Wednesday, April 23, 2014

Diskutime-ligji-U-mjekesor


Bajram Hysa, Dekani i Fakultetit të Mjeksisë, Universiteti Mjekësor

Dokumente: Projektligji https://drive.google.com/file/d/0BwhcJg8NxarZbnZNemI5YTJoZTg/edit?usp=sharing

Gazeta Panorama, 23.04.2014
 
Në kuadër të përpjekjeve për të reformuar arsimin e lartë, ditët e fundit MAS dhe MSH kanë përgatitur dhe depozituar pranë Komisionit Parlamentar të Edukimit dhe Mjeteve të Informimit në Kuvend, një dokument në formën e një projektligji të ri për arsimin e lartë, që çuditërisht dhe paradoksalisht prek vetëm Universitetin Mjekësor të Tiranës, duke cenuar rëndë parimet e autonomisë universitare. Ky dokument, midis të tjerash, përmban absurditete të tilla, si: “Rektori i emëruar përzgjedh dekanët/drejtorët. Dekani/drejtori i emëruar përzgjedh përgjegjësin e departamentit/qendrës së kërkim-zhvillimit. Përgjegjësi i departamentit përzgjedh përgjegjësin e njësisë mësimore-kërkimore/përgjegjësin e shërbimit etj.”.

Rama: Reforma në arsim do të bëhet me njerëzit e sistemit


Shumëkush e mban mend se më 8 shkurt 2014, Kryeministri Edi Rama prezantoi piketat ku qeveria do të mbështetet për të realizuar reformën në sistemin e arsimit të lartë, një nga pikat kyçe të programit të “Aleancës së Shqipërisë Europiane”. Gjatë një tryeze të organizuar nga Ministria e Arsimit për reformën në arsimin e lartë, zoti Rama tha se për të kaluar në finalizimin e kësaj reforme duhet të ezaurohen një sërë etapash, në shërbim të një arritjeje me perspektivë afatgjatë. “Megjithëse erdhëm në qeverisje me një plan të qartë për reformimin e sistemit arsimor, nuk jemi ngutur, por kemi kërkuar në radhë të parë të bëjmë bashkë një grup ekspertësh sa më larg llogoreve të politikës, për të hapur një debat për reformën në arsimin e lartë, që duhet të jetë së pari debat i njerëzve të sistemit, i të gjithë atyre që brenda sistemit, nesër do të duhet të jetësojnë reformat”, theksoi Kryeministri. “Vetëm pasi ky debat të shterohet dhe të gjitha konsultimet të kryhen, ne do të ulemi në tavolinën e qeverisë për të vendosur mbi draftin e reformës që do ta përgatisë ky komision dhe me të cilin kemi marrë vendimin të jemi në raport po aq të barabartë sa ç’duhet të jenë edhe aktorët e tjerë, pa ushtruar asnjë imponim dritëshkurtër dhe me qëllime afatshkurtra”. Zoti Rama tha se edhe pasi të jenë konsumuar këto faza, drafti nuk do të kalojë në Parlament pa iu nënshtruar më parë një konsultimi të gjerë, ku do të dëgjohen objeksionet e të gjitha grupeve të interesit. Për Kryeministrin, qeveritë e deritanishme nuk kanë arritur t’i japin drejtimin e duhur sistemit arsimor për ta përputhur atë me sistemet e vendeve përreth apo vendeve të Europës ku duam të integrohemi. Sipas tij, pengesë për arritjen e këtij standardi ka qenë edhe udhëheqja e vendit nga diktati i politikës, prandaj shtroi si domosdoshmëri për përmbushjen e një procesi transformimi, vendosjen e një vije të qartë ndarëse mes sistemit dhe llogoreve të partizanërisë politike, siç u shpreh Kryeministri.
Sipas tij: “Skema e re e financimit duhet të reflektojë një qasje të re mbi autonominë financiare dhe administrative dhe duhet të sigurojë konkurrencën e lirë dhe të drejtë brenda sistemit, pa vendosur asnjë bonus që privilegjon publikun mbi privatin dhe pa lejuar privatin që, të qenit subjekt privat ta kthejë në të qenit organizatë fitimprurëse. Na duhet një reformë që të na japë instrumentet për tregues të matshëm të cilësisë së mësimdhënies, volumit dhe cilësisë së punës shkencore dhe inovacionit brenda sistemit”, tha Kryeministri në tryezën e 8 shkurtit.

