Showing posts with label Universiteti i Shkodres. Show all posts
Showing posts with label Universiteti i Shkodres. Show all posts

Wednesday, November 23, 2016

Pezullohet disa pedagoge te Universitetit te Shkodres per mitmarrje

Skema - Goditet korrupsioni tek “Filologjiku” në Shkodër, dy pedagogë në pranga
 
Ora News, 21/11/2016 - 16:08
Korrupsioni godet sërish universitetin “Luigj Gurakuqi” të Shkodres.
Skandali i radhës ka përfshirë Fakultetin e Shkencave Shoqërore, ku prokuroria zbuloi skemën e korrupsionit në Departamentin e Historisë, duke vënë në pranga shefin e departamentit, Simos Lufi, dhe zëvendësdekanin, Rokin Dabërdaku.
Nga hetimi i organit të akuzës, mësohet se nëpërmjet disa personave që kryenin rolin e sekserëve, ata kanë krijuar një skemë korrupsioni në dhënien e provimeve, në vlera monetare që varionin nga 200- 700 euro.
Prokuroria ka arritur të zbulojë se zv/dekani i Fakultetit të Filologjisë dhe Shefi i Katedrës së Historisë, nëpërmjet sekserëve Vehbi Bala dhe Ndoc Deda, kanë marrë para nga studentë të ndryshëm.
Në këmbim, pedagogët u kanë siguruar studentëve nota kaluese në provime të ndryshme ose vlerësime të larta, të cilat më pas do të shërbenin për regjistrimin në master.
Gjykata e Shkodrës pranoi kërkesën e Prokurorisë dhe vendosi masën e sigurisë “arrest në burg” për R. Dabërdakun dhe S. Lufin, të akuzuar për korrupsion pasiv.
Të dyshuar për “Ushtrim ndikimit të paligjshëm” në rolin e sekserit janë Vehbi Bala dhe Ndoc Deda, si dhe
Ndërsa për “Korrupsion aktiv…” B . dhe V. A., R. T. dhe A. L.
Ky skandal vjen pak muaj pas atij të pedagoges së Biokimisë, D. Kopliku e cila u filmua duke marrë 100 euro për provim, nga një emision investigativ.
 http://www.oranews.tv/vendi/shkoder-arrestohen-dy-pedagoge-te-lendes-se-historise-dhe-3-studente/

Tuesday, September 6, 2016

Mitmarrje në Universitetin e Shkodres dhe Universitetin Bujqesor te Tiranes, vjeshte 2016

Dy universitet të përfolura disa here per korrupsion, ku madje disa pedagoge jane hetuar e denuar per mitmarrje, kane rene serish ne shenjestren e medias. Sic eshte e tradites ne Universitetin Bujqesor te Tiranes, nuk mungon rasti i favoreve seksuale kundrejt notes. Ne Shkoder znj. Ditika Kopliku e kish shnderruar ne tregeti te hapur vendosjen e notes kaluese ose te mire, me cmime prej 100 eurosh.

TV Klan, STOP, http://tvklan.al/stopkur-mesatarja-nuk-te-ben-pune-dhe-ngelesh-pa-shkolle/

5 & 6 Qershor 2016

Një ditë publikimit të kameras së fshehtë në emisionin investigativ “STOP” , ku tregohej mënyra korruptive sesi në këmbim të 100 eurove studentët merrnin provimin në Universitetin “Luigj Gurakuqi” të Shkodrës, Prokuroria e këtij qyteti nisi menjëherë hetimet për rastin në fjalë dhe urdhëroi arrestimin e Ditika Koplikut, shefe e Katerdrës së Biokimisë, e cila shfaqej duke marrë paratë në këmbim të provimit.

Top Channel , http://top-channel.tv/lajme/artikull.php?id=334844#k1
6 Shtator, 2016, Seks dhe para per provimet e 

Sekseri i kontaktuar nga bashkëpunëtorët e Fiks Fare në Universitetin Bujqësor të Tiranës, Besim Nasufi, pasi bëri ‘pazar’ për shumën e parave që duhej për provim, kërkon edhe favore seksuale.

Ai flet për një rast që e ‘kishte ndihmuar’ për të marrë provimet për tre vite, madje e kishte dërguar edhe në Gjermani.

“Ishte 3 vjet me mua. I mori të gjitha lëndët tak e tak, e futa edhe në master dhe e çova dhe në Gjermani. E rregullova unë. Kush ka ndenjur afër me mua me dëshirë të madhe e ka marrë diplomën. Me mua nuk e lënë dot pazarin e lartë pedagogët. Gjithandej mbarojnë punë me 200-300 euro, ndërsa mua më vijnë studentët part time dhe më thonë jam dorëzuar. Më bëj ça të duash”, thotë ai.

Pas kësaj, sekseri kërkon takim në një orar tjetër me bashkëpunëtoren e Fiksit dhe thotë edhe arsyen se përse.

“Të thashë në orën 9:00 që të rri i qetë vetëm me ty. Unë nuk ta marr plaçkën, aty e ke. Është një orë që nuk ka njerëz, ose ditë të shtunë ose të dielë. Pse atë që e kisha une e merrte vesh burri? Tre vite ajo, futej të zyra ime dhe filloi punë. S’ka për ta marrë vesh asnjëri që t’i për shembull të bëhesh e dashura ime”, i thotë ai.

Bashkëpunëtorja e Fiksit i thotë që ka një burrë dhe i përmend nderin.

