Showing posts with label kuadri_rregullator. Show all posts
Showing posts with label kuadri_rregullator. Show all posts

Thursday, October 27, 2016

Pedagoge shprehin pakenaqesi gjate vizites se kryeministrit ne UT

Pedagogia e Gjuhe- Letersise, Prof. Dr. Dhurata Shehri i eshte pergjigjur permes nje shkrimi ne gazeten Panorama, vizites se Kryeministrit Rama ne UT, ku lajmeronte rritjen e pagave ne sistemin arsimor. Edhe pse kjo page nuk shpjegohet sesi do te rritet sa kohe qe aktet nenligjore qe rregullojne modelin e financimit, formulen dhe autonomine financiare te universiteteve publike nuk kane dale ende nga MAS.
 http://www.panorama.com.al/analiza-rritja-e-pagave-ne-arsim-pedagogia-rrezon-ramen/
Panorama, 26 Tetor, DHURATA SHEHRI
Dje Kryeministri Edi Rama organizoi një takim me pedagogët e universiteteve publike për t’u shpjeguar disa gjëra që ata nuk i dinin. Më konkretisht, ai i kishte thirrur pedagogët që t’u jepte një leksion për t’u shpjeguar atyre se:
– reforma në arsimin e lartë ishte shumë e mirë dhe se skeptikët duhet të stepeshin;
– se sistemi i konkurrimit dhe pranimit në universitete këtë vit ishte më i miri. Dhe si shpërblim për vëmendjen, për t’u dhënë sihariqin e një shtese page, që sipas tij ishte 15 %.
Ngaqë nuk isha e pranishme në atë takim, e ndoqa përmes mediave, si fjalën e Kryeministrit, ashtu edhe heshtjen e kolegëve të mi pedagogë të universiteteve publike, por meqenëse kam qenë dhe jam skeptike ndaj ligjit të ri të arsimit të lartë, përtej propagandës, nuk munda të marr ndonjë përgjigje të re për probleme të vjetra e të reja të arsimit të lartë shqiptar.
P.sh., Kryeministri nuk dha asnjë shpjegim se pse ligji, që ai e konsideron kaq të mrekullueshëm apo mrekullibërës dhe që ka të paktën një vit e një muaj që ka hyrë në fuqi, nuk është bërë ende i zbatueshëm për faktin e thjeshtë se qeveria e Kryeministrit Edi Rama nuk ka nxjerrë ende aktet nënligjore që do të bënin të mundur zbatimin e ligjit. Drafti i fundit i këtyre akteve nënligjore u shfaq, si gjithmonë, me urgjencë, për t’u parë me një afat 2-ditor nëpër e-mailet e stafit akademik në prag pushimesh dhe pas kësaj, ka tre muaj të tjerë që fle sirtarëve të zyrave të Qeverisë së Kryeministrit, pa u miratuar.
Universitetet publike shqiptare janë në prag të kolapsit për shkak të paaftësisë (në rastin më të mirë) të institucioneve përgjegjëse të shtetit për të bërë detyrën që u takon, nxjerrjen dhe miratimin e akteve nënligjore. Universitetet publike funksionojnë me një ligj të ri dhe me akte të vjetra që kundërshtohen prej të parit, me organe, statuse e rregullore të vjetra qkundërshtohen prej ligjit të ri reformator.
Universitetet, madje, as nuk mund të shpërndajnë drejt ngarkesën, se po presin ende udhëzimin e ri; as mund të zgjedhin organe të promovimit akademik, se po presin udhëzimin e ri; as mund të japin tituj akademikë, se po presin aktet e reja. Kolegët e mi që morën pjesë kokulur në monologun e Kryeministrit, mund t’ia kishin bërë një pyetje se kur ka ndërmend ta shoqërojë ligjin mrekullibërës me akte nënligjore, po aq mrekullibërëse.
Kishte ca kohë që “sihariqi” për ngritjen, apo indeksimin e pagave po qarkullonte nëpër media e në ambiente akademike, por Kryeministri zgjodhi ditën e djeshme t’ua shpallte vetë pedagogëve duke ua shqiptuar shifrat me lekë të vjetra (se duken më shumë). Pagat indeksohen me 10-15% në varësi të kategorive, për shembull, profesorit, titullit më të lartë në hierarkinë akademike, i rritet paga me 10800 lekë, ndërkohë që prej tri vitesh, rroga e tij është ulur prej rritjes së taksës nga 10 në 15 %.
Po përtej indeksimit, apo rritjes siç pëlqen ta quajë, Kryeministri “harroi” të sqarojë kolegët pjesëmarrës në atë takim se në ligjin e tij reformues rrogat e pedagogëve nuk garantohen më, pasi ai e ka hequr grantin e pakushtëzuar të pagave që përballohej më parë nga buxheti i shtetit. Kryeministri bishtnoi duke bërë krahasimin me qeverinë e para tri viteve, por sot dhe në tri vitet e qeverisjes së tij pedagogët e universiteteve publike kanë të garantuara paga vetëm për 9-10 muaj në vit. Ndoshta me indeksimin që premton në mars, edhe më pak se 9 muaj.
Sa për studentët dhe pranimet e tyre në universitete, Kryeministri harroi të shpjegonte sepse pikërisht në ditën që ai po fliste për suksesin e pranimeve në universitete, po mbyllej faza e gjashtë e pranimit, dhe sipas të dhënave që na ofronte sistemi i ri i pranimit, rezultojnë ende të pambushura kuotat e degëve të preferuara ndër vite nga studentët shqiptarë: Drejtësia, 40 vende; Informatika, 51 vende; Financa, 47 vende; Administrim biznesi, 100 vende; Gazetaria 20 vende, Inxhinieria elektronike 29 vende; Inxhinieria e ndërtimit 39 vende; Arkitektura 19 vende; Farmacia 18 vende; Stomatologjia 10 vende e kështu me radhë.
Çuditërisht, nuk gjen asnjë të dhënë për kuota të lira nga universitetet jopublike në portalin e Ministrisë së Arsimit dhe Sporteve (klasifikimi. ualbania.rash.al). Nëse Kryeministri ka dashur të ndryshojë trendin e preferencave të studentëve shqiptarë për degët më të kërkuara të universiteteve publike, ka qenë vërtet i suksesshëm. Megjithatë, për një gjë Kryeministri duhet falënderuar.
Për t’ua dhënë gjithë këto informacione, përmes leksionit të tij, në ndryshim nga mësuesit apo akademikët, ai i nderoi më shumë pedagogët, pasi nuk i thirri në Kryeministri, por harxhoi pak minuta për të shkuar deri tek Universiteti Politeknik ku i kish mbledhur.

