Saturday, September 20, 2014

Ministria kallzon për shkelje ndërmarrjen Vitrina

 

Dokumente: Raporti i shkeljeve MAS, 18.09.2014

Ndërmarrja Vitrina pasi humbi çështjen gjyqësore në Gjykatën Administrative kundër vendimit të qeverisë për revokimin e licencës, do të përballet me akuzat për shkelje të rënda ligjore.

Kjo ndërmarrje shtrembëroi tregun në mënyrë të skajshme me mashtrimin e studentëve nëpërmjet deklarimit të tarifave të ulëta, hapjes se programeve pa licencë, kërcënimit të studentëve dhe sistemit të këmbimit në natyrë. Ndërmarrja Vitrina ka një çështje gjyqësore në Gjykatën e Apelit me Komisionin e Mbrojtjes së Konsumatorit për vendimin me gjobë ndaj kësaj shkolle për reklama corientuese ndaj studentëve (Nr.Akti: 3828; Data e Regj: 21.06.2013; Objekti: Pavlefshmeri vendimi; Palet ne proces: Shoqëria “Vitrina” shpk . Komisioni i Mbrojtjes së Konsumatorëve.) Ka humbur vendimin e gjyqit ndaj ish-rektorit Lulzim Hana, që ilustron sesi trajtoheshin pedagogët në këtë ndërmarrje etj.

 

Njoftim për shtyp nga MAS 18.09.2014

Ministria e Arsimit dhe Sportit ka depozituar sot, në Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Tiranë, kallëzim penal  ndaj  Shoqërisë Tregtare “Vitrina” Sh.P.K. në cilësinë e personit juridik, Edmond Vlashaj, Drejtor i Përgjithshëm i shoqërisë “Vitrina”, Aldorin Braho, Administrator i shoqërisë “Vitrina” dhe Piro Cipo, Rektor i Shkollës së Lartë Private “Vitrina”.

MAS kërkon fillimin e procedimit penal në ngarkim të personit juridik, Shoqëria Tregtare “Vitrina” dhe shtetasve të lartpërmendur, për kryerjen e veprave penale të “Shpërdorimit të kompetencave të personit juridik”, “Mashtrimit”, “Shpërdorimit të detyrës” dhe “Vetëgjyqësisë” për më shumë se një herë dhe në dëm të shumë personave dhe sekuestros konservative ndaj pasurive të paluajtshme, parashikuar në nenet 143, 164, 248 dhe 277 të Kodit Penal, neni 270 të Kodit të Procedurës Penale dhe ligji nr.9754, datë 14.6.2007 “Për përgjegjësinë penale të personave juridik”.

Gjatë procesit të kontrollit të ligjshmërisë u konstatuan shkelje ligjore në veprimtarinë e institucioneve të arsimit të lartë, ku ndërmjet të cilave nga personi juridik Shoqëria Tregtare “Vitrina” Sh.P.K., dhe shtetasit që administrojnë veprimtarinë pranë saj, mendojmë se janë konsumuar element të veprave penale të kryera për më shumë se një herë dhe në dëm të shumë personave, dhe më konkretisht:

1. Regjistrimi i studentëve në kushtet e mashtrimit për më shumë se një herë dhe në dëm të shumë personave, pa pasur të drejtën e ushtrimit të aktivitetit përkatës.

2. Lëshimin e diplomave në kushtet e mashtrimit për më shumë se një herë dhe në dëm të shumë personave, pa pasur të drejtën e ushtrimit të aktivitetit përkatës.

3. Mos hartimin dhe mos mbajtjen e rregullt të regjistrave themeltar të studentëve sipas përcaktimeve të akteve ligjore dhe nënligjore në fuqi.

4. Mos ndjekjen e procedurave ligjore, për pajisjen me numra matrikullimi të studentëve të regjistruar pranë IAL-së “Vitrina”.

5. Përdorimi i ambienteve në kundërshtim me destinacionin e tyre të përcaktuar ligjor.

6. Mosrespektimi i detyrimeve të Vendimit nr. 539, datë 06.08.2014 të Këshillit të Ministrave “Për heqjen e licencës disa institucioneve private të arsimit të lartë”.