“Burrin aty e ke. Ç’punë ke me burrin. Nderin? Mbaje nderin mos e lësho”, i përgjigjet ai.

Thursday, May 12, 2016

Presidenti heziton te dekretoje rektoret e rinj

Sipas gazetes Sot, njoftimet e se ciles duhen vleresuar me rezerva, presidenti Bujar Nishani ka hezituar te dekretoje disa rektore pasi zgjedhjet jane kontestuar nga kandidatet humbes.

Bujar Nishani bllokon dekretimin e rektorëve, 6 universitete në gjyq për rezultatin e zgjedhjeve

http://www.sot.com.al/politike/universitetet-n%C3%AB-kolaps-bujar-nishani-bllokon-dekretimin-e-rektor%C3%ABve-6-universitete-n%C3%AB-gjyq
Postuar: 11/05/2016 - 09:42
Presidenti Bujar Nishani ka bllokuar pa afat dekretimin e rektorëve të rinj. Shkak mësohet të jetë bërë fakti që disa universitete i janë drejtuar dyerve të gjykatës për shkak të problemeve të hasura në procesin zgjedhor. Aktualisht, në gjyq mësohet se janë Universitetet e Shkodrës, Durrësit, Tiranës, Vlorës, i Sporteve dhe i Mjekësisë. Kështu, presidenti Nishani ka vendosur të mos shpallë dekretin për emërimin e rektorëve të rinj të universiteteve publike deri në përfundimin e gjyqeve. Ndërkohë, Komisioni i Arsimit në Kuvend ka kërkuar dje informacion nga ministrja e Arsimit, Lindita Nikolla, lidhur me këtë situatë mosmarrëveshjesh në arsimin e lartë.
Procesi zgjedhor, problemet në universitete 
Arjeta Troshani, ish-kandidatja për Rektore në universitetin “Luigj Gurakuqi” në Shkodër, ka ankimuar procesin zgjedhor. Sipas saj, në fakultetin e drejtësisë, Shkencave të Natyrës dhe Gjuhëve të Huaja janë shfaqur parregullsi. Troshani është shprehur se ka pasur emra pedagogësh të cilët janë futur në listat e zgjedhjeve pa të drejtë, pasi ndaj tyre ka procese gjyqësore të hapura në Gjykatën Administrative. Nga zgjedhjet universitare të zhvilluara më 20 prill, doli fitues kandidati Adem Bekteshi. Vetë Troshani pranoi humbjen përmes një statusi në Facebook, ndërkohë më vonë ajo ka ankimuar procesin zgjedhor. Më 20 prill, në ditën e votimit, studentët kanë denoncuar probleme në Durrës. Disa prej tyre deklaruan në media se ka patur ndërhyrje nga politika dhe veçanërisht nga FRESSH, Forumi Rinor Euro-Socialist Shqiptar, për të manipuluar rezultatin. Zgjedhjet i fitoi kandidatja Kseanela Sotirovski. Klodeta Dibra dhe Mynyr Koni ishin dy kandidatët që garuan për Rektor të Universitetit të Tiranës, detyrë që aktualisht mbahet nga Dhori Kule. Profesore Dibra, 50 vjeçe, aktualisht është Dekane në Fakultetin e Gjuhëve të Huaja, ndërsa Profesor Koni, 52 vjeç, është Dekan në Fakultetin e Shkencave të Natyrës. Procesi pak ditë para zgjedhjeve u fut në një kaos total pasi kandidati Koni u kërcënua nga Emiljano Shullazi dhe miqtë e tij, të cilët i kërkuan të tërhiqej nga gara. Kjo do të thoshte që Dibra shpallej automatikisht fituese. Shullazi u thirr në polici për të dëshmuar rreth kësaj akuze, por u arrestua për disa vepra të tjera më të rënda kriminale. Koni vazhdoi garën dhe u zgjodh me shumicë votash për të drejtuar universitetin më të madh në vend. Zgjedhjet për postin e rektorit në Universitetin e Mjekësisë janë kontestuar dhe nga kandidati humbës, Petrit Bara. Ky i fundit e humbi garën përballë rivalit të tij Arben Gjata, vetëm me një votë diferencë. Petrit Bara ka kërkuar që të rinumërohen votat në rang universiteti pasi sipas tij janë 8 vota të pavlefshme. Ai i ka dërguar një kërkesë dhe Komisionit Institucional Zgjedhor, për rinumërim të votave.

Sunday, November 1, 2015

Turpi dhe shkenca në akademizmin shqiptar - Analize

 

Postbllok, Andis Muka – (?)Tetor 2015

http://www.postbllok.com/turpi-dhe-shkenca-ne-akademizmin-shqiptar/

Kërkimi dhe edukimi – sfidat drejt së ardhmes’ emërtohej konferenca e organizuar nga Universiteti i Shkodrës në bashkëpunim me Universitetin për Biznes dhe Teknologji (Kosovë) në dt. 23-24 tetor. Vështirë t’i hiqet ndonjë presje konstatimit të Fatos Tarifës:

Qysh nga momenti kur vura re se programi i konferencës përmbante disa qindra kumtesa (saktësisht 567 të tilla), të përgatitura nga një numër dy-tri herë më i madh autorësh e bashkautorësh (kryesisht pedagogë që kërkojnë marrjen e gradës “Doktor” në shkenca ose titujt “Profesor” dhe “Profesor i asociuar”, si dhe studentë në kërkim të gradës doktorale), kuptova se konferenca në fjalë mund të ishte çdo gjë, veç jo një konferencë shkencore dhe, aq më pak, një konferencë ndërkombëtare.

