Monday, December 19, 2016

Analize mbi situaten ekonomike te sistemit te arsimit te larte privat


Gazetarja Ola Xama ka analizuar situaten financiare te tregut te arsimit te larte privat. Analiza permban kryesisht te dhena statistikore dhe financiare, por edhe spekulime. Ndersa grafiket jane te pakuptueshem pasi nuk kane informacione shtese mbi interpretimin e tyre (p.sh. si ai mbi xhiron). 

Ola Xama, Monitor, 17 Dhjetor 2016

http://www.monitor.al/biznesi-50-milione-euro-universiteteve-private-kush-e-mori-tregun-e-atyre-qe-u-mbyllen/

Komentet e vleresimit nga autori i blogut jane ne te kuqe. 
 
Dy vite pas mbylljes së gjysmës së universiteteve private nga ana e Ministrisë së Arsimit, ato që rezistuan, në pjesën më të madhe, kanë përmirësuar bilancet dhe kanë rritur fitimet e tyre. 23 shkollat e larta tashmë nuk po diskutojnë më rënien e xhiros vjetore, por janë futur në luftën e egër për të marrë sa më shumë studentë. 11 universitetet më të mëdha private qarkulluan 35 milionë euro në 2015 dhe fituan rreth 6 milionë euro, ndërsa tregu (përfshirë dhe 2 universitete OJF) vlerësohet se i kalon 50 milionë euro. Universitetet që morën tregun e atyre që u mbyllën

Nuk është vetëm çmimi i lartë që një shkollë private ofron për studentët (krahasuar me publiken) problemi i vetëm në tregun e arsimit. Cilësia e shkollave private hapi një debat të madh përpara disa vitesh se cila ofronte diploma cilësore dhe sa rëndësi kishte dija që ato jepnin për nxënësit, dhe sigurisht e ardhmja e këtyre studentëve. Në Shqipëri është e vështirë të matësh cilësinë e shkollimit dhe punësimin e brezave që dalin nga universitetet. Një arsye lidhet me faktin që nuk ka ende një listë orientuese të profesioneve për të cilat ka nevojë tregu. Së dyti, për shkak të antologjisë që është krijuar rëndom në këto vite: edhe nëse ke një diplomë të mirë në “shtet”, sërish mund të ngelesh pa punë!


Lulëzimi i shpejtë i biznesit “universitet” solli hapjen e mbi 50 të tillëve në Shqipëri deri në fund të 2013-s, ku dukej se në qendër të vëmendjes ishte prodhimi i sa më shumë diplomave, në një kohë që nuk kishte asnjë institucion që të bënte renditjen dhe orientimin e nxënësve se ku të shkonin dhe cili ishte më i miri. [Ne fakt eshte realizuar renditja ne vitin 2011 dhe orientimin e kryente Ministria dhe APAAL.] Por ky shërbim, me sa duket, rezultoi i leverdishëm për shumë familje të cilat kërkojnë të diplomojnë fëmijët e tyre, edhe pse në disa raste këta nxënës nuk e meritonin diplomën [Gazetarja nuk jep asnje shembull se kur ishte keshtu].
Numri i studentëve të regjistruar në shkollat private ka ndjekur një trajektore rritëse që prej vitit 2003, kur është hapur shkolla e parë e lartë private e deri në vitin shkollor 2011/2012, kur arriti rekordin, në rreth 35 mijë, sipas të dhënave të INSTAT.
Ky numër ra në rreth 31 mijë në vitin 2013-2014, kohë kur qeveria mbylli një pjesë të konsiderueshme të tyre dhe zbriti më tej në rreth 25 mijë në 2014/2015, duke rezultuar rreth 27% më i ulët se rekordi i 2011/2012.

Edhe pse në total, numri i studentëve në privat është ulur, universitetet që mbetën kanë shtuar studentët që mësojnë në këto ambiente mesatarisht me 100 nxënës për një shkollë. Të vetmit që kanë pësuar rënie të numrit të tyre në vitin shkollor 2014/2015 ishin Universiteti Europian i Tiranës, Universiteti i New York Tirana dhe Ivoclar & Vivadent. Ndërsa Universiteti Mesdhetar, Tirana Business University, Canadian Institute Of Tenchnology dhe Wisdom kanë dyfishuar numrin e studentëve. Gjithsesi, listën e shkollave më të mëdha vijojnë ta kryesojnë Albanian University (ish-UFO), që shtoi 563 studentë në vitin akademik 2014/2015 dhe Universiteti Europian i Tiranës, që gjithsesi pa një tkurrje me rreth 600 studentë për të njëjtin vit akademik.
Në vlerë absolute, shtesën më të lartë të studentëve në 2014/2015 e kishte Universiteti Mesdhetar, me 655 të tillë, i ndjekur nga Albanian University me 563, Marin Barleti me 500, Metropolitan me 482, Tirana Business University me 311. [Gazetares nuk i shpeton asnje koment mbi lidhjet politike te ketyre institucioneve me qeverine.]
 

