Showing posts with label universiteti mjekësor. Show all posts
Showing posts with label universiteti mjekësor. Show all posts

Sunday, February 28, 2016

Disa raste korrupsioni në arsimin e lartë për mjekësi

Nuk mjafton qe mjeket e infermieret largohen dita-dites, nje situate per te cilen qeveria mburret, por edhe gjate shkollimi te tyre studentet e mjekesise humane perballen me korrupsionin. 


http://www.sociale.gov.al/al/newsroom/lajme/350-infermiere-punesohen-ne-gjermani-klosi-deshmi-se-formimi-profesional-eshte-zgjedhja-e-duhur

350 infermierë të parë kanë fituar sot të drejtën për t’u punësuar në Gjermani. Kompania DEKRA ka mundur të përfundojë kurset e trajnimit profesional dhe të gjuhës gjermane për rreth 350 infermierë, të cilët kanë mundur ta marrin dëshminë e kualifikimit dhe të negociojnë tashmë kontratën për një vend pune të sigurt në Gjermani. Në ceremoninë e certifikimit të tyre ishin të pranishëm përfaqësues të kompanisë DEKRA, e cila mori përsipër dhe trajnimin e tyre, ambasadori gjerman, Helmut Hoffman, infermierët që ndoqën kursin, si dhe ministri i Mirëqenies Sociale dhe Rinisë, Blendi Klosi. (Ministria, 24 shkurt 2016)


Me poshte jane disa raste te publikuara nga faqja e qeverise per denoncimin e korrupsionit: www.stopkorrupsionit.al.

1. UAMD - Universiteti i Durrësit

Denoncimi: Në këtë rast denoncohet një pedagoge e Universitetit ''Aleksandër Moisiu'' në filialin Peshkopi, e cila kushtëzon studentët përmes mitmarrjes në kalimin e lëndës së saj, përmes vlerës së 100 mijë lekëve.
Verifikimi: Në datë 18.02.2015, grupi i punës zhvilloi takim me Rektorin e Universitetit Aleksandër Moisiu Durrës, drejtoreshën e burimeve njerëzore dhe zyrën e studentëve (sekretarinë) në këtë institucion. Pedagogia V.F, është pedagoge e jashtme pranë UAMD, filiali Peshkopi. Grupi i punës verifikoi fletët e provimeve të shoqëruar me procesverbalet përkatëse nga ku rezultoi se në kursin Infermieri Psikiatrike, në katër prej fletëve të provimit, pikët e hedhura në procesverbal janë ndryshe. Ndërsa në një prej tyre, mbledhja e pikëve është bërë gabim. Në të katër rastet janë llogaritur më pak pikë. Në kursin Obstetrikë Infermierike, në 6 raste nuk janë hedhur në procesverbal pikët e duhura, dy studentëve u janë dhënë më shumë pikë se sa testi, kurse 4 prej tyre ju janë ulur. Nga ndryshimet e hedhjes së pikëve në procesverbal ndodh që studentët të marrin nota të ndryshme nga çfarë meritojnë. Përqindja e kalueshmërisë së studentëve është 95%. Znj. M.F, duke hedhur pikë të ndryshme në procesverbal, nga ato që çdo student ka në fletën e provimit, ka ndryshuar rezultatet përfundimtare të provimit për disa studentë.
Masat e marra: Rektori i UAMD, të kalojë në rikontrollim dhe rivlerësim të provimeve të Obstetrikë infermierike dhe Infermieri Psikiatrike. Rektori i UAMD të marrë masë, në batim të kuadrit ligjor, ndaj pedagoges V. F, për ndryshim të rezultateve të provimeve të studentëve në lëndët Obstetrikë infermieriken dhe Infermieri Psikiatrike. Gjithashtu është proceduar me referim të rastit në Prokurori datë 05.03.2015 nr.prot 1765 ndaj shtetases V. F.

2. Universiteti i Mjekësisë i Tiranës

Denoncimi: Në këtë denoncim kemi të bëjmë me mitmarrjen nga një pedagoge e jashtme e Fakultetit të Shkencave Mjeksore Teknike, e cila është pedagoge dhe tek Fakulteti i Shkencave të Natyrës. Denoncuesi jep dhe hollësi mbi ''pazaret'' për të kaluar në lëndën e saj.

Masat e marra: Dërgimi me shkresën nr.1220 datë 13.02.2015 Prokurorisë së Rrethit Gjyëqsor Tiranë të Kallëzimit Penal për shtetasin A.E. 

3. Universiteti i Mjekësisë së Tiranës

Denoncimi: Katedra e Anatomisë në universitetin e Mjekësisë merr shuma të konsiderueshme të lekëve në këmbim të marrjes së lëndës. Shefja e mëparshme S.Q nuk  jep provimin nëse nuk bën pagesën tek sekretarja e saj E. që shërben dhe si seksere. Qytetarit i janë kërkuar 15000 për notën 5. Kjo pagesë u është kërkuar dhe shumë studentëve të tjerë.
Masat e marra: Dërgimin me shkresën nr.1224 datë 13.02.2015 Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë të Kallëzimit Penal për shtetaset S. Q dhe E. K

Friday, November 7, 2014

Vijojnë protestat e studentëve

 

Nëntor 06, 2014

Studentët kanë protestuar në lidhje me vendimin e qeverisë për të marrë godinën e Fakultetit të Gjeologji-Minierave  (shih këtu). Sipas Lëvizjes Për Universitetin ata kanë përzënë disa anëtarë të kooptuar të këshillave studentorë që kishin ardhur me nxitjen e Lulzim Bashës (PD).

image

Levizja Per Universitetin denoncon perfshirjen e politikaneve ne protestat e studenteve, qofshin keto nga opozita, pasi eshte kjo opozite qe gjate 8 viteve qeverisje jo vetem qe nuk ka bere asgje per te permiresuar universitetet publike por ka bere gjithcka ka mundur qe ti gjunjezoje ato duke vene ne krye njerez pa asnje aftesi te njohur intelektuale apo organizative dhe duke i perdorur ata per interesa partiake. Sot, kur studentet jane ngritur ne protesta, opozita kerkon te perfitoje kapital politik duke perdorur edhe keshillat studentor qe ka ne kontroll. Sic e kemi theksuar edhe ne komunikatat e tjera, ne i denoncojme te gjitha palet politike si bashkefajtore per gjendjen se ku ndodhen sot universitetet publike dhe arsimi ne pergjithesi. Gjithashtu i bejme thirrrje keshillave studentor qe te mos behen pengese ne organizimin e protestave. Studentet tashme po behen bashke dhe ata qe kane punuar prej kohesh ne dem te studenteve dhe universitetit nuk jane te mirepritur.

