ishte kompromentuar fund e krye, me teza që shiteshin para provimit. Mirëpo edhe në këtë rast, shitësit dhe një pjesë e blerësve vinin nga aradhet e atyre që mbushin kutitë e partive dhe që shpërblehen paskëtaj. Kryeministri ynë nuk është vizitor nga Marsi, por kreu i partisë më të suksesshme në këtë allishverish politik – prandaj edhe është në pushtet. Po ashtu, heqja e maturës shtetërore mbylli një vrimë në barkë për të hapur një tjetër. Tanimë i gjithë presioni do të kalojë te mësuesit e gjimnazeve, dhjetat e të cilëve do të rrisin seriozisht mundësitë e arsimimit të kushëririt të filanit, mikut të fistekut apo familjes bujare financiarisht.
E vërteta e fundit e shkontekstualizuar shpërfaqet kur Rama merr rastin e mjerimit të Universitetit Bujqësor. Përtej anekdotave me dele, ai mund të ketë të drejtë kur thotë se një shkencë si bujqësia duhet të përbëjë përparësi kombëtare, ku e ku më shumë se degë si juridiku. Mirëpo, me reformën arsimore të qeverisë së tij në vend që të orientoheshin kapitalet e universiteteve private (ku me hir e ku me pahir) drejt hapjes së degëve të shkencave bujqësore, shteti do të financojë prodhimin e juristëve nga çdo kioskë private që do t’i vërë vetes emrin “universitet publik i pavarur”.
Gënjeshtrat dhe keqinterpretimet
E nisim me një gënjeshtër të përsëritur aq shpesh, saqë me gjasë gënjeshtari ia ka dalë rrugës që ta besojë vërtet. Procesi i reformimit – pretendon kryeministri – i kryer nga ministria dhe universitetet, ka pasur për garantë “…një komision njerëzish të përzgjedhur nga bota universitare, pa dallim bindjesh politike.” Nëse me universitet ka parasysh vetëm diplomoret private – të cilat ai dhe ministrja nuk lënë vend pa i lavdëruar në qoka përvjetorësh, atëherë po. Por nëse në to përfshin edhe universitetet publike, i duhet përsëritur për herë të n-të se universitetet publike, trupa pedagogjike dhe studentore, si edhe të zgjedhurit në poste burokratike, kanë qenë jashtë procesit të reformimit. Madje një pjesë e konsiderueshme e këshillave të fakulteteve dhe senateve akademike të universiteteve publike, sidomos të Universitetit të Tiranës, e kanë kundërshtuar me themeli ligjin e arsimit të lartë.
Vini re foljen e përdorur! Një e çarë nga e cila depërton e vërteta: komision njerëzish “të përzgjedhur” dhe jo “të zgjedhur” nga bota universitare. Zgjedhja do të nënkuptonte përfaqësim të universitarëve, llogaridhënie përpara tyre dhe jo nënshtrim ndaj qeverisë. Përzgjedhja, nga ana tjetër, nënkupton që kryeministri futi dorën në shportën universitare dhe nxori q’andej kë i desh qejfi, pra pedagogë universitetesh që nuk përfaqësonin askënd. Fakti që mes tyre kishte edhe ndonjë ish-kandidat për deputet të PD-së, që sakaq është pronar universiteti privat, e nxjerr edhe më lakuriqe kotësinë e “bindjeve të dallueshme politike”. Kësisoj të përzgjedhurit nga kryeministri i jepnin llogari vetëm atij, punëdhënësit të tyre, çka nuk përjashton që të ardhurit nga universitetet private t’i jepnin xhevap në darkë edhe pronarit ortak me kryeministrin.
Një metaforë, e lodhur edhe pa u përsëritur kaq shumë, është ajo e universiteteve publike që trajtohen si të nënës dhe privateve që keqtrajtohen si të njerkës. Kryeministri shkon më tutje, kur fut në thasët e nënës dhe njerkës edhe studentët dhe prindërit e tyre. Pikësëpari, universitetet, edhe në ligjin e miratuar nga qeveria, vazhdojnë të trajtohen në mënyrë të diferencuar. Ndonëse edhe privatët do të marrin para nga shteti, niveli i financimit do të varet nga statusi i tyre juridik: publikë, publikë të pavarur dhe privatë. Së dyti, shteti ka për detyrë që studentëve të privatit t’u garantojë që institucioni ku ata regjistrohen të mos shesë diploma e falë nota – siç bën edhe sot nga agu në muzg –, por të respektojë kriteret e cilësisë dhe korrektesës akademike. Së treti, shteti garanton barazinë midis qytetarëve dhe jo midis institucioneve të llojeve të ndryshme. Kësisoj të gjithë qytetarët janë të barabartë për të shfrytëzuar mundësinë për të studiuar me tarifë të subvencionuar në universitetet publike. Ndaj edhe hyrja në to, në parim, bëhet me garë dhe jo me mik a para. Kujt nuk i mjafton kjo dhe s’ka nge të përpiqet për përmirësimin e institucioneve publike, ka të drejtë të mos pengohet së regjistruari në institucione private. Por nga kjo nuk rrjedh që shteti duhet ta ndjekë me lugë nga pas prindin apo studentin që zgjedh privatët.
A nuk vlen e njëjta logjikë edhe për ata që nuk pranojnë as universitetet publike dhe as ato private në Shqipëri, por zgjedhin të studiojnë jashtë? A nuk duhet që edhe atyre shteti t’u shkonte nga pas me para? Po jashtë arsimit, a nuk duhej, sipas të njëjtës mënyrë të menduari, që shteti të financonte pagimin e badigardit të dikujt që nuk ka besim te policia e shtetit? Po atë që e çon fëmijën në një kurs privat violine se shteti nuk ka shkolla muzikore të hajrit? Fundja, pse të mos financohen edhe pronarët e televizioneve private përderisa teleshikuesit e kanë më kollaj të kthejnë kanalin te ta sesa te TVSH-ja?
Në këtë kontekst edhe e famshmja konkurrencë, për të cilën kryeministri flet derisa meket, nuk funksionon njëlloj si në rrafshin individual, ashtu edhe në atë institucional. Mund të duket paradoksale, por konkurrenca institucionale zhduk atë individuale dhe anasjelltas.
Marrim rastin e regjistrimit në universitete. Sikur të mos vendoseshin në një skemë zgjedhjesh universitetet publike dhe private, të parat do të vazhdonin të vendosnin kritere cilësore për pranimin e studentëve, si p.sh. nota mesatare apo provimi hyrës. Mirëpo të gjendura në luftën e të gjithëve kundër të gjithëve për copë studentë, universitetet publike do të detyrohen që të ndjekin shembullin e privatëve duke i zhdukur kriteret cilësore dhe i dhënë përparësi regjistrimit sa më të shpejtë, për të mbushur kuotat dhe siguruar mbijetesën. Nga ana tjetër, konkurrimi për studentë ekselentë, i përkthyer në financim shtesë nga shteti, do t’i shtyjë universitetet drejt krijimit të ekselentëve të rremë derisa (mos u çudisni hiç!) notat të nisin nga 9.9. Jo vetëm kaq, por lidhja e financimit me numrin e studentëve që përzgjedhin një universitet do t’i shtyjë universitetet të premtojnë favore të pamerituara për kandidatët. Për të mos thënë se vlerësimi i cilësisë universitare nga studentët, në kushtet ku niveli i financimit të universitetit dhe i tarifës do të varen nga përgjigjet pozitive të tyre, do të transformohet nga një proces me karakter përparimtar si tani, në një rrenë regresive deri në absurd.
Kryeministri nuk ndalet me kaq në rendjen si Maratonomak drejt gënjeshtrave dhe keqinterpretimeve. Gënjeshtrën më të madhe e thotë kur pohon se “…në reformën tonë ne kemi ndaluar mundësinë që arsimi privat të jetë ndërmarrje fitimprurëse…” Si mund të gënjehet kështu publikisht?! Askund, përveçse në imagjinatën e lajthitur të Ramës, nuk thuhet se universitetet private do të ndalohen së qeni fitimprurëse. Ja për shembull neni 17 i ligjit të arsimit të lartë, në pikën 3, shprehet: “Institucionet jopublike të arsimit të lartë janë persona juridikë privatë. Veprimtaria që ato zhvillojnë mund të jetë fitimprurëse ose jofitimprurëse.” Madje edhe centauri “universitet publik i pavarur” është futur në ligj që të funksionojë si patericë financiare e privatëve fitimprurës.
Mendja ta do që shtysën për transformimin e universiteteve private fitimprurëse në fondacione jofitimprurëse (universitete publike të pavarura) do ta kishin pedagogët dhe studentët e atyre institucioneve, të cilët, pas kushedi ç’betejash epike me pronarët, do ta kishin shtyrë shtetin që ta shpronësonte pronarin (social-demokratikisht me dëmshpërblim, s’po themi bolshevikisht me një shkelm të ndenjurave) dhe t’ia jepte kolektivit universitar në administrim institucionin e ri. Sigurisht që diçka e tillë as ka ndodhur dhe as pritet të ndodhë në ato mjedise ku e vetmja mënyrë për të mos iu servilosur deri në pështirosje pronarit është të ulësh kokën e të mbyllësh gojën. Paradoksalisht për këtë ndryshim çirren vetë pronarët, të cilët, si askund në botë, mezi presin të heqin dorë nga fitimi dhe pronësia mbi universitetin vetëm ngaqë u vlon gjaku për shkencë e përparim. Meqë paradokse të tilla nuk kanë vend në realitet dhe në kushtet ku ligji i arsimit të lartë nuk vendos asnjë pengesë serioze për kamuflimin e fitimit në pagë të majme administratori (siç ka filluar ta quajë veten lart e poshtë edhe H. Çili, pronari më i famshëm i këtij takëmi institucionesh), atëherë asgjë nuk na pengon të mendojmë se universitetet publike të pavarura do të jenë thjesht fasada e privatëve fitimprurës.
Jo vetëm kaq, por ligji i arsimit të lartë i financon edhe drejtpërdrejt universitetet private fitimprurëse me fondet e kërkimit shkencor dhe ato të subvencionimit të studentëve ekselentë. Për fiktivitetin potencial të këtyre të fundit folëm më lart. Sakaq, edhe në financimin e kërkimit shkencor qeverisë nuk i ka shkuar ndër mend që fondet t’ua shpërndajë drejtpërdrejt studiuesve ose grupeve studimore, por institucioneve. Pra në universitetet publike këto fonde do të kalojnë njëherë nga duart dhe xhepat e rektorit dhe dekanit, kurse në ato private nga duart edhe më të shkathëta e xhepat më të thellë të pronarit.
