Tuesday, September 8, 2015

Letër e hapur nga një aplikant pune në Agjencinë e Akreditimit

 

Edmond Çata, pedagog i jashtëm në Universitetin e Durrësit, ka aplikuar për një vend pune si specialist pranë Agjencisë Publike të Akreditimit të Arsimit të Lartë. Zotit Çata (PhD.) i është refuzuar aplikimi për arsye jo transparente. Për këtë zoti Çata ka publikuar një letër të hapur për ministren e arsimit znj. L. Nikolla.

Më poshtë letra e tij me disa shkurtime. Letrën e poshtë e gjeni të botuar tek Gazeta Dita, 8 qershor 2015 dhe këtu: xxxx.

Kjo letër denoncon publikisht Agjencinë e Vlerësimit dhe Akreditimit, e drejtuar nga Dhurata Bozo, dhe nën varësinë tuaj direkte. Në bisedën tonë telefonike datë 3 Shtator 2015, ju më thatë tju dërgoja një letër. Unë letrën po ua dërgoj, por PUBLIKISHT! Për tre arsye: prej rëndësisë që i keni dhënë ju si Ministre, bashkë me Kryeministrin Rama, akreditimit; prej rëndësisë që ka për reformën Agjencia e Akreditimit; dhe, prej faktit që kjo agjenci varet direkt prej jush. Shtysë për këtë letër janë praktikat e rekrutimit të Agjencisë.

….

Në Buletinin e Prokurimeve Publike, Nr. 9, datë 9 Mars 2015, faqe 380-383, Agjencia shpalli rekrutim për dy specialistë “për Promocionin dhe Vlerësimin e Cilësisë” më kritere arsim i lartë, 3 vjet punë, njohuri në anglisht, legjislacionin mbi arsimin, dhe akreditimin, aftësi të shkruari dhe aftësi të punuarit në grup. Aplikimet kërkohej të paraqiteshin brënda datës 16 mars 2015. Ndaj në 15 Mars unë paraqita dosjen time e cila përmbante: CV-në, Diplomat me Notat në PhD, Master, dhe Bachelor, eksperiencën time të punës, si dhe një listë me artikuj të mi për çështjet e reformës, universiteve, dhe arsimit të lartë në Shqipëri.

Ajo që ka ndodhur nga Prill deri në Shtator minimalisht mund të quhet tallje, ndërsa në një vlerësim më radikal, mund të konsiderohet një praktikë e dyshimtë dhe e ndëshkueshme. Deri në mes të Prillit, 4 javë pas aplikimit, agjencia nuk u bë e gjallë të njoftonte si po procedonte. Dy herë tentova të merrja vesh çpo ndodhte, duke shkuar vetë në Agjenci. Në zyrat e saj askush nuk jepte sqarim as për aplikimin, as për vetë Drejtoren Dhurata Bozo. Të cilën sa herë kam shkuar, asnjëherë nuk e kam gjetur në zyrë.

Agjencia u bë “e gjallë” vetëm në datë 22 Prill me një telefonate në numrin 224-3423. Por telefonata kishte dy paradokse: 1) me personin dhe 2) logjikën që përçonte në emër të Agjencisë. Telefonuesja, kur e pyeta me ç’kapacitet më fliste, më tha…  se procesi është anulluar sepse vetëm ti ke paraqitur aplikim! “Anullim?” ia ktheva i çuditur! I bie të jem fitues direkt! Jo vetëm si kandidat i vetëm por edhe sepse përmbush dhe tejkaloj gjithë kriteret. … Me këtë logjikë, në 27 Prill 2015 Agjencia e Akreditimit përsëriti shpalljen, me të njëjtat kritere, në Buletinin e Prokurimeve Publike, Nr. 16, faqe 573-574.

Si një njeri i cili ka shkruar që nga viti 2002 mbi 30 artikuj për reformimin e Arsimit të Lartë dhe Universiteteve shqiptare; si një njeri direkt i interesuar për rezultatet e reformës suaj, padyshim që kam ndjekur me vëmëndje çdo veprim apo mosveprim tuajin në arsimin e lartë dhe ndaj universiteteve; kam ndjekur me vëmëndje çdo premtim të tuajin, çdo mënyrë që ju shpallni se do të ndiqni në kryerjen e reformës, dhe çdo hap që ju si qeveri keni hedhur konkretisht deri tani. Por cilësinë dhe rezultatet e reformës suaj unë nuk i “mas” me deklaratat që bëni ju; Nuk i mas as me të treguarit se sa të fortë jeni ju dhe argumentet tuaj në debatet me përfaqësuesit e universiteteve. Cilësinë dhe progresin e reformës suaj unë i “mas” me “fatin” tim: Sa do të ndryshojë ai nga një person i papunë, në një person ju do ti lejoni të japë kontributin e tij në universitetet apo agjencitë qeveritare që operojnë në fushën e arsimit të lartë. Ju nuk mundeni që në njërën anë të bëni deklarata në publik të tipit “do të bëjmë këtë, e do të bëjmë atë”- që po ti marrësh ashtu siç bëhen do ti binte që unë të mos kisha mbetur sot i papunë – dhe nga ana tjetër, në sjelljen tuaj në realitetin praktik, të silleni krejt kundër nga sa thoni në deklaratat tuaja! Ndaj meqë “zyrtarisht” më kërkove të të dërgoja më postë një “letër zyrtare” por praktikisht as nuk dëshëroja të dëgjoje atë çfarë unë kisha për të të thënë, letrën time po ua dërgoj PUBLIKISHT! Në këtë letër, përveç informacionit që ka të bëjë specifikisht me Agjencinë e Akreditimit po ju kumtoj edhe disa gjëra që ju si Ministre nuk treguat ndonjë dëshirë për ti dëgjuar.

