Tuesday, April 22, 2014

Universiteti-mjekësor



Dokumente: Projekt-ligji për arsimin e lartë, Mars, 2014.

Një ligj për Universitetin Mjekësor


A.Ç, Gazeta Shqiptarja.com, 21 Prill, 2014 “Ndryshojnë kriteret për zgjidhjen e shefave të shërbimeve spitalor”

TIRANE - Ndryshojnë procedurat se si do të zgjidhen shefat e shërbimeve në qendrat spitalore universitare. Ministri i Shëndetësisë, Ilir Beqaj dhe ajo e Arsimit, Lindita Nikolla, kanë shpjeguar në Komisionin e Medias, ku u paraqit projektligji i ri i arsimit të lartë, se pas kaosit që kanë gjetur, tashmë po synohet të futet në hulli edhe kriteret e atyre që do të përzgjidhen në krye të shërbimeve spitalore. Drafti i ri parashikon që tashmë një shërbim i ri nuk do të krijohet vetëm në bazë të numrit të shtretërve, por edhe numrit të operacioneve dhe vizitave. "Është keqkuptuar apo me dëshirë në disa raste abuzohet për faktin pse emërime dhe jo zgjedhje. Sigurisht nuk prekin parimin e zgjedhjeve, padyshim edhe ndryshimet në projektligj. Kjo pra ka të bëjë me një faze tranzitore me përgatitjen e rregullores së zgjedhjeve dhe kalimin në procedura zgjedhore për të gjithë njësitë e reja që krijohen në bazë tëndryshimeve të këtij projektligji. Kushtet e shërbimit në qendrën spitalore “Nënë Tereza” bëjnë që kjo qeveri të mos presë asnjë ditë për të përmirësuar apo ndërhyrë në mënyrë urgjente edhe në këtë fazë tranzitore qoftë në përsosjen e cilësisë në universitetin mjekësor, po ashtu e lidhur ngushtë me cilësinë e shërbimit në qendrën spitalore “Nënë Tereza." tha ministrja Nikolla Ndërkohë ministri i SHëndetësisë Ilir Beqaj ka bërë të ditur po ashtu se nuk bëhet fjalë për ndërprerje të mandateve për të zgjedhurit aktuale, por poer departamentet e reja qe do krijohen. Për herë të parë ministri i Beqaj, ka folur edhe për çështjen e universitetit të mjekësisë, duke e konsideruar atë të nxituar.

Analizë nga TRITAN SHEHU

Panorama, 14 Prill, 2014
Këto ditë do të fillojë diskutimi në komisionet e Kuvendit të projektligjit për disa ndryshime në Ligjin për Arsimin e Lartë, e lidhur kjo vetëm me pjesën mjekësore të tij. Ndodh ky zhvillim mbas rikonsolidimit të mendimit mbi vazhdimin e ekzistencës së Universitetit Mjekësor, element ky pozitiv. Është ky konfirmim që u pasua me emërimin e rektorit të ri, i cili tashmë duhet ta çojë atë institucion ne procesin e brendshëm zgjedhor për atë post.
Për hir të së vërtetës dëshiroj të theksoj se ky proces zgjedhor duhej të ishte realizuar disa muaj përpara, sipas afateve kohore të përcaktuara në vitin 2013. Sistemi ynë universitar nuk ka pse të afektohet dhe të kondicionojë ecurinë e tij nga evenimentet politike në vend, qofshin këto dhe zgjedhje parlamentare. Megjithatë, ky tashmë është një realitet i kryer. Ndërsa e porsafilluar është pikërisht procedura për miratimin e atyre ndryshimeve ligjore të kërkuara nga Këshilli i Ministrave.
Dhe mbi këto unë do të dëshiroja të nxisja një diskutim të domosdoshëm këto ditë nga kolegët, profesorati ynë, drejtuesit e atij Universiteti, fakulteteve të tij, nga të gjithë ata që njohin funksionimin e atij mekanizmi, ku ndërthuret didaktika me klinikën, kërkimin shkencor me organizimin shëndetësor, për të përgatitur specialistë e rrezatuar më tej në tërë shërbimin shëndetësor shqiptar.