Nga ana tjetër, kur flet për autonominë universitare, kryeministri ngatërron institucionet publike, që kanë për qëllim lëvrimin e dijes, me ndërmarrjet tregtare, që kanë për qëllim fitimin dhe mbijetesën ekonomike. Institucionet publike duhet ta kenë të garantuar mbijetesën ekonomike dhe kjo nuk është skemë e kalbur, siç pretendohet, por kusht i autonomisë së tyre përmbajtësore. Përndryshe, universitetet publike, si çdo ndërmarrje tjetër tregtare, do të jenë të kërcënuara nga falimentimi financiar. Për të shmangur këtë të fundit nuk do të kërkojnë të shtrihen – siç sheh ëndrra në diell kryeministri – te konsulenca e firmave private, lere më e bashkive një pjesë e të cilave mezi japin rrogat e punonjësve të ujësjellësit, por do të tjetërsojnë mjediset dhe burimet universitare për të shpërndarë rrogat apo paguar energjinë elektrike: Një festë promocionale birre këtu, një event komercial atje, një predikim fetar në auditorin e madh e të tjera tallje me veten si këto.
Nga ana tjetër, në universitetet publike ekziston një nevojë akute llogaridhënieje nga rektori te shefi i departamentit, të cilët, në mjaft raste, përbëjnë shkallët e një rendi thuajse feudal. Performanca e universitetit nuk duhet të shkaktojë falimentimin e tij financiar, por shkuljen me rrënjë e dhëmballë të kësaj kaste parazitare, që aq hijshëm i mbush sallat dhe duartroket kryeministrin tonë “vizionar”. Po për të sjellë një ndryshim të tillë nevojitet fuqizimi i të vetmes trupë universitare, madhësia e të cilës e vështirëson tej mase komprometimin: studentëve. Po kryeministri dhe ekselentët që e këshillojnë patën idenë gjeniale se jeta universitare do të demokratizohej dhe autonomizohej nëse pesha e votës studentore do të binte në 10% qesharak.
Sidoqoftë mufkat më të mëdha e gënjeshtrat më të pacipa kryeministri i tha rreth katastrofës aktuale me regjistrimin e studentëve në universitete. Pikësëpari krijoi një armik imagjinar, edhe më të keq se vetja, përpara të cilit do të ngjante mirë: ata që janë ankuar se pse qeveria ka vendosur mesataren dysheme 6 për të aplikuar në universitet. Vetëm imagjinarisht mund të ekzistojë një subjekt politik a shoqëror më i keq se qeveria aktuale, ndaj kryeministrit i duhet të shpikë armiq të cilët vendosjen e kësaj mesatareje e konsiderojnë “…blasfemi për shkak se të tjerë me 5.1, 5.2 apo 4.9 nuk lejohen të hyjnë në universitet.” Se bash askush askund nuk e ka ngritur një pretendim të tillë, madje as birbot e PD-së.
Nga ana tjetër, pretendimin se nuk po favorizohen privatët nuk e mbështet as në të dhëna të besueshme dhe as në argumentim logjik. Nga të dhënat që kemi, e vetmja gjë që dihet me siguri është që deri në pasditen e datës 20 tetor në portalin e Ministrisë së Arsimit dhe Sportit dhe Rrjetit Akademik Shqiptar kuotat e lira në universitetet private rezultonin më të larta se kuotat në total. Pavarësisht se mbrëmë drejtuesi i RASH-it u detyrua të sqarojë se gabimi ka qenë teknik, askush nuk mund ta besojë se si gabimi teknik nuk shpërndahet njëlloj edhe në universitetet publike, por mbetet monopol i privatëve. Shpjegimet e vetme të mundshme janë ato të lejimit që universitetet private të regjistrojnë më shumë studentë nga ç’kanë kuota të miratuara ose, në rast se nuk do t’i kapërcejnë kuotat, të jenë të avantazhuara ndaj universiteteve publike për shkak se, ndryshe nga publiket te të cilat ata që janë poshtë vizës së kuqe të fituesve duhet të presin se çfarë do të zgjedhin këta të fundit, te privatet nuk ka vizë të kuqe, as renditje, madje as eliminim të mundësisë për t’u regjistruar kur kalon afati i fazës përkatëse: në to mund të presësh e të regjistrohesh kur të duash, madje pse jo edhe pa aplikuar fare paraprakisht.
Në këto kushte është ironike deri në fyerje gënjeshtra e tij se “…sistemi aktual i garantimit të meritës në rrugë kompjuterike tregon që funksionon më së miri.” Meritë midis institucioneve aty ku privatët rezultojnë të kenë më shumë kuota të lira sesa kuota të miratuara në total?! Meritë midis studentëve ku sot po futen në degë të preferuara maturantë me mesatare të ulët sepse ata me mesatare më të lartë, nga frika se mos mbesnin pa shkollë, janë regjistruar në të parën a të dytën degë që kanë kapur?! Meritë që një maturant me mesatare nëntë pikë ca, që vjen nga një familje e varfër, detyrohet të regjistrohet në privat duke u mbytur në borxhe, kurse ai me mesatare shtatë, duke mos pasur ç’të humbasë, ka pritur derisa janë liruar vendet në universitetet publike?!
Lere më pastaj kur në tentativë për të bërë dinakun, kryeministri heq paralele midis stresit të këtyre muajve të maturantëve me stresin e çdo nxënësi dhe studenti përpara se të marrë rezultatet e provimit: “Thonë se ‘janë të stresuar maturantët’. Më thoni cili nga ju nuk ka qënë i stresuar kur shkonit për të marrë provimet për të hyrë në universitet?” Streset në fjalë u përkasin dy botëve të ndryshme. Stresi për të cilin flet kryeministri buron nga pritja e rezultateve që varen nga performanca akademike e studentit krahasuar me performancën e të tjerëve. Kurse stresi i maturantëve këtë vit varej nga strategjitë zgjedhëse të mijëra të tjerëve si ata, shumë kohë pasi kishte mbaruar provimi (notat e gjimnazeve). Maturantët që hynin në provim para 16 vjetësh, si unë në Fakultetin e Shkencave Sociale, stresoheshin disa ditë derisa dilnin rezultatet dhe klasifikimi, por nuk torturoheshin deri në luajtje mendsh nga dilema të burgosurish jo me dy palë, por me mijëra palë: Nëse pret degën që preferon mund të mbetesh fare pa shkollë, ama nëse nuk e pret një tjetër me rezultate më të dobëta se ti do të ta marrë vendin. Kur kujton pastaj se si nga paniku dhe makthi i maturantëve kanë fituar ato institucione hyrja në të cilat është më e lehtë (diplomoret private), keqardhja kthehet në mllef dhe mllefi në revoltë.
***
Takimi i pardjeshëm e arriti kulmin e butaforisë në çastin kur kryeministri, në rolin e një patroni zemërmirë, premtoi rritje rrogash si asnjëherë tjetër: “Rektori, zoti Koni, ka bërë dhe një premtim në fushatë: ‘Do t’ju rris rrogat!’ Të them të drejtën nuk e di si e kishte menduar rritjen e rrogave, por unë jam këtu për t’ju thënë që premtimi i tij do realizohet.” Si ka mundësi që kryeministri premton rritje substanciale rrogash për pedagogët kur për gjithë këto vite s’ka lënë rast pa përmendur, me të drejtë e pa të drejtë, derexhenë e trupës pedagogjike të universiteteve publike? Si mund t’u rrisësh rrogat atyre që pretendon se sistemi i vjetër i financimit i ka shndërruar në parazitarë ose në të pamotivuar për të punuar siç duhet, ndërkohë që sistemi i ri financiar nuk ka hyrë akoma në fuqi? Si mund t’u rrisësh rrogat pedagogëve kur, sipas sistemit të ri të financimit të universiteteve, edhe për të marrë kaq rrogë sa tani pedagogëve dhe universiteteve publike do t’u duhet të konkurrojnë me privatët duke ndjekur standardet më të ulëta të këtyre të fundit: falje notash, shitje diplomash dhe bërje reklame? Si mund t’u rrisësh rrogat pedagogëve kur me sistemin e ri të financimit universitetet publike do të braktisen gjithnjë e më shumë nga mbështetja financiare e shtetit për t’i gjetur ku të mundin e si të mundin fondet e mbijetesës?
I vetmi shpjegim është ai që vjen nga metafora e deleve të cilave kasapi ua përkëdhel kokën përpara se t’i therë. Pak muaj përpara zgjedhjeve parlamentare, pas të cilave pritet të jetësohet edhe skema e financimit të privatëve, kryeministri kërkon të përkëdhelë kokat e trupës pedagogjike të cilën, jo edhe aq pa të drejtë, e konsideron si dele që vrapon pas tringëllimës së monedhave. Kësisoj, edhe ai pak potencial rezistence dhe prodhimi universiteti alternativ që gjendet sot brenda universiteteve publike do të shkojë drejt shuarjes duke lënë në frontin e rezistencës vetëm të fundmit e Mohikanëve, atë grusht njerëzish paepuria e të cilëve nuk do të jetë më burim frymëzimi, por anekdotash me personazhe ekzotike.
Në thuajse tre vjet rezistencë të organizuar në Lëvizjen Për Universitetin nuk e kemi përmendur asnjëherë rritjen e rrogave të pedagogëve, edhe pse e dinim se po të preknim nerva të tillë lëvizja do të kishte shumë më tepër sukses. Mirëpo skrupujt moralë dhe njohja e papërgjegjshmërisë apo paaftësisë së një pjese jo edhe aq të vogël të trupës pedagogjike na kanë larguar prej këtij terreni. Po ashtu, mbrojtja me fanatizëm e interesit publik na ka shtyrë të mos i marrim në konsideratë interesat partikulare, pavarësisht se mund të ishin të justifikueshme. Prandaj kur ka ardhur puna te paratë, të vetmen gjë që kemi kërkuar ka qenë ulja e vitpasvitshme e tarifave studentore dhe zhdukja e tyre në krye të disa viteve. Pikërisht ngaqë përpara se të jetë për pedagogët, dekanët apo rektorët, universiteti jeton për studentët dhe nga studentët.
Kështu që nëse u jepen universiteteve 5 milionë dollarë shtesë nga paratë e popullit, ato nuk duhet të shkojnë për rroga pedagogësh, por për ulje të tarifave studentore. Janë studentët ata që përbëjnë objektin që e pëson më shumë dhe subjektin nga i cili mund të lindë ndryshimi i madh, ai ndryshim që do ta bëjë kryeministrin e radhës t’i dridhen leqet kur të vijë në universitet.