Rilulëzimi i universiteteve private, tregu arrin 50 milionë euro
Edhe pse në vitin 2013, të ardhurat në shkollat e larta private filluan të binin, sot tregu i ngushtuar ia ka arritur t’u japë një xhiro më të madhe se 2013-a. Në këto dy vite, bilancet e shkollave private janë përmirësuar dhe fitimi është i mirë, po të kemi parasysh kontekstin ekonomik, ku shumë biznese me investime të majme ia dalin me vështirësi të mbijetojnë.
Nëse për të hapur një biznes në sektorin e naftës, bankave apo edhe bujqësisë të duhen miliona dollarë investime që të arrish të sigurosh fitim, paratë për të filluar një shkollë private janë shumë herë më të pakta. Mjafton të marrësh një godinë me qira, të blesh tavolina, karrige, kompjuterë, libra dhe ja ku u bë! Shpenzimet më të shumta të universiteteve janë për pagat e punonjësve dhe marketing. Por këto kosto, me sa duket, ia dalin të mbulohen më së miri nga tarifat që paguajnë studentët, të cilat nisin nga 2 mijë euro dhe shkojnë deri në 5 mijë euro për disa shkolla. [Asnje argument nga gazetarja mbi keto shifra, edhe pse ka shume studente qe nuk paguajne tarifa te plota.]
Për vitin 2014 dhe 2015, bilancet e universiteteve që konkurrojnë me njëri–tjetrin mbi bazë të numrit të studentëve dhe cilësisë së diplomave janë përmirësuar në mënyrë konstante. Xhiron më të madhe e zë Albanian University, me 15 milionë dollarë, i cili pasohet nga grupi Turgut Ozal, që ka në pronësi dhe Universitetin Epoka me 13 milionë dollarë dhe UET, me 7.8 milionë dollarë të ardhura.
New York, që ka një numër të vogël studentësh, por tarifa të larta krahasuar me mesataren, ka siguruar në fund të 2015-s 3.8 milionë dollarë të ardhura.
Universiteti Aldent ka shënuar rritje të fortë të të ardhurave, me 58%, në rreth 2.3 milionë euro.
Në total, 11 universitetet më të mëdha në vend (të regjistruara si biznese) qarkulluan 35 milionë euro në 2015-n, sipas xhiros së deklaruar në bilanc (shiko tabelën) me një rritje prej 11% me bazë vjetore dhe fitimet në total arritën në rreth 6 milionë dollarë. Këtu nuk përfshihen të dhënat e Universitetit Mesdhetar (Qendrës Mesdheu) dhe Zojës së Këshillit të Mirë, të cilët janë ndër më të mëdhatë, por janë të regjistruara si organizata jofitimprurëse dhe nuk dorëzojnë bilanc në Qendrën Kombëtare të Biznesit. Duke marrë në konsideratë që në arsimin e lartë privat ishin regjistruar në vitin akademik 2014/2015 rreth 25 mijë studentë dhe një tarifë minimale prej 2000 eurosh për student, tregu i universiteteve private llogaritet të qarkullojë të paktën 50 milionë euro në vit.