Po shkelet Kushtetuta, injorohet Karta e Bolonjës!

Atëherë çfarë po ndodh, zoti Kryeministër?! Ky projektligj, që rikthen diktaturën, është udhërrëfyesi për të arritur praktikat më të mira ndërkombëtare? Kjo është strategjia për rilindjen e arsimit të lartë në Shqipëri? Ky është vizioni afatgjatë që do të përcaktojë rrugën drejt arritjes së qëllimeve në përsosjen e arsimit kombëtar?! Ky s’është veçse një kurth tragjikomik! Është depersonalizim i dukshëm i demokracisë, i autonomisë universitare dhe i standardeve europiane të arritura në sistemin e arsimit të lartë. Legjislacioni arsimor kombëtar duhet të bëhet vetëm sipas Kushtetutës së vendit (neni 100) dhe standardeve ndërkombëtare. Problemet në arsimin e lartë, veçanërisht në Universitetin e Mjekësisë, janë diagnostikuar prej kohësh, ndaj strategjia e re duhej të premtonte të përmirësonte problemet e dukshme. Politikat e arsimit mund të ndërtohen dhe zbatohen vetëm përmes pjesëmarrjes së të gjitha palëve të interesuara (qeverisë, studentëve, institucioneve të arsimit të lartë etj.). Ky duhej të ishte përforcimi bazal që duhej bërë në ligjin e ri. Dokumenti në fjalë duhej të theksonte nevojën për më shumë llogaridhënie dhe transparence, si fusha kryesore të identifikuara që kanë nevojë për përmirësim.

Strategjia kombëtare për arsimin e lartë


Arsimi i lartë dhe kërkimi shkencor në Shqipëri, me gjithë përpjekjet e të paktën 15 viteve të fundit, nuk janë akoma në standardet ndërkombëtare. Ligji i ri për arsimin e lartë (2007) ka qenë një hap i rëndësishëm përpara për përmirësimin e sistemit, por shënoi vetëm fillimin. Politikat për prioritetet strategjike të qeverisë së re duhet të ishin në pajtueshmëri me prirjet kryesore të zhvillimit të arsimit të lartë në Europë dhe në botë, dhe në veçanti, me procesin e Bolonjës; qëllimi i këtyre politikave duhej të ishte përmirësimi i arsimit të lartë, që Shqipëria të zërë vendin që i takon brenda Hapësirës Europiane të Arsimit të Lartë (HEAL). Strategjia duhet të pasqyronte vizionin e Qeverisë për politikat afatmesme dhe afatgjata. Në të duhet të ishin përfshirë sugjerimet e botës akademike dhe të grupeve të interesit brenda vendit, si dhe të ekspertëve dhe zyrtarëve të lartë të Këshillit të Europës. Projektligje të tilla, të përgatitura me inat e ngut, nuk u përgjigjen zhvillimeve të kohës. Duhet të pranohet se specialistët e angazhuar nga zonja ministre e Ministrisë së Arsimit dhe Sportit dhe aq me tepër personalisht ministri i Shëndetësisë (që angazhohet në një proces jo aq të justifikuar), kanë kapacitet të kufizuar analitik për të zhvilluar politikat strategjike për arsimin e lartë dhe kërkimin shkencor. Ndoshta ngaqë nuk e njohin mirë sistemin. Ndryshe nuk ka si shpjegohet përgatitja e një projektligji kaq zhgënjyes, i cili në vend të lirisë akademike, preferon tutelën dhe diktatin, në kushtet kur presim të marrim statusin e vendit kandidat në BE.

