Tuesday, May 20, 2014

Blendi Kajsiu mbi reformën

Blendi Kajsiu, Panorama, 19. Maj, 2019

PhD. Blendi Kajsiu, ish-pedagog i UT dhe UET, diskuton këto çështje mbi reformën:

1. Aspektin ideologjik të reformës: neoliberale
2. Zbehjen e rolit të shtetit në zhvillimin e arsimit të lartë, sidomos financimi

Kritikë: Kajsiu është nga të paktët komentues që i referohet e citon direkt plan-reformën. Ai prek çështjen e rolit të shtetit në zhvillimin e arsimit të lartë por nga pikëpamje ideologjike, duke kritikuar përdorimin e mekanizmave të tregut. Në fakt reforma mund të cilësohet një projekt me gjysëm-zemre neoliberal, p.sh.plani nuk i njeh aspak autonomi institucioneve (u përcakton programet me 80% harmonizim të detyruar, procedurat e rekrutimit, menaxhimin e institucioneve, ndërhyn në zgjedhjen e studentëve me mesataren, misionin e universiteteve publike etj.) por ndërkohë, siç vëren Kajsiu, shteti largon përgjegjësinë e vetë për financimin, edhe pse në krye plani shprehet se “arsimi është e mirë publike”, si edhe rrek të forcojë klasën e re menaxheriale në institucione (zgjedhjen e rektorëve nga bordi, forcimin e strukturave menaxhariale dhe administrative etj.). Shkurt, është e vështirë të përdorësh etiketime për këtë reformë, në rastin më të mirë është një projekt neoliberal alla-shqiptar që përligj orekse për kontrollin politik të institucioneve por me paratë e studentëve. A e duan studentët këtë?
____________________________________________________________________________________
Bledi Kajsiu, Rreziku i reformës së lartë
Diskutimi që po zhvillohet mbi raportin e reformës së arsimit të lartë, është një risi pozitive për skenën tonë publike. Qeveritë e mëparshme kanë ndërmarrë një sërë reformash, që pak ose aspak i janë nënshtruar diskutimit publik. Në këtë aspekt, transparenca e deritanishme e procesit është për t’u përshëndetur.
Problemi është se kemi të bëjmë me një reformë neoliberale, që ofron zgjidhje që nuk u përgjigjen problemeve themelore të arsimit të lartë shqiptar. Nga njëra anë, raporti me të drejtë vëren se problemi themelor i arsimit publik shqiptar është mungesa e financimit dhe vëmendjes nga shteti. Nga ana tjetër, zgjidhja që ofrohet është tregu. Në këtë aspekt, reforma që propozohet, rrezikon që të justifikojë mungesën e vëmendjes dhe financimit të institucioneve publike të arsimit të lartë nga ana e shtetit edhe në të ardhmen.

Në fakt, i gjithë raporti i reformës ngrihet mbi premisën se shteti shqiptar nuk ka mundësi “për të financuar dhe mbështetur arsimin e lartë në nivelet që kërkojnë standardet dhe cilësia bashkëkohore” (faqe 30). Jo vetëm kaq, por raporti që në fillim deklaron se shteti shqiptar nuk mund të ofrojë standardet më minimale (1500-2000 për student) as në 10 vitet e ardhshme (faqe 14).

Se ku bazohet gjithë ky pesimizëm nuk është e qartë. Autorët e raportit mjaftohen duke na thënë se “tashmë trendet dhe mundësitë reale të buxheteve tona janë të perceptueshme dhe të kushtëzuara nga shumë faktorë të tjerë strukturorë [?]” (faqe 14). Kaq mjafton për të parashikuar në mënyrë “objektive” zhvillimin e zymtë të buxheteve shqiptare për arsimin edhe për 10 vitet e ardhshme.

Nisur nga këto premisa, raporti arrin në konkluzionin se e ardhmja e arsimit të lartë shqiptar nuk duhet parë te shteti, por te tregu. Sipas raportit, megjithëse shteti duhet të jetë garantuesi kryesor i arsimit të lartë duke përcaktuar drejtimet e zhvillimit, “kjo nuk do të thotë që shteti të jetë domosdoshmërisht: a) financuesi kryesor i tij; b)prodhues i arsimit të lartë në Shqipëri” (faqe 63). I bie që financuesi dhe prodhuesi kryesor duhet të jetë tregu. E thënë shkurt: mos prisni shumë nga shteti, as sot, as në dhjetë vitet e ardhshme!

Që qeveria socialiste pasi erdhi në pushtet me premtime të majta të prodhojë një reformë kaq të djathtë neoliberale, nuk na çudit. Problemi është se zgjidhja që ofrohet, nuk i përgjigjet problemit që identifikohet nga vetë raporti. Pra problemi nuk është thjesht tek ideologjia, por te logjika.

