Thursday, March 26, 2015

Denoncoj natyrën okulte të projektligjit të Arsimit te Lartë

 

Besnik Gjongecaj

Gazeta Shqip, 25.03.2013

clip_image002

Nuk është e panjohur, përkundrazi, është një praktikë e ndeshur shpesh kur ekzaktësisht në emër të një interesi më të përgjithshëm, madje të mbuluar krejtësisht nga stofi dimëror dhe i ngrohtë i interesit më të lartë, gati gati sublim, paraqiten projekte që synojnë zezërisht rrënimin e tij përmes plotësimit të interesave të jashtëligjëshme të individëve të caktuar. Më shumë se një praktikë, e gjithë kjo është një betejë, sepse përfitimi vetjak nuk synohet në harmonizim me të tërën, përkundrazi, në një luftë për jetë a vdekje me të. Duke bërë ç’është e mundur margjinalizimin e interesit publik në rastin më të mirë, ose duke e bërë atë copë e çikë, pa pikën e mëshirës njerëzore, në rastin më të keq. Kjo betejë merr përmasa gjithmonë e më dramatike sa më lart të jetë vendosur fusha e saj në hierarkinë social-politike të vendit, sa më shumë pushtet të jetë investuar në të, dhe së fundi, sa më okulte të jetë ajo, përplasja. Beteja okulte janë zhvilluar në Parlamentin e këtij vendi kur ligjeve të caktuara iu është dhënë fshehtësisht fytyra e interesit e grupimeve të vogla, madje edhe të individëve të veçantë në mbrojtje të interesit vetjak dhe familjar. Jo rrallë, për shkak të devijimit dramatik nga interesi i votuesve, qytetarët kanë mundur të ravijëzojnë mafien parlamentare, grupin që ndërton një set prioritetesh dhe privilegjesh për vete, në emër të popullit, por jo për popullin. Gjithsesi, betejat më të errëta janë ato që janë zhvilluar brenda mureve të mbledhjeve qeveritare. Atje ku jo rrallë, dhe vetëm atëhere kur nuk ia kishin arritur të kalonin një ligj të personalizuar në Parlament, qeveritarët e këtij vendi ia thyenin qafën ligjeve ekzistuese për të ndërtuar, nga copat e thyera, VKM-ë të adresuara personalisht, në interes plotësisht privat, dhe në një konflikt të dretpërdrejtë me vetë ligjin që sapo kishte kaluar në Parlament. Aq shpesh ka ndodhur kjo, veçanërisht në vitet e gjata të qeverisjes së shkuar, saqë nuk ka se si të mos besosh që në thelbin e tyre qëndrojnë ”forca të errëta”, ”paranormale”, ”të pakontrollueshme” nga pushteti i qytetarëve. Okulte, prandaj, në thelbin e tyre. Por, në këtë pikpamje, një ngjarje e këtyre kohëve po ia kalon të gjitha ngjarjeve me natyrën okulte të saj, me fuqinë e saj manipulative, të fshehtë, gati pothuajse paranormale. Një projektligj për arsimin e lartë me përmbajtje okulte po bëhet gati të kalojë Parlamentin e vendit. Në ndihmë janë thirrur të gjithë ata që dinë të lexojnë anët e fshehta të një ligji, sekretin në përgjithësi. Të gjithë magjistarët e këtij vendi, horrat, manipulatorët, madje edhe dononciatorët e dikurshëm. Të gjithë ata që shohin në errësirë, ata që dinë të lexojnë kuptimin a brazdave në pëllëmbët e duarve, madje edhe fletët e dala boje të dosjeve të dikurshme. Me misionin për të thënë pikërisht të kundërtën: që projekti i ligjit të universiteteve është i pastër, drejtpërdrejt në mbështetje të interesit publik. Për të fshehur të fshehtën e tij. Anën e tij okulte. Shëmtinë e tij të paanë.