Video: https://www.youtube.com/watch?v=qyPMNGHwTVk&feature=youtu.be 

Ndërsa studentët e Universitetit Mjekësor kanë kërcënuar se do të fillojnë grevat e urisë nëse nuk kanë mundësi të përsërisin provimet brenda dhjetorit.

Shekulli, Neritan Gjergjo, “Nuk ka provime në dhjetor, studentët e mjekësisë në protestë”, Nëntor 6, 2014.

Strudentët  [sic] kanë dalë me një komunikatë për vendimin e heqjes së sezonit të provimeve në dhjetor. Ata janë shprehur të indinjuar, duke vënë në dukje dhe dëmin që u shkaktohet prej këtij vendimi. “Jemi mbledhur përpara zyrave të rektoratit për të manifestuar problemet dhe padrejtësitë që po na bëhen ne studentëve nga veprimet arbitrare dhe kundër interesave tona nga ky institucion. Çdo vit akademik është zhvilluar sezoni i nëntor-dhjetorit që i ka ardhur në ndihmë studentëve që nuk e kishin plotësuar kushtin e kalimit për në vitin pasardhës akademik pa asnjë lloj paralajmërimi paraprak. Rektorati i Universitetit Mjekësor të Tiranës dënon qindra studentë të ngelin në stazh duke shkaktuar dëm psikik dhe ekonomik ndaj studentëve që rrezikojnë. Ne e shikojmë të pajustifikueshme dhe të padrejtë mospërfshirjen tonë në sezonin e nëntor-dhjetorit si fenomen që është zhvilluar çdo vit, pa asnjë lloj pengese nga drejtuesit e mëparshëm të këtij universiteti. Duam të vëmë në dukje që rektorati na i ka mbyllur dyert për këtë çështje, për një kohë të gjatë duke na paragjykuar si kategoria e studentëve të paaftë që duhen spastruar, gjë që ka sjellë pakënaqësi të madhe në radhët tona. I drejtohemi institucionit të sipërpërmendur, si autoriteti më i lartë drejtues i këtij universiteti duke besuar se çështja jonë do të marrë zgjidhje ose qëndrimi ynë ndaj kësaj situate do të përshkallëzohet deri në masën ekstreme të një greve urie”.

Sunday, May 18, 2014

Ndryshimi i ligjit të arsimit të lartë – Universiteti Mjekësor


Në datë 15 Maj, 2014, në Kuvendine Shqipërisë u miratuan ndryshimet e ligjit të arsimit të lartë (2007), të cilat prekin kryesisht qeverisjen dhe administrimin e Universitetit Mjekësor. Për këtë amendim ka pasur diskutime nga Bajram Hysa i Universitetit Mjekësor, pasi ai pretendonte se këto ishin në kundërshtim me politikat e qeverisë dhe ligjin e arsimit të lartë për garancinë e autonomisë se institucioneve arsimore (edhe pse shkrimi ishte i paqartë në arsyetim por i fortë në retorikë).
Amendimet u miratuan thuajse pa ndryshime të tjera në Kuvend dhe në komisionet parlamentare. Ndryshimet e ligjit nuk u miratuan nga deputetët e Partisë Demokratike, të cilët nuk ishin në sallë.
Dokumente (të gjitha në një):
  1. Projektligj
  2. Relacion
  3. Raporti i Komisionit për Çështjet Ligjore, Administratën Publike dhe të Drejtat e Njeriut
  4. Raport i përbashkët i Komisionit për Edukimin dhe Mjetet e Informimit Publik dhe  Komisionit për Punën, Çështjet Sociale dhe Shëndetësinë
  5. Si kanë votuar deputetët
Pjesë nga raporti

Synimi i ndryshimeve

Përfaqësuesit e qeverisë u shprehën se: Projektligji, synon të përmirësojë raportet midis institucionit të arsimit të lartë dhe QSUT-së, si pjesë përbërëse e tij duke krijuar kushtet për një mirëfunksionim të shërbimeve spitalore që ofrohen nga QSUT-ja.
Qendra Spitalore Universitare është njësi e sistemit arsimor dhe shëndetësor. Aty realizohen funksione diagnostike dhe trajtuese themelore me nivel të lartë shkencor si pjesë e sistemit shëndetësor dhe funksione mësimore dhe kërkimore si pjesë e institucioneve  të arsimit të lartë, bazuar në ligjin nr. 2742 datë 21.05. 2007 “Për arsimin e lartë në Republikën e Shqipërisë” të ndryshuar”. Sipas tyre qëllimi i këtij projektligji është përmirësimi sa më i shpejtë i shërbimit, por edhe i situatës së mësimdhënies.

Wednesday, April 23, 2014

Diskutime-ligji-U-mjekesor


Bajram Hysa, Dekani i Fakultetit të Mjeksisë, Universiteti Mjekësor

Dokumente: Projektligji https://drive.google.com/file/d/0BwhcJg8NxarZbnZNemI5YTJoZTg/edit?usp=sharing

Gazeta Panorama, 23.04.2014
 
Në kuadër të përpjekjeve për të reformuar arsimin e lartë, ditët e fundit MAS dhe MSH kanë përgatitur dhe depozituar pranë Komisionit Parlamentar të Edukimit dhe Mjeteve të Informimit në Kuvend, një dokument në formën e një projektligji të ri për arsimin e lartë, që çuditërisht dhe paradoksalisht prek vetëm Universitetin Mjekësor të Tiranës, duke cenuar rëndë parimet e autonomisë universitare. Ky dokument, midis të tjerash, përmban absurditete të tilla, si: “Rektori i emëruar përzgjedh dekanët/drejtorët. Dekani/drejtori i emëruar përzgjedh përgjegjësin e departamentit/qendrës së kërkim-zhvillimit. Përgjegjësi i departamentit përzgjedh përgjegjësin e njësisë mësimore-kërkimore/përgjegjësin e shërbimit etj.”.

