Sunday, May 18, 2014

Ndryshimi i ligjit të arsimit të lartë – Universiteti Mjekësor


Në datë 15 Maj, 2014, në Kuvendine Shqipërisë u miratuan ndryshimet e ligjit të arsimit të lartë (2007), të cilat prekin kryesisht qeverisjen dhe administrimin e Universitetit Mjekësor. Për këtë amendim ka pasur diskutime nga Bajram Hysa i Universitetit Mjekësor, pasi ai pretendonte se këto ishin në kundërshtim me politikat e qeverisë dhe ligjin e arsimit të lartë për garancinë e autonomisë se institucioneve arsimore (edhe pse shkrimi ishte i paqartë në arsyetim por i fortë në retorikë).
Amendimet u miratuan thuajse pa ndryshime të tjera në Kuvend dhe në komisionet parlamentare. Ndryshimet e ligjit nuk u miratuan nga deputetët e Partisë Demokratike, të cilët nuk ishin në sallë.
Dokumente (të gjitha në një):
  1. Projektligj
  2. Relacion
  3. Raporti i Komisionit për Çështjet Ligjore, Administratën Publike dhe të Drejtat e Njeriut
  4. Raport i përbashkët i Komisionit për Edukimin dhe Mjetet e Informimit Publik dhe  Komisionit për Punën, Çështjet Sociale dhe Shëndetësinë
  5. Si kanë votuar deputetët
Pjesë nga raporti

Synimi i ndryshimeve

Përfaqësuesit e qeverisë u shprehën se: Projektligji, synon të përmirësojë raportet midis institucionit të arsimit të lartë dhe QSUT-së, si pjesë përbërëse e tij duke krijuar kushtet për një mirëfunksionim të shërbimeve spitalore që ofrohen nga QSUT-ja.
Qendra Spitalore Universitare është njësi e sistemit arsimor dhe shëndetësor. Aty realizohen funksione diagnostike dhe trajtuese themelore me nivel të lartë shkencor si pjesë e sistemit shëndetësor dhe funksione mësimore dhe kërkimore si pjesë e institucioneve  të arsimit të lartë, bazuar në ligjin nr. 2742 datë 21.05. 2007 “Për arsimin e lartë në Republikën e Shqipërisë” të ndryshuar”. Sipas tyre qëllimi i këtij projektligji është përmirësimi sa më i shpejtë i shërbimit, por edhe i situatës së mësimdhënies.


Ndryshimet

- Përcaktimi i strukturës organizative dhe i drejtuesve nga qeveria
- Miratimi i Statusit të Universitetit Mjekësor nga qeveria
- Ndryshimi i bordit me anëtarë të tjerë – dhe përcaktuar nga qeveria
- Përqëndrimi i qeverisjes dhe hierarkisë tek rektori
Projektligji parashikon ndryshime në pikat 5 dhe 6, të nenit 12, të ligjit në fuqi, duke përcaktuar shërbimin si njësi në varësi të departamentit e cila, përveç aktivitetit mësimor e kërkimor, si pjesë e institucionit të arsimit të lartë, kryen dhe aktivitet diagnostikues dhe trajtues themelor, si pjesë e spitalit universitar.
1. Duke marrë parasysh veçantinë e shërbimit, si njësi me funksion e varësi të dyfishtë, si dhe rëndësinë e funksionimit optimal të shërbimit, për të ofruar një  shërbim spitalor cilësor për popullatën, por edhe mësimdhënie dhe kërkim shkencor bashkëkohor, në projektligj është parashikuar që mënyra e organizimit dhe funksionimit të shërbimeve si dhe  kriteret e përzgjedhjes së përgjegjësit të shërbimit të miratohen me vendim të Këshillit të Ministrave, me propozimin e ministrit përgjegjës për çështjet e arsimit dhe të ministrit përgjegjës për çështjet e shëndetësisë.
2. Projektligji parashikon, gjithashtu, miratimin me vendim të Këshillit të Ministrave, me propozimin e ministrit përgjegjës për çështjet e arsimit dhe të ministrit përgjegjës për çështjet e shëndetësisë të statutit të Qendrës Spitalore Universitare, duke synuar përmirësimin e organizimit të brendshëm të saj dhe vendosjen e raporteve të drejta midis pjesës mjekësore dhe asaj akademike. Për këtë arsye, lind nevoja e ndryshimit të shkronjës “e”, të pikës 4, të nenit 19/1 të ligjit në fuqi që parashikon hartimin e projektstatutit të Qendrës Spitalore  Universitare nga bordi i saj i cili, më pas e dërgon për miratim në Këshillin e Ministrave.
3. Duke pasur parasysh se bordi i QSU-së miraton politikat dhe strategjinë e zhvillimit, si dhe harton programet ekonomiko - financiare të veprimtarisë së qendrës, në përputhje me politikat qeverisëse për shëndetësinë, arsimin e lartë e kërkimin shkencor, si dhe planin e zhvillimit strategjik të universitetit e të fakulteteve të fushës së shëndetit, u parashikua pjesëmarrja në bord e përfaqësuesit të ministrisë përgjegjëse për fushën e financave, e përfaqësuesit të ministrisë përgjegjëse për fushën e arsimit dhe e dekanit të Fakultetit të Mjekësisë të institucionit të arsimit të lartë që ka në përbërjen e tij Qendrën Spitalore Universitare.