Thursday, October 27, 2016

Pedagoge shprehin pakenaqesi gjate vizites se kryeministrit ne UT

Pedagogia e Gjuhe- Letersise, Prof. Dr. Dhurata Shehri i eshte pergjigjur permes nje shkrimi ne gazeten Panorama, vizites se Kryeministrit Rama ne UT, ku lajmeronte rritjen e pagave ne sistemin arsimor. Edhe pse kjo page nuk shpjegohet sesi do te rritet sa kohe qe aktet nenligjore qe rregullojne modelin e financimit, formulen dhe autonomine financiare te universiteteve publike nuk kane dale ende nga MAS.
 http://www.panorama.com.al/analiza-rritja-e-pagave-ne-arsim-pedagogia-rrezon-ramen/
Panorama, 26 Tetor, DHURATA SHEHRI
Dje Kryeministri Edi Rama organizoi një takim me pedagogët e universiteteve publike për t’u shpjeguar disa gjëra që ata nuk i dinin. Më konkretisht, ai i kishte thirrur pedagogët që t’u jepte një leksion për t’u shpjeguar atyre se:
– reforma në arsimin e lartë ishte shumë e mirë dhe se skeptikët duhet të stepeshin;
– se sistemi i konkurrimit dhe pranimit në universitete këtë vit ishte më i miri. Dhe si shpërblim për vëmendjen, për t’u dhënë sihariqin e një shtese page, që sipas tij ishte 15 %.
Ngaqë nuk isha e pranishme në atë takim, e ndoqa përmes mediave, si fjalën e Kryeministrit, ashtu edhe heshtjen e kolegëve të mi pedagogë të universiteteve publike, por meqenëse kam qenë dhe jam skeptike ndaj ligjit të ri të arsimit të lartë, përtej propagandës, nuk munda të marr ndonjë përgjigje të re për probleme të vjetra e të reja të arsimit të lartë shqiptar.
P.sh., Kryeministri nuk dha asnjë shpjegim se pse ligji, që ai e konsideron kaq të mrekullueshëm apo mrekullibërës dhe që ka të paktën një vit e një muaj që ka hyrë në fuqi, nuk është bërë ende i zbatueshëm për faktin e thjeshtë se qeveria e Kryeministrit Edi Rama nuk ka nxjerrë ende aktet nënligjore që do të bënin të mundur zbatimin e ligjit. Drafti i fundit i këtyre akteve nënligjore u shfaq, si gjithmonë, me urgjencë, për t’u parë me një afat 2-ditor nëpër e-mailet e stafit akademik në prag pushimesh dhe pas kësaj, ka tre muaj të tjerë që fle sirtarëve të zyrave të Qeverisë së Kryeministrit, pa u miratuar.
Universitetet publike shqiptare janë në prag të kolapsit për shkak të paaftësisë (në rastin më të mirë) të institucioneve përgjegjëse të shtetit për të bërë detyrën që u takon, nxjerrjen dhe miratimin e akteve nënligjore. Universitetet publike funksionojnë me një ligj të ri dhe me akte të vjetra që kundërshtohen prej të parit, me organe, statuse e rregullore të vjetra qkundërshtohen prej ligjit të ri reformator.
Universitetet, madje, as nuk mund të shpërndajnë drejt ngarkesën, se po presin ende udhëzimin e ri; as mund të zgjedhin organe të promovimit akademik, se po presin udhëzimin e ri; as mund të japin tituj akademikë, se po presin aktet e reja. Kolegët e mi që morën pjesë kokulur në monologun e Kryeministrit, mund t’ia kishin bërë një pyetje se kur ka ndërmend ta shoqërojë ligjin mrekullibërës me akte nënligjore, po aq mrekullibërëse.
Kishte ca kohë që “sihariqi” për ngritjen, apo indeksimin e pagave po qarkullonte nëpër media e në ambiente akademike, por Kryeministri zgjodhi ditën e djeshme t’ua shpallte vetë pedagogëve duke ua shqiptuar shifrat me lekë të vjetra (se duken më shumë). Pagat indeksohen me 10-15% në varësi të kategorive, për shembull, profesorit, titullit më të lartë në hierarkinë akademike, i rritet paga me 10800 lekë, ndërkohë që prej tri vitesh, rroga e tij është ulur prej rritjes së taksës nga 10 në 15 %.
Po përtej indeksimit, apo rritjes siç pëlqen ta quajë, Kryeministri “harroi” të sqarojë kolegët pjesëmarrës në atë takim se në ligjin e tij reformues rrogat e pedagogëve nuk garantohen më, pasi ai e ka hequr grantin e pakushtëzuar të pagave që përballohej më parë nga buxheti i shtetit. Kryeministri bishtnoi duke bërë krahasimin me qeverinë e para tri viteve, por sot dhe në tri vitet e qeverisjes së tij pedagogët e universiteteve publike kanë të garantuara paga vetëm për 9-10 muaj në vit. Ndoshta me indeksimin që premton në mars, edhe më pak se 9 muaj.
Sa për studentët dhe pranimet e tyre në universitete, Kryeministri harroi të shpjegonte sepse pikërisht në ditën që ai po fliste për suksesin e pranimeve në universitete, po mbyllej faza e gjashtë e pranimit, dhe sipas të dhënave që na ofronte sistemi i ri i pranimit, rezultojnë ende të pambushura kuotat e degëve të preferuara ndër vite nga studentët shqiptarë: Drejtësia, 40 vende; Informatika, 51 vende; Financa, 47 vende; Administrim biznesi, 100 vende; Gazetaria 20 vende, Inxhinieria elektronike 29 vende; Inxhinieria e ndërtimit 39 vende; Arkitektura 19 vende; Farmacia 18 vende; Stomatologjia 10 vende e kështu me radhë.
Çuditërisht, nuk gjen asnjë të dhënë për kuota të lira nga universitetet jopublike në portalin e Ministrisë së Arsimit dhe Sporteve (klasifikimi. ualbania.rash.al). Nëse Kryeministri ka dashur të ndryshojë trendin e preferencave të studentëve shqiptarë për degët më të kërkuara të universiteteve publike, ka qenë vërtet i suksesshëm. Megjithatë, për një gjë Kryeministri duhet falënderuar.
Për t’ua dhënë gjithë këto informacione, përmes leksionit të tij, në ndryshim nga mësuesit apo akademikët, ai i nderoi më shumë pedagogët, pasi nuk i thirri në Kryeministri, por harxhoi pak minuta për të shkuar deri tek Universiteti Politeknik ku i kish mbledhur.