Rama: Reforma në arsim do të bëhet me njerëzit e sistemit


Shumëkush e mban mend se më 8 shkurt 2014, Kryeministri Edi Rama prezantoi piketat ku qeveria do të mbështetet për të realizuar reformën në sistemin e arsimit të lartë, një nga pikat kyçe të programit të “Aleancës së Shqipërisë Europiane”. Gjatë një tryeze të organizuar nga Ministria e Arsimit për reformën në arsimin e lartë, zoti Rama tha se për të kaluar në finalizimin e kësaj reforme duhet të ezaurohen një sërë etapash, në shërbim të një arritjeje me perspektivë afatgjatë. “Megjithëse erdhëm në qeverisje me një plan të qartë për reformimin e sistemit arsimor, nuk jemi ngutur, por kemi kërkuar në radhë të parë të bëjmë bashkë një grup ekspertësh sa më larg llogoreve të politikës, për të hapur një debat për reformën në arsimin e lartë, që duhet të jetë së pari debat i njerëzve të sistemit, i të gjithë atyre që brenda sistemit, nesër do të duhet të jetësojnë reformat”, theksoi Kryeministri. “Vetëm pasi ky debat të shterohet dhe të gjitha konsultimet të kryhen, ne do të ulemi në tavolinën e qeverisë për të vendosur mbi draftin e reformës që do ta përgatisë ky komision dhe me të cilin kemi marrë vendimin të jemi në raport po aq të barabartë sa ç’duhet të jenë edhe aktorët e tjerë, pa ushtruar asnjë imponim dritëshkurtër dhe me qëllime afatshkurtra”. Zoti Rama tha se edhe pasi të jenë konsumuar këto faza, drafti nuk do të kalojë në Parlament pa iu nënshtruar më parë një konsultimi të gjerë, ku do të dëgjohen objeksionet e të gjitha grupeve të interesit. Për Kryeministrin, qeveritë e deritanishme nuk kanë arritur t’i japin drejtimin e duhur sistemit arsimor për ta përputhur atë me sistemet e vendeve përreth apo vendeve të Europës ku duam të integrohemi. Sipas tij, pengesë për arritjen e këtij standardi ka qenë edhe udhëheqja e vendit nga diktati i politikës, prandaj shtroi si domosdoshmëri për përmbushjen e një procesi transformimi, vendosjen e një vije të qartë ndarëse mes sistemit dhe llogoreve të partizanërisë politike, siç u shpreh Kryeministri.
Sipas tij: “Skema e re e financimit duhet të reflektojë një qasje të re mbi autonominë financiare dhe administrative dhe duhet të sigurojë konkurrencën e lirë dhe të drejtë brenda sistemit, pa vendosur asnjë bonus që privilegjon publikun mbi privatin dhe pa lejuar privatin që, të qenit subjekt privat ta kthejë në të qenit organizatë fitimprurëse. Na duhet një reformë që të na japë instrumentet për tregues të matshëm të cilësisë së mësimdhënies, volumit dhe cilësisë së punës shkencore dhe inovacionit brenda sistemit”, tha Kryeministri në tryezën e 8 shkurtit.

Po shkelet Kushtetuta, injorohet Karta e Bolonjës!

Atëherë çfarë po ndodh, zoti Kryeministër?! Ky projektligj, që rikthen diktaturën, është udhërrëfyesi për të arritur praktikat më të mira ndërkombëtare? Kjo është strategjia për rilindjen e arsimit të lartë në Shqipëri? Ky është vizioni afatgjatë që do të përcaktojë rrugën drejt arritjes së qëllimeve në përsosjen e arsimit kombëtar?! Ky s’është veçse një kurth tragjikomik! Është depersonalizim i dukshëm i demokracisë, i autonomisë universitare dhe i standardeve europiane të arritura në sistemin e arsimit të lartë. Legjislacioni arsimor kombëtar duhet të bëhet vetëm sipas Kushtetutës së vendit (neni 100) dhe standardeve ndërkombëtare. Problemet në arsimin e lartë, veçanërisht në Universitetin e Mjekësisë, janë diagnostikuar prej kohësh, ndaj strategjia e re duhej të premtonte të përmirësonte problemet e dukshme. Politikat e arsimit mund të ndërtohen dhe zbatohen vetëm përmes pjesëmarrjes së të gjitha palëve të interesuara (qeverisë, studentëve, institucioneve të arsimit të lartë etj.). Ky duhej të ishte përforcimi bazal që duhej bërë në ligjin e ri. Dokumenti në fjalë duhej të theksonte nevojën për më shumë llogaridhënie dhe transparence, si fusha kryesore të identifikuara që kanë nevojë për përmirësim.

Strategjia kombëtare për arsimin e lartë


Arsimi i lartë dhe kërkimi shkencor në Shqipëri, me gjithë përpjekjet e të paktën 15 viteve të fundit, nuk janë akoma në standardet ndërkombëtare. Ligji i ri për arsimin e lartë (2007) ka qenë një hap i rëndësishëm përpara për përmirësimin e sistemit, por shënoi vetëm fillimin. Politikat për prioritetet strategjike të qeverisë së re duhet të ishin në pajtueshmëri me prirjet kryesore të zhvillimit të arsimit të lartë në Europë dhe në botë, dhe në veçanti, me procesin e Bolonjës; qëllimi i këtyre politikave duhej të ishte përmirësimi i arsimit të lartë, që Shqipëria të zërë vendin që i takon brenda Hapësirës Europiane të Arsimit të Lartë (HEAL). Strategjia duhet të pasqyronte vizionin e Qeverisë për politikat afatmesme dhe afatgjata. Në të duhet të ishin përfshirë sugjerimet e botës akademike dhe të grupeve të interesit brenda vendit, si dhe të ekspertëve dhe zyrtarëve të lartë të Këshillit të Europës. Projektligje të tilla, të përgatitura me inat e ngut, nuk u përgjigjen zhvillimeve të kohës. Duhet të pranohet se specialistët e angazhuar nga zonja ministre e Ministrisë së Arsimit dhe Sportit dhe aq me tepër personalisht ministri i Shëndetësisë (që angazhohet në një proces jo aq të justifikuar), kanë kapacitet të kufizuar analitik për të zhvilluar politikat strategjike për arsimin e lartë dhe kërkimin shkencor. Ndoshta ngaqë nuk e njohin mirë sistemin. Ndryshe nuk ka si shpjegohet përgatitja e një projektligji kaq zhgënjyes, i cili në vend të lirisë akademike, preferon tutelën dhe diktatin, në kushtet kur presim të marrim statusin e vendit kandidat në BE.

