Monday, December 19, 2016

Analize mbi situaten ekonomike te sistemit te arsimit te larte privat


Gazetarja Ola Xama ka analizuar situaten financiare te tregut te arsimit te larte privat. Analiza permban kryesisht te dhena statistikore dhe financiare, por edhe spekulime. Ndersa grafiket jane te pakuptueshem pasi nuk kane informacione shtese mbi interpretimin e tyre (p.sh. si ai mbi xhiron). 

Ola Xama, Monitor, 17 Dhjetor 2016

http://www.monitor.al/biznesi-50-milione-euro-universiteteve-private-kush-e-mori-tregun-e-atyre-qe-u-mbyllen/

Komentet e vleresimit nga autori i blogut jane ne te kuqe. 
 
Dy vite pas mbylljes së gjysmës së universiteteve private nga ana e Ministrisë së Arsimit, ato që rezistuan, në pjesën më të madhe, kanë përmirësuar bilancet dhe kanë rritur fitimet e tyre. 23 shkollat e larta tashmë nuk po diskutojnë më rënien e xhiros vjetore, por janë futur në luftën e egër për të marrë sa më shumë studentë. 11 universitetet më të mëdha private qarkulluan 35 milionë euro në 2015 dhe fituan rreth 6 milionë euro, ndërsa tregu (përfshirë dhe 2 universitete OJF) vlerësohet se i kalon 50 milionë euro. Universitetet që morën tregun e atyre që u mbyllën

Nuk është vetëm çmimi i lartë që një shkollë private ofron për studentët (krahasuar me publiken) problemi i vetëm në tregun e arsimit. Cilësia e shkollave private hapi një debat të madh përpara disa vitesh se cila ofronte diploma cilësore dhe sa rëndësi kishte dija që ato jepnin për nxënësit, dhe sigurisht e ardhmja e këtyre studentëve. Në Shqipëri është e vështirë të matësh cilësinë e shkollimit dhe punësimin e brezave që dalin nga universitetet. Një arsye lidhet me faktin që nuk ka ende një listë orientuese të profesioneve për të cilat ka nevojë tregu. Së dyti, për shkak të antologjisë që është krijuar rëndom në këto vite: edhe nëse ke një diplomë të mirë në “shtet”, sërish mund të ngelesh pa punë!


Lulëzimi i shpejtë i biznesit “universitet” solli hapjen e mbi 50 të tillëve në Shqipëri deri në fund të 2013-s, ku dukej se në qendër të vëmendjes ishte prodhimi i sa më shumë diplomave, në një kohë që nuk kishte asnjë institucion që të bënte renditjen dhe orientimin e nxënësve se ku të shkonin dhe cili ishte më i miri. [Ne fakt eshte realizuar renditja ne vitin 2011 dhe orientimin e kryente Ministria dhe APAAL.] Por ky shërbim, me sa duket, rezultoi i leverdishëm për shumë familje të cilat kërkojnë të diplomojnë fëmijët e tyre, edhe pse në disa raste këta nxënës nuk e meritonin diplomën [Gazetarja nuk jep asnje shembull se kur ishte keshtu].
Numri i studentëve të regjistruar në shkollat private ka ndjekur një trajektore rritëse që prej vitit 2003, kur është hapur shkolla e parë e lartë private e deri në vitin shkollor 2011/2012, kur arriti rekordin, në rreth 35 mijë, sipas të dhënave të INSTAT.
Ky numër ra në rreth 31 mijë në vitin 2013-2014, kohë kur qeveria mbylli një pjesë të konsiderueshme të tyre dhe zbriti më tej në rreth 25 mijë në 2014/2015, duke rezultuar rreth 27% më i ulët se rekordi i 2011/2012.

Edhe pse në total, numri i studentëve në privat është ulur, universitetet që mbetën kanë shtuar studentët që mësojnë në këto ambiente mesatarisht me 100 nxënës për një shkollë. Të vetmit që kanë pësuar rënie të numrit të tyre në vitin shkollor 2014/2015 ishin Universiteti Europian i Tiranës, Universiteti i New York Tirana dhe Ivoclar & Vivadent. Ndërsa Universiteti Mesdhetar, Tirana Business University, Canadian Institute Of Tenchnology dhe Wisdom kanë dyfishuar numrin e studentëve. Gjithsesi, listën e shkollave më të mëdha vijojnë ta kryesojnë Albanian University (ish-UFO), që shtoi 563 studentë në vitin akademik 2014/2015 dhe Universiteti Europian i Tiranës, që gjithsesi pa një tkurrje me rreth 600 studentë për të njëjtin vit akademik.
Në vlerë absolute, shtesën më të lartë të studentëve në 2014/2015 e kishte Universiteti Mesdhetar, me 655 të tillë, i ndjekur nga Albanian University me 563, Marin Barleti me 500, Metropolitan me 482, Tirana Business University me 311. [Gazetares nuk i shpeton asnje koment mbi lidhjet politike te ketyre institucioneve me qeverine.]
 

