Thursday, April 9, 2015

Mazniku, zv/Minister i përgjigjet Prof. Fugës

ARBJAN MAZNIKU

Panorama, 9 Prill 2015 (http://www.panorama.com.al/replike-me-profesor-fugen/)

Shkrimi i Prof. Artan Fuges tek Panorama – kliko ketu

Lexova me vëmendje dhe respekt një shkrim të profesor Artan Fugës, postuar në “Facebook”-un e tij, e botuar më pas nga gazeta “RD” dhe të tjera syresh. U pezmatova nga gjuha dhe logjika, ndaj u shtyva të shkruaj këta rreshta.


Profesorit ose i ka marrë koka erë, ose kemi të bëjmë me një rast të rëndë të pandershmërisë akademike. E them këtë të dytën, pasi shkruan në tekst (siç do të argumentoj pikë për pikë më poshtë) që disa gjëra në ligj nuk janë. Ndërkohë që janë të shkruara e zeza mbi të bardhë, të qarta, eksplicite, pa keqkuptime. Mund të jetë që profesori nuk e ka lexuar hiç ligjin dhe flet mbi opinione, fjalë të dëgjuara aty-këtu. Në këtë rast do të ishte shumë e dhimbshme për mua të pranoja që një profesor i nderuar ia lejon vetes që të shprehet e të dezinformojë njerëz që i besojnë atij dhe titullit që ka, pa e pasur bërë siç duhet detyrën e akademikut. Të jetë informuar në detaj, të ketë peshuar vlerën e secilit argument e më pas të shprehë mendimin e tij mbi çështjen. Nuk do të shqetësohesha e as nuk do shkruaja nëse thjesht gjykimet e profesor Fugës do të binin ndesh me tonat. Jetojmë në një vend të lirë dhe të menduarit ndryshe është një vlerë për shoqërinë.
Por të thuash të pavërteta të provueshme është keqpërdorimi më i madh që mund t’u bëhet vlerave akademike. Për këtë dhe për respektin që kam për profesor Fugën, shpresoj shumë të jetë rasti i parë, ai i marrjes koka erë. Shpresoj që nën shtytjen e emocioneve, inateve apo keqinformimit të jetë nxituar e të ketë shkruar gjëra pa i peshuar siç duhet. Kësaj i gjendet dermani. Koha provon të kundërtat e qartëson dhe qetëson gjërat. E kundërta do të qe vërtet e dhimbshme e do të ngrinte pikëpyetje më të mëdha.
Po merrem më poshtë me pikat që ngre profesori për të argumentuar sa më lart.
Në pikën 1 thotë “Ekzistenca e disa agjencive shtetërore, që do të kenë në dorë të gjitha vendimmarrjet përfundimtare”.


Është një argument i pavërtetë. Agjencitë janë tashmë, funksionojnë dhe bëjnë funksione të ngjashme. Më poshtë secila e shpjeguar; APAAL – Agjencia e Akreditimit është aty, dhe në modelin e agjencive simotra merr përtej funksionit të akreditimit një funksion më të gjerë; atë të sigurimit të cilësisë në arsimin e lartë. Nga një strukturë sugjeruese siç është tani, ku vendimet e bordit ishin sugjerime për ministrin, ajo kthehet në një agjenci vërtet të pavarur, me vendimmarrje sovrane. Pra, vendimet e bordit të akreditimit tani janë përfundimtare, jo sugjerime për ministrin, siç është në ligjin ekzistues. Zgjerim autonomie, pavarësi nga Ministria, liri për sistemin. Neni 14, pika 2 thotë: Bordi merr vendimin përfundimtar mbi akreditimin e institucioneve të arsimit të lartë dhe programeve që ato ofrojnë.