Ligji aktual i arsimit të lartë


Pas vendosjes së demokracisë në Shqipëri janë miratuar disa ligje për arsimin e lartë: ligji nr. 7810, “Për arsimin e lartë në Republikën e Shqipërisë”, datë 06.04.1994; ligji nr. 8461, “Për arsimin e lartë në Republikën e Shqipërisë”, datë 25.02.1999; ligji nr. 9120, “Për disa ndryshime në ligjin nr. 8461, datë 25.2.1999, ‘Për arsimin e lartë në Republikën e Shqipërisë’” datë 28.7.2003; ligji nr. 9576, datë 3.07.2006, “Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin nr. 8461, datë 25.02.1999, ‘Për arsimin e lartë në Republikën e Shqipërisë’”. Të gjitha këto ligje u japin më shumë liri akademike, administrative dhe financiare universiteteve dhe garantojnë zgjedhje të lira për stafin drejtues.
Ndër aspektet më të rëndësishme të përmbajtjes së ligjit për arsimin e lartë, ligji i viti 1999, nga i cili në ligjin në fuqi përfshihen mbi 40 nene, mund të veçohen: misioni i formimit të specialistëve të lartë dhe i përgatitjes së shkencëtarëve të rinj, liria akademike në mësimdhënie dhe në kërkimin shkencor. Liria akademike materializohet në respektimin e opinioneve, të ideve e të metodave dhe në garantimin e zhvillimit të lirë, kritik e krijues të mësimdhënies e të kërkimit shkencor, larg çdo ndikimi politik.


Shkollat e larta publike civile janë institucione autonome


Politikëbërësit dhe legjislatorët, përpara se të ndërmarrin iniciativa të tilla, duhet të këshillohen me drejtuesit universitarë, pedagogët dhe studentët, duke respektuar sovranitetin unik të secilit. Duke vepruar në favor të interesave të përbashkëta. Universiteti është institucioni më i përparuar, i cili u paraprin çështjeve demokratike e kombëtare. Ai shtron kritika dhe analiza të paanshme ndaj shoqërisë. Si i tillë, ai duhet të jetë patjetër autonom. Ndër aspektet më të rëndësishme të kësaj autonomie është që personeli akademik ka të drejtë të zgjedhë në mënyrë të pavarur e të zgjidhet në organet drejtuese të shkollës së lartë. Arsimi i lartë, kjo pasuri e madhe kombëtare, duhet të mbështetet në devizën “të mësojmë të ndërmarrim iniciativa”. Ndryshe, fatet e demokracisë nuk mund të jenë të qëndrueshme. Autonomia universitare edhe kështu siç është duket e pamjaftueshme, jo më të rrudhet e zhduket fare.
Rritja e saj duhet të balancohet me më shumë llogaridhënie ndaj faktorëve të jashtëm; me një menaxhim të brendshëm më të mirë dhe më transparent. Ajo duhet të ndihmojë zhvillimin ekonomik të vendit, nëpërmjet njerëzve të kualifikuar dhe njëkohësisht të ndihmojë edhe zhvillimin e rretheve të vendit. Të plotësojë aspiratat e të rinjve për arsimim, duke u siguruar atyre mundësinë e shanseve për të gjithë.
Ndër sfidat më të rëndësishme, për gjithë sistemin e arsimit të lartë, duhet të jenë: përfshirja sa më e shpejtë dhe e suksesshme në ritmet e reformimit të këtij sistemi, sipas modelit të shkollave europiane, duke ndjekur procesin e Bolonjës; përfshirja e tyre në konkurrencën rajonale dhe europiane për cilësinë.

Qëllimi dhe arritjet e Fakultetit të Mjekësisë

Prej 2 vjetësh në drejtimin e Fakultetit të Mjekësisë ka qenë një nga objektivat e mi liria sa më e gjerë akademike, përfshirja aktive e të gjithëve, e Profesoratit të nderuar, e të gjithë trupës pedagogjike, studentëve të të gjitha cikleve, stafit administrativ dhe mbështetës, në vendimmarrje dhe projektet zhvillimore. Qëllimin që Fakulteti i Mjekësisë të shërbejë si një qendër e përhershme e kërkimit shkencor, e formimit mjekësor dhe intelektual, e kemi realizuar bashkërisht, sepse thuajse të gjithë pedagogët janë pjesë e bordeve, komisioneve, këshillave, Redaksisë së Buletinit dhe Këshillit të Fakultetit. Ishin këta profesorë dhe pedagogë të nderuar që më besuan me votë plebishitare drejtimin e Fakultetit të Mjekësisë, me një mandat të qartë – ndryshimin – dhe jam krenar të deklaroj se ndryshimi tashmë ka ndodhur! Kushdo e shikon këtë ndryshim cilësor shumëdimensional sapo kalon pragun e godinës së Fakultetit të Mjekësisë; sapo hyn në Sekretarinë e Dixhitalizuar Mësimore, kur frekuenton mjediset e informatizuara të bibliotekës; sallat bashkëkohore në Godinën e Lëndëve Paraklinike, e mbi të gjitha e ndien në fytyrat dhe sytë e studentëve tanë, të cilët, falë rritjes së bashkëpunimit ndëruniversitar me vendet perëndimore, e gjejnë veten tashmë studentë të Europës.
Sot shoqëria moderne, më shumë se individët, vlerëson programet e tyre. Kjo përbën një sfidë strukturore për institucionet universitare. Programi zhvillimor i Fakultetit të Mjekësisë është përmbushur me kryefjalë cilësinë. Pasurimi, rifreskimi dhe ristrukturimi i kurrikulës universitare mjekësore ka hyrë në rrugë të mbarë dhe ndryshimet janë konkretizuar. Projektet me universitetet e Versajës, Novarës, Romës, Roterdamit, Mynihut etj. kanë mundësuar shkëmbimet universitare të dhjetëra studentëve, mjekëve dhe pedagogëve me standardet e Bashkimit Europian.
Fakulteti i Mjekësisë përpiqet të zbatojë një politikë të përcaktuar mirë, sidomos lidhur me vlerësimin e personelit universitar, me formimin e tyre akademik e pedagogjik dhe me mundësitë e lëvizjes së tyre për specializime të herëpashershme jashtë vendit dhe efektet janë të dukshme. Rreth 150 punime dhe artikuj shkencorë të stafit tonë janë botuar në 75 revista dhe periodikë shkencorë ndërkombëtarë me faktorë impakti. Lajtmotivi ynë shkencor akademik mbetet niveli i lartë cilësor i mësimdhënies dhe kërkimit shkencor dhe transformimi i Fakultetit të Mjekësisë në një qendër akademike ekselence, jo vetëm për Shqipërinë, por për gjithë hapësirën shqipfolëse në Ballkan.

