Showing posts with label masivizimi. Show all posts
Showing posts with label masivizimi. Show all posts

Sunday, November 15, 2015

“Fabrikat e diplomave” Në Kosovë dhe Shqipëri

 

http://www.reporter.al/fabrikat-e-diplomave-kosova-dhe-shqiperia-prodhojne-te-diplomuar-pa-perspektive/

“Fabrikat e diplomave:” Kosova dhe Shqipëria prodhojnë të diplomuar pa perspektivë
Gjithnjë e më shumë të rinj po marrin diploma universitare por shumë përfundojnë të papunë ose në punë të pakualifikuara.

Jeton Mehmeti | BIRN | Reporter.al; 15 Nentor 2015

Avni Avdiu ka një seri mbresëlënëse kualifikimesh akademike nga tri shtete të ndryshme. Dyzet e dy vjeçari ka tri diploma universitare nga universitetet e Kosovës; një diplomë masteri nga Universiteti i Tiranës; dhe një doktoraturë nga Universiteti Shën Kirili dhe Metodi nga Shkupi.

Por një gjë që Avdiu nuk e ka është një vend pune. Rasti i tij është një shembull ekstrem i një fenomeni në të tri shtetet ku ai ka studiuar si dhe në vende të tjera të Ballkanit – njerëzit po diplomohen nga universitetet në numra gjithnjë e më të mëdhenj por shumë prej tyre nuk gjejnë dot punë. Edhe nëse arrijnë të gjejnë punë, shpesh ajo nuk reflekton nivelin e tyre arsimor.

Nepotizmi në shpërndarjen e vendeve të punës në sektorin publik, politikat e përqendruara në rritjen e numrit të studentëve dhe jo në cilësinë e arsimit, gjendja e mjeruar e ekonomive të rajonit dhe dështimi për të dizenjuar kurse që plotësojnë nevojat e tregut të punës, janë ndër arsyet që ka identifikuar Rrjetit Ballkanik i Gazetarisë Investigative që kanë quar në këtë gjendje.

Ky shkrim special i BIRN, i cili bazohet në statistika zyrtare, intervista me të diplomuar, akademikë e analistë, eksploron gjithashtu edhe zgjidhjet e mundshme të këtij problemi, duke i bërë një vështrim sistemit arsimor të Austrisë, vendit që ka një nga normat më të ulëta të papunësisë së të rinjve në Evropë.

Avdiu është shqiptar i lindur në Kumanovë të Maqedonisë, por e ndan kohën e tij mes Maqedonisë dhe Kosovës. Ai është shtetas i të dyja vendeve. Tri diplomat e tij universitare janë në gazetari, sociologji dhe filozofi, kurse doktoratura e tij merret me evoluimin e partive politike shqiptare në Shqipëri, Kosovë dhe Maqedoni nga viti 1990 deri më 2010.

Me gjithë diplomat, e ardhura e tij e vetme e rregullt është asistenca sociale e papunësisë prej 45 eurosh në muaj që e merr nga shteti maqedonas.

“Shembulli im është diskurajues për të rinjtë,” thotë ai. “Këtu kot e ke nëse studiosh fort e mundohesh shumë.”

Historia e Avdiut vë në dukje një nga arsyet se pse shumë të diplomuar kanë vështirësi në gjetjen e punës – në sektorin publik punët jepen  në bazë të lidhjeve politike.

Ai ka aplikuar për një vende pune në universitetet e Prishtinës dhe të Tetovës disa herë. Në Tetovë, thotë ai, i është thënë në mënyrë të hapur se nuk ka shans të gjejë punë përderisa nuk anëtarësohet në ndonjë parti politike me ndikim.

“Ata tallen me mua. Me thonë se ‘pa u bashkuar me një parti, as 15 doktoratura nuk të ndihmojnë’,” thotë ai.

“Ky është çmimi që unë po paguaj pasi refuzoj që të jem konformist dhe servil i partive politike në Kosovë e Maqedoni.”

Bisedat e përgjuara të publikuara më herët këtë vit nga opozita në Maqedoni japin shembuj konkretë se si zyrtarët e partive në pushtet diskutojnë punësimin dhe promovimin e mbështetës të tyre në sektorin publikë.

Kamarierët me master të Kosovës

Që kur Kosova shpalli pavarësinë më 2008, numri i të diplomuarve të papunë është rritur me shpejtësi nga 2,953 në 6,840, sipas Ministrisë së Punës. Një numër i madh i këtyre të diplomuarve vjen nga Universiteti i Prishtinës, universiteti më i vjetër publik në vend, i cili jep rreth 5,200 diploma bachelor dhe mbi 900 diploma master në vit.

Në vitet e fundit, një lloj “mastermani” duket se ka mbërthyer Kosovën, ku studentët gjithnjë e më shumë besojnë se një diplomë pasuniversitare do t’u shtojë mundësitë për të gjetur punë. Por edhe diplomat master shpesh nuk janë të mjaftueshme për të gjetur punë dinjitoze.

lerim Cakolli, 30 vjeç, ka diplomën bachelor dhe atë master nga Fakulteti Juridik i Universitetit të Prishtinës. Që kur fitoi titullin master para tre viteve, ai po punon me orar të plotë  – jo si avokat, por si kamerier në një kafene.

Nivel i lartë i shkollimit të kamerierëve mund të shpjegojë arsyen pse një faqe interneti për udhëtimet vitin e kaluar pretendoi se banakierët e Kosovës bëjnë makiaton më të mirë në botë.

“Pasi përfundova studimet, unë aplikova për shumë vende pune të lidhura me profesionin tim, në qeveri, gjykata dhe institucione të tjera publike, por pa sukses,” thotë Cakolli.