Bazuar në sa më sipër MAS kërkon:

1. Fillimin e procedimit penal në ngarkim të personit juridik privat si më sipër dhe dënimin e tij me një dënim kryesor siç është mbarimi i tij si person juridik.

2. Fillimin e procedimit penal në ngarkim të shtetasve të lartpërmendur dhe dënimin e tyre sipas përcaktimeve ligjore.

3. Marrjen e masës së sigurimit pasuror, vendosjen e sekuestros konservative ndaj pasurive të paluajtshme të personit juridik, Shoqëria Tregtare “Vitrina” Sh.P.K.

Monday, September 15, 2014

Raporte të KLSH-ës për UBT dhe UPT

 

Raporte auditimi të KLSH në institucionet e arsimit të lartë dhe kërkimit shkencor në vend për 2014

1. Auditimi i ushtruar ne Institutin e Shendetit Publik (Universiteti Mjekesor)

2. Auditim i ushtruar ne Universitetin Politeknik te Tiranes

3. Auditim i ushtruar ne Universitetin Bujqesor te Tiranes

4. Auditim i ushtruar ne Shkollen e Larte te Magjistratures (nuk eshte publikuar nga KLSH)

 

Nga Bardhi Sejdarasi, Java, 11.09.2014

Pronarët e rinj të Universiteteve të “vjetër”

 

Përdorimi i parave publike pa kriter dhe gjetjet e Kontrollit të Lartë të Shtetit; sa është dëmi që i bëhet arkës së shtetit, pse nuk penalizohen shkaktarët e dëmit? A është selektiv Bujar Leskaj në denoncimin e shkeljeve financiare të universiteteve? Çfarë fshihet pas raporteve të kontrollit ekonomik dhe financiar dhe pse “nuk iu hyn gjemb në këmbë” vjedhësve të parave publike. Janë plot 2,8 miliardë lekë të “vjedhur” vetëm në dy universitete, Universitetin Politeknik dhe Universitetin Bujqësor, Tiranë. Por kjo është vetëm “maja e ajzbergut”!

Në muajin Maj të këtij viti, në një investigim të bërë publik në mediat shqiptare u detyrova t’i bëj një “set” pyetjesh, Doktorit të Shkencave Ekonomike, z. Bujar Leskaj, aktualisht me detyrën e Kryetarit të Kontrollit të Lartë të Shtetit. Pyetjet ishin konkrete dhe në dijeninë time institucioni që drejton z. Leskaj ishte duke hetuar për çështjet që e pyesja. Për ata që nuk e kanë kujtesën e fiksuar në atë që po shkruaj, po i sjell “copy-paste” pyetjet për z. Leskaj: 

1. A ka informacion z. Leskaj për dëmin që ka shkaktuar z. Jorgaq Kaçani, rektor i UPT në katin përdhes të BSHUPT? (kujtojmë se janë mbi 45 mijë tituj librash që i mungojnë inventarit të kësaj biblioteke- kontrolli i KLSH është bërë këtë pranverë!);

2. A ka informacion z. Lestkaj se, duke shkelur në mënyrë të përsëritur (prej vitit 2011) vendimet e Këshillit të Administrimit të UPT, z. Kaçani ka emëruar punonjës e ka ndarë tituj si ofiqe personale apo ndere, në kundërshtim me vendimet e Këshillit Administrativ, duke dëmtuar financiarisht arkën e shtetit dhe të institucionit (çdo titull i dhënë ka koston 10 mijë lekë/muaj më shumë në pagë!)

3. A ka identifikuar z.Leskaj ndonjë shkresë si psh. atë të drejtores së burimeve njerëzore, e cila paguhet sikur ka mbaruar doktoraturën, ndërsa doktoraturën nuk e ka mbaruar akoma. Ose më drejtpërdrejt; a e kanë parë inspektorët e Leskajt se vetëm dekania e Fakultetit të Teknologjisë së Informacionit (FTI) nuk e ka respektuar një urdhër për të paguar të gjithë kandidatdoktorantët me pagën e atij që mbaron doktoraturën?! 

