Friday, October 21, 2016

Viti i ri akademik 2016-17 vjen me pakenaqesi tek studentet

Ivana Dervishi, Tetor 20, 2016. Reporter.al 
http://www.reporter.al/levizja-per-universitetin-viti-i-ri-akademik-nisi-me-kaos-dhe-mungese-transparence/

Lëvizja Për Universitetin: Viti i ri akademik nisi me kaos dhe mungesë transparence

Lëvizja studentore “Për Universitetin” e shënoi ditën e parë të vitit të ri akademik duke denoncuar si të dështuar skemën e regjistrimeve që vazhdon ende, ndërsa Ministria e Arsimit këmbënguli se procesi është bazuar te merita.

Studentët protestojnë gjatë ditë së parë të shkollës | Foto nga : Ivana Dervishi
Studentët protestojnë gjatë ditë së parë të shkollës | Foto nga : Ivana Dervishi
Fillimi i vitit të ri akademik të enjten (20 tetor) pa mijëra studentë që iu kthyen auditorëve të universiteteve në Shqipëri, ndërsa mijëra të tjerë kanë mbetur ende pezull në pritje të përfundimit të skemës së shumëkundërshtuar të pranimeve.
Në një tubim para Korpusit të Universitetit të Tiranës, lëvizja studentore “Për Universitetin” shpalosi banerin “Studim, Revoltë #rezistencavazhdon”.
Lëvizja e quajti këtë “vitin akademik më të çuditshëm dhe më problematik në historinë e Shqipërisë” dhe deklaroi se rezistenca kundër reformës aktuale të arsimit të lartë do të vazhdojë.
“Mijëra studentë janë akoma duke pritur të regjistrohen në universitetet publike. Mijëra kuota të këtyre të fundit janë akoma bosh… Kaosi u ngjiz me udhëzimin nr. 13 të MAS në korrik 2016,” deklaroi Lëvizja për Universitetin.
“Nga njëra anë u futën universitetet private në listën e preferencave të maturantëve dhe nga ana tjetër u ndërtua një skemë e koklavitur aplikimi dhe regjistrimi, efekti imediat i të cilës ishte paniku i maturantëve se do të mbesnin pa shkollë,” shtuan aktivistët.
Lëvizja Për Universitetin e akuzoi qeverinë se ka krijuar panik te maturantët për t’i shtyrë ata drejt universiteteve private ndërsa dënuan mungesën e transprancës nga institucionet publike dhe private të arsimit të lartë për të regjistruarit dhe kuotat e mbetura bosh.
Klaudina Kuçi, 18 vjeçe ndihet e lehtësuar që peripercitë e regjistrimit në universitet morën fund për të në post-raundin e parë të regjistrimeve.
“Skema e pranimit në çastin e parë na bëri të humbim shpresat [se do të pranoheshim në universitet] dhe na krijoi ndjesinë se ishim të pavlerë, ndërsa lodhja e 12 viteve u duk se humbi për një ditë”, tha ajo për BIRN.