Një Universitet Mjekësor dhe Qendra Spitalore Universitare ndryshojnë në shumë kolona nga fakultetet e tjera apo nga spitalet e zakonshme. Në këtë rast janë ndërthurjet e mësipërme midis tyre, të veçanta këto, të komplikuara, por dhe të domosdoshme, që duhet të pasqyrohen qartë e fortë në format e organizimit, kriteret e zgjedhjes së personelit, statutet e tyre, ligjet për ato etj. Dhe pikërisht kjo imponon diskutime të gjera për ndryshimet që propozohen.

Së pari, unë do të mendoja se këto ndryshime nuk ka pse të kryhen kështu me shpejtësi. Ato mund të përgatiteshin qoftë dhe paralelisht me rishikimin e elementeve të ndryshëm të Arsimit të Lartë, pa dyshim e përforcuar kjo me diskutime e ballafaqime midis specialistëve më të mirë të fushës universitare mjekësore.

Së dyti, duke lexuar draftin e ndryshimeve të kërkuara, konstaton se aty kërkohet të ndërhyhet edhe në çështje thelbësore, pa qëndruar vetëm te ndonjë “urgjence”. P.sh., dhe unë këtë e konsideroj pozitive si koncept, kërkohet të kthehemi përsëri të struktura e “departamentit”, siç ka qenë në ligjin e vitit 2007. Por, nga ana tjetër, në këtë rikthim racional, ndoshta nga “nxitimi”, harrohet se kjo është një strukturë që ka ekzistuar pak vite më përpara me modalitet e saj. Këto fillonin që nga mënyra e zgjedhjes nga e gjithë trupa didaktike me votim të fshehtë e drejtuesit, e bazuar kjo mbi kritere profesionale të qarta, konform kërkesave të risive të Bolonjës. Këtu unë dëshiroj të theksoj se në Universitetin Mjekësor në tërësi janë të gjitha konditat dhe kapacitetet që riaktivizimi i drejtë i departamenteve, kurdoherë që të bëhet kjo, të shoqërohet që në fillim dhe menjëherë me zgjedhjen e drejtuesve të tyre dhe jo me emërime, pra jo me cungime të cilësisë e demokracisë universitare.

Në fakt, këto cungime nuk janë vetëm për këtë pjesë, por siç duket, përbëjnë një “nuancë” në këtë projektligj tiparin e tretë të tij. Kjo gjë shprehet dhe në mënyrën e përzgjedhjes së shefave të shërbimeve mjekësore. Në draft mungojnë kriteret për këtë proces, që ishin të vendosura në ligjin ekzistues. Këto dhe mund të përmirësohen, por duhet të vendosen në ligj. Po kështu, projektligji eliminon sanksionimin e të drejtës së aplikimit të lirë të konkurrentëve mbi këto kritere, e drejtë që prej vitesh po aplikohet te ne. Në të vërtetë, ky orientim jo zhvillues spikat dhe në ndryshimet e mëtejshme, që kërkon të bëjë ky draft ligjor. Ai heq gjithashtu dhe komisionet e konkurrimit së bashku me të gjitha proceset e konkurrimit për të gjitha nivelet e drejtimit. Qartësisht, diçka e tillë nuk mund të sjellë asgjë të mirë, përkundrazi. Unë do ta konsideroja këtë një hap të dukshëm prapa për këtë pjesë të sistemit tonë universitar e klinik, qoftë për sa i përket rritjes së cilësisë, lirisë e autonomisë së institucionit.

Dhe jo vetëm kaq, së katërti këto mënyra perceptimi të organizimit të atyre njësive, së bashku me ndryshimet e disa funksioneve të propozuara për ato, i largojnë shërbimet mjekësore në fjalë nga fusha didaktike. Të mos harrojmë se në një qendër universitare-mjekuese kolonat didaktike e ato klinike janë të ndërthurura ngushtë me njëra-tjetrën, lidhja Universitet – Spital Universitar është e pandashme.

