Friday, May 23, 2014

Universiteti i Sporteve – Akuza për keqmenaxhim




Gazeta Shqip, 23.05.2014
Një grup pedagogësh të Universitetit të Sporteve, kanë kërkuar kryerjen e një auditi të dytë, këtë herë administrativ, për punën e rektorit të pezulluar Vesel Rizvanolli. Sipas tyre, nuk bëhet më fjalë për shkelje financiare, por për abuzime të mëdha me dhënie diplomash false dhe pranime doktoraturash plagjiature. Sipas pedagogëve, edhe pse rektori është pezulluar, bashkëpunëtorët e tij, të evidentuar edhe nga auditi i Ministrisë së Arsimit, vijojnë punën dhe shkeljet.
Ndërkohë, ish-rektori Rizvanolli hedh poshtë akuzat e kolegëve për diplomat false, ndërsa deklaron se do të ndjekë rrugën ligjore për të kundërshtuar auditin dhe vendimin për pezullim. Ky vendim u mor ditët e para të këtij muaji nga ministrja e Arsimit, Lindita Nikolla, bazuar mbi shkeljet e rënda gjatë ushtrimit të detyrës, që gjeti auditi i brendshëm i këtij institucioni.

 Gazeta Sporti Shqiptar, Gjergji Vysha, 17.05.2014, 
Nga Gjergj Vyshka
Universiteti i Sporteve në Tiranë që nga 6 maji ka mbetur pa rektor, ndërsa Ministria e Arsimit dhe e Sportit ka pezulluar nga detyra Prof.Dr Vejsel Rizvanollin. Vendimi që është marrë një javë më parë nga kjo ministri është efekt i kontrollit audit, i cili ka monitoruar të gjithë veprimtarinë e këtij institucioni për periudhën janar 2012-nëntor 2013. Pezullimi nga detyra i rektorit Rizvanolli është bërë “Për shkak të shkeljeve të rënda të ligjit dhe akteve nënligjore në fuqi gjatë ushtrimit të detyrës”. Më konkretisht, auditi i brendshëm i Ministrisë së Arsimit ka zbuluar se 7 punonjës nuk janë emëruar sipas rregullores, pasi në procedurën e konkursit nuk është vendosur kriteri i diplomës, ndërsa tre pedagogë janë paguar për “Doktor Shkencash”, edhe pse nuk e mbanin atë gradë.
Po ashtu, rektori Rizvanolli ka shkarkuar pa procedurë dekanin Mehmet Spahiu dhe zëvendësdekanin Ferdinand Mara. Madje, sipas audititit të Ministrisë së Arsimit, edhe vetë zgjedhja e tij në prill të 2013-ës, për të dytën herë, në krye të Universitetit të Sporteve është i pavlefshëm pasi e gjithë procedura e zgjedhjeve në këtë universitet është realizuar nga komisione të paligjshme, që kishin marrë “ok-un” e vetëm 4 anëtarëve të senatit nga 9 anëtarë që ka senati. Aktualisht universiteti i Sporteve po drejtohet nga zv.rektori Juel Jarani deri në zgjedhjet e reja në këtë universitet.
- See more at: http://www.sportishqiptar.com.al/newsite/2014/05/17/ministria-e-arsimit-dhe-sportit-pezullon-rektorin-e-ust-se/#sthash.u7bNWTbU.dpuf

 
Universiteti i Sporteve në Tiranë që nga 6 maji ka mbetur pa rektor, ndërsa Ministria e Arsimit dhe e Sportit ka pezulluar nga detyra Prof.Dr Vejsel Rizvanollin. Vendimi që është marrë një javë më parë nga kjo ministri është efekt i kontrollit audit, i cili ka monitoruar të gjithë veprimtarinë e këtij institucioni për periudhën janar 2012-nëntor 2013. Pezullimi nga detyra i rektorit Rizvanolli është bërë “Për shkak të shkeljeve të rënda të ligjit dhe akteve nënligjore në fuqi gjatë ushtrimit të detyrës”. Më konkretisht, auditi i brendshëm i Ministrisë së Arsimit ka zbuluar se 7 punonjës nuk janë emëruar sipas rregullores, pasi në procedurën e konkursit nuk është vendosur kriteri i diplomës, ndërsa tre pedagogë janë paguar për “Doktor Shkencash”, edhe pse nuk e mbanin atë gradë.

Po ashtu, rektori Rizvanolli ka shkarkuar pa procedurë dekanin Mehmet Spahiu dhe zëvendësdekanin Ferdinand Mara. Madje, sipas audititit të Ministrisë së Arsimit, edhe vetë zgjedhja e tij në prill të 2013-ës, për të dytën herë, në krye të Universitetit të Sporteve është i pavlefshëm pasi e gjithë procedura e zgjedhjeve në këtë universitet është realizuar nga komisione të paligjshme, që kishin marrë “ok-un” e vetëm 4 anëtarëve të senatit nga 9 anëtarë që ka senati. Aktualisht universiteti i Sporteve po drejtohet nga zv.rektori Juel Jarani deri në zgjedhjet e reja në këtë universitet.

Reforma në arsimin e lartë (2) – personeli akademik

 
 
Reformat për autonominë deri më tani kanë qenë të pjesshme dhe të realizuara me gjysmë zemre, sidomos për sa i përket çështjeve të personelit akademik. Ligji i arsimit të lartë në 2007 ishte një risi e mirëpritur për ndryshimet që solli në rritjen e autonomisë së institucioneve, sidomos në atë financiare me vënien në dispozicion të buxhetit të pakushtëzuar (edhe përse pjesërisht, pasi rregullat për shpenzimin vendoseshin në ligjin e buxhetit). Por autonomia ishte e pjesshme për aspekte të rekrutimit të personelit (në numër), të promovimit (për titullin profesor) dhe të shpërblimit. Universitetet ende nuk e kanë lirinë të rekrutojnë dhe menaxhojnë burimet e tyre njerëzore në mënyrën që e shohin më të përshtatshme.