Norma të larta fitimi
Institucionet arsimore më fitimprurës janë Albanian University (ish-UFO), me një normë fitimi (para taksave) të lartë prej 32% në 2015-n, ndonëse në rënie në krahasim me një vit më parë, dhe Aldent, me një marzh prej gati 38%. Më pas renditet Marin Barleti, që ka dyfishuar normën e fitimit në gati 33%.
Universiteti Europian i Tiranës mori mbrapsht në formë fitimi (para taksave) 17%.
Disa prej shkollave të larta vijojnë ende me humbje, si Tirana Business University dhe Polis. Humbjet janë veçanërisht të larta për Institutin Kanadez të Teknologjisë.
Të zhytura në kredi e detyrime
Pothuajse të gjitha shkollat private kanë një kredi në bankë për të shlyer, dhe përveç huas së marrë për investime, e cila mbulohet nga interesa të ulëta, shumë prej tyre kanë detyrime në formën e overdrafteve apo kredive konsumatore të marra për situata emergjente. Si çdo biznes, edhe universiteti ka problemet e tij. Rastet më të shumta në mangësinë e të ardhurave janë nga vonesat në arkëtimet e pagesave të studentëve, të cilat më pas krijojnë dhe zinxhirë në vonesat e pagat e punonjësve në këto shkolla. Por një nga arsyet e këtyre kredive për disa nga universitetet janë dhe investimet që kanë dashur të bëjnë në ambiente më të mira. Këto në vite të ndryshme, kanë përmbysur dhe bilancet, të cilat mund të siguronin fitime të mira.
Si çdo shoqëri tregtare, shkolla të ndryshme kanë probleme të ndryshme. Situata financiare ka bërë që një pjesë e mirë e tyre të kenë shuma të konsiderueshme parash për të dhënë për qiratë ku kanë pasur godinat. Një universitet nuk ka paguar rreth 580 mijë euro qira, dhe në listë me të janë dhe tre të tjerë. Po ashtu detyrime janë akumuluar dhe për paga punonjësish dhe reklama.
Po sa rrezikojnë detyrimet të ardhmen e tyre? Që një biznes të jetë i shëndetshëm financiarisht, nuk duhet që totali i borxheve që ka, i cili përfshin detyrimet afatshkurtra dhe afatgjata, të jetë mbi 1.5 herë më i lartë se vlera totale e kapitalit të tij. E po ta marrësh në këtë lloj renditjeje, sërish universiteti më i mirë nga kjo pikëpamje është Albanian University. Detyrimet e kësaj shkolle janë më të vogla se kapitali dhe kanë koeficientin 0.4. Grupi shkollor Turgut Ozal, edhe pse nuk pati një fitim të lartë për vitin 2015, rezulton po ashtu me një raport të mirë të vlerës së detyrimeve ndaj kapitalit prej 1.17, ndërsa i treti është Aldent, me koeficientin 1.32, i ndjekur nga New York (1.64). Universiteti Europian i Tiranës ka vlerën më të lartë të detyrimeve përballë kapitalit të siguruar në këto vite. Sipas të dhënave të bilancit 2015, UET ka kredi prej 1.1 miliardë lekësh në Bankën Credins dhe Fondin Besa. Në total detyrimet e UET janë 9.7 herë më të larta se vlera e audituar e kapitalit nga eksperti kontabël, pas tij vjen Luarasi me një raport detyrime/kapital 6.23.
Henri Çili, administrator i UET, shpjegon se detyrimet e larta lidhen me një kredi që është marrë për financimin e kampusit të ri në Sauk. Pavarësisht se bilanci 2015 tregon një raport të përkeqësuar të detyrimeve, Çili thotë se pagesa e kredisë është e garantuar nga pasuritë e paluajtshme të grupit, konkretisht godina B e ndërtesave ekzistuese, e cila është dhënë në shfrytëzim. “Të gjitha pasuritë imobiliare dhe kapitalet e tjera janë të mbledhura në një grup të ri UET Enterprise Consulting dhe financimin e kampusit të ri në Sauk, projekt-idenë e të cilit e ka bërë Bashkim Zahaj, që do të bëhet kryesisht nga të drejtat pasurore mbi asetet që tashmë grupi ka (godina B e vendndodhjes aktuale) dhe do të përmbushë gati 75% të kostos”, thotë Çili.

Shpenzime të majme për rroga dhe marketing
Që të bësh biznes me universitete, patjetër që do të duhet të sigurosh një staf të mirë dhe me emër. Në konceptin e liberalizimit të tregut të punës dhe rritjes së vlerës së mësimdhënies, privatëve duhet t’iu dihet një “nder”: rivendosja e meritokracisë në pagat e profesorëve. Ndryshe nga sektori publik, i cili mund të ketë emrin më të njohur dhe të kërkuar nga studentët, pagat më të larta për t’u punësuar patjetër që janë te privati. Presidenti, rektori dhe dekani arrijnë në një rrogë gati 5-fish më të lartë se në shkollën shtetërore, e po ashtu afro dy herë më e madhe është edhe pagesa për pedagogët e ndryshëm.
Tërheqja e stafit akademik më të mirë në këto universitete solli dhe një hapje të tregut të lektorit, profesorit, doktorit. Tashmë janë studentët që zgjedhin ata, janë meritat që përcaktojnë shpërblimin që ata marrin.

I madh është edhe buxheti për marketing. Për disa vjet, universitete të ndryshme kanë pasur të barabarta kostot për pagesën e stafit me atë të marketingut që bëhet për studentët. Me sa duket, në një treg ku duhet të marrësh sa më shumë nxënës, reklama dhe shpenzimet për të janë një formë e mirë. [Asnje e dhene nuk paraqitet mbi kete pohim.]