Rilulëzimi i universiteteve private, tregu arrin 50 milionë euro
Edhe pse në vitin 2013, të ardhurat në shkollat e larta private filluan të binin, sot tregu i ngushtuar ia ka arritur t’u japë një xhiro më të madhe se 2013-a. Në këto dy vite, bilancet e shkollave private janë përmirësuar dhe fitimi është i mirë, po të kemi parasysh kontekstin ekonomik, ku shumë biznese me investime të majme ia dalin me vështirësi të mbijetojnë.
Nëse për të hapur një biznes në sektorin e naftës, bankave apo edhe bujqësisë të duhen miliona dollarë investime që të arrish të sigurosh fitim, paratë për të filluar një shkollë private janë shumë herë më të pakta. Mjafton të marrësh një godinë me qira, të blesh tavolina, karrige, kompjuterë, libra dhe ja ku u bë! Shpenzimet më të shumta të universiteteve janë për pagat e punonjësve dhe marketing. Por këto kosto, me sa duket, ia dalin të mbulohen më së miri nga tarifat që paguajnë studentët, të cilat nisin nga 2 mijë euro dhe shkojnë deri në 5 mijë euro për disa shkolla. [Asnje argument nga gazetarja mbi keto shifra, edhe pse ka shume studente qe nuk paguajne tarifa te plota.]
Për vitin 2014 dhe 2015, bilancet e universiteteve që konkurrojnë me njëri–tjetrin mbi bazë të numrit të studentëve dhe cilësisë së diplomave janë përmirësuar në mënyrë konstante. Xhiron më të madhe e zë Albanian University, me 15 milionë dollarë, i cili pasohet nga grupi Turgut Ozal, që ka në pronësi dhe Universitetin Epoka me 13 milionë dollarë dhe UET, me 7.8 milionë dollarë të ardhura.
New York, që ka një numër të vogël studentësh, por tarifa të larta krahasuar me mesataren, ka siguruar në fund të 2015-s 3.8 milionë dollarë të ardhura.
Universiteti Aldent ka shënuar rritje të fortë të të ardhurave, me 58%, në rreth 2.3 milionë euro.
Në total, 11 universitetet më të mëdha në vend (të regjistruara si biznese) qarkulluan 35 milionë euro në 2015-n, sipas xhiros së deklaruar në bilanc (shiko tabelën) me një rritje prej 11% me bazë vjetore dhe fitimet në total arritën në rreth 6 milionë dollarë. Këtu nuk përfshihen të dhënat e Universitetit Mesdhetar (Qendrës Mesdheu) dhe Zojës së Këshillit të Mirë, të cilët janë ndër më të mëdhatë, por janë të regjistruara si organizata jofitimprurëse dhe nuk dorëzojnë bilanc në Qendrën Kombëtare të Biznesit. Duke marrë në konsideratë që në arsimin e lartë privat ishin regjistruar në vitin akademik 2014/2015 rreth 25 mijë studentë dhe një tarifë minimale prej 2000 eurosh për student, tregu i universiteteve private llogaritet të qarkullojë të paktën 50 milionë euro në vit.