Sidoqoftë, kuadri ligjor aktual, por edhe ai i propozuar në plan-reformë, ende nuk përputhen me “Agjendën e Modernizimit” të BE-së (2006) dhe praktikat më të mira evropiane, siç vërehen në studimin mbi autonominë e personelit akademik të Shoqatës Universitare Evropiane (EUA, 2011). P.sh. ndër objektivat e “Agjendës së Modernizimit” Komisioni Evropian rendit (1) “Synimin për të ulur përmasat e përfshirjes së drejtpërdrejtë të qeverisë në arsimin e lartë dhe të rrisë respektivisht autonominë” dhe (2) “Profesionalizimin e udhëheqjes institucionale dhe të menaxhimit, dhe rrjedhimisht përshtatjen e strukturave institucionale qeverisëse” (Maassen, 2009).
Por në vend të vijojë me rritjen e autonomisë së institucioneve, komisioni i reformës propozon autorizimin e një agjencie shtetërore (Agjencia Kombëtare për Kërkimin Shkencor) që merr edhe kompetencat aktuale të një komisioni ministror për çështjen e promovimit të personelit akademik (fq. 29). Sipas plan-reformës (4.4.2) kjo agjenci i propozon ministrisë së arsimit (kritere?) për “promovimin e karrierës akademike dhe kërkimore, si dhe kontrollon zbatimin e këtyre kritereve me anë të mekanizmave të saj të brendshme”. Më tej kjo agjenci propozohet të ndërhyjë në veprimtarinë akademike të institucioneve (4.4.3) “AKKSH ka përgjegjësi direkte për organizimin, vlerësimin dhe listimin e punës kërkimore shkencore të IAL për çdo departament. .. ku çdo 4-vjetë, çdo akademik duhet të paraqesë në mënyrë të rregullt disa nga punimet e tij shkencore.” Më pas ndër rreshta plan-reforma shpreh se ky vlerësim mund të përdoret edhe për renditjen e institucioneve dhe për shpërndarjen e fondeve konkurruese për projekte shkencore. Por fjalët e zgjedhura në fillim të paragrafit “përgjegjësi direkte për organizimin ...” lënë hapësirë për më shumë kompetenca dhe kundërshtojnë qëndrimin e komisionit në pikën 5.3.8, ku e quajnë komisionin e ministrisë për njohjen dhe vlerësimin e titujve akademikë “rudimentar” dhe se “anashkalonte” fakultetin. Ndërkohë që plan-reforma propozon rregullimin me ligj të numrit minimal të personelit akademik për departament (5.4.8) dhe një administratë pranë departamentit të varur nga kancelari dhe emërimin e personelit akademik nga një komision akademikësh i caktuar nga personeli menaxherial (5.4.24).
Gjithashtu, komisioni kërkon të kontrollohet dy-punësimi i pedagogëve. Edhe pse kjo mund të realizohet nga vetë institucioni nëpërmjet kontratave të bazuara mbi kodin e punës, ligjit për konkurrencën e lire dhe ligjit për të drejtat e autorit. Universitetet publike janë ende të pavullnetshme të pretendojnë pronësinë intelektuale mbi dijen që prodhon një pedagoge apo të marrin masa kur ajo është në konflikt interesi nëse i shërben konkurrentit.

Përndryshe plan-reforma nuk përmend asgjë tjetër në lidhje me autonominë e institucionit për qeverisjen e çështjeve të personelit akademik.

Thursday, May 22, 2014

Letër mbështetëse pro reformës


akademia
Një listë personash të njohur publik, jo medoemos për përvojën në sistemin e arsimit të lartë, por me interes të madh në politikat e arsimit e të organizuar në një shoqatë jofitimprurëse me emërtimin e çuditshëm “Akademi” (karshillëk monopolit të Akademisë së Shkencave?) kanë shprehur aprovimin e tyre për plan-reformën. Shkrimi është botuar në Gazetën Mapo, pranë Universitetit Evropian të Tiranës, që së fundmi është angazhuar në një diskutim shterpë mbi “reformën ideale” (edhe pse reforma nuk mund të jetë ideale, se është një instrument politik dhe si vegël gjykohet në bazë të punës që synon të kryejë, objektivave që synon të arrijë, e si referencë ka veç veten, si çekiçi çekiçin).
Çështjet që trajton letra mbështetëse, si një referencë për plan-reformën janë të përgjithshme:
1. Një prezantimi i akademisë shqiptare të arteve dhe shkencave dhe angazhimit të tyre në diskutimet mbi politikat e arsimit të lartë.
2. Reforma vëzhgohet si një projekt i inxhinierisë sociale për ndryshimet kulturore dhe strukturore që do të sjelle. Edhe pse ky term “socialist” ka vite që ka dalë nga qarkullimi që kur kibernetika dhe teoria e sistemeve dështuan në praktikimin e tyre, e madje p.sh. Tea Party në SHBA e ka përdorur si term pegjorativ për të cilësuar politikat shtet-ndërhyrëse të administratës Obama. Me këtë qasje akademi konfirmon qëndrimin e saj për një rol të madh të shtetit në sistemin e lartë.
3. Mbështetjen për modelin e reformës, por në mënyrë të vagëllt. P.sh. flitet për modelin e reformës, por autorët, rezervuar rreshtat prezantimit të akademisë, nuk paraqesin një perceptim të tyrin, si e kanë kuptuar ata këtë model.
4. Autorët mendojnë se reforma duhet të prekë edhe çështjet përmbajtësore, sikur ajo të mos ketë shkuar faktikisht më larg se çfarë lejon autonomia akademike (futjen e një master ekzekutiv, përcaktimin e ngarkesës mësimore të personelit akademik, detyrimin për harmonizimin e kurrikulave me 70-80% në kurriz të zhvillimit të misioneve të veçanta të institucioneve publike e private).
Më poshtë shkrimi në një formatim më të tretshëm për syrin e lexuesit.