Tarifa vijon pastaj me një kritikë plot ilustrime, që pretendon vendosjen e sistemin në shënjestër.Sistemi aktual i detyron doktorantët të paguajnë nga xhepi shuma jo të pakonsiderueshme për ta vuajtur deri në palcë kalvarin e karrierës akademike në këtë vend. Ai i shtyn drejt studimeve groteske, që prodhojnë vetëm numra studimesh e jo studime. Edhe më katastrofike është situata e atyre që këtë fazë e kanë kaluar, sepse për vend pune ose për ngjitje në karrierë duhet edhe ata të prodhojnë studime, të cilat, për mënyrën e funksionimit të kontekstit shqiptar në të gjitha hallkat, fatkeqësisht degjenerojnë në numra pjesëmarrjesh e çertifikatash.

Për ta thënë me fjalët e Tarifës, ky handikap ka prodhuar një “koktej sëmundjesh të rënda e kronike, si diletantizmi, plagjiarizmi, fiktiviteti, klientelizmi e favoritizmi, çfarë e kanë lënë dekada pas modernizimin e arsimit të lartë dhe kërkimin e mirëfilltë shkencor”. Mund të zgjatemi në analiza të pafund, por pyetja është përherë ajo që ka shtruar sociologu: “ç’duhet bërë?”. Përgjigja e tij është po aq koncize: “e vetmja mënyrë për të filluar kurimin e këtyre sëmundjeve është respektimi i standardeve dhe i kërkesave rigoroze për veprimtari të vërtetë bashkëkohore në fushën e arsimit të lartë e të shkencës dhe për marrjen e gradave e të titujve akademikë”.

Kjo zgjidhje, e vagullt dhe mekanike, lë sërish në këmbë sistemin ose, më saktë, një pjesë të tijën, atë pra që nga brenda e me këto mekanizma është doktoruar e profesoruar dhe tani pretendon se ka tagrin e autoritetit të kontrollit mbi respektin. Tingëllon njëlloj me fjalët e Tancredi-t në Il Gattopardo: “nëse duam që gjithçka të qëndrojë siç është, duhet që gjithçka të ndryshojë”. Megjithëse ironia e Giuseppe Tomasi di Lampedusa i adresohej Italisë që po lindte, ajo është aktuale për shumë realitete në kapërcyell, siç ishte dhe vazhdon të jetë Shqipëria e pas ’90, ku për të mos ndryshuar pushteti ndryshohet kostumi.

‘Respektimi i standardeve’ kërkon njerëz. Të njëjtit njerëz që i kanë vendosur e ushqyer standardet e stekës dhe kanë lejuar degradimin aktual janë ilustrim më se i mjaftueshëm i mundësisë së evazionit të rregullit. Ka qenë pikërisht pretendimi për të rritur standardet e kërkimit shkencor në Shqipëri që ka prodhuar këtë parodi. Për aq sa mund të vendosen kritere rreth kërkimit shkencor, ato nuk i zëvendësojnë dot kriteret personale ose shoqërore të vlerësimit.

Një ndër mangësitë themelore të kërkimit shkencor në Shqipëri është mendimi kritiko-analitik, i cili gjeneron debat akademik ose minimumi etikë të tillë, që natyrisht mundësohet (dhe vetvetiu prodhon) nga një klimë lirie e meritokracie, dy gjëra pothuajse tërësisht të huaja për realitetin ku jetojmë, përderisa studenti shqiptar stërvitet që nxënës me autoritarizëm. Parimi ‘mësuesi është një mësim para nxënësit’, e kësisoj autoritet i padiskutueshëm i dijes, aplikohet edhe në rangjet më të larta të akademizmit, ku garohet mes kolegësh dhe ku në kushte të barabarta juridiko- administrative autori i dy librave beson se ka autoritet intelektual mbi autorin e vetëm një libri (njësitë diferencuese mund të jenë nga më të ndryshmet), duke vendosur si kriter sasinë e jo cilësinë. Ndërsa ajo çka studiuesi shqiptar përgjithësisht nëpërkëmb është turpi, që në zhargonin e përditshëm quhet fytyrë. Dhe turpin nuk e rregullojnë kriteret apo standardet e kërkimit shkencor.

Me pak fjalë turpi është ndjesi shqetësimi personal (ose edhe kolektive) e krijuar nga raportimi me Tjetrin. Filozofi Umberto Galimberti e shpjegon origjinën e fjalës italiane vergogna (turp) mevereor gognam, që do të thotë ‘frikë nga turpi’ ose ‘frikë nga ekspozimi publik’. Edhe pse etimologjia e propozuar nga Galimberti është e gabuar (origjina e fjalës është verecundia), mbetet fakt prodhimi i turpit nga ekspozimi ndaj Tjetrit. Duke qenë produkt social, po aty përcaktohet përkufizimi i tij bashkë me rregullat përkatëse, që ndryshojnë në kohë e hapësirë.

