Friday, October 28, 2016

Ministria pranon problemet me sistemin e regjistrimit ne universitete

 

 
Reporter.al, Ivana Dervishi26 Oct 2016

Ministria e Arsimit pranon problemet e sistemit të regjistrimit në universitete

Pas anomalive të shfaqura gjatë javës së fundit në sistemin e regjistrimit në universitete, Ministria e Arsimit ka pranuar se ka hequr nga faqja e internetit informacionin mbi kuotat e lira në IAL-të private, por shtoi se përgjegjësia është e sekretarive të universitete.

http://www.reporter.al/ministria-e-arsimit-pranon-problemet-e-sistemit-te-regjistrimit-ne-universitete/

Pamje e aplikimit që paraqet kuota të lira "2000" për universitetet private, e kapur më 18 tetor 2016.
Pamje e aplikimit që paraqet kuota të lira “2000” për universitetet private, e kapur më 18 tetor 2016.
Më 18 tetor, BIRN u njoftua për një anomali të vërejtur në portalin e Ministrisë së Arsimit ku maturantët aplikojnë për t’u regjistruar në universitetet publike ose private. [Link]
Një printscreen i dërguar në redaksi nga një ekspert i arsimit të lartë, paraqet mundësitë që aplikanti ka për të zgjedhur për regjistrim. Të gjitha universitetet publike rezultojnë me të kuqe, që do të thotë se nuk ka mundësi regjistrimi në atë fazë, ndërsa tre universitete private regjistronin me të gjelbër dhe kishin mbi 2 mijë kuota bosh në secilën degë.
Pamja që shihte aplikanti ndryshoi dy ditë më pas, ku nuk kishte më 2 mijë kuota të lira por shumë më pak, por megjithatë universitetet private rezultonin përsëri se kishin më shumë kuota të lira nga sa kishin të shënuara kuota totale.
Lëvizja Për Universitetin, një grup të rinjsh aktivistë që kundërshtojnë reformën e arsimit të lartë të ndërmarra nga qeveria e kryeministrit Edi Rama, gjithashtu e denoncoi anomalinë në faqen e vet në Facebook si dhe mblodhi printscreen të kuotave të universiteteve private, siç shfaqeshin në datën 20 tetor.
Një ditë më vonë, kuotat e universiteteve private u fshinë nga kjo faqe dhe tashmë ky portal nuk shfaq asnjë rezultat për kuotat në total dhe ato të lira te universitetet private.
Pamje e faqes së regjistrimit pas fshirjes së kuotave por që me të gjelbër rezulton vetëm një universitet privat.
Pamje e faqes së regjistrimit pas fshirjes së kuotave por që me të gjelbër rezulton vetëm një universitet privat.
Duke i konsideruar anomalitë e shifrave të kuotave në faqen zyrtare të aplikimit një favorizim të hapur të universiteteve private, Lëvizja Për Universitetin i tha BIRN se nëse mospërputhja e kuotave totale dhe të lira do të ishte një gabim në sistem, atëherë ai nuk do të shfaqej vetëm te universitetet private.
“Anomalia i sjell përfitime universiteteve private në dy aspekte. Së pari, universitetet private mund të regjistrojnë më shumë studentë nga sa kanë kuota të miratuara nga MAS dhe së dyti, duke shtuar kuotat totale lajmërimi se kanë rezultuar fitues në universitet private u shkon më shumë maturantëve”, deklaroi për BIRN Për Universitetin.
“Ndërsa në publik studentët presin radhën për t’u regjistruar, sistemi u ka ofruar mundësi privatëve të përshpejtojnë procesin e regjistrimit”, shtoi Lëvizja.
Ndërkohë, kuotat e universiteteve publike vijojnë të mbeten bosh në një përqindje të konsiderueshme.
Pyetur nga BIRN, Ministria e Arsimit dhe e Sportit mohoi që kuotat e lira të jenë më të mëdha se ato totale në universitetet private dhe sqaroi se procesi i monitorimit për kuotat e tyre, i ka kaluar sekretarive të Instituteve të Arsimit të Lartë private.
“Nuk është e saktë të thuhet që kuotat e lira janë më të mëdha se ato totale me IAL tek privati,” tha Ministria e Arsimit.
Pamje që tregon kuota më të larta të lira se sa kuota totale, kapur më 20 tetor 2016.
Pamje që tregon kuota më të larta të lira se sa kuota totale, kapur më 20 tetor 2016.
“Respektimi i kuotave të lira në proces monitorohet dhe është përgjegjësi primare e vetë sekretarive të IAL-ve, pas kalimit tek MAS. Urdhëri  numër 486 date 6/10/2016 ka vendosur pranë çdo sekretarie monitorim të procesit”, deklaroi të martën për BIRN Ministria e Arsimit.
“Për të shmangur çdo keqinterpretim përkundrejt institucioneve të prekura, ne e kemi hequr këtë informacion nga faqja e uebsajti, i cili është një portal rregjistrimi, jo portal kontrolli,” shtoi MAS duke iu përgjigjur pyetjes se për çfarë arsyeje, kuotat e privatëve u zhdukën pas publikimit të faktit nga Lëvizja Për Universitetin në Facebook.
Tema TV raportoi të martën se drejtori i Rrjetit Akademik Shqiptar (RASH), Arjan Xhelaj tha për mediat se portali nuk ishte konceptuar për universitetet private.