Wednesday, April 20, 2016

Mbi zgjedhjet ne Universitetin e Tiranes


Zgjedhjet ne UT kane marre nje kthese te cuditshme pas deklaratave te dekanit Koni se ishte kercenuar per tu terhequr, Fakulteti i Shkencave te Natyres, kandidati kryesor per rektor i UT.

Media ka treguar nje interes te vecante per te publikuar deklaratat e qeverise, pedagogeve me profil publik dhe te njohur si te angazhuar politikisht me PS-ne, si prof. Mimoza Hafizi apo kandidatja tjeter per rektor ne UT prof. Klodeta Dibra etj. Gjithashtu nuk kane munguar edhe deklaratat e disa deputeteve te PD-se, si p.sh. Astrit Patozi.

Ngjarja e kercenimit eshte ende e paqarte dhe ne kete situate ku as policia nuk eshte shprehur mbi vertetesine e deklaratave te Mynyr Konit dhe rektorit Dhori Kule, duket se cdo stisje eshte e nxituar. Megjithate asgje nuk i ka ndaluar te interesuarit te perfshihen me aludime, fantazi dhe qendrime ne kete debat.

Bashkelidhur gjendet nje dokument me disa shkrime kryesore mbi zgjedhjet ne teresi qe perfshijne deklaratat e qeverise, kritikeve te saj nder levizjet e fundit sociale brenda UT (Arlind Qorri), te kandidateve kryesore (Koni & Dibra), e te disa politikaneve apo gazetareve.

Shkarkoni dokumentin: Format EPUB & PDF

Perditesuar: 29 Prill 2014

Sipas Top Channel Dhori Kule, ish-rektori, dhe Mynyr Koni, rektori aktual i UT, kane deshmuar ne prokurori se nuk e kane kallezuar kercenimin pasi nuk i njihnin personat. Kuptohet qe ky justifikim eshte skandaloz, pasi me gjase te dy kane njoftuar Sali Berishen qe i ka identifikuar kercenuesit me Emiljano Shullazin.

Top Channel, 28 Prill 2014, Profesorët humbin kujtesën, Kule e Koni në prokurori: S'e mbajmë mend Shullazin
http://top-channel.tv/lajme/artikull.php?id=325305
Rektori i Universitetit të Tiranës, Mynyr Koni është thirrur nga Prokuroria e Krimeve të Rënda për t’u pyetur në lidhje me hetimet që po zhvillohen ndaj Emiljano Shullazit, i dyshuar për kanosje për shkak të detyrës.
Për dy orë, rektori i zgjedhur pak ditë më parë dha dëshminë e tij, duke këmbëngulur sikurse ka deklaruar edhe para policisë së Tiranës se nuk i njihte personat që e kërcënuan për t’u tërhequr nga gara. 
“Nuk i fiksova fytyrat e tre personave që më urdhëruan të hipja në makinën e tyre, njëri prej atyre, ai që ishte në sediljen e pasme, më kërkoi të tërhiqesha nga gara e mandej me urdhëroi të zbrisja nga makina”. 
Ky është qëndrimi i profesor Mynyr Konit, i cili i ka lënë pa përgjigjje prokuorët nëse ndonjëri prej personave që e kishte kanosur ishte apo jo Emiljano Shullazi. Profesor Koni, thanë burime për Top Channel, është përgjigjur ‘nuk e mbaj mend pasi u tremba’. 
Prokuroria pyeti gjithashtu edhe ish-rektorin Dhori Kule, që është personi të cilit Koni i kishte treguar për kërcënimin. Gjithashtu, ish-rektori u pyet edhe për kërcënimin e kryer ndaj tij pranë një hoteli në Tiranë. 
Por edhe Kule, thanë burimet, ka deklaruar se nuk mbante mend kush e kërcënoi pasi nuk i kishte identifikuar dot autorët. “Më ndaluan tre djem dhe më thanë ‘mos e mbështet Konin në garë’. Unë nuk bëra kallëzim sepse nuk njoha asnjërin prej tyre”, ka rrëfyer profesor Kule. 
Prokruroia pritet të thërrasë edhe dy biznesmenë që sipas SHISH u është vendosur gjobë nga Shullazi. Ndërkohë që ende nuk e ka gjetur adresën e njeriut kyç në këtë dosje, shtetasit Jani Zaka, dëshmitarit që ka treguar konfliktet për një parking në Tiranë.

Thursday, January 7, 2016

Diskutime per buxhetin e vitit 2016

Dashamir Shehi (PD) diskuton ne Komisionin Parlamentar per Ekonomine dhe Financat per rritjen e buxhetit te arsimit te larte me qellim ndertimin e Kampusit te Universitetit te Tiranes. 

Link: (fq. 20)

Vihet re se komisioni parlamentar me kryetar Genc Pollo, ish-minister i arsimit, nuk e ka publikuar ende online procesverbalin per diskutimin e buxhetit te vitit 2016. 


Dashamir Shehi – Një pyetje kam unë, zoti Ministër, për sa i përket arsimit të lartë te
financimet e investimeve. Ka qenë dhe është një projekt, do të bëhej Kampusi Universitar i Tiranës.
U bë 3-4 vjet që janë marrë lejet, terrenet janë shpronësuar. Domethënë ishte zgjidhur një pjesë e
mirë e problematikës. Deri para 2 muajsh, kur ka ardhur faza e parë e projektit të buxhetit këtu,
figuronte. Kampusi universitar brenda kësaj  ka qenë i figuruar me rreth 240 milionë lekë. Tani nuk
figuron më. Janë hequr rreth 2 milionë dollarë afërsisht që ishin për kampusin universitar. Në një
farë mënyre po loboj në emër të shumë dekanëve. Universiteti i Tiranës i ka ca para të vetat. Do të
mjaftonte që ju ta përfshinit në zërin e investimeve këtu, qoftë dhe me një shifër tjetër më të vogël,
sepse paratë mund të mos jenë. Këto janë para sa për ta filluar kantierin.  Kjo do të mbyllte një sërë
procedurash. Do të mbyllte çështjet e tokës, kantierin, rrethimin që të mbyllej kjo temë që do të
ndërtohet këtu dhe të mos hapet më ky muhabet. Dhe ata mund ta bëjnë me paratë e veta. Universiteti
i Tiranës ka gati 2 milionë euro në xhep. Kështu që pse të vonohet të hapet dhe një herë debati, leja?
 Kjo histori është mbyllur një herë. Ky është kampusi i shtetit shqiptar. Vetëm këtë ka e gjithë
Shqipëria. Mos një ditë, një ditë tjetër do të bëhet.  T’i japim mundësi vendit të mos vënë 2 milionë
se nuk janë aq. Vini gjysmë milioni. Unë pikërisht për këtë të them, që t’i mbyllim disa lloj debatesh,
të mos ngelim varur për interesa të tjera. Kampusi të fillojë të rrethohet. Pastaj, duke qenë të tillë e
filluam atë faz, kantieri gati i rrethuar mund t’u ofrohet dhe donatorëve të huaj. Çfarë do t’i ofrohet
tani të tjerëve? Kjo do të ngelë e gjitha me financim shtetëror dhe kjo është një vepër që minimalisht
do t’i hajë 30-40 milionë. Atëherë do të tërhiqet zvarrë për shumë vjet. Kështu fitojmë një vit kohë.
Mjafton që këtu të vihet mbi 50 milionë, që figurojnë mbi investimet publike. Prandaj unë gjykoj që
dhe kolegët po ta shohin mund ta bëjnë këtë deviacion nga universiteti “Moisiu” në Durrës, heqim
100 milionë ose 20 milionë, dhe t’ia vëmë kampusit këtu që të hapet kantieri. Pjesën tjetër ta fusë
Universiteti i Tiranës.  Shyqyr që paska para. Diskutojeni këtë mundësi. Unë them se do t’i bëhet
mirë arsimit publik shqiptar. Kjo është një gjë që mund të rikuperohet.

Arben Ahmetaj (PS, minister i ekonomise): Ka një shumë të padetajuar brenda fondit të Ministrisë së Arsimit, që është gati 1,2 miliardë, që vjen nga fondet e veta. Besoj se aty e kemi një mundësi që ta planifikojmë. Por nëse ju do të gjykoni në finale ky komision merr vendime.
Unë dua të ndaj me ju, gjithashtu, edhe një element tjetër. Ne kemi filluar një investim shumë
të rëndësishëm. Sigurisht nuk është e njëjta gjë me atë që ju thoni. Kemi filluar planifikimin e një
investimi shumë të rëndësishëm në Qytetin e Studentit me 4,5 milionë euro, i cili do të bëjë
rikonstruksion të thellë të disa godinave, kemi filluar projektin për ribërjen e të gjithë kampit atje.
Megjithatë unë ndaj të njëjtin mendim me ju dhe besoj t’ia kalojmë ministres së Arsimit për këtë 1,2
miliardë të padetajuar. Të shohim hapësirën për atë që ju thoni me të drejtë.

