Tuesday, October 21, 2014

Kostoja e uljes së kuotave dhe ngritjes së tarifave 2014-15

 

Qeveria Rama ka shpallur së fundmi kuotat dhe tarifat dhe për ciklin e dytë të studimeve (programet master) për vitin akademik 2014-15. Si edhe për ciklin e parë të studimeve, të cilat u shpallën në gusht, qeveria ka ulur ndjeshëm numrin e programeve, kuotat e studimeve dhe ka rritur tarifat. Por cilat janë disa prej efekteve që do të kenë këto ndryshime që distancohen dukshëm nga politikat e rritjes se kuotave së qeverisë Berisha?

Këto politika përveç se prekin direkt aspiratat e studentëve, kanë edhe ndikim në të ardhurat e universiteteve, pasi rritja e tarifave ende nuk mbulon koston e plotë të studimit në ciklin e pare, mesatarisht rreth 74 000 lekë në vit për student. Reduktimi i kuotave cenon efektin e ekonomisë së shkallës në universitete të mëdha si ai i Tiranës. Por ndoshta justifikon uljen e shpenzimeve publike në universitete apo programe studimi që nuk tërheqin studentë, ose që regjistrojnë student të dobët.

Shpenzimet buxhetore për arsimin e lartë janë ulur rreth 7% nga viti 2013 në 2014. Buxheti i arsimit për 2014 zë 8.8%, nga 9.54 në 2013. Në vitin 2011 të ardhurat totale të universiteteve, pa transfertat e shtetit, ishin rreth 57% të buxhetit të shpenzuar në arsim. Realizimi i të ardhurave nga tarifat dhe shërbime të tjera për universitetet variojnë nga 80 në 85% prej atyre të planifikuara (p.sh. në Akademinë e Arteve shkojnë nën nivelin e 70%). Një pjesë e madhe e bursave të studimit mbulohen gjithashtu nga buxheti i universiteteve publike.

A e kompenson rritja e tarifave dhe ulja e shpenzimeve publike reduktimin e numrit të studentëve, të cilat përbëjnë të ardhura të konsiderueshme për universitetet? Me të dhënat që janë publike mund vetëm të spekulojmë. Ministria e Arsimit nuk ka publikuar shpërndarjen e buxhetit për universitetet publike prej nga mund të përllogarisim të ardhurat dhe shpenzimet për kokë (student) nga buxheti dhe nga tarifat.

Por le të spekulojmë mbi të dhënat e vitit 2011 me Universitetin e Tiranës. Sipas të dhënave të mia, Universiteti i Tiranës shpenzoi rreth 3 miliardë lekë për vitin 2011. Shpenzimet për student ekuivalent me kohë të plotë (35,000 FTE) për këtë përllogariten të jenë diku tek 88,000 lekë për student. Për vitin 2011 të ardhurat e institucionit, që në atë kohë kishte edhe fakultetin e mjekësisë përbënin rreth 47% të buxhetit të përgjithshëm, nga ku vetëm tarifat e shkollimit dhe regjistrimit zinin rreth 93% të të ardhurave totale. Për një buxhet të balancuar (përfshirë edhe investimet kapitale), UT ka planifikuar se të ardhurat totale për vitin 2011 duhet të ishin rreth 3,4 miliard. Me largimin e fakultetit të mjekësisë dhe të infermierisë tarifat dhe regjistrimi mbulojnë afërsisht 80% të të ardhurave. Atëherë, nëse kostoja për student është 88,000 lekë, për një plan të qëndrueshëm financiar (e nëse shpenzimet do të ishin konstante), një student duhet të sjellë mesatarisht afro 98,000 lekë në vit.

Edhe pse tarifat me mesatare të peshuar sipas programit, ciklit dhe numrit të studentëve për program teorikisht mbulojnë rreth 50% të kostos, kjo nuk ndodh për shkak se mbledhja e të ardhurave është më pak se 90% dhe UT ofron reduktime të tarifave për studentë. P.sh. tarifa mesatare e peshuar për vitin 2011 ishte rreth 42,000 lekë, por të ardhurat reale për student (FTE – ekuivalent me kohë të plotë) ishin rreth 26,200 lekë.

Studenti me tarifat aktuale (2014), pa taksën e regjistrimit, mbulon mesatarisht vetëm 30%, ndërsa shteti mbulon mesatarisht rreth 42% (nëse nuk do të zbritej efekti i 7% i uljes së buxhetit për arsimin e lartë, inflacioni etj.). Pra UT-ja ka tre zgjedhje: ose duhet të rrisë numrin e studentëve, në mënyrë që të rrisë të ardhurat, ose duhet të rrisë tarifat edhe njëherë mbi 30%, ose shteti duhet të rrisë seriozisht kontributin e tij. Zgjidhja gjendet ndërmjet alternativave. Të rriten tarifat dhe numri i studentëve në një raport të pranueshëm për cilësinë e mësimdhënies dhe xhepin e shqiptarëve, dhe shteti të rrisë kontributin.

Por nëse shteti ul numrin e studentëve, ai ul detyrimisht dhe kontributin e tij për student – njëkohësisht edhe të ardhurat për student nga tarifat e shkollimit ulen në universitet. Ndërkohë që rritja e tarifave rrit pamundësinë për pagesën e tarifës dhe rritje të studentëve që pezullojnë studimet. P.sh. nga 2011 në vitin 2012 rritja e numrit të studentëve duhet të ishte rreth 70% nëse nuk rriteshin tarifat e studimit, por numri i kuotave nuk u rrit dhe tarifat u rritën me 1%. Në këtë vit UT pati një humbje prej 11% në total në krahasim me vitin 2011. Në vitin 2012-13 ku u rritën kuotat e ciklit të parë me 23% dhe tarifat me 16% për ciklin e parë, UT pati një rritje të buxhetit të shtetit me 3%.