Norma të larta fitimi
Institucionet arsimore më fitimprurës janë Albanian University (ish-UFO), me një normë fitimi (para taksave) të lartë prej 32% në 2015-n, ndonëse në rënie në krahasim me një vit më parë, dhe Aldent, me një marzh prej gati 38%. Më pas renditet Marin Barleti, që ka dyfishuar normën e fitimit në gati 33%.
Universiteti Europian i Tiranës mori mbrapsht në formë fitimi (para taksave) 17%.
Disa prej shkollave të larta vijojnë ende me humbje, si Tirana Business University dhe Polis. Humbjet janë veçanërisht të larta për Institutin Kanadez të Teknologjisë.
Të zhytura në kredi e detyrime
Pothuajse të gjitha shkollat private kanë një kredi në bankë për të shlyer, dhe përveç huas së marrë për investime, e cila mbulohet nga interesa të ulëta, shumë prej tyre kanë detyrime në formën e overdrafteve apo kredive konsumatore të marra për situata emergjente. Si çdo biznes, edhe universiteti ka problemet e tij. Rastet më të shumta në mangësinë e të ardhurave janë nga vonesat në arkëtimet e pagesave të studentëve, të cilat më pas krijojnë dhe zinxhirë në vonesat e pagat e punonjësve në këto shkolla. Por një nga arsyet e këtyre kredive për disa nga universitetet janë dhe investimet që kanë dashur të bëjnë në ambiente më të mira. Këto në vite të ndryshme, kanë përmbysur dhe bilancet, të cilat mund të siguronin fitime të mira.
Si çdo shoqëri tregtare, shkolla të ndryshme kanë probleme të ndryshme. Situata financiare ka bërë që një pjesë e mirë e tyre të kenë shuma të konsiderueshme parash për të dhënë për qiratë ku kanë pasur godinat. Një universitet nuk ka paguar rreth 580 mijë euro qira, dhe në listë me të janë dhe tre të tjerë. Po ashtu detyrime janë akumuluar dhe për paga punonjësish dhe reklama.
Po sa rrezikojnë detyrimet të ardhmen e tyre? Që një biznes të jetë i shëndetshëm financiarisht, nuk duhet që totali i borxheve që ka, i cili përfshin detyrimet afatshkurtra dhe afatgjata, të jetë mbi 1.5 herë më i lartë se vlera totale e kapitalit të tij. E po ta marrësh në këtë lloj renditjeje, sërish universiteti më i mirë nga kjo pikëpamje është Albanian University. Detyrimet e kësaj shkolle janë më të vogla se kapitali dhe kanë koeficientin 0.4. Grupi shkollor Turgut Ozal, edhe pse nuk pati një fitim të lartë për vitin 2015, rezulton po ashtu me një raport të mirë të vlerës së detyrimeve ndaj kapitalit prej 1.17, ndërsa i treti është Aldent, me koeficientin 1.32, i ndjekur nga New York (1.64). Universiteti Europian i Tiranës ka vlerën më të lartë të detyrimeve përballë kapitalit të siguruar në këto vite. Sipas të dhënave të bilancit 2015, UET ka kredi prej 1.1 miliardë lekësh në Bankën Credins dhe Fondin Besa. Në total detyrimet e UET janë 9.7 herë më të larta se vlera e audituar e kapitalit nga eksperti kontabël, pas tij vjen Luarasi me një raport detyrime/kapital 6.23.
Henri Çili, administrator i UET, shpjegon se detyrimet e larta lidhen me një kredi që është marrë për financimin e kampusit të ri në Sauk. Pavarësisht se bilanci 2015 tregon një raport të përkeqësuar të detyrimeve, Çili thotë se pagesa e kredisë është e garantuar nga pasuritë e paluajtshme të grupit, konkretisht godina B e ndërtesave ekzistuese, e cila është dhënë në shfrytëzim. “Të gjitha pasuritë imobiliare dhe kapitalet e tjera janë të mbledhura në një grup të ri UET Enterprise Consulting dhe financimin e kampusit të ri në Sauk, projekt-idenë e të cilit e ka bërë Bashkim Zahaj, që do të bëhet kryesisht nga të drejtat pasurore mbi asetet që tashmë grupi ka (godina B e vendndodhjes aktuale) dhe do të përmbushë gati 75% të kostos”, thotë Çili.

Shpenzime të majme për rroga dhe marketing
Që të bësh biznes me universitete, patjetër që do të duhet të sigurosh një staf të mirë dhe me emër. Në konceptin e liberalizimit të tregut të punës dhe rritjes së vlerës së mësimdhënies, privatëve duhet t’iu dihet një “nder”: rivendosja e meritokracisë në pagat e profesorëve. Ndryshe nga sektori publik, i cili mund të ketë emrin më të njohur dhe të kërkuar nga studentët, pagat më të larta për t’u punësuar patjetër që janë te privati. Presidenti, rektori dhe dekani arrijnë në një rrogë gati 5-fish më të lartë se në shkollën shtetërore, e po ashtu afro dy herë më e madhe është edhe pagesa për pedagogët e ndryshëm.
Tërheqja e stafit akademik më të mirë në këto universitete solli dhe një hapje të tregut të lektorit, profesorit, doktorit. Tashmë janë studentët që zgjedhin ata, janë meritat që përcaktojnë shpërblimin që ata marrin.

