Showing posts with label MAS. Show all posts
Showing posts with label MAS. Show all posts

Wednesday, July 22, 2015

Studentet protestojne per projekt-ligjin e arsimit te larte

 

Gjergj Erebara,

BIRN, 22 Korrik 2015, “Parlamenti voton ligjin për Arsimin e Lartë mes protestave”

http://www.reporter.al/parlamenti-voton-ligjin-per-arsimin-e-larte-mes-protestave/

…  grupimi i majtë i quajtur Lëvizja për Universitetin, protestoi kundër ligjit duke kërkuar arsim të lartë falas për të gjithë. Duke iu përgjigjur protestës së tyre, Ministrja e Arsimit Lindita Nikolla tha: “Nuk mund të na ndalë një grup i vogël që përpiqen të shantazhojnë Kuvendin se nëse kalon ky projektligj sot, atëherë është fundi i arsimit të lartë. Të nderuar profesorë dhe pedagogë, më keq se ç’ka qenë dhe ç’e keni bërë nuk do të bëhet më”.

Kryeministri Edi Rama i hodhi poshtë kritikat duke i quajtur protestuesit një sajesë e opozitës dhe i quajti profesorët që e kritikojnë atë: “Një kastë që ka marrë peng universitetin shtetëror.”

“Çfarë janë këta super profesorë që tani na kanë bërë një superpeticion dhe kanë bërë një superalarm për të denoncuar një superskandal, dhe kush është skandali?” pyeti veten Rama. “Skandali është ai që në fakt ne e kemi kërkuar me qiri; Të shkatërrojmë këtë kastë që ka marrë peng universitetin shtetëror dhe e ka kthyer në një banalitet prej 20 e kusur vitesh!” tha ai.

“Për mua të ndash universitetin shtetëror, sepse nuk është as publik, si të nënës dhe privatin si të njerkës dhe të bësh këtë zgjedhje politike, është t’i përkasësh një bote që nuk ekziston,” tha Rama, duke argumentuar se profesorët që e kritikojnë ligjin japin leksione në shumë universitete njëherësh dhe kanë tituj shkencorë qesharakë.

Artan Fuga, një nga profesorët kryesorë që kritikon ligjin, iu përgjigj Ramës në faqen e tij në Facebook: “Unë nuk i përkas asnjë partie politike dhe asnjë kaste universitare,” tha Fuga. “Si t’ja bëj që edhe unë mendoj dhe kam bindjen e plotë se projektligji për arsimin e lartë është antikushtetues dhe do e falimentojë atë?”

Partia Demokratike në opozitë, e cila është përgjegjëse për licencimin apo lejimin e punës pa licencë të dhjetëra universiteteve private përgjatë dekadës së fundit, e kritikoi ligjin duke argumentuar se ai i mbyll dyert e universiteteve për fëmijët e të varfërve. Opozita theksoi faktin se shumë profesorë universiteti e kanë kritikuar ligjin pavarësisht se kanë lidhje me qeverinë. Njëri nga deputetët e opozitës, Edi Paloka, tregoi një bisedë të regjistruar ku Dekani i Fakultetit të Shkencave të Natyrës Ligor Nikolla dëgjohet duke shprehur dyshime të thella mbi ligjin.

Duke theksuar faktin që dekani Nikolla është bashkëshorti i ministres së Arsimit, Pakola tha: “Qytetarë të dashur, kur këta njuk kanë arritur t’i mbushin mendjen atyre që kanë në shtëpi, imagjinoni se çfarë u servirin shqiptarëve.”

Ligji u miratua me 78 vota pro.

Lëvizja Për Universitetin njoftoi se do t’i përshkallëzojë protestat e saj në shtator.

Gjergj Erebara është gazetar për BIRN në Tiranë. Ai ka mbaruar studimet për gazetari në Universitetin e Tiranës dhe ka master shkencor (MSC) për Histori Ekonomike nga Universiteti i Lundit. I specializuar për gazetari ekonomike. Erebara ka punuar që nga viti 1998 në disa media të shkruara dhe vizive Shqiptare, si gazetar, redaktor dhe kryeredaktor.

http://www.reporter.al/parlamenti-voton-ligjin-per-arsimin-e-larte-mes-protestave/

Miratohet ligji i arsimit te larte

 

1. Drafti final i ligjit qe eshte miratuar ne parlament: ketu

2. Relacioni per parlamentin: ketu

3. Krahasimi me projekt-ligjin e shperndare ne janar 2015: ketu

Gazeta Panorama, 22 Korrik 2015, “Seanca maratonë, ligji për Arsimin e Lartë miratohet me 78 vota. Opozita braktisi votimin”

Deputetët e opozitës dhe të maxhorancës kanë diskutuar deri në orët e vona të mëngjesit për nismën Ministrisë së Arsimit. [Ata] e kanë quajtur projektligjin e arsimit të lartë si antikombëtar dhe që do të cenonte rëndë arsimin e lartë në vend. Në seancën e djeshme kanë folur rreth 40 deputetë të të dy kampeve politike, ndërkohë që Kryeministri Rama dhe ishkreu i qeverisë Berisha kanë replikuar me njëri-tjetrin për rreth dy orë rresht.

Rama dhe Berisha janë thumbuar gjatë seancës për godinën e Kryeministrisë, artikullin e “Financial Times” dhe rritjen ekonomike.

Deputetja Topalli e ka kundershtuar ligjin duke thene: “Refuzojeni këtë ligj. Sepse një milion të papunët nuk kanë 3 apo 4 mijë euro për të paguar universitetin. Në këtë tarifë nuk përfshihen librat, transporti. Refuzojeni këtë ligj, sepse ky është ligji që u thotë të rinjve, ikni. Ky kryeministër ka zgjedh të bëjë tregti diplomash”,-deklaroi Topalli.

Ndërkohës, sipas ministres së Arsimit, Lindita Nikolla, reforma në arsimin e lartë krijon një vizion të ri për Universitetet në Shqipëri.

http://www.panorama.com.al/seanca-maratone-ligji-per-arsimin-e-larte-miratohet-me-78-vota-pro/

Panorama 23 Korrik, 2015 “Deputetët që s’votuan ligjin e arsimit të lartë. PDIU, Blushi, Angjeli, Braçe e Gaçi nga PS”

Ndërsa opozita është larguar nga salla disa minuta para nisjes së votimit, duke e kundërshtuar procesin, por duke lënë vetëm kartat e votimit në fole për të quajtur prezencën në sallë.

Por, veç të djathtëve që ikën, sipas sistemit të votimit të Parlamentit janë dhe 12 deputetë të maxhorancës së majtë, të cilët edhe pse rezultojnë sipas elektronikës prezentë në sallë, nuk kanë votuar.

Pra janë 4 deputetë të Partisë Socialiste, që nuk kanë marrë pjesë në votim dhe një deputete e Lëvizjes Socialiste për Integrim. Konkretisht, sipas dokumentit zyrtar të votimit, deputeti i PS-së, Ben Blushi, nuk ka marrë pjesë në votim, po ashtu edhe deputetët e majtë Anastas Angjeli, Erion Braçe dhe Artan Gaçi.

Kurse nga LSI-ja nuk ka marrë pjesë në votim deputetja Monika Kryemadhi. Projektligji i arsimit të lartë nuk është votuar as nga aleatët e rinj, pesë deputetët e Grupit Parlamentar të Partisë Drejtësi, Integrim dhe Unitet.