A do të arrijnë të mbijetojnë privatët?
Tregu i universiteteve private mund të ofrojë “për të mbijetuarit” një të ardhme të mirë. Në bazë të numrit të studentëve dhe cilësisë së diplomës, ligji i ri në arsimin e lartë do t’i subvencionojë ata me para nga buxheti për të bërë liberalizimin e tyre. Por pyetja që ngrihet është se a do të ketë kjo një kosto për studentët që duan të ndjekin publiken? Çështja e dytë që shtrohet është se sa e dobishme është dhënia e parave disa bizneseve të cilat kanë në thelb të tyre fitimin, kur nuk dihet ende se sa studentë të dalë prej tyre janë punësuar, pa diskutuar dhe nivelin e pagës me të cilën fillojnë punë? Sot Shqipëria ka 23 universitete private, me afro 25 mijë studentë dhe 12 publike me 121 mijë studentë. A do të arrijnë të gjithë të sigurojnë punësim? A ia vlen të sakrifikojnë duke studiuar, duke paguar, duke humbur orët që mund të bënin një punë ku të siguronin të ardhura, në mënyrë që të marrin një diplomë? A do t’i vlejë kjo diplomë?
13 universitete private u mbyllën në vitin 2013, ku diploma e shumë prej studentëve që përfunduan arsimin e lartë pranë tyre, sot me sa duket paragjykohet, me apo pa të drejtë. Në një raport të Ministrisë së Arsimit, rezultoi se afro 900 nxënës të këtyre shkollave ishin të huaj, në një kohë që leksionet i merrnin në gjuhën shqiptare, shkeljet dhe cilësia e tyre vuri në pikëpyetje edhe diplomat e merituara të shumë prej studentëve që morën dije aty. Të vetmit të cilët përfituan, ishin ata që nuk arritën të përfundonin studimet në vitin që u mbyllën, por në bazë të krediteve të marra shkuan në universitetet e mbetura publike dhe private.

Kur universiteti kthehet në bar-kafe ose firmë ndërtimi
Universiteti Justiniani I rezulton të ketë ndryshuar emrin në U–I dhe pas problemeve me përmbaruesit, në fund të vitit 2014 ka ndryshuar objektin e aktivitetit nga “Përgatitja e specialistëve të lartë në fushën e shkencave juridike” në “Hapje bar-bufe, restorant” etj.
Objektin e aktivitetit e ka ndryshuar dhe Shkolla e Lartë Jopublike Vitrina, që është kthyer në studio projektimi dhe ndërtimi. Universiteti Argenti në Shkodër ka ndryshuar gjithashtu objektin e aktivitetit në firmë ndërtimi, ashtu si kishte qenë dhe në fillimet e aktivitetit. Është interesante se si firma ndërtimi, apo autoshkolla (në rastin e Vitrina) me lulëzimin e universiteteve private u kthyen në institucione arsimore.
Universiteti Kristal, një ndër më të mëdhenjtë që u mbyll, rezulton në QKB me status të pezulluar. Të pezulluar janë dhe Universiteti Planetar i Tiranës, Universiteti Ndërkombëtar i Tiranës etj.
Universiteti Sevasti & Parashqevi Qirjazi, pasi u pezullua në vitin 2014, është bërë sërish aktiv në shkurt të vitit 2016, teksa ka ndryshuar dhe pronësi (Robert Dako i ka shitur 100% të aksioneve Aleks Uldedaj). Blerësi ka marrë përsipër të paguajë dhe detyrimet tatimore. Shkolla nuk ka pasur ndryshim të objektit të aktivitetit.












Sunday, November 27, 2016

Pronari i nje shkolle private mbron politikat e qeverise dhe kundershton protesten e studenteve



Kujtim Cashku, nje ish-regjizor i njohur shqiptar, dhe pronar i shkolles private, Akademia Marubi, ka share e kundershtuar studentet qe kane protestuar kunder politikave te qeverise dhe znj. Ministre Lindita Nikolla.

Kompania: Ora Film
Administratori: Kujtim Cashku (100%)
NIPT: J62424003O
Licensimi: VKM Nr.652, datë 30.09.2004
Programe: Bachelor Specialist i Lartë në Film dhe Media, me profile: Regjisurë, Skenar, Kamera, Montazh
Dokument akreditimi: Urdhër Nr.227, datë 26.05.2008
Akreditimi i vlefshëm deri në: 2014-05-26



Z. Cashku eshte i njohur per pretendimet e tij mbi pronat e ish-Kinostudios, ku jane edhe vendosur mjediset e Akademise, te zaptuara prej tij. Konflikti atehere, ne 2009, u sheshua pas nderhyrjeve te studenteve te spektrit te majte qe nderhyne dhe u perballen me dhunen e policise private dhe asaj shteterore.