Tuesday, April 22, 2014

Universiteti-mjekësor



Dokumente: Projekt-ligji për arsimin e lartë, Mars, 2014.

Një ligj për Universitetin Mjekësor


A.Ç, Gazeta Shqiptarja.com, 21 Prill, 2014 “Ndryshojnë kriteret për zgjidhjen e shefave të shërbimeve spitalor”

TIRANE - Ndryshojnë procedurat se si do të zgjidhen shefat e shërbimeve në qendrat spitalore universitare. Ministri i Shëndetësisë, Ilir Beqaj dhe ajo e Arsimit, Lindita Nikolla, kanë shpjeguar në Komisionin e Medias, ku u paraqit projektligji i ri i arsimit të lartë, se pas kaosit që kanë gjetur, tashmë po synohet të futet në hulli edhe kriteret e atyre që do të përzgjidhen në krye të shërbimeve spitalore. Drafti i ri parashikon që tashmë një shërbim i ri nuk do të krijohet vetëm në bazë të numrit të shtretërve, por edhe numrit të operacioneve dhe vizitave. "Është keqkuptuar apo me dëshirë në disa raste abuzohet për faktin pse emërime dhe jo zgjedhje. Sigurisht nuk prekin parimin e zgjedhjeve, padyshim edhe ndryshimet në projektligj. Kjo pra ka të bëjë me një faze tranzitore me përgatitjen e rregullores së zgjedhjeve dhe kalimin në procedura zgjedhore për të gjithë njësitë e reja që krijohen në bazë tëndryshimeve të këtij projektligji. Kushtet e shërbimit në qendrën spitalore “Nënë Tereza” bëjnë që kjo qeveri të mos presë asnjë ditë për të përmirësuar apo ndërhyrë në mënyrë urgjente edhe në këtë fazë tranzitore qoftë në përsosjen e cilësisë në universitetin mjekësor, po ashtu e lidhur ngushtë me cilësinë e shërbimit në qendrën spitalore “Nënë Tereza." tha ministrja Nikolla Ndërkohë ministri i SHëndetësisë Ilir Beqaj ka bërë të ditur po ashtu se nuk bëhet fjalë për ndërprerje të mandateve për të zgjedhurit aktuale, por poer departamentet e reja qe do krijohen. Për herë të parë ministri i Beqaj, ka folur edhe për çështjen e universitetit të mjekësisë, duke e konsideruar atë të nxituar.

Analizë nga TRITAN SHEHU

Panorama, 14 Prill, 2014
Këto ditë do të fillojë diskutimi në komisionet e Kuvendit të projektligjit për disa ndryshime në Ligjin për Arsimin e Lartë, e lidhur kjo vetëm me pjesën mjekësore të tij. Ndodh ky zhvillim mbas rikonsolidimit të mendimit mbi vazhdimin e ekzistencës së Universitetit Mjekësor, element ky pozitiv. Është ky konfirmim që u pasua me emërimin e rektorit të ri, i cili tashmë duhet ta çojë atë institucion ne procesin e brendshëm zgjedhor për atë post.
Për hir të së vërtetës dëshiroj të theksoj se ky proces zgjedhor duhej të ishte realizuar disa muaj përpara, sipas afateve kohore të përcaktuara në vitin 2013. Sistemi ynë universitar nuk ka pse të afektohet dhe të kondicionojë ecurinë e tij nga evenimentet politike në vend, qofshin këto dhe zgjedhje parlamentare. Megjithatë, ky tashmë është një realitet i kryer. Ndërsa e porsafilluar është pikërisht procedura për miratimin e atyre ndryshimeve ligjore të kërkuara nga Këshilli i Ministrave.
Dhe mbi këto unë do të dëshiroja të nxisja një diskutim të domosdoshëm këto ditë nga kolegët, profesorati ynë, drejtuesit e atij Universiteti, fakulteteve të tij, nga të gjithë ata që njohin funksionimin e atij mekanizmi, ku ndërthuret didaktika me klinikën, kërkimin shkencor me organizimin shëndetësor, për të përgatitur specialistë e rrezatuar më tej në tërë shërbimin shëndetësor shqiptar.

Një Universitet Mjekësor dhe Qendra Spitalore Universitare ndryshojnë në shumë kolona nga fakultetet e tjera apo nga spitalet e zakonshme. Në këtë rast janë ndërthurjet e mësipërme midis tyre, të veçanta këto, të komplikuara, por dhe të domosdoshme, që duhet të pasqyrohen qartë e fortë në format e organizimit, kriteret e zgjedhjes së personelit, statutet e tyre, ligjet për ato etj. Dhe pikërisht kjo imponon diskutime të gjera për ndryshimet që propozohen.