Agjencia që ju keni aktualisht, çdo gjë mund të konsiderohet por vetëm një instrument efikas nuk mund të quhet. Që nga drejtoresha e deri tek “specialistët” që e popullojnë atë mund të thuhet se kanë bërë pallë me paratë e taksapaguesve por vetëm për rezultate nuk mund të pretendojnë. Ca më pak mund të pretendojë vetë Drejtorja e agjencisë, apo ju si Ministre, se agjencia ka qënë ndihmuese e fuqishme në reformën tuaj! Kush thotë të kundërtën gënjen! Kush thotë se agjencia ka bërë punën e vet, nuk dëshëron të shohë të vërtetën në sy: Që tregu akademik është mbushur me universitete që kanë programe skandaloze dhe profesorat pa një historik, axhendë, dhe interes specifik në kërkimin shkencor! Agjencia aktuale e Akreditimit, të cilën ju e keni në varësi, është e populluar jo me profesionistë por me klientë; është e populluar jo me njerëz të ditur dhe eksperiencë mësimdhënëse, drejtuese, kërkimore në akademi por me djem dhe vajza të miqve partiakë apo familjarë; është e populluar jo me njerëz që kanë doktorata por me “bachelorista” dhe “masterista” të fituar universiteteve shqiptare; është e populluar jo me njerëz me eksperiencë dhe doktorata serioze nga nga universitete serioze por me njerëz me eksperiencë dhe doktorata “leshi”! Mjafton të verifikoni CV-të dhe eksperiencën e tyre jetësore, profesionale, akademike, dhe pastaj dilni dhe i thoni publikut dhe mua që këto që them në këto rreshta nuk janë të vërteta!

Që Agjencia e Akreditimit ka nevojë të reformohet, të ndryshojë drejtor, të popullohet me staf cilësor, kjo nuk ka pikë dyshimi. Ky imperativ konfirmohet nga dy fakte: 1) rezultatet e munguara të Agjencisë dhe 2) thirrja nga ju e Agjencisë Angleze të Akreditimit. Agjencia shqiptare e Akreditimit nuk është krijuar sot, ajo ka qënë edhe në kohë e dyshes Berisha-Tafaj. Por kur ju flisni për universitete, standarte, dhe cilësi të DYSHUESHME kjo tregon që kjo Agjenci, kështu siç është aktualisht, me këtë drejtore, staf, dhe mendësi, KA DËSHTUAR të kryejë misionin dhe detyrën për të cilën taksapaguesit shqiptarë e paguajnë dhe e mbajnë në këmbë: Agjencia ka dështuar të vlerësojë dhe akreditojë tamam, realisht, vërtetësisht universitetet shqiptare, programet e tyre, cilësinë dhe kredibilitetin e profesoratit të tyre! Agjencia ka dështuar të vërë gishtin dhe tregojë cilat universitete shqiptare nuk vlejnë dhe cilat universitete vlejnë dhe sa vlejnë. Është pikërisht mungesa e rezultateve konkrete arsyeja përse sot ne kemi universitete që, siç keni deklaruar ju dhe kryeministri Rama, kanë programe, kanë profesorat, dhe lëshojnë diploma, por diplomave të tyre nuk mund tju zihet besë, profesoratit i mungon kërkimi shkencor, dhe vetë qeveria nuk mund ti drejtohet asnjë universiteti për ndihmë konkrete apo know-how për çështje të qeverisjes së këtij vendi! Po ashtu, thirrja dhe pagimi nga ana juaj i Agjencisë Britanike të Akreditimit është treguesi tjetër i dështimit të Agjencisë Shqiptare të Akreditimit. Përse do të duhej që qeveria shqiptare të punësonte një agjenci të huaj akreditimi kur ajo ka një agjenci të vetën dhe paguan për mbajtjen e saj? Shpjegimi mund të ish vetëm një: Agjencia ose ka dështuar, ose nuk është në gjëndje, pra nuk ka KAPACITETE dhe KNOW-HOW të kryejë akreditimin e universiteteve shqiptare! Ndonëse ky është misioni dhe puna për të cilën mbahet në këmbë dhe paguhet me paratë e taksapaguesve shqiptarë!!!!