“Kur keni parë kuotat dje që u janë dukur më shumë sesa kuotat e aplikimit, ajo ka qenë thjeshtë diferenca ndërmjet numrit të aplikantëve që kanë aplikuar për një degë në një program të caktuar minus numrin e të regjistruarve. Sepse universitetet private kanë pasur një metodologji tjetër të përzgjedhjes së studentëve, ku u kanë dhënë mundësi të gjithë aplikantëve të bëjnë një konkurs, të shikohet mesatarja,” tha Xhelaj për median.
Sistemi në vetvete nuk ka bërë renditje apo pikësim, sistemi vetëm ka koordinuar klasifikimet që kanë bërë vetë universitetet, pra ka marrë ato databaza që kanë pasur vetë universitetet”, shtoi ai.
Presion mbi maturantët
Pamje e faqes së aplikimit kapur më 25 tetor 2016, ku shihet se kuotat e një universiteti privat janë fshirë.
Pamje e faqes së aplikimit kapur më 25 tetor 2016, ku shihet se kuotat e një universiteti privat janë fshirë.
Sa herë që një maturant hyn te faqja e aplikimit duke përdorur kodin unik të identifikimit të tij si aplikant, një mesazh kërcënues i del përpara.
Sot, mesazhi shkruante: “KUJDES: Nëse ju nuk regjistroheni nga data 25/10/2016 deri në 26/10/2016 në programet me ngjyrën e gjelbërt në të cilat jeni shpallur fitues, atëherë do të humbisni përfundimisht të drejtën për t’u regjistruar në ato degë”.
Problemi është se, ndonëse universitetet publike kanë ende shumë kuota të lira, në shumicën e rasteve aplikantëve u del me ngjyrë të gjelbër vetëm mundësia e regjistrimit në universitetet private.
Shkaku për këtë është se, ndërsa sistemi mbart kritere të shumta pranimi te universitetet publike, te aplikantët që rezultuan fitues te universitetet private seksioni “llogaritja e pikëve” rezulton pa asnjë kriter aplikimi; përveç pagesës së parave.
Aktualisht, Ministria e Arsimit thotë se sistemi nuk po i favorizon privatët, të cilët ankohen se janë dëmtuar po aq shumë nga eksperimenti i këtij viti me aplikimet në universitet.
“Deri më sot (25 tetor) nuk kemi asnjë IAL private që të ketë plotësuar kuotat e shpallura,” tha Ministria e Arsimit.
Gjithsesi, një kontroll në seksionin e statistikave të portalit të aplikimit, [link], tregon se shumë universitete private i kanë mbushur kuotat e shpallura si “të lira” në fazën e parë, ndërkohë që në universitetet publike, një pjesë e mirë e kuotave mbeten të paplotësuara.
Një shkrim i mëparshëm i BIRN bazuar në statistikat e aplikimeve, më 20 tetor, dita e parë e shkollës, mbi 40 për qind e kuotave të universiteteve publike vijonin të ishin bosh. Më 25 tetor, 5163 kuota ose 23 për qind e të gjitha kuotave të universiteteve publike mbeteshin të paplotësuara.
Qeveria shqiptare e ndryshoi ligjin për arsimin e lartë vitin e kaluar duke krijuar një platformë të përbashkët për universitetet publike dhe ato private, me supozimin që në vitet e ardhshme, universitetet private do të mund të përfitojnë fonde nga buxheti i shtetit.
Paralelisht me këtë, qeveria ndryshoi këtë vit sistemin e përzgjedhjes së maturantëve që kërkojnë të ndjekin studime universitare duke hequr sistemin e mëparshëm të njohur si “meritë-preferencë” dhe duke vendosur një sistem të ri, në të cilin, universitetet përcaktojnë kriteret e pranimit ndërsa maturantët aplikojnë në deri dhjetë degë.
Sipas sistemit të ri, maturantët me mesatare nga 9.8 deri në 10.15 shpallen fitues në deri në dhjetë degë njëkohësisht ndërsa studentët e tjerë nën këtë mesatare duhet të presin fazë pas faze lirimin e kuotave pas përzgjedhjes së të parëve.
Ndonëse në fillim të procesit Ministria deklaroi se regjistrimet do të përfundonin me dy faza, procesi është zvarritur në gjashtë faza dhe shumë nënraunde derisa kuotat të zihen.
I prezantuar si një sistem i suksesshëm që favorizon më të mirë, sistemi i këtij viti  kritikohet gjithashtu për kaosin dhe panikun që shkaktoi të maturantët.
Mijëra maturantë me mesatare të larta rezultuan humbës në universitetet publike, duke ngritur kështu dyshime dhe akuza se skema është bërë për t’i shtyrë ata të regjistroheshin në universitetet private.
Të përballur me kaosin, një pjesë e maturantëve organizuan protesta në shtator 2016 dhe kërkuan rikthimin e sistemit të vjetër. Studentët u ankuan se në shumë raste qenë penalizuar nga fakti i thjeshtë që kriteret e përcaktuara nga universitetet publike për vlerësimin e lëndëve me zgjedhje në shkurt të këtij viti, qenë të ndryshme nga kriteret që Ministria e Arsimit pati lajmëruar në fillim të vitit shkollor.
Kjo do të thotë se ndërsa nxënësit, sipas rekomandimeve të ministrisë, mësuan një lëndë të caktuar me shpresë se kjo lëndë do t’i rriste shanset për të kapur më shumë pikë në degën e tyre të parapëlqyer, ata në shtator mësuan se në fakt, kjo lëndë qe konsideruar e barazvlefshme me lëndë të tjera më të thjeshta ose nuk merrej fare parasysh nga universiteti i caktuar.
Lëvizja Për Universitetin ka përsëritur përmes një videoje më 22 tetor kërkesën për dorëheqjen e ministres së arsimit, Lindita Nikolla ndërsa theksoi se skema ka dështuar.
 
