Tuesday, April 22, 2014

Politizimi

image

Politika në universitete publike.

(publikuar tek Peizazhe.com, nga autori)

Rektori i Universitetit të Prishtinës dha dorëheqje nën trysninë e revoltave studentore. Në hapësirën shqiptare është hera e parë që studentët të revoltohen ndaj politizimit të drejtuesve në institucionet e arsimit dhe pasojave që kanë sjellë ndërhyrjet mbi cilësinë.

Zakonisht në Shqipëri problemi ka qenë mobilizimi i studentëve për qëllimet politike të dy partive kryesore, derisa të dyja partitë ranë dakord ta depolitizojnë universitetin me ndërhyrjet në ligjin e arsimit të lartë (2007). Në ligj u ndalua angazhimi politik i Këshillave Studentorë (Neni 55) dhe morri fund tradita e pas-dhjetorit të viteve ’90 ku studentët mobilizoheshin në greva urie me porosi të dy kampeve.

Por ndërhyrja e pushtetit politik u përqëndrua në drejtimin e universiteteve publike. Nëse do të bënim një shkrepje të momentit për situatën aktuale në Shqipëri vërejmë se në 14 institucione publike (shih tabelën), vetëm në katër prej tyre nuk mund të evidentohet ndërhyrja politike në zgjedhjen e rektorit apo drejtuesit.

Rektorët janë figura të rëndësishme publike dhe për partitë politike mishërojnë një kapital social që gjeneron vota të konsiderueshme. Por ndërhyrjet politike në zgjedhjen e rektorëve kufizojnë autoritetin dhe kapacitetet e drejtuesve për të drejtuar në mënyrë efikase dhe konform ligjit. Ndërhyrja e politikës krijon varësira, të cilat kushtëzojnë ndjeshëm funksionimin e rektoratit në procedurat e rekrutimit dhe të promovimit të akademikëve (ndikimet joformale në vendimmarrje). Gjithashtu, ndërrimet e pushtetit qëndror politik mund të ndëshkojnë rektorin dhe rrjedhimisht universitetin, duke ja përcjellur koston studentëve.

Nga ana tjetër universiteteve u përshtatet një rektor që ka marrëdhënie positive me qeverinë e që mundëson rritjen e fondeve për investime kapitale (rritjen e hapësirave fizike të universitetit), në burime njerëzore (rritjen e numrit të pedagogëve). Personeli akademik gjendet në një pozicion më të volitshëm nëse ka një rektor të favorizuar nga politika (p.sh. në një qytet bastion të një partie apo të kontestueshëm).

Sidoqoftë, në tërësi ky ndikim nuk ka rezultuar pozitiv, sidomos kur sapo u ndërrua pushteti, disa rektorë, kandidatë për deputetë të PD-së, janë përballur me akuza nga mediat dhe policia.

Më poshtë paraqiten disa prej akuzave ndaj drejtuesve aktualë:

1. U-Elbasanit: Ndjekje penale ndaj Prof. Dr. Liman Varoshit për favorizim të një subjekti në procedurat e prokurimit të shërbimeve jo-akademike.

2. U- Tiranës : Akuza ndaj rektorit Prof. Dr. Dhori Kule nga gazeta Panorama për abuzime me financat e universitetit bazuar mbi raportet e Kontrollit të Lartë të Shtetit. Profesor Hysamedin Feraj akuzon Dhori Kulen për tejkalim kompetencash dhe paaftësi për drejtimin e institucionit, duke vërejtur se shkak për këtë janë edhe lidhjet e tij politike.

3. U - Gjirokastrës: Rektori Prof. Dr. Gëzim Sala është nën hetim për “shpërdorim detyre” dhe “falsfikim dokumentash”, por kjo çështje u pushua më vonë nga prokuroria.

4. U – Vlore: Rektorit Prof. Asoc. Albert Qarri i digjen dy makinat.

5. U- Sporteve: I vidhet zyra, shkak luftërat e brendshme pasi zgjedhja e tij si rektor ishte perceptuar si e paligjshme.

6. U-Arteve: Rektori akuzohet për parregullsi në procedurat e rekrutimit.

7. Akademia e Shkencave: Akuza nga anëtarët Jorgaq Kacani, Dëfrim Shkupi etj. se ish-Kryeministri Berisha ka ndërhyrë në zgjedhjen e tij si kryetar.

8. Në vitin 2012 u ndryshua ligji i arsimit të lartë me nismë të LSI për të lejuar rektorët aktualë të kandidonin një mandate të dytë. Përfituan nga ky ndryshim universitetet e Tiranës, Gjirokastrës, Korçës dhe Elbasanit.

 

 

Universiteti

Rektori/Kryetari

Partia

Funksioni partiak

USH

Artan Haxhi

PD

Kryetar i Bashkisë Shkodër 2003

U-Tiranë

Dhori Kule

PD

Anëtar i Këshillit Kombëtar / Kandidat per Deputet

U-Elbasan

Liman Varoshi

PD

Kandidat për deputet 2013

U – Gjirokastër

Gezim Sala

X

-

U-Durrës

Mit’hat Mema

X

-

U-Vlorë

Albert Qarri

X (LSI?)

-

U-Korçë

Gjergji Mero

PD

Kandidat Kryetar Bashkie – 2013

U-Politeknik

Jorgaq Kacani

X

-

U-Arteve

Petrit Malaj

PS

Anëtar i Asamblesë

U-Mjeksisë

Jera Kruja

PD

Kandidate për deputete

U – Bujqësi

Fatos Harizaj

X

-

U – Sporteve

Vesel Rizvanolli

PD

Anëtar i Këshillit Bashkiak – 2011

Qendra e Studimeve Albanologjike

Ardian Marashi

?

-

Akademia e Shkencave

Myzafer Korkuti

X (PD?)

-

0 comments:

Post a Comment