QSHA, Qendra e Shërbimeve Arsimore, është evoluimi i Agjencisë Kombëtare të Provimeve. Lehtëson procesin e aplikimit për studentët, mban regjistrin kombëtar të studentëve, i informon në mënyrë të sintetizuar për programet që ofrohen, organizon maturën – siç bën dhe tani, organizon provimet e shtetit, siç bën edhe tani. Një qendër shërbimi që ka për synim t’u lehtësojë jetën nxënësve dhe studentëve, duke i mbledhur shërbimet qeveritare në një pikë të vetme, të thjeshtë dhe transparente. Si Qendër shërbimesh nuk ka asnjë funksion vendimmarrës, ndaj dhe nuk ka si të jetë në fokusin e shqetësimit të përqendrimit të pushtetit.


Agjencia Kombëtare e Kërkimit Shkencor dhe Inovacionit (AKKSHI) është evoluim i Agjencisë së Kërkimit, Teknologjisë dhe Inovacionit (AKTI), e cila, siç dhe shprehet qartë në pikën 1 të nenit 11 “ka për detyrë kryesore shpërndarjen e fondeve për programet e kërkimit shkencor mbi bazën e projekteve të paraqitura prej institucioneve të arsimit të lartë dhe institucioneve të kërkimit shkencor në fushat e shkencave natyrore, inxhinierike dhe teknologjike, mjekësore, bujqësore, sociale dhe humane”. Një funksion i ri, që deri më tani nuk kryhej nga askush, pasi nuk kishte fonde të dedikuara për kërkimin shkencor në universitete. Këtu nuk ka përqendrim; ka krijim mundësish të reja për kërkimin shkencor.


Agjencia Kombëtare e Financimit të Arsimit të Lartë (AKFAL), siç parashikohet në nenin 10 të ligjit “ka për detyrë kryesore shpërndarjen e fondeve publike për mbështetjen e veprimtarisë së institucioneve publike të arsimit të lartë; mbështetjen me bursa studimi për studentët e shkëlqyer me notë mesatare maksimale nga sistemi i arsimit të mesëm të lartë, studentët në programet e studimit në fusha prioritare dhe studentët nga shtresa sociale në nevojë; si dhe garantimin e skemës së kredive studentore”.


Ndërkohë që në pikën e tij 12, profesori shkruan “Nuk specifikohet se cila është instanca që shpërndan grantin për fusha të ndryshme të shkencës, mësimdhënies, kërkim-zhvillimit”. Me sa duket, profesorit i kanë shkarë pa lexuar nenet 10 e 11 të ligjit.