Së pari, unë do të mendoja se këto ndryshime nuk ka pse të kryhen kështu me shpejtësi. Ato mund të përgatiteshin qoftë dhe paralelisht me rishikimin e elementeve të ndryshëm të Arsimit të Lartë, pa dyshim e përforcuar kjo me diskutime e ballafaqime midis specialistëve më të mirë të fushës universitare mjekësore.

Së dyti, duke lexuar draftin e ndryshimeve të kërkuara, konstaton se aty kërkohet të ndërhyhet edhe në çështje thelbësore, pa qëndruar vetëm te ndonjë “urgjence”. P.sh., dhe unë këtë e konsideroj pozitive si koncept, kërkohet të kthehemi përsëri të struktura e “departamentit”, siç ka qenë në ligjin e vitit 2007. Por, nga ana tjetër, në këtë rikthim racional, ndoshta nga “nxitimi”, harrohet se kjo është një strukturë që ka ekzistuar pak vite më përpara me modalitet e saj. Këto fillonin që nga mënyra e zgjedhjes nga e gjithë trupa didaktike me votim të fshehtë e drejtuesit, e bazuar kjo mbi kritere profesionale të qarta, konform kërkesave të risive të Bolonjës. Këtu unë dëshiroj të theksoj se në Universitetin Mjekësor në tërësi janë të gjitha konditat dhe kapacitetet që riaktivizimi i drejtë i departamenteve, kurdoherë që të bëhet kjo, të shoqërohet që në fillim dhe menjëherë me zgjedhjen e drejtuesve të tyre dhe jo me emërime, pra jo me cungime të cilësisë e demokracisë universitare.

Në fakt, këto cungime nuk janë vetëm për këtë pjesë, por siç duket, përbëjnë një “nuancë” në këtë projektligj tiparin e tretë të tij. Kjo gjë shprehet dhe në mënyrën e përzgjedhjes së shefave të shërbimeve mjekësore. Në draft mungojnë kriteret për këtë proces, që ishin të vendosura në ligjin ekzistues. Këto dhe mund të përmirësohen, por duhet të vendosen në ligj. Po kështu, projektligji eliminon sanksionimin e të drejtës së aplikimit të lirë të konkurrentëve mbi këto kritere, e drejtë që prej vitesh po aplikohet te ne. Në të vërtetë, ky orientim jo zhvillues spikat dhe në ndryshimet e mëtejshme, që kërkon të bëjë ky draft ligjor. Ai heq gjithashtu dhe komisionet e konkurrimit së bashku me të gjitha proceset e konkurrimit për të gjitha nivelet e drejtimit. Qartësisht, diçka e tillë nuk mund të sjellë asgjë të mirë, përkundrazi. Unë do ta konsideroja këtë një hap të dukshëm prapa për këtë pjesë të sistemit tonë universitar e klinik, qoftë për sa i përket rritjes së cilësisë, lirisë e autonomisë së institucionit.

Dhe jo vetëm kaq, së katërti këto mënyra perceptimi të organizimit të atyre njësive, së bashku me ndryshimet e disa funksioneve të propozuara për ato, i largojnë shërbimet mjekësore në fjalë nga fusha didaktike. Të mos harrojmë se në një qendër universitare-mjekuese kolonat didaktike e ato klinike janë të ndërthurura ngushtë me njëra-tjetrën, lidhja Universitet – Spital Universitar është e pandashme.

Së pesti, janë ndryshimet që i bëhen në projektligj ndërtimit të Bordit të QSUT, që e deformojnë dhe më shumë atë në funksion. Bordi është aktualisht një strukturë qendrore e thelbësore rregulluese për proceset mjekësore, shkencore, përzgjedhjes së drejtuesve të specialiteteve etj., pra edhe të mësimdhënies. Ky Bord sot lë për të dëshiruar në nivelin struktural të tij përballë detyrave komplekse që ka. Jam krejt dakord që kjo duhet përmirësuar. Por fatkeqësisht, modeli i përbërjes strukturale dhe ndryshimi i disa funksioneve të tij të vendosura në këtë projekt nuk e çojnë në drejtimin e duhur. Këto e largojnë nga shtrati i tij universitar e didaktik, pa u përmirësuar qoftë dhe ekspertiza klinike apo shkencore në këtë strukturë. Nga ana tjetër, abrogimi i funksionit përzgjedhës përfundimtar të Bordit ndaj shefave të shërbimeve, zbeh së tepërmi dhe rolin e Ministrisë së Shëndetësisë në Qendrën Universitare Spitalore, duke krijuar kështu një amulli të pakuptimtë. I gjithë ky devijim në ndërtimin e këtij Bordi fryn erë populizmi, e mund të krijojë dëmtime të mëtejshme të veprimtarisë së kësaj Qendre kaq të rëndësishme, të një niveli shumë të lartë mësimor, mjekues, shkencor e organizativ, në rrafsh vendi në tërësi. Një qendër e tillë universitare mund e duhet të ketë dhe struktura të tjera ligjore, të pajtueshme këto për përfaqësime më të gjera, të dobishme, ashtu si mendoj që kërkohet të arrihet.

Për parantezë dua të theksoj me këtë rast se gjithashtu me duket shumë i çuditshëm zëvendësimi i nxituar i emrit të Fondit të Sigurimeve Shëndetësore në atë Bord me një term, që me vështirësi mund të deshifrohet. Të mos harrojmë se ky Fond akoma fatmirësisht vazhdon të ekzistojë me sukses në vendin tonë! (“Sigurimet” nuk janë “herezi”)!!!