Tuesday, May 20, 2014

Fakulteti i Historisë, Universiteti i Tiranës mbi reformën

 
Çështjet që ngrihen:
- Cilësia e raportimit (të dhënat, analiza)
- Financimi i arsimit të lartë
- Propozime për organizimin e institucioneve, vazhdimin e sistemit me kohë të pjesshme
Kritikë: Analiza e Këshillit të Fakultetit është më e mira deri tani ndër diskutimet mbi reformën, edhe përse disi e paorganizuar.
http://www.fhf.edu.al/mendime_per_draftin.html


Këshilli i Fakultetit të Historisë dhe të Filologjisë

Mendime mbi draftin për Reformimin e Arsimit të Lartë dhe Kërkimit Shkencor

Këshilli i Fakultetit të Historisë dhe të Filologjisë në mbledhjen e tij të datës 14.05. 2014 diskutoi rreth draftit të përgatitur nga komisioni për Arsimin e Lartë dhe Kërkimin Shkencor. Duke marrë në konsideratë dhe diskutimet e bëra në çdo departament të këtij fakulteti, ky Këshill gjykon se arsimi ynë i lartë ka nevojë doemos për reforma që të ndikojnë në përmirësimin cilësor të funksionimit të tij, porse ky draft i propozuar nuk rezulton se mund ta kryejë këtë rol. Si model anglo-sakson, i lidhur me standartet, traditat dhe legjislacionet specifike të atyre vendeve që e zbatojnë atë, rezulton se ky model nuk është njehsuar as në vendet e zhvilluara europiane e jo më të realizohet në realitetet tona, me mundësitë tejet modeste që disponojmë.

Reformat e pritshme në arsimin e lartë do të kishin për synim ta fuqizonin autonominë akademike, të krijonin kushte më të mira për zbatimin e programeve të avancuara e bashkëkohore, që tashmë janë bërë pjesë e kurrikulave universitare, të krijoheshin kushte reale për mbështetjen e kërkimit shkencor, për të arritur në modelimin e universiteteve si qendra nxitëse të progresit shoqëror.

Këshilli i përmbahet mendimit se duhen vlerësuar e mbështetur të gjitha ato arritje pozitive të derisotme, si në universitetet shtetërore - ashtu dhe në ato private dhe se çdo reformë që mund të ndërmerret duhet të jetë sa më afër modelit të universiteteve të rajonit të përfshira në Sistemin e Bolonjës dhe të konceptohet e zbatohet me realizëm, në përshtatje me mundësitë e shtetit, të shoqërisë dhe të vet individit në vendin tonë. Përndryshe, ato reforma që i largohen realitetit të sotëm të shoqërisë, i largohen përvojës së grumbulluar në gjithë këto vite, do të prodhojnë (siç e vërejmë edhe në këtë draft) ligje me nene artificiale pra, të pazbatueshme. Mendimet që parashtrohen më poshtë, vijnë nga diskutimet në çdo departament të fakultetit dhe shprehin përgjegjësinë e madhe për mbarëvajtjen e Arsimit të Lartë.
Materiali përbëhet nga dy pjesë:
 
  • Mendimet e Këshillit për problematikat e draftit;
  • Propozimet për reformimin e arsimit të lartë.
  • Mendimet e Këshillit për problematikat e draftit.
1.a. Drafti i propozuar pretendon se mbështetet në disa parime të njohura të organizimit të sistemit të lartë arsimor, por në thelb rezulton se i cënon parimet  mbi të cilat mbështetet ai sistem si: autonomia, demokracia  dhe e mira publike.
1b. Këshilli konstaton se drafti reflekton varfëri informacioni për sa i përket gjendjes në arsimin e lartë. Në shumë pjesë të tij informacionet dhe faktet ngatërrohen me opinione dhe perceptime dhe nuk ka referenca të qarta se në cilin model arsimor janë mbështetur vlerësimet e dhëna.
1.c. Këshilli vlerëson se në 59 IAL-të (publike e private) drafti orientohet vetëm në problematikën e universiteteve publike, duke lënë pa e trajtuar problematikën e universiteteve private në çështje tepër të rëndësishme si: burimet e financimit, organizimi dhe funksionimi, gjendja e tyre financiare sot, raportet e këtyre universiteteve me bizneset e tjera, si dhe çfarë mendohet për të ardhmen e universiteteve që nuk do të jenë fondacione. Nga ana tjetër, meqenëse synimi përfundimtar i kësaj reforme do të jetë shndërrimi i universiteteve publike dhe private  në fondacione, nuk bëhet asnjë analizë se si po funksionon ky model në të tria universitetet që janë tashmë fondacione. Theksojmë këtu se universitetet publike sot, as ligjërisht e as faktikisht nuk janë shtetërore për nga misioni dhe për nga pjesëmarrja publike në financimin e tyre. Sot Universiteti i Tiranës mbështetet nga fondi i kushtëzuar rreth 55% e buxhetit aktual të UT-së dhe Fakulteti i Historisë dhe i Filologjisë rreth 63% të buxhetit të tij e ka nga të ardhurat.  Pra, konstatimi në draft se buxheti i shtetit financon 39 milionë euro për universitetet dhe vetë ato krijojnë të ardhura 20 milionë euro nuk qëndron si raport për UT-në dhe ende më pak nuk qëndron për Fakultetin tonë. Madje ky raport është gati i përmbysur, pra, studentët me tarifat e shkollimit mbajnë peshën kryesore në buxhetin universitar, një rast ky aspak i ngjashëm me universitetet homologe publike në rajon.