Në pikën 2, profesori thotë – Njohja nga ligji e disa tipologjive të institucioneve të arsimit publik si universitetet, akademitë, kolegjet universitare dhe kolegjet profesionale, krejt të paspecifikuara për legjitimitetin dhe dobinë e tyre; – Neni 17- deri në nenin 20 shpjegojnë me detaje se si dhe pse janë të organizuara institucionet në këto forma. Kjo sjell jo vetëm fleksibilitet, por edhe një mundësi që institucionet sipas formës të kenë profile të ndryshme, por edhe standarde përkatëse. Që të mos kthehemi aty ku e gjetëm situatën, ku diplomat shkëmbeheshin me tallash, por edhe për të siguruar fleksibilitet, 4 format e organizimit janë produkt i eksperiencës më të mirë ndërkombëtare, por edhe i historikut institucional në vend.
Në pikën 3, profesori flet për organizimin e brendshëm të IAL-eve. Këtu ligji sjell disa ndryshime të mëdha, duke e çuar fuqinë vendimmarrëse drejt departamentit, siç dhe është kërkuar prej shumë vitesh nga shumica e stafeve akademike. Për më shumë i është lënë një liri e madhe vetë IAL-eve, që nëpërmjet statuteve të tyre të vetërregullojnë funksionimin e brendshëm. Vetëm korniza organizative vendoset në ligj dhe për këtë janë përdorur modelet më avangardë të organizimit të brendshëm të IAL-eve. Fuqi në departament, më pranë studentit, më pranë lektorit të thjeshtë. Kjo mund të mos u pëlqejë shumë shefave, por siç thotë me të drejtë profesori “që nga 4 korriku i 1789-s, pushteti i tyre buron nga poshtë, jo nga statusi i privilegjuar”.
Në pikën 4 flet për pabarazi diskriminuese midis IAL-eve private dhe atyre publike. E kundërta është e vërtetë. Ligji sjell një standardizim funksional midis institucioneve. Shumë nga kritikët janë shprehur që nuk shohin shumë rregullime për IAL-e jopublike. Kjo pasi, për ta, përveç pak rasteve kur është parashikuar ndryshe, vlejnë të njëjtat rregulla si për ato publike. Kjo është ndërtuar nën frymën se shteti duhet t’i garantojë qytetarët për cilësinë e shërbimit të ofruar, pavarësisht se kush është ofruesi. Veçanërisht në ofrimin e një të mire publike, siç është arsimi i lartë.
Në pikën 5 atakon “dyzimin” mes trupës akademike dhe asaj administrative në IAL. Ndërkohë që reforma synon të fokusojë akademikët në punën e tyre akademike dhe t’i mbështesë me administratorë të specializuar për të kryer detyrat menaxheriale. Nuk gjej dot asnjë arsye të mirë pse një akademik nuk do donte të fokusohej në punën akademike dhe t’ia linte punët administrative dikujt të profilizuar në atë fushë. Ky për shumë është një njeri që vetëm zbaton një projektbuxhet, që është ndërtuar nga vetë departamentet dhe që propozohet nga senati akademik, siç thotë dhe neni 48, pika 1, paragrafi c).
Me tej, neni 37 i ligjit, ndryshe nga sa thotë profesori, ka plot 15 pika që janë përgjegjësi e senatit, të plota të qarta. Në ligj është trupëzuar bindja që senati akademik është shpirti dhe mendja e universitetit, madje pika gj) e këtij neni i njeh të drejtën senatit për të përzgjedhur përfaqësuesit e tij në Bordin e Administrimit. Madje, përfaqësuesit e senatit mundet në plot raste të përbëjnë shumicën e anëtarëve të Bordit të Administrimit. Ky nuk është një model që kemi shpikur ne. Është skema e shumicës së modeleve qeverisëse të universiteteve në vendet e zhvilluara. Madje, në më shumë se 24 modele me drejtim dual që kemi parë, përfaqësuesit e senatit nuk janë asnjë rast kaq shumë të përfaqësuar në bordet e administrimit.
Në pikën 6 thotë që “fut ndërhyrjen vendosëse të ministrit të Arsimit në rregulloret e brendshme”. E pavërtetë. E kundërta është e vërtetë. Ligji i jep fund morisë së udhëzimeve që dilnin nga Ministria e Arsimit dhe i jep liri vetë IAL-eve për t’u rregulluar. Pikat c) dhe d) të nenit 37 thonë se senati akademik “c) Miraton statutin e institucionit të arsimit të lartë me dy të tretat e votave të anëtarëve të tij, pasi të jetë marrë miratimi paraprak i Bordit të Administrimit; d) Miraton rregulloret e institucionit dhe aktet e tjera sipas përcaktimeve të bëra në statut;
Do t’i kenë shkarë edhe këto pika profesorit.