http://www.panorama.com.al/sulmi-me-salce-si-etje-per-gjak-e-neostalinisteve/


KUJTIM ÇASHKU, Panorama, 25.11.2016
E dashur Lindita,
Sulmi me salcë mbi kokën tuaj më shtyu që të bëj një refleksion të shkurtër ndaj fenomenit, duke e parë atë më shumë si një raport mes dukjes dhe thelbit në një realitet të përbashkët ku ne jetojmë dhe si një xhest me një efekt të caktuar mediatiko-politik. Mbrëmë vura re gazetaren Eni Vasili të TV “News 24”, e cila insistonte të dinte se si kishte reaguar familja juaj, pas sulmit me salcë mbi kokën tuaj, domethënë, çfarë kishin thënë nëna, burri, vajza etj., anëtarë të familjes suaj pas kësaj ngjarjeje.
Papritur ndjeva se pyetjeve të Enit, në heshtje po u përgjigjesha dhe unë vetë, duke thënë se, nëse do të isha një djalë apo vajzë e juaja, do t’ju adhuroja akoma më shumë për urtësinë dhe qetësinë që tregon ndaj çdo lloj histerie. Po kështu, nëse do isha një motër apo vëlla i juaji, do ndihesha i lumtur që i përkasim të njëjtës familje nga ku buron një edukatë e lartë qytetarie e mirësie. Nëse do të isha burri juaj, do t’ju dashuroja edhe më shumë, sepse tek e fundit dashuria na dhuron paqe, dhe kur ajo na mungon, buron dhuna.
Nëse do isha një shoqe apo shok i juaji, do ndjehesha mire intelektualisht, sepse do kishim se përse të bisedonim për fenomenet dhe efektet traumatike e postraumatike në shoqëritë totalitare, për anonimatin, personin, personalitetin, privatin dhe privaten, publikun dhe publiken e plot nën shtresëzime të tjera që lidhen fëmijërinë, faljen, pendesën apo dhe gjurmën e memories traumatike. Nëse do isha një nxënës apo student i juaji, do thosha me zë të plotë se dhe unë jam ose kam qenë dikur një student apo studente e Lindita Nikollës.
Dhe së fundmi, si një zë që më erdhi nga akoma më thellë e më tha:- se nëse do isha ende gjallë nëna ime si mësuesja e parë e Lindita Nikollës ajo e abetares së parë të saj, do t’i thosha tim biri, Kujtim Çashkut, që t’iu thoshte se dhuna mbin në zemrën e frikacakëve, fanatikëve dhe mediokërve. Se fjalërimet mashtruese dhe histeritë kolektive e individuale janë viruse e patologji, që mund të pushtojnë e molepsin këdo, kudo dhe kurdoherë, madje dhe njerëz e popuj të quajtur dikur të qytetëruar.
* * *
Në fakt, të gjithë e dimë se ende sot nuk është gjendur një ilaç çudibërës, që ta shërojë këtë virus të së keqes, siç është dhuna në mbarë botën. Përpjekja e vetme dhe e vazhdueshme e njerëzimit për t’u mbrojtur prej saj ka qenë dhe mbetet lufta e çdo dite për më shumë arsim, dije e kulturë. Një konflikt i hapur tek ne ka qenë dhe mbetet çështja e identifikimit tonë kulturor si otomanë, si oksidentalë apo si aksidentalë?!
Personalisht, sulmin ndaj reformës në arsim, përjashtuar ata të cilët kontribuuan me vërejtje të qenësishme gjatë hartimit të ligjit, unë e kam parë më shumë si një krizë identitare të disa grupimeve, argumentet e të cilëve lidheshin më shumë me fenomenin e statusquosë despotike të shtetit etatist që vë në kontroll gjithçka. Madje terminologjia që përdorej zëvendësonte fjalën popull me të skamurit dhe të shtetit me publiken duke i shpallur luftë të hapur nëpërmjet një doktrine neostaliniste privates, pronës dhe së drejtës, konkurrencës dhe tregut të lirë, institucioneve të pavarura dhe integrimeve europiane.
Pra, tek unë sulmi ndaj reformës apo reformave shihej dhe vazhdon të shihet si një fenomen antiperëndimor në vendin tonë. Lufta ndaj vlerave, gjoja në emër të barazisë parazitiste, mbrojtja e të skamurve me ngastra feudale të çdo mbreti të katundit, i cili e konsideronte veten qendër e botës, mendoj se përbën një rrezik aktual për Shqipërinë. Duke e parë këtë fenomen antireformë si një refleksion të një sulmi antiperëndimor në arsim, drejtësi apo kudo tjetër salca si skup mediatik mbi kokën e Znj. Lindita Nikolla është dukja e një thelbi më të thellë antiperëndimor madje dhe më kompleks në kuptimin psiko-social.
* * *
Si pedagog i Akademisë së Filmit Marubi, kohë më parë një student i yni kishte realizuar një film me një skenë krimi, ku koka e viktimës ish mbuluar me gjak. Në mënyrë asociative ajo kokë e viktimës së mbuluar me gjak më solli imazhin e kokës së Znj. Lindita Nikolla të mbuluar me salcë. E pyeta studentin se pse e kish mbuluar tërë portretin e viktimës me kaq shumë gjak dhe se si ai e kish realizuar teknikisht atë? Studenti m’u përgjigj:
