Monday, March 27, 2017

Debati Cili-Fuga deshmon per nivelin e perfaqesimit publik te institucioneve te arsimit te larte ne Shqiperi

Debati personal ndermjet dy eksponenteve te rendesishem te arsimit te larte me nje profil te theksuar publik, ndermjet Henri Cilit, administrator i Universiteit Evropian te Tiranes, dhe Prof. Dr. Artan Fuga, pedagog i Universitetit te Tiranes, deshmon per nivelin e perfaqesimit te figurave akademike ne vend. Me poshte po paraqesim dy shkrime te dy personazheve. Henri Cili, Gazeta Mapo, 11 Mars 2017
Tipike për një punist, në një status të tij në facebook me titull “Kujtimet e mia nga universiteti Europian i Tiranës”, Artan Fuga, i pa trimëruar si gjithnjë, kërcënon në fund të shkrimit.” …. unë nuk do të përtoj t’i ekzorcizoj të gjitha kujtimet e mia pak e nga pak nëse më jepet rasti sigurisht.”…….A thua se çfarë ka për të treguar e për të thënë rreth meje dhe UET!!!. Në fakt, në mënyrë të tërthortë apo të drejtpërdrejtë, të nënkuptuar apo të koduar, prej 3-4 vitesh profesor Artan Fuga ka replikuar shpesh herë, në distancë, me mua personalisht, me Universitetin Europian të Tiranës, me gazetën Mapo. Është rasti që, nisur nga faqja e parë e MAPO së fundjavës së kaluar “Fuga kundër Fuga”; Lufta për të impaktuar Bashën dhe Ramën, shoqëruar me karikaturën e mrekullueshme të Bujar Kapexhiut, shkruar nga gazetari Vladimir Karaj, të ngrihet një replikë e drejtpërdrejtë mes meje dhe Artan Fugës. Fillimisht, duhet të them që profesor Fuga, me rreshtimin e tij të fundit publik në krah të çadrës së opozitës, në fakt, na ka bërë një favor: ka kontribuar në legjitimimin e rreshtimit politik të figurave publike në raport me ngjarjet e mprehta politike duke pasur të drejtën të jenë njëkohësisht të rreshtuar dhe të pavarur. Eshtë për t’u konsideruar një arritje reale e demokracisë shqiptare sot ky fund i hipokrizisë se elitës. Eshte moment hapjeje dhe relaksimi të të gjithëve, në një kohë kur shoqëria shqiptare dhe hipokrizia e elitës intelektuale shqiptare duhet të kishte marrë fund me kohë, nëse këta individë do ta kishin konsideruar veten njerëz të lirë, të hapur, pa paragjykime dhe që mbrojnë idetë e tyre kudo ku këto ide shfaqen, përfshirë këtu dhe tek forumet dhe radhët e pozitës apo opozitës. Më mirë vonë se sa kurrë! Personalisht kam qenë gjithnjë partizan i kësaj dhe e kam konfirmuar me praninë time modeste në jetën publike. Që në vitin 2002-2003, u rreshtuam si liberalë të djathtë krah opozitës së atëhershme të Sali Berishës me gjithë ngarkesat që vinte nga viti ’97. Besoj se me të gjithë kolegët e tjerë thyem një mentalitet, duke qenë gjithë aq të angazhuar dhe gjithë aq të pavarur, pra një pavarësi nëpërmjet angazhimit tek idetë që besonim, tek vlerat që besonim apo personat që besonim se mund t’i ilustronin ato. Duhet theksuar, që në hyrje të këtij shkrimi gjithashtu që me profesor Fugën kemi qenë shumë miq që prej vitit 1999, prej studimeve të mia në Francë, po ashtu kemi vazhduar kooperimin më tej në forume, universitete vere, departamentin e gazetarisë dhe komunikimit në UT, në fillimet dhe në faza të ndryshme të Universitetit Europian të Tiranës . Po ashtu Profesor Fugës, i dedikoj personalisht nxitjen apo presionin moral,(sigurisht i dobishëm, sigurisht të dëshirueshëm prej meje) që unë të përfundoja studimet e mia doktorale në shkencat e komunikimit me profesor Zhak Barat, në universitetin e Paris II Sorbonë. Në vitin 2010, kur shkova për t’i dhënë fund doktoraturës sime, praktikisht u ndjeva i thyer ose i larguar përfundimisht nga rruga akademike për shkak të punës së madhe menaxheriale në administrimin e Universitetit Europian të Tiranës dhe thuajse i lëshova krahët. Falë presionit moral, intelektual, të profesor Fugës, u kandisa që të përfundoja doktoraturën dhe Fuga ka një rol shumë të madh këtu, duke u bërë praktikisht, bashkëudhëheqësi i saj dhe duke më ndihmuar në konceptim, korrektim, redaktim dhe pjesë të caktuara teorike të këtij punimi, së bashku me kolegen Luljeta Progni, e cila realizoi “field rechearch-kërkimin në terren”, duke intervistuar më shumë se njëzet e ca protagonistë politikë dhe të komunikimit politik në Shqipëri. Si përfundim, në mars të vitit 2012, përfundimi i doktoraturës i takon kësaj mbështetjeje apo presioni intelektual të profesor Artan Fugës. Jo vetëm aq, por me profesor Fugën kishim plane të mëdha rreth UET-it, ku planifikonim që deri në fillim të vitit akademik 2012-2013, pas një kooperimi të gjatë si pedagog i jashtëm dhe si konsulent, profesor Fuga të vendoste në lidhje me propozimin tim për të qenë “plotësisht në UET ose plotësisht jashtë UET-it”, pasi kishte marrë propozimin për të qenë president i Universitetit Europian të Tiranës. Profesor Fuga e pa me vend, për arsyet dhe konceptimin e tij, që të mos e pranonte këtë ofertë. E falënderova, e respektova shumë në këtë vendim të tij, por tashmë universiteti kishte marrë udhë dhe kishte ardhur koha që më në fund universitetet private të diferencoheshin në qëllimet, statusin, profilin dhe “luftën” e tyre për t’u legjitimuar në jetën publike si aktorë të barabartë, konkurrues dhe jo si aktorë plotësues dhe për të strehuar disa lloje të caktuar studentësh, të cilët nuk gjenin vend në universitetin shtetëror. Kaq! Që prej asaj kohe, profesor Fuga, edhe pse ishte ai që refuzoi kooperimin me UET më tej, vazhdimisht ka adresuar sulme me nëntekst, me simbole dhe tani së fundmi edhe me tekst direkt ndaj sektorit privat në përgjithësi dhe Universitetit Europian të Tiranës në veçanti, por mbi të gjitha ajo që spikat është kundërshtimi që i bëri profesor Fuga “Reformës universitare Rama”, situatë të cilën do gjej rastin ta shpjegoj më poshtë. Priftërinjtë e vonuar të universitetit shtetëror Më shumë se aq, debati për reformën universitare Rama, për shkak të ndjeshmërisë që ka ky sektor në një shoqëri demokratike, nxori në pah ose krijoi një tension shumë të dobishëm për shoqërinë tonë, atë midis militantëve të vonuar të sektorit shtetëror dhe reformistëve, të cilët tek reforma universitare Rama gjetën një shprehje ose një ballafaqim të fortë. Gjendja e sektorit të arsimit të lartë shqiptar, ku sektori shtetëror dominon më shumë se 90% të sistemit dhe i sektorëve të tjerë shtetërorë, siç është rasti i shëndetësisë ishte dhe është alarmante. Nevojë për reformimin e tij dhe forcat inerciale për të ruajtur status quo-në u ndeshën dhe vazhdojnë të ndeshen gjithnjë e më shumë, duke krijuar dhe duke centrifuguar ose agreguar në hapësirën publike ide, pikëpamje dhe qëndrime të cilat tashmë kanë marrë një formë të plotë dhe palët janë shfaqur. Nga njëra anë grupe interesi (ku bëj pjesë dhe unë) profesorë, gazetarë, analistë, intelektualë, kanë kërkuar një sektor të arsimit të lartë më konkurrues, në mos plotësisht konkurrues, kanë kërkuar një sektor ku gjërat të lëvizin, ku gjërat të marrin vlerën e vërtetë, të mbështesin kategori ose shtresa të caktuara, ku të mbështeten dhe të promovohen standardet ndërkombëtare më të avancuara, të kapërcehet prapambetja jonë disa