http://www.reporter.al/ministria-e-arsimit-pranon-problemet-e-sistemit-te-regjistrimit-ne-universitete/

Thursday, October 27, 2016

Pedagoge shprehin pakenaqesi gjate vizites se kryeministrit ne UT

Pedagogia e Gjuhe- Letersise, Prof. Dr. Dhurata Shehri i eshte pergjigjur permes nje shkrimi ne gazeten Panorama, vizites se Kryeministrit Rama ne UT, ku lajmeronte rritjen e pagave ne sistemin arsimor. Edhe pse kjo page nuk shpjegohet sesi do te rritet sa kohe qe aktet nenligjore qe rregullojne modelin e financimit, formulen dhe autonomine financiare te universiteteve publike nuk kane dale ende nga MAS.
 http://www.panorama.com.al/analiza-rritja-e-pagave-ne-arsim-pedagogia-rrezon-ramen/
Panorama, 26 Tetor, DHURATA SHEHRI
Dje Kryeministri Edi Rama organizoi një takim me pedagogët e universiteteve publike për t’u shpjeguar disa gjëra që ata nuk i dinin. Më konkretisht, ai i kishte thirrur pedagogët që t’u jepte një leksion për t’u shpjeguar atyre se:
– reforma në arsimin e lartë ishte shumë e mirë dhe se skeptikët duhet të stepeshin;
– se sistemi i konkurrimit dhe pranimit në universitete këtë vit ishte më i miri. Dhe si shpërblim për vëmendjen, për t’u dhënë sihariqin e një shtese page, që sipas tij ishte 15 %.
Ngaqë nuk isha e pranishme në atë takim, e ndoqa përmes mediave, si fjalën e Kryeministrit, ashtu edhe heshtjen e kolegëve të mi pedagogë të universiteteve publike, por meqenëse kam qenë dhe jam skeptike ndaj ligjit të ri të arsimit të lartë, përtej propagandës, nuk munda të marr ndonjë përgjigje të re për probleme të vjetra e të reja të arsimit të lartë shqiptar.
P.sh., Kryeministri nuk dha asnjë shpjegim se pse ligji, që ai e konsideron kaq të mrekullueshëm apo mrekullibërës dhe që ka të paktën një vit e një muaj që ka hyrë në fuqi, nuk është bërë ende i zbatueshëm për faktin e thjeshtë se qeveria e Kryeministrit Edi Rama nuk ka nxjerrë ende aktet nënligjore që do të bënin të mundur zbatimin e ligjit. Drafti i fundit i këtyre akteve nënligjore u shfaq, si gjithmonë, me urgjencë, për t’u parë me një afat 2-ditor nëpër e-mailet e stafit akademik në prag pushimesh dhe pas kësaj, ka tre muaj të tjerë që fle sirtarëve të zyrave të Qeverisë së Kryeministrit, pa u miratuar.
Universitetet publike shqiptare janë në prag të kolapsit për shkak të paaftësisë (në rastin më të mirë) të institucioneve përgjegjëse të shtetit për të bërë detyrën që u takon, nxjerrjen dhe miratimin e akteve nënligjore. Universitetet publike funksionojnë me një ligj të ri dhe me akte të vjetra që kundërshtohen prej të parit, me organe, statuse e rregullore të vjetra qkundërshtohen prej ligjit të ri reformator.
Universitetet, madje, as nuk mund të shpërndajnë drejt ngarkesën, se po presin ende udhëzimin e ri; as mund të zgjedhin organe të promovimit akademik, se po presin udhëzimin e ri; as mund të japin tituj akademikë, se po presin aktet e reja. Kolegët e mi që morën pjesë kokulur në monologun e Kryeministrit, mund t’ia kishin bërë një pyetje se kur ka ndërmend ta shoqërojë ligjin mrekullibërës me akte nënligjore, po aq mrekullibërëse.