“U regjistrova të hënën në universitet dhe sot u ndesha me radhë në sekretari, paqartësi për oraret dhe sallat, si dhe shumë pasiguri për mënyrën se si do të rregullohen punët në vijim”, shtoi Kuçi për BIRN.
Ministria e Arsimit e shtyu afatin e aplikimeve dhe regjistrimeve për fazat e tjera të pranimeve deri më 27 tetor, kohë kur mendohet se do të plotësohen kuotat e mbetura bosh – veprim të cilin Lëvizja Për Universitetin e konsideroi si pranim të dështimit të skemës.
“Sistemi sa vjen e po degradon. Tarifat rriten vit për vit dhe po bëhen të papërballueshme për studentët, duke detyruar disa të ndërpresin studimet që të punojnë,” tha për BIRN Jonis Metaj, aktivist i Lëvizjes dhe student i masterit në fakultetin e inxhinierisë së ndërtimit.
“Studenti shihet si klient pa të drejtë vendimmarrjeje, ndërsa diploma e ka humbur vlerën. Ne kërkojmë një sistem që i mundëson studentit të përqendrohet të mësimet në vend të shqetësimit se ku do t’i gjejë paratë për t’u arsimuar”, përfundoi ai.
Ministrja e Arsimit dhe Sportit Lindita Nikolla mbrojti skemën e ndryshuar të regjistrimeve si “më pranë meritës se vitet e mëparshme”, por pranoi se procesi nuk është perfekt.
“Skema e re e pranimeve në universitet është e duhura. Ju garantoj që në përmbylljen e procesit do të kemi të gjithë raportimet mbi treguesit e përmirësuar dhe dëshmitë që pas ndjekjes me rigorozitet të hapave, gjithçka do të jetë në rregull dhe ata me rezultate më të larta do të regjistrohen në universitet”, deklaroi Nikolla.
Sipas ministres deri tani janë regjistruar 19,165 studentë – 15,022 prej të cilëve në institucione publike.
Lëvizja Për Universitetin e quajti këtë proces si kalvar torturues për studentët dhe u bëri thirrje atyre të bashkohen me përpjekjen saj për ndërtimin e një universiteti publik të ri.
“…Një universiteti ku dyert do të jenë të hapura sipas meritës, arsimimi nuk do të kushtojë para por vetëm përpjekje studentore, studentët dhe pedagogët do të jenë rithemeluesit e universitetit dhe dija do të ketë karakter kritik e universal… duke i shërbyer zhvillimit dhe emancipimit të të gjithë shoqërisë”, deklaroi Lëvizja.
MAS e ndryshoi procesin e pranimeve në universitet në çastin e fundit, duke ndryshuar kështu peshën e lëndëve në fakultetet përkatëse dhe duke krijuar sistemin me faza që favorizoi vetëm maturantët ekselentë.
Ndryshimet u pritën me protesta nga qindra maturantë të shqetësuar që kërkuan rikthimin e sistemit të vjetër ku një maturant shpallej fitues në vetëm një degë.
http://www.reporter.al/levizja-per-universitetin-viti-i-ri-akademik-nisi-me-kaos-dhe-mungese-transparence/ 

