Friday, November 14, 2014

Mbi Tatimin e vlerës së shtuar në shërbimet arsimore

 

(publikuar per here te pare ne www.Peizazhe.com)

 

Subvencionimi i arsimit të lartë privat

Duke komentuar deklaratën e kryeministrit Edi Rama se arsimi privat ishte trajtuar si “i njerkës” nga shteti, Prof. Dr. Fuga në një shkrim kundërshtoi pretendimin duke argumentuar se arsimi i lartë privat ishte faktikisht i mbështetur disa herë nga qeveria dhe publiku, qoftë nëpërmjet kuadrit lehtësues rregullator (financiar e qeverisës) por edhe nga burimet financiare të disponuara nga studentët dhe institucionet private.

Një nga mënyrat e drejtpërdrejta të mbështetjes financiare ndaj institucioneve private është edhe përjashtimi i institucioneve të arsimit privat nga pagesa e tatimit të vlerës së shtuar. Në 2009 qeveria ndryshoi ligjin nr. 7928/1995 “Për TVSH” duke shtuar nenin 24/1 për përjashtimin e shërbimeve arsimore nga institucionet e arsimit privat nga tatimi. Teorikisht ky përjashtim nga taksa e TVSH-së (20%) subvencionon tarifën e studimit, por praktikisht i ka shkuar pronarëve të institucioneve fitimprurëse (OJF-të ishin të përjashtuara), sepse tarifat e deklaruara të studimit nuk ndryshuan me përjashtimin nga tatimi. Ndoshta synimi i qeverisë Berisha ishte të rriste investimet private në sektorin e arsimit, por tani ky prioritet zhvillimi është i kaluar. Përjashtimi nga tatimi gjithashtu favorizon vetëm institucionet e mëdha fitimprurëse me mbi 1000 studentë (“Albanian University”, “UET”, “Kristal” dhe “Vitrina” që zënë mbi 70% të tregut).

Të njëjtën politikë po vazhdon edhe qeveria Rama. Projekt-ligji i ri “Për Tatimin mbi Vlerën e Shtuar” propozon në nenin 51/i përjashtimin nga tatimi të shërbimeve në institucionet e arsimit privat si “veprimtari me interes të përgjithshëm”. Ligji nuk diskriminon ndërmjet shërbimeve në arsimin e lartë dhe atij të ulët e të mesëm. Duke mos diferencuar ndërmjet institucioneve qeveria Rama, në vazhdimësinë e qeverisë Berisha, dëshmon pozicionin e saj se arsimi i lartë, sikur arsimi i mesëm, është një e mirë publike dhe jo krejtësisht individuale. Gjithashtu projekt-ligji është më specifik në përcaktim, ndryshe nga ligji i vjetër (“furnizimi me shërbime arsimore”) në këtë ligj parashikohet përjashtimi nga tatimi vetëm për shërbime: “të edukimit të fëmijëve dhe të rinjve, të mësimdhënies shkollore apo universitare, formimit profesional dhe rikualifikimit, përfshire furnizimin e shërbimeve dhe mallrave ngushtësisht të lidhura me to”.

 

Propozimi

Por unë mendoj se nuk është e drejtë që shteti të diferencojë ndërmjet subjekteve tregtare fitimprurëse (edhe pse ligji përcakton termin “shërbim”). Për këtë, një zgjidhje është që shteti t’ia kalojë subvencionimin studentëve apo prindërve në formën e rimbursimit të TVSH-së dhe të rimbursimit nga tatimi i të ardhurave. Shërbimi i arsimit të mos përjashtohet nga pagesa e tatimit të vlerës së shtuar, por të rimbursohet tek individi. Kjo zgjidhje është e mundshme me ndryshimin e ligjit nr. 8438/1998 "Për Tatimin Mbi Të Ardhurat" dhe projekt-ligjin e propozuar për TVSH-në. Ligji për tatimet mbi të ardhurat përcakton deklarimin e të ardhurave individuale (kreu II), ndërsa projekt-ligji përjashton shërbimet e edukimit/mësimdhënies nga TVSH-ja. Shkurtimisht, shteti nuk ja heq TVSH-në në burim shërbimit arsimor, por pas deklarimit të të ardhurave personale. Sipas rastit shteti i kthen qytetarit pagesën e TVSH-së për shërbimet relevante me edukimin. Me këtë rast qeveria mund ta ketë këtë politikë mbështetjeje (apo ndihme) në formën e një fondi të veçantë, jo të përcaktuar në ligjet e tatimeve (që duhen ndryshuar me mbi 2/3) por me një vendim të posaçëm, çka do t’i jepte më shumë mundësi manovrimi (sidomos në prag fushatash, krize ekonomike etj.).