Cakolli ka mbaruar edhe praktikën e punës për një vit në Gjykatën Themelore në Prishtinë si dhe ka marr pjesë në trajnime të ndryshme.

Kur ai pyet punëdhënësit se pse ai nuk është përzgjedhur për punë, përgjigjet më të zakonshme janë se ai nuk ka eksperiencë profesionale tre vjeçare. Por, njësoj si Avdiu, ai beson se arsyeja e vërtetë pse ai nuk gjen dot punë është nepotizmi i gjithëpërhapur.

“Është bërë praktikë që vendet e punës në sektorit publik reklamohen thjeshtë si formalitet,” thotë ai. “Personi që ata duan për punë veç ka filluar punën.”

Cakolli nuk është i vetmi që ka një perceptim të tillë. Sipas një sondazhi [pdf link] të publikuar më herët këtë vit nga Programi i OKB-së për Zhvillimin, 81 për qind e kosovarëve besojnë se lidhjet familjare, ryshfetet, përkatësia partiake dhe faktorë të tjerë që nuk kanë fare të bëjnë me meritën janë më të rëndësishme kur vjen puna për fitimin e një vendi pune në sektorin publik.

Vetëm rreth 15 për qind mendojnë se arsimimi, eksperienca profesionale dhe trajnimi profesional luajnë rol.

Sasi kundër cilësisë

Por analistët thonë se të diplomuarit po vuajnë për të gjetur vende pune edhe për shkak të politikave të këqija arsimore. Në dhjetë vitet e fundit, ministrat janë përqendruar në rritjen e numrit të studentëve në dëm të cilësisë së arsimit, thotë Dukagjin Pupovci, drejtor ekzekutiv i Qendrës për Arsimim të Kosovës, një organizatë joqeveritare që synon të përmirësojë standardet në shkolla dhe universitete.

Që nga viti 2008, numri i studentëve në Universitetin e Prishtinës është rritur nga 30,000 në më shumë se 53,000 – një numër shumë i madh për një qytet që ka popullsi prej 200 mijë banorësh, sipas censusit 2011. Qeveria ka hapur gjithashtu pesë universitete të tjera publike dhe ka akredituar mbi 25 kolegje private.

Universiteti i Prishtinës shihet si universiteti më i mirë publik në vend. Por në tetor 2015, ai u rendit në vend të 4,046 në një listë të universiteteve më të mira në botë – shumë më pas se sa universitetet e tjera të rajonit, përfshirë Universitetin e Ljubljanës (216) dhe Universitetin e Beogradit (431).

“Pothuajse asgjë nuk është bërë për të përmirësuar cilësinë e arsimit të lartë, gjë që ka sjellë prodhimin e një numri të madh të diplomuarish të cilët nuk janë të përgatitur për tregun e punës,” thotë Pupovci.

“Megjithëse një diplomë universitare e rrit mundësinë për punësim, megjithatë , një numër kaq i madh  i të diplomuarve e bën punësimin më të vështirë.”

Gjithsesi, qeveria ka një incentivë për të nxitur sa më shumë njerëz të shkojnë në universitet. Sipas rregullave statistikore të Kosovës, studentët nuk llogariten në normën zyrtare të papunësisë, e cila edhe ashtu  është shumë e lartë, në rreth 35 për qind.

‘Fabrika diplomash’

Shqipëria ka parë gjithashtu një rritje të shpejtë të numrit të studentëve në universitete. Mes viteve 2008 dhe 2013, numri i studentëve në universitetet publike dhe private pothuajse është dyfishuar nga 93,000 në 173,000 sipas statistikave zyrtare.

Kjo ka rritur gjithashtu shqetësime mbi cilësinë. Vitin e kaluar, kryeministri Edi Rama urdhëroimbylljen e 18 universiteteve private pas një raporti inspektimi që zbuloi se ata po shpërndanin diploma me cilësi të dyshimtë. Përgjatë pak viteve, tha Rama, universitetet private dhanë 32,000 diploma – gjysma e të cilëve u dha nga një universitet i vetëm.

Para se të vinte në pushtet, Rama pati kritikuar kushtet e lehta të akreditimit të universiteteve private të cilat ai tha se janë kthyer në “fabrika diplomash”.

Si në Kosovë ashtu edhe në Shqipëri, zyrtarët thonë se ata e kuptojnë se sistemi universitar ka nevojë për reformë.

Ministri i Arsimit të Kosovës, Arsim Bajrami thotë se objektivi kryesor i politikës për arsimin e lartë deri tani ka qenë rritja e numrit të universiteteve publike, rritja e numrit të studentëve dhe afrimi i sistemit të Kosovës me atë të Bolonjës.

Por, thotë ai, “tani ne po zbatojmë një projekt që synon të studiojë nevojat e tregut të punës dhe ne do t’i kërkojmë universiteteve të rishikojnë programet e tyre në përputhje me rezultatet.”

“Ne po punojmë për një ligj të ri mbi arsimin e lartë që do të sjellë shumë ndryshime, të gjitha në frymën e rritjes së cilësisë së arsimit të lartë,” thotë ai.

Në anën tjetër, Qeveria e Ramës i ka kërkuar një grupi ekspertësh të udhëhequr nga Arjan Gjonca, një profesor demografie në Shkollën Ekonomike të Londrës, të hartojë reformën e arsimit të lartë.

“Ne kemi nevojë për institucione që të jenë të afta të krijojnë studentin e të ardhmes, një student të mirëarsimuar, i cili mund të gjejë një punë dhe që është i përgatitur për jetën,” deklaroi Gjonca.