Në pikën 7 profesori thotë “Po ashtu nuk tregohet se kush vendos për numrin e studentëve të pranuar, mbi kuotat e vendeve të punës të hapura për pedagogë, mbi çfarë kriteresh bëhen pranimet pas përfundimit të studimeve në shkollën e mesme, kush përcakton çmimet e regjistrimit, dhe a i përdor dot apo jo universiteti fondet nga pagesat për regjistrim etj.”
Përgjigjja për këtë është në nenin 24, të quajtur Departamenti, i cili thotë “Departamenti propozon programet e studimit, si dhe numrin e studentëve për çdo program, në përputhje me kapacitetet akademike dhe infrastrukturore të tij, sipas standardeve të cilësisë.
Departamenti propozon kriteret e pranimit të studentëve për secilin program studimi, në përputhje me përcaktimet e këtij ligji dhe të akteve nënligjore. Departamenti përzgjedh studentët fitues, të cilët miratohen nga drejtuesi i njësisë kryesore, sipas procedurave të përcaktuara në statutin dhe rregulloret e institucionit të arsimit të lartë.”
Ndërsa për stafin akademik, së pari neni 3, pika 4, paragrafi ç) thotë “Autonomia organizative dhe e përzgjedhjes së personelit garantohet nëpërmjet së drejtës për të caktuar në mënyrë të pavarur numrin e personelit, kriteret dhe procedurat e përzgjedhjes së tij, si dhe për të përcaktuar pagat e personelit, në përputhje me formën e institucionit”. Ndërsa neni 63 shprehet: “Kriteret e punësimit të personelit akademik me kohë të plotë përcaktohen nga njësia bazë, bazuar në nevojat e kësaj të fundit, dhe miratohen nga rektori”.
Pra, ndryshe nga sa thotë profesori, në ligj “tregohet”, madje qartë, pa keqkuptime. E për më shumë, ndryshe nga siç ndodh tani, ku të dyja këto vendimmarrje janë të përqendruara në MAS, ligji i ri ua delegon këtë tagër vetë IAL-së. Vetëm përqendrim nuk ka këtu.
Në pikën 8 flitet për kufizim të mekanizmave ekonomikë. Këtu ka një keqkuptim të përgjithshëm, ku kërkohet që ligji të lejojë gjëra. Ndërkohë që, si parim, çdo gjë që nuk ndalohet nga ligji, lejohet. Por, përveç këtij parimi të përgjithshëm, ka disa çështje që pasi i ndalohen nga ligje a dispozita të tjera të përgjithshme, ky ligj i lejon për IAL-et posaçërisht.
Për shembull, profesori thotë në këtë pikë “Ka të drejtë universiteti publik të marrë hua në banka brenda dhe jashtë vendit? Asgjë nuk thuhet”; Ndërkohë që neni 113 i ligjit thotë “Institucionet publike të arsimit të lartë kanë të drejtën e marrjes së kredive për zhvillimin e tyre institucional dhe infrastrukturor.” Pra, thuhet qartë. Por ndoshta profesori nuk ka mbërritur ende te neni 113.
Pika 9 thotë se ligji pengon rinovimin e programeve mësimore. E kundërta është e vërtetë. Për rinovimin e programeve mësimore në ligjin ekzistues duhet marrë gjithmonë miratimi i MAS dhe APAAL, ndërkohë që në ligjin e ri ky rinovim deri në masën 20% mund të bëhet nga vetë IAL dhe vetëm të informohet MAS. Një risi në lirinë për universitetet.
Pika 10 dhe 11 flasin për dhënien e titujve. Një tjetër risi e madhe e ligjit, pasi ishim i vetmi vend në Europë që e kishim ende të përqendruar në Ministri dhënien e titujve. E delegojmë këtë te vetë universitetet. Sulmi ndaj kësaj pike më ngjan me nostalgjinë për prangat.
Në pikën 15 flet, për shembull, që nuk jep kriteret për laicitetin e arsimit të lartë apo autonominë e territorit, ndërkohë që neni 5, pika 1, paragrafi dh) dhe e) thonë shteti “garanton paprekshmërinë e institucioneve të arsimit të lartë dhe të territorit të tyre. Ndërhyrja e organeve të rendit publik në mjediset akademike bëhet me kërkesën ose lejen e titullarit të institucionit të arsimit të lartë” apo shteti “Garanton laicitetin e institucioneve të arsimit të lartë publik dhe mospërdorimin e simboleve fetare prej tyre.” Pra, i thotë qartë.
Sa më lart, vlen për secilën nga pikat e nuk po zgjatem më tej për të mos e lodhur lexuesin me secilën prej tyre. Vërtetimet e mësipërme janë më se të mjaftueshme për të bindur çdo lexues të arsyeshëm që kemi të bëjmë në rastin më të mirë me një keqinformim. Keqinformimi në vetvete është i padëmshëm, por i amplifikuar nga zëri i një profesori, më shumë sesa t’i bëjnë zhurmë reformës, është tregues i nevojës së madhe që arsimi i lartë ka për këtë reformë.
*Zv.ministër i Arsimit dhe Sporteve