* * *

Projektligji për arsimin e lartë u shit dhe vazhdon të shitet në opinionin publik si një formë ligjore që do ta ndryshojë rrënjësisht sistemin. Një dekor i përgatitur me kujdes i shërbeu kësaj shitjeje. U thirr nga Anglia një shqiptar që të ishte ”aq i kualifikuar dhe zhytur në stilin anglez të të menduarit” sa t’i dukej si një letër tualeti projektimi i zhvillimit të arsimit të lartë në Shqipëri i prodhuar pak kohë më parë nga një ekip që kryesohej prej vetë ish këshilltarit të znj. Thatcher dhe financuar nga Banka Botërore. ”Londinezi” i thirrur nën armë, madje, pa u kujdesur as të përmendëte punën e kryer në Shqipëri dhe aq më shumë, me një moskokëçarje shembëllore që vetëm vandalët dhe pushtuesit e kanë, pra, pa ia bëri syri tërt që po zhytej në baltën e plagjiaturës, pasi i futi një të fshirë gjithçkaje që ishte bërë më parë, me një krenari katundareske, e cila bëhej gjithmonë e më shumë e tillë sa më shumë lëvdohej nga ata që e sollën dhe sa më shumë vinte në pah rrudhat e sajdisura në lule të ballit, arriti të paraqesë si Dokumentin për Arsimin e Lartë ashtu edhe Draftin e Ligjit. Që të bëhej sa më i besueshëm, dmth sa më pak i frymëzuar politikisht dhe, më kryesorja, sa më i mjegullt në pjesën okulte të tij, krijoi një komision universitarësh, të cilët, jo për fajin e tyre, u quajtën ekspertë, megjithëse kishin një mungesë të theksuar të njohurive në fushën e ndërtimit të institucioneve, dmth, ishin plotësisht të papërgatitur për detyrën e dhënë; si dhe, për t’i dhënë edhe dorën e fundit, përhapi lajmin se ekspertët e Komisionit që do të shkruanin Reformën, pra që do të ndryshonin rrënjësisht faqen e arsimit të lartë të këtij vendi, nuk ishin ashtu thjesht ekspertë, por shumë më tepër se kaq: ata ishin ekspertë me ngarkesë, jo neutralë. Pra, në kundërshtim me të gjithë definicionet e botës, ata ishin projektuar si ekspertë të politizuar, që përfaqësonin dy krahët e politikës dhe si të tillë, prandaj, do të prodhonin dokumente që automatikisht do t’i pranonte si pozita ashtu edhe opozita, veçanërisht opozita. ...Do të bëhej një reformë për kokën e reformës dhe mbi të gjitha, një reformë e qëndrueshme, e pacënuar prej askush, e balancuar në fund të fundit!. Atë kryesoren megjithatë, atë pjesën e errët, pjesën okulte të saj, pra, atë për të cilën në fund të fundit po e bëjmë edhe gjithë këtë reformë - dukej sikur thoshte pa zë ”londinezi” në fjalimet e tij pa fillim dhe pa fund - nuk do ta marrë vesh askush, sot dhe në kohën tjetër, në të gjitha kohërat...