Por ligji i bazuar në propozimin e komisionit u bllokua nga presidenti i Shqipërisë në gusht, duke treguar se sa vështirë është që të kthesh retorikën mbi reformën arsimore në realitet.

Ligji hyri në fuqi pasi u miratua nga parlamenti sërish, pavarësisht rezistencës së vazhdueshme të organizatave studentore dhe shumë akademikëve. Ata e shohin ligjin e ri si një përpjekje për të privatizuar arsimin e lartë dhe argumentojnë se ligji dhunon parimin e autonomisë universitare.

Deri sa ndryshimet të vijnë, disa kompani private do të duhet të përballen me mungesën e kuadrove të aftë për punë. Brickos është një kompani që prodhon tulla në komunën e vogël Ranillug, në lindje të Kosovës. Ajo punëson gati 90 njerëz por drejtuesit thonë se gjetja e punonjësve të mirëkualifikuar është një sfidë e madhe. Gjatë një shëtitjeje në fabrikë, një menaxher thotë se firmës iu desh të punësojë një inxhinier nga Serbia për të montuar makineritë për shkak se nuk gjetën dot askënd që ta bënte në Kosovë.

Megjithatë, vetëm nga Universiteti i Prishtinës, më shumë se 100 studentë diplomohen në inxhinieri mekanike çdo vit.

Lidhja e teorisë me praktikën është një sfidë madhore për universitetet e Kosovës, gjithsesi. Universiteti i Prishtinës, buxheti vjetor i të cilit është vetëm 30 milionë euro, nuk mund të përballojë krijimin e laboratorëve të fjalës së fundit. Por stafi thotë se ata përdorin atë që kanë për t’i dhënë studentëve të kuptojnë botën reale.

“Ne nuk mund të japim shumë punë praktike këtu, por së paku ne përpiqemi t’i bëjmë studentët të ndjejnë zhurmën e motorit, në mënyrë që ata të mos tmerrohen kur të shkojnë në punishte,” thotë Shaban Buza, një profesor i inxhinierisë mekanike në Prishtinë.

Buza, i cili u emërua në tetor si rektor i Universitetit publik të Gjakovës, thotë se çdo reformë në arsimin e lartë duhet të ecë paralelisht me një analizë të tregut të punës.

“Ne nuk mund të kemi një strategji arsimi pa një strategji punësimi, gjë që do të tregojë se cilat profile ne do të na nevojiten në të ardhmen,” thotë ai. “Sot ne kemi një numër të stërmadh të diplomuarish për ekonomi dhe juridik.”

Të rinjtë Evropianë

Një vit pasi Kosova shpalli pavarësinë, qeveria i pagoi miliona euro agjencisë së marketingut Saatchi & Saatchi për të prodhuar një film të shkurtër me titull “Kosova, të rinjtë Evropianë”, për të prezantuar një imazh pozitiv për vendin më të ri të Evropës dhe popullsinë e re të këtij vendi.

Por realiteti ka rezultuar shumë i ndryshëm. Papunësia mes të rinjve tashmë është rreth 60 për qind.

Shumë nga të rinjtë Evropianë të Kosovës kanë vendosur se e ardhmja e tyre gjendet  diku tjetër në kontinent.

Në muajt e parë të këtij viti, mes 50,000 dhe 100,000 njerëz ikën nga vendi, në kërkim të perspektivave më të mira ekonomike në vendet më të pasura të Bashkimit Evropian. Disa analistë argumentojnë se ministrat duhet ta pranojnë migrimin ekonomik si një fakt në jetën e Kosovës – dhe politika arsimore duhet të përshtatet me tregun e punës jo vetëm në shtëpi por edhe jashtë vendit.

“Migrimi është një mënyrë jetese e nevojshme për Kosovën, siç ka qenë për gjenerata,” thotë Besa Shahini, një nga autoret e raportit me titull ‘Pse Kosova ka nevojë për Emigrim’, nga Iniciativa Evropiane për Stabilitet, një institut kërkimor me bazë në Berlin.

“Vendet e punës që kosovarët marrin jashtë vendit preken nga cilësia e arsimit në Kosovë,” thotë Shahini, duke shtuar se shumë të rinj studiojnë ekonominë dhe juridikun në vend që të mësojnë “aftësi për treg” të tilla punë si zdrukthëtaria, tekstili apo profesioni për përkujdesjeje.

“Një ripërqendrim te shkollat e arsimit profesional në Kosovë është i nevojshëm për të trajnuar të rinjtë për punë në Kosovë por edhe jashtë vendit,” thotë ajo.

Mes atyre profesioneve të kërkuara jashtë vendit janë mjekët. Përgjatë tri viteve të fundit, më shumë se 400 mjekë kanë ikur nga vendi, sipas Federatës Sindikale të Shëndetësisë në Kosovë. Paga mesatare e mjekut specialist në Kosovë është vetëm 600 euro – në rast se ata ia dalin ta gjejnë një vend pune.

Një mjek specialist që refuzoi të citohet me emër i tha BIRN se tani ai po punonte në një supermarket pasi u pushua nga puna në klinikë për shkak se mbështeti një parti politike që humbi pushtetin.

Karrierë në ‘Call Center’

Në Kosovë dhe në Shqipëri sot, sektorët që janë duke u zgjeruar dhe që po punësojnë njerëz nuk janë duke kërkuar posaçërisht të rinj me diploma universiteti.

Në një ditë me diell në qershor, Andi Fosa, menaxher i Tregi Kosovo, një kompani reklamash përmes telefonit me bazë në lagjen Pejton në qendër të Prishtinës, buzëqesh kur mikpret një kandidat të ri në një intervistë për punë. Çdo javë ai merr dhjetëra aplikime për punë. Kompania punëson rreth 70 njerëz, duke shitur produkte ushqimore italiane përmes telefonit në vendet gjermanishtfolëse dhe anglishfolëse.

