Sunday, July 5, 2015

Diskutime të qeverisë për projektligjin e arsimit të lartë

 

Në një konferencë për reformën në arsim, të titulluar “Universiteti i gjeneratës tjetër” në banderolë, apo “Shqipëria në hapësirën evropiane të arsimit të lartë” si nëntitull, kryeministri dhe ministrja e arsimit citohen të kenë kritikuar sërish sistemin e arsimit të lartë në vend dhe të kenë propozuar vizionin e tyre për zgjidhjen e këtyre problemeve.

Vlen të theksohet se mediat paraqesin vetëm fjalimet e kryeministrit, të plotë si në rastin e Shqiptarja.com (4 korrik, 2015), apo citate nga fjalimi i ministres. Nuk dimë se ç’është përfolur apo diskutuar tjetër në atë konferencë nga të tjerë. Veç nëse ka qenë një recital i drejtuesve. Kjo ndodh pse gazetarët ikin menjëherë pas kryeministrit, i cili zakonisht paraqitet për pak kohë, sikur në kohën e Berishës, të tregojë mbështetjen e tij, në mënyrë që të mblidhen rektorët e gazetarët.

Për studiuesit që ndjekin ligjërimin mbi procesin e politikbërjes në arsimin e lartë është e vështirë të hulumtohen pozicionet e kundërshtuesve të reformës sa kohë zëri i tyre nuk përcillet në media.

Në konferencë është cituar edhe Drejtori i Përgjithshëm për Arsimin dhe Kulturën në Komisionin Evropian, X. P. Monne. Në traditën e ekspertëve evropianë, skeptikë për nismat politike të çdo qeverie në vend, që mendojnë se me hartime ligjesh i kryen detyrat, Monne i ka lëshuar një kritikë administratës dhe qeverisë, se jo pak herë ligjet e reklamuara me daulle nuk zbatohen apo dështojnë për shkak të mungesës së vullnetit dhe aftësive së udhëheqjes politike.

Nëse ky ligj miratohet, aty do të jetë një fillim i ri. Sfidat do të fillojnë vetëm pas miratimit të tij, sepse do të duhet të kalohet nga vizioni, nga strategjia në implementim. Për këtë do të duhen tre gjera, lidership, dëshirë politike, fokus; së dyti të ndryshohet mendësia dhe së treti përfshirja dhe pjesëmarrja”

  1. Kronika nga Shqiptarja.com
  2. Fjalimi i plotë
  3. Njoftimi për shtyp i MAS

Pjesë nga fjalimi i vrazhdë i Kryeministrit

- {Reforma}Shënon një ndarje të prerë me të kaluarën, duke vendosur një vijë të qartë ndarëse mes asaj që është sot, arsimi ynë i lartë; i mbërthyer në një tërësi kthetrash dhe pamundësish për t’u zhvilluar në mënyrë të shëndetshme dhe asaj që do të jetë nesër, arsimi ynë i lartë; i gatshëm për të prodhuar jo vetëm kushtet në të cilat gjeneratat e reja do të marrin dijen në sistemin e Arsimit tonë të Lartë, por unë besoj edhe për të prodhuar një gjeneratë krejt të re shqiptarësh të arsimuar në vendin tonë.

.. {N}uk mund të ketë arsim shtetëror të nënës dhe arsim privat të njerkës, por duhet të ketë arsim publik të financuar nga shteti apo nga privati.

- Kjo qasje {sigurimi i cilësisë nëpërmjet vlerësimit të performancës së universiteteve’'} përbën edhe përmbysjen e raporteve në funksion të publikut, në kuptimin të shoqërisë, duke e bazuar financimin në treguesit e përformancës së universiteteve. Vetë sistemi do t’i shtyjë ato të modernizohen, të përmirësojnë shërbimin e ofruar për të qenë kompetitivë. Do t’i shtyjë të gjenerojnë më shumë kërkim shkencor dhe të synojnë më shumë bashkëpunim ndërkombëtar.

- Ligji bën me shumë të drejtë financimin publik për studentët, duke garantuar që shteti i gjendet pranë studentëve në nevojë, përmes një fondi të posaçëm bursash për të gjitha kategoritë që për pamundësi objektive financiare nuk i ndjekin dot studimet.

- garanton financim publik për studentët e shkëlqyer përmes fondit të tretë të posaçëm, që siguron që ata që janë më të mirët nuk trajtohen si këmbët e dhisë, por iu jepet mundësia që të jenë edhe më të mirë.

- ligji ka virtytin që rrit në mënyrë të ndjeshme autonominë universitare, duke i deleguar universiteteve publike një sërë vendimmarrjesh shumë të rëndësishme. .. Ky sistem që hyn në fuqi me ligjin e ri, faktikisht, vendos bazën e një autonomie reale universitare, por nga ana tjetër siguron që në emër të autonomisë të mos zhvillohet anarkia dhe mediokriteti maksimal.