Kishte ca kohë që “sihariqi” për ngritjen, apo indeksimin e pagave po qarkullonte nëpër media e në ambiente akademike, por Kryeministri zgjodhi ditën e djeshme t’ua shpallte vetë pedagogëve duke ua shqiptuar shifrat me lekë të vjetra (se duken më shumë). Pagat indeksohen me 10-15% në varësi të kategorive, për shembull, profesorit, titullit më të lartë në hierarkinë akademike, i rritet paga me 10800 lekë, ndërkohë që prej tri vitesh, rroga e tij është ulur prej rritjes së taksës nga 10 në 15 %.
Po përtej indeksimit, apo rritjes siç pëlqen ta quajë, Kryeministri “harroi” të sqarojë kolegët pjesëmarrës në atë takim se në ligjin e tij reformues rrogat e pedagogëve nuk garantohen më, pasi ai e ka hequr grantin e pakushtëzuar të pagave që përballohej më parë nga buxheti i shtetit. Kryeministri bishtnoi duke bërë krahasimin me qeverinë e para tri viteve, por sot dhe në tri vitet e qeverisjes së tij pedagogët e universiteteve publike kanë të garantuara paga vetëm për 9-10 muaj në vit. Ndoshta me indeksimin që premton në mars, edhe më pak se 9 muaj.
Sa për studentët dhe pranimet e tyre në universitete, Kryeministri harroi të shpjegonte sepse pikërisht në ditën që ai po fliste për suksesin e pranimeve në universitete, po mbyllej faza e gjashtë e pranimit, dhe sipas të dhënave që na ofronte sistemi i ri i pranimit, rezultojnë ende të pambushura kuotat e degëve të preferuara ndër vite nga studentët shqiptarë: Drejtësia, 40 vende; Informatika, 51 vende; Financa, 47 vende; Administrim biznesi, 100 vende; Gazetaria 20 vende, Inxhinieria elektronike 29 vende; Inxhinieria e ndërtimit 39 vende; Arkitektura 19 vende; Farmacia 18 vende; Stomatologjia 10 vende e kështu me radhë.
Çuditërisht, nuk gjen asnjë të dhënë për kuota të lira nga universitetet jopublike në portalin e Ministrisë së Arsimit dhe Sporteve (klasifikimi. ualbania.rash.al). Nëse Kryeministri ka dashur të ndryshojë trendin e preferencave të studentëve shqiptarë për degët më të kërkuara të universiteteve publike, ka qenë vërtet i suksesshëm. Megjithatë, për një gjë Kryeministri duhet falënderuar.
Për t’ua dhënë gjithë këto informacione, përmes leksionit të tij, në ndryshim nga mësuesit apo akademikët, ai i nderoi më shumë pedagogët, pasi nuk i thirri në Kryeministri, por harxhoi pak minuta për të shkuar deri tek Universiteti Politeknik ku i kish mbledhur.

Tuesday, October 25, 2016

Vazhdojne akuzat per parregullsi ne provimet e gjuhes se huaj

Nje tjeter video e emisionit televiziv Stop (TV KLAN, 25 Tetor, 2016) ka nxjerre ne pah parregullsite e sistemit te menaxhimit te provimit te anglishtes ne kuader te regjistrimit ne programet e ciklit te dyte.

Rasti eshte filmuar ne Universitetin e Mjekesise, Fakulteti i Infermierise. 

Video e meposhtme tregon perpjekjet por jo realizimin e kesaj nisme per te blere provimin e anglishtes.

Ne fakt problem nuk eshte thjeshte vendosja e gjuhes se huaj si kriter diplomimi apo regjistrimi ne ciklin e dyte, e cila eshte anti-kushtetuese, por edhe udhezimi i Ministrise per nivelet e gjuhes se huaj. Kjo ka sjelle qe e gjithe trysnia te ushtrohet mbi sistemin e realizimit te provimit ne pamundesi te studenteve per te mesuar keto gjuhe ne ato nivele.