Friday, April 25, 2014

Buxheti_arsimi_1995-2011

Buxheti per Arsimin 1995-2011

Financimi i arsimit bën pjesë në “përgjegjësitë e përbashkëta” të qeverisjes vendore dhe asaj qëndrore, për rrjedhojë, edhe fondet për të vijnë nga Buxheti Qëndor, Buxheti Lokal, por edhe nga të ardhura jo buxhetore, si komuniteti i prindërve apo tarifa për shërbime të ndryshme. Megjithatë, burimi kryesor i financimit është Qeveria Qëndrore. Për këtë arsye, fokusi në artikull do të bie mbi analizën e shpenzimeve të Buxhetit të Shtetit për arsimin.
Kur flitet për Buxhetin për Arsimin nënkuptohet, së pari, financimi i katër programeve kryesore: arsimi bazë, i mesëm, universitar dhe prej 2005-s, fonde për shkencën. Dhe së dyti, shpenzime për disa kategori: paga, kontributet përkatëse për sigurime, materiale mësimore, etj, si dhe investime kapitale për të gjitha institucionet arsimore dhe administratën. 
Rëndësia që ka arsimi në zhvillimin e një vendi, bën që buxheti i përcaktuar për të, rrallë herë të kaloj pa debate. Ai është prioritet në hartimin e cdo strategjie, por pa mbështetje të mjaftueshme me fonde, objektivat e vendosur është shumë e vështirë që të arrihen.


Burimi: Banka Botërore, Ministria e Financave, Banka e Shqipërisë
Përpunimi dhe komentet: Open Data Albania

Buxheti i alokuar për arsimin ka qenë përgjithësisht në rritje të vazhdueshme. Aktualisht, shpenzohet pesë herë më shumë se sa në vitin 1995, por vetëm 2.8% të Prodhimit të Brendshëm Bruto (PBB) kundrejt 3.7% në 1995-n. Kthesë e rëndësishmë për buxhetin e arsimit ka shënuar viti 2003, në të cilin ai ishte 25% më i lartë se sa një vit më parë si dhe viti 2007, ku bie në sy dukshëm shkëputja që ka pësuar financimi edhe për vitet në vazhdim. Megjithatë, rritja në vlerë absolute e buxhetit për arsimin nuk përbën shumë interes nëse duam të zbulojmë rëndësinë që i është kushtuar atij ndër vite. Në kushtet kur të ardhurat buxhetore rriten, natyrshëm që edhe fondet për sektorë të ndryshëm, përfshirë këtu edhe arsimin, rriten.
Për këtë arsye, janë analizuar edhe peshat që zë buxheti i arsimit kundrejt Buxhetit total të Shtetit dhe kundrejt PBB-së.

Pesha e buxhetit për arsimin ndaj PBB-së
Përqindja e shpenzimeve publike për arsimin mbi PBB-në është tregues i prioritetit që i jep një vend arsimit në raport me alokimin e gjithë burimeve që ka në dispozicion. Jo të gjitha shpenzimet për arsimin realizohen nëpërmjet një institucioni, psh paratë e shpenzuara për blerjen e teksteve, kostoja e jetesës së studentëve, etj. Pra, një shoqëri nuk shpenzon vetëm paratë e buxhetit për arsim. Megjithatë, këto zëra përjashtohen nga llogaritja e treguesit. Në të janë marrë në shqyrtim vetëm fondet e alokuara nga Buxheti Qëndror.
Pesha ndaj PBB-së ka ardhur në rënie të vazhdueshme nga 5% në vitin 1991, në 3.7% në 1995-n,e  deri në 2.8% në vitin 2002, një periudhë gjatë së cilës domosdoshmëria për fonde ishte shumë e lartë për të mbështetur rritjen e cilësisë dhe riorganizimin e sistemit arsimor. Deri në vitin 2009, pesha ndaj PBB-së ishte mesatarisht 3.2% dhe vetëm në vitin 2010 ajo bie sërisht nën 3%, për tu ulur akoma më shumë në 2011-n në 2.8%. Duhet theksuar se buxheti arsimit ndaj PBB-së ka qenë vazhdimisht më i ulët se mesatarja e vendeve të OECD-së. Kështu, në vitin 2004, mesatarja e OECD-së shënonte 4.5%, ndërsa e Shqipërisë  3,4%. E njëjta situatë edhe në vitin 2007. Mesatarja e vendeve të OECD-së ishte 4.6%, ndërsa e Shqipërisë 3,2%.
Pesha e buxhetit për arsimin në Buxhetin e Shtetit
Përqindja e buxhetit për arsimin kundrejt totalit të shpenzimeve të Buxhetit të Shtetit, flet për rëndësinë që i jep politika qeverisëse në vetvete arsimit. Nga grafiku vërehet se ka pasur shumë oshilacione në këto 16 vjet për “copën e tortës” që i është dhënë arsimit. Edhe ky tregues ka pësuar rënie në periudhën 1995-2001, si pasojë e krizës fiskale në vitet pas ’90-s dhe krizës së përgjithshme pas vitit 1997. Pas kësaj periudhe, Qeveria mori masa për të mbrojtur shpenzimet për arsimin nga luhatjet e të ardhurave fiskale. Dhe në fakt, që prej vitit 2001 vërehet një rritje e zërit të arsimit në Buxhetin e Shtetit. Viti 2003 shënon rritjen më të lartë, duke shkuar nga 11.3% që ishte në 2002-shin, në 15.5%. Ndërkohë që pas vitit 2007, vërehet një stagnacion në nivelin 15%.
Nga shikimi i përgjithshëm i grafikut, interesant është qëndrimi që është vendosur të mbahet ndaj buxhetit të arsimit pas krizës botërore. Ndërsa shumë shtete po i përgjigjen krizës nëpërmjet investimit në kapitalin human, si një mundësi për daljen dhe lehtësimin e pasojave të saj, buxheti i arsimit për vitin 2010 është tkurrur me 3%, krahasuar me vitin 2009. Ndërkohë, edhe pse për vitin 2011 është parashikuar një rritje e fondeve, duhet pritur ecuria e realizimit të të ardhurave në 6 mujorin e parë  për të parë qëndrimin që do mbahet kundrejt shpenzimeve të secilit sektor, përfshi këtu edhe arsimin e nëse ky i fundit do të shoqërohet më ulje të buxhetit.


Dataset-et në format excel : Dataset-et në format XML, N3 :
    Kontribues: Blerta Zilja

    0 comments:

    Post a Comment