Monday, October 17, 2016

Kritika ndaj procesit te promovimit akademik te pedagogeve ne Shqiperi

http://www.panorama.com.al/masivizimi-i-titujve-akademike-perballe-cilesise/

Masivizimi i titujve akademikë përballë cilësisë

Nuk do t’i rikthehesha kësaj teme, por dyndja gjatë vitit të kaluar akademik, që vijon ende, e aplikimeve për gradë a titull më të lartë shkencor për të mos u penguar nga sa parashikon ligji i ri për arsimin e lartë, më shtyn të prononcohem përsëri. Me “dosje” në dorë, një kategori studiuesish janë munduar, jo pa sukses, që “arritjet” e tyre shkencore t’i shesin sa më shtrenjtë ku të munden, në universitetet e Tiranës dhe nëpër rrethet e vendit, duke depërtuar në ato institucione ku kanë njohje, apo atje ku barrierat akademike kanë “rënë” për shkak të ekspertizës së mangët.
Sigurisht, në këtë shkrim dëshiroj të vlerësoj rezultatet e asaj pjese të personelit akademik që ka treguar në vite arritje konkrete në shkencë, me studime të mirëfillta e me vlerë. Janë studiues që meritojnë respektin e tërë shoqërisë, pasi mbi ata mbështetet kërkimi shkencor në vend sot. I kanë fituar gradat e titujt me meritë, me mund e djersë. Por, sot ka edhe departamente, fakultete e universitete që, ndonëse nuk kanë asnjë lloj kërkimi shkencor të organizuar e financuar, te të cilët asnjë minutë nuk i kushtohet kërkimit shkencor, e megjithatë në to gëlon një personel mësimor me tituj të lartë akademikë, pa dyshim një paradoks ky që në njëfarë mënyre zhvleftëson dhe arritjet e atyre që titullin e kanë merituar plotësisht.
Prej shumë vitesh, procesi i kualifikimit shkencor po përballet dukshëm me mediokritetin, fiktivitetin dhe mungesën e vlerave. Ka ardhur koha që kësaj gjendjeje t’i thuhet “stop”! Të mos e gënjejmë më veten me konferenca ndërkombëtare pa nivel të organizuara brenda vendit nga Veriu në Jug, apo me artikuj shkencorë të botuar kundrejt pagesave shpesh të kripura në revista që shfaqen si fantazma online e që zhduken sapo shfaqen, duke u lënë në dorë autorëve një të ashtuquajtur “faktor impakti”, pavar- ësisht nëse punimet e tyre kanë ose jo ndonjë impakt real.
Sikurse ka ardhur koha që të shkëputemi nga kritere “lodhëse” si zhvillimi i leksioneve para komisione profesorësh, që shpesh shndërrohen në formalitete e “qoka” mes kolegësh. Po aq i pakuptimtë dhe pa vlerë është bërë dhe kërkimi i “dëshmitarëve” ndërkombëtarë, duke përzier në punët tona studiues të huaj, që për hir të miqësive apo edhe lidhjeve të krijuara detyrohen, herë me dëshirë e herë pa ditur se çfarë bëjnë, të “certifikojnë” arritjet shkencore të kolegëve të tyre shqiptarë.
Po aq i papranueshëm është bërë edhe “rrëmbimi” brenda një kohe të shkurtër i zinxhirit të titujve shkencorë nga individë që djegin etapat nën hijen e talentit, ndonëse për të demonstruar talentin e profesorit pa dyshim që duhet një periudhë kohe, një nivel maturimi i mjaftueshëm së paku i përvojës pedagogjike. Situata kapërcen madje kufijtë e komedisë kur sheh “studiues” që mburren me dhjetëra artikuj të botuar në pak vite, apo me mësimdhënien e tyre në universitete të huaja vetëm disa pak kilometra përtej kufijve të vendit.
Por jo vetëm kriteret e vendosura nga viti në vit nuk kanë qenë të studiuara mirë. Edhe vetë profesorati shqiptar ka treguar se nuk e ka ndërgjegjësimin dhe aftësitë të vlerë- sojë me objektivitet, ndershmëri dhe në mënyrë të pavarur, jashtë tarafeve e interesave meskine mbi prodhimtarinë dhe vlerat shkencore të studiuesve. Me keqardhje pohoj se, megjithëse e tërë procedura e dhënies së titujve kalon përmes një filtri shumë hallkash, nga departamentet, këshillat e profesorëve, senatet akademike e deri në KVTA (Komisioni i Vlerësimit të Titujve Akademikë), në mjaft raste ajo ka dështuar të jetë efektive. Ndryshe, situata nuk do të kishte “precipituar” deri në këtë nivel.
Prandaj, në prag të fillimit të zbatimit të ligjit të ri mbi arsimin e lartë, për sa i përket kualifikimit shkencor, është momenti për reflektim, për të vlerësuar çfarë është e mirë nga e kaluara dhe çfarë duhet rregulluar për më tej.