Numri i të punësuarve në Tregi Kosovo — një degë e 3G Brothers Holding, një kompani ndërkombëtare me bazë në Lugano të Zvicrës – varion shumë në varësi të punës që ka qendra. Pak vite më parë, ajo ka pasur më shumë se 170 njerëz duke punuar me telefona.
Pasja e një diplome universiteti nuk është e nevojshme për të punuar në një ‘call center’ dhe nuk nënkupton një pagë më të lartë, megjithëse shumë nga të punësuarit e Fosa kanë më shumë se një diplomë.

“Njohuria e gjuhës, aftësitë bazë në kompjuter dhe të qenit një person pozitiv është gjithçka që duhet për të punuar këtu,” thotë Fosa.

Kristiana Gjoni thot se ka punuar te Tregi Kosovo prej gati tre vitesh. Paga bazë aty është 270 euro në muaj, por me mundësi edhe për komisione. Ajo ka dy diploma të nivelit bachelor nga Universiteti i Prishtinës, një për gjuhën gjermane dhe një për gazetari.

“Unë u regjistrova në dy fakultete të ndryshme në mënyrë që nëse një profesion nuk më ofronte mundësi për një punë, profesioni tjetër mundej,” thotë Gjoni. “Por në punën që po bëj, diploma universitare nuk ka asnjë rëndësi.”

Punëtorët në ‘call center’ Tregi Kosovo në qendër të Prishtinës. Foto: Jeton Mehmeti at the Tregi Kosovo call centre in central Pristina. Photo: Jeton Mehmeti

Kompania mëmë e Tregi Kosovo ka gjithashtu shtatë qendra në Shqipëri. Në fakt, ka 12 kompani ‘call center’ në mesin e 100 punëdhënësve më të mëdhenj në Shqipëri, duke punësuar në total 9,500 njerëz, sipas Ardian Hackaj, autor i një studimi mbi trendet e punësimit në Shqipëri i publikuar këtë vit.

Hackaj thotë se mes gjetjeve më befasuese të studimit të tij qe që më shumë se 80 për qind e kompanive të vrojtuara nuk kishin plane për të punësuar të diplomuar përgjatë dymbëdhjetë muajve të ardhshëm.

“Ata kanë plane për të punësuar të rinj, por jo domosdoshmërish të diplomuar,” thotë ai. “Kjo tregon se pronarët nuk punësojnë më diploma dhe kualifikime por njerëz ‘që mund të bëjnë punën.”

Këndvështrimi austriak

Në Austri, ku norma e papunësisë është vetëm gjashtë për qind, mund të gjesh punë të mirëpaguar dhe të kualifikuar falë një arsimimi të mirë – pa shkuar në universitet.

Fevzi Hajra, 21 vjeç, përfundoi arsimin bazë në Kosovë por tashmë është në vit të fundit në një shkollë profesionale në qytetin jugor të Grazit në Austri, ndërkohë që punon në një kompani inxhinierike. Ai fiton rreth 1,400 euro në muaj dhe së shpejti do të bëhet një saldator i kualifikuar. Ai ka vendosur se nuk dëshiron më të shkojë në universitet. Austria ka një nga normat më të ulëta të papunësisë mes të rinjve në Bashkimin Evropian në rreth 10 për qind sipas të dhënave të qershorit 2015.

Në sistemin arsimor të Austrisë, nxënësit zgjedhin një nga dy rrugët – një arsim të përgjithshëm që të çon drejt universitetit, ose një opsion më profesional, që sjell kualifikim si punonjës i specializuar, i njohur si Arsimi dhe Trajnimi Profesional, VET. Rreth 80 për qind e fëmijëve të shkollave zgjedhin VET pas shkollës fillore [pdf link].

“Austria nuk është ekskluzivisht e përqendruar në arsimin e lartë, siç kanë bërë vendet e tjera Evropiane, për shkak se… ne kemi një sistem shumë të fortë VET, i cili i kualifikon njerëzit për vende pune të cilat janë aktualisht të kërkuara në tregun e punës,” thotë Thomas Mayr, drejtor i ibw Austria, një institucion kërkimor në Vjenë që përqendrohet te arsimi profesional.

“Mbi 90 për qind e atyre që marrin VET punësohen më vonë.”

Arsimi profesional nuk është një koncept i panjohur në Shqipëri dhe Kosovë. Ka shkolla publike profesionale në të dyja vendet, por me reputacion shumë të ulët – aspak i ngjashëm me shkollat si ajo e Grazit ku studion Fevzi Hajra.

Në këtë shkollë, studentët mund të bëhen inxhinierë të specializuar në prodhimin e çelikut apo në ndërtimin e makinerive e veglave. Ata mund të bëhen saldatorë, madje edhe instruktorë fitnesi.

Sistemi austriak përfshin bashkëpunim të ngushtë mes shkollave dhe kompanive, ku studentët përfundojnë praktikën e punës. Në kompaninë inxhinjerike të Siemens në Graz, e cila prodhon trena dhe vagonë, praktikantët trajnohen në fusha që përfshijnë mekatronikën, ndërtimet prej çeliku dhe drejtimin e makinerive.

“Çdo vit, 12 deri në 18 praktikantë rekrutohen këtu në Siemens. Ata praktikisht mësojnë gjithçka që një student i inxhinierisë mekanike e mëson në nivel universiteti,” thotë Martin Kahr, i cili mbikëqyr praktikantët në fabrikë.