Erion Braçe (PS, kryetar i komisionit)– Kam përshtypjen që brenda asaj vlere që thoni ju,  duhet të jetë dhe kjo te Ministria e Arsimit.

Arben Ahmetaj – Unë kam kërkuar listën nga Ministria e Arsimit, por në të drejtë të tyre
ata po e detajojnë listën. Është e vërtetë që në planifikimin e tyre është një shumë për kampusin
brenda shumës 1,2 miliardë. Megjithatë, unë për t’iu referuar zyrtarisht pyetjes dhe komentit të zotit
Shehi po them që brenda shumës 1,2 miliardë ka një mundësi për t’u planifikuar. Gjithsesi, po i
referohem zyrtarisht përgjigjes dhe po të them që kemi mundësi ta alokojmë brenda shumës 1,2 të
padetajuar që i përket arsimit.


Wednesday, November 11, 2015

Kryeministri Rama përballet me studentët, në distancë

 

Gazeta Shqiptarja.com, 11 Nentor 2015 “Reforma e Arsimit … “

http://shqiptarja.com/home/1/reforma-e-arsimit-rama-student-t-do-ia-shohin-hajrin-326397.html

Rama eshte cituar te jete shprehur:

“Sigurisht që sot nuk jemi në kushtet kur mund të themi shikoni se cfarë transformimi çudibërës bëmë në arsim. Por jemi në kushtet ku mund të themi shikoni si ka filluar të marrë frymë ky organ i shoqërisë, e ekonomisë së vendit që ishte mbuluar  nga metastazat e korrupsionit dhe e braktisjes së plotë nga ana e qeverisë së mëparshme. Kemi arritur që të pastrojmë një turmor të madh, tumorin e universiteteve  private që ishin fabrika diplomash. Kemi arritur të pastrojmë edhe një sistem  përmes një reforme, edhe ata që sot s’janë të bindur shumë shpejt do ia shohin hajrin. Është reforme europianizuese që i jep mundësi unviersitetit të kalojë në një shkallë të re”


Sipas Ramës sot në shkolla është futur një sistem i ri sa i përket garantimit teksteve shkollore.

“Janë mbi 8 mijë tekste që janë hequr, që i prodhonte injoranca, batërdia, pa ambicien më të vogël. Kemi futur në Shqipëri tre shtëpi botuese nga më të mirat në botë. Kemi arritur që të pastrojmë tumor të madh, atë të universiteteve private, që ishin vetëm fabrika diplomash”


Po ashtu kryeministri u shpreh se tashmë është kaluar në një fazë të re edhe sa i përket garantimit të shërbimit të mësuesëve.

“Mjafton t’ju kujtoj që kemi kaluar në një fazë të re për garantimin e shërbimit të ri për mësuesit. Do kalojmë vit pas vitit drejt një shkolle ku mësuesi rifiton autoritetin e vetë si një figurë kyçe. Nuk është më mish për tokë që merrje e hiqej, ngrihej e dërrmohej sipas nevojave të ditës, qofshin politike, qofshin të korrupsionit apo injorancës”

“Ky nuk është bilanc as komunikim për të treguar sukseset, por një përpjekje për të ndarë me ju dhe me publikun, qoftë disa arritje qoftë disa sfida në një moment kyç si ky që jemi sot. Pse është moment kyç? Sepse jemi në mes të mandatit dhe jemi në një moment kur gjithë operacioni në front të gjerë për të reformuar rrënjësisht strukturën dhe funksionimin e sektorëve të jetës apo e thënë më shkoqur operacioni për të pastruar sektorët që janë sot si organet në trupin e njeriut, për trupin e ekonomisë nga metastazat e një kanceri që po i shpërbënte, është sot në momentin kur ka filluar të japë disa rezultate por kur kërkon edhe më shumë kurajo, edhe më shumë vendosmëri për ta çuar deri në fund,” tha Rama teksa ceku sektorët kryesorë, si shëndetësinë, ekonominë, arsimin.

-------

Studentet protestojne perpara parlamentit, Shqiptarja.com, 11 Nentor 2011

http://shqiptarja.com/Sociale/2750/dy-or--para-qeveris--student-t-bojkotojm--n-se-s--39-rishihet-ligji-326304.html

Pas rreth dy orësh të ulur këmbëkryq përpara kryeministrisë studentët kanë përfunduar protestën e tyre duke kërcënuar me bojkotim të mësimit nëse nuk rishikohet reforma për Arsimin.Të vendosur për kauzën e tyre ata kanë shtuar se protestat do të vijojnë dhe se do të jenë sërish të vendosur në sheshin e kryeministrisë nëse asgjë nuk ndryshon.


“Ne do të shkojmë drejt bojktotit për arsim publik falas. Nuk është protesta as e parë as e fundit. Është arsim publik falas. Nuk keni parë asgjë. Të rishikohet reforma pasi do të ketë revoltë. Kjo nuk është e pamundur. Shihemi javës tjetër. Mos lini mbetje në boulevard”-kështu kanë përmbyllur protestën e paralajmëruar prej disa ditësh studentët


Në protestë nuk kishte as vezë dhe as miell, por vetëm fjalime nga studentë e pedagogë të universiteteve të ndryshme të vendit. Turma u shpërnda qetësisht dhe me thirrjen për të mos lënë asnjë mbetje në bulevard pasi pankarat do të duhen në protestën tjetër javën që vjen.
Studentët protestuan në sheshin para kryeministrisë kundër ligjit të arsimit të Lartë, kundër dhunës policore, kundër tarifave të studimit.

Tuesday, September 8, 2015

Letër e hapur nga një aplikant pune në Agjencinë e Akreditimit

 

Edmond Çata, pedagog i jashtëm në Universitetin e Durrësit, ka aplikuar për një vend pune si specialist pranë Agjencisë Publike të Akreditimit të Arsimit të Lartë. Zotit Çata (PhD.) i është refuzuar aplikimi për arsye jo transparente. Për këtë zoti Çata ka publikuar një letër të hapur për ministren e arsimit znj. L. Nikolla.

Më poshtë letra e tij me disa shkurtime. Letrën e poshtë e gjeni të botuar tek Gazeta Dita, 8 qershor 2015 dhe këtu: xxxx.

Kjo letër denoncon publikisht Agjencinë e Vlerësimit dhe Akreditimit, e drejtuar nga Dhurata Bozo, dhe nën varësinë tuaj direkte. Në bisedën tonë telefonike datë 3 Shtator 2015, ju më thatë tju dërgoja një letër. Unë letrën po ua dërgoj, por PUBLIKISHT! Për tre arsye: prej rëndësisë që i keni dhënë ju si Ministre, bashkë me Kryeministrin Rama, akreditimit; prej rëndësisë që ka për reformën Agjencia e Akreditimit; dhe, prej faktit që kjo agjenci varet direkt prej jush. Shtysë për këtë letër janë praktikat e rekrutimit të Agjencisë.

….

Në Buletinin e Prokurimeve Publike, Nr. 9, datë 9 Mars 2015, faqe 380-383, Agjencia shpalli rekrutim për dy specialistë “për Promocionin dhe Vlerësimin e Cilësisë” më kritere arsim i lartë, 3 vjet punë, njohuri në anglisht, legjislacionin mbi arsimin, dhe akreditimin, aftësi të shkruari dhe aftësi të punuarit në grup. Aplikimet kërkohej të paraqiteshin brënda datës 16 mars 2015. Ndaj në 15 Mars unë paraqita dosjen time e cila përmbante: CV-në, Diplomat me Notat në PhD, Master, dhe Bachelor, eksperiencën time të punës, si dhe një listë me artikuj të mi për çështjet e reformës, universiteve, dhe arsimit të lartë në Shqipëri.

Ajo që ka ndodhur nga Prill deri në Shtator minimalisht mund të quhet tallje, ndërsa në një vlerësim më radikal, mund të konsiderohet një praktikë e dyshimtë dhe e ndëshkueshme. Deri në mes të Prillit, 4 javë pas aplikimit, agjencia nuk u bë e gjallë të njoftonte si po procedonte. Dy herë tentova të merrja vesh çpo ndodhte, duke shkuar vetë në Agjenci. Në zyrat e saj askush nuk jepte sqarim as për aplikimin, as për vetë Drejtoren Dhurata Bozo. Të cilën sa herë kam shkuar, asnjëherë nuk e kam gjetur në zyrë.

Agjencia u bë “e gjallë” vetëm në datë 22 Prill me një telefonate në numrin 224-3423. Por telefonata kishte dy paradokse: 1) me personin dhe 2) logjikën që përçonte në emër të Agjencisë. Telefonuesja, kur e pyeta me ç’kapacitet më fliste, më tha…  se procesi është anulluar sepse vetëm ti ke paraqitur aplikim! “Anullim?” ia ktheva i çuditur! I bie të jem fitues direkt! Jo vetëm si kandidat i vetëm por edhe sepse përmbush dhe tejkaloj gjithë kriteret. … Me këtë logjikë, në 27 Prill 2015 Agjencia e Akreditimit përsëriti shpalljen, me të njëjtat kritere, në Buletinin e Prokurimeve Publike, Nr. 16, faqe 573-574.