Së pari, që të kemi një kualifikim shkencor cilësor e tituj të fituar me meritë, para së gjithash duhet të kemi një kërkim shkencor të organizuar mirë, të mbështetur me strukturat e nevojshme, të financuar duke filluar nga departamenti e deri në nivel kombëtar, me prioritete të qarta në përputhje me interesat e shoqërisë sonë për sot dhe në perspektivë.
Së dyti, duhet që të shkëputemi sa më parë nga format arkaike, parazitare e të ngurtësuara të organizimit apo koordinimit të kërkimit shkencor, të cilave u ka ardhur koha të dalin përfundimisht në rolin e tyre honorifik. Sot i duhet hapur rruga konkurrencës së mendimit dhe garës së ideve, e për këtë e tërë veprimtaria shkencore duhet organizuar dhe koordinuar përmes projekteve, me financime të qarta e transparente dhe rezultate e përfitues konkretë.
Së treti, duhen rishikuar kriteret që lidhen me kualifikimin shkencor, duke hequr dorë nga kritere që nuk mund të plotësohen, apo që lënë shtigje, përmes të cilëve mund të anashkalohen dhe kërkesat më minimale për të merituar një titull shkencor. Koha provoi se vetëm kriteret numerike nuk sjellin cilësi; për të ndryshuar cilë- sisht, indikatorët e nivelit shkencor të veprimtarisë akademike duhet t’i adresohen impaktit të produktit shkencor, sa pranohet ky produkt brenda e jashtë vendit.
Kritere duhet të jenë tejet rigoroze veçanërisht kur bëhet fjalë për fitimin e titullit profesor, si më i larti në hierarkinë akademike. Mbajtësi i tij duhet të dëshmojë për një personalitet të angazhuar për një kohë të gjatë në mënyrë të spikatur në fushën e mësimdhënies, me arritje konkrete në fushën e kërkimit shkencor, të jetë shquar për punime origjinale me vlerë dhe nivel të lartë shkencor të publikuara në revista shkencore prestigjioze të vendit dhe të huaja, monografi dhe libra me përmbajtje akademike, si dhe për një publicistikë të larmishme me ndikim të gjerë në formimin e opinionit publik përmes trajtimit të temave me rëndësi për vendin, rajonin dhe më gjerë.
Së katërti, me ligjin e ri për arsimin e lartë, kompetencat për dhënien e titujve akademikë kalojnë ekskluzivisht tek universitetet, që mund të sjellë probleme për sa i përket unifikimit të tyre në shkallë vendi. Vetëm kriteret, ndonëse unike në shkallë vendi, me pak gjasa mund të sigurojnë barasvlefshmërinë e titujve, pasi vlerësimi i tyre mund të jetë subjektiv nga një universitet në tjetrin; së paku këtë ka treguar përvoja e derisotme. Aq më pak mund ta mundësojë këtë shqyrtimi nga një njësi administrative, e cila mund të verifikojë plotësimin sasior të kritereve, por kurrsesi të gjykojë aspektet cilësore të tyre.
Për të mënjanuar “të çarën” që shkakton ligji i arsimit të lartë për një vlerësim të unifikuar, më duket e udhës që dhënia e titullit, veçanërisht atij “profesor”, të finalizohet me vlerësimin nga juri ekspertësh të organizuara në shkallë kombëtare, të profilizuara sipas gjashtë fushave kryesore të kërkimit shkencor, sipas klasifikimit për to nga “Dokumenti i Fraskatit”. Gjithsesi, cilësi e nivel të lartë shkencor e mundëson para së gjithash një standard moral i lartë, që nuk e pranon fitimin e një grade a titulli shkencor, duke depërtuar drejt “suksesit” përmes rrugëve të tërthorta.
Nëse ky standard mungon, atëherë nuk mund të bëhet fjalë për kërkim shkencor e tituj e grada të fituara me meritë, pavarë- sisht kritereve, komisioneve e jurive, sado të sofistikuara që të jenë ato. Dhe në mbyllje, më duhet të them se nëse nuk do të merren masat e duhura, kualifikimi shkencor fiktiv e pa nivel do të godasë dhe rigodasë bashkësinë shkencore dhe do ta degradojë atë më tej, ndërsa shoqëria do të vuajë pasojat e shumëfishuara nga një proces që do të vazhdojë të prodhojë vetëm mediokritet shkencor e intelektual, duke u shtrirë si një ortek edhe te brezi i ri.
http://www.panorama.com.al/masivizimi-i-titujve-akademike-perballe-cilesise/

Thursday, October 13, 2016

Loja me udhezimet e Ministrise shqeteson studentet.