Në Kosovë, dhjetëramijëra studentë të shkollës së mesme aplikojnë për një vend në universitet, duke shpresuar se një ditë nuk do të përfundojnë si mjekë që punojnë në një supermarket apo avokatë që shërbejnë në një lokal.

Fevzi Hajra, ndërkohë, ëndërron që një ditë të kthehet në Kosovë dhe me ndihmën e një partneri austriak, ta menaxhojë fabrikën për metal punues në vendlindjen e tij në Vushtrri.

Kjo mund të tingëllojë si tepër ambicioze, por së paku Hajra ka ende një ëndërr – ndryshe nga Avni Avdiu, i cili është tërësisht i zhgënjyer nga vitet në të cilat është përpjekur të gjejë punë me pesë diploma universitare.

“Në këtë rajon meritokracia ka vdekur prej kohësh,” thotë ai. “Ky është vendi ku lidhjet familjare, partitë politike dhe korrupsioni e bëjnë punën.”

http://www.reporter.al/fabrikat-e-diplomave-kosova-dhe-shqiperia-prodhojne-te-diplomuar-pa-perspektive/

Tuesday, June 30, 2015

Analizë e shkollimit juridik në Shqipëri

 

Komisioni i Posaçëm Parlamentar për Reformën në Sistemin e Drejtësisë, Grupi i Ekspertëve, ka hartuar një raport “Analizë të Sistemit të Drejtësisë” ku vlerëson edhe shkollimin e lartë juridik në Shqipëri (Kapitulli 6).

Kapitulli 6, Analizë e Sistemit Arsimor të Drejtësisë vlerëson edukimin juridik në sistemin parauniversitar, arsimin e lartë dhe formimin e vazhdueshëm, si kurset e kualifikimit dhe shkollat e specializimit.

Vetë autorët nuk mëtojnë të kenë ndërmarrë ndonjë analizë të thellë dhe jo pak herë, sikur edhe për çështje të tjera në raport, konkluzionet nuk janë të bazuara në fakte por në perceptimin e tyre. Analiza mbi masivizimin nuk shoqërohet me një analizë të tregut të punës, si p.sh. numrin e duhur të gjykatësve, përmbaruesve, avokatëve, noterëve, policëve gjyqësore e prokurorëve, apo me tej juristëve në administratën shtetërore dhe atë të ndërmarrjeve të mëdha private.

Sipas autorëve: “këto probleme janë evidentuar nga një quick scan i arsimit ligjor në Shqipëri, dhe jo nga ndonjë analizë e thelluar e sistemit. Në vijim, janë evidentuar problemet që burojnë sa nga sistemi dhe parashikimet ligjore, aq edhe nga keqmenaxhimi  i sistemit” (fq. 217)

Gjithashtu mungojnë të dhëna statistikore dhe cilësore mbi studentët e trupën pedagogjike që sipas autorëve vështirësojnë vlerësimin e cilësisë.

Çdo kapitull, sikur edhe ky i arsimit, kanë faqe të tëra me fjali dhe tema të përsëritura disa herë, deri në mërzitje.

Dokumente: (1) Raporti i plotë: Analiza; (2) Kreu VI: Analizë e Sistemit Arsimor të Drejtësisë

Pyetjet që synohen të trajtohen në analizë janë (fq. 190):

1. Si ka ndikuar masivizimi i këtij arsimi në sistemin e drejtësisë? 
2. A e garantojnë institucionet e arsimit të lartë juridik cilësinë e mësimdhënies? 
3. Si paraqiten programet e studimit dhe kurrikulat e fakulteteve dhe departamenteve të Drejtësisë, krahasuar me standardet ndërkombëtare?
4. A ka një qasje midis niveleve të diplomave që lëshohen nga fakultetet dhe departamentet juridike me arsimin e lartë profesional? 
5. A ka një qasje midis niveleve të diplomave që lëshohen nga fakultetet dhe departamentet juridike, me tregun e punës? etj. 

Lidhur me pyetjet e mësipërme, përfundimet janë si më poshtë:

1.  “Në fakultetet juridike të IAL publike numri i përgjithshëm i studentëve deri në vitin akademik 2014-2015 është 8575 studentë, ndërsa në IAL jopublike është 2010 studentë.  Pas mbylljes së programeve të së drejtës, rezulton që numri i studentëve në fakultetet juridike publike është 4-herë më i madh se në ato jo-publike.” (fq. 191)

- Janë: “5 fakultete të Drejtësisë, ose departamente të Drejtësisë në universitetet publike, përkatësisht, Universiteti i Tiranës, Shkodrës, Vlorës, Durrësit dhe  Elbasanit, dhe 12 në shkollat e larta jopublike. Nga këto, ofrojnë studimet dhe diplomën e ciklit Bachelor 16 fakultete dhe departamente drejtësie, ofrojnë studimet në ciklin “master” 13,  fakultete drejtësie dhe studimet në shkollën doktorale 3 fakultete drejtësie.” (fq. 192)

image

2. “Cilësia e realizimit në praktikë të programeve mësimore në fakultete, paraqitet e diskutueshme. Pavarësisht zhvillimeve pozitive të kohëve të fundit me hapjen e programeve klinike, një pjese të mirë të lëndëve, u mungojnë tërësisht elementët praktikë.” (fq. 218) 

“Nuk ka pasur ndonjë analizë apo studim të posaçëm mbi arsimin e lartë universitar juridik në Shqipëri. Për rrjedhojë nuk ka ndonjë strategji për zhvillimin e këtij arsimi, apo ndonjë pjesë strategjie të posaçme në kuadrin e  strategjisë për zhvillimin e Arsimit të Lartë.” (fq. 217)