shekullore në edukim, falë komunikimit të shpejtë me botën moderne, teknologjisë e kështu me radhë. Nga ana tjetër, një grup tjetër profesorësh, simbol i të cilit është profesor Fuga kanë dashur status quo-në, kanë dashur vazhdimin e sektorit shtetëror, ose një lloj konceptimi të reformës, i cili minimumi nuk dihet ç‘është, maksimumi është vazhdim i kësaj status quo-je dhe monopoli. Unë personalisht mendoj dhe ndaj plotësisht këtë ide: ndershëm , hapur, qartë, hapur me opinionin publik dhe aktorët shoqërorë nxënësit, prindërit dhe studentët: Duhet sa më parë dhe sa shpejt të adoptojmë në Shqipëri sistemin më të avancuar universitar sot në botë: modelin anglosakson të arsimit të lartë. Nga ana tjetër, të kërkosh të ruash status quo-në në universitetin publik ku përditë harxhohen para publike, blihen dhe shiten provime, shkëmbehen favore të natyrave nga më të ndryshmet, ka nepotizëm, ka prapambetje në kërkimin shkencor, ka cilësi bërrnut të produktit universitar apo kërkimor, me përjashtime të rralla, edhe pse përdoret materia gri më e mirë e Shqipërisë, është thjesht jo vetëm kundër interesit publik por është thuajse – kriminale kundrejt brezave dhe shoqërisë shqiptare. Profesor Fuga e ka aparatin që ta dijë këtë, e ka aparatin ta konceptojë, e ka aparatin ta analizojë. Atëherë përse e bën? Përse një kundërshtim kaq i jashtëzakonshëm i reformimit të arsimit shqiptar dhe adaptimit të tij me nivelet më të avancuara, siç është bërë e modës, kryesisht modelet anglo-saksone, të ndërtuara sipas parimit “efikase përmes pagesës dhe solidare përmes bursave”, me diversitetin e tyre non- profit ose privat por gjithsesi jo shtetëror. Sistem që është i provuar prej vitesh dhe dekadash në klasifikimet më të sofistikuara të universiteteve botërore ku qëndron në majë. 90-95% e universiteteve më të mira të botës janë të kësaj filozofie, që në thelb ka konkurrencën, meritokracinë, pagesën dhe solidaritetin për shtresa, degë ose kategori sociale të caktuara, të inkuadruara në parimin e famshëm të affirmative action. Përse e bën pra kur e di se si janë modelet, avantazhet, dizavantazhet etj etj? Eshtë ideologjikist i majtë, është punist, ështe nostalgjik? Priftërimi i rremë pro publikes Mirëpo, do të isha shumë dakord me një punist të vërtetë, me një komunist po të doni, me të gjithë ata që e kërkojnë sektorin shtetëror edhe në prodhimin e çokollatave, edhe në përgatitjen e studentëve, edhe në prodhimin e gjilpërave apo në çfarëdo lloj forme tjetër. Do të isha absolutisht dakord sepse komunistë, punistë të kësaj natyre ka dhe do të ketë në të gjithë botën. Por më duket se priftërimi ose militimi i vonuar i Fugës për shtetërorin ka karakter hipokrit. Karakteri hipokrit i kësaj ilustrohet më së miri në faktin se, në radhë të parë, profesor Fuga prej gati 15 vjetësh vazhdon të qëndrojë më shumë se gjysmën e vitit jashtë vendit dhe të paguhet 365 ditë të vitit me paratë publike dhe me taksat tona. Profesor Fuga është i parimit “bëni si them unë, por mos bëni si bëj unë”, vetë ai ka qenë dikur një individ shumë i përfshirë në sektorin privat, në disa prej universiteteve private, ka qenë anëtar bordesh, ka dalë nëpër reklama para publikut siç është rasti i “Marin Barletit”, ka botuar në shtëpi botuese të universiteteve private, ka dalë në kopertina, ka dhënë mësim në 5-6 universitete private ose të pavarura, vetëm në Universitetin Europian të Tiranës profesor Fuga ka marrë më shumë se 110 mijë Euro pagë, si mësimdhënie ose si konsulent akademik. I ka merituar dhe ka respektuar çdo gjë të kontratës që kemi pasur. Imagjinoni një gjë e tillë e shtrirë në 4-5 universitete dhe në vite të tëra duhet të jetë së paku 400-500 mijë Euro. Nëqoftëse qëndron vetëm 4 ose 5 muaj në Shqipëri në punën që paguhesh me paratë publike, në qoftë se ti ke marrë 400-500 mijë Euro nga sektori privat, përse të mos u ofrosh të tjerëve supën e ftohtë dhe të shpifur të universitetit shtetëror? Pse të mos penalizosh të ardhmen e studentëvë shqiptarë. Sepse vetë ke zgjidhje ose forma të tjera. Pse të mos ju ofrosh kolegëve të rinj vegjetimin e mjerë në këtë sektor dhe të manipulosh në facebook në lidhje me universitetin shtetëror apo atë privat? Shkurt, ka nevojë që ky militim i profesor Fugës ndaj publikes të paraqitet në pamjen e tij të plotë dhe jo thjesht në predikimet online apo publike të cilat janë së paku ose pabazë ose janë të paplota, sepse nuk deklarohet ana tjetër e qëndrimit të profesor Fugës ndaj sektorit privat, tipike e parimit “ha bukën e turkut dhe bëj duanë kaurit” siç thotë një fjalë e urtë. Rreth keqinformimeve për reformën universitare Rama Ligji i ri arsimit dhe reforma universitare Rama ka qenë thelbi ose kali i betejës së këtij kundërshtimi. Kjo reformë ka ndeshur një rezistencë të jashtëzakonshme, e cila duhet thënë që është efikase deri në një farë mase. Ajo ka pasur vullnetin e hekurt të Kryeministrit Rama për ta çuar atë përpara sipas një vizioni të tij të rrugës së tretë, i cili parashikon derivimin e universiteteve të themeluara në mënyrë private ose shtetërore drejt një forme të tretë drejt universiteteve të pavarura nonprofit, por në thelb është bërë shumë e ndrojtur, është penguar dhe është bërë thuajse jofunksionale deri tani. Ligji i ri arsimit të lartë është produkt i kësaj mazhorance dhe është një premtim elektoral i Ramës që në vitin 2013. Në programin elektoral të Ramës flitet qartësisht për një trajtim të barabartë, me një kut me një masë dhe për konkurrencë në sektorin e arsimit të lartë. Sigurisht, sektori privat dhe UET nëpërmjet presidentit të universitetit, profesor Civicit, kemi qenë pjesë aktive e reformës dhe e debatit, por kjo është një reformë tipike e një qeverie të majtë, vetëm 3 nga 11 anëtarët e komisionit kanë qenë nga universitete jo shtetërore dhe ajo nuk parashikon në mënyrë absolute kalimin e parave publike në sektorin privat, përveç fondit të ekselencës apo kërkimit shkencor, gjë që kështu ka qenë gjithmonë. Kemi debatuar hapur, qartë dhe në çdo forum e media për opsionet tona, por reforma universitare Rama është produkt i qeverisë socialiste të Edi Ramës dhe frymëzimit të saj “të rrugës së tretë”. Ajo është një reformë liberalizuese por jo liberale. Eshtë reformë e majtë, por është e rrugës së tretë. Ligji i ri arsimit të lartë vetëm sa hap një premisë, ai i jep fund universitetit punist dhe prandaj është shumë e shqetësuar një kastë profesorësh. Ligji ka liberalizuar të drejtën për kualifikim shkencor të ciklit të tretë, titujt dhe gradat dhe i ka thënë fund monopolit punist të kualifikimit shkencor vetëm tek universitetet shtetërore. Ligji ka mundësinë të krijojë një panoramë të re, edhe pse përmes shumë vështirësive, në sistemin e arsimit të lartë. Kjo është e vërteta dhe është absurde që Partia Demokratike, sot në opozitë e cila dikur premtonte një opsion shumë më liberal të parimit “paraja ndjek studentin”, e vënë disa herë në gojën e ish-Kryeministrit Berisha apo Lulzim Bashës, sot të kërkojë anulim të këtij ligji apo të vijë tek opsionet e profesor