Friday, November 14, 2014

Mbi Tatimin e vlerës së shtuar në shërbimet arsimore

 

(publikuar per here te pare ne www.Peizazhe.com)

 

Subvencionimi i arsimit të lartë privat

Duke komentuar deklaratën e kryeministrit Edi Rama se arsimi privat ishte trajtuar si “i njerkës” nga shteti, Prof. Dr. Fuga në një shkrim kundërshtoi pretendimin duke argumentuar se arsimi i lartë privat ishte faktikisht i mbështetur disa herë nga qeveria dhe publiku, qoftë nëpërmjet kuadrit lehtësues rregullator (financiar e qeverisës) por edhe nga burimet financiare të disponuara nga studentët dhe institucionet private.

Një nga mënyrat e drejtpërdrejta të mbështetjes financiare ndaj institucioneve private është edhe përjashtimi i institucioneve të arsimit privat nga pagesa e tatimit të vlerës së shtuar. Në 2009 qeveria ndryshoi ligjin nr. 7928/1995 “Për TVSH” duke shtuar nenin 24/1 për përjashtimin e shërbimeve arsimore nga institucionet e arsimit privat nga tatimi. Teorikisht ky përjashtim nga taksa e TVSH-së (20%) subvencionon tarifën e studimit, por praktikisht i ka shkuar pronarëve të institucioneve fitimprurëse (OJF-të ishin të përjashtuara), sepse tarifat e deklaruara të studimit nuk ndryshuan me përjashtimin nga tatimi. Ndoshta synimi i qeverisë Berisha ishte të rriste investimet private në sektorin e arsimit, por tani ky prioritet zhvillimi është i kaluar. Përjashtimi nga tatimi gjithashtu favorizon vetëm institucionet e mëdha fitimprurëse me mbi 1000 studentë (“Albanian University”, “UET”, “Kristal” dhe “Vitrina” që zënë mbi 70% të tregut).

Të njëjtën politikë po vazhdon edhe qeveria Rama. Projekt-ligji i ri “Për Tatimin mbi Vlerën e Shtuar” propozon në nenin 51/i përjashtimin nga tatimi të shërbimeve në institucionet e arsimit privat si “veprimtari me interes të përgjithshëm”. Ligji nuk diskriminon ndërmjet shërbimeve në arsimin e lartë dhe atij të ulët e të mesëm. Duke mos diferencuar ndërmjet institucioneve qeveria Rama, në vazhdimësinë e qeverisë Berisha, dëshmon pozicionin e saj se arsimi i lartë, sikur arsimi i mesëm, është një e mirë publike dhe jo krejtësisht individuale. Gjithashtu projekt-ligji është më specifik në përcaktim, ndryshe nga ligji i vjetër (“furnizimi me shërbime arsimore”) në këtë ligj parashikohet përjashtimi nga tatimi vetëm për shërbime: “të edukimit të fëmijëve dhe të rinjve, të mësimdhënies shkollore apo universitare, formimit profesional dhe rikualifikimit, përfshire furnizimin e shërbimeve dhe mallrave ngushtësisht të lidhura me to”.

 

Propozimi

Por unë mendoj se nuk është e drejtë që shteti të diferencojë ndërmjet subjekteve tregtare fitimprurëse (edhe pse ligji përcakton termin “shërbim”). Për këtë, një zgjidhje është që shteti t’ia kalojë subvencionimin studentëve apo prindërve në formën e rimbursimit të TVSH-së dhe të rimbursimit nga tatimi i të ardhurave. Shërbimi i arsimit të mos përjashtohet nga pagesa e tatimit të vlerës së shtuar, por të rimbursohet tek individi. Kjo zgjidhje është e mundshme me ndryshimin e ligjit nr. 8438/1998 "Për Tatimin Mbi Të Ardhurat" dhe projekt-ligjin e propozuar për TVSH-në. Ligji për tatimet mbi të ardhurat përcakton deklarimin e të ardhurave individuale (kreu II), ndërsa projekt-ligji përjashton shërbimet e edukimit/mësimdhënies nga TVSH-ja. Shkurtimisht, shteti nuk ja heq TVSH-në në burim shërbimit arsimor, por pas deklarimit të të ardhurave personale. Sipas rastit shteti i kthen qytetarit pagesën e TVSH-së për shërbimet relevante me edukimin. Me këtë rast qeveria mund ta ketë këtë politikë mbështetjeje (apo ndihme) në formën e një fondi të veçantë, jo të përcaktuar në ligjet e tatimeve (që duhen ndryshuar me mbi 2/3) por me një vendim të posaçëm, çka do t’i jepte më shumë mundësi manovrimi (sidomos në prag fushatash, krize ekonomike etj.).