Monday, October 17, 2016

Kritika ndaj procesit te promovimit akademik te pedagogeve ne Shqiperi

http://www.panorama.com.al/masivizimi-i-titujve-akademike-perballe-cilesise/

Masivizimi i titujve akademikë përballë cilësisë

Nuk do t’i rikthehesha kësaj teme, por dyndja gjatë vitit të kaluar akademik, që vijon ende, e aplikimeve për gradë a titull më të lartë shkencor për të mos u penguar nga sa parashikon ligji i ri për arsimin e lartë, më shtyn të prononcohem përsëri. Me “dosje” në dorë, një kategori studiuesish janë munduar, jo pa sukses, që “arritjet” e tyre shkencore t’i shesin sa më shtrenjtë ku të munden, në universitetet e Tiranës dhe nëpër rrethet e vendit, duke depërtuar në ato institucione ku kanë njohje, apo atje ku barrierat akademike kanë “rënë” për shkak të ekspertizës së mangët.
Sigurisht, në këtë shkrim dëshiroj të vlerësoj rezultatet e asaj pjese të personelit akademik që ka treguar në vite arritje konkrete në shkencë, me studime të mirëfillta e me vlerë. Janë studiues që meritojnë respektin e tërë shoqërisë, pasi mbi ata mbështetet kërkimi shkencor në vend sot. I kanë fituar gradat e titujt me meritë, me mund e djersë. Por, sot ka edhe departamente, fakultete e universitete që, ndonëse nuk kanë asnjë lloj kërkimi shkencor të organizuar e financuar, te të cilët asnjë minutë nuk i kushtohet kërkimit shkencor, e megjithatë në to gëlon një personel mësimor me tituj të lartë akademikë, pa dyshim një paradoks ky që në njëfarë mënyre zhvleftëson dhe arritjet e atyre që titullin e kanë merituar plotësisht.
Prej shumë vitesh, procesi i kualifikimit shkencor po përballet dukshëm me mediokritetin, fiktivitetin dhe mungesën e vlerave. Ka ardhur koha që kësaj gjendjeje t’i thuhet “stop”! Të mos e gënjejmë më veten me konferenca ndërkombëtare pa nivel të organizuara brenda vendit nga Veriu në Jug, apo me artikuj shkencorë të botuar kundrejt pagesave shpesh të kripura në revista që shfaqen si fantazma online e që zhduken sapo shfaqen, duke u lënë në dorë autorëve një të ashtuquajtur “faktor impakti”, pavar- ësisht nëse punimet e tyre kanë ose jo ndonjë impakt real.
Sikurse ka ardhur koha që të shkëputemi nga kritere “lodhëse” si zhvillimi i leksioneve para komisione profesorësh, që shpesh shndërrohen në formalitete e “qoka” mes kolegësh. Po aq i pakuptimtë dhe pa vlerë është bërë dhe kërkimi i “dëshmitarëve” ndërkombëtarë, duke përzier në punët tona studiues të huaj, që për hir të miqësive apo edhe lidhjeve të krijuara detyrohen, herë me dëshirë e herë pa ditur se çfarë bëjnë, të “certifikojnë” arritjet shkencore të kolegëve të tyre shqiptarë.
Po aq i papranueshëm është bërë edhe “rrëmbimi” brenda një kohe të shkurtër i zinxhirit të titujve shkencorë nga individë që djegin etapat nën hijen e talentit, ndonëse për të demonstruar talentin e profesorit pa dyshim që duhet një periudhë kohe, një nivel maturimi i mjaftueshëm së paku i përvojës pedagogjike. Situata kapërcen madje kufijtë e komedisë kur sheh “studiues” që mburren me dhjetëra artikuj të botuar në pak vite, apo me mësimdhënien e tyre në universitete të huaja vetëm disa pak kilometra përtej kufijve të vendit.
Por jo vetëm kriteret e vendosura nga viti në vit nuk kanë qenë të studiuara mirë. Edhe vetë profesorati shqiptar ka treguar se nuk e ka ndërgjegjësimin dhe aftësitë të vlerë- sojë me objektivitet, ndershmëri dhe në mënyrë të pavarur, jashtë tarafeve e interesave meskine mbi prodhimtarinë dhe vlerat shkencore të studiuesve. Me keqardhje pohoj se, megjithëse e tërë procedura e dhënies së titujve kalon përmes një filtri shumë hallkash, nga departamentet, këshillat e profesorëve, senatet akademike e deri në KVTA (Komisioni i Vlerësimit të Titujve Akademikë), në mjaft raste ajo ka dështuar të jetë efektive. Ndryshe, situata nuk do të kishte “precipituar” deri në këtë nivel.
Prandaj, në prag të fillimit të zbatimit të ligjit të ri mbi arsimin e lartë, për sa i përket kualifikimit shkencor, është momenti për reflektim, për të vlerësuar çfarë është e mirë nga e kaluara dhe çfarë duhet rregulluar për më tej.