Organizata politike  - Jani Marka, 13.10.2016, Facebook


Qëndrim i Lëvizjes Për Universitetin në lidhje me mënyrën kaotike të drejtimit dhe Udhëzimeve të nxjerra nga Ministria e Arsimit dhe Sportit, prej paaftësisë apo dashakeqësisë:
Lojë me udhëzime
Autori: Ministria e Arsimit dhe Sportit
U patëm thënë përfaqësuesve të MAS që, me Udhëzimin nr.13, do të duheshin një numër shumë i madh raundesh për të regjistruar shumicën e maturantëve. Jo – na u përgjigjën – ju nuk kuptoni, ju nuk dini të lexoni, ju dini vetëm të kundërshtoni. Sistemi është automatik – na thanë. Me fjalën “automatik” ndoshta kanë dashur të thonë se udhëzimet e MAS nuk janë dokumente serioze zyrtare, e të mirëshkruara. Përkundrazi, ato mund të ndryshojnë nga një ditë në tjetrën.
Në datën 7 tetor 2016, MAS nxorri Udhëzimin nr.24, i cili ndryshoi për herë të dytë të famshmin Udhëzim nr.13, pas ndryshimit të parë me Udhëzimin nr.22 të datës 6 shtator 2016, por këtë herë me ndryshime rrënjësore në skemën e regjistrimit. Ndërkohë, znj. Nikolla bëri të paditurën në datën 10 tetor, kur u pyet për këto ndryshime në emisionin “Njerëz në Fokus” të News 24. Këtyre ndryshimeve do t’u referohemi më poshtë jo vetëm për të argumentuar paaftësinë e dukshme të MAS por, mbi të gjitha, për të nxjerrë në pah se me ndryshimet e Udhëzimit nr.13 cënohet sërish rëndë skema e meritë-preferencës; kjo gjithmonë përsa i përket skemës së regjistrimit, pasi duhet kujtuar që matura 2016 është goditur rëndë edhe përpara Udhëzimit nr.13, me ndryshimin e rregullave në fund të lojës, si edhe me vendosjen e kritereve të pranimit në mënyrë të padrejtë e të pambështetur në realitetin e shkollave të mesme dhe kurrikulat e tyre të studimit.
Nuk e dimë sa e vlefshme është të argumentojmë rreth Udhëzimit nr.24, kjo pasi në datë 11 tetor 2016, vetëm disa ditë pas publikimit të tij në faqen zyrtare të MAS, ai është zhdukur nga faqja. Është zhdukur për t’u ndryshuar sërish apo për arsye të tjera!? Më poshtë po paraqesim ndryshimet më thelbësore të udhëzimeve përsa i përket skemës së regjistrimit, duke e marrë të mirëqenë Udhëzimin nr.24:
Udhëzimi nr.13, 22. 07.2016
"Për procedurat e aplikimit dhe të regjistrimit në programet e ciklit të parë të studimeve, në programet e studimeve me karakter profesional, si dhe në programet e integruara të studimeve të ciklit të dytë, në institucionet e arsimit të lartë, në vitin akademik 2016 -2017”
Këtu po sjellim në vëmendje dy pika për raundin e dytë, përkatësisht pika 12 dhe 13 të Kreut III.
III-12
Të gjithë kandidatët, të cilët kanë kryer procesin e aplikimit në raundin e dytë dhe janë shpallur fitues nga IAL-të, duhet të kryejne procesin e regjistrimit online dhe me dokumentacion në sekretaritë mësimore të IAL-ve, në programin e studimit ku dëshirojnë të vazhdojnë studimet, deri me datë 16 tetor 2016. Kandidati që është shpallur fitues në më shumë se një program studimi, lejohet të regjistrohet me dokumentacion vetëm në njërin nga programet e studimit ku është fitues.
III-13
Pas datës 16 tetor 2016, deri më datë 20 tetor 2016, sekretaritë mësimore të IAL-ve do të regjistrojnë online dhe me dokumentacion, deri në plotësimin e numrit të kuotave për programin e studimit përkatës, të githë kandidatët e tjerë që kërkojnë të regjistrohen, duke respektuar renditjen në lista. Kandidati nuk mund të regjistrohet në më shumë se një program studimi.
Udhëzimi nr.24, 07. 10. 2016
Për disa shtesa dhe ndryshime në Udhëzimin nr. 13, datë 22.07.2016 "Për procedurat e aplikimit dhe të regjistrimit në programet e ciklit të parë të studimeve, në programet e studimeve me karakter profesional, si dhe në programet e integruara të studimeve të ciklit të dytë, në institucionet e arsimit të lartë, në vitin akademik 2016 -2017,, të ndryshuar.
Këtu po sjellim në vëmendje ndryshimin që është bërë në paragrafin “II”.
Pika 13 e Kreut II të Udhëzimit ndryshon si më poshtë:
“Kandidatët të cilët nuk janë regjistruar brenda datës 16 tetor 2016 konform përcaktimeve të këtij udhëzimi, humbin të drejtën për t’u regjistruar në fazat e mëtejshme të parashikuara më poshtë në programet e studimit ku ata rezultonin fitues gjatë raundit të dytë.
Pas mbylljes së regjistrimeve të raundit të dytë, në datat 17-18 tetor 2016, sekretaritë mësimore të IAL-ve do të regjistrojnë, online dhe me dokumentacion kandidatët. Regjistrimi do të bëhet duke respektuar renditjen e listave të fituesve të raundit të dytë, pas zbritjes së vijës së fituesit të fundit konform numrit të kuotave të parashikuara për programin përkatës të studimit.
Kandidatët që rezultojnë fitues në këtë fazë dhe nuk regjistrohen me dokumentacion dhe online pranë sekretarsië mësimore përkatëse brenda afateve të sipërcaktuara humbin të drejtën e regjistrimit në fazat e mëpasme të konkurrimit për programet e studimit ku ata rezultonin fitues në këtë fazë.