4. …

Nuk po i  rendis pyetjet e tjera, sepse nuk kanë lidhje me çështjen. Sidomos tani kur ka dalë dhe është bërë publik Buletini nr 1 dhe Buletini Nr 2 i KLSH që bën fjalë për veprimtarinë e KLSH për periudhën Janar-Qershor 2014. (Në fakt askush nuk e kupton se si të dy buletinet përfshijnë të dhëna të ngjashme, pra Buletini Nr 2 nuk i përket tremujorit të dytë, por 6-mujorit të parë?! Por të mos i japim rëndësi kësaj. Në raportin zyrtar, me të drejtë pritej që të kishte një përgjigje lidhur me shkeljet e evidentuara.

Z. Leskaj shkon më tej me hetimin e tij ekonomik e financiar. Të dhënat janë befasuese: bëhet fjalë për më shumë se 2,8 miliardë lekë që janë shpërdoruar në vetëm dy institucione të arsimit të lartë (IAL), pra në UPT dhe Universitetin Bujqësor të Tiranës .

Kontrolli i Lartë i Shtetit ka kontrolluar në fushën e prokurimeve, ku vetëm në Universitetin Bujqësor janë gjetur më shumë se 35 milionë lekë shkelje, apo në fushën e shpenzimeve operative ku, në të dy universitetet që iu referohemi, janë gjetur po ashtu me shumë se 37 milionë lekë shkelje financiare. Shkelje të tjera të disiplinës financiare janë evidentuar edhe në shpërblimin pa të drejtë të punonjësve nga rektoratet, mosllogaritjen dhe mosderdhjen e kontributeve të taksës së punës, mosmbajtjen e TVSH-së për oponencën, pagesa pedagogësh pa miratim të MAS etj, etj.

Unë nuk mund të pranoj se vetëm këto janë “shkeljet” që gjen në këto universitete. Por gjithsesi ato janë shkeljet zyrtare, që tashmë janë raportuar nga Kontrolli i Lartë i Shtetit dhe duhen pranuar si të tilla. Ajo që më bën përshtypje është qëndrimi penalizues i KLSH ndaj njërit IAL në raport me tjetrin. Psh, dëmet financiare të raportuara nga auditët e KLSH për Universitetin Bujqësor janë 1.775.000 plus 1.417.000 plus 5.421.000 plus 2.310.000 lekë, që do të thotë gjithsej 10.923.000 lekë. Ndërsa për Universitetin Politeknik të Tiranës vetëm zëri “shkelje të disiplinës financiare me ndikim negativ në performancën e subjekteve të audituara” është 11.471.000 lekë. Ose po t’i mbledhim të gjitha “dëmet” e UPT del se janë 11.471.000 plus 2.031.000 baras 13.502.000. Pra shumë më tepër se sa dëmi i Universitetit Bujqësor. Por vini re! KLSH bën katër kallzime penale për Universitetin Bujqësor (për dëmin prej 2.794.000 lekë) dhe ZERO kallzim penal për UPT. Nuk e gjen  shpjegimin e kësaj as në buletinin 49 faqesh të z. Leskaj! 

NË FUSHËN E SHPËRBLIMEVE:

Universitetin Bujqësor, Tiranë, në vlerën 1 417 000 lekë, si shpërblim i padrejtë nga administrata e Rektoratit të UBT për punonjësit e vet në dy raste (641 000 lekë në vitin 2012 dhe 776 000 lekë në vitin 2013), në kundërshtim me VKM nr. 418, datë 27.06.2012.

NË ZËRIN “TË TJERA”, SHKELJE TË DISIPLINËS FINANCIARE:

Universitetit Bujqësor, Tiranë, në vlerën prej 5 421 000 lekë, nga mosllogaritja dhe mosderdhja e kontributit të sigurimeve shoqërore deri në kufirin e lejuar për 88 punonjës të punësuar në dy vende pune (si diferencë e ndalesës së kryer pranë qendrës së parë të punës dhe kufirit maksimal).

SHKELJE TË DISIPLINËS FINANCIARE ME NDIKIM NEGATIV NË PERFOMANCËN  E SUBJEKTEVE TË AUDITUARA

•  Universitetin Politeknik, Tiranë, në vlerën 11 471 000 lekë, nga të cilat 4 922 000  lekë si pagesa pa miratim të MASH për pedagogë të brendshëm që japin mësim në ciklin e ulët, si dhe 6 549 000 lekë nga mosaplikimi i 20% tvsh për shpërblimet e dhëna për shërbimin e oponencës konform ligjit nr. 7928, dt 27.04.1995 “Për TVSH”, i ndryshuar.