Dhe së fundmi dëshiroj të evidentoj veçanërisht një përbërës konkluziv të këtij drafti, pasojë ky e asaj “nuance” shqetësuese që e përshkon atë dokument. Universiteti Mjekësor përbëhet pothuaj krejtësisht nga bashkimi i disa fakulteteve ekzistuese me tradita të shkëlqyera dhjetëravjeçare. Aktualisht aty dhe në strukturat e tij spitalore ka dekanë të zgjedhur me votim të përgjithshëm të fshehtë, shefa shërbimesh mjekësorë e deri të n/drejtorë të QSUT të përzgjedhur mbi bazën e një konkurrimi (pavarësisht nga objeksionet praktike që dikush mund të ketë). Të gjithë këta janë të mbrojtur në ligjin ekzistues. Ndërsa drafti ligjor i propozuar pa bërë asnjë specifikim konfirmon që rektori “përzgjedh” dekanët, ata “përzgjedhin” shefat e departamenteve, të cilët më tej “përzgjedhin” drejtuesit e shërbimeve. Kjo të krijon ndjesinë revolucionare, sikur sot të ishim në “vitin zero”! Nga ana tjetër, në këtë mënyrë hapet rruga ligjore që mund të çojë në një piramidë drejtuese akademike, shkencore, klinike e administrative krejtësisht të emëruar, ndërprerje arbitrare të mandatit te atyre që janë zgjedhur, largim në përgjithësi nga procesi zgjedhor, duke krijuar kështu një precedencë të rrezikshme dhe një goditje për atë institucion, për sistemin universitar në tërësi dhe për vetë procesin tonë të Bolonjës.

Këto ishin arsyet që më shtynë mua të mendoj se do të ishte më dobiprurëse që miratimi i këtij projektligji aktualisht të shtyhej. Ai të realizohej pas një diskutimi të gjerë, profesional, të hapur, gjithëpërfshirës. Kjo gjë mund të bëhet qoftë dhe pa u ndarë ky nga diskutimi e përpunimi i ndryshimeve të mundshme e të përgjithshme në Ligjin për Arsimin e Lartë në tërësi. Pa dyshim kjo në bashkëpunim të ngushtë me specialistë të shquar të strukturave shëndetësore

Universiteti-Mjekësor-II

Ledjana Saliu, Gazeta Telegraf, 21 Prill 2014

Protesta e studenteve kundër cenimit të autonomisë universitare


Protesta e studenteve kundër cenimit të autonomisë universitare

Rreth 5000 studentë të fakulteteve të Mjekësisë dhe Shkencave Mjekësore Teknike sot do të bojkotojnë mësimin në formë proteste për të kundërshtuar projektligjin e ri që do të fillojë të diskutohet, po sot në Komisionin Parlamentar të Edukimit dhe Mjeteve të Informimit Publik. Në fakt studentët e mjekësisë e kanë parashtruar përshkallëzimin e revoltës së tyre në protesta, në një letër dërguar Kryeministrit z. Edi Rama, nëse nuk do të merrnin asnjë përgjigje pozitive për kërkesat e tyre. Në letrën dërguar Kryeministrit, studentët e mjekësisë kishin parashtruar problematikat e Universitetit të Mjekësisë, sipas të cilëve “më shumë po krijon burokraci se sa i zvogëlon. Më shumë po rrit fondet e shpërdorimit të taksave tona se sa këto të ardhura vihen në dobí. Më shumë po rriten numrat e dekanëve dhe zv/dekanëve artificialë dhe nuk po rritet numri i pedagogëve, laboratorëve, klasave”. Studentët i kanë kujtuar Kryeministrit premtimin e tij: “Ne përgëzuam iniciativën tuaj në zgjedhje, atë të rikthimit të Universitetit të Mjekësisë, aty ku ishte më parë, në atë traditë e histori 60-vjeçare. Mos harroni se ky premtim i juaji sugjestionoi votën e shumë studentëve të mjekësisë, dhe ky është një detyrim edhe më i madh që ju bie të zgjidhni”.

Kjo protestë vjen sot, më shumë se një vit nga krijimi i Universitetit të ri të Mjekësisë. Po sot nis diskutimi në komisionet e Kuvendit të projektligjit për disa ndryshime në Ligjin për Arsimin e Lartë, e lidhur kjo vetëm me pjesën mjekësore të tij. Ky projektligj parashikon emërime të drejtuesve të tyre dhe jo zgjedhje të tyre me votë, pra kemi të bëjmë me cungime të demokracisë universitare. Ky është një hap prapa për këtë pjesë të arsimit të lartë, përsa i përket lirisë e autonomisë së institucionit. Universiteti Mjekësor përbëhet nga bashkimi i disa fakulteteve ekzistuese me tradita të shkëlqyera në Universitetin e Tiranës. Aktualisht, aty ka dekanë të zgjedhur me votim të fshehtë, shefa shërbimesh mjekësorë të QSUT të përzgjedhur mbi bazën e një konkurrimi, të cilët janë të mbrojtur në ligjin ekzistues. Ndërsa drafti i ri parashikon që rektori “përzgjedh” dekanët, ata “përzgjedhin” shefat e departamenteve, të cilët më tej “përzgjedhin” drejtuesit e shërbimeve. Në këtë mënyrë krijohet një precedent për emërime të drejtuesve në arsimin e lartë si dhe ndërprerje arbitrare të mandatit te atyre që janë zgjedhur me votë të fshehtë e të lirë, duke goditur në këtë mënyrë lirinë e sistemit universitar.