Për vitin 2014 UT-ës i është reduktuar numri i prurjeve me 12% dhe tarifat duheshin rritur mbi 50% për të mbuluar shpenzimet, por ato janë rritur me 25% në ciklin e parë dhe kontributi i shtetit është ulur me 7%.

Me këto të dhëna, edhe pse tabloja është e paplotë për mungesë të shifrave aktuale, kuptohet që në planin afatgjatë modeli aktual i zhvillimit të UT-ës (me ulje të kontributit të shtetit, ulje të numrit të studentëve dhe rritje minimale të tarifave) nuk është i qëndrueshëm. Kjo do të trembte çdo rektor. Prandaj kemi klasa të tejmbushura, pedagogë të mbingarkuar, një administratë të acaruar dhe raport diplomimesh nën 30% në vit. Kjo analizë mund të përdoret edhe për universitete të tjera.

Për vitin akademik 2014-15 numri i programeve, edhe i ai kuotave janë reduktuar ndjeshëm në ciklin e parë dhe të dytë. Në ciklin e parë reduktimi i kuotave në Universitetin e Gjirokastrës, Korçës, Vlorës dhe Durrësit është më shumë se 40%, por edhe tarifat në këto universitet janë rritur mesatarisht me mbi 40%. I vetmi fitues është Universiteti i Sporteve, i cili nuk ka reduktim kuotash për mësues fizkulture, por i janë rritur tarifat me 46%. Humbësi më i madh është Universiteti i Gjirokastrës, të cilit i janë ulur kuotat me 82% dhe rritur tarifat me 39%.

Po ashtu janë reduktuar kuotat për ciklin e dytë të studimeve me rreth 40% për masterin profesional dhe rreth 30% për atë të shkencave e të arteve të bukura. Nga një vështrim i përgjithshëm tarifat janë rritur nga 15% deri në 30%. Transferimet gjithashtu nuk kanë marrë parasysh numrin e madh të studentëve nga ish-institucionet e arsimit të lartë privat që u mbyllën me vendim qeverie.

E gjithë çështja është nëse ka ndonjë në universitetet publike që llogarisin efektet financiare të politikës së kuotave e tarifave. Ose ndoshta rektorët janë dakord të ulin shpenzimet, çfarë do të thotë reduktim të vendeve të punës, të investimeve kapitale (prokurimeve) etj.

 

image

image

image

image

Sunday, October 19, 2014

Kostoja e mbylljes se nje shkolle private

 

Home / Ekonomi / Kostoja e mbylljes së universiteteve në Shqipëri

http://zathur.net/kostoja-e-mbylljes-se-universiteteve-ne-shqiperi/

 

Kostoja e mbylljes së universiteteve në Shqipëri

Institucionet e arsimit të lartë në vitet e fundit kanë arritur përmasa të rëndësishme për numrin e studentëve të regjistruar, por edhe për vlerat monetare të qarkulluara.

Heqja e licencës dhe mbyllja e aktivitetit për disa nga shkollat e larta private do të ketë një efekt të konsiderueshëm edhe në këtë drejtim dhe do t’ju kushtojë këtyre subjekteve miliona euro.

Ndër shkollat e larta që u mbyllën nga Qeveria për mosplotësim të kritereve ligjore, më i madhi është Universiteti “Kristal”. Sipas deklarimit tatimor të subjektit, për vitin 2013 ai realizoi te hyra prej 496 milionë lekësh, ose rreth 3.5 milionë euro. Ndonëse kjo vlerë është e konsiderueshme, viti 2013 padyshim nuk ka qënë më i mbari për “Kristal”, pas goditjes nga skandali i diplomave të dhëna për individë që nuk kishin ndjekur studimet.

Të ardhurat e Kristal gjatë vitit 2013 pësuan një rënie me 17% krahasuar me vitin 2012. Për më tepër, në dy vitet e fundit financiarë “Kristal” ka deklaruar aktivitet me humbje, që në vitin 2013 kishte vlerën e afro 73 milionë lekëve, ndërsa në vitin 2012 humbja kishte qënë edhe më e madhe, 92 milionë lekë.

Sipas bilancit, arsyeja kryesore e humbjeve kanë qënë interesat e paguara për kreditë bankare dhe që në vitin 2013, ishin afro 80 milionë lekë. Kjo sjell në vëmendje një problem tjetër të lidhur me mbylljen e universiteteve dhe që janë kreditë e pashlyera në banka. Nëse paratë e humbura nga “Kristal” në një pjesë të madhe do të shpërndahen në universitetet e tjera, pas transferimit të studentëve, mbyllja e aktivitetit të universitetit do të sjellë pamundësinë e shlyerjes së kredive bankare.

Në fund të vitit 2013, vetëm universiteti “Kristal” kishte detyrime ndaj bankave, në formën e kredive afatshkurtra dhe afatgjata, për një vlerë totale 786 milionë lekë ose 5.6 milionë euro, të shpërndara në katër banka tregtare.

Rrjedhimisht, kjo situatë do të sjellë probleme edhe për bankat kreditore, duke krijuar kredi të këqija. Nëse këto shkolla të larta nuk plotësonin kriteret ligjore, papërgjegjshmëria e institucioneve në kontrollin dhe mbikëqyrjen e tyre ka dëmtuar edhe bankat. Ndonëse kanë kredituar institucione të licencuar ligjërisht, tani bankat duhet të përballen me pasojat e mbylljes së papritur të tyre.

http://zathur.net/kostoja-e-mbylljes-se-universiteteve-ne-shqiperi/