Së pari shteti kontrollon më mirë të ardhurat në institucionet e arsimit privat (deri më tani ato ishin në varësi të vetë-deklarimeve nga institucionet) dhe inkurajon zbatimin e ligjit për deklarimin e të ardhurave personale. Së dyti kjo i hap rrugë rritjes së tarifave të studimit edhe në institucionet publike, pasi individët do të mbështeteshin njësoj nga përjashtimi për shërbimin e arsimit. Së treti, kjo praktikë do të mundësonte zbatimin e skemës së kredisë studentore, e cila është përfolur në strategjinë e arsimit të lartë të qeverisë së kaluar. Dhe së katërti, qeveria do të krijonte kështu një preferencë të qartë për institucione arsimore jofitimprurëse.

Kjo skemë mbështetje përdoret në shumë vende perëndimore, sidomos në rastin e tatimit mbi të ardhurat. Në SHBA ka mbi 12 kategori të përfitimeve nga taksat për qëllimin e arsimimit dhe trajnimit profesional. Asistenca financiare federale në formën e përfitimit nga taksat zë pjesën më të madhe të ndihmës për nga numri i përfituesve (rreth 12 milion studentë në vit me nga një përfitim prej 1300$/vit fiskal). Format kryesore janë zbritjet nga taksat (nga kamata e kredisë studentore, tarifat e studimit etj.) dhe përjashtime nga taksat (nga interesat për llogaritë e kursimit apo bonot e thesarit, nga shpenzimet e punëdhënësit për edukimin e punonjësve etj.). Programet kryesore janë American Opportunity Tax Credit (AOTC) dhe Lifetime Learning Credit (LLC) nga ku studentët mund të përfitojnë rimbursime prej 2000-2500$/vit. Ndërsa në Gjermani prindërit e studentëve përjashtohen nga taksa e kishës dhe e solidaritetit apo pësojnë zbritje nga të ardhurat (Ausbildungsfreibetrag rreth 1000€). Në Holandë prindërit mund të zbresin nga të ardhurat deri afërsisht 4000 euro për jetesën dhe tarifat e studimit. Në Angli studentët nuk paguajnë taksat e bashkisë (diku tek 1000£ për banesë).

 

Problemi me skemën e rimbursimit

Problemi i vetëm me këtë propozim janë skemat e vjedhjes nëpërmjet rimbursimit. Në nëntor të 2013 me urdhër të Prokurorisë së Tiranës u arrestuan pesë punonjës së Drejtorisë së Tatimeve Tiranë. Sipas gazetës Tema (5 nëntor, 2014) nga skema e rimbursimit të tatimit mbi vlerën e shtuar (TVSH) ishin përfituar nëpërmjet mashtrimit mbi 26 (+5 në disa burime) milion dollarë. Gjatë zbulimit të ngjarjes u ndërmorrën përpjekje skandaloze për të manipuluar dhe zotëruar serverin e të dhënave në Drejtorinë e Përgjithshme të Tatimeve nga të dyja palët, keqbërësit dhe shantazhistët, si nga nëpunësit e ish-qeverisë Berisha dhe nga qeveria Rama nëpërmjet Spartak Brahos. Në Ora News (24 Janar, 2014) Braho deklaroi se ndërhyrja nuk kishte qëllim vetëm zbulimin e skemës së vjedhjes por edhe të evazionit fiskal në “qindra miliona euro”.

Rimbursimi i TVSH-së parashikohet në ligjet nr. 7928/1995 “Për TVSH” dhe nr. 9920/2008 “Për Procedurat Tatimore në RSH”. Por rasti shënjon një dukuri të pazakontë sa i takon rimbursimit. Në një sondazh të qendrës “Rritje Albania”  (2010) mbi 34% e bizneseve të eksportit deklaronin se kishin vonesa të gjata ose mohim për rimbursimin, 33% kishin më shumë se 1 muaj dhe mbi 70% pretendonin se procedurat për rimbursimin ishin të lodhshme e të ndërlikuara. Megjithë gjasat e pakta për të përfituar rimbursimin, asnjë kompani e intervistuar në sondazhin e “Rritje Albania” nuk kishte hapur çështje gjyqësore me tatimet. Gjithashtu ndryshimi i kuadrit ligjor nuk solli ndonjë përmirësim për mbi 70% të kompanive. Shumica e kompanive nuk kishin mundësi të përfitonin as kamatën për vonesën e rimbursimit. Ndërsa shifra prej 26 milion dollarë e rimbursuar ndaj vetëm dy kompanive është e pazakontë nëse do të kishim parasysh se drejtori i tatimeve deklaronte për vitin 2010 rimbursim në total prej 60 milion dollarësh  - dy herë gati sa shifra e vjedhur. Deputeti i Partisë Socialiste, z. Erjon Braçe, pretendon se vjedhja me ketë skemë arrin deri në 100 milion dollarë. Shkurt, skemat e rimbursimit mund të kthehen në gropa të zeza edhe për rimbursimin e shpenzimeve të patatueshme ndaj individëve.