1.d. Nëqoftëse reforma do të realizohet siç propozohet në draft, atëhere kostoja e saj nuk përballohet nga të gjithë aktorët që përfshihen në këtë të mirë publike dhe pëgjegjësi publike, ku barra e kostos bie kryesisht mbi studentët dhe shteti i shmanget përgjegjësisë që ka për universitetet. Më konkretisht, në draft parashtrohet se kontributet nga shteti në fondin e kushtëzuar për arsimin lëvizin nga 2.2% në 2.8% e PPB, se kostoja e studentit është 460 euro (nga fondi i pakushtëzuar + fondi i kushtëzuar), se investimi për Arsimin e Lartë lëviz nga 0.4% - 0.6% të PPB-së, se vendet rrotull nesh investojnë për arsimin në tërësi mbi 3.5% të PPB-së dhe për universitetet 1%-3% të PPB-së. Por drafti nuk shprehet nëse Qeveria, siç është premtuar në programin elektoral, do të rritë përqindjen e PPB-së për arsimin, për të arritur standardet, qoftë edhe të vendeve të rajonit. Vetë drafti shprehet se në vende si Bullgaria dhe Rumania, kostoja e një studenti në vit shkon nga 1500 deri 2000 euro. Nëse Qeveria nuk rrit financimin për arsimin i bie që kostoja të mbulohet kryesisht nga studentët.
Më konkretisht:
  • Projektet e të gjitha natyrave, si burim i ardhshëm (i mundshëm) financimi për rritje fondesh, nuk ngrenë sot për sot peshë dhe nuk ka gjasa se në një periudhë afatshkurtër do të ngrenë peshë për shkak të krizës rajonale në përgjithësi dhe të asaj shqiptare në veçanti.
  • Donancionet , që ekziston edhe në ligjin aktual si mundësi financimi, nuk rezultojnë të jenë me dobi për universitetet, për shkak të nivelit të zhvillimit problematik të sipërmarrjes aktuale.
  • Në draft thuhet qartë se kjo kosto duhet të merret përsipër nga studentët dhe se shteti do t’i ndihmojë ata duke hyrë garant për kredi tek bankat, një përvojë kjo e njohur në vende të zhvilluara. Në gjendjen e papunësisë sot, për shkak të zhvillimit problemor të ekonomisë shqiptare, siç po ndodh për kreditimet në pushtetin vendor, bankat do të jenë të rezervuara për këto kreditime, pasi nuk do të kishte garanci për shlyerjen e tyre dhe kreditë e studentëve do t`i shtoheshin vëllimit të kredive të këqija bankare.
  • Këshilli i Fakultetit i konsideron familjet shqiptare partnere në zhvillimin e universitetit dhe nuk e gjykon të mundshme që ata të përballojnë kosto jashtë mundësive të tyre ekonomike, të cilat do të shkojnë menjëherë 1000-1500 euro. Për më tepër, në draft thuhet se për studimet në sistemin Master studentët pa dallim dhe pavarësisht nga të ardhurat familjare, duhet ta përballojnë vetë gjithë koston. Pra, praktikisht ky sistem kthehet në një shkollë vetëm për të pasurit, gjë që bie ndesh me vetë arsyen përse janë universitetet: për të vlerësuar trurin e jo “xhepin”. Nga ana tjetër, mbyllja e sistemit me kohë të pjesshme, i cili përbën 21 % të numrit të përgjithshëm të studentëve (në fakultetin tonë përbën 50%) të arsimit të lartë dhe nga pikëpamja kontribuese tarifore shumë më tepër se kaq; akoma më tej - kufizimi i pranimeve doktorale, si dhe vënia e mesatares 6 në pranim do të kishte si efekt uljen në mënyrë të ndjeshme të të ardhurave të universitetit, duke i vënë në diskutim edhe shifrat e përmendura në draft për të ardhurat.
  •  
  •  
Më konkretisht:
Për Fakultetin e Historisë dhe të Filologjisë shteti investon 120 milionë lekë, prej të cilave 96 milionë për pagat, 9.3 milionë për bursat dhe pjesën tjetër për sigurime shoqërore e shëndetësore. Në Fakultetin tonë, të ardhurat nga fondi i kushtëzuar realizohen si vijon: sistemi me kohë të pjesshme siguron 61 milionë lekë, sistemi master 67 milionë, sistemi bachelor 39 milionë, sistemi doktoral 30 milionë. Pra, nëqoftëse do të zbatohet drafti, siç paraqitet, i bie që të lëvizin menjëherë shifrat nga sistemi me kohë të pjesshme, sistemi doktoral dhe pjesërisht bachelor, për shkak të mesatares, që do të thotë se fakulteti ynë do të humbasë mbi 50% të të ardhurave që ai ka aktualisht.
1.e. Në draft theksohet me të drejtë se ka pedagogë që janë punësuar në shumë institucione njëkohësisht dhe se ndalohet dypunësimi i tyre, gjë që ka qenë edhe shqetësimi ynë. Por kjo gjë bie ndesh në radhë të parë me Kodin e Punës. Ne e mirëkuptojmë se duhen kufizuar rastet ekstreme të angazhimit të pedagogëve në institucione të tjera, por s’mund të pengojmë mobilitetin, i cili është element i rëndësishëm i Sistemit të Bolonjës. Për më tepër, në kushtet kur paga më e lartë, ajo e profesorit është vetëm 640 euro, një rast ky i paprecedent për gjithë rajonin, kuptuar edhe Kosovën e Maqedoninë, ku paga e pedagogëve është më shumë se dyfishi i pagës që kemi ne, atëhere, duke kufizuar këto të ardhura që vijnë nga sistemi part-time, nga dypunësimi, nga pakësimi i sistemit full-time, në kushtet e zhvillimit të vetë shoqërisë shqiptare dhe të pamundësisë për projekte, kjo skemë e varfëron pedagogun maksimalisht pedagogun dhe e bën të paqëndrueshëm në institucionet tona përballë një oferte nga universitetet private sepse, për arsye të përmendura më lartë, universitetet tona do ta kenë të pamundur rritjen e pagave në këto kushte. Pra, mund të lindë fenomeni i braktisjes masive të IAL-ve publike, gjë që do të kishte pasoja të rënda për funksionimin normal të tyre.
1.f. Drafti ka prirje t’i shmanget Sistemit të Bolonjës, për të cilin është investuar gjithë këto vite dhe që sot funksionon si një sistem i gjithëpranuar, megjithë kritikat që i bëhen dhe ndonjë zbatimi të ngurtë të parimeve të tij edhe prej institucioneve tona. Rasti më tipik është ai i krijimit të masterit ekzekutiv të propozuar pas masterit normal, duke e shkëputur kërkimin nga formimi teorik si pjesë e doktoratës.
1.g. Universitetet publike dhe ato private  theksohet se do të trajtohen në periudhën e dytë të reformës si fondacione. Duket qartë se autorët e draftit e kanë pasur shumë vështirë të gjejnë një pikë konverguese kushtetuese dhe se koncepti i përfolur i OJQ-ve zëvendësohet me termin fondacion, ndërkohë që për universitetet private kjo lihet në dëshirë të tyre. Termi fondacion i rri keq traditës së universiteteve evropiane, të Evropës Juglindore, si dhe kontekstit të traditës universitare shqiptare. Në thelb kjo skemë ngjan, vetëm se nuk thuhet, me skemën e Reformës së Kilit dhe duket sikur shqetësimi më i madh i grupit të draftit është si të zgjidhë ndonjë kërkesë lobuese të ndonjë prej IAL-ve private, sepse në fazën e parë parashtrohet se universitetet private që do të duan të bëhen fondacione përfitojnë të ardhura financiare nga kërkimi dhe nga studentët ekselentë, të cilët transferojnë voucher-in e tyre drejt universitetit që preferojnë dhe, në fazën e dytë, këto universitete methemelues privatin, sikundër universitetet publike me themelues shtetin,transferojnë voucher-in e tyre (koston nga fondi i shtetit) pa dallim, në mënyrë të plotë: si kërkimin, inovacionin edhe mësimdhënien. Drafti nuk sqaron cili do të jetë roli i themeluesit të universitetit privat kundrejt fondacionit. Në qoftë se këto universitete janë me borxhe apo kanë devijuar kapitalet në burime të tjera, atëherë mbetet e paqartë në draft se si do të zgjidhet kjo situatë, kur ato të kalojnë në fondacione?
1.m. Drafti cënon rendë autonominë e universiteteve publike nëpërmjet pushtetit absolut që i jep bordit admnistrativ dhe menaxherëve të varur prej tij, duke i konsideruar “si pronarë de facto” të universiteteve. Ai propozon për të ngritur struktura menaxheriale të universitetit, të cilat Këshilli I vlerësohen të tejfryra dhe me kosto të madhe për universitetin, siç është rasti i menaxherëve dhe, për më tepër që nuk i përgjigjen realitetit tonë, pasi sot nuk ka fonde për t’u menaxhuar prej tyre, sepse fondi i pakushtëzuar nga shteti nuk mjafton as sa për 10 muaj rrogë. Sot universiteti menaxhohet nga dy organe kolegjiale të qarta për nga funksionet që kanë dhe natyrisht, duke marrë si anë të mirë përpjekjen për autonomi nga ana e draftbërësve, mund të saktësohen edhe më mirë funksionet që kryejnë këto organe kolegjiale, por tingëllon aspak etike të kërkohet nga ana e draftbërësve që bordet të jenë të mirëpaguar, kur nuk thuhet asgjë për mirëpagesën e profesorëve. Duket qartë se për draftbërësit koncepti menaxherial prevalon mbi konceptin akademik, kur dihet se është ky I fundit që duhet të udhëheqë universitetet.  Kjo vihet re edhe prej faktit se drafti nuk shpreh asgjë për autoritetet akademike si rektori, dekani, përgjegjësi i departamentit. Lihet në terr edhe roli i këshillit të fakultetit, i senatit dhe i këshillit të profesorëve. Cili do të jetë statusi i tyre? Si do të funksionojë ky dualizëm akademiko-menaxherial, kur dihet qartazi se universitetet nuk kanë lindur për shkak të menaxhimit, por për shkak të vizionit të tyre akademik. Ato janë institucione që ofrojnë dije për këdo dhe në çdo kohë. Nga ana tjetër, ka një mbingarkesë në agjenci menaxhimi e menaxherë, duke e çuar rolin e tyre deri atje sa edhe për marrjen në punë të një profesori, zgjedhjen e komisionit duhet ta bëjë menaxheri. Kështu konceptohet sikur profesorët janë disa punonjës të rëndomtë, që mjafton të përmbushen disa kritere formale dhe ata mund të merren në punë.

