Saturday, March 26, 2016

Dyshime të arsyeshme për akreditimin e universiteteve - B. Musai

BARDHYL MUSAI 
Panorama, 25.03.2016 
(http://www.panorama.com.al/dyshime-te-arsyeshme-per-akreditimin-e-universiteteve/)
Dy vjet më parë, publiku u njoftua përmes medies se do të kryhej akreditimi i të gjitha institucioneve të arsimit të lartë (IAL) nga një kompani private britanike (QAA) dhe do të vendoste se cilat IAL dhe programe do të vazhdonin veprimtarinë, cilat do të pezulloheshin e cilat do të mbylleshin.
Por përgjatë më shumë se dy viteve, nga titullarë të këtij institucioni janë bërë deklarime aspak koherente, në kohë dhe në përmbajtje, të cilat ngrenë dyshime të arsyeshme dhe të besojmë se akreditimi i institucioneve të arsimit të lartë nga agjencia britanike nuk do të ndodhë. Ja si paraqitet kronologjia e deklaratave dhe njoftimeve.


Shkurt 2014: Sipas “Shqiptarja.com”, datë 7, ministrja deklaron se “…zyrtarisht në tetor do të bëhet shpallja dhe renditja e cilësisë së tyre. Agjencia britanike që ka marrë përsipër akreditimin dhe vlerësimin e shkollave të larta, do të bëjë publik renditjen e universiteteve dhe pikët e tyre”. Gusht 2014: Pas vendimit për mbylljen e 18 IAL-ve dhe filialeve të universiteteve publike, u deklarua se do të fillonte një fazë e dytë, ajo e akreditimit nga agjencia britanike.
Dhjetor 2014: U nënshkrua marrëveshja me QAA. Janar 2015: Agjencia britanike, e përzgjedhur për të bërë akreditimin e universiteteve në vendin tonë, do të nisë zyrtarisht punën në fund të këtij muaji(Gazeta “Shqip”, 23 janar 2015). Raporti i parë i akreditimit të universiteteve do të bëhej publik në muajin korrik, që sipas ministres, do t’u shërbente studentëve për t’u orientuar drejt fakulteteve dhe programeve të studimit të akredituara.
Maj 2015: Takim me ekspertët britanikë të akreditimit mbi metodologjinë e vlerësimit të IAL-ve. Në këtë takim, midis të tjerash, ministrja shprehet: “Pasi kemi nënshkruar në muajin dhjetor 2014 marrëveshjen me agjencinë britanike, ekspertët e kësaj agjencie dhe të agjencisë sonë kanë bashkëpunuar për përcaktimin e metodologjisë që do të përdoret, për të filluar më pas procesin e shumëpritur që lidhet me akreditimin dhe vlerësimin e kritereve të cilësisë për të gjitha Institucionet e Arsimit të Lartë, publike dhe private” (arsimi.gov.al).
Shkurt 2016: Nënshkruhet kontrata me QAA për vlerësimin dhe certifikimin e cilësisë së IAL-ve, e cila sipas MAS-it, shënon fazën e dytë të reformimit rrënjësor të arsimit të lartë. Sipas drejtorit të agjencisë britanike, puna e kësaj agjencie me eksperiencë në procesin e akreditimit, nuk do të fokusohet vetëm në akreditimin e institucioneve, por dhe në ngritjen e kapaciteteve të agjencisë kombëtare të akreditimit (www.aaal.edu.al).
Duke analizuar deklaratat dhe njoftimet zyrtare në rendin kronologjik, dyshimet tona kanë në themel disa arsye: Së pari, mungesa e koherencës në deklarata dhe mospërputhjet me dokumentet zyrtare. Arsyeja e dytë ka të bëjë me paqartësinë e termave dhe koncepteve, kompleksitetin e procesit të akreditimit në tërësinë e vet. Një arsye tjetër është mungesa e kapaciteteve njerëzore dhe burimeve financiare për të realizuar procesin në një kohë të shkurtër.