Në datat 19-20 tetor 2016, sekretaritë mësimore të IAL-ve do të regjistrojnë, online dhe me dokumentacion, conform numrit të kuotave të parashikuara për programin përkatës të studimit, kandidatët që rezultojnë fitues pas zbritjes së vijës së fituesit të fundit të fazës pararendëse për shkak të mos regjistrimit gjatë asaj faze, brenda datës 18 tetor 2016, të kandidatëve të tjerë pararendës fitues, duke respektuar renditjen në listat e fituesve të raundit të dytë.
Në kuotat e disponueshme për zbritjen e vizës për regjistrimet në një program të caktuar studimi, nga data 17 tetor 2016 deri nd 20 tetor 2016, do të bëjnë pjesë të gjitha kuotat e mbetura të paplotësuara, dulke përfshirë kuotat e paplotësuara për kandidatët shqiptarë brenda vendit, shtetasit e huaj, kandidatët shqiptarë nga trojet jashtë kufijve të vendit, kandidatët të kategorive të veçanta, transferime dhe programe të dyta studimi, si dhe duke respektuar numrin total të kuotaae nga IAL, për atë program studimi.
Kandidati nuk mund të regjistrohet në më shumë se një program studimi."
***
Duke ndjekur me shqetësim situatën e maturatëve në muajin shtator dhe duke iu referuar pikave 12 dhe 13 të Kreut III të Udhëzimit nr.13, kuptuam që skema e regjistrimit ishte shumë problematike pasi nuk mundësonte regjistrimin e shumicës së maturantëve në dy raundet e para dhe 4 ditët e fazës së fundit. Prandaj në të gjitha qëndrimet tona kërkuam që MAS të paraqiste një skemë të re regjistrimi, me një numër raundesh aq sa të regjistroheshin të gjithë maturantët që dëshironin të regjistroheshin.
Pikërisht për të shmangur këtë anomali të skemës së regjistrimit, MAS ka ndërhyrë për të ndryshuar skemën e regjistrimit dhe, siç konstatohet lehtësisht në Udhëzimin nr.24, janë bërë disa ndryshime thelbësore.
Së pari, “Kandidatët të cilët nuk janë regjistruar brenda datës 16 tetor 2016 konform përcaktimeve të këtij udhëzimi humbin të drejtën për t’u regjistruar në fazat e mëtejshme të parashikuara më poshtë në programet e studimit ku ata rezultonin fitues gjatë raundit të dytë.” – ky është një paragraf, që në ndryshim nga udhëzimi fillestar, i pastron listat nga fituesit e paregjistruar. Por kjo përpjekje për të maksimalizuar regjistrimin e maturantëve shkakton padrejtësi pasi dëmton rëndë skemën e meritë-preferencës. Për këtë po sjellim më poshtë një shembull të ilustruar:
“Lindita është një maturante që dëshiron të studiojë Mjekësi të Përgjithshme, ajo ka grumbulluar 955 pikë në këtë program studimi, por renditet 8 pozicione poshtë vijës së kuqe në raundin e dytë. Ndërkohë, në raundin e dytë ajo ka fituar në programe të tjera studimi, për shembull Stomatologji me po 955 pikë, degë të cilën Lindita në dëshrat e saj e ka si preferencë të dytë. Tashmë, Lindita gjendet përballë një dileme të madhe, që paraqet mundësi e rreziqe. Opsioni i parë: Ajo dëshiron Mjekësi, por që të vijojë garën duhet të heqë dorë nga Stomatologjia – dhe gjithë degët e tjera ku ka fituar – sipas udhëzimit të ri, duke rrezikuar në këtë mënyrë të mos fitojë as njerën e as tjetrën për shkak se vija e kuqe në programin e studimit Mjekësi mund të zbresë vetëm me 4 pozicione. Më keq akoma, ndoshta Lindita mund edhe të mbetet pa shkollë nëse Mjekësia është e vetmja degë ku ajo mund të konkurronte pas raundit të dytë. Ndërkohë në Stomatogji, pas zbritjes së vijës së kuqe, është regjistruar një student tjetër, Plarenti, me 945 pikë. Opsioni i dytë: Ndoshta, Lindita e frikësuar nga kjo panoramë e opsionit të parë vendos të mos rrezikojë dhe vendos të regjistrohet në Stomatologji. Por, në fazën pasardhëse ajo shikon se vija e kuqe në mjekësi ka zbritur me 15 pozicione dhe, nëse do kishte guxuar, ajo do të ishte fituese. Për fatin e saj të keq, vendin e saj e ka zënë Edi, Iliri, Nora, etj., që të gjithë me më pak pikë se Lindita. Lindita pyet e nxehur veten: Ku është preferenca, ku është merita?!”
Së dyti, Udhëzimi nr.24 e ka ndarë 4 ditëshin në dy faza: faza e parë në thelb paraqet të njëjtat dilema e rreziqe që shtjelluam për raundin e dytë, pasi edhe këtu maturantët që nuk regjistrohen në degët ku janë fitues e humbasin të drejtën të vijojnë garën në po këto degë në fazën e fundit.
Në këtë kaos të madh të krijuar, MAS duhet të nxjerrë një udhëzim të ri, ku të anulohen ndryshimet që detyrojnë maturantët të regjistrohen kundër vullnetit të tyre, si dhe në anën tjetër të lejojë shtrirjen e afateve e raundeve aq sa të mos ketë më kërkesa nga maturantët.
E kemi thënë që në krye të herës: Kjo skemë aplikimi dhe regjistrimi në universitete jo vetëm që u jep përparësi universiteteve private, por, si pasojë e ngatërresave të domosdoshme për të arritur qëllimin e mësipërm, prodhon padrejtësi e çoroditje të shumanëshme. Prandaj duhet ndërhyrje urgjente. Përpara se të përfundojnë në koshin e historisë, në mos përpara gjyqit, ministrja e Arsimit dhe Sportit dhe zyrtarët e lartë të saj duhet të marrin masat e fundit të lehtësimit të dëmit të pamatë që u kanë sjellë maturantëve."

