Sunday, July 5, 2015

Ish-ministri M. Tafaj reagon ndaj projekt-ligjit të arsimit të lartë

 

image

Ish-Ministri i Ministrisë së Arsimit dhe Sporteve gjatë viteve 2009-2013 reagon mbi pretendimet dhe analizën e Kryeministrit E. Rama. Në faqen e tij zyrtare, ish-ministri Prof. Dr. Myqerem Tafaj, deputet i Partisë Demokratike, kundërshtoi qëndrimin e kryeministrit në lidhje me cilësinë e arsimit të lartë në vend, si dhe argumenton se pretendimet e kryeministrit që ligji i ri nuk financon arsimin privat në vend nuk qëndrojnë.

Korrik 4, 2015

Kryeministri mbron ligjin që nuk i shërben arsimit të lartë, pedagogëve dhe studentëve.

Për të shmangur vëmendjen e opinionit publik nga maskarada e zgjedhjeve të 21 qershorit, ose më saktë, vdekja e zgjedhjeve të lira në vendin tonë, Kryeministri Rama u përpoq sot të mbronte projektligjin e arsimit të lartë. Ai foli gjatë dhe, siç e ka bërë zakon, përdori një retorikë nihiliste dhe agresive, sidomos ndaj përfaqësuesve të arsimit të lartë publik që e kundërshtojnë këtë projektligj. Por, Kryeministri nuk u tregoi të vërtetën prindërve dhe të rinjve që do të ballafaqohen me një rritje madhe dhe të shpejtë të tarifave të studimeve, të cilën mund ta përballojnë vetëm me kredinë studentore. Kryeministri nuk u tha atyre sa të larta do të jenë tarifat dhe cfarë kushtesh apo kriteresh do të ketë kredia studentore.

Kryeministri nuk u tregoi të vërtetën pedagogëve, se si do të financohen universitetet mbi bazën e performancës, kur aktualisht financimi është më pak se minimal ( vetëm 400 Euro në vit /student) dhe më i ulët se në cdo vend tjetër në Rajon dhe në Europë ( të paktë 10 herë më i ulët se buxheti që shpenzojnë vendet e reja të BE, si Rumania, Sllovakia, Bullgaria, etj, për student).

Nën petkun e zgjerimit të autonomisë, Kryeministri u mburr se pagat e pedagogëve do ti përcaktojnë vetë universitetet publike! Por ai nuk u tha pedagogëve dhe drejtuesve të universiteteve publike, se ku do ta gjejnë buxhetin për pagat, ndërkohë që aktualisht përballojnë me buxhetin e shtetit pagat vetëm për 8-9 muaj të vitit. Kjo do të thotë që të fillojë shkurtimi i vendeve të punës dhe largimi i padagogëve nga universitetet publike, sidomos ato rajonale dhe ato që mbulojnë degë të shkencave të aplikuara ose, sic emërtohen gabimisht, degë të papreferuara. Kjo do të thotë që në universitetet publike të nisë një 'luftë' brenda departamenteve, fakulteteve dhe senateve, kujt do ti ulet dhe kujt do ti rritet paga dhe kush do të shkurtohet nga puna. Sigurisht, të parët që do të largohen nga puna do të jenë pedagogët demokratë dhe ata që nuk kanë votuar partitë në pushtet dhe ata që nuk kanë votuar shefat e departamenteve, dekanët dhe rektorët!

Të lësh universitetet publike, me këtë nivel ekstrem të nënfinancimit, që të përcaktojnë vetë numrin e pedagogëve dhe pagat e tyre është një shmangie e qeverisë nga detyrimi kushtetues i shtetit për financimin e arsimit të lartë dhe një braktisje e qartë e tyre, nën maskën e rritjes së autonomisë. Ky është një hap shumë i parakohshëm dhe i rrezikshëm, i cili mund të çoj në mbyllje masive të departamenteve, fakulteteve publike dhe, ndoshta, të disa universiteteve publike rajonale. Shqipëria nuk e ka luksin që të nxjerrë në rrugë të papunë pedagogë dhe kërkues shkencor, ndërkohë që është akoma shumë larg minimumit për treguesin e numrit të pedagogëve dhe kërkuesve për 1000 banorë, çka e bën të domosdoshme, të dyfishohet në 2-3 vitet që vijnë.