Fugës në lidhje me këtë ligj. Por këto janë llogaritë elektorale të PD-së dhe me sa duket kursi populist në të cilin bien opozitat në këtë vend. Rreth neutralitetit të Universitetit Europian te Tiranës Universiteti Europian i Tiranës shpesh herë anatemohet në jetën publike, duke u lidhur ose me emrin tim ose me qëndrimet e mia publike. Universiteti Europian i Tiranës duhet sqaruar shpejt e shpejt, pa u bërë bezdisës për publikun, se është një organizatë shumë më e madhe se unë. Unë e administroj atë ekonomikisht, por ai është një forcë intelektuale, akademike dhe e materies gri shumë më e madhe dhe krejtësisht jashtë meje. Në Universitetin Europian të Tiranës, të paktën që prej vitit 2010, janë së paku më shumë se 100 pedagogë të brendshëm të rrymave, ideve dhe angazhimeve të ndryshme. Universiteti e ka zgjedhur qartësisht lirinë e tij, të jetë një organizatë neutrale, jo duke qenë sterile por duke qenë universalisht e hapur. Në Universitetin Europian të Tiranës ka pedagogë të të gjitha qëndrimeve dhe pikëpamjeve. Në UET qarkullojnë debate, ide, pikëpamje, profile njerëzore apo intelektuale të të gjitha ngjyresave, duke kryer funksionin më normal të një universiteti në një shoqëri demokratike si një qendër mendimi, një platformë e hapur në funksion të zhvillimit të vendit. Si i tillë nuk ekziston asnjë anësim politik i Universitetit Europian të Tiranës, nuk ekziston asnjë qëndrim politik i Universitetit Europian të Tiranës, sepse kjo është e panatyrshme për çdo universitet dhe nuk ka si të jetë tek ne. UET- i është një qendër heterogjeniteti dhe sot pedagogët apo dhe ish-pedagogët mund t’i gjesh me shumicë në çadër si Nevila Xhindi, Ina Zhupa, Arbi Agalliu, Besart Kadia, Oriola Pampuri, Mateo Spaho, Nevila Nika, Belina Budini; mund t’i gjesh me shumicë në mazhorancë si Odeta Barbullushi, Ervin Mete, Gentian Elezi e kështu me radhë, drejtorë të agjencive të rëndësishme si Genti Beqiri, Manol Simo e kështu me radhë. Është qesharake të mendosh të politizosh një organizatë e cila ka dëshmuar qartësisht një emancipim, një hapje dhe një funksionim me kohë brenda parametrave të një shoqërie demokratike. UET ka qenë i hapur dikur për liderin e opozitës Edi Rama, ka qenë i hapur për kryeministrin Berisha dje, është i hapur sot për liderin e opozitës Lulzim Basha. Asgjë s’ka ndryshuar në lidhje me neutralitetin e UET-it si një organizatë e hapur ndaj të gjithëve, si një platforme idesh dhe debatesh. Përpjekja për ta politizuar UET, është qesharake. Sepse përditë përgënjeshtrohet nga spektri i gjerë dhe i plotë i aksioneve të universitetit në hapësirën publike. UET është një organizatë profesionale e mësimdhënies dhe kërkimit shkencor, e cila përpiqet duke respektuar lirinë akademike të kërkimit shkencor të impaktojë zhvillimin e vendit përmes ideve, specialistëve dhe mekanizmave akademike. Reputacioni i UET, tashmë prej 11 vjetësh në sektorin e arsimit të lartë, nuk ka nevojë për prova të tjera se sa akreditimet zyrtare dhe ndërkombëtare, sesa parametrat e cilësisë ( kemi diplomuar jo më shumë 6500 studentë nga rreth 15 mijë studentë të regjistruar në 11 vjet) dhe gjithë ajo punë gjigante dhe cilësore që bëhet përditë në UET. UET po ashtu mund të mbështesë plotësisht ose pjesërisht me bursat e plota të pjesshme më shumë se 2500 studentë për të ardhur te sistemi i ri i bursave sipas parimit të “afirmative action”, bursat ‘Pashko’. Kemi kontribuar si korporatë përmes përgjegjësisë sociale në 10 vjet me më shumë se 5 milionë euro, mbështetje për veprimtari shkencore, kulturore, sportive, mediatike etj., etj. Kushdo që etiketon UET, shpif, deformon apo insinuon, reflekton asgjë më shumë se një fenomen banal. Idetë e mia personale, kam pasur rast t’i shpreh në publik përmes gazetës Mapo, profilit tim dhe bindjet e mia si liberal kam rast t’i shpalos ndarazi tek Fondacioni për Lirinë Ekonomike. Të fundit fare, por jo më të parëndësishmet E fundit, por sidoqoftë t’i kthehemi të parës, angazhimi juaj profesor Fuga në lidhje me kauzën e fundit të opozitës është absolutisht i mirëpritur, madje është i vonuar, sepse në jetën publike gjithkush është i mirëpritur dhe nuk mund të gjykohet nga qëllimet, idetë dhe pikëpamjet dhe nuk duhet t’i lejojë vetes të gjykohet nga të tjerët. Askush nuk duhet t’ju gjykojë profesor Fuga se përse e bëni këtë dhe nuk keni të drejtë të gjykoni kënd përse mban një qëndrim apo jo. Le të vijmë te argumentet, duke flakur tej statuset, qëllimet, arsyet, inkonshin, arsyen e tërthortë apo të drejtpërdrejtë, sepse në fund të fundit ndoshta na shkon më mirë shprehja “Ne jemi të gjithë të angazhuar, ne jemi të gjithë të pavarur”. Si përfundim, profesor Fuga në këtë debutim të ri tëndin në angazhimin direkt në politikë, shumë të mirëpritur, dua të theksoj diçka, më shumë se sa për ju, për Lulzim Bashën. Nuk di nëse ju jeni angazhuar me Bashën ngaqë ai ka thënë se do të anulojë ligjin e arsimit të lartë, por e vërteta është se jeni duke e ndotur me ca punizëm diskurin e Lulzim Bashës, madje me shumë punizëm diskurin e një partie të djathtë. Me tezat tuaja që shpesh herë i merr zoti Basha, të tipit “të heqim financimin privat për partitë politike”, “asnjë para publike për sektorin privat”, “të forcojmë sektorin shtetëror në shërbimet publike” etj., Lulzim Basha është duke tradhtuar frymën liberale, është duke deformuar karakterin e djathtë të programit të Partisë Demokratike dhe mbi të gjitha është duke mohuar vetveten e shkuar, por pa e thënë këtë. Është zgjedhja e tij, është basti elektoral dhe në një farë mënyre publiku do ta vlerësojë. Si përfundim, kam pasur një vëmendje të shtuar ndaj jush për shkak të ideve tuaja, pikëpamjeve tuaja dhe të diskurit tuaj filozofik. Ndërsa nuk kam aspak interes ndaj rolit aktual, atë të një njeriu të angazhuar publik dhe politik, sepse nuk keni marrë asnjë pozicion origjinal, thjesht keni rënë në një përtëritje të kamufluar të punizmit. Këtë rolin tuaj të fundit e njoh vetë mirë, militoj prej vitesh në kampin e ideve liberale dhe reformuese. Prej profesionit tim të vjetër si ish-gazetar apo rolit të sotëm si botues, e kam parasysh çfarë ndodh, pse bëhet dhe si bëhet. PS: Lidhur me Iniciativën për Tiranën e vitit 2011, ju them se gënjeni plotësisht. Ajo nismë, për të cilën jam krenar se prodhoi politikanin Lulzim Basha, nuk ishte e UET, vetëm 3 nga 31 pjesëtarët e asaj liste njerëzish të respektuar në qytet, të majtë e të djathtë, ishin atëherë pedagogë të brendshëm në UET. Ne ftuam pa hile të dy kandidatët në debat për qytetin dhe askush nuk pati ndonjë presion për të marrë pjesë. As ti. Por meqë kam nisur të merrem me ju, kjo është e fundit gënjeshtër dhe insinuatë që ua fal. Pas kësaj, do të jetë zyra juridike që do të merret me deklaratat tuaja ose të kujtdo tjetër nëse ato do të përbëjnë “shpifje, fyerje, dëmtim të reputacionit”. Paratë e dëmshpërblimit që do të fitoj nga këto padi do t’i çoj në favor të veprimtarive të mia jofitimprurëse, në kuadrin e Institutit Europian PASHKO për të promovuar frymën liberale në këtë vend.