Sunday, November 9, 2014

Kundërshtohet vendimi i qeverisë për godinën e UPT

 

Fakulteti i Gjeologji-Minierave në revoltë: Qeveria po na merr godinën për pallat drejtësie.

Gazeta Tema, 9.11.2014 (http://www.gazetatema.net/web/2014/11/09/fakulteti-gjeologji-miniera-ne-revolt-qeveria-po-u-merr-godinen-per-pallat-drejtesie/)

Një grup pedagogësh dhe profesorë të shquar të Universitetit të Tiranës në Fakultetin Gjeologji Miniera u kanë drejtuar atuoriteteve shqiptare, një peticion ku kundërshtojnë ashpër tjetërsimin e godinës historike të këtij fakulteti në një objekt tjetër në funskion të disa institucioneve të drejtësisë shqiptare. Në peticion thuhet:

“Tashmë është marrë vesh për një VKM lidhur me kalimin e godinës së Fakultetit të Gjeologjisë dhe Minierave (FGJM) Gjykatës së Lartë. Në rast se një vendim i tillë qëndron dhe është i vërtetë, ky do të ishte një gabim fatal, në dëm të ekonomisë shqiptare, në dëm të kërkimeve gjeologjike të vendburmeve të naftës e të gazit, të kromit dhe të bakrit, të materialeve të ndërtimit e dhjetra mineraleve të tjerë. Ështe në dëm të formimit të inxhinierëve gjeologë, të minierave, të naftës e gazit, të gjeofizikës, të gjeologjisë ingjinierike dhe të mjedisit, në dëm të Shkencave të Tokës dhe të gjithë Shërbimit Gjeologjik Shqiptar. Ne botë, edhe në Shqipëri ndër vite, shtëpi banimi kanë hapur dyert për shkolla që të mësojnë fëmijët dhe të mos mbeten analfabetë. Madje edhe kasha, xhami a teqe janë kthyer në shkolla dhe nuk ka ndodhur kurrë që shkolla të kthehet në një zyrë. Monumentet dhe institucionet e dijes dhe të kulturës, ruhen si sytë e ballit dhe kombet krenohen me historinë e tyre. Fatkeqësisht, në shekullin njëzet e një në Shqipëri, një VKM e Rilindjes bën të kundërtën e asaj që na mësoi Naimi dhe Samiu: shkatërron një Fakultet për të bërë një zyrë sado e rëndësishme të jetë, të vetmen shkollë për specialistët e gjeologjisë, të minierave dhe të naftës e të gazit që ka Shqipëria, me një histori gjashtëdhjetë vjecare.

Ne që po ju drejtohemi me këtë peticion, të shokuar, të fyer dhe të përbuzur nga një vendim i tillë rrufe, jemi nje grup pensionistësh ish-pedagogësh , kryesisht me tituj profesorësh, që kemi punuar me dekada të tëra në atë fakultet e në atë godinë, duke i dhënë gjithë kontributin tonë shkencor e pedagogjik.