Në realitetin e sotëm shqiptar mund të shkaktojë turp për një prind nëse fëmija i tij nuk ekspozon veshje firmato dhe celular iPhone, për një politikan nëse nuk shfaq makinën ose gruan luksoze, për një gazetar nëse nuk bën selfije poshtë e lartë nëpër botë, për një akademik ose një mësuese nëse nuk hekurosin etiketën e kostumit apo fytyrën e flokët (jo më kot në konferencat shqiptare garojnë çanta e kollare). Për ta nuk ka publikisht rëndësi rezultati në shkollë, origjina e pasurisë, niveli i gazetarisë, niveli i mësimdhënies dhe cilësia e studimit akademik. Është turp të hyhet në rrethrrotullim pa makinë vezulluese, por jo t’i “vidhet” Tjetrit radha dhe e drejta për të qarkulluar. Shembulli i fundit, sa banal aq edhe familjar, e përmbledh diferencën: amplifikohet turpi në sjelljet publike që nuk ndikojnë (të paktën drejtpërdrejtë) te Tjetri, kurse turpi i sjelljeve (publike) ndikuese te Tjetri afrohet me shkathtësinë.

Do të kishte qenë anomali sikur ‘shoqëria e birëkurvizmit’ të mos ishte shtrirë edhe në sektorin universitar. Për të njëjtat ligjësi, studenti kopjon, pedagogu merr ryshfet ose bën sikur jep mësim, studiuesi merr pjesë në një konferencë në 10 kumtesa. Asnjë nuk ka turp dhe të gjithë janë thjesht të shkathët, sepse lëvizin sipas kushteve të sistemit. Në qoftë se studenti kopjues dhe pedagogu i korruptuar ndëshkohen nga ligji, edhe pse mungesa e turpërimit (aktualisht e pa imponuar nga shoqëria për fenomene të tilla) do t’i mbajë në qarkullim si specie të shkathëta të kryqëzimit mes Njeriut të Ri dhe Njeriut të Tranzicionit, studiuesi me shumë kumtesa është në përputhje me rregullat e lojës. Kujdesi nga ekspozimi publik i punimeve shkencore personale mund të jetë shqetësimi i tij i fundit.

Nuk duket të ketë nuanca të kësaj natyre shqetësimi i sociologut Tarifa. Së pari, profesori i irrituar ka anashkaluar emra me peshë në sistem, duke përzgjedhur iniciale, si J. B. (10 kumtesa), që s’thonë asgjë. Për shembull, mes rasteve me 4 kumtesa ka preferuar të mos citojë kolegun e tij të deridjeshëm të UET-it, që, për kuriozitet, në konferencë ishte (bashkë)autor (2 herë) me familjarët e tij dhe (1 herë) me pronarin e madh H. Ç. Së dyti, dhjetë kumtesa në një konferencë pasqyrojnë nivelin akademik jo shumë më ndryshe se sa botimi i 5 librave nga Tarifa në një vit (2014), që, duke hequr një ribotim (gjithsesi i shtuar me 117 faqe), përkthehen në rreth 4 faqe shkencë çdo ditë, të cilat kërkojnë më shumë se aq për t’u prodhuar, përveçse shoqërojnë angazhimet didaktike, studimore, daljet në shtyp e media, leksione, seminare, konferenca e tubime të tjera akademike, administrim, ceremoni zyrtare dhe pjesën private të ditës. Në qoftë se Tarifa shkruan 1367 faqe shkencë (po lëmë të tjerat) në një vit dhe ruan kriteret, nuk duhet të jetë e pamundur ruajtja e kritereve në 10 kumtesa me gjithsej 50-60 faqe në total, për një hark kohor një vjeçar, nga një doktor anonim, i cili ashtu si Tarifa pret të profesorohet nga i njëjti sistem. Serioziteti, ndershmëria, fytyra janë virtyte të papërcaktueshme nga standardet kërkimore dhe as nuk maten me tituj e snobizëm akademik.

 

http://www.postbllok.com/turpi-dhe-shkenca-ne-akademizmin-shqiptar/

Tuesday, October 27, 2015

Protoshkenca dhe pseudoshkenca shqiptare

 

26 Tetor 2015 10:34

 

http://www.mapo.al/2015/10/protoshkenca-dhe-pseudoshkenca-shqiptareKundër diletantizmit, fiktivitetit e favoritizmit në arsimin e lartë dhe në shkencë

Nga Fatos Tarifa*fatos tarifa

Nuk kisha marrë pjesë asnjëherë në një “konferencë ndërkombëtare” të organizuar nga ndonjë prej universiteteve publike shqiptare në rrethe. Për herë të parë mora pjesë në një “konferencë” të tillë fundjavën që shkoi. Veprimtaria, e cilësuar si “International Conference”, u zhvillua në Shkodër. Organizatorë të saj ishin Universiteti “Luigj Gurakuqi” i këtij qyteti dhe Universiteti i Biznesit dhe Teknologjisë (UBT) në Kosovë. Vendosa të merrja pjesë në atë konference për dy arsye: për të prezantuar disa ide se si mund të ndihmojë kërkimi në shkencat sociale në informimin dhe hartimin e politikave sociale në vendin tonë dhe, nuk e fsheh, për të parë mënyrën dhe nivelin e përgatitjes së një konference ndërkombëtare të organizuar nga një institucion shqiptar i arsimit të lartë (këtë herë në bashkëpunim edhe me një institucion të ngjashëm në Kosovë).

Qysh nga momenti kur vura re se programi i konferencës përmbante disa qindra kumtesa (saktësisht 567 të tilla), të përgatitura nga një numër dy-tri herë më i madh autorësh e bashkautorësh (kryesisht pedagogë që kërkojnë marrjen e gradës “Doktor” në shkenca ose titujt “Profesor” dhe “Profesor i asociuar”, si dhe studentë në kërkim të gradës doktorale), kuptova se konferenca në fjalë mund të ishte çdo gjë, veç jo një konferencë shkencore dhe, aq më pak, një konferencë ndërkombëtare.