Mbi Seriozitetin e Reformës

 

Autori: merret me çështjen e konsistencës dhe vullnetit të qeverisë për të zbatuar planin e reformës, edhe ne këtë formë të paraqitur. Ai kritikon mungesën e konsistencës dhe seriozitetit të qeverisë që u dëshmua në ndryshimin e ligjit të arsimit të lartë.

Kritikë: Autori ngre dyshime se mos ky plan, meqë nuk ka qëllim të miratohet as në frymën e saj, ndodhet në disharmoni me veten  pikërisht prej faktit se është një gjellë e hedhur për të ushqyer publikun dhe llafazanët.  Gjithashtu Autori e zhvendos vëmendjen tek zbatueshmëria e planit në kontekstin shqiptar, por ai nuk zgjatet shumë në këtë çështje. Qasja e tij është teorike dhe në dukje e paanshme. Por ngaherë politikat në Shqipëri janë zbatuar rrëmujë dhe ndoshta jo gjithmonë duhet pritur që idetë të jenë të qarta. Kurse nga studiuesit e çinteresuar nuk ka ardhur ndonjëherë ndryshimi, këta janë vetëm seherxhinj. 

Mbi seriozitetin e planit të reformës në arsimin e lartë
 
Qeveria ka nxjerrë së fundmi për diskutim publik raportin e parë për Reformën në Arsimin e Lartë dhe Kërkimin Shkencor në Shqipëri. Raporti është hartuar nga një komision i kryesuar nga Dr. Arjan Gjonça dhe i përbërë nga akademikë të njohur (nga universitetet publike dhe private), si dhe nga administratorë të Universitetit të Tiranës dhe nga Agjencia Publike e Akreditimit të Arsimit të Lartë. Diskutimet në media tashmë kanë filluar dhe më së shumti janë kritika ndaj sugjerimeve në raport, sesa alternativa. Por besoj se alternativat i janë dërguar direkt z. Gjonça në hapësirën virtuale të ofruar për këtë çështje.

Pikësëpari, përpara se ti shkohet përmbajtjes më në hollësi, çfarë do të vazhdojë në shkrime të tjera, plani i reformës duhet vlerësuar (1) në zbatueshmërinë e objektivave të saj në kontekstin tonë ekonomiko-social e juridik, (2) në dallimin nga politikat e tjera të mëparshme dhe (3) në seriozitetin që dëshmon qeveria për ta zbatuar atë.