Saturday, August 13, 2016

Programet e studimit per vitin 2016

Nisur nga te dhenat per regjistrimet ne arsimin e larte te publikuara nga MAS paraqitet edhe nje tablo mbi sistemin e arsimit te larte ne vend.

Dokumenti excel: ketu 

Shenim: Nje pjese e mire e programeve ende nuk jane unifikuar, as me kodet perkatese sipas standardeve te UNESCO. Cdo program ne liste ka nje kod te vetin, edhe pse jane programe te ngjashme ose te njejta. Ka emertime programesh te cuditshme, te cilat jane njesoj per nga natyra e profilit ose permbajne gabime gramatikore (p.sh. "Mesuesi per arsimin fillor", ose "Mesuesi arsim fillor", "inxhnieri" etj).  Me poshte jane paraqitur te unifikuara. 

Disa institucione private ende mbartin emertimin universitet, ne kundershtim me ligjin e arsimit te larte. 


1. Institucionet e arsimit te larte qe kane hapur programe studimi per vitin 2016 jane:






Programe    Fakultete  Institucione
Total 443 443 35
Publik 291 291 12
Privat 152 152 23
Programe 2-vjecare 22

2




2. Programet qe ofrohen me shpesh nga institucionet e arsimit te larte (pa ato 2 -vjecare, >4 programe) 




Programe Sasia Perqindja
Gjuhesi 39 8.80%
Administrim biznesi 23 5.19%
Informatike 21 4.74%
Finance 19 4.29%
Infermieri 19 4.29%
Mesuesi 19 4.29%
Juridik 18 4.06%
Shkenca politike 14 3.16%
Menaxhim biznesi 13 2.93%
Ekonomi 12 2.71%
Psikologji 11 2.48%
Matematike 10 2.26%
Histori 9 2.03%
Arkitekture 8 1.81%
Menaxhim turizmi 8 1.81%
Biologji 7 1.58%
Fizioterapi 7 1.58%
Informatike ekonomike 7 1.58%
Sociologji 6 1.35%
Farmaci 5 1.13%
Fizike 5 1.13%
Inxhinieri ndertimi 5 1.13%
Teknologji informacioni 5 1.13%
Administrim publik 4 0.90%
Ekonomiks 4 0.90%
Film 4 0.90%
Gazetari 4 0.90%
Inxhinieri elektrike 4 0.90%
Kimi 4 0.90%
Stomatologji 4 0.90%
Laborant dentar 4 0.90%


3. Institucionet qe hapin programe studimi per kete vit jane si me poshte: 




Nr.  Universiteti Prog Fak. Privat/publik
1 Universiteti "Aleksander  Moisiu" Durres 44 44 PU
2 Universiteti  “Aleksandër Xhuvani” Elbasan 39 39 PU
3 Universiteti i Tiranës 36 36 PU
4 Univ. “Ismail Qemali” Vlorë 27 27 PU
5 Universiteti i Arteve 27 27 PU
6 Universiteti "Luigj Gurakuqi",  Shkodrës 26 26 PU
7 Universiteti "Fan S. Noli", Korce 22 22 PU
8 Universiteti Politeknik i Tiranes 22 22 PU
9 Universiteti Bujqësor i Tiranës 19 19 PU
10 Universiteti Privat Albanian University 19 19 PR
11 Universiteti "Eqrem Çabej" Gjirokaster 18 18 PU
12 Universiteti Europian i Tiranës 11 11 PR
13 Universiteti Privat Epoka 11 11 PR
14 University of New York Tirana 10 10 PR
15 Kolegji Profesional i Tiranës 9 9 PR
16 SHLUJ "Universiteti Marin Barleti" 9 9 PR
17 SHLP "Mesdhetare e Shqipërisë" 9 9 PR
18 Universiteti I Mjekësisë, Tiranës 9 9 PU
19 Universiteti Katolik "Zoja e Këshillit të Mirë" 9 9 PR
20 Shkolla e Lartë Private "Hëna e Plotë" (Bedër) 7 7 PR
21 Akademia "Reald", Vlore 6 6 PR
22 Universiteti Aldent 6 6 PR
23 Universiteti Polis 6 6 PR
24 Akademia Profesionale e Biznesit 5 5 PR
25 Shkolla e Lartë Private "Logos" 5 5 PR
26 Shkolla Private e Arsimit të Lartë "Pavaresia" 5 5 PR
27 Akademia e Filmit dhe Multimedias Marubi 4 4 PR
28 Instituti Kanadez i Teknologjise", Tiranë 4 4 PR
29 Wisdom University 4 4 PR
30 Universiteti Metropolitan Tirana 4 4 PR
31 Tirana Business University (TBU) 4 4 PR
32 Shkolla e Lartë Universitare Private "Luarasi" 3 3 PR
33 Universiteti i Sporteve të Tiranës 2 2 PU
34 Kolegji Profesional Privat  "Ivoclar Vivadent &
Partners"
1 1 PR
35 Shkolla e Larte "Nehemiah Gateway" 1 1 PR
Total 443 443 35