“Ligji nuk qartëson se, në përfundim të cilës fazë të studimeve bëhet kualifikimi si jurist. Legjislacioni nuk specifikon nëse do të gëzojë titullin “Jurist” vetëm  studenti që ka përfunduar ciklin e dytë të studimeve Master Shkencor, apo edhe studenti që ka përfunduar  Masterin Profesional dhe statusin e këtij të fundit si
pjesë e ciklit të dytë të studimeve. Nuk është e qartë se çfarë vlere ka në tregun e punës diploma Bachelor. Kjo paqartësi përfshin jo vetëm sistemin e studimeve me kohë të plotë, por edhe atë me kohë të pjesshme;” (fq. 218)

3. “Aktualisht, nuk ka një akt me karakter detyrues, që të përcaktojë grupin e lëndëve themelore të domosdoshme për formimin e juristit, të cilat duhet të zhvillohen nga çdo fakultet që ofron arsim juridik. Ka konfuzion edhe në raportin e lëndëve të detyrueshme me ato fakultative.” (fq. 193)

“Gjithashtu, në disa raste ka nevojë për një shpërndarje më të mirë të krediteve. P.sh., në Universitetin e Tiranës, ka lëndë me 9 kredite që zhvillohen brenda një semestri, ndërkohë që ato duhet të shtrihen në dy semestra, ose të reduktohet volumi i lëndës. Kjo ka sjellë fiktivitetet në numrin e krediteve. Shpeshhere
lendet e zhvilluara nga studentet ne universitetet jo publike nuk janë thelbësisht konform “shtyllës kryesore” te edukimit te juristeve pasi mungon një kontroll sistematik dhe i vazhdueshëm nga ana e institucioneve shtetërore ne saktësimin dhe standardizimin e tyre.”

“nuk konstatojmë një studim për zhvillimin e kurrikulave që pas reformimeve në kuadër të procesit të Bolonjës. Kështu, p.sh., ka raportime se ngarkesa e studentëve të masterit është e pastudiuar dhe disa lëndë duhet të rishikohen (Gjuha e huaj, Edukimi Fizik).  Gjithashtu, u konstatua se vetëm në
degën e drejtësisë të University of New York në Tiranë ofrohen programe mësimore në gjuhën angleze. Në asnjë fakultet tjetër drejtësie nuk ofrohen lëndë në gjuhën angleze, me përjashtim të rasteve të përfshirjes në programe të përbashkëta me universitete në vende anglishtfolëse (Universiteti “Marin
Barleti”). “

4. “Ajo çka vihet re është se, nuk ka një rregullim ligjor ose qoftë edhe dokumente të së drejtës të butë, ose ndonjë studim, që të njësojë dhe harmonizojë njohjen e vlerës së diplomave nga çdo institucion që ofron programe specializuese afatgjata në fushën e drejtësisë.” (fq. 196)

 

Statistika

image

image

image

image

Sunday, February 8, 2015

Mbi pranimet - diskutim mbi projekt-ligjin

 
Arjan Shahini
8 Janar, 2014

Një pjesë e kritikës ndaj projekt-ligjit të arsimit të lartë merret kryesisht me pranimet në universitete. Disa eksponentë të shquar të Universitetit të Tiranës si Shezai Rrokaj, Fakulteti i Historisë dhe Filologjisë, mendojnë se pranimet duhet të jetë kompetencë e universitetit, pasi studentët vijnë me mangësi të theksuara nëpërmjet sistemit të përqendruar të shpërndarjes [shih diskutimin].

Problemi me këtë qëndrim është mungesa e logjikës dhe e argumentit empirik, sepse:

1. mekanizmi i shpërndarjes së studentëve nuk ndryshon cilësinë e tyre;
2. Universitetet kanë dëshmuar se nuk i administrojnë më mirë;
3. Pranimet janë pjesë e politikave të qeverisë (nëpërmjet kuotave e tarifave).

Studentët shqiptarë janë ata që janë, me ato rezultate në maturë apo në shkollën e mesme. Prof. Dr. Rrokaj nuk mund të ndryshojë popullatën. Ndryshimet nga një provim mature në tjetrin nuk janë të mëdha sa i përket shpërndarjes se rezultateve të maturës. P.sh. shihni shpërndarjen e mesatares në vitin 2010-2014, mbi 50% janë poshtë notës 6. Ky është niveli i studentëve tanë.



Ndërsa Universiteti i Mjekësisë dhe Universiteti i Tiranës kanë gjithsesi përqendrimin më të madh të studentëve me pikët më të larta (shih grafikun më poshtë). Studentët më të mire janë përqendruar në tre universitete (Mjekësi, UT dhe UPT) dhe në programet që premtojnë në tregun e punës (Mjekësi, Inxhinieri Informatike, Inxhinieri Elektronike etj. kanë mbi 6000 pikë, nota mbi 9).
clip_image003

Nga 2013 në 2014 mesatarja e pikëve për tu pranuar në universitetet publike nuk ka ndryshuar shumë. Ka një rritje të pikëve mesatare nga viti 2014, por në disa universitete kjo është gjithashtu poshtë notës 6.

clip_image005

Për programet e letërsisë, në fushën e Prof. Dr. Rrokaj, pikët maksimale dhe minimale (ndër pikët e studentëve të fundit) për tu pranuar në programet janë poshtë notës 6. Pra vetëm nëse numri i studentëve për fakultetet e letërsisë do të reduktohej ndjeshëm, atëherë fakulteti do të mund të tërhiqte studentë të mire. Pikët maksimale në 2014 për letërsinë ishin 5371 dhe minimale 2785, midis notes 8 dhe 5 (mesatarja 4335 dhe median 4217, ndërmjet notës 6.5-7). Pra fakulteti i letërsisë në UT nuk konkurron për studentë me fakultetin e shkencave të natyrës apo ndonjë profesion teknik, por me të ngjashmit në universitet rajonale të Durrësit, Elbasanit, Shkodrës dhe Gjirokastër, ku nota mesatare është edhe më e ulët.