III. Me ndryshimin e ligjit të arsimit të lartë në 14 maj, 2014, për të eliminuar autonominë e pjesshme në qeverisjen e Universitetit Mjekësor, qeveria dëshmoi mungesë serioziteti në synimin e saj për të reformuar sistemin e arsimit të lartë. Ndryshimet në ligj, përveç të nxituara dhe një arnim i ngutshëm në prag të zbatimit të reformës, ishin aspak në përputhje me sugjerimet e shpallura në planin e reformës (dhe të politikave të ndjekura në Hapësirën Evropiane të Arsimit të Lartë mbi çështjet e autonomisë institucionale). Argumentimi për këto ndryshime ishte karakteri i dyfishtë i Universitetit Mjekësor si institucion arsimor (universitet) dhe shërbimi (spitalor, me të tjera përgjegjësi publike). Këto argumente ishin përcjellë edhe në plan-reformë për të arsyetuar statusin e veçantë që sugjerohej për Universitetin Mjekësor në kapitullin 9 (fq. 49-51). Por i vetmi sugjerim që parashtrohej në plan-reformë mbi sistemin e organizimit institucional në Universitetin Mjekësor, ishte përzgjedhja e shefave të shërbimit (mbi bazën e konkurrimit të përgjithshëm) dhe nuk flitej për bord të varur nga ekzekutivi apo status që duhej miratuar nga qeveria. Madje plan-reforma (5.4.14) mbi përbërjen e bordit shprehet se “pavarësisht tipit të universitetit, ky Bord [administrativ] gjithmonë duhet të ketë në shumicë përfaqësuese personelin e votuar akademik.” Ndërsa me ndryshimet në ligj tani ka gjashtë anëtarë, tre nga qeveria (ministrat e shëndetësisë, financës dhe arsimit), një nga universiteti dhe tre nga shoqata përfaqësuese. Edhe pse plani i reformës kundërshton veten në dy momente në lidhje me përbërjen e bordit, njëherë sugjeron që përfaqësimi të jetë sipas kontributit për financimin e institucionit (5.4.11), dhe njëherë të ketë shumicë të personelit akademik (pika 5.4.15). Plan-reforma gjithashtu synon punësimin e anëtarëve të bordit dhe shpërblimin e tyre nga fondet e institucionit (5.4.11), por më duket problematike që përbërja e përcaktuar në ligj mbi bordin e Universitetit Mjekësor të lejojë “punësimin e përfaqësuesve” të ministrive apo përfaqësuesit e shoqatave të bashkive dhe të Kryqit të Kuq. Përveç që praktika e “punësimit” të anëtarëve të bordit është tepër e pazakontë, p.sh. në Mbretërinë e Bashkuar anëtarët nuk shpërblehen, sepse zgjidhen në saj të pozicioneve të tyre aktuale (ndodh në Austri dhe Holande, por jo si pagë punësimi, de Boer et al. 2010). Përbërja e bordit të Universitetit Mjekësor është në kundërshtim me sugjerimet e paraqitura në plan-reformë, i cili jep përparësi ekspertizës (5.4.11, “formim dhe përvoja”) dhe jo përfaqësimit. Së fundmi, ndryshimi i fundit i ligjit kundërshton synimin e shprehur në plan-reformë mbi kompetencat e bordit administrativ në çështjet e rekrutimit të personelit drejtues (kjo kompetencë në rastin e Universitetit Mjekësor i njihet tashmë qeverisë). Në përfundim, qeveria nuk po tregohet konsistente me realizimin e synimeve të saj të shpallura nga grupi i reformës. Ose, i lënë për diskutim, plan-reforma nuk e ka ende mbështetjen e duhur politike për tu marrë seriozisht nga grupet e interesit. Një prej kushteve që komisioni i hartimit të plan-reformës i kishte vendosur qeverisë në lidhje me angazhimin e tyre ishte “se sugjerimet [...] duhet të merren si një e tërë dhe se interpretimi e vënia në jetë i tyre mund të funksionojnë vetëm si një e tërë.” (fq. 7). Mungesa e konsistencës, siç u analizua më sipër, tregon se plan-reforma dhe grupi i punës mund të përdoren për të përligjur nisma të arnimit të kuadrit ligjor pa pasur dëshirën dhe kapacitetet për të zbatuar një reformë tërësore.

II. Së dyti, analiza paraprake duhet të prekë çështjen e dallimit nga politikat e mëparshme. Risi në këtë rast përbën qasja e përgjithshme e reformës. Jo ajo e shprehura si synim për të vlerësuar “rezultatet”. Në dallim nga qeveria e mëparshme, plan-reforma përgatit terrenin për një ndërhyrje totale, deri në imtësi, në çështjet akademike dhe sistemin e organizimit dhe menaxhimit të institucioneve. Ky ka qenë synimi i grupit të reformës, një reformim total i sistemit. Tradita jonë legjislative dhe politike e lejon një ndërhyrje të tillë. Por nëse qeveria merret me mesataren e studentëve, mandatin e përgjegjësit dhe numrin e personelit të përhershëm në departamente apo titujt e anëtarëve të senatit akademik, kush do të merret me politikat e arsimit të lartë? Kjo reformë është e qeverisë dhe jo e komunitetit akademik. Si e tillë duhet kufizuar në atë çfarë mund të realizojë qeveria, detyrat dhe roli i saj, e jo në funksionimin e institucioneve të arsimit të lartë. Kjo është prekur dhe nga Këshilli i Fakultetit të Historisë dhe Filologjikut dhe B. Kajsiu, ku i kërkohet qeverisë të rrisë financimin. Arsimi i lartë nuk do një ligj ku të detajohen hollësisht sërish kriteret për përzgjedhjen e njërit apo tjetrit drejtues, për t’ia përshtatur kandidaturave të vendosura në kokat e deputeteve, por një ligj kuadër që u jep frymë institucioneve të vetë-qeverisen. E arsimi të mos udhëhiqet nga “input-i” (p.sh. sa pedagogë janë për departament), por nga “rezultantja” (p.sh. sa studentë janë diplomuar).
Komisioni ka ngelur në një mendësi të vjetër. Qeveria dëshiron të kontrollojë qoftë pushtetin për të vendosur mbi synimet, politikat dhe misionin e institucioneve (Braun, 1999, e quan “pavarësia thelbësore”), por edhe autonominë proceduriale - menaxhimin e institucionit dhe shpërndarjen e burimeve brenda tij. Nëse plan-reforma synon të zbatojë mekanizma të tregut apo të “New Public Management” (NPM) në sistemin e arsimit të lartë në Shqipëri, ky plan reforme më duket larg kësaj qasje. Ndër të tjera, NPM-ja niset nga supozime kryesisht skeptike në lidhje me rolin e shtetit, synon menaxhimin nëpërmjet objektivave, i lë fuqi vendimmarrjeje organeve akademike, fuqizon instancat zbatuese, orientohet për nga konsumatori/studenti etj.