Në dokumentin zyrtar të votimit, deputeti Shpëtim Idrizi quhet si prezent në sallë, por nuk ka votuar. E njëjta gjë edhe për deputetët e tjerë, Omer Mamo, Tahir Muhedini, Aqif Rakipi dhe Dashamir Tahiri.

Ndërsa nga deputetët pa grup parlamentar, nuk ka votuar Tom Doshi, Vangjel Dule dhe Nard Ndoka. I vetmi që rezulton si mungues në sallë është deputeti Mark Frroku, i cili është në gjendje arresti.

http://www.panorama.com.al/deputetet-qe-svotuan-ligjin-e-arsimit-te-larte-pdiu-si-dhe-blushi-angjeli-brace-e-gaci-nga-ps/

Gazeta Shqip, 22 Korrik 2015 “Arsimi i lartë, Rama: Reformë historike. Berisha: Ligji i mbyll dyert të varfërve”

Rama e ka cilësuar Pr/ligjin e ri si një reformë historike dhe ka akuzuar opozitën dhe qeverinë e drejtuar nga Berisha në 8 vjet se bën propagandë të vajtueshme kur flet për “mbyllje të dyerve të të varfërve në arsimin e lartë”.

“Ky është një proces shembullor, gjithëpërfshirës për këtë reformë historike të arsimit të lartë. Situata para vitit 2013 kur aleanca jonë erdhi në pushtet, ishte e rënduar, që nga spektakli i “part-time”-it të famshëm, deri te vegjetimi i botës së arsyes, – u shpreh kryeministri. –  Në kohën e PD-së, Shqipëria diplomonte studentë të shtunave e të dielave me sistemin e famshëm “part-time” një numër të barabartë me atë të studentëve që diplomoheshin në arsimin e lartë”.

Sipas Ramës, “në sistemin “part-time” kishte 28.117 studentë. Ky është sistemi që ngritën këta, dhe kjo ishte një zgjedhje politike, jo arsimore, për të mos u përballur me plagën e papunësisë rinore, duke u thënë të rinjve, ja ku i keni universitetet dhe pastaj çohuni, – shtoi Rama. – Dhe e gjithë propaganda në emër të bujarisë për të varfrit, është një propagandë e vajtueshme. Ajo ka qenë një zgjedhje politike për të blerë kohën në pushtet. Kjo nuk ka sjellë më shumë njerëz të arsimuar, por më shumë njerëz të diplomuar. Diplomoheshin studentë edhe në fundjavë. Ata të varfrit, siç i quani ju, diplomuan fëmijët, por dolën të humbur”.

Në seancën e jashtëzakonshme të Kuvendit për Pr/ligjin për arsimin e lartë, ish-kryeministri Sali Berisha ka thënë se sistemi më i mirë është ai i Britanisë së Madhe.

Sipas tij, kjo reformë mbyll dyert e universiteteve publike dhe u mbyll dyert studentëve të varfër. “Shqipëria ka një përqindje të ulët të arsimit të lartë. Më përpara kishin frikë të arsimonin të rinjtë, por unë nuk ua mbylla dyert shtresës së varfër. Në botë numri i studentëve u katërfishua, ndërsa në Shqipëri përmes kësaj reforme është në reduktim. Kjo reformë është anti-kombëtare, jemi vendi më i pashkolluar në Europë. Unë them se ka mekanizma për të rritur cilësinë, por ky që doni të votoni ju nuk është modeli britanik, por një model që i mbyll dyert të rinjve të varfër”, – tha Berisha.

Sipas Berishës, “pr/ligji plotëson dëshirën tuaj për t’u shkolluar sa më pak. Ky pr’ligj është e kundërta e atyre të këshilluar nga Bashkimi Europian. Duhet të respektohet autonomia e pedagogëve. Pa liri akademike nuk ka rezultate”.

http://gazeta-shqip.com/lajme/2015/07/21/arsimi-i-larte-berisha-reforme-anti-kombetare-mbyll-dyert-per-te-varfrit/

Sunday, July 5, 2015

Ish-ministri M. Tafaj reagon ndaj projekt-ligjit të arsimit të lartë

 

image

Ish-Ministri i Ministrisë së Arsimit dhe Sporteve gjatë viteve 2009-2013 reagon mbi pretendimet dhe analizën e Kryeministrit E. Rama. Në faqen e tij zyrtare, ish-ministri Prof. Dr. Myqerem Tafaj, deputet i Partisë Demokratike, kundërshtoi qëndrimin e kryeministrit në lidhje me cilësinë e arsimit të lartë në vend, si dhe argumenton se pretendimet e kryeministrit që ligji i ri nuk financon arsimin privat në vend nuk qëndrojnë.

Korrik 4, 2015

Kryeministri mbron ligjin që nuk i shërben arsimit të lartë, pedagogëve dhe studentëve.

Për të shmangur vëmendjen e opinionit publik nga maskarada e zgjedhjeve të 21 qershorit, ose më saktë, vdekja e zgjedhjeve të lira në vendin tonë, Kryeministri Rama u përpoq sot të mbronte projektligjin e arsimit të lartë. Ai foli gjatë dhe, siç e ka bërë zakon, përdori një retorikë nihiliste dhe agresive, sidomos ndaj përfaqësuesve të arsimit të lartë publik që e kundërshtojnë këtë projektligj. Por, Kryeministri nuk u tregoi të vërtetën prindërve dhe të rinjve që do të ballafaqohen me një rritje madhe dhe të shpejtë të tarifave të studimeve, të cilën mund ta përballojnë vetëm me kredinë studentore. Kryeministri nuk u tha atyre sa të larta do të jenë tarifat dhe cfarë kushtesh apo kriteresh do të ketë kredia studentore.

Kryeministri nuk u tregoi të vërtetën pedagogëve, se si do të financohen universitetet mbi bazën e performancës, kur aktualisht financimi është më pak se minimal ( vetëm 400 Euro në vit /student) dhe më i ulët se në cdo vend tjetër në Rajon dhe në Europë ( të paktë 10 herë më i ulët se buxheti që shpenzojnë vendet e reja të BE, si Rumania, Sllovakia, Bullgaria, etj, për student).

Nën petkun e zgjerimit të autonomisë, Kryeministri u mburr se pagat e pedagogëve do ti përcaktojnë vetë universitetet publike! Por ai nuk u tha pedagogëve dhe drejtuesve të universiteteve publike, se ku do ta gjejnë buxhetin për pagat, ndërkohë që aktualisht përballojnë me buxhetin e shtetit pagat vetëm për 8-9 muaj të vitit. Kjo do të thotë që të fillojë shkurtimi i vendeve të punës dhe largimi i padagogëve nga universitetet publike, sidomos ato rajonale dhe ato që mbulojnë degë të shkencave të aplikuara ose, sic emërtohen gabimisht, degë të papreferuara. Kjo do të thotë që në universitetet publike të nisë një 'luftë' brenda departamenteve, fakulteteve dhe senateve, kujt do ti ulet dhe kujt do ti rritet paga dhe kush do të shkurtohet nga puna. Sigurisht, të parët që do të largohen nga puna do të jenë pedagogët demokratë dhe ata që nuk kanë votuar partitë në pushtet dhe ata që nuk kanë votuar shefat e departamenteve, dekanët dhe rektorët!