Së pari shteti kontrollon më mirë të ardhurat në institucionet e arsimit privat (deri më tani ato ishin në varësi të vetë-deklarimeve nga institucionet) dhe inkurajon zbatimin e ligjit për deklarimin e të ardhurave personale. Së dyti kjo i hap rrugë rritjes së tarifave të studimit edhe në institucionet publike, pasi individët do të mbështeteshin njësoj nga përjashtimi për shërbimin e arsimit. Së treti, kjo praktikë do të mundësonte zbatimin e skemës së kredisë studentore, e cila është përfolur në strategjinë e arsimit të lartë të qeverisë së kaluar. Dhe së katërti, qeveria do të krijonte kështu një preferencë të qartë për institucione arsimore jofitimprurëse.

Kjo skemë mbështetje përdoret në shumë vende perëndimore, sidomos në rastin e tatimit mbi të ardhurat. Në SHBA ka mbi 12 kategori të përfitimeve nga taksat për qëllimin e arsimimit dhe trajnimit profesional. Asistenca financiare federale në formën e përfitimit nga taksat zë pjesën më të madhe të ndihmës për nga numri i përfituesve (rreth 12 milion studentë në vit me nga një përfitim prej 1300$/vit fiskal). Format kryesore janë zbritjet nga taksat (nga kamata e kredisë studentore, tarifat e studimit etj.) dhe përjashtime nga taksat (nga interesat për llogaritë e kursimit apo bonot e thesarit, nga shpenzimet e punëdhënësit për edukimin e punonjësve etj.). Programet kryesore janë American Opportunity Tax Credit (AOTC) dhe Lifetime Learning Credit (LLC) nga ku studentët mund të përfitojnë rimbursime prej 2000-2500$/vit. Ndërsa në Gjermani prindërit e studentëve përjashtohen nga taksa e kishës dhe e solidaritetit apo pësojnë zbritje nga të ardhurat (Ausbildungsfreibetrag rreth 1000€). Në Holandë prindërit mund të zbresin nga të ardhurat deri afërsisht 4000 euro për jetesën dhe tarifat e studimit. Në Angli studentët nuk paguajnë taksat e bashkisë (diku tek 1000£ për banesë).

 

Problemi me skemën e rimbursimit

Problemi i vetëm me këtë propozim janë skemat e vjedhjes nëpërmjet rimbursimit. Në nëntor të 2013 me urdhër të Prokurorisë së Tiranës u arrestuan pesë punonjës së Drejtorisë së Tatimeve Tiranë. Sipas gazetës Tema (5 nëntor, 2014) nga skema e rimbursimit të tatimit mbi vlerën e shtuar (TVSH) ishin përfituar nëpërmjet mashtrimit mbi 26 (+5 në disa burime) milion dollarë. Gjatë zbulimit të ngjarjes u ndërmorrën përpjekje skandaloze për të manipuluar dhe zotëruar serverin e të dhënave në Drejtorinë e Përgjithshme të Tatimeve nga të dyja palët, keqbërësit dhe shantazhistët, si nga nëpunësit e ish-qeverisë Berisha dhe nga qeveria Rama nëpërmjet Spartak Brahos. Në Ora News (24 Janar, 2014) Braho deklaroi se ndërhyrja nuk kishte qëllim vetëm zbulimin e skemës së vjedhjes por edhe të evazionit fiskal në “qindra miliona euro”.

Rimbursimi i TVSH-së parashikohet në ligjet nr. 7928/1995 “Për TVSH” dhe nr. 9920/2008 “Për Procedurat Tatimore në RSH”. Por rasti shënjon një dukuri të pazakontë sa i takon rimbursimit. Në një sondazh të qendrës “Rritje Albania”  (2010) mbi 34% e bizneseve të eksportit deklaronin se kishin vonesa të gjata ose mohim për rimbursimin, 33% kishin më shumë se 1 muaj dhe mbi 70% pretendonin se procedurat për rimbursimin ishin të lodhshme e të ndërlikuara. Megjithë gjasat e pakta për të përfituar rimbursimin, asnjë kompani e intervistuar në sondazhin e “Rritje Albania” nuk kishte hapur çështje gjyqësore me tatimet. Gjithashtu ndryshimi i kuadrit ligjor nuk solli ndonjë përmirësim për mbi 70% të kompanive. Shumica e kompanive nuk kishin mundësi të përfitonin as kamatën për vonesën e rimbursimit. Ndërsa shifra prej 26 milion dollarë e rimbursuar ndaj vetëm dy kompanive është e pazakontë nëse do të kishim parasysh se drejtori i tatimeve deklaronte për vitin 2010 rimbursim në total prej 60 milion dollarësh  - dy herë gati sa shifra e vjedhur. Deputeti i Partisë Socialiste, z. Erjon Braçe, pretendon se vjedhja me ketë skemë arrin deri në 100 milion dollarë. Shkurt, skemat e rimbursimit mund të kthehen në gropa të zeza edhe për rimbursimin e shpenzimeve të patatueshme ndaj individëve.

0 comments:

Post a Comment