Monday, August 8, 2016

Ligji i sistemit te arsimit ne Republiken Popullore Socialiste te Shqiperise 1969

Ligji Nr. 4624, date 24.12.1969
Botuar në Gazetën Zyrtare Nr. 10/1969
Duke u bazuar në vendimet e Pleniumit VII të Komitetit Qeëndror të PPSH, mbajtur në qershor 1969, me qëllim që shkolla jonë t’u përgjigjet sa më mirë detyrave për ndërtimin e plotë të shoqërisë socialiste në etapën e sotme e në perspektivë, që ajo të japë një kontribut vendimtar për pergatitjen dhe edukimin e njeriut të ri me formim të gjithanshëm komunist, besnik gjer në fund ndaj cështjes së partisë, të lidhur ngushtë me popullin punonjës, luftëtarë të paepur për ndërtimin e socializmit e mbrojtjen e marksizëm-leninizmit, që ajo të pregatisë punonjës e kuadro në numër të mjaftueshëm, të kualifikuar e të aftë, që ajo të ndihmojë si duhet për ngritjen e vazhdueshme të nivelit kultural të masave punonjëse, sidomos të klasës sonë punëtore, për ngushtimin gradual dhe pastaj për zhdukjen e dallimeve esenciale midis punës mendore e punës fizike si dhe midis qytetit e fshatit, që I gjithë sistemi arësimor të ndërtohet mbi bazën e unitetit organic të mësimit me punën prodhuese e me edukimin fizik e ushtarak, duke i dhënë prioritet absolut bushtit ideologjik marksist-leninist, dhe që shkolla jonë të bëhet gjithnjë më masive, më popullore, sidomos në hallkat e arësimit të mesëm e të lartë.
Kuvendi Popullor, mbi propozimin e Këshillit të Ministrave,
Vendosi:
Aprovimin e ligjit “Mbi sistemin e ri arësimor”, me këtë përmbajtje:

KREU I

Sistemi arësimor
Neni 1
Sistemi arësimor bazohet mbi parime demokratike socialiste, përshkohet tërësisht nga boshti ideologjik marksist-leninist dhe zhvillohet mbi bazën e lidhjeve organike të mësimit me punën prodhuese dhe me edukimin fizik e ushtarak.

Neni 2
Arësimi  jepet me shkëputje nga puna për rininë shkollore dhe pa shkëputje nga puna për punëtorët e fshatarët.
Neni 3
Arësimi merret nëpërmjet një sistemi të plotë e masiv shkollash të hallkave të ndryshme, që lidhen njëra me tjetrën dhe zgjerohen vazhdimisht.
Neni 4
Në sisemin arësimor përfshihen:
a)     arësimi parashkollor
b)     arësimi i përgjithshëm tëtëvjeçar
c)      arësimi i mesëm
d)     arësimi  i lartë
Neni 5
Arësimi jepet falas në të gjitha hallkat e sistemit arësimor dhe në institucionet jashtëshkollore.

KREU II

Arësimi parashkollor
Neni 6
Arësimi parashkollor ka për detyrë të kryejë edukimin shoqëror të fëmijëve të moëshës nga tre vjeç gjer në gjashtë vjeç, në mënyrë që të sigurohet zhvillimi i tyrë fizik e mendor, pajisja e tyre me vetitë më elementare të moralit komunist dhe pregatitja për të hyrë në shkollë.
Arësimi parashkollor është i përgjithshëm, realizohet gradualisht dhe jepet në kopshtet e në shtëpitë e fëmijëve.

KREU III

Arësimi i përgjithshëm tëtëvjeçar
Neni 7
Arësimi tetëvjeçar përbën hallkën bazë të sistemit arësimor, është unik, i përgjithshëm dhe i detyrueshëm për të gjithë fëmijët nga mosha 6 vjeç.
Pranimi i fëmijëve në arsimin tetëvjeçar në moshën 6 vjeç zbatohet gradualisht.
Neni 8
Arësimi tetëvjeçar ka për detyrë që në përshtatje me moshën e nxënësve, t’u japë atyre bazat e para të edukimit politik, ideologjik, moral, estetik e fizik, t’i pajisë me kulturë të përgjithshme, të edukojë tek ata dashurinë për punën dhe shprehitë e thjeshta të punës, në mënyrë që të ata të bëhen të aftë për të vazhduar arësimin e mesëm dhe të parapregatiten për të marrë pjesë në jetën shoqërore dhe në prodhimin socialist.