Nëse u referohemi dy marrëveshjeve zyrtare dhe i krahasojmë me deklaratat publike, se agjencia britanike do të bëjë akreditimin (janar 2015), vërejmë paqëndrueshmëri dhe mospërputhje. Marrëveshja e 18 dhjetorit 2014 dhe njoftimi në faqen zyrtare të agjencisë britanike QAA (www.qaa.ac.uk) nuk përmend asnjë nga termat akreditim, vlerësim, rankim apo pikëzim, të cilat janë fjalë kyç të përdorura nga titullarë të MAS-it, por përmenden bashkëpunim, komunikim, shkëmbim përvoje, ekspertizë dhe ngritje të kapaciteteve.
Këtu e ka burimin dyshimi i parë. Koncepti, përmbajtja dhe procedura për akreditimin, të cilat janë komplekse, përbëjnë dyshimin e dytë. Bazuar në ligjin e arsimit të lartë (neni 15), vendimi për akreditimin merret nga bordi i akreditimit. Pra, në çdo rast, akreditimi nuk mund të certifikohet nga agjencia britanike, e cila në bazë të ligjit bën vlerësimin e jashtëm, por mandati i saj nuk është ky, referuar marrëveshjeve zyrtare.
Krahas termit akreditim nga titullarë të MAS-it është përdorur edhe termi rankim (më saktë në shqip duhet renditje ose klasifikim). Ky term përcakton renditjen e IAL-ve dhe të programeve të studimit, duke u bazuar në disa tregues, të cilin po e ilustrojmë më poshtë.
Në korrik 2011, kompania gjermane CHE (Qendra për Arsimin e Lartë) paraqiti rezultatet e një projekti pilot për renditjen e katër programeve të studimit dhe u përqendrua kryesisht në nëntë tregues me karakter informativ dhe cilësor. Treguesit i renditën në tri grupe: më të mirët, mesatarët dhe më të dobëtit.
Më pas, bazuar në vlerësimin e çdo treguesi, bëhet edhe kategorizimi që kalon në dy faza; atë të vlerësimit të brendshëm dhe të vlerësimit të jashtëm, i cili përbën edhe bazën për akreditimin, institucional dhe të programeve.
Pra, bëhet renditja (rankimi), më pas vlerësimi i cilësisë dhe më pas akreditimi, që përcakton shkallën e besueshmërisë së institucionit dhe programeve të studimit, dhe jo e kundërta, sikurse shprehen titullarë të MAS-it. Vetëm për këtë ushtrim që kishte qëllim të ndihmonte edhe në ngritjen e kapaciteteve vlerësuese të Agjencisë së Akreditimit, u shpenzuan më shumë se 150 mijë euro nga buxheti i Ministrisë.
Por çfarë ndodhi më pas? Asgjë, nuk pati vazhdimësi, por si rëndom procese të tilla lihen në mes të rrugës. Akreditimi ka të bëjë me besueshmërinë, nisur edhe nga etimologjia e termit. Kjo besueshmëri certifikohet sipas ligjit bazuar në vlerësimin e të gjithë treguesve të çdo IAL dhe programi. Prandaj edhe agjencitë që merren me procesin nuk emërtohen agjenci akreditimi, por të vlerësimit dhe garantimit të cilësisë, ato promovojnë cilësinë duke i dëshmuar, profesionalisht dhe ligjërisht IAL-ve, se ku janë dhe se çfarë duhet të bëjnë që të përmirësojnë treguesit me referencë standardet.
Akreditimi nuk është dhe nuk duhet të jetë mjet për ndëshkim, sikurse po veprohet. Në çdo vend demokratik shteti nuk mbyll institucionet për shkak të cilësisë, por ka për detyrë t’i sigurojë publikut informacion të besueshëm dhe transparent, e më pas të rinjtë vendosin vetë se ku do të ndjekin studimet. Nëse ata refuzojnë të studiojnë te IAL-të që nuk ofrojnë cilësi, atëherë ato vetëmbyllen. Mbyllja nga shteti mund të ndodhë në raste flagrante, kur p.sh., ndryshon misioni i IAL-së apo kemi veprimtari të paligjshme.