– “E mbulova me salcë, profesor.” – Pastaj, ai nisi të më shpjegonte psikologjinë e personazhit agresor duke më thënë se agresori i tij nuk ngopej nga urrejtja që kishte kundër viktimës. Ai donte ta shihte kokën e viktimës ose të prerë, ose të mbuluar me gjak. Madje këtë kokë të ndëshkuar në emër të hakmarrjes ai dëshironte që ta shihnin sa më shumë njerëz si në kohët e Mesjetës, që i vinin koka të prera në kamaret e turpit apo në komunizëm, që i varnin njerëzit në mes të shesheve apo i shëtisnin viktimat qytet më qytet për të tmerruar të tjerët si forma “mediatike” të atyre kohëve.
Natyrisht kjo logjikë e studentit për të dhënë profilin psikologjik të agresorit ndaj viktimës, ndodhte në sferën e fiksionit dhe imagjinares, ku viktima dhe vrasësi ishin dy aktorë në një film, të cilët me artin e tyre krijojnë një efekt katharktik për publikun, duke shmangur teatrin tragjik të jetës kur vrasësi dhe viktima nuk janë më aktorë, por njerëz realë që e luajnë teatrin tragjik me jetën e tyre të përditshme. Thënë këtë, kuptojmë se shoqëritë joreflektive dhe pa imagjinatë kanë mungesë të theksuar të spektrit koloristik të jetës.
Atyre u mungon hapësira e shijes, u mungon morali, kodi etik dhe estetik që shërbejnë si oksigjeni i vetë jetës. Individët në këto shoqëri kanë vetitë që të dashurohen e të ndahen shpejt, të servilosen e të bëhen prepotentë shpejt, të trimërohen e të frikësohen shpejt, të poshtërohen e të heroizohen shpejt. Ata më lehtë kanë gjuhën e plumbit sesa të mendjes dhe penës. Ata janë idhnakë të prapë e mjeranë, të pabesë dhe pse nga mëngjesi deri në darkë s’bëjnë gjë tjetër veç flasin për burrëri e besë. Të qetë ata janë veç në gjumë, kur bien e flenë të lodhur nga urrejtja. Gjumin kanë si qetësim të vdekjes së përditshme.
* * *
Por le ta shohim nga një pikëpamje tjetër sulmin antiperëndimor të një portreti thuajse ikonografik të zonjës Nikolla që sulmohet dhe mbulohet me salcë. Pra, të shohim kokën e femrës bionde me sy të kaltër e të thellë, lëkurën e saj të bardhë e të lëmuar, sulmi ndaj kësaj koke femre, të zbuluar e pa burkë mbi krye, salca mbi të na merr një tjetër kuptim. Por le të shkojmë dhe më tej, bëhet fjalë për një ministre që nuk u vesh kurrë me “pantallona pushteti” për t’u dukur burrë i fortë pushtetar, por ajo mbeti femër, me sharm e delikatesë femërore, duke përdorur zërin e butë dhe argumentin si forcë të së vërtetës dhe jo dhunën siç ndodh rëndom nga pushtetarë që pushtojnë shtetin.
Lehtësisht e shkëputshme nga podiumi i ministrave për t’u ulur në tavolinën e z. Berisha, pra në tavolinën e kundërshtarit të saj, për të folur me gjuhën e argumentit. Natyrisht agresiviteti dhe urrejtja ndaj një fenomeni të ri atipik të shfaqjes së pushtetit si e drejtë e delegueshme dhe jo zaptuese në shoqëri totalitare përbën dobësi dhe mund të ndëshkohet lehtë qoftë dhe nga vegjëlia.
Ndodh shpesh që njerëz anonimë për t’u bërë të famshëm a për t’u faktorizuar, ndërmarrin akte dhune ndaj figurave me reputacion shoqëror, lokal apo botëror. Natyrisht emra të tillë siç dalin nga anonimiteti, ashtu dhe shuhen brenda po të njëjtës ditë efemeriste. Por dëmi që ato shkaktojnë nuk shuhet lehtë, qoftë ndaj njerëzve të pafajshëm, por ndonjëherë qoftë dhe ndaj atyre vetë në raport me memorien traumatike që ato i shkaktojnë vetes në vite.
Modeli atipik i Znj. Nikolla si pushtet është një kundërvënie e modelit të të fortit, të dhunës e urrejtjes, të plumbave dhe kafshimeve të Shqipërisë nga kriminelë e gangsterë politikë antiperëndimorë që realizojnë qëllimet me mjete dhune siç ndodh me terroristë e radikalistë, me populistë e nacionalistë të kohës që po jetojmë. Sulmet e tyre për të luftuar kundërshtarin janë befasia dhe jo dueli i hapur, përjashtueshmëria dhe jo përfshirja, dinakëria dhe jo arsyeja, goditja tek e pafajshmja dhe e çmuara, përdorimi i injorancës dhe varfërisë, për të mbajtur gjallë urrejtjen dhe luftën e për të cenuar dashurinë dhe paqen kudo që ajo ekziston.
* * *
Së fundi, kisha një lutje dhe për ju, Znj. Nikolla, që të shpallnit të falur studenten e salcës, duke e lënë atë në rrugën e gjatë të reflektimit dhe arsyes, për të kuptuar thellë se jo dhuna, por protesta ndaj çdo padrejtësie është drejtësi dhe jo urrejtja, por dashuria është fryt i lirisë.

