Friday, July 10, 2015

Komisioner i BE-se mbi projekt-ligjin e arsimit të lartë

 

Xavier P. Monne

Panorama, 09. Korrik, 2015, Vizion jo konsensus per arsimin e larte.

http://www.panorama.com.al/vizion-jo-konsensus-per-arsimin-e-larte/

Që Shqipëria është një vend i ri, kjo është e dukshme. Ju keni një moshë mesatare prej 31 vjeç, ndërsa në vendin tim (Spanjë) mosha mesatare shkon në 41 vjeç. Që Shqipëria është një vend që beson në të ardhmen e tij, është gjithashtu mjaft e dukshme, kur shohim se sa prej fëmijëve tuaj, familjeve tuaja dhe qytetarëve shqiptarë besojnë tek arsimi. Është mjaft evidente që shqiptarët besojnë në arsim, pasi ju keni 20.000 studentë që regjistrohen në universitete çdo vit dhe 4500 studentë, të cilët shkojnë jashtë shtetit për të kryer studimet e tyre. Kjo mund të mos jetë një shifër e shkëlqyer në terma afatgjatë, por megjithatë përbën pa dyshim një shembull se si njerëzit në këtë vend janë të gatshëm të paguajnë çmimin për arsimim. Ky është një rast, që zhvillohet brenda një kontinenti, i cili aktualisht nuk po shquhet se beson shumë në të ardhmen e tij. Në këtë kontekst dhe e thënë me modesti, sa më sipër, përbën ndoshta një ndër asetet më të mëdha të vendit tuaj.
Është mjaft e dukshme edhe për një vëzhgues nga larg që në fushën e arsimit të lartë Shqipëria ka bërë progres të konsiderueshëm. Gjatë këtyre dhjetë viteve të fundit, numri i studentëve u rrit nga 50.000 në 170.000. Kjo mendoj se është një arritje reale.

Për sa i përket mbrojtjes së nivelit të autonomisë në arsimin e lartë, Shqipëria në ndryshim jo vetëm me vendet e Europës Juglindore, por edhe me ato të Europës Jugore, si vendi im ku arsimi është kryesisht një sistem kontrolli dhe autoriteti të fortë, shënon gjithashtu një progres të madh.
Gjithashtu, parë nga një këndvështrim i jashtëm, është e lehtë të konstatohet se vendi juaj ka mjaft sfida për t’u përballur. Ndoshta edhe më shumë nëse do ta krahasonim me Spanjën. Më lejoni t’ju theksoj disa ndryshime të dukshme ndërmjet Shqipërisë dhe Spanjës, sa u përket këtyre sfidave. Ju jeni një vend me një popullsi diçka më pak se tre milionë banorë. Deri në muajin tetor, ju keni pasur 57 universitete dhe keni harxhuar rreth 40 milionë euro në vit për arsimin e lartë ose, e thënë ndryshe, rreth 500 euro për person. Spanja ka 45 milionë banorë, pesëmbëdhjetë herë më shumë se Shqipëria, dhe shpenzon 50 mijë euro për student në vit ose dhjetë herë më shumë sesa Shqipëria. Pra, ky është një tregues natyrisht mjaft i thjeshtëzuar se financimet në arsim, struktura e arsimit të lartë dhe qëllimi strategjik i arsimit të lartë përbëjnë një sfidë për vendin tuaj, sikundër edhe për vende të tjera.

Pra, duke pasur parasysh se kam pak njohuri, nuk do të shpreh gjykimin tim për një projektligj, i cili duhet vlerësuar dhe gjykuar nga universitetet tuaja, nga aktorët kryesorë dhe grupet e interesit dhe nga qytetarët shqiptarë. Nuk është detyra ime të jap një gjykim të tillë. Jo sepse më mungon njohuria, por sepse nuk mund t’i tregoj Shqipërisë se si ajo duhet të organizojë sistemin e saj të arsimit të lartë.
Ne kemi shpenzuar dy ditë në Vlorë (një vend i cili ka domethënie historike për ju dhe vendin tuaj), së bashku me përfaqësues të Komisionit Europian, me ministrat e Arsimit të vendeve të rajonit, duke u përpjekur të analizojmë sistemin e arsimit, arsimin e lartë, cilat janë të përbashkëtat dhe çfarë mund të mësojmë prej njëri-tjetrit.
Ajo që do të më pëlqente të provoja tani, është ajo që po përpiqesha të bëja edhe gjatë rrugës së kthimit nga Vlora. Do të doja t’u propozoja kolegëve të mi (e di që ata ndoshta do të më urrejnë për këtë) që të më përshkruanin projektligjin për arsimin e lartë në dy fjali dhe të më shpjegonin në dhjetë minuta se çfarë parashikon ky projektligj. Unë sigurisht që e lexova projektligjin, lexova dhe raportin e Komisionit [për reformën në arsimin e lartë dhe Kërkimin Shkencor] dhe më pas pyeta kolegët që të tregonin me një fjali ndryshimet që propozohen nga këto dokumente.

