Friday, April 25, 2014

1946 Sejfulla_Malëshova

 

image

Linndi në Maleshove të Këlcyrës në 2 mars 1900 dhe vdiq në Fier në 9 qershor 1971.

Arsimin fillor e kreu në vendlindje, kurse studimet e mesme i kreu në Itali në kolegjin e Shën Dhimitrit në Korone, atje ku dikur kishte studiuar edhe De Rada. Këtu së bashku me mikun e tij Odhise Paskalin botoi revistën Studenti Shqiptar, në të cilën botoi edhe vjershat e tij te para. Me pas kur do te studioje mjekësi në Romë do të botoje poemën e tij të parë me pseudonimin Kostandini në vitin 1923.

Në 1924 kthehet në Shqipëri dhe emërohet për gjashtë muaj sekretar i kabinetit të kryeministrit Fan Noli. Pas dështimit të Revolucionit të qershorit do të emigrojë.

Në vitin 1926 do të fillojë studimet në universitetin Lemonosov të Moskës për filozofi, studime që do ti përfundoje në vitin 1930. Për tre vjet do të punojë në një uzinë në Kaukaz.

Në vitin 1933 rehabilitohet dhe emërohet pedagog dhe dekan i fakultetit të filozofisë në universitetin Lemonosov.

Në vitin 1934 pranohet në Komintern dhe me këtë detyre vjen në vitin 1941 në Shqipëri dhe behet pjese e Këshillit të përgjithshëm nacional-çlirimtar.

Nga tetori 1944 deri në shkurt 1946 ai është anëtar në Byronë Politike të Partisë Komuniste Shqiptare që ishte organi më i lartë ekzekutiv i saj. (Duro, 2012)

Profesor S. Malëshova ishte i pari intelektual në Shqipëri që parashtroi në përputhje me kushtet e vendit, një projekt konkret për krijimin e një instituti pedagogjik. Më 19 nëntor 1946, ai do t’i paraqiste qeverisë një promemorje, me anën e së cilës argumentonte në mënyrë shteruese nevojën e ngritjes së kësaj hallke mësimore. Në historiografinë shqiptare të periudhës komuniste ky fakt është anashkaluar me qëllim të pastër politik. Pasi jo vetëm tekstet akademike, por edhe ato monografike nuk japin asnjë vlerësim, duke mos e përmendur fare rolin e S. Malëshovës. Pavarësisht se ky institut nuk i gëzonte të gjitha atributet e një shkalle të lartë në kuptimin filozofik të saj, në përgjithësi ai plotësonte disa nga kriteret kryesore, duke i shërbyer zbutjes së kërkesave emergjente që shtronte shkolla për kuadro mësimdhënës. (Duro, 2012, fq. 26).

Në vitin 1945 zgjidhet kryetar i Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve të Shqipërisë (LSHA), kryetari i parë i kësaj organizate.

Në vitin 1946 caktohet Ministër i Arsimit dhe Kulturës në qeverinë e Enver Hoxhës. Po këtë vit botohet edhe vëllimi i tij poetik vjersha me pseudonimin letrar Lame Kodra.

Në 1946 çel Institutin Pedagogjik dy-vjeçar me tre fakultete dhe 70 studentë.

Në shërbim të institutit u vendosën persona që hodhën themelet e arsimit universitar shqiptar. Drejtor i parë i Institutit Pedagogjik Dyvjeçar u caktua prof. Dh. Shuteriqi, i cili mbulonte të gjitha lëndët e letërsisë shqipe e të huaj. Titullarët kryesorë të lëndëve ishin: Prof. S. Malëshova, filozofi, pedagogji e psikologji, Prof. Dh.Xhuvani, gjuhësi, Prof. A. Buda dhe Prof. Sh. Musaraj histori, Prof. P. Geço, gjeografi, Prof. A. Tashko matematikë, Prof. K. Popa, kimi e shkenca të natyrës, Prof. H. Sulçebej, higjenë dhe Prof. L. Shala edukatë fizike. Praktikat mësimore udhëhiqeshin nga pedagogët e lëndës. (Duro, 2012, fq. 28).

Në vitin 1946 për divergjenca të shumta që kishte me Enver Hoxhën në fushat e ekonomisë, kulturës dhe drejtimit të Partisë, përjashtohet nga ajo dhe shkarkohet nga të gjitha funksionet.

Internohet në Fier, ku jeton për 24 vjet, duke punuar si magazinier në ndërmarrjen e grumbullimit. Pas një jetë të vetmuar në 9 qershor 1971, Sejfulla Maleshova u nda nga jeta dhe u varros në varrezat e vjetra të qytetit.

Në vitin 1993 një grup intelektualesh u kujdesen për rivarrimin dhe ceremoninë e munguar për përkthyesin e Internacionales, Getes dhe Nekrasovit, apo poetin rebel siç i pëlqente ta quante veten. 

Burime:

1. Wikipedia (http://sq.wikipedia.org/wiki/Sejfulla_Mal%C3%ABshova)

2. Duro, Çlirim (2012) Historia e Arsimit të Lartë në Shqipëri 1946-1968. Disertacion në Kuadër të Doktoraturës. Marrë nga Baza e të Dhënave në Universitetin e Tiranës (16 Gusht, 2013).

0 comments:

Post a Comment