Të lësh universitetet publike, me këtë nivel ekstrem të nënfinancimit, që të përcaktojnë vetë numrin e pedagogëve dhe pagat e tyre është një shmangie e qeverisë nga detyrimi kushtetues i shtetit për financimin e arsimit të lartë dhe një braktisje e qartë e tyre, nën maskën e rritjes së autonomisë. Ky është një hap shumë i parakohshëm dhe i rrezikshëm, i cili mund të çoj në mbyllje masive të departamenteve, fakulteteve publike dhe, ndoshta, të disa universiteteve publike rajonale. Shqipëria nuk e ka luksin që të nxjerrë në rrugë të papunë pedagogë dhe kërkues shkencor, ndërkohë që është akoma shumë larg minimumit për treguesin e numrit të pedagogëve dhe kërkuesve për 1000 banorë, çka e bën të domosdoshme, të dyfishohet në 2-3 vitet që vijnë.

Kryeministri u mundua të argumentoj parimin e konkurrencës dhe modelin e universiteteve publike të pavaruara, por insistoi të bindë publikun se, me këtë projektligj, universitetet private nuk do të marrin fonde publike. Kjo është tërësisht e pavërtetë sepse:

-Studentët e universiteteve private do të përfitojnë nga kredia studentore, e cila mbështetet (garantohet) nga buxheti i shtetit. Askush nuk është në parim kundër, por nga do të merret buxheti, kur dihet që shteti praktikisht nuk ka asnjë mundësi për ta rritur atë në 3-4 vitet që vijnë? Kjo do të bëj që universitetet private të rrisin më tej tarifat e studimeve, cka do të rrënoj buxhetin e familjeve dhe do të rrisë borxhet e tyre për të kthyer kredinë. Nga ana tjetër, Shqipëria nuk ka asnjë traditë me kredinë studentore dhe askush nuk e njeh sjelljen e studentëve me kthimin e kredisë. Rreziku është që maturantët të marrin kredinë dhe të vërshojnë në degët të konsideruara të preferuara ("degët në modë ose trendi" sic i quajnë të rinjtë) edhe të universiteteve private, dhe të boshatisen departamente dhe fakultete që zhvillojnë programe studimi prioritare për vendin. Ky grup studentësh ka pak shanse punësimi, rrit ushtrinë e të papunëve, cka do te thote të mos munden të kthejnë edhe kredinë. Kështu do të kemi të rrinj të shkolluar, por të papunë dhe borxhli ndaj shtetit dhe shoqërisë.

-Studentët e universiteteve private përfitojnë nga fondi i bursave për studentët. Eshtë e drejtë kushtetuese dhe morale që edhe studentët e shkollave private të përfitojnë, sepse familjet e tyre janë taksapagues. Por ku do të gjendet buxheti? Edhe kjo masë do të nxisë universitetet private të rrisin më tej tarifat e studimeve, cka do të varfëroj më tej familjet e studentëve.

-Universitetet private që do të fitojnë statusin e universteteve publike te pavaruara do të kenë akses të njëjtë me universitetet publike në programet e tjera të buxhetit të shtetit, mbi bazën e performancës. Por ku do te gjendet kaq shume buxhet? Kush do të jetë garanti që të ardhurat e universiteteve publike të pavaruara që burojnë nga tarifat e studentëve dhe nga buxheti i shtetit do të përdoren me të vërtetë në dobi të studentëve dhe të cilësisë akademike? A mund të besoj njeri që Bordi, me atë përbërje mediokre dhe politikisht të ndikueshme, që parashikon projektligji, mund të bëhet mbrojtës i vërtet i studentëve, pedagogëve dhe interesit publik dhe të përballet me interesat e pronarëve të universiteteve private që edhe formalisht zotërojnë shumicën në Bord.

-Universitetet private kanë të drejta të plota për të përfituar nga buxheti i shtetit për kërkimin shkencor, mbi bazën e projekteve. Universitetet private përfitojnë edhe nga projektet ndërkombëtare (të BE, NATO, OKB, etj) të kërkimit shkencor. Kjo është realizuar dhe ndihmon universitetet private për konsolidimin e tyre.

Ky ligj pretendon të instaloj një model financimi konkurrues të arsimit të lartë, kur buxheti është krejtësisht i pamjaftueshëm. Qeveria le të filloj me shtimin e buxhetit për arsimin e lartë, për të arritur të paktën 1.5 % të GDP, dhe pastaj mund të pretendohet për implementimin e një modeli të tillë. Sot buxheti i arsimit të lartë publik me rreth 145 mijë studentë është sa 1/10 e buxhetit të Universitetit të Stambollit që ka rreth 90 mije studentë!! Shqipëria shpenzon nga buxheti rreth 400 Euro në vit për një student, ndërkohë që edhe vendet më të varfëra te BE si Rumania, Bullgaria, shpenzojne të paktën 4000 Euro ne vit per nje student, pra të paktén 10 herë më shumë!

Ku projektligj ka shumë aspekte të tjera që cënojnë autonominë dhe vetqeverisjen e universiteteve, vendosin kontrollin e plotë politik të qeverisë në universitete, rrisin pasigurinë e pedagogëve për vendin e punës, mbyllin universitetet për prurjet e reja me nivel te larte kualifikimi, kufizojnë rolin e studentëve, kufizojnë mundësinë e të rinjve për vijimin e arsimit të lartë, nuk krijojnë mundësi reale për zhvillimin e arsimit të lartë profesional, etj.

Me këtë ligj arsimi i lartë bëhet shumë më i shtrenjtë, madje krahasuar edhe me disa vende të BE që aplikojnë tarifat e ulta ose zero. Kjo do të thotë se, më pak të rinj do të kenë mundësi të vijojnë arsimin e lartë. Për të tjerët ka dy rrugë: të heqin dorë nga ëndrra e tyre për shkollim të lartë ose të largohen jashtë vendit për të studjuar nëse prindërit e tyre kanë mundësi financiare, cka do të nisë largimin e trurit dhe të rinisë nga vendi.

Thursday, July 2, 2015

Komisioni Parlamentar miraton në parim projekt-ligjin e AL

 

Komisioni Parlamentar për Çështjet Ligjore, Administratën Publike dhe të Drejtat e Njeriut miratoi në parim Projektligjin e Arsimit të Lartë dhe Kërkimit Shkencor.

Nga njoftimi per shtyp i MAS, 1 Korrik 2015

http://www.arsimi.gov.al/al/newsroom/lajme/ministrja-nikolla-ne-komisionin-e-ceshtjeve-ligjore-per-projektligjin-e-arsimit-te-larte

Ministrja e Arsimit dhe Sportit, Lindita Nikolla prezantoi sot, në Komisionin për Çështjet Ligjore, Administratën Publike dhe të Drejtat e Njeriut, Projektligjin e Arsimit të Lartë dhe Kërkimit Shkencor.

….

“Ligji i ri sjell një mori ndryshimesh në frymën e masave të ndërmarra nga Qeveria deri tani. Kryefjalë mbetet cilësia në institucionet tona të arsimit të lartë me të cilën ne nuk bëjmë kompromis. Ligji ndryshon skemën e financimit duke futur konceptim modern të financimit me bazë performancën. Shteti do jetë gjithnjë e më shumë financues i arsimit të lartë, por këto financa, taksat e qytetarëve shqiptarë duhet të prodhojnë maksimumin e mundshëm të vlerës. Një skemë moderne financimi, që priret nga treguesit e performancës së universiteteve tona, do t’i shtyjë ato të modernizohen, të përmirësojnë shërbimin dhe të gjenerojnë gjithnjë e më shumë kërkim shkencor, bashkëpunim ndërkombëtar, etj.”, tha Nikolla.