Mendoj se ky ligj [projektligji për arsimin e lartë] është një përgjigje sistemike shqiptare për problemet me natyrë universale në arsimin e lartë. Kjo është ajo çka përfaqëson ky ligj. Ju keni veçanti në vendin tuaj që janë vetëm tuajat, por unë besoj se edhe Komisioni Europian di me siguri diçka. Që problemet në arsimin e lartë kanë kryesisht natyrë përgjithësuese.
Po ju sjell në vëmendje tri arsye përse mendoj se ligji është një përgjigje sistemike shqiptare për problemet universale dhe pse, sipas mendimit tim, ky është një projektligj me natyrë thellësisht strategjike.
Arsyeja e parë është mjaft e thjeshtë. Ligji fillon me vizion. Fjalët e para të projektligjit janë: “Arsimi i lartë është një e mirë dhe përgjegjësi publike”. Ky është një pohim shumë premtues. Çfarë nënkuptohet me të? Do të thotë se arsimi synon të promovojë njohuritë, të transferojë njohuritë, të promovojë dijet, t’i shkëmbejë ato, të ruajë njohuritë dhe të udhëheqë mësimdhënien dhe kërkimin shkencor. Sigurisht që kjo qëndron. Gjithashtu arsimi duhet ofruar nëpërmjet shanseve të barabarta. Megjithatë, ka diçka edhe më të rëndësishme.

Arsimi është atje për të kontribuar për të ardhmen e vendit. Unë nuk mund të sjell ndërmend asnjë vend të botës, as edhe Korenë e Veriut, që nuk po mendon gjerësisht mbi mënyrën se si të reformojë sistemin e tij të arsimit të lartë. Përse ndodh kjo? Jo sepse arsimi i lartë ka nevojë të përmirësohet, por sepse neve na duhet të ndryshojmë mënyrën se si mësojmë studentët aktualisht.
Kryeministri u tregua mjaft i sinqertë dhe i drejtpërdrejtë dhe unë po marr guximin ta citoj e të them se “Nuk ka asnjë lloj mundësie që ndonjëri prej nesh të mbijetojë brenda shoqërisë aktuale, nëse kemi parasysh efektet e globalizimit, teknologjisë dhe ndryshimeve demografike ndaj zhvillimit tradicional.” Nuk ka asnjë shans për të mbijetuar nëse nuk vërehet dhe analizohet më me vëmendje se çfarë mund të bëjë arsimi për ne. Ajo që unë kuptoj nga vizioni i këtij ligji, është se shpenzimet në arsim janë kosto, por edhe investim. Prandaj, nëse mendoni se arsimi kushton shtrenjtë, ju ftoj ta rimendoni këtë pohim.

Natyrisht që ka edhe diçka tjetër. Ekziston një e ardhme premtuese jo vetëm sa i përket arsimit të lartë si e mirë publike. Unë mendoj se arsimi i lartë është një premtim, institucionet e arsimit të lartë përbëjnë një potencial të fortë për zhvillimin e vlerave publike dhe sociale. Kjo është ajo që ne shpresojmë të arrijmë në fushën e arsimit të lartë jo vetëm brenda Europës, por edhe më gjerë. Pra, vizioni që unë shikoj, është mjaft i thjeshtë. Institucionet arsimore do të duhet të bëjnë përpjekjen e jashtëzakonshme për të ndryshuar mendësinë aktuale dhe për të kaluar nga një fokusim ekskluzivisht tek ekselenca në një orientim drejt impaktit. Impaktit te shoqëria, impaktit te njerëzit, impaktit te qytetarët. Kjo është arsyeja përse çdo reformë tjetër sistemike nuk është për institucionet e arsimit të lartë e as për rektorët, por është për qytetarët dhe studentët.