Artan Fuga, Panorama, 6 Mars 2017 Kujtime të mia nga universiteti europian i Tiranës
Shkrimi nga gazetari Vladimir Karaj, dje në mapo, media ngjitur me universitetin europian të Tiranës, me pronar Henrin, më solli shumë kujtime nga koha, nja gjashtë a shtatë vite më parë kur jepja ndonjë kurs leksionesh atje, dhe me këshilla e sugjerime përpiqesha të ndikoja të formatohej si duhej që kjo shkollë të ishte sipas meje, jo sikurse është. Dhe më lindi ideja që ndonëse unë dua ta harroj atë histori të shkuar personale në karrierën time, një dështim atje për mua, (në planin tim personal, sepse nuk dua dhe as më intereson të jap këtu dhe tani gjykime për institucionin) sa herë mapua ose individë të tjerë atje të kenë dëshirën për t’u marrë me mua, shtyrë nga pasione që unë ua di burimin, të keqpërdorur, po të më ndodhin reminishenca, do t’ja tregoj këto publikut në formë kujtimesh. Tani të gjithë rrëfejnë histori nga jeta e tyre, pse mos tregoj edhe unë ndonjëherë, sipas rastit! Dhe m’u kujtua se shkrimi i mapos nënshkruar nga Vladimir Karaj më sulmonte, mbështetur nga karikatura shumë miqësore e karikaturistit të talentuar, aktori i njohur, specialisti i dizajnit zoti Bujar Kapexhiu, se kam humbur pavarësinë dhe shfaq politizime të anshme. Si duket më kanë harruar – thashë me vete. Më kujtohet viti 2011. Në Universitetin Europian të Tiranës vendosej gjithçka në dispozicion të kandidimit dhe të fushatës elektorale të Lulzim Bashës për postin e kryetarit të bashkisë të Tiranës. Përballë tij ishte Edi Rama që në atë kohë ishte tashmë kryetar bashkie dhe përpiqej ta mbante atë post. Ë mo ju kujtohet apo jo? Po, mo po; Lulzim Basha i sotëm dhe Edi Rama i sotëm. Universiteti Europian i Tiranës, që sot ka këtë mapon e papolitizuar, atëhere vinte në dispozicion të fushatës të zotit Lulzim Basha salla, karrige, studentë, madje edhe pedagogë. Henri atëherë mobilizonte prapa një nisme gjoja “Inisiativa për Tiranën” intelektualë që t’a mbështesnin zotin Basha. Ju kujtohet? Shkruante shtypi pranë zotit Rama atëherë. Në takimet që bëheshin lihej edhe një karrige për zotin Rama, krejt në mënyrë provokative, sipas meje, ku ai duhej të vinte të dëgjonte intelektualët e “Inisiativës për Tiranën”, mbështetës de facto të zotit Basha, të moderuar nga stafi i tij, që sigurisht dhe në mënyrë të natyrshme bënte fushatën e vet elektorale, partiake, personale, si kudo, që ta vendosnin pra këtë kandidatin tjetër, Edi Ramën, për shpatulla për muri. Nga organizuesi i këtyre takimeve në Universitetin Europian të Tiranës kisha goxha presion të fortë që edhe unë të bëja pjesë si në Iniciativën për Tiranën, gjoja intelektuale dhe e pavarur, ashtu edhe të flisja në takimet elektorale të asaj kohe. Përndryshe më thoshte ai atëherë do të isha indiferent, neutral, nuk do të luaja rolin tim si intelektual që duhet të angazhohet në politikë, etj. Nuk pranova dhe iu thashë hapur, sinqerisht, fort: Jo! Ka plot dëshmitarë për këtë. Jo se kisha gjë kundër Lulzim Bashës. Ai për mua gjithmonë ka qenë dhe mbetet një politikan, intelektual, dhe njeri që sipas meje i ka të rrallë shokët në Shqipëri, në të gjitha anët e politikës shqiptare, por kisha arsye të tjera për të refuzuar. E para, nuk isha dakord që universiteti europian i Tiranës si institucion dhe agjenci e depolitizuar të angazhohej qoftë edhe nën zë ose me salla a të tjera në një fushatë politike, elektorale. E dyta, sepse grupimi “Inciativa për Tiranën, megjithëse atje bënin pjesë intelektualë të nderuar, nuk ishte në thelb si iniciativë qytetare, por si mbështetje elektorale e zotit Basha. Moderohej nga stafi i këtij të fundit. Ky fakt mjafton ta vërtetoj. E treta, ndonëse nuk kam pasur kurrë kontakte me Edi Ramën sakohë që ai ishte dhe është në politikë, nuk më dukej korrekte t’i ngrihej atij apo kujtdo tjetër një rreng atëherë duke e ftuar të merrte pjesë a të ndodhej në mjedise para “gjykatësve” që në prapavijë e në të vërtetë asokohe ishin mbështetës dhe pranonin të moderoheshin nga stafi elektoral i zotit Basha. Ishte një rreng i ulët Vladimir Karaj, por ti mbase nuk e di sepse atë kohë ti punoje në vend tjetër dhe për të tjerë njerëz. Si i pavarur sigurisht. Si Henri atëherë dhe tani! Ja këto kujtime m’u ngjallën dhe thashë përse të mos nis t’i tregoj sa herë mapua që andej nga bregu i Lanës do të më ngjalle reminishenca! Jo për t’u lavdëruar, aspak, nuk kam bërë asgjë, por për të treguar se pavarësia ime politike nuk nis sot. Por, disave duhet t’ua kujtosh. Dhe unë nuk do të përtoj t’i ekzorcizoj të gjitha kujtimet e mia pak e nga pak nëse më jepet rasti sigurisht.

Prof. Dr. Albert Doja mbi Kerkimin Shkencor ne Fushen e Antropologjise.

Përtej debatit në Akademinë e Shkencave/ Problemet e antropologjisë shqiptare nga një profesor i Lille?! Gazeta Shqiptare: http://www.gsh.al/2017/03/20/pertej-debatit-ne-akademine-e-shkencave-problemet-e-antropologjise-shqiptare-nga-nje-profesor-i-lille/ Intervistoi Ben ANDONI “Milosao” ka bërë një intervistë me profesorin e Sociologjisë dhe Antropologjisë nga Universiteti i Lille Albert Dojën për të shpjeguar diçka më shumë lidhur me Antropologjinë shqiptare dhe debatin e sotëm në Akademinë e Shkencave I nderuar profesor Doja, pa dashur t’ju përfshijmë në një debat të ditëve të fundit në Shqipëri, sa i përket antropologjisë, duam t’ju bëjmë një pyetje direkte: A ndjeni se kjo disiplinë po e mban në ditët tona rëndësinë e saj të vërtetë në studimet shkencore në Shqipëri? “Në disa shkrime të botuara në revista shkencore ndërkombëtare, ndonëse ndonjë përmbledhje e shkurtuar e të cilave mund të jetë botuar edhe në shtypin shqiptar, kam parashtruar idenë se në Shqipëri nuk ka pasur asgjë të ngjashme me antropologjinë, as përpara as gjatë periudhës socialiste, dhe akoma nuk ka diçka të tillë. Fusha që paraqitet zakonisht si ekuivalent i antropologjisë social-kulturore është mbizotëruar nga ajo që njihet në Shqipëri si studime të kulturës popullore apo studime folkloriko-etnografike nëse e përdorim termin “folklor” në kuptimin e tij primar si dije e popullit apo tërësi e traditave, zakoneve dhe arteve popullore, ndërsa termin “etnografi” si shkenca që merret me përshkrimin e tyre. Me fjalë të tjera, këto lloj studimesh kanë përfshirë folklorin, etnografinë, kulturën materiale, traditat gojore, mitet, besimet, zakonet, objektet e artit popullor, etj. Historia e studimeve folkloriko-etnografike të kulturës popullore që janë zhvilluar në Shqipëri nuk mund të ndahet nga ai kontekst më i gjerë politik e shoqëror që ka gjeneruar interes të madh për identifikimin, mbledhjen, përshkrimin, ruajtjen, por edhe ekzaltimin e zakoneve të ndryshme dhe hollësive të tjera të kulturës vetjake kombëtare, apo të kulturës popullore të kombit të cilit i përket studiuesi. Qëllimi ka qenë dhe mbetet lartësimi i një modeli kombëtar që është menduar të jetë i rrënjosur thellë në të kaluarën, në përputhje me idealin shkencor të një disipline shtet-komb-formuese. Në thelb, këto studime kanë fituar në mënyrë të pashmangshme një qëndrim politik nacional-komunist dhe një orientim metodologjik deskriptivist dhe esencialist. Ç’është e vërteta, pjesa e më madhe e studimeve folkloriko-etnografike të kulturës popullore janë marrë dhe merren me bashkërendimin jokritik të zakoneve dhe objekteve të mbledhura, veshjeve, banesave, mjeteve të punës, veglave, këngëve, valleve, riteve, ceremonive, etj. Në këtë rast, ashtu si dikur antropologu i shquar britanik Edmund Leach ka denoncuar shfaqje të ngjashme në raste të tjera, vështirë të jetë i ekzagjeruar barazimi i këtyre studimeve me koleksionime fluturash dhe i këtyre studiuesve me mbledhës folklorikë të fluturave lokale, meqë ata vazhdojnë të jenë të paaftë dhe jo të gatshëm për të shkuar përtej përvojës së tyre