Godina për të cilën bëhet fjalë nuk është thjesht një ndërtesë çfardo, që mund të kalohet lehtë nga një institucion në një tjetër, ajo është GODINA SIMBOL,ku kane studjuar e janë dipllomuar 4800 kuadro të shkencave të tokës (gjeologji, gjeofizikë, miniera, shpim-nxjerrje etj.), të cilët kanë marrë pjesë dhe kanë mbajtur mbi shpinën e tyre tërë barrën e zhvillimit të vëndit për dekada me radhë. Me përkushtim, sakrifica, dije dhe vetmohim, mijëra inxhinierë të përgatur në bangat e këtij fakulteti gjatë 60 vjetëve, kanë punuar dhe drejtuar kërkimin e vendburimeve dhe shfrytëzimin e tyre për të mirën e ekonomisë shqiptare. Nuk na takon ne t’ju kujtojmë se ekonomija shqiptarë mërrte mbi 450 milion dollarë në vit nga industria minerare dhe e naftës, që për ekonominë shqipëtare janë nxjerrë miliona tonë naftë, bakër, krom etj. Në brendi të kësaj godine ndodhen vlera kombëtare, të cilat nuk mund të trasportohen e të hidhen kaq lehtë nëpër zyra pa vlerë apo edhe bodrume diku. Për vetë karakterin e materialeve si kampionatura shkëmbinjsh nga I gjithë vendi, modele dhe aparaturave që ndodhen në laboratoret e këtij fakulteti çdo lëvizje e tyre do ti dëmtonte dhe do ti bënte të pavlera. Për grumbullimin e asaj kampionature e të atyre paisjeve është punuar me dekada nga breza të tërë gjëologësh, minatorësh, shpuesash etj. Në këto kushte nuk mund të lejohet që njerëz pa përgjegjësi dhe që nuk duan të dinë se çështë gjeologjia, të vendosin për fatin e tyre.

Fakulteti Gjeologi-Miniera (FGjM) është e vetmja, e përsërisim, e vetmja shkollë e lartë në fushën e shkencave të tokës në Shqipëri. Nëqoftëse aktualisht në vëndin tonë ka disa fakultete juridike, disa ekonomike, disa filozofike etj. etj., FGJM është një dhe vetëm një.

Dikur thuhej se “Nafta çan bllokadën’, “Kromi çan bllokadën” etj, Pavarësisht karakterit politik të kohës të këtyre slloganeve, aty kishte një gjë të vërtetë se këto janë pasuri kapitale të këtij vëndi. Nëntoka shqiptare është e pasur në minerale te dobishëm, dhe kjo nuk është gjë e re, por ne duhet te theksojmë se këto pasuri kolosale janë nxjerrë dhe do të nxiren nga specialistët shqiptarë dhe asnjë i huaj. Gjeologjia është si gjuha e mëmës, mineralet i gjejnë specialistët që njohin vendin gur më gur, që e duan dhe u dhimbet atdheu. Me sa duket, nuk janë bindur politikanët dhe zyrtarët shqiptarë se kompanitë e huaja kanë 20 vjet që po punojnë në Shqipëri dhe nuk kanë gjetur asnjë vendburim të ri, vetëm po shfrytëzojnë ato që kanë gjetur gjeologët e formuar në këtë Fakultet, si edhe nuk mërret vesh se sa të ardhura ka shteti shqiptar nga ky shfrytëzm barbar që bëjnë. Jemi drithëruar pardje kur një minator u vra se ra në një pus në minierën e Bulqizës dhe pamë minatorët zbathur që ecnin nëpër ujërat e galerisë. Është drithëruese kjo sjelle e trajtimi skllavëror ndaj minatorëve, që nuk ka ndodhur kurrë. Këtë, duhet të mos lejojnë intsitucionet e shtetit dhe jo të shkatërrojnë shkollën. Mos lejoni të kthehet skllavëria.

Nga dyert e asaj shkolle kanë dalë specialistë të shkëlqyer, që kanë dhënë kontribute me vlera të mëdha në fushën e kërkim – zbulimit të vendburimeve të naftës, të kromit, të bakrit, të qymyreve etj. Shumë nga këta pa asnjë arsye u kalbën burgjeve dhe madje u ekzekutuan nga diktatura. Po të ishin gjallë, ata njerëz të mëdhej, nuk do të lejonin në asnjë mënyrë t’u merrej e t’u përdhosej simboli i tyre, godina të cilën disa zyrtarë arrogantë e të pa përgjegjshëm duan t’j kalojnë dikujt tjetër si pa gjë të keq. Turp edhe për ata që duan të futen në shkollë dhe ta bëjnë atë zyrën e tyre. Kemi përshtypjen se përfat të keq ka edhe anëtarë qeverie që nuk e dinë që ka një fakultet të tillë, ku punon një kolektiv pedagogësh e shkencëtarësh të shquar, të mirënjohur edhe në botë, të cilët kanë qenë dhe janë ndër diplomatët më të mirë për shqipërinë.