Wednesday, November 23, 2016

Pezullohet disa pedagoge te Universitetit te Shkodres per mitmarrje

Skema - Goditet korrupsioni tek “Filologjiku” në Shkodër, dy pedagogë në pranga
 
Ora News, 21/11/2016 - 16:08
Korrupsioni godet sërish universitetin “Luigj Gurakuqi” të Shkodres.
Skandali i radhës ka përfshirë Fakultetin e Shkencave Shoqërore, ku prokuroria zbuloi skemën e korrupsionit në Departamentin e Historisë, duke vënë në pranga shefin e departamentit, Simos Lufi, dhe zëvendësdekanin, Rokin Dabërdaku.
Nga hetimi i organit të akuzës, mësohet se nëpërmjet disa personave që kryenin rolin e sekserëve, ata kanë krijuar një skemë korrupsioni në dhënien e provimeve, në vlera monetare që varionin nga 200- 700 euro.
Prokuroria ka arritur të zbulojë se zv/dekani i Fakultetit të Filologjisë dhe Shefi i Katedrës së Historisë, nëpërmjet sekserëve Vehbi Bala dhe Ndoc Deda, kanë marrë para nga studentë të ndryshëm.
Në këmbim, pedagogët u kanë siguruar studentëve nota kaluese në provime të ndryshme ose vlerësime të larta, të cilat më pas do të shërbenin për regjistrimin në master.
Gjykata e Shkodrës pranoi kërkesën e Prokurorisë dhe vendosi masën e sigurisë “arrest në burg” për R. Dabërdakun dhe S. Lufin, të akuzuar për korrupsion pasiv.
Të dyshuar për “Ushtrim ndikimit të paligjshëm” në rolin e sekserit janë Vehbi Bala dhe Ndoc Deda, si dhe
Ndërsa për “Korrupsion aktiv…” B . dhe V. A., R. T. dhe A. L.
Ky skandal vjen pak muaj pas atij të pedagoges së Biokimisë, D. Kopliku e cila u filmua duke marrë 100 euro për provim, nga një emision investigativ.
 http://www.oranews.tv/vendi/shkoder-arrestohen-dy-pedagoge-te-lendes-se-historise-dhe-3-studente/

Saturday, November 19, 2016

Studetet aktiviste protestojne ndaj Ministres se Arsimit Lindita Nikolla

Dt. 16.11.2016

Ministrja e Arsimit dhe Sportit znj. Nikolla eshte akuzuar nga studentet si pergjegjesja kryesore e situates ne arsimin e larte. Studentet kane shprehur pakenaqesi dhe kane protestuar mbi reformen e arsimit te larte, rritjen e tarifave, situaten e krijuar me paligjshmerine e sistemit te pranimeve ne universitet etj.

Per kete nje studente aktiviste, Mirela Ruka, ka hedhur nje shishe me salce ndaj Ministres Nikolla ne nje organizim te Partise Socialiste.


Studentja eshte arrestuar dhe mbajtur ne komisiaratin e policise per 10 ore. Studente te tjere aktiviste kane kerkuar lirimin e saj menjehere pran komisiaratit.