Kreu IV

Arësimi i mesëm
Neni 9
Arësimi i mesëm ka për detyrë që, në përshtatje me moshën, t’u japë nxënësve një formim të shëndoshë marksist-leninist, shkencor e politeknik dhe, mbi bazën e unitetit organik të mësimit me punën prodhuese dhe me edukimin fizik e ushtarak, të sigurojë pregatitjen e nevojshme teorike dhe praktike të nxënësve, në mënyrë që ata të bëhen të aftë për të marrë pjesë menjëherë në prodhimin shoqëror, të parapregatiten për mbrojtjen e atdheut dhe të pajisen me njohuritë e domosdoshme për të vazhduar arësimin e lartë.
Neni 10
Arësimi i mesëm është i shumëllojtë dhe jepet në shkollat e mesme të ndryshme profesionale dhe në shkollat e mesme të përgjithshme.
Shkollat e mesme profesionale, të cilat pregatisin punëtorë të kualifikuar dhe teknikë të mesëm të specialiteteve të ndryshme, janë rregullisht të profilit të gjerë. Shkollat e mesme profesionale mund të jenë me një degë, me më shumë se një degë ose të bashkuara me degë të profileve të ndryshme ose të arësimit të mesëm të përgjithshëm.
Neni 11
Të gjitha llojet e shkollave të mesme për rininë shkollore janë katër-vjeçare, kanë strukturë të njëjtë të vitit shkollor dhe sigurojnë një nivel përafërsisht të barabartë të kulturës themelore të përgjithshme.
Neni 12
Nxënësit që mbarojnë shkollën e mesme me shkëputje nga puna bëjnë një vit stash në prodhim, para se të vazhdojnë shkollat e larta.
Neni 13
Edukimi fizik e ushtarak i rinisë shkollore kryhet në shkollë në reparte ushtarake dhe zbatohet në unitet, i gërshetuar organikisht në përshtatje me moshën dhe seksin, sipas dispozitave të veçanta.
Neni 14
Shkollat e mesme profesionale për punëtorët e kooperativistët pa shkëputje nga puna, janë rregullisht të profilit të ngushtë, zgjatin 4 vjet, janë njëdegëshe ose shumëdegëshe dhe ngrihen pranë ndërmarrjeve ekonomike e kooperativave bujqësore ose në bazë rrethi.

Kreu V

Arësimi i Lartë
Neni 15
Arësimi i Lartë ka si detyrë të pregatisë specialist të rinj revolucionarë, të brumosur me frymën proletare, të formuar ideologjikisht e politikisht, në nivelin e këçr]kesave të shkencës e të teknikës moderne dhe të kërkesave të zhvillimit të ekonomisë e të kulturës në vendin tonë, të aftë nga ana teorike e praktike për punë dhe për mbrojtjen e atdheut.
Këto detyra arësimi i lartë i realizon mbi bazën e forcimit të boshtit ideologjik marksist-leninist dhe të unitetit organic të mësimit me punën prodhuese dhe me edukimin fizik e ushtarak.
Neni 16
Arësimi i larët jepet në universitetet dhe në shkollat e tjera të larta. Shkollat e larta kanë fakultete me degë e specialitete të ndryshme, ku pregatitja e specialistëve të lartë bëhet kryesisht mbi bazën e profilit të gjerë.
Neni 17
Në shkollat e larta studimet zgjasin 3-4 vjet dhe në raste të veçanta 5 vjet. Struktura e viti shkollor në të gjitha shkollat e larta është e njëjtë përsa i përket vendit që zënë mësimi, puna prodhuese dhe edukimi fizik e ushtarak.
Neni 18
Në shkollat e larta pranohen nxënës që kanë kryer shkollën e mesme dhe jo më pak se një vit stash në prodhim.
Neni 19
Gjithë studentët, pas shkollës së lartë, do të bëjnë tetë gjer në në nëntë muaj stash në punë si dhe një kurs tremujor për pregatitjen ushtarake.
Neni 20
Arësimi i lartë pa shkëputje nga puna për punëtorët e fshatarët, si një nga format kryesore për masivizimin e mëtejshëm të arësimit të lartë dhe për ngritjen e nivelit teorik e shkencor të punëtorëve dhe të fshatarëve, jepet pranë shkollave të larta ose në filialet e tyre.
Afati i studimit në shkollat e larta për shkëputje nga puna është rregullisht një vit më i gjatë se ai i degëve përkatëse me shkëputje nga puna.
Neni 21
Në arësimin e lartë pa shkëputje nga puna pranohen punonjës që kanë kryer shkollën e mesme dhe që kanë plotësuar jo më pak se një vit drejtpërdrejt në punë prodhuese.
Punonjësit që kanë kryer shkolla të mesme profesionale pa shkëputje nga puna, par se të pranohen nga shkollat e larta përkatëse, si rregull bëjnë edhe një vit përgatitor për plotësimin e kulturës së përgjithshme shkencore dhe teknike.

Kreu VI

Mbi pregatitjen e punëtorëve dhe kualifikimin e kuadrit
Neni 22
Përveç hallkave të sistemit arësimor, për përgatitjen e punëtorëve të rinj të kualifikuar dhe për kualifikimin e mëtejshëm të punëtorëve e kooperativistëve, ngrihen, mbi bazën e shkollës tetëvjeçare, shkolla të ulëta tekniko-profesionale dhe kurse të profileve të ndryshme, me shkeputje dhe pa shkëputje nga puna.
Për kualifikimin dhe specializimin mëtejshëm të kuadrit të lartë ngrihen kurse të veçanta.
Kreu VII
Dispozita të fundit
Neni 23
çështjet e veçanta lidhur me sistemin e ri arësimor, siç janë vartësia, hapja e mbyllja e shkollave të ndryshme, afati i studimeve në degët e ndryshme të shkollave të larta, kushtete lehtësuese për punonjësit që ndjekin shkollat pa shkëputje nga puna, puna prodhuese dhe edukimi fizik e ushtarak, përcaktohen me dispozita të veçanta të Këshillit të Ministrave.