Zëmërimi që ka ngjallur ky “Vendim” nuk është vetëm midis studentëve e pedagogve aktualë, por tek të gjithë pa përjashtim specialiatët e Shërbimit Gjeologjik Shqiptar dhe jo vetëm kaq. Shumë nga kolegët tanë apo ish studentë që kushtet e jetës i çuan jashtë atdheut, shprehin të njëjtën zëmëratë e indinjatë dhe janë kundër këtij vendimi.

Ne, sikundër edhe ata, i kërkojmë Qeverisë që të anullojë një vendim të tillë tepër të gabuar, që do ta dëmtonte rëndë në përgjithësi ekonominë shqiptare. Mos i zëmëroni gjeologët, Zotrinj qeveritarë, mos ju bini më qafë, krijohuni kushtet e nevojshme dhe lërini të punojnë për të mirën e atdheut. Nuk përparon ekonomia e një shteti pa shfrytëzuar burimet natyrore që ka, në ballin e të cilave qëndrojnë mineralet e dobishme.

Që gjatë viteve të tranzicionit, nga të gjtha qeveritë që janë ndërruar, jo vetëm nuk është punuar për të ruajtur dhe mirëmbajtur monumentet e historisë, të kulturës dhe te dijeve, por përkundrazi shumë prej tyre janë shkatërruar duke filluar me lapidarët e historisë, heqjen e rojeve ne disa muzeume dhe deri në shkatërrimin e Muzeumit të Natyrës Shqiptare në qendrën e Tiranës i cili kishte edhe Muzeumin e Gjeologjise se Shqiperisë. Është e pafalshme që tani, kur shpresojmë dhe presim të bëjmë përpara, tu turremi dhe shkatërrojmë edhe shkollat.

Ne, ish pedagogë e profesorë të këtij fakulteti, aktualisht në pension, i kërkojmë Qeverisë që jo vetëm ta lërë të qetë kolektivin e profesorëve aktualë dhe bashkpuntorët e tyre për një punë normale, por brënda mundësive të gjejë edhe burime financiare për përmirësimin e infrastrukturës të asaj godine, në atë fakultet, ku në dimër mësohet pa ngrohje, si në asnjë zyrë të shtetit shqiptar, por fatkeqësisht si në shumë shkolla.

FGjM, si institucion tepër i rëndësishëm dhe i vetëm i Arsimit të Lartë, me 2400 studentë, sa që mësimi zhvillohet në dy turne, qysh prej dekada vitesh, ka një traditë të shkëlqyer, ku cilesia e mësimeve ka qenë dhe mbetet në nivele të mira e shumë të mira. Ne, si veteranë të ketij Institucioni tepër serioz, Ju lutemi që ta rishikoni këtë vendim, të cilin po e quajmë si plotësisht të nxituar dhe të pamerituar për atë armatë të madhe të ish studenteve, të pedagogëve dhe të studenteve të sotëm. Sa më sipër, Ju lutemi edhe në emërin e tyre, që ta rishikoni dhe ta zhbëni këtë vendim, që mund të hyjë në historinë e arsimit si një turp, të cilin Ju nuk e meritoni, për arsyen e thjeshtë se Ju jeni shpresa për rimëkëmbjen e këtij vendi. Tërheqja nga vendimet e gabuara, ju lartësojnë edhe më shumë!

Theksojmë edhe një herë se Nëntoka Shqiptare është shumë e pasur dhe ajo duhet të studjohet e kërkohet, të zbulohen vendburimet dhe vihen në shfrytëzim në dobi të ekonomisë shqiptare, në radhë të parë nga shqiptarët, nga kuadrot që kanë dalë e do të dalin nga ai fakultet, nga ajo godinë simbol. Le të mos shkojmë në të kundërt me atë që na tregon përvoja e jonë e dhjetra viteve të shekullit të kaluar, me atë që na mësojnë rilindasit, që na mëson Samiu i madh në librit e tij “Shqipëria c’ka qenë, c’është dhe c’do të bëhet” për ekonominë minerale në Shqipëri.,”

Firmosin:

Prof. Dr. Selam Meço

Prof. Dr. Alfred Frasheri

Prof. Dr.Jorgo Kanani

Prof. Dr.Jorgji Hanxhari

Prof. Dr. Rushan Lico

Prof. Dr. Artan Tashko

Inxh. Vngjel Ndrio

Prof. Dr. Jorgo Vllaho

Prof. Dr. Skender Osmani

Prof. Dr. Engjell Prenjasi

Prof. Dr. Andon Grazhdani

Prof. Dr. Arqile Teta

Prof. Dr. Sotig Guxha