Saturday, August 9, 2014

Ministria kërcënon me ndjekje penale ish-drejtues të ministrisë së arsimit

Në një konferencë për shtyp (Ora News, 08.08.2014) , drejtuesja e ministrisë së arsimit, znj. Lindita Nikolli, ka deklaruar se do të vendosë para përgjegjësisë “të gjithë ata që kanë shkelur ligjin, që kanë shitur e blerë diploma, të gjithë ata që e kanë çuar arsimin e lartë në këto kushte. Do të çojmë përpara organeve të drejtësisë, edhe ata drejtues të ministrisë që kanë licencuar programe të caktuara, institucione të caktuara të arsimit, edhe atëherë ku Këshilli i Akreditimit është shprehur se këto institucione nuk plotësojnë asnjë nga kushtet”.

Sipas nenit 44 dhe 44/1 (Nr. 9741, datë 21.5.2007, ndryshuar në vitin 2010) të ligjit të arsimit të lartë, ministri e mbështet vendimin për çeljen e programit të studimit në vlerësimin e Këshillit të Akreditimit. MAS i interpreton këta dy nene sikur vlerësimi i KA-së të jetë parakusht për vendimin e Ministrit. Ndryshimi i ligjit në vitin 2010 u krye pikërisht për të rritur influencën e Agjencisë së Akreditimit që zotëron kompetenca teknike, e drejtuar atëhere nga znj. Dhurata Bozgo, por jo për ti dhënë Këshillit të Akreditimit, si organ vendimmarrës pranë Agjencisë, kompetenca vendimmarrjeje në politikat arsimore të qeverisë.

Kërcënimi i znj. Nikolli ndaj ish-drejtuesve vjen si reagim ndaj komenteve të ish-kryeministrit, z. Sali Berisha, mbi vendimin e MAS për të mbyllur disa institucione private dhe filiale të publikut. Së fundmi Berisha u shpreh me fjalë të ashpra për drejtuesit e ministrisë dhe komisionin e reformës së arsimit të lartë: “ne kuadrin e pseudo reformes ne arsimin e larte, me nje komision teresisht anonim, mbi bazen e nje raporti te ketij komisioni te hartuar ne mungese absolute te transparences, Edvin Kristaq Rama mbylli me nje te rene te lapsit 29 shkolla te larta dhe dy univesitete private, ne te cilat studionin mbi 7500 studente dhe ishin bere ne infrastrukture mbi 200 milione dollare investime, pa llogaritur ketu dhjetera milion dollare te familjeve te studenteve.”(Gazeta Panorama, 7.08.2014).

Friday, August 8, 2014

Publikohen vendimet e qeverisë për heqjen dhe pezullimin e licencave

 

image

Në fletoren zyrtare të datës 7 gusht 2014 u botuan vendimet e qeverisë për heqjen dhe pezullimin e licencave të disa institucioneve private.

Vendimet nuk përmbajnë arsyet e heqjes apo pezullimit të licencës për secilin rast individual, por vetem parashtrojnë hapat që duhet të ndërmarrin institucionet në zbatim të vendimit të qeverisë.

I. Nr. 539, datë 6.8.2014, “PËR HEQJEN E LICENCËS DISA INSTITUCIONEVE PRIVATE TË ARSIMIT TË LARTË”

 

1 Akademia e Studimeve te Aplikuara, Durrës
2 Akademia Pedagogjike, Tiranë
3 IALP "Shkolla e Lartë "Nëna Mbretëreshë Geraldinë", Mat
4 IALP "Shkolla e Lartë Amerikane e Tiranës"
5 IP "Shkolla e Lartë Ndërkombëtare e Tiranës"
6 IPAL "Kolegji profesional i sporteve, Fier"
7 IPAL "Shkolla e Lartë "Illyria"
8 Kolegj profesional "Argent", Shkodër
9 Kolegjet Profesionale, private "Medicom"
10 Shkolla e Lartë Private e Edukimit
11 SHLP "Universiteti Elite"
12 SHLP "Universiteti Planetar i Tiranës"
13 SHLUJ "Justiniani I"
14 SHLUJ "Medikadent"
15 SHLUJ "Universiteti Kristal"
16 SHLUP "Vitrina"
17 SHPAL "Gjon Buzuku", Shkodër
18 Akademia e Ndertimit, Tiranë