I madh është edhe buxheti për marketing. Për disa vjet, universitete të ndryshme kanë pasur të barabarta kostot për pagesën e stafit me atë të marketingut që bëhet për studentët. Me sa duket, në një treg ku duhet të marrësh sa më shumë nxënës, reklama dhe shpenzimet për të janë një formë e mirë. [Asnje e dhene nuk paraqitet mbi kete pohim.]

A do të arrijnë të mbijetojnë privatët?
Tregu i universiteteve private mund të ofrojë “për të mbijetuarit” një të ardhme të mirë. Në bazë të numrit të studentëve dhe cilësisë së diplomës, ligji i ri në arsimin e lartë do t’i subvencionojë ata me para nga buxheti për të bërë liberalizimin e tyre. Por pyetja që ngrihet është se a do të ketë kjo një kosto për studentët që duan të ndjekin publiken? Çështja e dytë që shtrohet është se sa e dobishme është dhënia e parave disa bizneseve të cilat kanë në thelb të tyre fitimin, kur nuk dihet ende se sa studentë të dalë prej tyre janë punësuar, pa diskutuar dhe nivelin e pagës me të cilën fillojnë punë? Sot Shqipëria ka 23 universitete private, me afro 25 mijë studentë dhe 12 publike me 121 mijë studentë. A do të arrijnë të gjithë të sigurojnë punësim? A ia vlen të sakrifikojnë duke studiuar, duke paguar, duke humbur orët që mund të bënin një punë ku të siguronin të ardhura, në mënyrë që të marrin një diplomë? A do t’i vlejë kjo diplomë?
13 universitete private u mbyllën në vitin 2013, ku diploma e shumë prej studentëve që përfunduan arsimin e lartë pranë tyre, sot me sa duket paragjykohet, me apo pa të drejtë. Në një raport të Ministrisë së Arsimit, rezultoi se afro 900 nxënës të këtyre shkollave ishin të huaj, në një kohë që leksionet i merrnin në gjuhën shqiptare, shkeljet dhe cilësia e tyre vuri në pikëpyetje edhe diplomat e merituara të shumë prej studentëve që morën dije aty. Të vetmit të cilët përfituan, ishin ata që nuk arritën të përfundonin studimet në vitin që u mbyllën, por në bazë të krediteve të marra shkuan në universitetet e mbetura publike dhe private.

Kur universiteti kthehet në bar-kafe ose firmë ndërtimi
Universiteti Justiniani I rezulton të ketë ndryshuar emrin në U–I dhe pas problemeve me përmbaruesit, në fund të vitit 2014 ka ndryshuar objektin e aktivitetit nga “Përgatitja e specialistëve të lartë në fushën e shkencave juridike” në “Hapje bar-bufe, restorant” etj.
Objektin e aktivitetit e ka ndryshuar dhe Shkolla e Lartë Jopublike Vitrina, që është kthyer në studio projektimi dhe ndërtimi. Universiteti Argenti në Shkodër ka ndryshuar gjithashtu objektin e aktivitetit në firmë ndërtimi, ashtu si kishte qenë dhe në fillimet e aktivitetit. Është interesante se si firma ndërtimi, apo autoshkolla (në rastin e Vitrina) me lulëzimin e universiteteve private u kthyen në institucione arsimore.
Universiteti Kristal, një ndër më të mëdhenjtë që u mbyll, rezulton në QKB me status të pezulluar. Të pezulluar janë dhe Universiteti Planetar i Tiranës, Universiteti Ndërkombëtar i Tiranës etj.
Universiteti Sevasti & Parashqevi Qirjazi, pasi u pezullua në vitin 2014, është bërë sërish aktiv në shkurt të vitit 2016, teksa ka ndryshuar dhe pronësi (Robert Dako i ka shitur 100% të aksioneve Aleks Uldedaj). Blerësi ka marrë përsipër të paguajë dhe detyrimet tatimore. Shkolla nuk ka pasur ndryshim të objektit të aktivitetit.