- Ky sistem është për burimet që gjenerojnë kompeticion dhe cilësi qoftë në anën e arsimit të shtetit qoftë në anën e arsimit të privatit. Unë vazhdoj të mendoj se duke quajtur publik arsimin e shtetit dhe duke quajtur privat arsimin e privatit, ne kemi bërë një ndarje të padrejtë, e cila ka prodhuar vetëm probleme. Për ne, arsimi është një e mirë publike, pavarësisht nëse e merr në universitetet shtetërore apo private.

- Ky standardizim, faktikisht, sjell një sistem të vetëm qeverisës në arsimin e lartë, -flas për qeverisjen e brendshme, - sjell një set standardesh për të gjithë, të trupëzuar në një kod cilësie, sjell një sistem sigurie për cilësinë, sjell një sistem të unifikuar të kontrollit të ligjshmërisë dhe sjell një sistem që garanton konkurrencë.

- Nuk çojmë para publike në institucione private. Kjo nuk ekziston në ligj. Kush thotë këtë, thjesht e vetëm spekulon për t’i dhënë moral rezistencës, që bëhet medemek në emër të interesit publik, por që në thelb ka vetëm interesin e kastës. E një kaste, që është krijuar dhe mbahet në këmbë, vetëm sepse sistemi nuk është sistem autonomie reale universitare, nuk është sistem i administrimit real i universitetit dhe nuk është sistem që njeh konkurrencën, meritën dhe cilësinë.

- Përkundrazi, privatët bëjnë financim publik për arsimin publik. Kjo duhet të jetë shumë e qartë. Është një spekulim! Është për të ardhur keq, që në vitin 2015, në emër të mbrojtjes së autonomisë, lirisë dhe demokracisë vazhdon një propagandë kundër aktorëve privatë në arsimin publik, njësoj si ajo e komunistëve. E njëjta gjë, por me fjalë të tjera.

- Piramidat e arsimit tonë të lartë që vetëm në pamje janë ato që u mbyllën, se, në fakt, piramidat e arsimit tonë të lartë janë edhe në sistemin tonë publik. Edhe sistemi ynë publik ka piramida që japin diploma pa pikën e vlerës, që nuk i duhen dreqit. Pavarësisht se janë në rregull nga anët e tjera dhe paratë e studentëve nuk i marrin drejtpërdrejtë në dorë si sudet që u mbyllën, por i marrin nën dorë.

- Kërkimi shkencor është një tjetër farsë e madhe që ka vazhduar dhe që ne nuk mund ta lejojmë të vazhdojë. Në radhë të parë, duke e vendosur mbi baza të shëndetshme dhe pastaj se kur do të ketë kërkim të vërtetë shkencor në Shqipëri, kjo është për t’ia lënë kohës. Por kështu siç e kemi sot, vetëm kërkim shkencor nuk është.

- Ndërkohë, modernizimi i kërkimit shkencor në universitete krijohet si premisë në këtë ligj. Sigurisht që, ka një aspekt tjetër që duhet nënvizuar. Së pari, rolin rregullator për standarde dhe rregulla funksionimi që garantojnë sistemin. Së dyti, rolin financuesit dhe po flasim për rolin e shtetit.

- Për ta mbyllur, dua të them dy fjalë për Qendrën e Shërbimeve Arsimore që ofron në mënyrë të përmbledhur të gjithë shërbimet e qeverisë për nxënësit, studentët, por edhe për institucionet dhe trupat e institucioneve të rregulluara, për Agjencinë e Financimit të Arsimit të Lartë, si një ent i ri që në mënyrë transparente, profesionale dhe të paanshme financon universitetet publike. Financime, që ndahet buxheti pa ditur se ku po shkojnë dhe pastaj mbaron dhe mblidhemi prapë vitin tjetër mblidhemi prapë dhe ndajmë buxhetin, nuk ka më. Kush do para për të prodhuar cilësi në arsim, duhet të provojë që është në gjendje që të prodhojë cilësi në arsim.

- Kush thotë se ne nuk jemi BE-ja, nuk jemi Suedia, nuk jemi Anglia, nuk jemi Danimarka dhe kjo është shumë ambicioze, ka të drejtë ta thotë, por unë i them se ne nuk jemi Republika e Kasharit. Jemi një vend që synon të bëhet pjesë e BE-së dhe nuk mund të rrisim filizat e të ardhmes siç rriteshin filizat e marjuanës (sic) në Lazarat. Nuk mund ta kemi sistemin tonë të arsimit si plantacionet e Lazaratit.

- Ligji është bërë nga “A”-ja tek “Zh”-ja, pikë për pikë, nga këta burra dhe gra që unë u jam shumë mirënjohës dhe që jam i bindur që do ta shënojnë këtë moment të kontributeve të tyre akademike, shkencore dhe qytetare si një moment që do t’i bëjë shumë krenarë në të ardhmen sepse ky është guri i themelit i një arsimi tërësisht të transformuar.

0 comments:

Post a Comment