Pse jo një konferencë shkencore?

Sepse shkenca është një sipërmarrje e vështirë dhe e mundimshme, që kërkon njohjen dhe zotërimin e mirë të teorive shkencore dhe përdorimin e një aparati konceptual e të metodave me anë të së cilave synohet t’u jepen përgjigje (jo thjesht të përshkruhen) çështjeve të vështira, të reja ose të panjohura në botën natyrore dhe atë shoqërore në të cilin jetojmë. Kërkimi shkencor, siç dihet fare mirë nga kushdo që e ka bërë atë pjesë të ethosit e të veprimtarisë së vet profesionale, kërkon kohë, përgatitje, kualifikim, mundim dhe është i kushtueshëm. Ai realizohet përmes shtrimit të hipotezave kërkimore, njohjes e përdorimit të metodave bashkëkohore të hulumtimit, vëzhgimeve, testimeve, matjeve, eksperimenteve dhe argumentimit të informuar e të udhëhequr nga një bazë teorike dhe domosdo një mendimi racional kritik, që nuk merr asgjë për të vërtetë absolute.

Nëse shihen vetëm titujt (jo përmbajtja) e 567 kumtesave që do të duhej të mbaheshin në atë konferencë (them do të duhej të mbaheshin sepse rreth 70-80 për qind e kumtesave të programuara nuk u mbajtën), kupton fare qartë se, në masën dërrmuese të tyre, këto kumtesa nuk përfaqësojnë aspak punime shkencore dhe nuk do të konsideroheshin të tilla askund, në asnjë institucion serioz të arsimit të lartë dhe në asnjë veprimtari të vërtetë të karakterit shkencor. Disa prej titujve të kumtesave, përshtatur në shqip nga autori i këtyre radhëve prej një anglishteje shumë të varfër e plot gabime në programin e publikuar të asaj konference, vijojnë më poshtë: “Një vështrim i përgjithshëm mbi Fjalorin e Gjuhës Shqipe të z. [Mehmet] Elezi”, “Teknologjia e informacionit dhe e komunikimit”, “Gjuha shqipe: historia dhe perspektiva e saj”, “Muzika si profesion apo si edukim për të gjithë”, “Mësimdhënia dhe teoria e mësimdhënies”, “Prindërit, fëmijët dhe shkollimi i tyre”, “Politikat europiane për cilësi në arsimin e lartë”, “Të jesh a të mos jesh dixhital nuk shtrohet më si çështje”, “Përdorimi i teknologjisë në sistemin arsimor”, “Parashikimi i kursit të shkëmbit mes dollarit dhe lekut”, “Shqipëria drejt tipit të kapitalizmit të saj post-tranzicion”, “Ndjeshmëria e konsumatorit shqiptar ndaj ushqimeve organike” dhe, po nga i njëjti autor, “Vlerësimi i preferencave të konsumatorëve për kos: rasti i Shqipërisë”, “Memorizimi i fjalëve në gjuhën angleze”, “Saktësia dhe gabimet në literaturën ushtarake anglisht”, “Virgjili në ‘Komedinë Hyjnore’ të Dantes”, “Portreti i grave shqiptare në romanet e para të Ndoc Nikajt”, “Europa dhe rrënjët e saj mesjetare”, “Roli i NATO-s në ruajtjen e paqes”, “Inteligjenca: faktori gjenetik apo ai mjedisor”, “Martesat mes njerëzve të të njëjtit seks: prindërit gay dhe fëmijët e tyre”, “Morali publik dhe ai privat”, “Mbrojtja e minoriteteve, vlerë themelore e së drejtës ndërkombëtare”, “E drejta kushtetuese, e drejtë themelore në prag të globalizimit”, “Çfarë e bën Holokaustin një genocid tipikisht tipik” dhe, po nga i njëjti autor, “A ishte Holokausti kaq i ndryshëm nga forma të tjera historike të genocidit”, “Transporti ndërkombëtar i mallrave në Republikën e Shqipërisë”, “Integrimi Europian, një histori suksesi”, “E drejta për informacion” dhe, po nga i njëjti autor, “E drejta për gjykim të paanshëm”, “Kafshët shoqëruese dhe shëndeti i fëmijëve në Shqipëri” etj.

I kërkoj ndjesë lexuesit për listën e gjatë të titujve të kumtesave të sipërpërmendura, por e siguroj se kjo listë mund të kishte qenë shumë herë më e gjatë, nëse do të kisha qenë më skrupuloz në shqyrtimin e saj. Titujt e mësipërm flasin më shumë se çdo koment që mund të bëja unë. Tema pafundësisht të përgjithshme, të formuluara në mënyrë aspak akademike, madje, shpesh herë, absurde, për çështje shumë herë irrelevante, të njohura e të stërnjohura në atë masë, sa janë bërë pjesë e asaj që e quajmë dije e zakonshme, ose “conventional wisdom”, tema që trajtojnë çështje për të cilat nuk raportohen gjetje empirike të reja dhe as bëhet përpjekje për të përgjithësuar teorikisht të dhëna ekzistuese. Asnjë nga këto tipare, të konstatuara lehtësisht në mënyrën se si janë formuluar titujt e pjesës më të madhe të kumtesave, nuk janë tipare të një veprimtarie shkencore të mirëfilltë.