clip_image007

Ndërsa në vend që universitet publike të zotohen të përmirësojnë studentët me programe të posaçme, ato kërkojnë kontrollin e numrit të studentëve. Deri në vitin 2006, përpara prezantimit të maturës shtetërore, universitetet kishin dështuar në dy aspekte: në administrimin e provimeve të pranimit, ku dihen rastet e korrupsionit me shitjen e tezave; dhe në zgjerimin e arsimit të lartë. Edhe sot, kur universitetet administrojnë pranimet në ciklin e tretë përfliten për vonesa dhe korrupsion, si në Universitetin e Mjekësisë dhe Fakultetin e Juridikut në UT për specializimet e doktoratat.

Edhe para provimit të maturës cilësia e studentëve nuk ka qenë për tu lavdëruar. Mjafton të shikohen përqindjet e studentëve të diplomuar. Në Shqipëri diplomimi në varësi të institucionit është mesatarisht 35%. Në vitin 2004 ka qenë 14%, e madje është rritur që prej 2007. Pra vetëm 35% e studentëve të regjistruar diplomohen brenda një periudhë 6 vjeçare nga koha e regjistrimit. Mesatarja për vendet e OECD-së është 40% (OECD, 2010, shih tabelën më poshtë për krahasim me vendet e rajonit).
clip_image009

clip_image011
Burimi: Banka Botërore, 2014, Shqipëria nga unë.

Nga ana tjetër qeveria duhet të jetë e ndërgjegjshme se, nëse do të pranoheshim studentë me mesatare mbi 6.5, atëherë numri i studentëve për kohortë do të zvogëlohej me mbi 60% (nëse do të bazoheshim mbi shpërndarjen e mesatares së maturës, nga 40 000 aplikantë do të pranoheshin rreth 25 000). Sistemi do të përgjysmohej dhe do të sillte pasoja për universitetet publike dhe për studentët. Sidomos tani kur qeveria kërkon të tërhiqet nga financimi dhe ti hapë rrugë kreditimit të studentëve ky numër do të zvogëlohet edhe më tej.

Qeveria duhet ndërkohë të rrisë numrin e të diplomuarve për arsye të rritjes së kapitalit njerëzor e zhvillimit ekonomik që premton arsimi i lartë, por edhe për hir të aspiratave individuale. Historikisht arsimi i lartë ka qenë për një numër të vogël, dhe tanimë është e qartë se vetëm pasi qeveria e Partisë Demokratike morri në dorë pranimet, u rrit numri i studentëve.

Autonomia e institucioneve duhet respektuar, por nga ana tjetër arsimi i lartë është e mire publike dhe nuk mund të kthehet në privilegj në duart e akademikëve. Për këtë vlen të sqarohet misioni i universiteteve dhe i prioriteteve. (P.sh. a do të përparohet në kërkim apo në dhënien e shanseve të barabarta? Në zhvillimin rajonal, ku kërkohet që studentë cilësorë të qëndrojnë në vendbanimet e tyre e të mos dynden në Tiranë, apo në shtresëzimin e institucioneve, disa elitare e disa teper problematike?).

Siç është propozuar në projekt-ligj, institucionet pritet të kontribuojnë në zhvillimin ekonomik të vendit. Se sa mund të ndikojë forma e organizimit dhe menaxhimit në kryerjen e këtij misioni është tjetër diskutim. Për sa kohë qeveria është zgjedhur nga populli, dhe ka votat në parlament, ka të drejtë ta imponojë këtë mision.

Politikat e qeverisë për arsimin e lartë nuk prekin vetëm institucionet, por ekonominë e vendit dhe të ardhmen. Gjithashtu qeveria është përgjegjëse ndaj popullit, elektoratit, jo vetëm ndaj interesave të disa akademikëve që i trajtojnë institucionet publike si kuvli të tyre. Lirinë akademike pedagogët ta kërkojnë në interesat e tyre, e të mos ngatërrohen në përgjegjësitë e qeverisë. E qeveria është e këshilluar ta mbajë këtë mekanizëm sidomos për ciklin e parë të studimeve.

Thursday, April 17, 2014

Masivizimi-statistika

Arsimi i lartë sa i masivizuar

Ka një sërë artikujsh që kritikojnë masivizimin e arsimit të lartë. Këto kritika fokusohen kryesisht mbi numrin e madh të studentëve dhe cilësinë e njohurive të tyre akademike në hyrje të shkollës së lartë. 

Fillimisht duhet sqaruar se në literaturë dallohet ndëmrjet (1) sistemeve universitare eltiste (me deri nën 15% të moshave 18-25 të regjistruar në arsimin e lartë – Gross Enrollment Ratio - GER); (2) sistemeve massive të arsimit të lartë (15-50% GER); (3) dhe sistemeve universale (mbi 50% GER). Rritja e numri të studentëve është një trend anembanë botës (shih Grafik 1).

Grafik 1

Në fakt Shqipëria në krahasim me vendet e tjera ka një përqindje të lartë të maturantëve që regjistrohen në arsimin e lartë, por jo të pazakonshme (p.sh. shih SHBA, 73%). Domethënëse është treguesi Gross Enrollment Ratio, pasi shifra e maturantëve që regjistrohen nuk kap ata që regjistrohen më vonë, ata që shkëputen etj. Për këtë tregues Shqipëria është madje mbrapa (Grafik 2).  


