Saturday, August 9, 2014

Ministria kërcënon me ndjekje penale ish-drejtues të ministrisë së arsimit

Në një konferencë për shtyp (Ora News, 08.08.2014) , drejtuesja e ministrisë së arsimit, znj. Lindita Nikolli, ka deklaruar se do të vendosë para përgjegjësisë “të gjithë ata që kanë shkelur ligjin, që kanë shitur e blerë diploma, të gjithë ata që e kanë çuar arsimin e lartë në këto kushte. Do të çojmë përpara organeve të drejtësisë, edhe ata drejtues të ministrisë që kanë licencuar programe të caktuara, institucione të caktuara të arsimit, edhe atëherë ku Këshilli i Akreditimit është shprehur se këto institucione nuk plotësojnë asnjë nga kushtet”.

Sipas nenit 44 dhe 44/1 (Nr. 9741, datë 21.5.2007, ndryshuar në vitin 2010) të ligjit të arsimit të lartë, ministri e mbështet vendimin për çeljen e programit të studimit në vlerësimin e Këshillit të Akreditimit. MAS i interpreton këta dy nene sikur vlerësimi i KA-së të jetë parakusht për vendimin e Ministrit. Ndryshimi i ligjit në vitin 2010 u krye pikërisht për të rritur influencën e Agjencisë së Akreditimit që zotëron kompetenca teknike, e drejtuar atëhere nga znj. Dhurata Bozgo, por jo për ti dhënë Këshillit të Akreditimit, si organ vendimmarrës pranë Agjencisë, kompetenca vendimmarrjeje në politikat arsimore të qeverisë.

Kërcënimi i znj. Nikolli ndaj ish-drejtuesve vjen si reagim ndaj komenteve të ish-kryeministrit, z. Sali Berisha, mbi vendimin e MAS për të mbyllur disa institucione private dhe filiale të publikut. Së fundmi Berisha u shpreh me fjalë të ashpra për drejtuesit e ministrisë dhe komisionin e reformës së arsimit të lartë: “ne kuadrin e pseudo reformes ne arsimin e larte, me nje komision teresisht anonim, mbi bazen e nje raporti te ketij komisioni te hartuar ne mungese absolute te transparences, Edvin Kristaq Rama mbylli me nje te rene te lapsit 29 shkolla te larta dhe dy univesitete private, ne te cilat studionin mbi 7500 studente dhe ishin bere ne infrastrukture mbi 200 milione dollare investime, pa llogaritur ketu dhjetera milion dollare te familjeve te studenteve.”(Gazeta Panorama, 7.08.2014).

0 comments:

Post a Comment