Më tej më tërhoqi vëmendjen fakti paradoksal (por kaq tipik në jetën “akademike” shqiptare të viteve të fundit), se shumë kumtesa kishin për autor të njëjtin person, madje më shumë se dy-tri herë. “Studiueset” E.D., E.B. dhe L.M. duhej të mbanin çdonjëra tri kumtesa, prej të cilave dy në të njëjtin panel. “Studiues” të tjerë si, E.M. dhe E.Zh. duhej të mbanin secili 5 kumtesa dhe, po kështu, 5 kumtesa duhej të mbante edhe Prof. E.H. nga Kosova, prej të cilave 3 në të njëjtin panel. Mund të vazhdoja me raste të tjera të ngjashme, por mjafton të përmend rastin më flagrant që munda të konstatoj, atë të z. J.B. në Universitetin e Shkodrës, emri i të cilit figuronte në programin e konferencës, si bashkautor, në 10 kumtesa, 5 prej të cilave duhej të mbaheshin në dy panele.

Pse jo një konferencë ndërkombëtare?

Është bërë e modës në Shqipëri që çdo tubim, në të cilin marrin pjesë dy-tre shtetas të huaj, të quhet “konferencë ndërkombëtare”. Është e vërtetë se komiteti organizator dhe ai shkencor i asaj konference kishin në përbërjen e tyre tek-tuk edhe ndonjë emër nga SHBA, Austria, Italia (madje edhe ndonjë nga Letonia e Japonia), por kush nga ne nuk e di se emrat që përfshihen në “komitete” të tilla janë thjesht dhe vetëm emra të njohurish, që nuk luajnë asnjë rol në organizimin e aktiviteteve të tilla dhe nuk i “ndërkombëtarizojnë” ato. Konferencë ndërkombëtare nuk të bëjnë as sponsorizuesit e huaj, të cilët, në këtë konferencë ishin të shumtë. Donatorët e huaj nisen nga qëllimi i mirë për të ndihmuar zhvillimin e arsimit të lartë e të kërkimit shkencor në një vend në zhvillim, si Shqipëria, por paratë e tyre nuk garantojnë nivelin akademik dhe atë ndërkombëtar të një konference të tillë.

Ato çka e bëjnë një konferencë shkencore të organizuar në Shqipëri edhe ndërkombëtare janë pjesëmarrja e gjerë e cilësore e studiuesve të huaj, gjuha angleze e përdorur në të, si lingua franca e shkencës dhe e kulturës në kohën e sotme, tematika shkencore, interesi dhe vlerat e së cilës dalin përtej kufijve të ngushtë të një vendi, natyra novatore e trajtimit të çështjeve në nivele bashkëkohore etj. Në të gjithë këta elementë, konferenca e javës së shkuar jo vetëm nuk ishte një konferencë ndërkombëtare, por nuk mund të quhet, madje, as edhe një konferencë kombëtare, për shkak se në të nuk merrnin pjesë figurat më të njohura të shkencës shqiptare dhe nuk u prezantuan arritjet më të mira në nivel kombëtar në ato fusha kërkimi që u bënë pjesë e programit të saj. Nëse shihet programi i kësaj konference, pjesëmarrësit e huaj ishin kryesisht nga Kosova, Mali i Zi dhe Maqedonia, madje edhe këta numëroheshin me gishtat e të dy duarve. Një pjesë e mirë e pjesëmarrësve në konferencë i kumtuan punimet e tyre në gjuhën shqipe, ndërsa një pjesë tjetër me shumë mundim iu drejtuan auditorit në anglisht. Përgjithësisht, tematikat e kumtesave të mbajtura ishin thuajse tërësisht lokale, ose kombëtare, ndërsa, të paktën për ato kumtesa që dëgjova, niveli i tyre, me ndonjë përjashtim të rrallë, ishte më i dobët edhe se niveli i një eseje kërkimore të një studenti të mirë në nivelin “Bachelor”.

Por, nëse jo një konferencë shkencore dhe jo ndërkombëtare, atëherë ç’farë?

Një “konferencë” sa për të marrë një “Certificate of Participation”, për ta futur në dosje deri në plotësimin e “dokumentacionit” që kërkon ligji për të marrë gradën “Doktor i shkencave”, ose titujt “Profesor i Asociuar” dhe “Profesor”. Thjesht kaq. Rezultat i një sistemi të korruptuar të arsimit të lartë e të kërkimit shkencor që gjeneron vetveten. Z. J.B. që përmenda më sipër, ka gradën “doktor”, por me 10 kumtesat e tij në këtë konferencë, prej të cilave druaj nëse ka lexuar ndonjë, ky individ “i plotëson” kriteret ligjore për të marrë titullin “Profesor i asociuar”. Just like that! Dhjetë “simite” të nxjerra nga furra për një ditë mjaftojnë për t’u bërë “profesor”. E njëjta gjë mund të thuhet dhe për shumë të tjerë që, në programin e një konference të vetme, “regjistrojnë” 3, 4, 5 ose më shumë “kumtesa”, shpeshherë duke bërë “bashkautor” bashkëshortin, vajzën ose fqinjin e tyre.