Ligji aktual i arsimit të lartë


Pas vendosjes së demokracisë në Shqipëri janë miratuar disa ligje për arsimin e lartë: ligji nr. 7810, “Për arsimin e lartë në Republikën e Shqipërisë”, datë 06.04.1994; ligji nr. 8461, “Për arsimin e lartë në Republikën e Shqipërisë”, datë 25.02.1999; ligji nr. 9120, “Për disa ndryshime në ligjin nr. 8461, datë 25.2.1999, ‘Për arsimin e lartë në Republikën e Shqipërisë’” datë 28.7.2003; ligji nr. 9576, datë 3.07.2006, “Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin nr. 8461, datë 25.02.1999, ‘Për arsimin e lartë në Republikën e Shqipërisë’”. Të gjitha këto ligje u japin më shumë liri akademike, administrative dhe financiare universiteteve dhe garantojnë zgjedhje të lira për stafin drejtues.
Ndër aspektet më të rëndësishme të përmbajtjes së ligjit për arsimin e lartë, ligji i viti 1999, nga i cili në ligjin në fuqi përfshihen mbi 40 nene, mund të veçohen: misioni i formimit të specialistëve të lartë dhe i përgatitjes së shkencëtarëve të rinj, liria akademike në mësimdhënie dhe në kërkimin shkencor. Liria akademike materializohet në respektimin e opinioneve, të ideve e të metodave dhe në garantimin e zhvillimit të lirë, kritik e krijues të mësimdhënies e të kërkimit shkencor, larg çdo ndikimi politik.


Shkollat e larta publike civile janë institucione autonome


Politikëbërësit dhe legjislatorët, përpara se të ndërmarrin iniciativa të tilla, duhet të këshillohen me drejtuesit universitarë, pedagogët dhe studentët, duke respektuar sovranitetin unik të secilit. Duke vepruar në favor të interesave të përbashkëta. Universiteti është institucioni më i përparuar, i cili u paraprin çështjeve demokratike e kombëtare. Ai shtron kritika dhe analiza të paanshme ndaj shoqërisë. Si i tillë, ai duhet të jetë patjetër autonom. Ndër aspektet më të rëndësishme të kësaj autonomie është që personeli akademik ka të drejtë të zgjedhë në mënyrë të pavarur e të zgjidhet në organet drejtuese të shkollës së lartë. Arsimi i lartë, kjo pasuri e madhe kombëtare, duhet të mbështetet në devizën “të mësojmë të ndërmarrim iniciativa”. Ndryshe, fatet e demokracisë nuk mund të jenë të qëndrueshme. Autonomia universitare edhe kështu siç është duket e pamjaftueshme, jo më të rrudhet e zhduket fare.
Rritja e saj duhet të balancohet me më shumë llogaridhënie ndaj faktorëve të jashtëm; me një menaxhim të brendshëm më të mirë dhe më transparent. Ajo duhet të ndihmojë zhvillimin ekonomik të vendit, nëpërmjet njerëzve të kualifikuar dhe njëkohësisht të ndihmojë edhe zhvillimin e rretheve të vendit. Të plotësojë aspiratat e të rinjve për arsimim, duke u siguruar atyre mundësinë e shanseve për të gjithë.
Ndër sfidat më të rëndësishme, për gjithë sistemin e arsimit të lartë, duhet të jenë: përfshirja sa më e shpejtë dhe e suksesshme në ritmet e reformimit të këtij sistemi, sipas modelit të shkollave europiane, duke ndjekur procesin e Bolonjës; përfshirja e tyre në konkurrencën rajonale dhe europiane për cilësinë.