Arsyeja e dytë është gjithashtu e lehtë për t’u kuptuar. Sërish ka mjaft evidencë që vendi juaj ndodhet në një fazë specifike të një problemi universal. Ajo që bën ligji, ajo që bën reforma aktualisht, është të propozojë një marrëveshje të re. Një format që propozon shumë më tepër përgjegjësi dhe shumë më tepër liri. Më tepër liri në shkëmbim të përgjegjësisë. Kjo është një tendencë për një të tretën e vendeve tona [europiane] dhe jo rastësisht. Këto vende kanë njohuri dhe të kuptuar mjaft të qartë se fondet publike do të shkurtohen, se ka mjaft pretendime legjitime për fondet publike, arsimin, shëndetësinë e kështu me radhë.
Prandaj, nuk duhet menduar se arsimi është i shtrenjtë, por se mund të harxhohen më shumë para në arsim duke pasur rezultate të ndryshme. Në fund të ditës, marrëveshja është mjaft e thjeshtë. Në fillim e gjithë reforma është një punë e vështirë, por më vonë ajo shfaq potencialin për të përfituar shumë më tepër nga arsimi. Ky mendoj se është propozimi i dytë interesant. Ky propozim nxjerr në pah pa dyshim edhe një ndryshim në mentalitet. Për shumë institucione arsimore, sidomos në vende si juaji dhe si imi, ku nuk ka aq shumë liri dhe aq shumë autoritet, po shumë stabilitet, kjo është një sfidë mjaft e vështirë.

Arsyeja e tretë nuk lidhet me përmbajtjen e projektligjit, por me procesin. Procesi filloi me krijimin e Komisionit [Komisioni për Arsimin e Lartë dhe Kërkimin Shkencor] në nëntor të vitit 2013. Më duhet të them se, kur po njihesha me procesin, nuk mund të mos mendoja për kohën kur unë si zyrtar mjaft i ri i Komisionit Europian isha tërësisht i magjepsur nga premisa e integrimit europian. Edhe unë vij nga sektori i arsimit, kam pasur fatin të punoj me një President të shkëlqyer [Zhak Delor], të cilit iu desh të përballej me një problem specifik. Ai kishte një vizion, por ai ishte mjaft i sigurt se nuk mund ta konkretizonte atë vizion pa pasur konsensusin e atyre të cilët do të ishin marrësit, përfituesit e këtij vizioni. Vizioni i tij ishte Tregu Unik [Single Market]. Projekti donte të vendoste lirinë e lëvizjes për mallrat, njerëzit, shërbimet dhe kapitalet. Për këtë, Komisionit i duhej që të hartonte rreth 300 akte legjislative. Si u arrit kjo? Fillimisht hartohet një “Green Paper”, mblidhen pikëpamjet dhe vizioni i aktorëve kyçë dhe më pas hartohet një “White Paper” me propozime konkretë.

Sa më sipër, nuk më bën të shpresoj se procesi i reformës në arsimin e lartë ka krijuar një konsensus. Jam i sigurt se nuk do të ketë konsensus të gjithanshëm për ligjin. Megjithatë, nëse do të kishte një konsensus të tillë për ligjin në një fushë si arsimi, kjo do të nënkuptonte se ligji nuk propozonte ndryshime të mëdha. Mendoj se qëllimi i këtij procesi nuk është pasja e konsensusit, por pasja e një të kuptuari të qartë të vizionit pa pasur ende parasysh mjetet se si do të arrihet ky vizion.
Pra, këto tri pika janë në këndvështrimin tim tri arsyet kryesore që qëndrojnë për dikë, i cili di shumë pak për Shqipërinë, por që di mjaftueshëm për sfidat universale në arsimin e lartë.

Si shumë gjëra në jetë, duke përfshirë dhe ditëlindjet, një vit që përfundon është një fillim i ri. Ky ligj, sido që të kalohet, do të jetë vetëm fillim, pasi sfidat fillojnë vetëm më pas. Sfidat fillojnë kur duhet të shkojmë nga vizioni te strategjia dhe te zbatimi. Për këtë nevojiten tri gjëra.
Së pari, nevojitet udhëheqja, fokusi dhe rendi politik. Për sa i përket kësaj, unë nuk do të bëj asnjë koment. Neve na nevojitet gjithashtu ndryshim në para të investuara, sepse mendoj se është e dukshme për secilin, i cili lexon me sy të ndryshëm këtë ligj. Nuk është e vështirë të kuptosh atë që duhet të arrijë arsimi. Së fundi nevojitet gjithëpërfshirje dhe pjesëmarrje. Mund të kesh shumë ligje të ndryshme, shumë strategji të ndryshme, por në fund të ditës janë rektorët, të cilët janë hartuesit e autonomisë akademike dhe janë ata të cilët do të avancojnë përpara arsimin dhe do të udhëheqin universitetet. Prandaj, nëse rektorët nuk janë me ju, reforma nuk do të funksionojë.

0 comments:

Post a Comment