të deritanishme dhe të tolerojnë hamendësime të frymëzuara shpjegimesh dhe përgjithësimesh që kapërcejnë vend – vendosjen e tyre të ngushtë. Në të njëjtën kohë, ky orientim metodologjik deskriptivist dhe esencialist i studimeve folkloriko-etnografike të kulturës popullore në Shqipëri nxjerr edhe më mirë në pah funksionimin e tyre instrumental kryesisht si një version i ripunuar i shkollës kultural-historiciste gjermano-austriake, e njohur si Volkskunde, e cila së bashku me antropologjinë fizike apo të ashtuquajturën shkencë raciale u bë mbështetja kryesore për ideologjinë famëkeqe të nazizmit në Gjermaninë hitleriane. Në traditat studimore të shkruara në gjuhë gjermane emërtimi “etnografi” ka filluar qysh herët të përdoret për të marrë në konsideratë studimin e praktikave kulturore në lidhje me racat njerëzore. Megjithatë, në Shqipëri, ashtu si ndodhi dhe në vendet e tjera të Europës Lindore, këto studime adoptuan emërtimin e “etnografisë” në imitim të etnografisë sovjetike dhe sipas logjikës së zhvillimit dhe ndarjes së saj nga “folkloristika”. Pavarësisht historisë institucionale të termave, që bëhet edhe më e vështirë sidomos kur mungon shkollimi profesional, këto lloj studimesh i janë nënshtruar projektit për të zbuluar një gjendje apo një prejardhje sa më të vjetër dhe të panjollosur të kulturës popullore dhe të shpirtit të popullit (Volksgeist), duke u transformuar kështu në mënyrë të pashmangshme në mjete propagande që u kanë shërbyer interesave nacionaliste, fashiste dhe komuniste. Ndërsa dallimi ndërmjet emërtimeve të ndryshme studimore, si “folklor” që merret me traditat gojore, “etnografi” që merret me zakonet dhe objektet materiale, apo madje edhe “antropologji fizike” që merret me tiparet raciale, duhet të shihet kryesisht si një çështje e ndarjes së detyrave brenda një projekti të përbashkët kombëtar që fiton brohoritje nga historia. Në studimet shqiptare e njëjta gjë vlen të thuhet jo vetëm për historiografinë që merret me kohët e shkuara, por edhe për arkeologjinë që merret me mbetjet e kulturës materiale, si dhe për filologjinë që merret me reliket gjuhësore. Megjithatë, në fusha të tilla studimore si historia, filologjia, madje edhe arkeologjia, shkenca shqiptare ka trashëguar nga e kaluara studiues të mirëpërgatitur në universitete të përmendura europiane, të cilët krijuan një bazë të shëndoshë për zhvillimin e mëtejshëm të studimeve shqiptare pavarësisht kufizimeve ideologjike të regjimit komunist. Ndërsa në fushën e studimeve të kulturës popullore nuk ka pasur as ndonjë kuadër të përgatitur në Bashkimin Sovjetik apo në vendet e tjera socialiste të Europës Lindore. Në fakt, këto studime u zhvilluan nga studiues pa kurrfarë shkollimi profesional, apo nëse rimarrim një shprehje të kohës, “të përgatitur me punë vullnetare”, ashtu si ka ndodhur edhe në shumë fusha të jetës politike, ekonomike, shkencore, teknologjike, kulturore e artistike të asaj kohe. Meqë në Shqipëri nuk ka pasur asnjëherë asnjë arsimim universitar fillestar në këtë fushë, normalisht studiuesit, si dikur edhe sot, janë rekrutuar menjëherë pas një diplome të shkallës së parë në histori apo në letërsi. Madje ndodh që ndonjë prej tyre vazhdon të brohorasë me mburrje, me gojën e vet dhe në mënyrë të përsëritur, se të gjithë e kanë mësuar “metodën antropologjike” pa ndonjë trajnim profesional, por thuajse me magji si “një traditë të transmetuar në mënyrë gojore”. Kjo ka shkaktuar atë izolim intelektual tipik që lehtësohej edhe nga politikat shtetërore izolacioniste, nëpërmjet të cilit studiuesit shqiptarë gjatë socializmit refuzonin, madje pa asnjë lloj diskutimi, teoritë dhe metodat antropologjike bashkëkohore që vinin nga Perëndimi. Edhe sot e kësaj dite, studiuesit e rinj që nuk ndryshojnë nga të vjetrit vazhdojnë të njëjtën mendësi kur nënvleftësojnë apo përçmojnë kontribute të rëndësishme, gjer edhe në vjetarin Etnografia Shqiptare dhe revistën Kultura Popullore, thjesht sepse ato “janë shkruar nga jo-etnografë”. Për ta kjo do të thotë se vetëm studiuesit e emëruar zyrtarisht në sektorin e etnografisë së Institutit të tyre, sot të ashtuquajtur i Antropologjisë Kulturore në Qendrën e Studimeve të ashtuquajtura Albanologjike, mund të pretendojnë të jenë “etnografë” apo “antropologë”, ndërkohë që shumë studiues të tjerë të cilët kanë ndërmarrë me sukses futjen e antropologjisë në disa institucione publike dhe private të kërkimit shkencor dhe të arsimit të lartë injorohen plotësisht, duke përfshirë edhe Universitetin e Tiranës apo institucionin shkencor më të lartë kombëtar si Akademia e Shkencave të Shqipërisë. Në këtë mënyrë, një numri në rritje studiuesish të rinj që janë arsimuar në fushën e antropologjisë, disa prej tyre edhe në universitete të përmendura në botë, u mbyllen dyert e kërkimit shkencor në Shqipëri. Në kushtet ekzistuese, trashëgimtarët e punësuar zyrtarisht të ish-Institutit të Kulturës Popullore mesa duket nuk kanë nevojë t’u hapet rruga studiuesve të kualifikuar, kompetentë e vizionarë që janë në gjendje të ushtrojnë antropologjinë dhe të kryejnë studime antropologjike cilësore dhe konkurruese në nivel ndërkombëtar. Ndryshe nuk ka si shpjegohet rezistenca absurde që është bërë e zakonshme në mbarë Qendrën e Studimeve Albanologjike kundër futjes së procedurave dhe kritereve të reja, si dhe kundër përpjekjeve që vazhdimisht propozohen për të spastruar dhe mbrojtur sistemin e shkencës nga njerëzit e paaftë e të pakualifikuar. Si kundërpërgjigje të pritshme, ajo çka mund të bëjnë më mirë këta studiues është të kërkojnë vazhdimisht më shumë burime financiare e materiale, ndërkohë që revistat e Institutit të tyre mbushen me të njëjtat shkrime, që vazhdojnë të njëjtën traditë deskriptiviste, madje edhe nga dy a tre shkrime në një numër prej të njëjtit autor. Prandaj nuk ka pse të çuditesh që në revista të tilla “shkencore”, të cilat financohen nga fondet publike, nuk ka vend për askënd tjetër sikundër edhe nuk lexohen nga kurkush tjetër veç atyre vetë. Për fat të keq, qëkurse antropologjisë filloi t’i dëgjohet emri edhe në Shqipëri, e kam fjalën për antropologjinë social-kulturore, madje pa e ditur mirë kuptimin e saj, atyre u duket sikur kanë ushtruar antropologjinë prej kaherësh dhe kanë qenë antropologë prej fillimit. Kjo ka ndodhur thjesht ngaqë ata i kanë mbushur mendjen vetes se studimet antropologjike dhe studimet folkloriko-etnografike të kulturës popullore i përkasin së njëjtës fushe apo ngaqë kujtojnë edhe me më shumë naivitet se një ndryshim i thjeshtë i terminologjisë mjafton për njëfarëlloj përzierjeje të zhanreve. Në këtë rast, gjer edhe kuptimi i termave të disiplinës keqpërdoret qëllimshëm, në mënyrë të tillë që koleksionet folklorike të “etnografisë kombëtare” ngatërrohen me “metodën etnografike” në antropologji, ndonëse e njëjta gjë vlen të thuhet edhe për “antropologjinë fizike” që ngatërrohet si pa të keq me antropologjinë e përgjithshme social-kulturore. Në këtë mes, ndoshta duhet përmendur se një ngatërrim konceptual i ngjashëm, por i kundërt, ndodh edhe në lidhje me termat e traditës folklorike arkaike për aq sa, bashkë me to, nënvelftësohen dhe përçmohen edhe studimet moderne të “folklorit të gjallë”, të cilat për fat të mirë zhvillohen me sukses nga disa kolege në Kosovë, ku edhe antropologet e rinj janë mirëpritur dhe u jepet vendi që meritojnë. Sidoqoftë, mesa duket në Shqipëri, ashtu si zoti Jourdain në komedinë e famshme “Borgjezi Fisnik” të Molierit, që zbuloi papritmas se “fliste në prozë pa e ditur”, disa studiues u zgjuan një mëngjes të bukur dhe papritmas vendosën se tashmë ishin bërë antropologë, në fakt aty rreth dhjetë vite më parë kur Instituti i tyre ndërroi emër nga Institut i Kulturës Popullore në një Institut të ashtuquajtur të