Si një njeri i cili ka shkruar që nga viti 2002 mbi 30 artikuj për reformimin e Arsimit të Lartë dhe Universiteteve shqiptare; si një njeri direkt i interesuar për rezultatet e reformës suaj, padyshim që kam ndjekur me vëmëndje çdo veprim apo mosveprim tuajin në arsimin e lartë dhe ndaj universiteteve; kam ndjekur me vëmëndje çdo premtim të tuajin, çdo mënyrë që ju shpallni se do të ndiqni në kryerjen e reformës, dhe çdo hap që ju si qeveri keni hedhur konkretisht deri tani. Por cilësinë dhe rezultatet e reformës suaj unë nuk i “mas” me deklaratat që bëni ju; Nuk i mas as me të treguarit se sa të fortë jeni ju dhe argumentet tuaj në debatet me përfaqësuesit e universiteteve. Cilësinë dhe progresin e reformës suaj unë i “mas” me “fatin” tim: Sa do të ndryshojë ai nga një person i papunë, në një person ju do ti lejoni të japë kontributin e tij në universitetet apo agjencitë qeveritare që operojnë në fushën e arsimit të lartë. Ju nuk mundeni që në njërën anë të bëni deklarata në publik të tipit “do të bëjmë këtë, e do të bëjmë atë”- që po ti marrësh ashtu siç bëhen do ti binte që unë të mos kisha mbetur sot i papunë – dhe nga ana tjetër, në sjelljen tuaj në realitetin praktik, të silleni krejt kundër nga sa thoni në deklaratat tuaja! Ndaj meqë “zyrtarisht” më kërkove të të dërgoja më postë një “letër zyrtare” por praktikisht as nuk dëshëroja të dëgjoje atë çfarë unë kisha për të të thënë, letrën time po ua dërgoj PUBLIKISHT! Në këtë letër, përveç informacionit që ka të bëjë specifikisht me Agjencinë e Akreditimit po ju kumtoj edhe disa gjëra që ju si Ministre nuk treguat ndonjë dëshirë për ti dëgjuar.

Agjencia që ju keni aktualisht, çdo gjë mund të konsiderohet por vetëm një instrument efikas nuk mund të quhet. Që nga drejtoresha e deri tek “specialistët” që e popullojnë atë mund të thuhet se kanë bërë pallë me paratë e taksapaguesve por vetëm për rezultate nuk mund të pretendojnë. Ca më pak mund të pretendojë vetë Drejtorja e agjencisë, apo ju si Ministre, se agjencia ka qënë ndihmuese e fuqishme në reformën tuaj! Kush thotë të kundërtën gënjen! Kush thotë se agjencia ka bërë punën e vet, nuk dëshëron të shohë të vërtetën në sy: Që tregu akademik është mbushur me universitete që kanë programe skandaloze dhe profesorat pa një historik, axhendë, dhe interes specifik në kërkimin shkencor! Agjencia aktuale e Akreditimit, të cilën ju e keni në varësi, është e populluar jo me profesionistë por me klientë; është e populluar jo me njerëz të ditur dhe eksperiencë mësimdhënëse, drejtuese, kërkimore në akademi por me djem dhe vajza të miqve partiakë apo familjarë; është e populluar jo me njerëz që kanë doktorata por me “bachelorista” dhe “masterista” të fituar universiteteve shqiptare; është e populluar jo me njerëz me eksperiencë dhe doktorata serioze nga nga universitete serioze por me njerëz me eksperiencë dhe doktorata “leshi”! Mjafton të verifikoni CV-të dhe eksperiencën e tyre jetësore, profesionale, akademike, dhe pastaj dilni dhe i thoni publikut dhe mua që këto që them në këto rreshta nuk janë të vërteta!

Që Agjencia e Akreditimit ka nevojë të reformohet, të ndryshojë drejtor, të popullohet me staf cilësor, kjo nuk ka pikë dyshimi. Ky imperativ konfirmohet nga dy fakte: 1) rezultatet e munguara të Agjencisë dhe 2) thirrja nga ju e Agjencisë Angleze të Akreditimit. Agjencia shqiptare e Akreditimit nuk është krijuar sot, ajo ka qënë edhe në kohë e dyshes Berisha-Tafaj. Por kur ju flisni për universitete, standarte, dhe cilësi të DYSHUESHME kjo tregon që kjo Agjenci, kështu siç është aktualisht, me këtë drejtore, staf, dhe mendësi, KA DËSHTUAR të kryejë misionin dhe detyrën për të cilën taksapaguesit shqiptarë e paguajnë dhe e mbajnë në këmbë: Agjencia ka dështuar të vlerësojë dhe akreditojë tamam, realisht, vërtetësisht universitetet shqiptare, programet e tyre, cilësinë dhe kredibilitetin e profesoratit të tyre! Agjencia ka dështuar të vërë gishtin dhe tregojë cilat universitete shqiptare nuk vlejnë dhe cilat universitete vlejnë dhe sa vlejnë. Është pikërisht mungesa e rezultateve konkrete arsyeja përse sot ne kemi universitete që, siç keni deklaruar ju dhe kryeministri Rama, kanë programe, kanë profesorat, dhe lëshojnë diploma, por diplomave të tyre nuk mund tju zihet besë, profesoratit i mungon kërkimi shkencor, dhe vetë qeveria nuk mund ti drejtohet asnjë universiteti për ndihmë konkrete apo know-how për çështje të qeverisjes së këtij vendi! Po ashtu, thirrja dhe pagimi nga ana juaj i Agjencisë Britanike të Akreditimit është treguesi tjetër i dështimit të Agjencisë Shqiptare të Akreditimit. Përse do të duhej që qeveria shqiptare të punësonte një agjenci të huaj akreditimi kur ajo ka një agjenci të vetën dhe paguan për mbajtjen e saj? Shpjegimi mund të ish vetëm një: Agjencia ose ka dështuar, ose nuk është në gjëndje, pra nuk ka KAPACITETE dhe KNOW-HOW të kryejë akreditimin e universiteteve shqiptare! Ndonëse ky është misioni dhe puna për të cilën mbahet në këmbë dhe paguhet me paratë e taksapaguesve shqiptarë!!!!

Gjëja e dytë që duaj tju kujtoj ka të bëjë me qëndrimin tuaj ndaj njerzve si puna ime, me kualifikime mëse të vlefshme si për universitetet, ashtu edhe për qeverinë shqiptare dhe agjencitë e saj. Në disa raste kryeministri Rama nuk ka munguar të shprehë “interesin” për kontributin e atyre shqiptarëve që kanë studiuar jashtë. Unë jam një ndër ta, i kthyer në Shqipëri në 2009, por që ka mbetur jo vetëm i papunë, por edhe është përballur me refuzimin tuaj për të më bërë pjesë të përpjekjeve tuaja në procesin reformues të arsimit të lartë dhe universiteteve shqiptare. Nëse kjo është filozofia juaj reale, përtej llafeve të bukura që artikuloni konferencave madhështore punë për ju kjo! Dhe mbase mendoni se e keni edhe luksin për të mënjanuar dhe mos angazhuar njerëz si unë! Por luksi juaj po shëndrrohet në mizerje po të shohim faktet dhe realitetin e reformës në arsimin e lartë!

Kjo mospërfillje e juaj, ky hendek i madh i veprave tuaja në raport me deklaratat që keni bërë, duket në dy drejtime. Së pari duket në paaftësinë tuaj për të na hapur njerzve si unë rrugët dhe dyert e universiteteve shqiptare. Është pikërisht kjo gjë që nuk e bën fare të çuditshme zbythjen tuaj në raste si ai i debatit tuaj me titullarë të universiteteve, specifikisht, rasti me rektorin mediokër të Universitetit Aleksandër Moisiu Durrës, Mithat Mema, një njeri të katapultuar aty nga Myqerem tafaj. Zbythje e juaj, sepse nuk ka se si të ndodhë ndryshe kur vihesh të mbrosh një kauzë që nuk është kauzë; kur vihesh në mbrojtje të njerzve të currufjapsur si ai dekani i UAMD-së që ju kërkonit ta rivendosnit në detyrë; kur në vënd të merreni me dhe tu jepni fund luftërat meskine për pushtet qqë ndodhin brënda universiteteve shqiptare mes forfesorëfve të rreështuar në klane, ju bëheni palë me njërën palë kundër tjetrës.