* * *

Drafti i Arsimit të Lartë po shitet edhe në përmbajtje. Thelbi i marketingut të tij është ky: Drafti i Arsimit të Lartë siguron autonominë më të lartë për universitetet; universitarët kanë përgjegjësinë për detajimin e buxhetit (grantit), për përcaktimin e strukturave universitare, për zgjedhjen e autoriteteve dhe organeve drejtuese, për përcaktimin e numrit të pedagogëve dhe personelin tjetër universitar, për realizimin e një kualifikimi që fillon dhe mbaron brenda universitetit. Në fakt, kështu do të ndodhte vetëm nëse të gjitha përgjegjësitë e sapopërmendura do të nxirreshin jasht kontekstit të Draftit, nuk do të ishin pjesë e së tërës. Por ato janë pjesë e së tërës dhe nuk ka se si të ndodhë ndryshe. Prandaj, gjithçka që sërviret si përgjegjësi e universitetit, para se të jetë e tij, është e strukturave ndërmjetëse dhe strukturat ndërmjetëse, ashtu si janë projektuar në këtë Draft, jo vetëm që nuk i përkasin universiteteve, por përkundrazi, janë instrumente pastërtisht në duart e qeverisë. Kështu, para se të detajojë shumën e parave që merr (grantin apo çdo shumë tjetër), madhësia e tij përcaktohet nga AKF (Agjensia Kombëtare e Financimit), e cila është pjesë e qeverisë në të gjitha kuptimet dhe në kundërshtim të plotë me statusin natyror të saj si ndërmjetëse. Aq më shumë që përcaktimin e grantit, AKF ose që është e njëjta gjë, kjo strukturë qeveritare, e bën pa asnjë formulë të dhënë në Draft. Para se të përcaktojë strukturat e saj, apo para se të përcaktojë numrin e pedagogëve dhe personelit, universiteti duhet të marrë lejen e ASCAL (Agjensia e Sigurimit të Cilësisë në Arsimin e Lartë) e cila, si për nga përbërja ashtu edhe për nga statusi është thjesht një zgjatim i qeverisë. Asnjë universitet, prandaj, nuk mund të bëjë asnjë zgjidhje strukturore dhe administrative, në thelbin e vet, pa u komanduar nga qeveria. Kështu do të ndodhë edhe me kërkimin shkencor, i cili do të financohet pa pikë hezitimi sipas preferencave politike të qeverisë, sepse, struktura ndërmjetëse e projektuar për këtë qëllim, pra AKKSh (Agjensia Kombëtare për Kërkim Shkencor), nuk do të jetë gjë tjetër vecse një zgjatim i dorës qeverisëse të partisë apo partive në pushtet. Ky ligj jo vetëm që nuk e zgjeron autonominë universitare, por e nulifikon atë në mënyrëm më dramatike të ndodhur ndonjëherë. Dhe e gjitha kjo bëhet me po atë stil dredharak që katundari i shkretë është i detyruar të aplikojë për të mbijetuar kur zbret në qytetin e zhurrmshëm. Brenda të njëjtit Draft, universitarëve iu jepet (granted) një pushtet që i është dhënë më parë qeverisë nëpërmjet strukturave (jo ndërmjetëse) të sistemit. Si në një shtëpi që blerësi e kupton pas pilafit se pronari mashtrues e ka shitur njëherë dhe atij po ia shet për herë të dytë!

* * *

Gjithsesi, akoma nuk kemi arritur te pjesa vërtet okulte e Draftit, megjithëse jo pak herë i jemi afruar asaj. Fuqia e errët e këtij Drafti është vendosur te kapitulli XII, atje ku parashikohet krijimi i IALPP ose “institucionet publike të pavarura të arsimit të lartë”. Më i zellshshmi në krijimin e këtij kapitulli, i vetëdeklaruar, njeriu i UET ose z. Civici, të cilin kam patur rast ta njohë në Universitetin Bujqësor të Tiranës, atje ku ai ka marrë diplomën e ekonomistit bujqësor megjithëse, me sa kuptoj, i vjen turp ta përmendë dhe prandaj e zëvendëson me diploma të tjera të marra kushedi se ku në hapësirat e kontinentit, deklaron se pa këtë kapitull Drafti do të ishte pa kokën e tij. Sipas tij, sepse të tjerët nuk i kam dëgjuar të prononcohen, të gjitha institucionet e arsimit të lartë në vend, përfshi edhe ato publike, edhe UET, do të transformohen, brenda tri kater viteve në institucione edhe publike, edhe të pavarura. Për të kuptuar statusin e IALPP-ve të ardhshme është mirë t’i shohim ato në raport me qeverinë dhe interesin publik. Ajo që i lidh me qeverinë është akreditimi dhe paraja. Të dyja i jep qeveria dhe një universitet si UET e ka të sigurtë që do t’i marrë të dyja: edhe akreditimin edhe paranë. Jo vetëm me këtë qeveri, por edhe me atë që pritet të vijë. Duke realizuar kështu ëndrrën e madhe të përfitimit të parasë publike! Pasi ta marrë këtë para, duhet ta heqë qafe qeverinë, edhe publikun, sigurisht. Që ta shijojë qetësisht prenë e saj, pra paranë publike, neni 127 i Draftit e ndan IALPP e ardhshme (pra edhe UET) nga shteti sepse për buxhetin e marrë nga universiteti nuk do të mund të aplikohen minimalisht as “standardet e programimit buxhetor dhe të menaxhimit financiar publik, madje as ato të prokurimit publik”. Gjithçka perfekte: UET bëhet IALPP dhe merr buxhet nga taksapaguesit e varfër të këtij vendi dhe pasi e merr atë, buxhetin, planifikon ta përdorë pa pyetur për rregullat publike të manaxhimit të tij. Pas kësaj bota le të përmbyset!