 

Diskutime

Gjatë diskutimit në parim, deputetët ngritën një sërë çështjesh në lidhje me krijimin e departamenteve në insitucionet e arsimit të lartë që kanë qendra spitalore universitare, mënyrën e  përzgjedhjes së autoriteteve drejtuese të departamenteve apo shërbimeve, mandatin e autoriteteve akutale, bordin e QSU-së, konsultimin paraprak me grupet e interesit  dhe a ishin marrë parasysh kërkesat e tyre.  

Opozita

Anëtarët e opozitës në komision, votuan kundër projektligjit,  në parim dhe tërësi duke u shprehur se:
1. Projektligji synon të rregullojë veprimtarinë e Universitetit të Mjekësisë të Tiranës (UMT) vetëm për pak muaj (rreth 6 muaj), pasi periudha kalimtare e funksionimit të UMT, si një institucion i ri i arsimit të lartë, përfundon në janar 2015. Pas këtij afati, ai duhet të zhvillojë veprimtarinë e tij si çdo IAL tjetër publike e vendit.
2. Projektligji cënon një normë të vendosur prej më shumë se një dekadë në praktikën legjislative të vendit tonë, sipas së cilës kriteret bazë, që duhet të plotësojnë kandidatët që konkurojnë për anëtarë të organeve drejtuese ose për postet e autoriteteve drejtuese në IAL (grupi mësimor kërkimor, departamenti, shërbimi, fakulteti dhe universiteti), vendosen në ligj dhe nuk i lihen në dorë ekzekutivit, çka garanton realizimin e autonomisë (institucionale, qeverisëse dhe akademike) së IAL, e parashikuar kjo në Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë dhe në ligjin në fuqi. Projektligji i jep të drejtën Këshillit të Ministrave të  përcaktojë me vendim kriteret e përzgjedhjes së përgjegjësit të shërbimit.
3. Projektligji mund të ndërpresë mandatet e autoriteteve të fituara përmes zgjedhjes me votë
direkte ose përzgjedhjes përmes konkursit.
4. Ndryshimet që parashikon ky projektligj në riorganizimin e lëndëve klinike të Fakultetit të Mjekësisë, përmes uljes së statusit të Njësisë së Shërbimit, si njësi bazë e fakultetit, dhe zëvendësimit të saj me Departamentin, i cili do të përfshijë disa njësi shërbimi, në planin afagjatë shoqërohen me një sërë rrjedhojash negative. Ndërkohë, ministritë përgjegjëse dhe UMT i kanë të gjitha hapësirat ligjore për të rritur rolin e Koordinatorit të veprimtarisë mësimore shkencore të disa shërbimeve, përmes akteve nënligjore. Statuti i UMT dhe Statuti i UMT dhe rregullorja e Fakultetit të Mjekësisë mund të përcaktojnë më qartë funksionet dhe detyrat e Koordinatorit. Me akte të tjera nënligjore mund të ulet ngarkesa mësimore dhe klinike (urdhër i ministrit) si dhe të rritet shpërblimi mbi pagën i Koordinatorit (me vendim të
Këshillit të Ministrave).

Koment

Interesante ishte ndërhyrja e deputetes dhe relatores së komisionit të ligjeve, znj. Vasilika Hysi. Në një anë ajo i referohet deklaratës së përbashkët të ministrave të arsimit së BE-së për rritjë të autonomisë institucionale dhe të përfaqësimit në vendimmarrje e qeverisje (me studentë dhe personel akademik), nga ana tjetër miraton ligjin për dobësimin e kësaj autonomie dhe përfshirjen e aktorëve të jashtëm të caktuar nga qeveria në qeverisjen e institucionit. Znj. Hysi e vë re këtë kundërshti, por e përqëndron vëmendjen tek përbërja e bordit, dhe ajo e argumenton këndvështrimin e saj me natyrën e institucionit të lartë arsimor, që sipas saj Universiteti Mjekësor është dhe arsimor dhe shërbimi, por më shumë i dytë se i parë.
Sipas deputetes Vasilika Hysi:
Me qëllim bashkërendimin e mbikqyrjes së Qendrës Spitalore Universitare (QSU) si qendër arsimore-kërkimore dhe shëndetësore, bazuar në orientimet e dhëna në dy konferencat e fundit të Ministrave të Arsimit në Europë sa i takon përfaqësimit në strukturat e Arsimit të Lartë si dhe duke patur parasysh parimet që udhëheqin deklaratën e Bolonjës , relatorja e projektligjit nënvizoi se do të ishte me interes të diskutohej përbërja e Bordit të QSU (si e vetmja qëndër terciale në Shqipëri). Duke qenë se përbërja dhe kompetencat e bordit janë më shumë në drejtim të administrimit të qëndrës spitalore universitare në funksion të diagnostikimit dhe trajtimeve sesa të arsimit dhe kërkimit, relatorja nënvizoi faktin se do ishte
me interes që të harmonizoheshin të dy aspektet e veprimtarisë së QSU si qendër që ofron funksione diagnostikuese dhe trajtuese dhe qendër arsimore dhe kërkimore në të njëjtën kohë.







0 comments:

Post a Comment