II. Nr. 540, datë 6.8.2014, “PËR PEZULLIMIN E VEPRIMTARISË SË DISA INSTITUCIONEVE PRIVATE TË ARSIMIT TË LARTË”

 

1 Akademia Profesionale  e Biznesit
2 IPAL "ISSAT"
3 Kolegji Profesional "Ivoclar Vivadent &Partners"
4 Kolegji Profesional privat "New Generation"
5 ShLAP "Pavarësia" Vlorë
6 SHLP "Hëna e plotë" (Bedër)
7 SHLP "Logos"
8 SHLUJ "Justicia"
9 ShLUJ "Sevasti dhe Parashqevi Qiriazi"
10 SHLUP "Instituti Kanadez i Teknologjisë"
11 SHLUP "Wisdom University"
12 Universiteti "Aldent"
13 Filial i Albanian University - Berat

Ka disa ndryshime nga informacioni i shpallur ne publik para disa ditësh nga MAS sa i perket pezullimit te veprimtarisë së Albanian University (ish-UFO). Në vendimin e kryeministrisë është përmendur vetëm filiali i Beratit.

Tuesday, August 5, 2014

Fillojnë përplasjet e sektorit privat ndaj nismës së qeverisë

 

Perditesuar 1: 07.08.2014

Përditësuar 2: 09.08.2014

Origjinal: 4.08.2014

Qeveria nxitoi me vendimin e saj për të propozuar mbylljen e disa institucioneve të arsimit të lartë, pasi reforma nuk është miratuar akoma dhe ligji i arsimit të lartë nuk lejon një ndërhyrje të tillë drastike, sidomos nga agjenci të huaja jo-anëtare të ENQA siç është British Accreditation Council. Sidoqoftë, institucione të arsimit të lartë si shkolla e lartë Vitrina kanë kërcënuar se do ti drejtohen institucioneve të ligjit për këtë nismë të qeverisë.

http://www.balkanweb.com/sociale/2776/pezullimi-vitrina-mas-kontroll-tendencioz-tek-ne-vazhdojme-betejen-204438.html

Vitrina është një institucion që historikisht ka vepruar kundra ligjit, është licencuar në 2008 por ka pranuar studentë që në 2007 duke mashtruar familjarët. Ka pranuar studentë në programe të pamiratuara dhe ka diplomuar në programe të paakredituara. Ka pasur konflikte me nepunësit civl të ministrisë, disa herë studentët janë ankuar për mashtrim dhe rrahje nga rojet personale të administratorit, është gjobitur nga Komisioni i Mbrotjes së Konsumatorit dhe ka pasur përplasje me komisiaritin e policisë së Kasharit.

Vitrina (Gazeta Express) ka filluar me shantazhin ndaj nepunesve te shtetit duke sulmuar inspektoren e arsimit te larte prane Inspektoriatit Kombetar te Arsimit, znj. Ejona Isufaj. Znj. Isufaj ka qene punesuar prane ketij institucioni per disa vite dhe Vitrina ka publikuar diplomat e saj te leshuara nga nje institucion i panjohur i arsimit te larte (Degree Mill).

Deri tani MAS nuk ka publikuar ndonjë raport të hollësishëm me fakte mbi gjetjet e grupit te kontrollit. Kryeministri ka rrëfyer anekdota dhe ministria ka folur në përgjithësi. Shpresojmë që gjetjet të shoqërojnë vendimet e qeverisë për heqjen apo pezullimin e licencave.

Sipas Shpresa Mezinit (Gazeta Shqip, 09.08.2014) studentë të shkollës së lartë private Vitrina janë informuar nga institucioni se duhet të paguajnë para për transferimin dhe dokumentacionin, në shkelje të vendimit të Këshillit të Ministrave. Kjo praktikë është ndjekur gjithmonë nga Vitrina për të vështirësuar transferimin dhe vjedhur studentët – në 2011 Komisioni i Mbrotjes së Konsumatorit pranë METE ka gjobitur dy herë këtë institucion për praktika corientuese dhe jashtëkontraktuale të vjedhjes së studentëve.

Monday, August 4, 2014

Kryeministria propozon mbylljen e disa institucioneve private


Ministria e Arsimit publikoi disa të dhëna nga raporti i vlerësimit të ligjshmërisë së institucioneve. Por ka shumë paqartësi në lidhje me ecurinë e procesit të vlerësimit dhe akreditimit.