Antropologjisë brenda Qendrës së Studimeve të ashtuquajtura Albanologjike. Shumë prej atyre që e kanë ri-identifikuar veten si “antropologë”, pa pasur e pa ndërmarrë asnjë farëlloj formimi apo shkollimi profesional, thjesht kujtojnë se nëse i vënë vetes emërtimin antropologjik, merita e shkrimeve të tyre letrare mbi koleksionet arkaike folkloriko-etnografike do të ri-vlerësohet pozitivisht në terma universale dhe ata duhet kështu të konsiderohen si antropologë apo puna e tyre të konsiderohet si antropologji. Por çfarë është më e keqja, një rezultat i kombinuar i këtyre faktorëve ka bërë që në kushtet e sotme të jetës shkencore shqiptare, sikurse ka ndodhur më herët pothuajse në të gjitha vendet e tjera të Europës Lindore, vetë emërtimi “antropologji” është bërë shumë i modës edhe në Shqipëri. Si jam shprehur edhe kohë më parë publikisht në shkrimet e mia brenda dhe jashte vendit, kjo ka ndodhur sidomos me disa studiues të letërsisë dhe përfaqësues të shkollës komuniste të shkencave politike dhe filozofisë, por edhe me historianë, kritikë letrarë dhe kalemxhinj të tjerë me formime dhe shkollime të ndryshme. Sidomos kur bëhen personalitete publike apo të degjuar në media, këta gjithnjë e më shpesh pëmendin antropologjinë në shkrimet e tyre. Shumë prej tyre shtyhen ta paraqesin veten si “antropologë” apo “kulturologë” thjesht vetëm duke u përpjekur të manipulojnë ndonjë njohuri të përgjithshme mbi natyrën njerëzore, kulturën dhe shoqërinë. Në të tilla raste, shfaqja e shpejtë e “antropologëve” në periudhën post-komuniste nuk është gjë tjetër veçse një dëshmi elokuente e përdorimit të një emërtimi disiplinor si një instrument i nevojshëm dallueshmërie në një fushë ende të pasigurt të rishpërndarjes sociale të pushtetit intelektual”. Juve jeni një autoritet me renome ndërkombëtar i kësaj disipline, a mund të thoni stadet që ka arritur antropologjia sot dhe çfarë ndihmese jep ajo për fushat e tjera në botë? “Antropologjia social-kulturore është e kundërt me karakterizimin e studimeve folkloriko-etnografike të kulturës popullore, jo thjesht ngaqë përqendrohet në një kulturë tjetër, sepse edhe kultura ku bën pjesë studiuesi mund të jetë objekt i antropologjisë, por ngaqë është krahasuese dhe gjithëpërfshirëse, në kuptimin që merr parasysh në shqyrtimet e saj një tërësi sa më të shumëllojshme kulturash të tjera, gjë që ka të bëjë më shumë me karakterizimin e saj nga një metodologji specifike. Objekti i antropologjisë nuk është katalogimi i zakoneve të ndryshme në kultura të tjera. Antropologjia ballafaqohet me çështje themelore të ekzistencës njerëzore dhe të shumëllojshmërisë kulturore në të kaluarën dhe të tashmen. Qoftë edhe nëpërmjet analizës së të dhënave nga një kulturë e caktuar, në rastin tonë të kulturës shqiptare, por në krahasim me shumëllojshmërinë dhe ndryshueshmërinë kulturore nga shoqëri të tjera kudo që të ndodhen apo të jenë ndodhur, objektivi shkencor i punës së antropologut është të tregojë, për shembull, se kultura shqiptare nuk është as perëndimore apo lindore, as europiane apo jo-europiane, as pellazge apo ilire, as e përparuar apo e prapambetur, por është po aq e rëndësishme sa edhe kulturat e tjera pa përjashtim për të dhënë shpjegime antropologjike. Sepse qëllimi themelor i antropologjisë është ta shpjegojë shumëllojshmërinë dhe ndryshueshmërinë kulturore nëpërmjet mënyrës së njësuar dhe universale se si njerëzimi apo tërësia e njerëzve prodhojnë kulturë, e cila përbëhet nga ide, norma, institucione, sjellje sociale, etj. Vetëm mbi këtë bazë antropologjia bëhet e vlefshme dhe ka kuptim për të shpjeguar pastaj edhe dukuri të veçanta kulturore në një shoqëri të caktuar, përfshirë këtu edhe shoqërinë e vetë antropologut. Në kundërshtim me traditën arkaike folklorike, edhe studimet moderne të “folklorit të gjallë” përfshijnë vlerat, traditat, mënyrat e të menduarit dhe të sjelljes, të cilat i gjykojmë si tradicionale, me fjalë të tjera çdo gjë që tradicionalisht besojmë, bëjmë, dimë dhe themi, dhe që na ndihmojnë të mësojmë se kush jemi dhe si të kuptojmë botën që na rrethon. Në këtë kuptim, më tepër se një dimension i jashtëzakonshëm dhe shumë i rëndësishëm, si pjesë tradicionale, jozyrtare, jo-institucionale e kulturës, mund të them se folklori i gjallë vjen më afër nocionit antropologjik të kulturës. Sepse pikërisht antropologjia, me pikësynimin për të kuptuar naturën njerëzore, përpiqet të tipizojë botëkuptimet dhe mënyrat e të menduarit e të vepruarit që përbëjnë njëherazi thelbin e kulturës njerëzore dhe shumëllojshmërinë e kulturave në shoqëri të ndryshme. Për këtë qëllim, në antropologji përdoret metoda etnografike që në thelb nuk bën gjë tjetër veçse jep informacion mbi sjelljen interaktive në mes të njerëzve në marrëdhënie strukturore me realitetet e tyre, apo siç e ka përkufizuar antropologu i shquar amerikan Clifford Geertz, një përpjekje për të lexuar shoqërinë si një tekst që është shkruar jo me shkronjat konvencionale të tingujve të gjuhës, por me shembujt e përkohshëm të sjelljes sociale së formësuar prej kulturës. Përtej pjesëmarrjes me vëzhgime në vetë objektin e studimit dhe metodave të tjera cilësore si intervistimet që përdoren gjerësisht edhe në sociologji dhe shkencat e tjera sociale, metoda etnografike e antropologjisë është edhe një përvojë ballafaqimi i pandërprerë i vetes me të tjerët dhe i të tjerëve me vetveten. Çështja është të ndërtohet një kornizë e përgjithshme reference, ku të mund të gjejë vend pikëpamja e vendasit, pikëpamja e të huajit, si dhe gabimet e njërit në lidhje me tjetrin. Antropologjia social-kulturore nuk është një specialitet i përcaktuar nga një objekt i veçantë studimi, qoftë shoqëritë primitive apo kombet e amshuara. Antropologjia është një mënyrë të menduari, në thelb kur subjekti është diçka tjetër, dhe që kërkon që edhe ne të tjetërsojmë vetveten. Për këtë arsye, ne mund të bëhemi edhe antropologët e shoqërisë tonë, nëse marrim distancë të mjaftueshme prej saj, nëpërmjet atij “vështrimi nga larg” (regard eloigné) që antropologu i shquar francez Claude Lévi-Strauss ka përcaktuar si një kusht metodologjik sine qua non të antropologjisë. Qartazi, vështrimi nga larg nuk mund të arrihet duke keqpërdorur qëllimshëm kuptimin e termave të disiplinës, në mënyrë të tillë që ngatërron koleksionet folklorike të “etnografisë kombëtare” me “metodën etnografike” në antropologji. Çka nevojitet nuk është domosdoshmërisht studimi i shoqërive apo kulturave “të tjera”, por shkollimi i duhur profesional dhe një trajnim i gjatë dhe shpesh i mundimshëm për të praktikuar si duhet metodën etnografike që mundëson analizat antropologjike. Kjo është e rëndësishme sidomos për atë grup studiuesish të rinj, që kanë filluar përpjekjet e para për reformimin dhe modernizimin e kësaj fushe studimore dhe me të cilët besoj se bëj pjesë edhe unë, pavarësisht moshës, siç e kam treguar me kontributet e mia të deritanishme për një traditë shqiptare në antropologji social-kulturore. Në fakt, besoj se pjekuria nuk pengon përqafimin dhe nxitjen e risive antropoliogjike, siç është po aq e vërtetë se as rinia nuk është garanci kundër konservatorizmit folkloriko-etnografik”. Duke pasur parasysh mungesat e mëdha që ka historia jonë, në këtë kemi parasysh mungesën e dokumentacioneve për segmente kohore nga periudhat antike, mesjetare e më poshtë, mendojmë se antropologjia ka dhënë një ndihmesë të dorës së parë për plotësimin e tyre. A mund të na thoni diçka më të saktësuar, ju lutem? “Këtu më duket se ka nevojë për një qartësim të mëtejshëm. Ashtu si nuk është një disiplinë e studimeve letrare dhe folkloriko-etnografike, antropologjia nuk është as disiplinë historike, por një shkencë sociale. Para së gjithash antropologjia si shkencë sociale shtron pyetje