Së pari, që të kemi një kualifikim shkencor cilësor e tituj të fituar me meritë, para së gjithash duhet të kemi një kërkim shkencor të organizuar mirë, të mbështetur me strukturat e nevojshme, të financuar duke filluar nga departamenti e deri në nivel kombëtar, me prioritete të qarta në përputhje me interesat e shoqërisë sonë për sot dhe në perspektivë.
Së dyti, duhet që të shkëputemi sa më parë nga format arkaike, parazitare e të ngurtësuara të organizimit apo koordinimit të kërkimit shkencor, të cilave u ka ardhur koha të dalin përfundimisht në rolin e tyre honorifik. Sot i duhet hapur rruga konkurrencës së mendimit dhe garës së ideve, e për këtë e tërë veprimtaria shkencore duhet organizuar dhe koordinuar përmes projekteve, me financime të qarta e transparente dhe rezultate e përfitues konkretë.
Së treti, duhen rishikuar kriteret që lidhen me kualifikimin shkencor, duke hequr dorë nga kritere që nuk mund të plotësohen, apo që lënë shtigje, përmes të cilëve mund të anashkalohen dhe kërkesat më minimale për të merituar një titull shkencor. Koha provoi se vetëm kriteret numerike nuk sjellin cilësi; për të ndryshuar cilë- sisht, indikatorët e nivelit shkencor të veprimtarisë akademike duhet t’i adresohen impaktit të produktit shkencor, sa pranohet ky produkt brenda e jashtë vendit.
Kritere duhet të jenë tejet rigoroze veçanërisht kur bëhet fjalë për fitimin e titullit profesor, si më i larti në hierarkinë akademike. Mbajtësi i tij duhet të dëshmojë për një personalitet të angazhuar për një kohë të gjatë në mënyrë të spikatur në fushën e mësimdhënies, me arritje konkrete në fushën e kërkimit shkencor, të jetë shquar për punime origjinale me vlerë dhe nivel të lartë shkencor të publikuara në revista shkencore prestigjioze të vendit dhe të huaja, monografi dhe libra me përmbajtje akademike, si dhe për një publicistikë të larmishme me ndikim të gjerë në formimin e opinionit publik përmes trajtimit të temave me rëndësi për vendin, rajonin dhe më gjerë.
Së katërti, me ligjin e ri për arsimin e lartë, kompetencat për dhënien e titujve akademikë kalojnë ekskluzivisht tek universitetet, që mund të sjellë probleme për sa i përket unifikimit të tyre në shkallë vendi. Vetëm kriteret, ndonëse unike në shkallë vendi, me pak gjasa mund të sigurojnë barasvlefshmërinë e titujve, pasi vlerësimi i tyre mund të jetë subjektiv nga një universitet në tjetrin; së paku këtë ka treguar përvoja e derisotme. Aq më pak mund ta mundësojë këtë shqyrtimi nga një njësi administrative, e cila mund të verifikojë plotësimin sasior të kritereve, por kurrsesi të gjykojë aspektet cilësore të tyre.
Për të mënjanuar “të çarën” që shkakton ligji i arsimit të lartë për një vlerësim të unifikuar, më duket e udhës që dhënia e titullit, veçanërisht atij “profesor”, të finalizohet me vlerësimin nga juri ekspertësh të organizuara në shkallë kombëtare, të profilizuara sipas gjashtë fushave kryesore të kërkimit shkencor, sipas klasifikimit për to nga “Dokumenti i Fraskatit”. Gjithsesi, cilësi e nivel të lartë shkencor e mundëson para së gjithash një standard moral i lartë, që nuk e pranon fitimin e një grade a titulli shkencor, duke depërtuar drejt “suksesit” përmes rrugëve të tërthorta.
Nëse ky standard mungon, atëherë nuk mund të bëhet fjalë për kërkim shkencor e tituj e grada të fituara me meritë, pavarë- sisht kritereve, komisioneve e jurive, sado të sofistikuara që të jenë ato. Dhe në mbyllje, më duhet të them se nëse nuk do të merren masat e duhura, kualifikimi shkencor fiktiv e pa nivel do të godasë dhe rigodasë bashkësinë shkencore dhe do ta degradojë atë më tej, ndërsa shoqëria do të vuajë pasojat e shumëfishuara nga një proces që do të vazhdojë të prodhojë vetëm mediokritet shkencor e intelektual, duke u shtrirë si një ortek edhe te brezi i ri.
http://www.panorama.com.al/masivizimi-i-titujve-akademike-perballe-cilesise/