Së pesti, janë ndryshimet që i bëhen në projektligj ndërtimit të Bordit të QSUT, që e deformojnë dhe më shumë atë në funksion. Bordi është aktualisht një strukturë qendrore e thelbësore rregulluese për proceset mjekësore, shkencore, përzgjedhjes së drejtuesve të specialiteteve etj., pra edhe të mësimdhënies. Ky Bord sot lë për të dëshiruar në nivelin struktural të tij përballë detyrave komplekse që ka. Jam krejt dakord që kjo duhet përmirësuar. Por fatkeqësisht, modeli i përbërjes strukturale dhe ndryshimi i disa funksioneve të tij të vendosura në këtë projekt nuk e çojnë në drejtimin e duhur. Këto e largojnë nga shtrati i tij universitar e didaktik, pa u përmirësuar qoftë dhe ekspertiza klinike apo shkencore në këtë strukturë. Nga ana tjetër, abrogimi i funksionit përzgjedhës përfundimtar të Bordit ndaj shefave të shërbimeve, zbeh së tepërmi dhe rolin e Ministrisë së Shëndetësisë në Qendrën Universitare Spitalore, duke krijuar kështu një amulli të pakuptimtë. I gjithë ky devijim në ndërtimin e këtij Bordi fryn erë populizmi, e mund të krijojë dëmtime të mëtejshme të veprimtarisë së kësaj Qendre kaq të rëndësishme, të një niveli shumë të lartë mësimor, mjekues, shkencor e organizativ, në rrafsh vendi në tërësi. Një qendër e tillë universitare mund e duhet të ketë dhe struktura të tjera ligjore, të pajtueshme këto për përfaqësime më të gjera, të dobishme, ashtu si mendoj që kërkohet të arrihet.

Për parantezë dua të theksoj me këtë rast se gjithashtu me duket shumë i çuditshëm zëvendësimi i nxituar i emrit të Fondit të Sigurimeve Shëndetësore në atë Bord me një term, që me vështirësi mund të deshifrohet. Të mos harrojmë se ky Fond akoma fatmirësisht vazhdon të ekzistojë me sukses në vendin tonë! (“Sigurimet” nuk janë “herezi”)!!!

Dhe së fundmi dëshiroj të evidentoj veçanërisht një përbërës konkluziv të këtij drafti, pasojë ky e asaj “nuance” shqetësuese që e përshkon atë dokument. Universiteti Mjekësor përbëhet pothuaj krejtësisht nga bashkimi i disa fakulteteve ekzistuese me tradita të shkëlqyera dhjetëravjeçare. Aktualisht aty dhe në strukturat e tij spitalore ka dekanë të zgjedhur me votim të përgjithshëm të fshehtë, shefa shërbimesh mjekësorë e deri të n/drejtorë të QSUT të përzgjedhur mbi bazën e një konkurrimi (pavarësisht nga objeksionet praktike që dikush mund të ketë). Të gjithë këta janë të mbrojtur në ligjin ekzistues. Ndërsa drafti ligjor i propozuar pa bërë asnjë specifikim konfirmon që rektori “përzgjedh” dekanët, ata “përzgjedhin” shefat e departamenteve, të cilët më tej “përzgjedhin” drejtuesit e shërbimeve. Kjo të krijon ndjesinë revolucionare, sikur sot të ishim në “vitin zero”! Nga ana tjetër, në këtë mënyrë hapet rruga ligjore që mund të çojë në një piramidë drejtuese akademike, shkencore, klinike e administrative krejtësisht të emëruar, ndërprerje arbitrare të mandatit te atyre që janë zgjedhur, largim në përgjithësi nga procesi zgjedhor, duke krijuar kështu një precedencë të rrezikshme dhe një goditje për atë institucion, për sistemin universitar në tërësi dhe për vetë procesin tonë të Bolonjës.

Këto ishin arsyet që më shtynë mua të mendoj se do të ishte më dobiprurëse që miratimi i këtij projektligji aktualisht të shtyhej. Ai të realizohej pas një diskutimi të gjerë, profesional, të hapur, gjithëpërfshirës. Kjo gjë mund të bëhet qoftë dhe pa u ndarë ky nga diskutimi e përpunimi i ndryshimeve të mundshme e të përgjithshme në Ligjin për Arsimin e Lartë në tërësi. Pa dyshim kjo në bashkëpunim të ngushtë me specialistë të shquar të strukturave shëndetësore

0 comments:

Post a Comment