Blendi Kajsiu mbi reformën

Blendi Kajsiu, Panorama, 19. Maj, 2019

PhD. Blendi Kajsiu, ish-pedagog i UT dhe UET, diskuton këto çështje mbi reformën:

1. Aspektin ideologjik të reformës: neoliberale
2. Zbehjen e rolit të shtetit në zhvillimin e arsimit të lartë, sidomos financimi

Kritikë: Kajsiu është nga të paktët komentues që i referohet e citon direkt plan-reformën. Ai prek çështjen e rolit të shtetit në zhvillimin e arsimit të lartë por nga pikëpamje ideologjike, duke kritikuar përdorimin e mekanizmave të tregut. Në fakt reforma mund të cilësohet një projekt me gjysëm-zemre neoliberal, p.sh.plani nuk i njeh aspak autonomi institucioneve (u përcakton programet me 80% harmonizim të detyruar, procedurat e rekrutimit, menaxhimin e institucioneve, ndërhyn në zgjedhjen e studentëve me mesataren, misionin e universiteteve publike etj.) por ndërkohë, siç vëren Kajsiu, shteti largon përgjegjësinë e vetë për financimin, edhe pse në krye plani shprehet se “arsimi është e mirë publike”, si edhe rrek të forcojë klasën e re menaxheriale në institucione (zgjedhjen e rektorëve nga bordi, forcimin e strukturave menaxhariale dhe administrative etj.). Shkurt, është e vështirë të përdorësh etiketime për këtë reformë, në rastin më të mirë është një projekt neoliberal alla-shqiptar që përligj orekse për kontrollin politik të institucioneve por me paratë e studentëve. A e duan studentët këtë?
____________________________________________________________________________________
Bledi Kajsiu, Rreziku i reformës së lartë
Diskutimi që po zhvillohet mbi raportin e reformës së arsimit të lartë, është një risi pozitive për skenën tonë publike. Qeveritë e mëparshme kanë ndërmarrë një sërë reformash, që pak ose aspak i janë nënshtruar diskutimit publik. Në këtë aspekt, transparenca e deritanishme e procesit është për t’u përshëndetur.
Problemi është se kemi të bëjmë me një reformë neoliberale, që ofron zgjidhje që nuk u përgjigjen problemeve themelore të arsimit të lartë shqiptar. Nga njëra anë, raporti me të drejtë vëren se problemi themelor i arsimit publik shqiptar është mungesa e financimit dhe vëmendjes nga shteti. Nga ana tjetër, zgjidhja që ofrohet është tregu. Në këtë aspekt, reforma që propozohet, rrezikon që të justifikojë mungesën e vëmendjes dhe financimit të institucioneve publike të arsimit të lartë nga ana e shtetit edhe në të ardhmen.

Në fakt, i gjithë raporti i reformës ngrihet mbi premisën se shteti shqiptar nuk ka mundësi “për të financuar dhe mbështetur arsimin e lartë në nivelet që kërkojnë standardet dhe cilësia bashkëkohore” (faqe 30). Jo vetëm kaq, por raporti që në fillim deklaron se shteti shqiptar nuk mund të ofrojë standardet më minimale (1500-2000 për student) as në 10 vitet e ardhshme (faqe 14).

Se ku bazohet gjithë ky pesimizëm nuk është e qartë. Autorët e raportit mjaftohen duke na thënë se “tashmë trendet dhe mundësitë reale të buxheteve tona janë të perceptueshme dhe të kushtëzuara nga shumë faktorë të tjerë strukturorë [?]” (faqe 14). Kaq mjafton për të parashikuar në mënyrë “objektive” zhvillimin e zymtë të buxheteve shqiptare për arsimin edhe për 10 vitet e ardhshme.

Nisur nga këto premisa, raporti arrin në konkluzionin se e ardhmja e arsimit të lartë shqiptar nuk duhet parë te shteti, por te tregu. Sipas raportit, megjithëse shteti duhet të jetë garantuesi kryesor i arsimit të lartë duke përcaktuar drejtimet e zhvillimit, “kjo nuk do të thotë që shteti të jetë domosdoshmërisht: a) financuesi kryesor i tij; b)prodhues i arsimit të lartë në Shqipëri” (faqe 63). I bie që financuesi dhe prodhuesi kryesor duhet të jetë tregu. E thënë shkurt: mos prisni shumë nga shteti, as sot, as në dhjetë vitet e ardhshme!

Që qeveria socialiste pasi erdhi në pushtet me premtime të majta të prodhojë një reformë kaq të djathtë neoliberale, nuk na çudit. Problemi është se zgjidhja që ofrohet, nuk i përgjigjet problemit që identifikohet nga vetë raporti. Pra problemi nuk është thjesht tek ideologjia, por te logjika.

Raporti vë në dukje se shteti në Shqipëri nga njëra anë e ka masivizuar arsimin e lartë dhe, nga ana tjetër, shpenzon disa herë më pak për student (460 euro) sesa vendet më të varfra të BE-së dhe fqinjët tanë, Rumania dhe Bullgaria (2700-2900 euro për student). Edhe si përqindje Shqipëria shpenzon për arsimin e lartë një pjesë më të vogël të prodhimit të përgjithshëm bruto, PPB (0.4-0.6%), krahasuar me vendet e OECD-së (1-3 %). Në këto kushte, prioritet duhet të ishte rritja e financimit të arsimit të lartë nga ana e shtetit, si në vlerë absolute, ashtu edhe si përqindja e PPB-së.