Njoftimi

Rreth 5000 studentë të fakulteteve të Mjekësisë dhe Shkencave Mjekësore Teknike sot do të bojkotojnë mësimin në formë proteste për të kundërshtuar fortësisht projektligjin e ri që do të fillojë të diskutohet, po sot në Komisionin Parlamentar të Edukimit dhe Mjeteve të Informimit Publik. Këshilli Studentor si organizator i kësaj proteste bën të ditur se projektligji i ri për arsimin e lartë prek vetëm Universitetin Mjekësor Tiranë duke cenuar rëndë autonominë universitare. E pabesueshme sesi guxohet sërish të cenohet autonomia e Universiteteve duke rikthyer politikën e emërimeve si ne kohën e “shokëve të Partisë së Punës” që me terma më të moderuara mund ta quajmë koha e “miqve me interesa te përbashkëta”. Duam t’iu kujtojmë se me këto emërime po na prekni drejtpërdrejtë edhe ne studentet ku “profesorët e emëruar” automatikisht do të jenë përgjegjës të lëndëve dhe vlerësuesit e performancës tonë akademike, madje edhe më tepër siç janë komisione të ndryshme si ato të specializimeve dhe dhënieve të titujve në të ardhmen. Për ne është e papranueshme ajo që synon projektligji i ri, sipas të cilit: “Rektori i emëruar përzgjedh dekanët/drejtorët. Dekani/drejtori i emëruar përzgjedh përgjegjësin e departamentit/qendrës së kërkim zhvillimit. Përgjegjësi i departamentit përzgjedh përgjegjësin e njësisë mësimore-kërkimore/ përgjegjësin e shërbimit”. Diktaturë !!! Ku në mënyrën më të turpshme, edhe njëherë tjetër, që nga momenti i krijimit të këtij institucioni dhunohet në mënyrë barbare e drejta dhe e vetmja forcë që studentet kanë, VOTA, duke na shmangur nga vendimmarrja dhe duke deformuar rëndë demokracinë në Universitet! Kjo që këta hartues të këtij projektligji duan të bëjnë, është më tepër se një gabim, ky është një KRIM që po i bëhet sistemit arsimor shëndetësor dhe atij mjekësor Shqiptar duke zëvendësuar si koncept “meritokracinë” me “servilizmin” dhe sahanlëpirjen ndaj eprorit që ka në dorë emërimin. Ne si studentë i lutemi këtij komisioni që ta shqyrtojë këtë projektligj me shumë përgjegjësi dhe maturi, duke respektuar në radhë të parë autonominë universitare dhe dinjitetin e studentëve të këtij Universiteti dhe të shmangë një precedent, jashtëzakonisht negativ që nuk e ka parë historia e pas viteve ‘90 në asnjë Universitet të Shqipërisë. Këtij Bojkoti do t’i bashkohen dhe një pjesë e madhe e pedagogëve tanë. Të reagojmë të gjithë! Disa nga kërkesat që duam të shqyrtohen nga institucionet përkatëse janë si më poshtë. Ajo që ne kërkojmë është:

1-Autonomia Universitare
2-Të pajisemi me diplomat tona, të cilat na mohohen prej një viti, duke na mbajtur me premtime të kota që do zgjidhet ky problem
3-Të mos zëvendësohen të Mandatuarit me të Komanduar: Një e drejtë Demokratike e fituar nga Studentët e Dhjetorit nuk mund të zëvendësohet me emërime
4-Kërkesat klienteliste duhet t’i plotësoni në vende të tjera dhe JO në ambiente edukimi universitar
5-Të shkojmë në Europë me Demokraci dhe Liri Akademike dhe jo me emërime si Venezuela dhe të tjera vende të botës së tretë
Fakti është që Ligji i Arsimit të Lartë do të kalojë për një muaj në Parlament; atëherë pse nxitohet të bëhen ndryshime në Universitetin e Mjekësisë së Tiranës?!
Këto kërkesa ua kemi bërë të ditur: Komisionit për Edukim dhe Mjetet e Informimit Publik; Ministres së Arsimit, Znj. Lindita Nikolla; Rektorit të Universitetit të Mjekësisë dhe Dekanëve të Fakulteteve përkatëse si dhe të gjithë trupës pedagogjike.

Jonel Ngjelina, Senator i vitit 6, Fakulteti i Mjekësisë
Taulant Basha, Kryetar i Këshillit studentor të Fakultetit të Shkencave Mjekësore Teknike

Kërkesat e studentëve
1-Autonomia Universitare
2-Të pajisemi me diplomat tona, të cilat na mohohen prej një viti, duke na mbajtur me premtime të kota që do zgjidhet ky problem
3-Të mos zëvendësohen të Mandatuarit me të Komanduar: Një e drejtë Demokratike e fituar nga Studentët e Dhjetorit nuk mund të zëvendësohet me emërime
4-Kërkesat klienteliste duhet t’i plotësoni në vende të tjera dhe JO në ambiente edukimi universitar
5-Të shkojmë në Europë me Demokraci dhe Liri Akademike dhe jo me emërime si Venezuela dhe të tjera vende të botës së tretë

Prof.dr. Dhori Kule: E drejta zgjedhore nuk mund të cenohet, ndryshe universitetet ndikohen nga politika
Një nga elementët që po hasin më shumë diskutim në grupin e punës të ngritur për reformën në Arsimin e Lartë është pikërisht procedura e emërimit apo ajo e zgjedhjeve të organeve që drejtojnë strukturat e universiteteve. Rektori i Universitetit të Tiranës, prof.dr. Dhori Kule shpreh bindjen se në Shqipëri e ka fituar të drejtën e qytetarisë absolute procedura zgjedhore. Sipas prof Dhorit, ajo nuk mund dhe nuk duhet të cenohet. Për të sqaruar problematikën e cenimit të procedurës zgjedhore, prof Kule citoi modelin e Prishtinës si universiteti që kishte në funksionimin e vet ndikimin e politikës. “Fatmirësisht në Shqipëri Kushtetuta, ndryshe nga vendet e tjera, i ka dhënë autonomi universiteteve dhe procedura zgjedhore e çliron nga ndikimi politik, pavarësisht preferencave politike që mund të kenë individët” shprehet rektori i9 UT-së. Ndërsa porsa i përket trupës zgjedhore, prof. Kule mendon se ajo duhet të jetë gjithëpërfshirëse. “Edhe pse ka mendime që të mos jenë studentët, unë jam i mendimit që studentët duhet të jenë si pjesë e trupës zgjedhore për autoritetet e organeve drejtuese, sepse nuk janë konsumatorë të thjeshtë, studenti nuk është votues i rëndomtë, është një votues përzgjedhës”, shprehet prof. Kule.

Rektori i Universitetit të Mjekësisë, sërish me emërim

“Përsa i përket emërimit të rektorit, natyrshëm, unë nuk jam për emërime drejtuesish. Vetë autoritetet drejtuese duhet të kërkojnë vetëbesimin. Ligji me të vërtetë e parashikon emërimin në një universitet të ri, por në gjykimin tim ajo nuk është strukturë e re, është strukturë që ishte, që funksiononte. Pra zgjedhja në vetvete dhe marrja e votëbesimit është fuqi drejtimi, është fuqi besimi nga ata që ti do të drejtosh” shprehet prof. Kule. Megjithatë, rektori i UT-së dëshiron që në Universitetin e Mjekësisë të funksionojë çdo gjë mirë, pasi sipas tij është universiteti, ku përgatiten specialistë tek të cilët do të trokasim të gjithë.