Cilësia prodhohet në institucione dhe më mirë se organizmat e jashtme, janë njësitë e vlerësimit të brendshëm, të cilat ushtrojnë veprimtarinë për sigurimin dhe garantimin e cilësisë së çdo institucioni dhe të programeve të studimit. Procesi për akreditimin varet nga njësitë e vlerësimit të brendshëm, që pothuaj nuk ekzistojnë në IAL-të publike dhe në shumicën e atyre private.
Përveç mungesës së njësive të vlerësimit të brendshëm, dalin edhe disa probleme, si kapacitetet, buxheti, koha në dispozicion, dokumentacioni në gjuhën angleze etj. Vlerësimi i jashtëm mbështetet në raportet e vlerë- simit të brendshëm. Arsyeja e tretë për dyshime në proces ka të bëjë me kufizimet kohore, mungesën e kapaciteteve dhe burimet financiare.
Procesi i vlerësimit të jashtëm, sipas sekretarit të Përgjithshëm të MAS-it, do të përfshijë tri faza: përgatitja e kornizës së punës, trajnimin e ekspertëve dhe kontrollet në terren për 35 IAL-të publike dhe private e do të zgjatë 12-14 muaj. Më tej, në njoftimin e majit 2015 (arsimi.gov.al) thuhet se procesi i akreditimit të IAL-ve do të ketë dy faza.
Faza e parë është ajo e akreditimit të institucionit, që ka të bëjë me mënyrën si funksionon ai, kurse faza e dytë është ajo e akreditimit të programeve të studimit që ka të bëjë me mënyrën se si zhvillohet një lëndë në një degë të caktuar. Së fundmi bëhet një deklaratë tjetër, procesi do të ketë dy faza, në fillim vlerësimin e katër IAL-ve publike dhe dy private dhe në fazën e dytë pjesën tjetër të IAL-ve.
Cilës deklaratë t’i besojmë? Por nëse ende nuk qenka hartuar korniza e punës, çfarë është bërë deri tani me marrëveshjen e dhjetorit 2014 dhe a nuk u përcaktua metodologjia në maj 2015, sipas njoftimit zyrtar? Cila është fatura financiare e kompanisë britanike sipas marrëveshjes së mësipërme? Asgjë nuk deklarohet. Për kontratën e nënshkruar në shkurt flitet për një shumë 700 mijë euro.
Mund të besojmë se britanikët kanë punuar falas deri tani? Çfarë do të thotë trajnim i ekspertëve? Ekspertët nuk kanë nevojë për trajnim, por zbatojnë termat e referencës sipas kontratës dhe verifikojnë përmbushjen e standardeve shtetërore. Të marra së bashku këto thellojnë dyshimet se gjithçka bëhet për zgjatje në kohë të procesit, pasi premtimet e bëra në fillim të mandatit qeverisës nuk po mbahen.
Kemi më shumë se dy vjet që dëgjojmë dhe lexojmë deklarata, por asnjë veprim. Nëse i marrim së bashku të gjitha IALtë, të cilat do t’i nënshtrohen procesit sipas të dhënave të Agjencisë së Akreditimit (www.aaal.edu.al), të kuotave dhe programeve të miratuara nga Këshilli i Ministrave për IAL-të publike për vitin 2015, kemi: 35 IAL, 95 fakultete dhe 1149 programe të ciklit të parë dhe të dytë, përjashtuar ato të ciklit të tretë.
Shifra është edhe më e madhe, por të mbetemi këtu. Le ta fillojmë me llogaritjet e kryera me rezerva në favor të MAS-it, duke pasur parasysh se në kontrollin e ligjshmërisë në fazën e parë, verë 2014, u angazhuan rreth 300 specialistë dhe u shpenzuan 5000 orë pune, sipas raportit të këtij dikasteri.
Ky proces vlerësimi të jashtëm ka natyrë tjetër dhe është më i ndërlikuar se ai i pari, prandaj në një vlerësim institucional duhen jo më pak se 5 ekspertë të huaj, sipas standardit të QAA, pasi ata kanë ekspertizë eksplicite për aspekte të tilla si infrastruktura dhe burimet, organizimi institucional, personeli akademik, programet e studimit, studentët, punësueshmëria, bashkëpunimi ndërkombëtar, hulumtimi etj. dhe 2 ekspertë për vlerësim të çdo programi, 2- 3 ditë së paku në çdo IAL, 3-5 ditë së paku për të shkruar një raport, honorar, akomodim, bileta udhëtimi, përkthim profesional.