* * *

Pyetjet e mëdha kanë mbetur për në fund. A mund të jetë IALPP, ashtu si është përcaktuar në këtë Draft, një formë strategjike e një universiteti shqiptar? A mund ta zëvendësojë ajo modelin universialisht të pranuar që “një universitet ekziston nëpërmjet një autonomie institucionale-tradita Humboldtiane (liria akademike e kombinuar me autonominë administrative, strukturore dhe financiare); ku mësohet nëpërmjet kërkimit shkencor-tradita Humboldtiane, (unifikimi i mësimit me kerkimin shkencor); me një kulturë dhe praktikë hibride - orientimi drejt shoqërisë dhe tregut ose tradita amerikane (universiteti është përgjegjës për perspektivën e sektorit publik dhe merr pjesë në zgjidhjen e problemve të tij, sepse paguhet nga qeveria, por nga ana tjetër, ai është gjithashtu subjekt i forcave të tregut); dhe i aftë të zhvillojë personalitetin e studentit duke e përgatitur atë për demokraci – tradita Newman, apo tradita angleze? Sigurisht që jo. Këtu ngatërrohen prioritetet; ngatërrohen vizionet me mjetet. Forma “IALPP” është një nga qindra mjete me anë të të cilave mund të shkohet te modeli i mësipërm. Ndërsa ai, modeli, është një dhe i vetëm. Universal si i tillë.

A mundet, në fund të fundit, që edhe një universitet si UET, akoma i paformuar realisht si i tillë, të kërkojë të investohet njësoj si Universiteti i Tiranës apo Universiteti Bujqësor i Tiranës? A është kjo gjë, në fund të fundit, e drejtë? Pastaj, ç’mëndje njerëzore do të mund ta pranonte që kapitali i një universiteti publik shqiptar të barazohet me kapitalin e një universiteti privat në tregun publik të këtij vendi? Të dalë para shqiptarëve me aksione të njëjta, kur një universiteti publik i është dashur më shumë se një gjysëm shekulli të formojë kapitalin njerëzor dhe material që ka?

* * *

Ç’qe, pra, ai hall i madh që thërriti në skenën shqiptare këtë Draft? Që e zbriti “londinezin” në fshatin stërmadh Shqipëri? Që ka vite që lë pa gjumë UET apo të tjerë universitete private, që megjithëse pa u formuar si të tillë, me një të shkuar qesharake, të arrnuar, kërkojnë të masin hijen e trupit të tyre me universitetet publike më shumë se gjysëm shekullore të këtij vendi? Madje që riaktivizoi edhe një hibrid të çuditshëm, të padëgjuar më parë; një “edhe president universiteti edhe sigurims i para 90-tës”, të dilte në ekrane televizive, të analizonte dhe mbështeste Draftin? Në prani edhe të ministres! Sigurimsi i dikurshëm?!

Përsëri duhet të analizojmë në mënyrë krahasuese. Asgjë të re nuk sjell ky Draft nga puna e dikurshme e bërë në projektin “Master Plan i Arsimit të Lartë” të punuar nga ish këshilltari i Thatcher dhe ekipi i tij pak vite më parë me mbështetjen e Bankës Botërore. Asgjë, absolutisht. Madje ky Draft është shumë më i prapambetur dhe shumë më keq i konceptuar. Por duhet pranuar: Drafti ka një shtesë dhe ky është kapitulli XII. Ja pse u shkruajt ky Draft. Për të përfshirë në ligj kapitullin XII. Kapitullin që e çon paranë publike te universitetet private. Patjetër. Padrejtësisht. Atje fshihet edhe fuqia e zezë, sekrete, pjesa okulte e Draftit. Te kapitulli XII.