1. Është e paqartë nëse vlerësimi i ligjshmërisë i paraprin vleresimit dhe akreditimit nga agjencia britanike që ka deklaruar qeveria.

2. Nuk është deklaruar nëse kjo agjenci është pajtuar konform rregullave të prokurimit publik të shërbimeve. Gjithashtu edhe mandati i kësaj agjencie është i paqartë nëse vlerësimin e zbatimit të ligjit e kryen grupi i kontrollit.

3. Agjencia Britanike – British Accreditation Council - është një agjenci që nuk është anëtare e ENQA – European Association for Quality Assurance in Higher Education. Ligji i arsimit të arsimit të lartë në RSH njeh vetëm agjenci anëtare të ENQA. Anëtare nga Britania e Madhe është QAA – Quality Assurance Agency for Higher Education. Kjo nismë duket e nxituar sepse nuk u shoqërua me ndryshimet përkatëse ligjore të propozuara në reformë.

4. Agjencia Britanike e Akreditimit nuk akrediton për cilësi si agjencitë ndërkombëtare të akreditimit por për Ministrinë e Brendshme të Britanisë së Madhe, ku shqyrton pajtueshmërinë për institucionet arsimore dy-vjeçare që mirëpresin studentë të huaj. Institucionet e arsimit të lartë privat në vend do të kundërshtojnë veprimtarinë e kësaj organizate në Shqipëri, për më tepër kur në vend operojnë autorite ligjore përgjegjëse si Inspektoriati i Lartë i Arsimit dhe Agjencia Publike e Akreditimit.  Për këtë mandati i agjencisë britanike është i paqartë pasi përgjegjës  për akreditimin është agjencia shqiptare APAAL.

5. Në Kosovë Agjencia Britanike propozoi mbylljen e të gjitha institucioneve përveç njërit (nga 40), por dy vite më pas në Kosovë vazhdojnë të ekzistojnë mbi 30 institucione, sepse qeveria e Kosovës injoroi raportin e ekspertëve britanike (tre ekspertë). Gjithashtu raporti i britanikëve ishte problematik pasi nuk realizoi akreditimin, por vlerësoi zbatimin e ligjit në Kosovë, mbi të cilin hartoi rekomandimet. Kjo punë u realizua tashmë nga qeveria Rama dhe mandati i britanikëve duket më kot se kurrë.

6. Kërkesat për heqjen e licencës dhe pezullimin duhet të dalin me Vendim Qeverie – nuk ka ende një vendim qeverie. Nëse ky raport nuk shoqërohet me vendimet e qeverisë menjëherë, atëherë lë dyshime se është për trysni dhe qëllime korruptive për të shtrembëruar mekanizmat e konkurrencës në prag të fazës së regjistrimeve.

7. Nisma e qeverisë është për tu përgëzuar për mbylljen e institucioneve të arsimit të lartë që kanë rezultuar problematike qoftë në raport me studentët dhe shërbimin, por edhe në raport me shtetin dhe zbatimin e ligjit: si Vitrina, Kristal, Medicom dhe Albanian University. Në 2012 Kristal fitoi gjyqin ndaj qeverisë. Ka mundësi që edhe nëse qeveria shpall dhe ekzekuton vendimet, të humbin nëpër sistemin korruptiv të gjykatave. Cilat do të jenë masat e qeverisë ndaj lumit të padive?

8. Ndër masat e marra vihet re se është kërkuar heqje licence për një grup institucionesh të arsimit të lartë profesional, si kolegjet e New Generation, të cilat ofrojnë programe 2-vjeçare jo-akademike e pajisin tregun me persona të kualifikuar dhe në përputhje me planet e qeverisë për të nxitur arsimimin profesional.

9. Cilat janë masat që do të marrë qeveria për të penguar manipulimin e regjistrave nga shkollat që propozohen për tu mbyllur (duke qenë se tani kanë shtysa për të shitur diploma)? A janë sekuestruar regjistrat themeltarë? A është populluar baza e të dhënave elektronike e AKP-së me të dhënat reale?
 

Pjesë nga përmbledhja e raportit të publikuar nga MAS.

1. Kontrolli dhe vlerësimi i ligjshmërisë u realizua ne katër faza (dokumentacioni, përpunimi, inspektimi në vend dhe përballja e raportimi final).