Kjo është vetëm njëra anë e medaljes. Ditën e konferencës m’u dha rasti të vizitoja dy salla në një prej ndërtesave të Universitetit të Shkodrës, ku ishin planifikuar të mbaheshin sesionet tematikë në fushën e shkencave sociale dhe atë të arsimit të lartë. Në panelin ku do të flisja ishin regjistruar 18 diskutantë por, veç meje, i pranishëm ishte vetëm një prej tyre. Në një situatë të tillë, kur nga 18 diskutantë mungonin 16, drejtuesi i panelit me naivitet na ftoi të “bisedonim mes nesh”, duke u shprehur, se, sidoqoftë, në korridor na priste një “certifikatë pjesëmarrjeje”!!! Pas dështimit të këtij paneli, iu bashkova një paneli ku diskutohej mbi problemet e arsimit të lartë. Paneli ishte planifikuar të zgjaste dy orë dhe në të do të duhet të prezantoheshin 23 kumtesa!!! Pesë minuta për çdo kumtesë. Pa pyetje, pa debat. Por, edhe këtu, vetëm 7 kumtesa u mbajtën (sepse vetëm 7 pjesëmarrës ishin në sallë) dhe, prej tyre dy u mbajtën nga i njëjti person. I njëjti avaz i prodhimit të “simiteve” për konsum ditor!

Në një konferencë “ndërkombëtare” si kjo, pjesëmarrja e atyre regjistrohen të diskutojnë nuk ka aspak rëndësi. Ti mund të ndodhesh fizikisht në Tiranë, në Prishtinë, në Tetovë, madje edhe në Honolulu dhe, përsëri, virtualisht, mund të jesh “pjesëmarrës” në një konferencë që mbahet në Shkodër, sa kohë që ke u ke paguar organizatorëve të saj një “fee” pjesëmarrjeje disa dhjetëra Euro. Dhe nëse regjistrohesh për më shumë se një kumtesë, paguan më shumë, edhe pse të bëhet “discount”. “Fee”-të e konferencave të tilla janë padyshim një e ardhur e mirë për këdo që organizon konferenca të tilla. Por ato janë, gjithashtu, të pranueshme, madje një zgjidhje oportune për këdo që ka “nevojë” të blejë një certifikatë, me të cilën u dëshmon autoriteteve të institucionit të vet “pjesëmarrjen” në një “konferencë ndërkombëtare” dhe “prezantimin” në të të një kumtese, madje të një serie kumtesash, nëse të nevojiten më shumë se një certifikatë.

Ç’duhet bërë?

Rastet e përmendura më sipër janë vetëm disa, një pjesë fare e vogël, lehtësisht të identifikueshme nga një vështrim i përciptë i programit të publikuar të kësaj konference. Nëse gjykojmë e vlerësojmë standardet dhe nivelin e shkencës shqiptare, konferenca si kjo, që fatkeqësisht përbëjnë tipiken e tubimeve të tilla, janë një tregues domethënës. Arsimi i lartë dhe shkenca shqiptare kanë kohë që vuajnë nga një koktejl sëmundjesh të rënda e kronike, si diletantizmi, plagjiarizmi, fiktiviteti, klientelizmi e favoritizmi, çfarë e kanë lënë dekada pas modernizimin e arsimit të lartë dhe kërkimin e mirëfilltë shkencor. E vetmja mënyrë për të filluar kurimin e këtyre sëmundjeve është respektimi i standardeve dhe i kërkesave rigoroze për veprimtari të vërtetë bashkëkohore në fushën e arsimit të lartë e të shkencës dhe për marrjen e gradave e të titujve akademikë. Ligji i ri për Arsimin e Lartë dhe Kërkimin Shkencor në Institucionet e Arsimit të Lartë krijon vetëm premisat për kurimin e sëmundjeve të tilla. Përmirësimi i vazhdueshëm dhe implementimi rigoroz i këtij ligji janë mënyra për të dalë nga gjendja e protoshkencës dhe e pseudoshkencës në terrenin e vërtetë të kërkimit shkencor e të zhvillimit teknologjik në vendin tonë.

*Prof. dr. Fatos Tarifa, sociolog

http://www.mapo.al/2015/10/protoshkenca-dhe-pseudoshkenca-shqiptare

Wednesday, October 14, 2015

Mitmarrje në Universitetin e Shkodrës


Sipas Gazetës Shqip, Top Channel ka filmuar një pedagog të Universitetit të Shkodrës duke marrë para kundrejt notës kaluese. Ky pedagog ka qenë i arrestuar më parë për të njëjtin veprim, por çështja penale është pushuar nga prokuroria.

Ministria e Arsimit ne deklaraten e saj per shtyp [15 Tetor 2015] ka njoftuar se ka dorezuar kerkese per ndjekje penale.

http://www.arsimi.gov.al/al/newsroom/deklarata-per-shtyp/deklarate-per-shtyp-per-rastin-e-denoncimit-ne-top-channel-emisioni-fiks-fare

Menjëherë pas transmetimit në emisionin Fiks Fare të këtij skandali të ndodhur pranë Universitetit “Luigj Gurakuqi”, Shkodër, MAS ka kontaktuar me Rektoratin e këtij Universiti, që ky institucion të marrë masat e duhura administrative për këtë rast. Nga ana tjetër Ministria e Arsimit ka nisur procedurat për kallëzim penal ndaj pedagogut pranë Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Shkodër.