….

“Ky ligj nuk i detyron Institucionet e Arsimit të Lartë të kthehen në Institucione të Arsimit të Lartë të Publik të Pavarur (IALPP). Ky është një nocion inovator dhe një mundësi e re për çdo institucion, i cili pas një seti të përcaktuar rregullash do të mund të kërkojë të kthehet në IALPP, ku momenti i rëndësishëm është heqja dorë nga fitimi. Vetëm pasi ka hequr dorë nga fitimi IAL mund të filloj të funksionojë si Institucion i Arsimit të Lartë Publik i Pavarur ”, tha Nikolla.

Duke përmendur ndryshimet që sjell ky ligj, Ministrja e Arsimit tha se ligji  bën më të drejtë financimin publik për studentët, duke ju gjendur pranë studentëve në nevojë me një fond të posaçëm bursash, për të gjithë kategoritë që për pamundësi financiare nuk ndjekin dot studimet, për studentët që ndjekin degët me prioritet kombëtar dhe për studentët ekselent.

….

“Ligji modernizon qeverisjen e brendshme universitare duke i dhënë autoritet të qartë Senatit Akademik mbi qeverisjen akademike të IAL-ve dhe e mbështet punën me një strukturë administrative në shërbim të misionit të IAL-së. Në këtë mënyrë rrisim cilësinë akademike duke fokusuar akademikët në detyrat akademike dhe rrisim cilësinë e administrimit duke i mbështetur ata me administratorë. Dy vektorë të rëndësishëm që do të prodhojnë një rezultante që jep gjithnjë e më shumë cilësi”, deklaroi Ministrja Nikolla.

Ministrja tha se ligji i ri, lindi si një nevojë për të vendosur rregull në zhvillimet kaotike në arsim, vendosjen  e standardit të besueshëm të cilësisë së mësimdhënies dhe kërkimit shkencor, difersifikimin e burimeve të financimit të arsimi të lartë, etj.

Relatorja e çështjes, deputetja Vasilika Hysi deklaroi se ky projektligj është në përputhje me Kushtetutën e Shqipërisë.

Tuesday, January 27, 2015

Komente mbi projekt-ligjin e arsimit të lartë, 2015

 

Marrë nga http://peizazhe.com/2015/01/26/projekt-ligji-i-arsimit-te-larte-2015

Arjan Shahini, 26 Janar 2015

Dokumenti: Projekt-ligji ne format pdf.

[përditësuar 8 Janar, 2014]

Sot shtiva në dorë projekt-ligjin e arsimit të lartë. Besoj se është një dokument paraprak, edhe pse gazeta Panorama ka komentuar përciptazi mbi të si të ishte një draft formal. Madje gazeta pretendon se ky projekt-ligj do ti paraqitet Këshillit të Ministrave për miratim. Dyshoj në vërtetësinë e këtij lajmi. Megjithëse Prof. Dr. Myqerem Tafaj, ish-ministri i arsimit, është shprehur se ky draft i ka shkuar institucioneve për mendim në afat 48 orë për përgjigje.

Ligji kërkon një redaktim të mirë (p.sh. qëllimi është në nenin 1, objekti i ligjit nuk figuron kurrkund, ndërsa përkufizimet janë në nenin 6). Shumë aspekte janë të vagullta, sidomos sa i përket ndarjes së përgjegjësive ndërmjet autoriteteve drejtuese dhe shtetit.

Në dallim nga ligji i mëparshëm (2007) projekt-ligji përmban rreth 50 nene më shumë. Risitë më të rëndësishme janë: ndryshimi i formës së financimit nëpërmjet tre granteve (për zhvillimin, mësimdhënien dhe shkencën) dhe prezantimi i kredisë studentore; shteti heq dorë nga financimi i arsimit të lartë për të gjithë; forcimi i strukturave administrative në institucionet publike; krijimi i institucioneve me status të veçantë në bazë të programit apo në bazë të pronësisë e administrimit (institucionet e pavarura publike); autorizimi i institucioneve publike për të marrë kredi; dhe heqja e provimit të maturës si kriter për pranimin në arsimin e lartë.

Projekt-ligji në tërësinë e vetë ka një frymë etatiste. Roli i shtetit në qeverisjen e arsimit të lartë mbizotëron ende. Megjithëse ky rol nuk është i përligjur nga premtimi për financim. Ligji ka reduktuar aspekte të përfaqësimit të studentëve në qeverisjen e institucioneve të arsimit të lartë, ka kufizuar autoritetin e rektorit vetëm në drejtimin akademik dhe ka rritur autoritetin e administratorit (ish-kancelarit).

Më poshtë paraqiten përshtypjet e para mbi disa aspekte kryesore: mbi parimin e autonomisë, raportet me studentët, qeverisja e arsimit të lartë, institucionale, qeverisja akademike dhe institucionet me status te veçantë.

Mbi autonominë

Së pari që në fillim neni 1 (mbi qëllimin) në pikën a. dhe b., si dhe neni 3, bien në kundërshtim me parimet e autonomisë së shprehura në nenin 4; ku shteti duhet të “krijojë një sistem të unifikuar dhe të standardizuar të mësimdhënies”. Ideja e sistemit të unifikuar, shprehur edhe në planin e reformës, është konkretizuar më tej me një matematikë të çuditshme që i detyron institucionet të njësojnë programet me 80% për profesionet e rregulluara (neni 85 për mësuesinë, neni 87 për profesionet e rregulluara) apo me 70% për të tjera programe me emërim të njëjtë (neni 87). Ligji nuk thotë gjëkundi se në bazë të cilit kriter e program unifikues do të realizohet kjo. Gjithashtu, ky unifikim cenon autonominë akademike, dhe synimin e institucioneve për tu dalluar në tregun e arsimit të lartë nëpërmjet misionit të tyre. Kjo bie në kundërshtim dhe me parimin e nenit 1, pika b. “mbi parimin e konkurrencës së lirë mes institucioneve të arsimit të lartë, personelit akademik dhe studentëve.” Mbi cilat baza zhvillohet konkurrenca, në mos në cilësinë e produktit (studentë dhe programe studimi)?

Përveç se institucionit të arsimit të lartë i është vendosur edhe një mision tjetër, “të mbrojë dijet”[?, neni 1], tanimë shteti zotohet të vlerësojë “cilësinë e veprimtarisë mësimore dhe [atë] kërkimore-shkencore” (neni 3). Pasi ligji sqaron se përfshin aspekte organizative (neni 1), në nenin 4, institucioneve i premtohet autonomi organizative dhe akademike. Por në aspektin operacional këto premtime kundërshtohen më tej: P.sh. fillimisht pretendohet që institucionet i vendosin vetë kriteret e pranimit (neni 4 & 5), pastaj është qeveria që vendos pragun e rezultateve të pranueshme (neni 14/2) apo në fushën e sporteve e arteve (neni 72/4) dhe sipas kapaciteteve që vlerëson ministria për fushat e tjera (neni 72/5). Ndërsa në këtë mish-mash është përfshirë edhe ministria e arsimit që “i propozon Këshillit të Ministrave kriteret për aplikim për vijimin e studimeve të ciklit të parë, apo atyre të integruara të ciklit të dytë” (neni 7/e). Institucionet duhet të ofrojnë programe vetëm në gjuhën shqipe (neni 89). Përkundër trendeve botërore ku personeli me kohë të plotë po kalon në pakicë si pasojë e lidhjes së universiteteve me bizneset, në Shqipëri institucionet duhet të mbulojnë 2/3 e ngarkesës me personel me kohë të plotë dhe ngarkesa minimale për personelin përcaktohet me Këshill të Ministrave (neni 65).