2. Numri i institucioneve të vlerësuara ishte 59.

3. Gjetjet kryesore në arsimin privat

-  Mbi 90% e IAL-ve private nuk kanë staf të mjaftueshëm efektiv;

- Më shumë se 2/3 e IAL-ve nuk arrijnë të mbulojnë ngarkesën mësimore akademike me staf të brendshëm, sipas standardeve të kërkuara ligjore;

- Mbi 90% e IAL-ve private nuk kanë akte të tyre rregullatore të brendshme për mirë funksionimin e tyre, të miratuara nga organet kolegjiale;

- 88% e Institucioneve të arsimit të lartë kanë parregullsi ose paplotësi të regjistrave themeltarë, të progresit akademik apo të diplomimit të studentëve;

- 85% e Institucioneve të arsimit të lartë nuk zbatojnë rregullat ligjore për administrimin dhe ruajtjen e dokumentacionit zyrtar të institucionit;

- 80% e Institucioneve të arsimit të lartë kanë parregullsi në marrëdhëniet kontraktuale me stafin akademik/studentët;

- Rreth 2/3 e Institucioneve të arsimit të lartë bëjnë reklamim/marketing të pandershëm, përhapje  informacioni të rremë për publikun dhe studentët;

- Në më shumë se 60% të Institucioneve të arsimit të lartë jopublik nuk funksionojnë organet kolegjiale, sipas legjislacionit ne fuqi.

- 56% e Institucioneve të arsimit të lartë jopublik nuk ofrojnë garanci financiare për vazhdimin e studimeve, as për studentët që kanë aktualisht në sistem.

- Më shumë se gjysma e institucioneve të arsimit të lartë jopublik nuk plotëson standardet minimale të infrastrukturës dhe sigurisë së studentëve.

- Më shumë se gjysma e institucioneve të arsimit të lartë jopublik, që kanë ofruar të drejtën për ofrimin e programeve të ciklit të tretë, nuk kanë kapacitet akademik ose nuk plotësojnë standardet për të ofruar këto programe. (janë vetëm pese nstitucione që ofrojnë programe doktorature: Albanian University, UET, New York, Polis dhe Epoka)

4. Gjetjet për arsimin publik

- Asnjë nga Institucionet Publike të Arsimit të Lartë (përveç 1 IAL-je) nuk i janë nënshtruar detyrimit ligjor për vlerësimin e cilësisë dhe akreditimin;

- Me pak përjashtime, thuajse të gjitha IAL-të kanë mangësi të rëndësishme dhe parregullsi në dokumentacionin zyrtar, të personelit akademik dhe të studentëve;

- Rreth 2/3 e IAL-ve nuk plotësojnë standardet e të gjitha njësive bazë në përbërje të tyre në lidhje me numrin dhe shkallën e kualifikimit të stafit akademik;

- Rreth ½ e IAL-ve nuk plotësojnë standardet e të gjithë njësive kryesore në përbërje të tyre;

- Me shumë se ½ e IAL nuk plotësojnë standardet minimale për treguesit staf akademik/student dhe staf efektiv/staf i ftuar;

- në rreth 70% të IAL-ve organet kolegjale funksionojnë dhe/ose marrin vendime në kundërshtim me aktet ligjore e nënligjore, madje dhe me vetë rregulloret e tyre;

- Në shumicën dërrmuese të IAL-ve autoritetet drejtuese të zgjedhura marrin kompetenca dhe vendimmarrje/miratime në kundërshtim të hapur me ligjin, aktet nënligjore dhe vetë aktet e miratuara të institucionit (statut, rregullore);

- Më shumë se ½ e IAL-ve nuk respektojne parimet, kriteret dhe procedurat për rekrutimin e stafit akademik efektiv dhe të ftuar, si dhe atë adminsitrativ;

- Thuasje 100% e IAL-ve nuk respektojnë kriteret përzgjedhëse për pranimet e studenteve në ciklin e dytë, Master profesional dhe rreth 70% as ato për pranimet në Master Shkencor;

- Më shumë se ½ e IAL-ve nuk kanë kapacitetet e duhura akademike dhe shkallën e kualifikimit për të ofruar programet e studimit Master Shkencor dhe Doktoratë;

- Rreth 2/3 e IAL-ve shkelin ose nuk respektojnë kriteret dhe procedurat e pranimit në programet e studimit të doktoratës;

- Më shume se ½ e IAL-ve nuk respektojnë kriteret dhe procedurat për promovimin për grada dhe tituj akademike;

- Rreth ¾ e IAL-ve nuk plotësojnë as standardet minimale të infrastrukturës, mjediseve dhe kritereve të sigurisë për stafin dhe studentët.