Në ndërtesën që quhet Ministria e Arsimit dhe Shkencës kanë hyrë dhe kanë dalë si ministra shumë emra. Të pyesësh shqiptarët në mbajnë mënd emrin e ndonjërit prej tyre, vështirë se do të kujtojnë ndonjë. Kjo sepse ata që janë bërë ministra, kanë hyrë në atë Ministrinë e Arsimit jo për të bërë një gjë për arsimin shqiptar që vërtet të mbahen mënd edhe pasi të mos jenë më ministra, por për ti shërbyer partisë dhe interesave klienteliste. Ndaj kanë hyrë dhe ulur në zyrën e Ministrit si ministri i rradhës, kanë “sunduar” stafin e Ministrisë, kanë kënaqur egoizmin e tyre sipas logjikës “hej, jam Ministri unë,” janë sjellë si Ministra tepër të “zënë,” të pakapshëm, të padisponueshëm, për njerzit! Kur nuk kanë qënë më ministra, janë harruar që ditën e nesërme! Ose janë edhe për ndjekje neale – ju parardhësin tuaj e keni paditur edhe penalisht, apo jo?!?!? Ka ndodhur kështu sepse asnjëri prej tyre kur ka hyrë në Ministrinë e Arsimit as ka patur ndonjë vizion për arsimin, as ka patur njohuri të mjaftueshme për çështje të arsimit, as ka deshur të bëjë vërtet diçka për të mbetur, dhe as ka bëri realisht ndonjë gjë për njerzit, shoqërinë, vetë arsimin! Madje edhe nëse mbahet mënd ndonjë emër, mbahet mënd për idiotësi ose pazarllëqe!

Cili do të rezultojë i vërtëtë, pretendimi juaj për kontribut, apo supozimi im dyshues, mbetet për tu parë, ditët e provës përpara i kemi! Por siç thonrë një fjalë e urtë, “dielli duket që me mëngjez”. Dhe deri tani, në dy vjetët e qeverisjes tuaj, nuk po duket kurfarrë dielli por vetëm llafe! Kështu si e keni nisur dhe po vazhdoni, e keni te garantuar që sado të qëndroni si ministre, do të përfundoni njësoj si të gjithë paraardhësit tuaj të djathtë apo të majtë! Ndryshimi është në dorën tuaj. Një rast për ta treguar këtë e keni jo vetëm me mua si person, por edhe me Agjencinë e Akreditimit.

Thursday, March 26, 2015

Denoncoj natyrën okulte të projektligjit të Arsimit te Lartë

 

Besnik Gjongecaj

Gazeta Shqip, 25.03.2013

clip_image002

Nuk është e panjohur, përkundrazi, është një praktikë e ndeshur shpesh kur ekzaktësisht në emër të një interesi më të përgjithshëm, madje të mbuluar krejtësisht nga stofi dimëror dhe i ngrohtë i interesit më të lartë, gati gati sublim, paraqiten projekte që synojnë zezërisht rrënimin e tij përmes plotësimit të interesave të jashtëligjëshme të individëve të caktuar. Më shumë se një praktikë, e gjithë kjo është një betejë, sepse përfitimi vetjak nuk synohet në harmonizim me të tërën, përkundrazi, në një luftë për jetë a vdekje me të. Duke bërë ç’është e mundur margjinalizimin e interesit publik në rastin më të mirë, ose duke e bërë atë copë e çikë, pa pikën e mëshirës njerëzore, në rastin më të keq. Kjo betejë merr përmasa gjithmonë e më dramatike sa më lart të jetë vendosur fusha e saj në hierarkinë social-politike të vendit, sa më shumë pushtet të jetë investuar në të, dhe së fundi, sa më okulte të jetë ajo, përplasja. Beteja okulte janë zhvilluar në Parlamentin e këtij vendi kur ligjeve të caktuara iu është dhënë fshehtësisht fytyra e interesit e grupimeve të vogla, madje edhe të individëve të veçantë në mbrojtje të interesit vetjak dhe familjar. Jo rrallë, për shkak të devijimit dramatik nga interesi i votuesve, qytetarët kanë mundur të ravijëzojnë mafien parlamentare, grupin që ndërton një set prioritetesh dhe privilegjesh për vete, në emër të popullit, por jo për popullin. Gjithsesi, betejat më të errëta janë ato që janë zhvilluar brenda mureve të mbledhjeve qeveritare. Atje ku jo rrallë, dhe vetëm atëhere kur nuk ia kishin arritur të kalonin një ligj të personalizuar në Parlament, qeveritarët e këtij vendi ia thyenin qafën ligjeve ekzistuese për të ndërtuar, nga copat e thyera, VKM-ë të adresuara personalisht, në interes plotësisht privat, dhe në një konflikt të dretpërdrejtë me vetë ligjin që sapo kishte kaluar në Parlament. Aq shpesh ka ndodhur kjo, veçanërisht në vitet e gjata të qeverisjes së shkuar, saqë nuk ka se si të mos besosh që në thelbin e tyre qëndrojnë ”forca të errëta”, ”paranormale”, ”të pakontrollueshme” nga pushteti i qytetarëve. Okulte, prandaj, në thelbin e tyre. Por, në këtë pikpamje, një ngjarje e këtyre kohëve po ia kalon të gjitha ngjarjeve me natyrën okulte të saj, me fuqinë e saj manipulative, të fshehtë, gati pothuajse paranormale. Një projektligj për arsimin e lartë me përmbajtje okulte po bëhet gati të kalojë Parlamentin e vendit. Në ndihmë janë thirrur të gjithë ata që dinë të lexojnë anët e fshehta të një ligji, sekretin në përgjithësi. Të gjithë magjistarët e këtij vendi, horrat, manipulatorët, madje edhe dononciatorët e dikurshëm. Të gjithë ata që shohin në errësirë, ata që dinë të lexojnë kuptimin a brazdave në pëllëmbët e duarve, madje edhe fletët e dala boje të dosjeve të dikurshme. Me misionin për të thënë pikërisht të kundërtën: që projekti i ligjit të universiteteve është i pastër, drejtpërdrejt në mbështetje të interesit publik. Për të fshehur të fshehtën e tij. Anën e tij okulte. Shëmtinë e tij të paanë.

* * *

Projektligji për arsimin e lartë u shit dhe vazhdon të shitet në opinionin publik si një formë ligjore që do ta ndryshojë rrënjësisht sistemin. Një dekor i përgatitur me kujdes i shërbeu kësaj shitjeje. U thirr nga Anglia një shqiptar që të ishte ”aq i kualifikuar dhe zhytur në stilin anglez të të menduarit” sa t’i dukej si një letër tualeti projektimi i zhvillimit të arsimit të lartë në Shqipëri i prodhuar pak kohë më parë nga një ekip që kryesohej prej vetë ish këshilltarit të znj. Thatcher dhe financuar nga Banka Botërore. ”Londinezi” i thirrur nën armë, madje, pa u kujdesur as të përmendëte punën e kryer në Shqipëri dhe aq më shumë, me një moskokëçarje shembëllore që vetëm vandalët dhe pushtuesit e kanë, pra, pa ia bëri syri tërt që po zhytej në baltën e plagjiaturës, pasi i futi një të fshirë gjithçkaje që ishte bërë më parë, me një krenari katundareske, e cila bëhej gjithmonë e më shumë e tillë sa më shumë lëvdohej nga ata që e sollën dhe sa më shumë vinte në pah rrudhat e sajdisura në lule të ballit, arriti të paraqesë si Dokumentin për Arsimin e Lartë ashtu edhe Draftin e Ligjit. Që të bëhej sa më i besueshëm, dmth sa më pak i frymëzuar politikisht dhe, më kryesorja, sa më i mjegullt në pjesën okulte të tij, krijoi një komision universitarësh, të cilët, jo për fajin e tyre, u quajtën ekspertë, megjithëse kishin një mungesë të theksuar të njohurive në fushën e ndërtimit të institucioneve, dmth, ishin plotësisht të papërgatitur për detyrën e dhënë; si dhe, për t’i dhënë edhe dorën e fundit, përhapi lajmin se ekspertët e Komisionit që do të shkruanin Reformën, pra që do të ndryshonin rrënjësisht faqen e arsimit të lartë të këtij vendi, nuk ishin ashtu thjesht ekspertë, por shumë më tepër se kaq: ata ishin ekspertë me ngarkesë, jo neutralë. Pra, në kundërshtim me të gjithë definicionet e botës, ata ishin projektuar si ekspertë të politizuar, që përfaqësonin dy krahët e politikës dhe si të tillë, prandaj, do të prodhonin dokumente që automatikisht do t’i pranonte si pozita ashtu edhe opozita, veçanërisht opozita. ...Do të bëhej një reformë për kokën e reformës dhe mbi të gjitha, një reformë e qëndrueshme, e pacënuar prej askush, e balancuar në fund të fundit!. Atë kryesoren megjithatë, atë pjesën e errët, pjesën okulte të saj, pra, atë për të cilën në fund të fundit po e bëjmë edhe gjithë këtë reformë - dukej sikur thoshte pa zë ”londinezi” në fjalimet e tij pa fillim dhe pa fund - nuk do ta marrë vesh askush, sot dhe në kohën tjetër, në të gjitha kohërat...