Ka edhe paqartësi në organizimin e programeve të studimit. P.sh. në nenin 72 janë parashikuar vetëm tre lloje studimesh (me kohë të plotë, të zgjatur dhe të vazhduar), më pas diku në nenin 82/2, kemi edhe doktoratë me kohë të pjesshme, ndërsa në përkufizime kemi edukim me distancë (neni 6) përmendur shkarazi edhe në nenin 88/4. Por forma e organizimit të studimeve është e pamundur ti lihet institucioneve.

Institucionit i përcaktohet se si duhet të organizojë vlerësimin e studentëve, me provim apo punim diplome. Në ligj! (Neni 76/2) “1. Studentët në programet e ciklit të parë të studimeve diplomohen me provim të përgjithshëm përfundimtar[H1] . Studentët me rezultate të larta kanë të drejtë të zgjedhin të përgatisin një punim diplome. Institucionet e arsimit të lartë përcaktojnë në rregulloren e tyre pragun e notës mesatare, që i jep të drejtë studentit të ciklit të parë të diplomohet duke përgatitur dhe mbrojtur një punim diplome.” Po ashtu për programet master (Neni 78/4) dhe programet e Dr. (Neni 80/4).

Më tej edhe marrëveshjet ndërkombëtare për ofrimin e programeve në bashkëpunim me shtetet e tjera kufizohen. “Në rastin kur institucione të huaja të arsimit të lartë të njërit prej shteteve anëtare të Bashkimit Evropian, Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Kanadasë ose Australisë dëshirojnë të ofrojnë programe studimi ose formime profesionale, të akredituara në ato shtete, pranë institucioneve shqiptare të licensuara të arsimit të lartë, këtyre të fundit u njihet e drejta e ofrimit të atyre programeve të studimit." (Neni 38/7).  Edhe pse në renditjen e Universitetit të Shanghati 8 nga vendet e përfshira në 17 vendet e para të 100 universiteteve më të mira në botë janë Zvicra, Izraeli, Kina apo Rusia, pa përfshirë këtu vendet që tradicionalisht kanë pasur marrëdhënie me Shqipërinë në fushën e arsimi si Turqia.

Mbi studentët

Shteti tanimë financon vetëm nëpërmjet bursave dhe vetëm për studentët në nevojë (neni 5 dhe neni 117). Studentët, nga cilido institucion publik apo privat, kanë të drejtë të marrin kredi studentore. Raportet që ligji koncepton ndërmjet institucionit dhe studentëve janë aspak demokratike. Së pari, në aspektin e përfaqësimit në organet vendimmarrëse, studenti është pjesëmarrës vetëm në senatin akademik (neni 40), por peshën e përfaqësimit ligji ja lë statutit të institucionit. Në çështje të administrimit studentët nuk kanë zë. Të drejtat e tyre janë kufizuar më tej: P.sh. në vendosjen e një kufiri 5 vjeçar për përfundimet e programet e doktoratës, neni 80/4 (ndërkohë që në botë periudha mesatare është mbi 7 vjet, e në SHBA edhe 10 vjet); për programet e ciklit të parë koha maksimale është dyfishi i kohës normale (edhe pse mund të paguhen nga shteti), neni 91, por studentit i lejohet të ndërrojë institucionin nëse nuk përfundon në kohë studimet(?); studentit i ndalohet, edhe pse anti-kushtetuese, të studiojë njëkohësisht dy programe studimi, neni 102/3.

Mbi qeverisjen e arsimit të lartë në vend

Projekt-ligji parashikon disa ndryshime në qeverisjen dhe autoritetet e arsimit të lartë dhe ka decentralizuar procedurat administrative nga ministria në agjencitë përkatëse. Por ka ngatërresa jo vetëm në kompetencat ndërmjet tyre por edhe në prezantimin e tyre.

Inspektoriati Shtetëror i Arsimi të Lartë del tërthorazi në nenin 72, por nuk përmendet përndryshe gjëkundi. Këshilli i Arsimi të Lartë dhe Konferenca e Rektorëve nuk kanë asnjë kompetencë të shprehur në ligj (neni 19/3 parashikon që konferenca jep mendime, po jo se ku i çon ato).

Agjencia Kombëtare e Financimi të Arsimit të Lartë merr përsipër shpërndarjen e fondeve publike (neni 15, pika 4 është bosh) dhe garanton kreditë studentore, por është Ministria që ndërmjetëson kredinë (?, neni 121). Nëse kjo agjenci është institucion publik, ç’ne ministria që ndërmjetëson? Në nenin 15 flitet për një letër prioritetesh të kësaj agjencie, por vetëm kur renditen përkufizimet (neni 6) nënkuptohet se ç’është, por jo se për çfarë shërben. Më sipër kemi përmendur mungesën e koherencës sa i përket autonomisë së institucioneve në përcaktimin e formës së programit të studimit apo kritereve të pranimit.

Mbi qeverisjen institucionale

Në këtë ligj është dobësuar autoriteti i rektorit, i cili tanimë vetëm firmos vendimet e senatit dhe të njësive më të ulëta. Problemi është se ka paqartësi në lidhje me kompetencat e emërimit dhe të shkarkimit apo anëtarësimin e organeve drejtuese. P.sh. ministri urdhëron shkarkimin e rektorit (neni 7/c, ndërkohë që emërohet nga presidenti, neni 42/8); ministri mund të shkarkojë një autoritet drejtues, por këtë e emëron rektori (neni 45/3). Rektori nënshkruan kontratat e punës për personelin akademik (neni 42/5) edhe pse nuk i emëron apo zgjedh ai. Rektorit në institucionet e arsimit publik nuk i lejohet të jetë anëtar i bordit të administrimit (neni 51/6), por i lejohet të jetë në institucionet a pavarura publike (neni 127).

Mbi qeverisjen akademike

Në politikat e personelit akademik ka disa ndryshime thelbësore. Në dallim nga sa u planifikua në dokumentin e reformës, agjencia e kërkimit shkencor nuk do të angazhohet në procedurat e promovimit, por ministria administron regjistrin e titujve akademikë. Por ka disa paqartësi mbi promovimin. Procedurat i janë lënë institucionit, por standardet si për institucionin dhe për titujt i vendos Këshilli i Ministrave (neni 63/3, dhe pse nuk përmenden në nenet 3 & 7, që liston kompetencat e shtetit dhe të ministrisë). Pastaj ka ndërhyrje të çuditshme që përligjin faktet në institucionet publike. P.sh. neni 69 heq kufirin e moshës së pensionit, duke u mbyllur derën të rinjve në institucionet publike dhe ligjëruar një brez 80-vjeçarësh tru mykur që pleqërojnë në universitetet publike. Ndërsa ka dallime ndërmjet personelit akademik, i cili gëzon trajtim të veçantë me vendim qeverie (neni 61), dhe administratorëve që mund ta caktojnë rrogën vetë (neni 70).