5. Masat e ndërmarra:

- Mbyllje të institucionit, pezullim të veprimtarisë ose vazhdimin e veprimtarisë me kushte për institucionet private

- Riorganizim institucional, mbyllje të filialeve apo institucionit mëmë, mbyllje të programeve të studimit, reduktim i kuotave studentore për institucionet publike

- Masa ndëshkimore dhe padi penale për kundravatjet ligjore të evidentuara, si edhe kontrolle të koordinuara me autoritetet mbikëqyrëse të tatimeve, inspektimit të pasurisë dhe inspektoriatit të punës.
________________________________________________________________________
 

MASAT KONKRETE

 


A. Institucionet e arsimit të lartë privat



I. Rekomandime për përmirësimin e kritereve


"Shkolla e Lartë Private Mesdhetare e Shqipërisë"
Akademia e studimeve të aplikuara "Reald"
IPAL "Shkolla e Lartë "Nehemia"
SHLP "Tirana Business University"
SHLUJ "Luarasi"
SHLUJ "Marubi"
SHLUJ "Universiteti "Marin Barleti"
SHLUJ "Universiteti i New Yorkut, Tiranë"
SHPAL "Universiteti Metropolitan Tirana"
Universiteti "Epoka"
Universiteti "Polis"
Universiteti Europian i Tiranës
Universiteti katolik "Zoja e Këshillit të Mirë"


II. Pezullim i veprimtarisë

Akademia Profesionale  e Biznesit
IPAL "ISSAT"
Kolegji Profesional "Ivoclar Vivadent &Partners"
Kolegji Profesional privat "New Generation"
ShLAP "Pavarësia" Vlorë
SHLP "Hëna e plotë" (Bedër)
SHLP "Logos"
SHLUJ "Justicia"
ShLUJ "Sevasti dhe Parashqevi Qiriazi"
SHLUP "Instituti Kanadez i Teknologjisë"
SHLUP "Wisdom University"
Universiteti "Aldent"
Universiteti privat "Albanian University"

III. Heqje license

Akademia e Studimeve te Aplikuara, Durrës
Akademia Pedagogjike, Tiranë
IALP "Shkolla e Lartë "Nëna Mbretëreshë Geraldinë"
IALP "Shkolla e Lartë Amerikane e Tiranës"
IP "Shkolla e Lartë Ndërkombëtare e Tiranës"
IPAL "Kolegji profesional i sporteve, Fier"
IPAL "Shkolla e Lartë "Illyria"
Kolegj profesional "Argent", Shkodër
Kolegjet Profesionale, private "Medicom"
Shkolla e Lartë Private e Edukimit
SHLP "Universiteti Elite"
SHLP "Universiteti Planetar i Tiranës"
SHLUJ "Justiniani I"
SHLUJ "Medikadent"
SHLUJ "Universiteti Kristal"
SHLUP "Vitrina"
SHPAL "Gjon Buzuku", Shkodër
Akademia e Ndertimit, Tiranë

 

 

B. Masat në IAL publike

 

I. Propozim për mbyllje të IAL-ve

  1. Akademia e Arteve Shkodër
  2. Propozim për mbyllje të Filialeve
  3. Filiali Kukës, UT
  4. Filiali Sarandë, UT
  5. Filiali Peshkopi, UAMD
  6. Filiali Pogradec, UK
  7. Filiali Lushnje, UBT
  8. Filiali Gjirokastër, UBT

II. Reduktim i kuotave

1. Reduktim i kuotave për disa programe studimi
2. Pezullim i pranimeve në ciklin e parë të studimeve

III. Riorganizim institucional


- Universitetet e Gjirokastres, Durrësit, Vlorës, Mjeksisë, Shkodrës, Tiranës etj. 

Pjesë nga fjalimet e autoriteteve

I. Pjesë nga fjalimi i ministres znj. Lindita Nikolla

U kam hedhur këto ditë një sy mbishkrimeve të arkivit në MAS. Është i mbushur plot me dosje si këto, që kanë nga një emër institucioni të inspektuar. Kanë edhe tituj, të tillë si akreditim apo rankim të IAl-ve. Kuptova se pse, kur filluam procesin, shumë mendonin se po përsërisnim sjelljen e vjetër. Ca shkresa e CD për t’u depozituar në MAS dhe kaq. Gjithmonë janë bërë inspektime aty-këtu, por asgjë nuk ka ndodhur, na thonin me të drejtë.