* * *

Drafti i Arsimit të Lartë po shitet edhe në përmbajtje. Thelbi i marketingut të tij është ky: Drafti i Arsimit të Lartë siguron autonominë më të lartë për universitetet; universitarët kanë përgjegjësinë për detajimin e buxhetit (grantit), për përcaktimin e strukturave universitare, për zgjedhjen e autoriteteve dhe organeve drejtuese, për përcaktimin e numrit të pedagogëve dhe personelin tjetër universitar, për realizimin e një kualifikimi që fillon dhe mbaron brenda universitetit. Në fakt, kështu do të ndodhte vetëm nëse të gjitha përgjegjësitë e sapopërmendura do të nxirreshin jasht kontekstit të Draftit, nuk do të ishin pjesë e së tërës. Por ato janë pjesë e së tërës dhe nuk ka se si të ndodhë ndryshe. Prandaj, gjithçka që sërviret si përgjegjësi e universitetit, para se të jetë e tij, është e strukturave ndërmjetëse dhe strukturat ndërmjetëse, ashtu si janë projektuar në këtë Draft, jo vetëm që nuk i përkasin universiteteve, por përkundrazi, janë instrumente pastërtisht në duart e qeverisë. Kështu, para se të detajojë shumën e parave që merr (grantin apo çdo shumë tjetër), madhësia e tij përcaktohet nga AKF (Agjensia Kombëtare e Financimit), e cila është pjesë e qeverisë në të gjitha kuptimet dhe në kundërshtim të plotë me statusin natyror të saj si ndërmjetëse. Aq më shumë që përcaktimin e grantit, AKF ose që është e njëjta gjë, kjo strukturë qeveritare, e bën pa asnjë formulë të dhënë në Draft. Para se të përcaktojë strukturat e saj, apo para se të përcaktojë numrin e pedagogëve dhe personelit, universiteti duhet të marrë lejen e ASCAL (Agjensia e Sigurimit të Cilësisë në Arsimin e Lartë) e cila, si për nga përbërja ashtu edhe për nga statusi është thjesht një zgjatim i qeverisë. Asnjë universitet, prandaj, nuk mund të bëjë asnjë zgjidhje strukturore dhe administrative, në thelbin e vet, pa u komanduar nga qeveria. Kështu do të ndodhë edhe me kërkimin shkencor, i cili do të financohet pa pikë hezitimi sipas preferencave politike të qeverisë, sepse, struktura ndërmjetëse e projektuar për këtë qëllim, pra AKKSh (Agjensia Kombëtare për Kërkim Shkencor), nuk do të jetë gjë tjetër vecse një zgjatim i dorës qeverisëse të partisë apo partive në pushtet. Ky ligj jo vetëm që nuk e zgjeron autonominë universitare, por e nulifikon atë në mënyrëm më dramatike të ndodhur ndonjëherë. Dhe e gjitha kjo bëhet me po atë stil dredharak që katundari i shkretë është i detyruar të aplikojë për të mbijetuar kur zbret në qytetin e zhurrmshëm. Brenda të njëjtit Draft, universitarëve iu jepet (granted) një pushtet që i është dhënë më parë qeverisë nëpërmjet strukturave (jo ndërmjetëse) të sistemit. Si në një shtëpi që blerësi e kupton pas pilafit se pronari mashtrues e ka shitur njëherë dhe atij po ia shet për herë të dytë!

* * *

Gjithsesi, akoma nuk kemi arritur te pjesa vërtet okulte e Draftit, megjithëse jo pak herë i jemi afruar asaj. Fuqia e errët e këtij Drafti është vendosur te kapitulli XII, atje ku parashikohet krijimi i IALPP ose “institucionet publike të pavarura të arsimit të lartë”. Më i zellshshmi në krijimin e këtij kapitulli, i vetëdeklaruar, njeriu i UET ose z. Civici, të cilin kam patur rast ta njohë në Universitetin Bujqësor të Tiranës, atje ku ai ka marrë diplomën e ekonomistit bujqësor megjithëse, me sa kuptoj, i vjen turp ta përmendë dhe prandaj e zëvendëson me diploma të tjera të marra kushedi se ku në hapësirat e kontinentit, deklaron se pa këtë kapitull Drafti do të ishte pa kokën e tij. Sipas tij, sepse të tjerët nuk i kam dëgjuar të prononcohen, të gjitha institucionet e arsimit të lartë në vend, përfshi edhe ato publike, edhe UET, do të transformohen, brenda tri kater viteve në institucione edhe publike, edhe të pavarura. Për të kuptuar statusin e IALPP-ve të ardhshme është mirë t’i shohim ato në raport me qeverinë dhe interesin publik. Ajo që i lidh me qeverinë është akreditimi dhe paraja. Të dyja i jep qeveria dhe një universitet si UET e ka të sigurtë që do t’i marrë të dyja: edhe akreditimin edhe paranë. Jo vetëm me këtë qeveri, por edhe me atë që pritet të vijë. Duke realizuar kështu ëndrrën e madhe të përfitimit të parasë publike! Pasi ta marrë këtë para, duhet ta heqë qafe qeverinë, edhe publikun, sigurisht. Që ta shijojë qetësisht prenë e saj, pra paranë publike, neni 127 i Draftit e ndan IALPP e ardhshme (pra edhe UET) nga shteti sepse për buxhetin e marrë nga universiteti nuk do të mund të aplikohen minimalisht as “standardet e programimit buxhetor dhe të menaxhimit financiar publik, madje as ato të prokurimit publik”. Gjithçka perfekte: UET bëhet IALPP dhe merr buxhet nga taksapaguesit e varfër të këtij vendi dhe pasi e merr atë, buxhetin, planifikon ta përdorë pa pyetur për rregullat publike të manaxhimit të tij. Pas kësaj bota le të përmbyset!

* * *

Pyetjet e mëdha kanë mbetur për në fund. A mund të jetë IALPP, ashtu si është përcaktuar në këtë Draft, një formë strategjike e një universiteti shqiptar? A mund ta zëvendësojë ajo modelin universialisht të pranuar që “një universitet ekziston nëpërmjet një autonomie institucionale-tradita Humboldtiane (liria akademike e kombinuar me autonominë administrative, strukturore dhe financiare); ku mësohet nëpërmjet kërkimit shkencor-tradita Humboldtiane, (unifikimi i mësimit me kerkimin shkencor); me një kulturë dhe praktikë hibride - orientimi drejt shoqërisë dhe tregut ose tradita amerikane (universiteti është përgjegjës për perspektivën e sektorit publik dhe merr pjesë në zgjidhjen e problemve të tij, sepse paguhet nga qeveria, por nga ana tjetër, ai është gjithashtu subjekt i forcave të tregut); dhe i aftë të zhvillojë personalitetin e studentit duke e përgatitur atë për demokraci – tradita Newman, apo tradita angleze? Sigurisht që jo. Këtu ngatërrohen prioritetet; ngatërrohen vizionet me mjetet. Forma “IALPP” është një nga qindra mjete me anë të të cilave mund të shkohet te modeli i mësipërm. Ndërsa ai, modeli, është një dhe i vetëm. Universal si i tillë.

A mundet, në fund të fundit, që edhe një universitet si UET, akoma i paformuar realisht si i tillë, të kërkojë të investohet njësoj si Universiteti i Tiranës apo Universiteti Bujqësor i Tiranës? A është kjo gjë, në fund të fundit, e drejtë? Pastaj, ç’mëndje njerëzore do të mund ta pranonte që kapitali i një universiteti publik shqiptar të barazohet me kapitalin e një universiteti privat në tregun publik të këtij vendi? Të dalë para shqiptarëve me aksione të njëjta, kur një universiteti publik i është dashur më shumë se një gjysëm shekulli të formojë kapitalin njerëzor dhe material që ka?

* * *

Ç’qe, pra, ai hall i madh që thërriti në skenën shqiptare këtë Draft? Që e zbriti “londinezin” në fshatin stërmadh Shqipëri? Që ka vite që lë pa gjumë UET apo të tjerë universitete private, që megjithëse pa u formuar si të tillë, me një të shkuar qesharake, të arrnuar, kërkojnë të masin hijen e trupit të tyre me universitetet publike më shumë se gjysëm shekullore të këtij vendi? Madje që riaktivizoi edhe një hibrid të çuditshëm, të padëgjuar më parë; një “edhe president universiteti edhe sigurims i para 90-tës”, të dilte në ekrane televizive, të analizonte dhe mbështeste Draftin? Në prani edhe të ministres! Sigurimsi i dikurshëm?!

Përsëri duhet të analizojmë në mënyrë krahasuese. Asgjë të re nuk sjell ky Draft nga puna e dikurshme e bërë në projektin “Master Plan i Arsimit të Lartë” të punuar nga ish këshilltari i Thatcher dhe ekipi i tij pak vite më parë me mbështetjen e Bankës Botërore. Asgjë, absolutisht. Madje ky Draft është shumë më i prapambetur dhe shumë më keq i konceptuar. Por duhet pranuar: Drafti ka një shtesë dhe ky është kapitulli XII. Ja pse u shkruajt ky Draft. Për të përfshirë në ligj kapitullin XII. Kapitullin që e çon paranë publike te universitetet private. Patjetër. Padrejtësisht. Atje fshihet edhe fuqia e zezë, sekrete, pjesa okulte e Draftit. Te kapitulli XII.