•  Universitetin Bujqësor, Tiranë, në vlerën 2 310 000 lekë, si humbje financiare nga aktiviteti i prodhimit te mjaltit.

•  Gjatë kësaj periudhe, nga ana e KLSH-së janë bërë kallëzime penale, për drejtues të rangut të mesëm dhe të lartë nga të cilët në: Universitetin Bujqësor, Tiranë (dy) kallëzime penale

“Afendikonjtë”/pronarët e parave publike dhe kut-i i kallzimit të z.Leskajt

Nuk do të merrem më shumë me atë që thotë KLSH. Unë them se ka shumë më tepër shkelje në UPT, të cilat, me qëllim apo jo (nuk vë dorën në zjarr) audituesit e Leskajt nuk i kanë parë. Nuk mund të mos vihet re se si është “dorovitur”  çdokush që nuk i ka merituar paratë publike në UPT, ashtu sikundër nuk mund të mos kontrollohen financimet e buxhetit për kandidatdoktorantët apo për shtesën e ndërtesës së UPT apo edhe humbjet që ka sjellë titullari i këtij institucioni nga mosveprimi lidhur me “humbjen” e mbi 45 mijë titujve të librave në katin përdhes të BSHUPT, që janë kalbur që prej vitit 2008. Mjafton të lexosh për këtë edhe procesverbalin e mbajtur nga z. Edmond Stojku, Drejtor Ekzekutiv i Inspektoratit Sanitar Shtetëror, kur në datën 30.06.2014 ka dërguar inspektorët e tij dhe ka lënë detyra konkrete aty ku audituesit e KLSH-së nuk kishin “parë gjë”. Dosja e BSHUPT do të publikohet e plotë, lidhur me këtë dëm financiar të shkaktuar, për të cilin nuk ka ende përgjegjës.

Por ajo që është më e rëndë, është pikërisht qëndrimi ndaj titullarëve të këtyre institucioneve publike të arsimit të lartë, që mund të bëjnë çfarë e si të duan me vlerat monetare në administrim. Po jo gjatë, besoj!

 

MAS apo KLSH?

Nisur nga informacionet e shumta për shkelje të natyrave të ndryshme, kreu i MAS, znj. Lindita Nikolla, reagoi shumë shpejt. Ajo nuk priti asnjë analizë të bërë nga KLSH. Grupet e auditit të MAS punuan paralel me KLSH. 

Nga informacionet e para jozyrtare që vijnë nga auditimi i universiteteve publike gjykoj se janë evidentuar një numër i konsiderueshëm shkeljesh ligjore dhe ekonomiko-financiare, të cilat ua kalojnë “gjetjeve” të institucioneve të arsimit të lartë privat (IAL) 18 prej të cilave u penalizuan me heqje të licensës. Ndërsa janë ku e kun ë raport me shkeljet që ka gjetur Kontrolli i Lartë i Shtetit. Sigurisht, ky kontroll i plotë ligjor dhe institucional i Ministrisë së Arsimit dhe Sporteve, ende nuk është “zbardhur” tërësisht, ndërsa vijon penalizimi i shkeljeve të vërejtura për Urdhrit Nr 106, datë 28.03.2014 “Për kryerjen e kontrollit për zbatimin e ligjshmërisë në institucionet publike dhe jopublike të arsimit të lartë”, urdhër, që për hir të së vërtetës, duhet pranuar se i “shkallmoi” tërësisht disa nga institucionet joperformante të arsimit të lartë, që vetëm emrin kishin të tillë. Në ditët që vijnë do të kemi mundësi të shohim edhe anën tjetër të “medaljes” atë që kanë shfaqur para këtij kontrolli të thellë të MAS, pikërisht IAL-të publike.

Pas tyre, raporti i paplotë dhe dukshëm i njëanshëm i Bujar Leskajt do të duket si një nga investigimet më të dobëta ekonomike-financiare të realizuara ndonjëherë nga Kontrolli i Lartë i Shtetit që nga krijimi i tij…