Qëllimi dhe arritjet e Fakultetit të Mjekësisë

Prej 2 vjetësh në drejtimin e Fakultetit të Mjekësisë ka qenë një nga objektivat e mi liria sa më e gjerë akademike, përfshirja aktive e të gjithëve, e Profesoratit të nderuar, e të gjithë trupës pedagogjike, studentëve të të gjitha cikleve, stafit administrativ dhe mbështetës, në vendimmarrje dhe projektet zhvillimore. Qëllimin që Fakulteti i Mjekësisë të shërbejë si një qendër e përhershme e kërkimit shkencor, e formimit mjekësor dhe intelektual, e kemi realizuar bashkërisht, sepse thuajse të gjithë pedagogët janë pjesë e bordeve, komisioneve, këshillave, Redaksisë së Buletinit dhe Këshillit të Fakultetit. Ishin këta profesorë dhe pedagogë të nderuar që më besuan me votë plebishitare drejtimin e Fakultetit të Mjekësisë, me një mandat të qartë – ndryshimin – dhe jam krenar të deklaroj se ndryshimi tashmë ka ndodhur! Kushdo e shikon këtë ndryshim cilësor shumëdimensional sapo kalon pragun e godinës së Fakultetit të Mjekësisë; sapo hyn në Sekretarinë e Dixhitalizuar Mësimore, kur frekuenton mjediset e informatizuara të bibliotekës; sallat bashkëkohore në Godinën e Lëndëve Paraklinike, e mbi të gjitha e ndien në fytyrat dhe sytë e studentëve tanë, të cilët, falë rritjes së bashkëpunimit ndëruniversitar me vendet perëndimore, e gjejnë veten tashmë studentë të Europës.
Sot shoqëria moderne, më shumë se individët, vlerëson programet e tyre. Kjo përbën një sfidë strukturore për institucionet universitare. Programi zhvillimor i Fakultetit të Mjekësisë është përmbushur me kryefjalë cilësinë. Pasurimi, rifreskimi dhe ristrukturimi i kurrikulës universitare mjekësore ka hyrë në rrugë të mbarë dhe ndryshimet janë konkretizuar. Projektet me universitetet e Versajës, Novarës, Romës, Roterdamit, Mynihut etj. kanë mundësuar shkëmbimet universitare të dhjetëra studentëve, mjekëve dhe pedagogëve me standardet e Bashkimit Europian.
Fakulteti i Mjekësisë përpiqet të zbatojë një politikë të përcaktuar mirë, sidomos lidhur me vlerësimin e personelit universitar, me formimin e tyre akademik e pedagogjik dhe me mundësitë e lëvizjes së tyre për specializime të herëpashershme jashtë vendit dhe efektet janë të dukshme. Rreth 150 punime dhe artikuj shkencorë të stafit tonë janë botuar në 75 revista dhe periodikë shkencorë ndërkombëtarë me faktorë impakti. Lajtmotivi ynë shkencor akademik mbetet niveli i lartë cilësor i mësimdhënies dhe kërkimit shkencor dhe transformimi i Fakultetit të Mjekësisë në një qendër akademike ekselence, jo vetëm për Shqipërinë, por për gjithë hapësirën shqipfolëse në Ballkan.


Si dekan i Fakultetit të Mjekësisë, i zgjedhur me votë plebishitare, më vjen sinqerisht keq që projektligje të tilla, në dëm të interesave autentike të dijes, kundër interesave shkencore dhe profesionale, përpiqen të vënë në dyshim parimin fondamental të autonomisë universitare, gjithë aktivitetin autentik të institucioneve të arsimit të lartë, pra edhe të Fakultetit të Mjekësisë.
Duke e vlerësuar aktivitetin e fakultetit tonë si një mision i lartë parësor e fisnik, nuk mund të bëj sehir kur tentohet të shkelet ligji dhe autonomia e tij, pasi kështu ky fakultet dhe institucionet e tjera të arsimit të lartë nuk do të kishin më asnjë rol shoqëror e publik.

Zoti Kryeministër, kam bindjen se nuk do të lejoni që institucionet tona të përfshihen nga konfuzioni dhe të humbasin qëllimin për të cilat janë ngritur, duke funksionuar në mënyrë antiligjore dhe në kundërshtim me parimet europiane të lirisë akademike, të sanksionuara në Kartën e Bolonjës. Projektligje të tilla nuk përfaqësojnë interesat autentike të dijes dhe kërkimit shkencor.

0 comments:

Post a Comment