Standardet mbi numrin e pedagogëve të punësuar pranë institucionit janë sërish 7 për departament nga ku 3 me tituj, por kur vendosen kritere për institucionet që kanë të drejtë promovimi, numri i përgjithshëm duhet të jetë 18 profesorë (neni 63/c).

Mbi institucionet e arsimit me status të veçantë

Për herë të parë qeveria krijon stimuj për krijimin e institucioneve jofitimprurëse, në formën e institucioneve të pavarura publike. Origjina e tyre mund të jetë publike ose private, por administrimi është ndryshe. Kur qeveria dërgoi në parlament një ligj që do të jepte truall për ndërtimin e shkollave, pati disa zëra nga PS-ja që e vlerësonin, ndoshta me të drejtë, si një nismë klienteliste e radhës. E njëjta nismë vjen në këtë ligj me institucionet e pavarura publike, ku qeveria mund të japë prona të paluajtshme dhe të paluajtshme në formë financimi për këto institucione (neni 130, i shkruar me ngut). Shpresojmë që këtë radhë kjo nismë të mos paragjykohet, sidomos nëse bëhet fjalë për ish-reparte ushtarake që deri dje kanë funksionuar për të tjera biznese më pak fisnike.

Mbi organizimin e kërkimit shkencor

 

Ligji parashikon hollësi mbi organizimin e kërkimit shkencor në një ligj që për nga qëllimi i përket te rregulloje arsimin e lartë. Ose kjo duhet të bëhet ligj më vete, ose duhet që ligji të ruaj natyrën e kornizës dhe të mos hyj në hollësi.

Neni 1/1: 1. Ky ligj ka për qëllim: a) të përcaktojë misionin, objektivat kryesorë të arsimit të lartë, rregullat e krijimit, organizimit, drejtimit, administrimit dhe financimit të institucioneve të arsimit të lartë;

P.sh. Neni 99/1 mbi institutet e kërkim-zhvillimit të ministrive.

1. Institutet e kërkim-zhvillimit pranë ministrive janë persona juridikë publikë, që ushtrojnë veprimtari kërkimore-shkencore, kryesisht të zbatuar, sipas përcaktimeve në aktin e themelimit. Ato funksionojnë në varësi të ministrisë të linjës, sipas fushës së veprimtarisë së institutit.

Pyetje & Vërejtje mbi AKKSH:

1. Si parashikohet të jetë varësia institucionale e AKKSH ndaj qeverisë në aspektin e llogaridhënies dhe menaxhimit? Ndaj kryeministrisë apo ministrisë përgjegjëse për arsimin?

Deri tani këto kompetenca janë përzierë dhe kryeministria kufizohet vetëm në aspektin normativ apo zgjedhjes së kryetarit. Në ligj shprehet se AKSH është institucion publik, por struktura organizative dhe funksionet rregullohen me vendim qeverie. Institucionet e arsimit të lartë mbështesin pavarësinë totale të AKSH ndaj qeverisë në aspektin administrativ dhe njohin varësinë e saj të pjesshme për fondet dhe llogaridhënien në përdorimin e tyre.

A mund të parashikohen në ligj hollësi të mëtejshme mbi autonominë e bordit dhe ndoshta një organizim i ngjashëm si ai i Akademisë së Shkencave? P.sh. me bord të vetëzgjedhur pas vendimit fillestar për krijimin.

2. Cili është vizioni i qeverisë për të ardhmen e AKKSH? A ka mundësi që agjencia të kthehet në një fondacion qeveritar me pavarësi institucionale dhe përgjegjësi për koordinimin e kërkimit shkencor dhe këshillimit shkencor në rrafsh kombëtar e ndërkombëtar? Si do të kufizohet puna e saj nga ajo e Akademisë së Shkencave? Cili është vizioni i qeverisë për Akademinë e Shkencave?

3. Sa hapësirë ka agjencia për të autorizuar e mbështetur krijimin e qendrave të ekselencës për disiplina të caktuara? Apo të projekteve individuale?

Përse duhet të angazhohet qeveria në krijimin e qendrave ndëruniversitare, kur kjo mund të jetë funksion i AKSH?

Neni 98/2: Struktura, organizimi, fushat e kërkimit dhe objekti i veprimtarisë së tyre përcaktohen me vendim të Këshillit të Ministrave. Funksionimi i tyre përcaktohet në rregulloren e tyre, në përputhje me statutet e universiteteve themeluese.

4. Si mund të lidhet puna e agjencisë dhe rezultatet e kërkimit shkencor me vendim-marrjen politike? P.sh. të prokurojë në emër të qeverisë shërbime që kërkojnë këshillim shkencor, në mënyrë që fondet publike për këto shërbime të kalojnë në institucionet e arsimit të lartë.

5. Përse është përfshirë agjencia e akreditimit në vlerësimin e kërkimit shkencor?

Neni 16/1: Agjencia e Sigurimit të Cilësisë në Arsimin e Lartë (ASCAL) është institucion publik, përgjegjës për sigurimin e cilësisë në arsimin të lartë. ASCAL, përmes mekanizmave të sigurimit të cilësisë, akreditimit dhe proceseve të tjera, monitoron dhe vlerëson cilësinë e mësimdhënies si dhe verifikon procesin e realizimit të cilësisë në kërkimin shkencor.

Mbi financimin e kërkimit shkencor

a. Si do të rregullohet shpërndarja e fondeve dhe ndahet përgjegjësia kur jane dy agjenci te perfshira?

b. Cila metodologji do të përdoret?Letra e Prioriteteve (prioritetet e zhvillimit ekonomik të qeverisë) apo vendimi i Këshillit të Ministrave që mund të jetë një kornizë e përgjithshme me kritere vlerësimi të cilësisë së kërkimit? Fondet konkorruese nuk përmenden gjëkundi.

c. Si mund të parashikohet në ligj një mekanizëm që nxit kërkimin shkencor në fusha ku nevoja është e madhe por kapacitetet janë të vogla? Pra që vlerëson jo vetëm në bazë të performancës, cfarë mund të sjellë përqëndrim të fondeve në disa qendra (Ligji i Mateusit), por edhe në saj të nevojës për përmirësim në një disiplinë apo institucion të caktuar. Letra e Prioriteteve duhet operacionalizuar më tej (pasi nuk përmendet vetëm se në përkufizimet) që të parashikojë këtë aspekt. Neni 18/2

Vërejtje

Neni 15/1 nuk përfshin shkencën në përgjëgjesitë e AKFAL.

1. Agjencia Kombëtare e Financimit të Arsimit të Lartë (AKFAL) është institucion publik që ka për detyrë kryesore shpërndarjen e fondeve publike për:

a) mbështetjen e veprimtarisë së institucioneve publike të arsimit të lartë;

b) mbështetjen me bursa studimi për studentë të shkëlqyer, studentë në programet e studimit në fusha prioritare dhe studentë nga shtresa sociale në nevojë;

c) garantimin e skemës së kredive studentore.

2. Këshilli i Ministrave miraton çdo vit Letrën e Prioriteteve sipas propozimit të Ministrit përgjegjës për arsimin

Neni 18/1 & 3

1. Agjencia Kombëtare e Kërkimit Shkencor (AKKSh) është institucion publik që ka për detyrë kryesore shpërndarjen e fondeve për programet kombëtare dhe bilaterale të kërkimit shkencor mbi bazën e projekteve të paraqitura prej institucioneve të arsimit të lartë dhe institucioneve të kërkimit shkencor në fushat e shkencave natyrore, inxhinierike dhe teknologjike, mjekësore, bujqësore, sociale dhe humane.