Në këto dosje pasqyrohet puna e 59 grupeve me mesatarisht 5 specialistë, nga më të mirët, më të përkushtuarit nga MAS, IShA dhe APAAL. Janë 5000 orë pune për të studiuar informacionin e sjellë nga vetë IAL-të në shkresa e CD, janë 2000 orë të tjera pune për të inspektuar në vend IAL-të, janë 4000 faqe raporte dhe informime me institucionet për gjetjet.

Me kërkesën dhe ndjeshmërinë e posaçme të Kryeministrit Edi Rama, kam kërkuar në takime që raportimet nga grupet të përçojnë frymën e pozitivitetit; jo zellin për të renditur dukuri negative në raporte, por çmuarjen arsyeshëm të situatës për të dalluar qartë hendekun midis interpretimit të ligjit aktual me problemet që ka dhe shkeljes qartas të tij.

Sigurisht, ne nuk sajuam kritere të reja. Nuk janë as standardet që do të verifikojë Agjencia Britanike e Akreditimit që lidhen me cilësinë, por janë kriteret e ligjit dhe VKM-të që gjetëm për IAL-të, janë kriteret që duhet të mbajnë në këmbë Institucionet e AL-së si një parakusht për funksionimin e tyre.

Agjencia Britanike vjen për të verifikuar cilësinë e programeve dhe kurrikulave dhe jo për të gjetur se si studentët transferohen nga privati te publiku jashtë çdo kriteri, se si pranohen studentët me dëftesa false të shkollës mesme, se si shiten diplomat, se si madje mund të marrësh diplomë edhe pa mbaruar as shkollën e mesme, se si sot në Shqipërinë kandidate për në BE në IAL-të private ka studentë që paguajnë tarifat e studimit në klering me lopë, dru, zhavorr, oriz etj. Po, kemi gjetur dokumente pagesash me klering.

Kemi gjetur institucione që licencohen për të zhvilluar mësimin në gjuhën shqipe dhe diplomojnë jo një e dy, por me qindra të huaj.

Më lejoni të falënderoj ato institucione që, edhe pse në këtë tollovi vlerash, ia kanë dalë të orientohen kah ligji. Mirënjohje pedagogëve, drejtuesve të atyre institucioneve publike për standardet e pashkelura! Keni treguar se pasioni për dijen dhe profesionalizmi mbeten aty, edhe kur lodhja nuk shpërblehet.

Është për të njëjtin standard e njëjta masë! Para organeve të drejtësisë të gjithë ata që kanë abuzuar dhe kanë futur sektorin në një qorrsokak të tillë. Sepse nuk mund të lejojmë që 70,5% e IAL-ve kanë probleme me kriteret ligjore dhe 18 institucione nuk plotësojnë as kriteret më minimale të ligjit.

E kemi të qartë planin e punës për përballimin e situatës. Grupi i administrimit të kësaj situate do të verifikojë emër për emër dosjen e çdo studenti që paraqitet për ndihmë, duke ndjekur sistemimin e tij në bazë të vërtetësisë së dokumenteve dhe krediteve të marra. Procedurat dhe afatet do të prezantohen në faqen e MAS-it.

2. Pjesë nga fjalimi i kryeministrit z. Edi Rama

Pamja që ndoqëm nuk lë vend për asnjë kënaqësi, por ngjall vetëm trishtim dhe revoltë. Trishtim, për aq mijëra dhe mijëra familje që kanë investuar gjithë kursimet e sakrificave të tyre, për t’u dhënë fëmijëve një diplomë dhe në fakt, i kanë derdhur paratë në shumë skema piramidale, tërësisht mashtruese, sikundër nxjerr në pah në mënyrë therëse, kontrolli i nisur shumë muaj më parë dhe i realizuar brenda kornizës ligjore, me vullnet, profesionalizëm dhe integritetet të plotë.

Kemi arritur të kemi sot numrin më të madh të universiteteve për frymë në Europë, 8 herë më shumë se Britania e Madhe. 20 universitete për 1 milionë banorë. Kemi arritur një kulm tjetër, me 1432 programe të ndryshme mësimore, a thua se vendi ynë i ka mundësitë t’i përgatisë të rejat dhe të rinjtë për 1432 profesione dhe nënprofesione të ndryshme. Kemi arritur një tjetër rekord, europian nuk diskutohet, rajonal padyshim, por, mbase, edhe botëror, me 50 programe studimore në universitetet tona publike, ku nota mesatare e të gjithë të regjistruarve është nën 5.5.