Raporti e eliminon këtë mundësi, duke deklaruar se shteti nuk ka mundësi ta rrisë financimin në këtë sektor në terma afatshkurtër; “është e pamundur që…të shohim një rritje më shumë se 50% të investimeve shtetërore. Kjo rritje është jo sinjifikative për nevojat e arsimit të lartë në vend” (faqe 30). Pas kësaj deklarate, raporti nuk jep asnjë të dhënë se sa duhet të rritet investimi i shtetit, si përqindje e PPB-së apo në vlerë absolute, për çdo vit në katër, pesë, apo dhjetë vitet e ardhshme, në mënyrë që të përmirësohet cilësia e arsimit të lartë. Me sa duket, as në terma afatgjatë nuk mund të shpresojmë për ndonjë rritje serioze të financimit shtetëror.

Në këtë aspekt, raporti duket se i qan hallin e qeverisë më shumë sesa arsimit të lartë. Ama si një produkt shkencor i një grupi të pavarur akademikësh raporti duhet të përcaktojë para së gjithash sa duhet të rritet financimi i shtetit në arsimin e lartë publik në vitet në vijim, në mënyrë që të arrihen disa standarde, që janë më të larta se këto që kemi sot dhe të krahasueshme me fqinjët tanë të varfër. Sepse është tallje të pretendosh standarde europiane apo anglosaksone për një vend që sot shpenzon për arsimin e lartë pesë herë më pak se vendi më i varfër i BE-së. Pastaj, nëse qeveria aktuale mund t’i arrijë këto standarde apo jo, kjo është çështje tjetër.

Duhet thënë se përballë mungesës së investimeve shtetërore raporti ofron disa zgjidhje të arsyeshme, siç është vendosja e mesatares 6 për futjen në universitet (faqe 42). Kjo do t’i vinte fre masivizimit pa kriter, duke rritur kështu investimin për kokë në arsimin e lartë publik. Problemi është se disa nga zgjidhjet e tjera “themelore”, që ofron raporti, janë kontradiktore ose pak bindëse.

Kështu, përballë mungesës së rritjes serioze të financimit shtetëror, transformimi i universiteteve publike dhe private në fondacione që mund të marrin fonde nga shteti, është kontradiktor (faqe 34-35). Në kushtet kur shteti nuk arrin të financojë institucionet aktuale të arsimit të lartë, futja në financimin e shtetit të aktorëve të tjerë nuk ka sens.

Po kështu, ideja se mungesa e financimit shtetëror do të kompensohet me burime alternative që do vijnë nga sektori privat, nuk të bind për dy arsye. Së pari, bizneset e mëdha shqiptare janë aq të dobët financiarisht, saqë më shumë synojnë të përfitojnë nga shteti sesa të kontribuojnë në financimin e publikes. Së dyti, kufizimet e financimit privat reflektohen në gjendjen e vështirë financiare të sektorit privat të arsimit të lartë sot.

Në fakt, vetë raporti nuk bën asnjë projeksion (apo parashikim) se sa dhe si do të rritet financimi i arsimit të lartë nga burimet private në vitet e ardhshme, sidomos duke pasur parasysh situatën tonë ekonomike. Nëse, sipas raportit, kriza ekonomike nuk e lejon shtetin të financojë sa duhet arsimin e lartë në 10 vitet e ardhshme, përse e njëjta krizë ekonomike do prodhojë një sektor privat që financon mjaftueshëm arsimin e lartë shqiptar? Në fund të fundit, shteti dhe biznesi përballen sot dhe nesër me të njëjtën krizë ekonomike.
Në këto kushte, ideja se në Shqipëri do arrihen standarde europiane apo modele anglosaksone teksa shteti tërhiqet nga financimi i arsimit të lartë, është thjesht një shaka pa kripë. Njësoj si shakaja e integrimit në BE, ku shteti sa më pak shpenzon për sektorin publik në praktikë, aq më shumë rrit standardet “europiane” në letër. Nën petkun e standardeve europiane apo anglosaksone justifikohet tërheqja e shtetit nga financimi i arsimit të lartë dhe braktisja e përgjegjësive politike të qeverisë për këtë sektor. Ky është rreziku që paraqet reforma aktuale.

Sunday, May 18, 2014

Ndryshimi i ligjit të arsimit të lartë – Universiteti Mjekësor


Në datë 15 Maj, 2014, në Kuvendine Shqipërisë u miratuan ndryshimet e ligjit të arsimit të lartë (2007), të cilat prekin kryesisht qeverisjen dhe administrimin e Universitetit Mjekësor. Për këtë amendim ka pasur diskutime nga Bajram Hysa i Universitetit Mjekësor, pasi ai pretendonte se këto ishin në kundërshtim me politikat e qeverisë dhe ligjin e arsimit të lartë për garancinë e autonomisë se institucioneve arsimore (edhe pse shkrimi ishte i paqartë në arsyetim por i fortë në retorikë).
Amendimet u miratuan thuajse pa ndryshime të tjera në Kuvend dhe në komisionet parlamentare. Ndryshimet e ligjit nuk u miratuan nga deputetët e Partisë Demokratike, të cilët nuk ishin në sallë.
Dokumente (të gjitha në një):
  1. Projektligj
  2. Relacion
  3. Raporti i Komisionit për Çështjet Ligjore, Administratën Publike dhe të Drejtat e Njeriut
  4. Raport i përbashkët i Komisionit për Edukimin dhe Mjetet e Informimit Publik dhe  Komisionit për Punën, Çështjet Sociale dhe Shëndetësinë
  5. Si kanë votuar deputetët
Pjesë nga raporti

Synimi i ndryshimeve

Përfaqësuesit e qeverisë u shprehën se: Projektligji, synon të përmirësojë raportet midis institucionit të arsimit të lartë dhe QSUT-së, si pjesë përbërëse e tij duke krijuar kushtet për një mirëfunksionim të shërbimeve spitalore që ofrohen nga QSUT-ja.
Qendra Spitalore Universitare është njësi e sistemit arsimor dhe shëndetësor. Aty realizohen funksione diagnostike dhe trajtuese themelore me nivel të lartë shkencor si pjesë e sistemit shëndetësor dhe funksione mësimore dhe kërkimore si pjesë e institucioneve  të arsimit të lartë, bazuar në ligjin nr. 2742 datë 21.05. 2007 “Për arsimin e lartë në Republikën e Shqipërisë” të ndryshuar”. Sipas tyre qëllimi i këtij projektligji është përmirësimi sa më i shpejtë i shërbimit, por edhe i situatës së mësimdhënies.