3. AKKSh i komunikon vlerësimin Agjencisë Kombëtare të Financimit të Arsimit të Lartë. Metodologjia e procesit të vlerësimit rregullohet me vendim të Këshillit të Ministrave.

Neni 100/2

2. Vlerësimi i cilësisë së kërkimit shkencor përbën kriterin bazë të renditjes së institucioneve të kërkimit shkencor prej AKKSh-së dhe përcaktimit të masës së financimit të përfituar prej AKF-së. Institucionet e kërkimit shkencor marrin masa për vlerësimin dhe sigurimin e brendshëm të cilësisë. Përbërja dhe funksionimi i tyre përcaktohen në statutin ose rregulloren e institucionit përkatës.

Në aspektin teknik nuk ka nevojë të vendoset në ligj se burimet e agjencisë do të jenë të ligjshme (Neni 100/4).

4. AKKSh miraton, mbi bazën e konkurrencës së lirë midis aplikantëve, fonde për projektet e studimeve të doktoratës. Agjencia administron edhe fonde të tjera nga burime të ligjshme, të cilat i shpërndan bazuar në aplikimet e institucioneve.

Mbi dispozitat kalimtare

Nenet 142-143 janë shumë të cekëta, pasi nuk parashikojnë dispozita kalimtare për ata që janë të punësuar, por i detyrojnë institucionet të zbatojnë kriteret e ligjit të ri.

 

http://peizazhe.com/2015/01/26/projekt-ligji-i-arsimit-te-larte-2015/

Saturday, September 20, 2014

Ministria kallzon për shkelje ndërmarrjen Vitrina

 

Dokumente: Raporti i shkeljeve MAS, 18.09.2014

Ndërmarrja Vitrina pasi humbi çështjen gjyqësore në Gjykatën Administrative kundër vendimit të qeverisë për revokimin e licencës, do të përballet me akuzat për shkelje të rënda ligjore.

Kjo ndërmarrje shtrembëroi tregun në mënyrë të skajshme me mashtrimin e studentëve nëpërmjet deklarimit të tarifave të ulëta, hapjes se programeve pa licencë, kërcënimit të studentëve dhe sistemit të këmbimit në natyrë. Ndërmarrja Vitrina ka një çështje gjyqësore në Gjykatën e Apelit me Komisionin e Mbrojtjes së Konsumatorit për vendimin me gjobë ndaj kësaj shkolle për reklama corientuese ndaj studentëve (Nr.Akti: 3828; Data e Regj: 21.06.2013; Objekti: Pavlefshmeri vendimi; Palet ne proces: Shoqëria “Vitrina” shpk . Komisioni i Mbrojtjes së Konsumatorëve.) Ka humbur vendimin e gjyqit ndaj ish-rektorit Lulzim Hana, që ilustron sesi trajtoheshin pedagogët në këtë ndërmarrje etj.

 

Njoftim për shtyp nga MAS 18.09.2014

Ministria e Arsimit dhe Sportit ka depozituar sot, në Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Tiranë, kallëzim penal  ndaj  Shoqërisë Tregtare “Vitrina” Sh.P.K. në cilësinë e personit juridik, Edmond Vlashaj, Drejtor i Përgjithshëm i shoqërisë “Vitrina”, Aldorin Braho, Administrator i shoqërisë “Vitrina” dhe Piro Cipo, Rektor i Shkollës së Lartë Private “Vitrina”.

MAS kërkon fillimin e procedimit penal në ngarkim të personit juridik, Shoqëria Tregtare “Vitrina” dhe shtetasve të lartpërmendur, për kryerjen e veprave penale të “Shpërdorimit të kompetencave të personit juridik”, “Mashtrimit”, “Shpërdorimit të detyrës” dhe “Vetëgjyqësisë” për më shumë se një herë dhe në dëm të shumë personave dhe sekuestros konservative ndaj pasurive të paluajtshme, parashikuar në nenet 143, 164, 248 dhe 277 të Kodit Penal, neni 270 të Kodit të Procedurës Penale dhe ligji nr.9754, datë 14.6.2007 “Për përgjegjësinë penale të personave juridik”.

Gjatë procesit të kontrollit të ligjshmërisë u konstatuan shkelje ligjore në veprimtarinë e institucioneve të arsimit të lartë, ku ndërmjet të cilave nga personi juridik Shoqëria Tregtare “Vitrina” Sh.P.K., dhe shtetasit që administrojnë veprimtarinë pranë saj, mendojmë se janë konsumuar element të veprave penale të kryera për më shumë se një herë dhe në dëm të shumë personave, dhe më konkretisht:

1. Regjistrimi i studentëve në kushtet e mashtrimit për më shumë se një herë dhe në dëm të shumë personave, pa pasur të drejtën e ushtrimit të aktivitetit përkatës.

2. Lëshimin e diplomave në kushtet e mashtrimit për më shumë se një herë dhe në dëm të shumë personave, pa pasur të drejtën e ushtrimit të aktivitetit përkatës.

3. Mos hartimin dhe mos mbajtjen e rregullt të regjistrave themeltar të studentëve sipas përcaktimeve të akteve ligjore dhe nënligjore në fuqi.

4. Mos ndjekjen e procedurave ligjore, për pajisjen me numra matrikullimi të studentëve të regjistruar pranë IAL-së “Vitrina”.

5. Përdorimi i ambienteve në kundërshtim me destinacionin e tyre të përcaktuar ligjor.

6. Mosrespektimi i detyrimeve të Vendimit nr. 539, datë 06.08.2014 të Këshillit të Ministrave “Për heqjen e licencës disa institucioneve private të arsimit të lartë”.

Bazuar në sa më sipër MAS kërkon:

1. Fillimin e procedimit penal në ngarkim të personit juridik privat si më sipër dhe dënimin e tij me një dënim kryesor siç është mbarimi i tij si person juridik.

2. Fillimin e procedimit penal në ngarkim të shtetasve të lartpërmendur dhe dënimin e tyre sipas përcaktimeve ligjore.

3. Marrjen e masës së sigurimit pasuror, vendosjen e sekuestros konservative ndaj pasurive të paluajtshme të personit juridik, Shoqëria Tregtare “Vitrina” Sh.P.K.