Kemi arritur që në kaq pak vite të gjenerojmë 32 mijë diploma nga sistemi universitar privat. 32 mijë! Gjysmën e të cilave i ka dhënë një universitet i vetëm, 16 mijë. Kemi arritur të japim 900 diploma për të huaj, ndërkohë që s’japim asnjë leksion në gjuhë të huaj. Kemi arritur që të kemi pedagogë që vetëm një vit përpara rekrutimit kanë marrë diplomën në bachelor. Për shembull, në Universitetin publik të Elbasanit, 16 vetë janë punësuar si pedagogë në infermieri, me një bachelor në një universitet privat. Merreni me mend se çfarë infermierësh e infermieresh dalin nën kujdesin e këtyre 16 personave!

Kemi arritur të japim diploma në natyrë, për shërbime të ndryshme, lyerje, shpëlarje, punime hidraulike, punime zdrukthëtarie, të shpërblyera jo me para, por me diploma nga pronarët e universiteteve në fjalë. Kemi arritur që të fusim pagesën në natyrë për t’u shkolluar, lopë, dele, oriz, fasule, zhavorr, dru zjarri. Ka studentë që e kanë paguar studimin me dru zjarri. Natyrisht, të prera pa leje nëpër pyje. Kemi arritur që të kemi regjistra themeltarë universitetesh, ku shkruhet “10 diploma i ka tërhequr shefi”.

E, të gjitha këto kanë ndodhur për një arsye sa banale, aq edhe të pabesë; Që qeveria e mëparshme të blinte qetësi dhe të mos përballej me papunësinë e të rinjve. Të blinte qetësi me paratë e prindërve, duke i yshtur të gjithë të paguajnë gjithçka kanë, për të shkuar fëmijët e tyre në universitet dhe për t’i ushqyer fëmijët, me iluzionin se po bëhen inxhinierë, se po bëhen doktorë në infermieri, se po bëhen ekonomistë, juristë e kështu me radhë. Ndërkohë që, për numrin e viteve që ky iluzion ushqehej, qeveria nuk kishte nevojë që të vriste mendjen dhe të gjendej përballë kërkesës legjitime për punësim të të rejave dhe të rinjve. Dhe, kemi arritur praktikisht, ta transformojnë Shqipërinë në një vend që prodhon vetëm nivel të lartë arsimor dhe nuk prodhon nivel profesional arsimor. Kjo qetësi është blerë pabesisht, duke futur duart në xhepat e familjeve shqiptare dhe duke bërë që dhjetëra mijëra familje ta investojnë kursimin e tyre, për të mbajtur qeverinë rehat.

Ashtu siç jemi zotuar, ne nuk do të kemi një ndarje artificiale, të dëmshme, siç ka ndodhur për vite të tëra, mes universiteteve të shtetit dhe universiteteve të privatit. Ashtu siç jemi zotuar, kontrollit të ligjshmërisë dhe kontrollit të cilësisë do t’i nënshtrohen të gjithë njësoj. Ndërkohë që, me ligjin e ri të Arsimit të Lartë, ne do të kemi praktikisht universitete publike të financuar nga shteti apo nga privatët, por që në renditjen e përgjithshme do të konsiderohen tërësisht të barabartë, në kushtet e konkurrencës dhe do të shkojnë përpara sipas meritës dhe jo disa të nënës e disa të njerkës.

E, kështu, ky kontroll bie plotësisht ndesh me një filozofi skandaloze të së kaluarës dhe e vendos këtë element si gur themeli. Konkurrencë dhe meritë për të gjithë, në mënyrë të barabartë. Ky kontroll mbyll një numër të konsiderueshëm universitetesh dhe programesh, qoftë në shtet dhe qoftë në privat, sot, pezullon një numër të konsiderueshëm programesh, qoftë në shtet dhe qoftë në privat, sot, dhe po ashtu, i njeh legjitimitetin dhe mbështetjen e mëtejshme një numri tjetër, të konsiderueshëm, universitetesh, qoftë në shtet dhe qoftë në privat sot, që i plotësojnë kushtet e ligjshmërisë.