Raporti vë në dukje se shteti në Shqipëri nga njëra anë e ka masivizuar arsimin e lartë dhe, nga ana tjetër, shpenzon disa herë më pak për student (460 euro) sesa vendet më të varfra të BE-së dhe fqinjët tanë, Rumania dhe Bullgaria (2700-2900 euro për student). Edhe si përqindje Shqipëria shpenzon për arsimin e lartë një pjesë më të vogël të prodhimit të përgjithshëm bruto, PPB (0.4-0.6%), krahasuar me vendet e OECD-së (1-3 %). Në këto kushte, prioritet duhet të ishte rritja e financimit të arsimit të lartë nga ana e shtetit, si në vlerë absolute, ashtu edhe si përqindja e PPB-së.

Raporti e eliminon këtë mundësi, duke deklaruar se shteti nuk ka mundësi ta rrisë financimin në këtë sektor në terma afatshkurtër; “është e pamundur që…të shohim një rritje më shumë se 50% të investimeve shtetërore. Kjo rritje është jo sinjifikative për nevojat e arsimit të lartë në vend” (faqe 30). Pas kësaj deklarate, raporti nuk jep asnjë të dhënë se sa duhet të rritet investimi i shtetit, si përqindje e PPB-së apo në vlerë absolute, për çdo vit në katër, pesë, apo dhjetë vitet e ardhshme, në mënyrë që të përmirësohet cilësia e arsimit të lartë. Me sa duket, as në terma afatgjatë nuk mund të shpresojmë për ndonjë rritje serioze të financimit shtetëror.

Në këtë aspekt, raporti duket se i qan hallin e qeverisë më shumë sesa arsimit të lartë. Ama si një produkt shkencor i një grupi të pavarur akademikësh raporti duhet të përcaktojë para së gjithash sa duhet të rritet financimi i shtetit në arsimin e lartë publik në vitet në vijim, në mënyrë që të arrihen disa standarde, që janë më të larta se këto që kemi sot dhe të krahasueshme me fqinjët tanë të varfër. Sepse është tallje të pretendosh standarde europiane apo anglosaksone për një vend që sot shpenzon për arsimin e lartë pesë herë më pak se vendi më i varfër i BE-së. Pastaj, nëse qeveria aktuale mund t’i arrijë këto standarde apo jo, kjo është çështje tjetër.

Duhet thënë se përballë mungesës së investimeve shtetërore raporti ofron disa zgjidhje të arsyeshme, siç është vendosja e mesatares 6 për futjen në universitet (faqe 42). Kjo do t’i vinte fre masivizimit pa kriter, duke rritur kështu investimin për kokë në arsimin e lartë publik. Problemi është se disa nga zgjidhjet e tjera “themelore”, që ofron raporti, janë kontradiktore ose pak bindëse.

Kështu, përballë mungesës së rritjes serioze të financimit shtetëror, transformimi i universiteteve publike dhe private në fondacione që mund të marrin fonde nga shteti, është kontradiktor (faqe 34-35). Në kushtet kur shteti nuk arrin të financojë institucionet aktuale të arsimit të lartë, futja në financimin e shtetit të aktorëve të tjerë nuk ka sens.

Po kështu, ideja se mungesa e financimit shtetëror do të kompensohet me burime alternative që do vijnë nga sektori privat, nuk të bind për dy arsye. Së pari, bizneset e mëdha shqiptare janë aq të dobët financiarisht, saqë më shumë synojnë të përfitojnë nga shteti sesa të kontribuojnë në financimin e publikes. Së dyti, kufizimet e financimit privat reflektohen në gjendjen e vështirë financiare të sektorit privat të arsimit të lartë sot.

Në fakt, vetë raporti nuk bën asnjë projeksion (apo parashikim) se sa dhe si do të rritet financimi i arsimit të lartë nga burimet private në vitet e ardhshme, sidomos duke pasur parasysh situatën tonë ekonomike. Nëse, sipas raportit, kriza ekonomike nuk e lejon shtetin të financojë sa duhet arsimin e lartë në 10 vitet e ardhshme, përse e njëjta krizë ekonomike do prodhojë një sektor privat që financon mjaftueshëm arsimin e lartë shqiptar? Në fund të fundit, shteti dhe biznesi përballen sot dhe nesër me të njëjtën krizë ekonomike.
Në këto kushte, ideja se në Shqipëri do arrihen standarde europiane apo modele anglosaksone teksa shteti tërhiqet nga financimi i arsimit të lartë, është thjesht një shaka pa kripë. Njësoj si shakaja e integrimit në BE, ku shteti sa më pak shpenzon për sektorin publik në praktikë, aq më shumë rrit standardet “europiane” në letër. Nën petkun e standardeve europiane apo anglosaksone justifikohet tërheqja e shtetit nga financimi i arsimit të lartë dhe braktisja e përgjegjësive politike të qeverisë për këtë sektor. Ky është rreziku që paraqet reforma aktuale.

0 comments:

Post a Comment