Gjëja e dytë që duaj tju kujtoj ka të bëjë me qëndrimin tuaj ndaj njerzve si puna ime, me kualifikime mëse të vlefshme si për universitetet, ashtu edhe për qeverinë shqiptare dhe agjencitë e saj. Në disa raste kryeministri Rama nuk ka munguar të shprehë “interesin” për kontributin e atyre shqiptarëve që kanë studiuar jashtë. Unë jam një ndër ta, i kthyer në Shqipëri në 2009, por që ka mbetur jo vetëm i papunë, por edhe është përballur me refuzimin tuaj për të më bërë pjesë të përpjekjeve tuaja në procesin reformues të arsimit të lartë dhe universiteteve shqiptare. Nëse kjo është filozofia juaj reale, përtej llafeve të bukura që artikuloni konferencave madhështore punë për ju kjo! Dhe mbase mendoni se e keni edhe luksin për të mënjanuar dhe mos angazhuar njerëz si unë! Por luksi juaj po shëndrrohet në mizerje po të shohim faktet dhe realitetin e reformës në arsimin e lartë!

Kjo mospërfillje e juaj, ky hendek i madh i veprave tuaja në raport me deklaratat që keni bërë, duket në dy drejtime. Së pari duket në paaftësinë tuaj për të na hapur njerzve si unë rrugët dhe dyert e universiteteve shqiptare. Është pikërisht kjo gjë që nuk e bën fare të çuditshme zbythjen tuaj në raste si ai i debatit tuaj me titullarë të universiteteve, specifikisht, rasti me rektorin mediokër të Universitetit Aleksandër Moisiu Durrës, Mithat Mema, një njeri të katapultuar aty nga Myqerem tafaj. Zbythje e juaj, sepse nuk ka se si të ndodhë ndryshe kur vihesh të mbrosh një kauzë që nuk është kauzë; kur vihesh në mbrojtje të njerzve të currufjapsur si ai dekani i UAMD-së që ju kërkonit ta rivendosnit në detyrë; kur në vënd të merreni me dhe tu jepni fund luftërat meskine për pushtet qqë ndodhin brënda universiteteve shqiptare mes forfesorëfve të rreështuar në klane, ju bëheni palë me njërën palë kundër tjetrës.

Në ndërtesën që quhet Ministria e Arsimit dhe Shkencës kanë hyrë dhe kanë dalë si ministra shumë emra. Të pyesësh shqiptarët në mbajnë mënd emrin e ndonjërit prej tyre, vështirë se do të kujtojnë ndonjë. Kjo sepse ata që janë bërë ministra, kanë hyrë në atë Ministrinë e Arsimit jo për të bërë një gjë për arsimin shqiptar që vërtet të mbahen mënd edhe pasi të mos jenë më ministra, por për ti shërbyer partisë dhe interesave klienteliste. Ndaj kanë hyrë dhe ulur në zyrën e Ministrit si ministri i rradhës, kanë “sunduar” stafin e Ministrisë, kanë kënaqur egoizmin e tyre sipas logjikës “hej, jam Ministri unë,” janë sjellë si Ministra tepër të “zënë,” të pakapshëm, të padisponueshëm, për njerzit! Kur nuk kanë qënë më ministra, janë harruar që ditën e nesërme! Ose janë edhe për ndjekje neale – ju parardhësin tuaj e keni paditur edhe penalisht, apo jo?!?!? Ka ndodhur kështu sepse asnjëri prej tyre kur ka hyrë në Ministrinë e Arsimit as ka patur ndonjë vizion për arsimin, as ka patur njohuri të mjaftueshme për çështje të arsimit, as ka deshur të bëjë vërtet diçka për të mbetur, dhe as ka bëri realisht ndonjë gjë për njerzit, shoqërinë, vetë arsimin! Madje edhe nëse mbahet mënd ndonjë emër, mbahet mënd për idiotësi ose pazarllëqe!

Cili do të rezultojë i vërtëtë, pretendimi juaj për kontribut, apo supozimi im dyshues, mbetet për tu parë, ditët e provës përpara i kemi! Por siç thonrë një fjalë e urtë, “dielli duket që me mëngjez”. Dhe deri tani, në dy vjetët e qeverisjes tuaj, nuk po duket kurfarrë dielli por vetëm llafe! Kështu si e keni nisur dhe po vazhdoni, e keni te garantuar që sado të qëndroni si ministre, do të përfundoni njësoj si të gjithë paraardhësit tuaj të djathtë apo të majtë! Ndryshimi është në dorën tuaj. Një rast për ta treguar këtë e keni jo vetëm me mua si person, por edhe me Agjencinë e Akreditimit.