Kryeministri u mundua të argumentoj parimin e konkurrencës dhe modelin e universiteteve publike të pavaruara, por insistoi të bindë publikun se, me këtë projektligj, universitetet private nuk do të marrin fonde publike. Kjo është tërësisht e pavërtetë sepse:

-Studentët e universiteteve private do të përfitojnë nga kredia studentore, e cila mbështetet (garantohet) nga buxheti i shtetit. Askush nuk është në parim kundër, por nga do të merret buxheti, kur dihet që shteti praktikisht nuk ka asnjë mundësi për ta rritur atë në 3-4 vitet që vijnë? Kjo do të bëj që universitetet private të rrisin më tej tarifat e studimeve, cka do të rrënoj buxhetin e familjeve dhe do të rrisë borxhet e tyre për të kthyer kredinë. Nga ana tjetër, Shqipëria nuk ka asnjë traditë me kredinë studentore dhe askush nuk e njeh sjelljen e studentëve me kthimin e kredisë. Rreziku është që maturantët të marrin kredinë dhe të vërshojnë në degët të konsideruara të preferuara ("degët në modë ose trendi" sic i quajnë të rinjtë) edhe të universiteteve private, dhe të boshatisen departamente dhe fakultete që zhvillojnë programe studimi prioritare për vendin. Ky grup studentësh ka pak shanse punësimi, rrit ushtrinë e të papunëve, cka do te thote të mos munden të kthejnë edhe kredinë. Kështu do të kemi të rrinj të shkolluar, por të papunë dhe borxhli ndaj shtetit dhe shoqërisë.

-Studentët e universiteteve private përfitojnë nga fondi i bursave për studentët. Eshtë e drejtë kushtetuese dhe morale që edhe studentët e shkollave private të përfitojnë, sepse familjet e tyre janë taksapagues. Por ku do të gjendet buxheti? Edhe kjo masë do të nxisë universitetet private të rrisin më tej tarifat e studimeve, cka do të varfëroj më tej familjet e studentëve.

-Universitetet private që do të fitojnë statusin e universteteve publike te pavaruara do të kenë akses të njëjtë me universitetet publike në programet e tjera të buxhetit të shtetit, mbi bazën e performancës. Por ku do te gjendet kaq shume buxhet? Kush do të jetë garanti që të ardhurat e universiteteve publike të pavaruara që burojnë nga tarifat e studentëve dhe nga buxheti i shtetit do të përdoren me të vërtetë në dobi të studentëve dhe të cilësisë akademike? A mund të besoj njeri që Bordi, me atë përbërje mediokre dhe politikisht të ndikueshme, që parashikon projektligji, mund të bëhet mbrojtës i vërtet i studentëve, pedagogëve dhe interesit publik dhe të përballet me interesat e pronarëve të universiteteve private që edhe formalisht zotërojnë shumicën në Bord.

-Universitetet private kanë të drejta të plota për të përfituar nga buxheti i shtetit për kërkimin shkencor, mbi bazën e projekteve. Universitetet private përfitojnë edhe nga projektet ndërkombëtare (të BE, NATO, OKB, etj) të kërkimit shkencor. Kjo është realizuar dhe ndihmon universitetet private për konsolidimin e tyre.

Ky ligj pretendon të instaloj një model financimi konkurrues të arsimit të lartë, kur buxheti është krejtësisht i pamjaftueshëm. Qeveria le të filloj me shtimin e buxhetit për arsimin e lartë, për të arritur të paktën 1.5 % të GDP, dhe pastaj mund të pretendohet për implementimin e një modeli të tillë. Sot buxheti i arsimit të lartë publik me rreth 145 mijë studentë është sa 1/10 e buxhetit të Universitetit të Stambollit që ka rreth 90 mije studentë!! Shqipëria shpenzon nga buxheti rreth 400 Euro në vit për një student, ndërkohë që edhe vendet më të varfëra te BE si Rumania, Bullgaria, shpenzojne të paktën 4000 Euro ne vit per nje student, pra të paktén 10 herë më shumë!

Ku projektligj ka shumë aspekte të tjera që cënojnë autonominë dhe vetqeverisjen e universiteteve, vendosin kontrollin e plotë politik të qeverisë në universitete, rrisin pasigurinë e pedagogëve për vendin e punës, mbyllin universitetet për prurjet e reja me nivel te larte kualifikimi, kufizojnë rolin e studentëve, kufizojnë mundësinë e të rinjve për vijimin e arsimit të lartë, nuk krijojnë mundësi reale për zhvillimin e arsimit të lartë profesional, etj.

Me këtë ligj arsimi i lartë bëhet shumë më i shtrenjtë, madje krahasuar edhe me disa vende të BE që aplikojnë tarifat e ulta ose zero. Kjo do të thotë se, më pak të rinj do të kenë mundësi të vijojnë arsimin e lartë. Për të tjerët ka dy rrugë: të heqin dorë nga ëndrra e tyre për shkollim të lartë ose të largohen jashtë vendit për të studjuar nëse prindërit e tyre kanë mundësi financiare, cka do të nisë largimin e trurit dhe të rinisë nga vendi.

0 comments:

Post a Comment