Sunday, June 8, 2014

MAS – tjetër premtim për akreditim

Sonila Isaku, Shqiptarja.com, 8 qershor 2014

Akreditimi i universiteteve në fund të vitit

TIRANE- Akreditimi i të gjitha universiteteve, si ato publike dhe private në vendin tonë, do të përfundojë në fund të këtij viti kalendarik. Ky fakt është pohuar nga vetë Ministrja e Arsimit, Lindita Nikolla gjatë një takimi që ka zhvilluar në qytetin e Vlorës, duke theksuar se agjencia e huaj anëtare e ENQA-s do të jetë ajo që do të zhvillojë procesin e akreditimit në vendin tonë. “Agjencia e huaj ndërkombëtare e akreditimit, anëtare e ENQA-s, do të mundësojë procesin e akreditimit të të gjithë IAL-ve publike dhe jopublike deri në fund të këtij viti”, ka pohuar Nikolla.
Sipas saj, agjencia do të japë rezultatet për universitet të cilat janë cilësore dhe do të akreditohen, të tjerëve do t’u lihet kohë për të përmirësuar punën, kurse ata që nuk plotësojnë parametrat për të ofruar diploma cilësore, nuk mund të jenë pjesë e reformës që po kryhet. Kjo do të thotë se në tetorin e 2014, kohë kur nis viti akademik sërish studentët nuk mund të kenë njohuri se cili universitet privat apo shtetëror është i akredituar apo jo, duke bërë që edhe ky vit akademik të nisë pa ndryshime.
Sipas afateve të përcaktuara, procesi i akreditimit do të vazhdojë paralel me reformën që po ndërmerret në arsimin e lartë, reformë e cila ka hapur një debat të gjerë publik si për fushën akademike ashtu edhe për vetë studentët. Kjo ka bërë që qeveria, të shtyjë afatin e miratimit të ligjit të ri, duke i lënë Komisionit të Arsimit të Lartë kohë për të bërë ndryshimet e duhura dhe për të dalë me një draft të ri. Kështu, miratimi i ligjit të ri për arsimin e lartë në sesionin e ardhshëm parlamentar, që përkon me vjeshtën e këtij viti dhe akreditimi i universiteteve në po të njëjtën periudhë do të bëjë të mundur që vitin e ardhshëm reforma e ndërmarrë në arsim të jetë plotësisht e zbatueshme.
Sa i përket reformës, ministrja Nikolla ka theksuar se ajo do të ndikojë në cilësinë e mësimdhënies por edhe në kërkim shkencor. “Reforma në arsimin e lartë dhe kërkimit shkencor lidhet me hapa konkrete në drejtim të përmirësimit të cilësor në organizimin e arsimit të lartë dhe funksionimin e IAL-ve. Fokusi dhe përpjekjet e kësaj reforme duhet të intensifikohen më tepër në cilësinë e mësimdhënies dhe të kërkimit shkencor”, ka theksuar Nikolla. Sipas saj, sigurimi i cilësisë në arsimin e lartë është kryefjala e kësaj reforme.


(d.a/shqiptarja.com)
http://www.shqiptarja.com/Aktualitet/2731/reforma-nikolla-akreditimi-i-universiteteve-n--fund-t--vitit-218803.html#sthash.NGUYppnm.dpuf

Thursday, April 24, 2014

Kalendari vjetor i Projektakteve MAS_2014



Dokumente: Vendimi i Qeverisë mbi kalendarin e projekt-akteve , Janar 2014
 
Projekt-Akte të qeverisë për vitin 2014  për arsimin e lartë 





PROJEKTAKTE OBJEKTI DHE QELLIMI I PROJEKTAKTIT MINISTRI PROPOZUES AFATI I PARAQITJES ne KM Drejtorite pergjegjese
Projektvendim për kontraktimin e një Agjencie, Anëtarë te ENQA (The European Association For Quality Assurance In Higher Education) për Akreditimin e Institucioneve Te Arsimit Te Larte. Ne zbatim te neneve 26,34,75 te Ligjit nr. 9741 date 21.5.2007 "Për Arsimin e Larte ne RSH" i ndryshuar. Ministria e Arsimit dhe Sportit Katermujori i I-re DALKSH, DPBI
Projektvendim "Për kategoritë e shërbimeve te enteve shtetërore qe do te përftojnë studentet nëpërmjet Kartës se Studentit". Studentet te pajisen me një karte qe i ndihmon ata ne veprimtarinë e tyre jetësore ne Institucionet e Arsimit te Larte, ne përputhje me nenin 56/4 te Ligjit te Arsimit te Larte . Ministria e Arsimit dhe Sportit dhe Ministria e Financës Katermujori i II-te DALKSh/DPBI
Projektvendim "Për kuotat e pranimit ne studimet me kohe te pjesshme për ciklin e dyte te studimeve Master Profesional ne institucionet publike te arsimit te larte dhe tarifat e shkollimit ne vitin akademik 2014-2015". Ne zbatim te neneve 34,35,36,75 te Ligjit nr. 9741 date 21.5.2007 "Për Arsimin e Larte ne RSH" i ndryshuar. Ministria e Arsimit dhe Sportit Katermujori i II-te DALKSh -DPBI
Projektvendim "Për kuotat e pranimit ne studimet me kohe te plote për ciklin e dyte te studimeve Master Profesional dhe Master Shkencor ne institucionet publike te arsimit te larte dhe tarifat e shkollimit ne vitin akademik 2014-2015". Ne zbatim te neneve 34,35,36,75 te Ligjit nr. 9741 date 21.5.2007 "Për Arsimin e Larte ne RSH" i ndryshuar. Ministria e Arsimit dhe Sportit Katermujori i II-te DALKSh -DPBI
Projektvendim "Për kuotat e pranimit ne studimet me kohe te plote për ciklin e pare te studimeve. dhe tarifat e shkollimit ne vitin akademik 2014- 2015". Për te përgatitur një akt nënligjor ne funksion te pranimeve sa me cilësore duke i bazuar mbi treguesit kualitative te "Maturës Shtetërore" Ne zbatim te neneve 33,36,75 te Ligjit për Arsimin e Larte. Ministria e Arsimit dhe e Sportit Katermujori i II-te DALKSh-DPBI
Projektvendim "Për kuotat financiare te ushqimit te nxënësve ne mensat e konvikte, bursat e shtetit dhe pagesat e nxënësve dhe studenteve, ne institucionet arsimore publike për vitin akademik 2014-2015". Përmirësimi i skemës se mbështetjes financiare te nxënësve dhe studenteve. Ministria e Arsimit dhe Sportit Katermujori i II-te DPBI
Projektvendim "Për përcaktimin e numrit te praktikanteve për kryerjen e praktikes profesionale, me kontrate te përkohshme, për periudhën 1 janar-15 qershor 2014 dhe 10 shtator-31 dhjetor 2014, për Ministrinë e Arsimit dhe Sportit." Ne zbatim te ligjit nr. 10 171, date 22.10.2009 "Për profesionet e rregulluara ne Republikën e Shqipërisë", te ndryshuar. Ministria e Arsimit dhe Sportit Katermujori i II-te DPBI
Projektvendim "Për kuotat e pranimit ne studimet e ciklit te trete, te studimeve specializuese Afatgjata ne Fakultetin e Mjekësisë te Universitetit te Tiranes dhe tarifat e shkollimit ne vitin akademik 2014-2015". Ne zbatim te neneve 26,34,75 te Ligjit nr. 9741 date 21.5.2007 "Për Arsimin e Larte ne RSH" i ndryshuar. Ministria e Arsimit dhe e Sportit Katermujori i III-te DALKSh -DPBI
Projektvendim "Për kuotat e pranimit ne studimet me kohe te pjesshme Cikli i Pare Bachelor ne institucionet publike te arsimit te larte ne vitin akademik 2014-2015". Ne zbatim te neneve 33,36,75 te Ligjit nr. 9741 date 21.5.2007 "Për Arsimin e Larte ne RSH" i ndryshuar. Ministria e Arsimit dhe e Sportit Katermujori i III-te DALKSh -DPBI
Projektvendim "Për kuotat e pranimit ne studimet me kohe te plote për ciklin e trete te studimeve doktorate ne institucionet publike te arsimit te larte dhe tarifat e shkollimit ne vitin akademik 2014-2015". Ne zbatim te neneve 26,34,75 te Ligjit nr. 9741 date 21.5.2007 "Për Arsimin e Larte ne RSH" i ndryshuar. Ministria e Arsimit dhe e Sportit Katermujori i III-te DALKSh -DPBI