Grafik 2
Shtimi i numrit të studentëve rrëfen historinë e trazirave sociale në Shqipëri. Gjatë viteve 70 përqindja e numrit të studentëve u ul ndjeshëm dhe u rrit pas viteve 80 (studentët e viteve 90 ishin produkti i zgjerimit të arsimit të lartë).

Nga ana tjetër Shqipëria ka ende shifrat më të ulta në rajon përsa i përket viteve të shkollimit për moshat 15 vjeç e sipër (Barro & Lee, 2010, Grafik 3).


Grafik 3

Në Shqipëri diplomimi në varësi të institucionit është 35%. Pra vetëm 35% e studentëve të regjistruar diplomohen brenda një përiudhe 6 vjeçare nga koha e regjistrimit. Mesatarja për vendet e OECD-së është 40% (OECD, 2010, shih tabelën më poshtë për krahasim me vendet e rajonit). Kështu që në Shqipëri kemi rritje në akses por jo në numrin të diplomuarëve, çfarë ka shkakton kosto të lartë për publikun dhe për pedagogët (Burimi: Banka Botërore, 2014, Shqipëria nga unë. Grafik 4). 

Grafik 4


Kritikët pretendojnë se masivizimi i arsimit të lartë ka shkaktuar dëme të mëdha shoqërore. Por dihet botërisht se rritja e aksesist në arsimin e lartë është e lidhur me zhvillimin ekonomik. Grafiku i paraqitur më poshtë, tregon se përfitimi nga arsimi i lartë, sidomos në rrafshin individual është disa herë më shumë se nivelet më të ulëta të arsimit (shih ilustrimin nga OECD, 2014, http://visualizing.org/full-screen/44117).

Ilustrim 1


Shkurtimisht, është e lehtë të kritikohet masivizimi dhe liberalizimi i arsimit të lartë, por shifra të tjera duhen për të vlerësuar efektin e tyre mbi sistemin ekonomik dhe cilësinë e arsimit të lartë në vend. 

Tuesday, April 15, 2014

Kritika-Ergys-Mërtiri





Ergzys Mërtiri, gazetar dhe pedagog, ka publikuar një kritikë mbi masivizimin e arsimit të lartë. Kritika e Mërtirit fokusohet në:

1. Pasojat e masivizimit të arsimit të lartë mbi cilësinë e studentëve dhe universitetet publike;
2. Pasojat e liberalizimit të arsimit të lartë në sektorin e arsimit privat, sidomos në lidhje me cilësinë e kualifikimit profesional dhe akademik në këto institucione;
3. Instrumentalizimin e arsimit të lartë për politika elektorale.

Kritika e Mërtirit argumentohet me mungesën e burimeve financiare dhe kufizimet infrastrukturore të universiteteve për të përthithur kërksën e lartë. Pamundësua për t’iu përgjigjur kërkesës ka sjellë probleme me cilësinë e mësimdhënies dhe kualifikimin akademik të studentëve.

Shteti si dhe vetë shoqëria shqiptare nuk ka në dispozicion as kuadro të mjaftueshëm pedagogjikë, as hapësira fizike për zhvillimin e orëve mësimore, as kurrikulat e duhura e as një sistem efikas për një masivizim të tillë. Aktualisht kemi një sistem arsimor të mjeruar, me klasa të mbingopura, me fakultete që zhvillojnë mësim me turne, nga mëngjesi deri darkë, ku shpesh pedagogët nuk gjejnë dot klasë ku ti zhvillojnë orët, teksa mungojnë masivisht laboratorët, mundësitë për zhvillimin e praktikave mësimore, e madje mungojnë edhe tekstet e leksioneve, të cilat janë rëndom të pazhvilluara e papërditësuara me prurjet më të reja shkencore.

Mërtiri kritikon situatën në sistemin e arsimit të lartë privat. Sipas tij qeveria nuk po kontrollon cilësinë e ofertuesve privat, të cilët nuk zotërojnë infrastrukturën e duhur laboratorike për trajnimin dhe kualifikimin e studentëve.

Nga ana tjetër, universitetet private janë shndërruar tashmë në piramida që fabrikojnë diploma pa vlerë. Qeveria e mëparëshme ka bërë sikur ka ashpërsuar kriteret e licensimit dhe akreditimit të tyre, por e vërteta është se nuk ka mbetur kioskë që ofron aktivitet arsimor pa u licensuar e akredituar, madje edhe në degë shumë problematike, që kërkojnë kushte tepër rigoroze, si psh. mjekësia, ku minimalisht kërkohet një numër i caktuar shtretërish spitalorë në dispozicion për ushtrimin e praktikave mësimore. Shumë universitete të tillë janë akredituar ndërsa e zhvillojnë procesin mësimor thuajse krejtësisht me shënime, pa prekur kurrë as makete, as laboratorë, as aparatura e madje as të sëmurë me dorë. 
Sipas Mërtirit masivizimi i arsimit ka sjellë pasoja në cilësinë e studentëve.


Masivizimi i arsimit natyrisht që ka sjellë rënien drastike të nivelit të studentëve. Nuk ka dyshim që kemi të bëjmë me një sistem universitar, ku pjesa dërrmuese nuk ka asnjë lidhje me universitetin. Shumë pedagogë, sidomos në universitetet private, ndeshen çdo ditë me fenomene të pabesueshme, material i gjallë për prodhim barcaletash, në lidhje nivelin e studentëve të sotëm. Kemi studentë shkencash politike që nuk dinë të thonë emrin e as edhe një autori të vetëm politolog, ndërsa kemi studentë juridiku që nuk dinë se çdo të thotë gjykim kolegjial, apo që mendojnë se avokati nuk është jurist.