Gazeta Shqip, 14 tetor 2015
http://www.gazeta-shqip.com/lajme/2015/10/14/fiks-fare-pedagogu-i-drejtesise-kerkon-500-euro-per-dy-provime/
Fiks Fare Fran QafaFiks Fare Fran Qafa
 
Fiks Fare Fran QafaFiks Fare Fran Qafa
 
Shkodër
Tekstet në celular të sekserit që kërkonte para për Fran Qafën
Pazari për marrjen e notës kaluese në të dyja lëndët bëhet me biseda të shkruara në celular
“Fiks Fare” solli dje fakte sesi funksionon skema e marrjes së provimeve në Fakultetin e Drejtësisë në Universitetin e Shkodrës. Një student i këtij fakulteti, i cili duhej të hynte në provimin e diplomës, detyrohet të paguajë 500 euro për të marrë notë kaluese në dy provime të mbartura, “E drejtë penale” dhe “E drejtë e procedurës penale”.
“Fiks Fare” tregoi dje dhe do të vazhdojë denoncimin në ditët në vazhdim sesi studenti merr notë kaluese në të dyja provimet, pasi paguan 500 euro. Studenti i Drejtësisë në universitetin “Luigj Gurakuqi” në Shkodër, rrezikonte të mos ngelte përfundimisht në dy lëndët e mësipërme për të kaluar më pas në provimin përfundimtar të marrjes së diplomës. Ai iu drejtua emisionit “Fiks Fare”, pasi e kishte të pamundur që të merrte notë kaluese në dy lëndët e pedagogut Fran Qafa.
Studenti pretendonte se kishte dhënë disa muaj më parë provimin, por pedagogu nuk i kishte dhënë notën kaluese që studenti pretendonte se e meritonte. Duke mos pasur mundësinë e sigurimit të të hollave, studenti kërkoi ndihmën e emisionit investigativ në “Top Channel”, gazetarët e të cilit nisën edhe mbledhjen e informacioneve mbi këtë rast. Bisedën e parave studenti pretendonte se e kishte bërë më parë me pedagogun, por për ta vërtetuar një gjë të tillë, studenti i kërkoi takim para provimit pedagogut Fran Qafa.
Gjatë bisedës telefonike që studenti bën me pedagogun Fran Qafa, ky i fundit i lë takim në një lokal, pranë universitetit. Me të mbërritur te lokali, studenti e gjen pedagogun së bashku me disa persona të tjerë.
Një nga personat që qëndronte me pedagogun ngrihet nga tavolina, duke u ulur dhe biseduar me studentin, ku i kërkon arsyen se përse kërkonte takimin me pedagogun. Në këto rrethana, studenti i tregon këtij personi, i cili më pas duket se luan rolin e sekserit, se pedagogu i kishte kërkuar 500 mijë lekë (të vjetra) për dy provimet dhe se i kishte paratë me vete dhe ishte i gatshëm për të bërë pagesën.
Në këtë moment, personi që hyn si sekser mes studentit dhe pedagogut, takohet me pedagogun Fran Qafa dhe pas bisedës me të, fillon pazari me studentin. Pazari për marrjen e notës kaluese në të dyja lëndët bëhet mes sekserit dhe studentit me biseda të shkruara në aparatin telefonik celular.
Sekseri i tregon duke i shkruar në telefon se pedagogu i ka kërkuar 500 euro për dy provimet dhe jo 50 mijë lekë të reja. I ndodhur para kësaj situate, studenti i kërkon sekserit që të ulej pazari, që ai të paguante më pak. Por përgjigjja e sekserit ka qenë e prerë se as që bëhet fjalë për të dhënë më pak se 500 euro.
Në këto kushte, studenti detyrohet të pranojë dhënien e lekëve. Pasi mëson këtë fakt, pedagogu afrohet dhe nis bisedën me studentin. Pedagogu Fran Qafa i drejtohet studentit se provimi ka qenë në orën 11:00, por ai mund të hynte në provim edhe në orën 14:00 të po asaj dite. Por, më parë duhej të nxitonte të regjistrohej te sekretaria. Ndërkohë që studenti i kërkoi pedagogut Qafa që t’i jepte paratë në dorë, pedagogu shprehet se “nuk ke punë me mua, ik e tako atë (sekserin)”. Në këto kushte, studenti takon sekserin dhe në makinën e tij i dorëzon 500 mijë lekët (e vjetra) sekserit, ndërsa për diferencën e lekëve të tjera, studenti i premton se do të vinte të takonte pedagogun pas dy ditësh, para se të dilnin edhe notat e provimeve, ndërkohë që po atë ditë do të hynte në provim.
Precedenti
Fran Qafa, i arrestuar më parë për korrupsion
Pedagogu i Universitetit të Shkodrës, Fran Qafa, është arrestuar edhe para tri vitesh për vepra penale që lidhen me korrupsionin, por ai u lirua dy ditë pas prangosjes dhe u hetua në gjendje të lirë. Në qershor të vitit 2012, policia tha se Qafa, pedagog në Fakultetin Juridik të universitetit “Luigj Gurakuqi” në Shkodër, është arrestuar në flagrancë, duke marrë para nga një student, në këmbim të notës kaluese në provim. Sipas deklaratës së asaj kohe, pedagogu ishte nën hetim prej disa kohësh, pas denoncimeve të shumta të bërë nga studentët e tij. Pedagogu Fran Qafa u dyshua për shpërdorim detyre dhe korrupsion pasiv nga personat që ushtrojnë funksione publike, por dy ditë më vonë u lirua nga prokuroria. Burime nga Policia e Shkodrës bënë me dije në atë kohë, se Qafa do të hetohej në gjendje të lirë me urdhër të organit kryesor të akuzës. Më vonë, çështja ndaj tij është pushuar, ndërkohë që Qafa është rikthyer në punë.
http://www.gazeta-shqip.com/lajme/2015/10/14/fiks-fare-pedagogu-i-drejtesise-kerkon-500-euro-per-dy-provime/