mbi dallimet midis praktikës reale, sistemeve ideale dhe proceseve ideal-tipike, midis normave dhe rregullave të sjelljes të asaj që shumica e njerëzve realisht bëjnë dhe normave dhe rregullave ideale për atë që njerëzit duhet të bëjnë dhe se si ata duhet të sillen, njëherazi nga pikëpamja e opinionit të atyre vetë, nga pikëpamja e opinionit publik dhe nga pikëpamja e opinionit të sudiuesit. Gjatë rendit socialist, për shembull, studimet folkloriko-etnografike të kulturës popullore janë përpjekur shpesh, pavarësisht shkallës së suksesit, për të analizuar vlerat kulturore të popullsisë fshatare si zakone të prapambetura të një grupi ose klase të caktuar në zbatim të metodave të përdorura në tematikën e ndryshimeve të nevojshme lidhur me adoptimin e vlerave dhe normave socialiste. Megjithatë, ngaqë shumica e këtyre studimeve janë të bazuara në kritere formale dhe klasifikime, ato nuk i kanë kushtuar vëmendje marrjes parasysh të ndërveprimit me proceset sociale, por kanë neglizhuar kontekstin social dhe marrëdhëniet reale të aktorëve shoqërorë me objektin e studiuar. Tek e fundit, këto studime kanë çuar në një dështim të plotë të adresimit të çështjeve kryesore antropologjike lidhur me dinamikat kulturore dhe ndryshimet sociale, thjesht sepse ato ende kanë vështirësi për të adresuar çështjen e metodologjisë. Çuditërisht, edhe atje ku një lloj distance sociale ka ekzistuar, ajo ka mbetur një përbërëse e papërpunuar e metodës kërkimore dhe s’është bërë ndonjëherë qendrore në punën intelektuale dhe kuadrin organizativ të këtyre studimeve ashtu si ato janë zhvilluar në Shqipëri. Për shembull, shtresimet sociale që u shfaqën në fund të sundimit osman dhe vazhduan nga fillimi i shek.XX e këtej asnjëherë nuk tërhoqën vëmendjen e studiuesve të kulturës popullore dhe studimet shqiptare nuk prodhuan ndonjë studim të rëndësishëm e gjithëpërfshirës të nën-kulturave urbane, klasore, profesionale, apo të grupeve të tjera shoqërore, pavarësisht përshkrimit të hollësishëm dhe katalogizimit të objekteve dhe zakoneve të veçanta. Në mënyrë të ngjashme, asnjëherë nuk është dhënë një portret tërësor dhe i integruar i kulturës popullore në nivel fshati për një periudhë të caktuar historike. Më tej, mund të pritej të gjejmë një përshkrim më të plotë të “kohës së artë” dhe stilit të jetesës socialiste, ku një qasje sinkronike mund të ishte përdorur për të përshkruar aktorët e vërtetë në përballimin e kushteve të vërteta të jetesës, por asnjë përshkrim i tillë nuk është dhënë ndonjëherë. Një problem i veçantë metodologjik që lidhet me studimet e sotme të kulturës popullore ka të bëjë me mënyrën se si përshkrimet folkloriko-etnografike të organizuara dhe kodifikuara në tekstet e mbledhura merren si një dëshmi e praktikës jetësore, thjesht e dhënë si e tillë, edhe pse normalisht mund të jetë e pabesueshme. Rasti më i parë është padyshim teksti i kodifikuar i Gjeçovit mbi Kanunin e Lekë Dukagjinit, i cili është bërë burimi kryesor historik dhe pika qendrore e referencës për shumicën e diskutimeve rreth zakoneve shqiptare. E drejta zakonore tashmë është bërë një prani e prekshme, e paraqitur si një kompleks deklaratash në lidhje me veprime normale apo jonormale që përcillen përmes një grupi të veçantë rregullash të fiksuara në një libër nenesh ligjore. Kodifikuar në paragrafë që të duken ngjashëm me kodet e ligjeve shtetërore, këto nuk bëjnë veçse gjallërojnë idetë në modë të njëfarë pluralizmi ligjor. Madje për mendjen e cekët të ndonjë eksperti të kulturës ligjore, e gjithë kjo ka thjesht për qëllim të sigurojë çfarëdolloj dëshmie të rëndomtë për të ashtuquajturit sisteme shtrënguese që u dashkan të zhvillohen paralelisht apo në kundërshtim me njëri-tjetrin. Por janë pikërisht disa prej këtyre lloj teksteve historike dhe folkloriko-etnografike, të ndërtuara që të duken si kode ligjore, që japin një tablo të plotë normative dhe konsiderohen si një përshkrim absolutisht i vërtetë dhe i përhershëm i ligjit të maleve sikur të ishte një sistem juridik i mirëfilltë. Si përfundim edhe njerëzit paraqiten ashtu si duket se duhej të ishin. Kjo, natyrisht, deformon natyrën gojore të së drejtës zakonore, duke e bërë atë të duket si një ligj abstrakt, gjë që i ka dhënë përparësi nivelit ideal, domethënë se si sistemi duhet të zbatohet, ndërkohë që shpesh jeta e përditshme e njerëzve të thjeshtë injorohet ose shkëputet nga rastet e veçanta dhe interpretimet individuale të vetë njerëzve. Çka mbetet e pa hulumtuar janë transformimet e jetës shoqërore dhe ide të tilla se normat zakonore ekzistojnë për shkak se flitet e shkruhet për to, jo domosdoshmërisht për shkak se ato praktikohen. Në këtë mënyrë ka humbur mundësia për analiza shumëdimensionale të karakterit thelbësisht retorik të cilësdo reference ndaj sjelljeve zakonore në Shqipërinë bashkëkohore. Qasjet e mirëfillta antropologjike mund të lejojnë pikërisht një përpjekje analitike për të treguar, për shembull, se si individët dhe bashkësitë shoqërore shpesh do të gjejnë çdo mënyrë për të kapërcyer standardet zakonore absolutisht përcaktuese apo se si diskursi i së drejtës zakonore tradicionale përdoret si justifikim për vepra penale lidhur me zënkat e dekolektivizimit të tokës dhe kthimit të pronave, si dhe në konfliktet e dhunshme midis bandave të ndryshme kriminale”. Ju, si antropolog, jeni tashmë prej pothuajse dhjetë vitesh Anëtar i Rregullt i Akademisë së Shkencave të Shqipërisë dhe padyshim përfaqësoni antropologjinë sipas kritereve që përcakton rëndësia e kësaj fushe. Por ditët e fundit në Shqipëri është hapur një debat, sa i përket antropologjisë, lidhur me zgjedhjen e një Anëtari të Asociuar të Akademisë së Shkencave në këtë fushë. Si e shikoni këtë zgjedhje? A duhet të krenohemi se Shqipëria ka tani një Akademik të ri në fushën e antropologjisë që ia vlen të konsultohet? “Prej kohësh jam përpjekur të mbaj gjallë një debat, si brenda edhe jashtë vendit, sa i përket studimeve shqiptare apo albanologjike ku shumica e opinionit shkencor mendon se duhet futur edhe antropologjia. Por qëllimi im mbetet, si kudo e kurdoherë, mjaftueshmërisht i qartë. T’i nënshtroj studimet albanologjike ndaj një analize ideal-tipike nga pikëpamja e antropologjisë sociale, mbështetur në një qasje krahasuese me tradita të ngjashme studimore në vendet e tjera të Europës së Lindjes dhe të Perëndimit. Qëllimi nuk është thjesht të kuptohet se çfarë përbëjnë apo çfarë nuk përbëjnë studimet folkloriko-etnografike të kulturës popullore, për shembull, por si dhe pse këto studime lindën dhe u zhvilluan në drejtimin specifik që ato morën dhe jo në një tjetër. Megjithatë, nuk kam dashur asnjëherë ta personalizoj debatin dhe kam shmangur të përmend emra të veçantë, me përjashtim të figurave kryesore. Sigurisht, jam përqendruar kryesisht në identifikimin e dobësive dhe mënyrave të vjetruara, si dhe në domosdoshmërinë e përqafimit të metodologjisë antropologjike në studimet shqiptare të kohës së sotme. Në fakt është e rëndësishme të kuptohet si dhe pse një thyerje epistemologjike e këtij lloji është e domosdoshme në studimet shqiptare, në këtë periudhë tranzicioni dhe transformimesh të mëdha sociale e kulturore. Vetëm kështu mund të kapërcehen prapambetjet e trashëguara dhe të vlerësohen përpjekjet e filluara për reformimin dhe modernizimin e kësaj fushe studimore, me të cilat bashkohen përpjekjet e mia të vazhdueshme, si dhe gjithë puna ime për krijimin dhe zhvillimin e një tradite shqiptare në antropologji social-kulturore. Natyrisht, pikësynimi im nuk mund të jetë tjetër veçse t’i hapë rrugën brezit të studiuesve të rinj që kanë filluar apo janë të gatshëm të marrin formimin e duhur për të kryer punime të përshtatshme në antropologji. Njëherazi, qëllimi im është të pastroj këtë rrugë