Nga një përllogaritje të thjeshtë, bazuar në premtimin ministror se “cilësia do të matet me standardet europiane”, atëherë duhet një numër shumë i madh ekspertësh, rreth 750, dhe i gjithë procesi ka një kosto në total prej rreth 6 milionë eurosh. Duke u nisur nga përllogaritjet e mësipërme, është e pamundur të gjendet një numër kaq i madh ekspertësh nga Britania. Aspektet logjistike janë një çështje tjetër që e bëjnë procesin të pamenaxhueshëm. Atëherë, nëse gjendet një rrugë tjetër, të zgjatet procesi duke angazhuar më pak ekspertë, kjo përsëri është e pamundur, pasi kohëzgjatja e procesit kërkon të paktën dhjetë vjet që të kryhet.
Vetëm për Universitetin e Tiranës, që të kryhet i plotë procesi, duhet një vit kohë. Pavarësisht si veprohet, në një vit apo përgjatë dhjetë vjetëve, ekspertë kaq të shumtë në numër nuk gjenden dhe financat janë të papërballueshme. E fundit, dhe që është shumë e rëndë- sishme, mbetet dokumentacioni të cilin IAL-të e kanë në gjuhën shqipe dhe jo në atë angleze. Sipas procedurave të agjencive serioze, sikurse është edhe QAA, raporti i vlerësimit duhet të dërgohet të paktën dy muaj përpara se të kryhet vizita në institucion.
Po të kemi parasysh se në IAL-të publike ka filluar fushata zgjedhore dhe më pas vjen sesioni i provimeve e pastaj pushimet, duke shtuar këtu edhe mungesën e strukturave të vlerësimit të brendshëm, atëherë këto raporte nuk do të përgatiten në kohë.
Nëse është menduar që ky proces të kryhet, sikurse ai që u bë para disa viteve në Kosovë nga tre britanikë vetëm me një listë kontrolli në dorë në 30 IAL private, atëherë procesi nuk mund të quhet vlerësim për akreditimin. Agjencia Britanike e Akreditimit (BAC) kreu inspektimin në terren për 18 ditë dhe në çdo IAL kanë qenë 1 deri në 3 vlerësues. Druaj se kjo situatë do të ndodhë edhe te ne dhe QAA mund të përdoret vetëm si mburojë për të fshehur të vërtetën, ngjashëm si çantat prodhim kinez prej igeliti që shiten nëpër rrugë, por që kanë etiketa firmato. Si përfundim, bazuar në shpjegimet e mësipërme, procesi për akreditimin nuk është profesional, por as edhe ligjor.
Ai kryhet në kundërshtim me ligjin, pasi institucionet dhe programet e akredituara i nënshtrohen procesit çdo gjashtë vjet, dhe ato që nuk e kanë mbushur afatin, nuk ka pse t’i nënshtrohen procesit. Atëherë i vetmi argument i pakonsumuar është ai se procesi iniciohet për qëllime dhe propagandë politike dhe si i tillë nuk do të sjellë ndonjë ndryshim në situatën e arsimit të lartë për verifikimin dhe sigurimin e cilësisë, por disa syresh do të mbyllen, duke u etiketuar “si pjesa e kalbur”, dhe do të vazhdojnë rrugëtimin një pjesë tjetër, disa prej tyre të merituar, pjesa që mbetet do të jetë ajo klienteliste apo e favorizuar politikisht.
Një raport dosido edhe mund të përgatitet, për të justifikuar premtimet e bujshme dhe paratë e shpenzuara, por nuk ka për t’u publikuar për çdo IAL, pasi edhe raportet e verifikimit të ligjshmërisë në verë 2014 nuk u bënë publike.
Monologu ministror, se arsimin e lartë e vendosëm mbi shina, krahasuar me gjendjen kaotike ku e gjetëm, se fabrikat e diplomave i mbyllëm, se cilësia tashmë është e niveleve europiane do të vijojë, bazuar në sloganin gëbelsian: “Sa më e madhe gënjeshtra, aq më shumë besohet ajo!”.