Video: Zoom In.
https://www.youtube.com/watch?v=-tJZkOVVQXA

Thursday, November 17, 2016

Rektore te institucioneve private kritikojne Ministrine e Arsimit

Rrjeti i Pavarur i Rektorëve: Të shqetësuar për vonesat e kuadrit ligjor

 
08 Nëntor 2016 11:35
http://www.mapo.al/2016/11/rrjeti-i-pavarur-i-rektoreve-te-shqetesuar-per-vonesat-e-kuadrit-ligjor/1
Mblidhet Forumi i dytë i Rrjetit të Pavarur të Rektorëve të IAL-ve private në vend. Deklarata e përbashkët i kërkon Ministrisë së Arsimit që të “të përmirësohen treguesit e konkurrueshmërisë së vlerave, të kapaciteteve e të standardeve mes dy sektorëve të arsimit të lartë”
Rektorët e universiteteve private në vend mblodhën të shtunën në Durrës forumin e dytë ku diskutuan për ecurinë e reformës në Arsimin e Lartë.
Ata shprehën shqetësim për vonesat në plotësimin e kuadrit ligjor të kësaj reforme dhe me anë të një deklarate të përbashkët i kërkojnë Ministrisë së Arsimit dhe Sporteve që të zbatojë parimi një kut një masë në vlerësimin e dy sektorëve, atij shtetëror dhe privat.
“Vërejmë se zbatimi i kësaj reforme tejet të rëndësishme për shëndetin e shoqërisë sonë dhe për të ardhmen europiane të saj, më shumë se një vit pas miratimit të ligjit të ri po vonohet dhe pengohet nga mungesa e kuadrit të plotë ligjor, si dhe nga mungesa e një stafi më të kualifikuar, më reagues e më të përgjegjshëm në Drejtorinë e Arsimit të Lartë dhe Shkencës pranë Ministrisë së Arsimit dhe Sportit. Deri më sot, asnjë prej vendimeve të Këshillit të Ministrave që, sipas përcaktimeve të Ligjit, duhej të ishin miratuar kohë më parë, nuk është marrë, çka ka krijuar paqartësi serioze, vonesa të theksuara në kalendarin e zbatimit të kësaj reforme dhe kosto e deformime të panevojshme në procesin fillestar të realizimit të reformës, sidomos në periudhën e regjistrimeve. Për këto arsye, kërkojmë plotësimin sa më parë të kuadrit ligjor dhe institucional të parashikuar në ligj”, thuhet në këtë Deklaratë.
Rektorët e universiteteve private shprehin shqetësimin se këto vonesa kanë sjellë dhe problkemet me regjistrimet në këtë vit akademik dhe shprehen se kjo ka dëmtuar sektorin privat.
“Vonesat në plotësimin e kuadrit ligjor dhe procedurat burokratike të aplikuara për regjistrimin e studentëve të vitit të parë e kanë dëmtuar dhe përkeqësuar padrejtësisht pozitën e sektorit privat në arsimin e lartë, siç dëshmohet edhe nga numri më i vogël se një vit më parë i regjistrimeve të reja. Për këtë arsye, kërkojmë që, në të gjitha aktet nënligjore që do të përgatiten e propozohen nga Ministria e Arsimit dhe Sporteve për miratim në Këshillin e Ministrave, të qartësohen dallimet mes institucioneve publike të arsimit të lartë dhe atyre private, sidomos lidhur me procedurat e përzgjedhjes të studentëve, brenda standerteve që përcakton Ligji dhe në frymën e parimit universal të autonomisë institucionale të institucionve të arsimit të lartë”, theksohet në Deklaratë.
Ata kërkojnë që të thjeshtëzohen procedurat e pranimeve për IAL-të private, ndërsa vënë në dukje se “asnjë prej elementeve të reformës, që do të përmirësonte treguesit e konkurrueshmërisë së vlerave, të kapaciteteve e të standardeve mes dy sektorëve të arsimit të lartë, siç janë, ndër të tjera, Letra e Prioriteteve dhe ngritja e Agjecisë së Financimit, nuk ka funksionuar”.
Deklaratën e kanë firmosur rektorët e IAL-ve private të pranishëm në këtë forum si më poshtë:
 Arben Malaj – Universiteti “Luarasi”
Mariglen Spiro – Universiteti “Marin Baleti”
Fatos Tarifa – Universiteti i New York-ut, Tiranë
Tonin Gjuraj –  Universiteti Europian i Tiranës
Agron Meta – Shkolla e Lartë “Aldent”
Endri Papajorgji – Tirana Business University
Ferdinand Gjana – Shkolla e Lartë “Beder”
Gungan Turan – Universiteti “Epoka”
Ilir Hebovija – Shkolla e Lartë Private “Mesdhetar”
Kristaq Pata  – Qiriazi
Lush Përpalaj – Shkolla e Lartë Jo Publike “Wisdom”
Sin Hoxha – Shkolla Private e Arsimit të Lartë “Pavarësia”
Vera Ostreni – Albania University
Luan Karcanaj – Kolegji Profesional
http://www.mapo.al/2016/11/rrjeti-i-pavarur-i-rektoreve-te-shqetesuar-per-vonesat-e-kuadrit-ligjor/1