nga të vetë-shpallurit antropologë dhe kapardisjet e tyre gjestikulative që bëjnë çdo përpjekje për të ngatërruar gjërat dhe për të komprometuar të ardhmen e antropologjisë në Shqipëri dhe në studimet shkencore shqiptare. Prandaj kam qënë shumë i interesuar kur mësova se Kryesia e Akademisë kishte propozuar hapjen e kandidimit për një vend të ri Anëtari të Asociuar në fushën e antropologjisë. Çuditërisht, pas mbylljes së kandidaturave u hasa me një mungesë transparence dhe perde të pakuptueshme lidhur me identifikimin e kandidatëve. Shpallja zyrtare e zgjedhjeve u bë pa emrat e kandidatëve dhe me gjithë përpjekjet e përsërituara edhe nga disa Anëtarë të tjerë, Kryesia e Akademisë ka refuzuar deri në fund të shpallë zyrtarisht emrat e tyre. Për të qënë i sinqertë isha kurioz të mësoja se kush nga koleget e vjetër të studimeve folkloriko-etnografike mund të kishte kandiduar në fushën e antropologjisë. Por me sa duket, pas kaq kohësh, edhe koleget e vjetër janë ndërgjegjësuar se duhet të jetë më mirë, si për ta edhe për shkencën shqiptare, tua lënë vendin atyre që kanë formimin dhe përvojën përkatëse në këtë fushë. Nuk di sa mund të jetë e vërtetë kjo, por do ishte me të vërtetê një lajm shumë i mirë për antropologjinë në Shqipëri e sidomos për antropologët e rinj. Kuptohet sa i zhgënjyer u ndjeva kur mësova se ishte paraqitur një kandidat nga fusha e studimeve letrare! Sigurisht që kam reaguar ashpër dhe shumë fuqishëm. Sëbashku me kolegë të tjerë akademikë, jemi pëpjekur të propozojmë përcaktimin e kritereve të përcaktimit të fushës së antropologjisë përpara konkursit, si dhe normat dhe procedurat për një vlerësim dinjitoz të kandidatëve që mund të paraqiteshim pavarësisht se cilët mund të ishin ata. Pjesa dërrmuese e argumenteve që kam përdorur në një numër email-këmbimesh me Kryesinë e Akademisë janë rimarrë gjerësisht edhe në Letrën e Hapur që kandidati tjetër i ka dërguar Akademisë si ankesë për moszgjedhjen e tij (Mapo, 7 mars 2017). Por ashtu si në përgjigjen e saj ndaj Letrës së hapur (Panorama, 9 mars 2017), Akademia ka këmbëngulur se praktika është bërë strikt dhe konform bazës ligjore dhe akteve nënligjore përkatëse në fuqi. Sigurisht, problemi nuk qendron me rregulloret ekzistuese dhe as me respektimin e tyre me rreptësi gjatë gjithë procedurës së shqyrtimit dhe votimit që parashikohen për Seksionin apo për Akademinë. Problemi nuk është ligjor por është para së gjithash një problem i logjikës dhe etikës akademike e pastaj është një problem ligjor e administrativ. Përsa i përket kandidatit që fitoi shumicën e votave në këto zgjedhje, unë personalisht e njoh që prej viteve shkollore dhe kam respektin më të madh si studiues dhe intelektual me kontribute të spikatura publike, në fushat shkencore, organizative dhe politike. Mos harrojmë se ai ka qënë një nga të paktët që mund t’i pëshpëriste në vesh Ramiz Alisë dhe jam i sigurtë se ai ka kontribuar edhe në shumicën e atyre veprimeve sadopak pozitive që regjimi komunist ndërmori gjatë viteve të tij të fundit. Mos harrojmë se ka qënë ai që i ka shndërruar Arkivat e Shtetit nga një institucion policor të regjimit komunist në një institucion të mirëfilltë shkencor. Mos harrojmë se ai ka një veprimtari kërkimore dhe botuese në fushën e studimeve letrare që do t’i bënte nder çdo organizate apo institucioni shkencor. Unë do ta krahasoja pa frikë me një Jacques Attali, intelektualin e shquar dhe ndihmësin e mirënjohur të Presidentit francez Mitterrand, emrin e të cilit duhet ta ketë dëgjuar edhe publiku shqiptar. Por me një përjashtim të vogël. Jacques Attali nuk do të kandidonte kurrsesi për një vend akademiku në antropologji, thjesht sepse nuk është antropolog dhe ka shumë gjëra të tjera me çfarë të mburret. Nëse është e nevojshme, sigurisht që mund të shqyrtohen të gjithë elementet e dosjes së kandidimit për të parë se nuk ka asgjë të afërt me antropologjinë. Por opinioni publik do ta harrojë shumë shpejt këtë histori, ndonëse jam i sigurtë se ai vetë nuk do ta harrojë kurrë. Prandaj, i këshilloj të heqë dorë, në mos nga titulli i Akademikut, të paktën nga përcaktimi disiplinior i këtij titulli. E vetmja mënyrë për të rifituar nderin intelektual do ishte ndoshta të kërkonte që titulli i tij akademik të ripercaktohej në fushën e studimeve letrare. Do t’i bënte shërbimin më të madh, si vetes edhe kolegëve të tij”. Po për kandidatin tjetër a mund të na thoni diçka për profilin e tij? Si antropologu i parë shqiptar, siç është shprehur ai vetë? A nuk ishin të mjaftueshme punimet e tij, në logjikën tuaj, për të fituar titullin “Akademik i asociuar”? “Edhe kandidatin tjetër e kam njohur nga afër prej shumë kohësh, të paktën që prej kohës kur edhe une punoja në Institutin e Kulturës Popullore përpara se të nisesha për të kryer studimet doktorale për antropologji në Francë. Në atë kohë unë isha fare i ri dhe kisha admirim për punën e tij, jo vetëm për shkak të përvojës së tij, por edhe me sa duket kishte diçka të përbashkët midis nesh. Në fakt antropologjia fizike dhe studimet racore kanë pasur dhe vazhdojnë të kenë shumë gjëra të përbashkëta me studimet arkaike folkloriko-etnografike të kulturës popullore. Por vetëm më vonë, pasi isha formuar si antropolog, do kuptoja ndryshimet dhe papajtueshmërinë që këto studime kanë me antropologjinë e përgjithshme social-kulturore. Por në rastin tonë ka më shumë rëndësi fakti që me punën e tij rigoroze, jo vetëm në fushën e antropologjisë fizike, por vitet e fundit sidomos me përpjekjet e tij serioze për të përqafuar qasjet e reja të antropologjisë social-kulturore dhe antropologjisë së përgjithshme, ai është i vetmi që duhet ta meritojë plotësisht titullin e Akademikut të Asociuar në antropologji. Kjo duket qartë tek formimi solid pasuniversitar në fushën e antropologjisë, të cilin e ka kryer në një nga Departamentet universitare më të permendura të kësaj fushe në Gjermani, edhe pse nuk ka mundur të marrë ndonjë titull e gradë në këtë fushë. Duket gjithashtu edhe me disa botime në revista shkencore të specializuara në antropologji, çka flet qartë se kandidatura e tij mund të ishte konsideruar konkurruese edhe në nivel ndërkombëtar. Pa dyshim, me një përvojë të vazhdueshme bashkëpunimi me qendra kërkimore dhe mësimdhënie universitare në fushën e antropologjisë, sidomos me përgatitjen e teksteve të vetme universitare në këtë fushë, mund të them pa frikë se ky kandidat mbetet përsëri i vetmi që do ta kishte shpëtuar Akademinë e Shkencave nga antropologët e rremë. Gjithashtu, nuk ka si të mos më vijë mirë kur mësoj se punimet e tij të fundit sintetizuese, së bashku me mësidhënien e antropologjisë në Universitetin Europian të Tiranës, vazhdojnë punën që unë kam inicuar për krijimin dhe zhvillimin e një tradite të antropologjisë social-kulturore në Shqipëri (shih. Panorama, 11 mars 2017)”. Cilat janë angazhimet tuaja të momentit dhe ajo që po merreni në ditët tona? “Ndryshe nga ç’mendohet apo nga çfarë mund të konstatohet nganjëherë në mjedisin akademik shqiptar, jeta akademike karakterizohet nga një dinamizëm i vazhdueshëm. Madje mund të them se nëse vazhdon të ngelesh aty ku tashmë ke arritur, duke mbajtur të njëjtat poste pune, duke punuar mbi të njëjtat tema, apo duke ricikluar të njëjtat punime, nuk je më akademik. Një akademik synon gjithnjë për arritje të reja, shpesh edhe nga ato që nuk ka mundur madje as t’i ëndërrojë përpara. Por janë pikërisht ënddrra të tilla që mbajnë gjallë frymën e punës akademike, madje edhe kur nuk realizohen plotësisht. Sidoqoftë, pas një numri vitesh të suksesshme në France, shpresoj që vitin e ardhshëm akademik të kem mundësi t’i jap një hov të ri punës sime akademike. Nëse dëshiron, lëmë takim në shtatorin e ardhshëm të flasim më me hollësi për këtë temë”.