Thursday, May 22, 2014

Letër mbështetëse pro reformës


akademia
Një listë personash të njohur publik, jo medoemos për përvojën në sistemin e arsimit të lartë, por me interes të madh në politikat e arsimit e të organizuar në një shoqatë jofitimprurëse me emërtimin e çuditshëm “Akademi” (karshillëk monopolit të Akademisë së Shkencave?) kanë shprehur aprovimin e tyre për plan-reformën. Shkrimi është botuar në Gazetën Mapo, pranë Universitetit Evropian të Tiranës, që së fundmi është angazhuar në një diskutim shterpë mbi “reformën ideale” (edhe pse reforma nuk mund të jetë ideale, se është një instrument politik dhe si vegël gjykohet në bazë të punës që synon të kryejë, objektivave që synon të arrijë, e si referencë ka veç veten, si çekiçi çekiçin).
Çështjet që trajton letra mbështetëse, si një referencë për plan-reformën janë të përgjithshme:
1. Një prezantimi i akademisë shqiptare të arteve dhe shkencave dhe angazhimit të tyre në diskutimet mbi politikat e arsimit të lartë.
2. Reforma vëzhgohet si një projekt i inxhinierisë sociale për ndryshimet kulturore dhe strukturore që do të sjelle. Edhe pse ky term “socialist” ka vite që ka dalë nga qarkullimi që kur kibernetika dhe teoria e sistemeve dështuan në praktikimin e tyre, e madje p.sh. Tea Party në SHBA e ka përdorur si term pegjorativ për të cilësuar politikat shtet-ndërhyrëse të administratës Obama. Me këtë qasje akademi konfirmon qëndrimin e saj për një rol të madh të shtetit në sistemin e lartë.
3. Mbështetjen për modelin e reformës, por në mënyrë të vagëllt. P.sh. flitet për modelin e reformës, por autorët, rezervuar rreshtat prezantimit të akademisë, nuk paraqesin një perceptim të tyrin, si e kanë kuptuar ata këtë model.
4. Autorët mendojnë se reforma duhet të prekë edhe çështjet përmbajtësore, sikur ajo të mos ketë shkuar faktikisht më larg se çfarë lejon autonomia akademike (futjen e një master ekzekutiv, përcaktimin e ngarkesës mësimore të personelit akademik, detyrimin për harmonizimin e kurrikulave me 70-80% në kurriz të zhvillimit të misioneve të veçanta të institucioneve publike e private).
Më poshtë shkrimi në një formatim më të tretshëm për syrin e lexuesit.

 
Gazeta MAPO, 22.05.2014
A. Çfarë është Akademia Shqiptare e Arteve dhe Shkencave?
Akademia Shqiptare e Arteve dhe Shkencave, në një mbledhje të posaçme të saj, më 20 maj 2014, shqyrtoi Raportin e parë për Reformimin e Arsimit të Lartë dhe Kërkimit Shkencor, hartuar prej Komisionit të krijuar për këtë qëllim nga kryeministri i vendit. Diskutimi mbi problemet e arsimit të lartë e të kërkimit shkencor në vendin tonë dhe mbi domosdoshmërinë e reformimit të tyre, si edhe kontributi në këtë drejtim janë pjesë e misionit të kësaj akademie, e cila, e krijuar në dhjetor të vitit 2011, ka synuar e synon, veç të tjerash, edhe të shërbejë
(a) si një forcë pozitive për gjallërimin e jetës kulturore e shkencore në Shqipëri, duke ndihmuar për krijimin e një sfere publike, në të cilën shoqëria civile të konsolidohet si një institucion demokratik;
(b) si një forum intelektual serioz, duke bashkuar preokupimet tona për dijen teorike dhe rekomandimet praktike në të mirë të zgjidhjeve racionale të problemeve të shumta e të rëndësishme, me të cilat ballafaqohet shoqëria e sotme shqiptare;
(c) si një katalizator për ngritjen e vazhdueshme të standardeve akademike dhe artistike në çdo fushë të krijimtarisë intelektuale.
B. Çfarë ka bërë Akademi deri më sot në lidhje reformën?
Nisur nga ky mision emancipues e demokratik, Akademia Shqiptare e Arteve dhe Shkencave ishte e para që, në dy forume të saj, në prill dhe në korrik të vitit 2012, diskutoi dhe argumentoi me forcë domosdoshmërinë e reformimit të sistemit të arsimit të lartë dhe të kërkimit shkencor në Shqipëri. Sot, dy vjet më pas nga koha kur, si anëtarë të Akademisë Shqiptare të Arteve dhe Shkencave, pikëpamjet dhe propozimet tona i bëmë të njohura për institucionet kryesore të qeverisë dhe për publikun shqiptar, përmes botimit të dokumentit të kësaj Akademie “Parashtresë për zhvillimin e arsimit të lartë në Shqipëri” (korrik 2012), ne shprehim vendosmërisht mbështetjen tonë të plotë për nismën e qeverisë shqiptare për reformimin e arsimit të lartë dhe të kërkimit shkencor në vendin tonë, si dhe, në vija të përgjithshme, për Raportin e parë të Komisionit të ngritur për këtë qëllim.
C. Vlerësimi për plan-reformën e shpallur nga qeveria Rama
- Ne vlerësojmë se Raporti u bën një analizë realiste gjendjes dhe nevojave të sistemit tonë universitar dhe propozon mënyra e forma, përgjithësisht të përshtatshme, për zgjidhjen e problemeve e të sfidave me të cilat përballet sistemi i arsimit të lartë në vendin tonë.
- Ne gjykojmë se reforma e arsimit të lartë dhe e kërkimit shkencor duhet të jetë thelbësore, që do të thotë, në radhë të parë përmbajtjesore, por edhe financiare dhe strukturore.
- Kjo reformë, si çdo sipërmarrje e madhe e inxhinierisë sociale, ndryshe nga reformat që janë ndërmarrë deri më sot në arsimin e lartë, duhet të pasqyrojë transformimet ekonomike e kulturore të shoqërisë shqiptare, ndryshimet në mënyrën e formimit dhe në interesat e brezit të ri dhe, sidomos, t’u paraprijë zhvillimeve të ardhshme në çdo sferë të aktivitetit ekonomik e shoqëror.
- Për shkak se sistemi arsimor dhe arsimi i lartë, në veçanti, është ndër pasuritë më të rëndësishme të një kombi dhe e mirë publike për gjithë shoqërinë, është e rëndësishme që, për parimet bazë dhe objektivat e reformës, të cilat ne i vlerësojmë të drejta e të sakta, të biem dakord me konsensus, si shoqëri, dhe, pa humbur kohë, të mendojmë e të veprojmë për ta reformuar krejt sistemin në përputhje me objektivat që synojmë të arrijmë.
- As vështirësitë e procesit, as propozimet kurajoze për realizimin e reformës dhe as interesat vetjake apo të grupeve të caktuara që preken nga kjo reformë nuk duhet të bëhen pengesë.
- Raporti i parë i Komisionit për Arsimin e Lartë dhe Kërkimin Shkencor ka, pa dyshim, shumë mangësi, disa prej të cilave i vënë në dukje edhe anëtarët e Akademisë Shqiptare të Arteve dhe Shkencave, siç jemi të sigurt se mangësi të ngjashme kanë konstatuar edhe kolegë pedagogë e studiues në institucione të tjera arsimore e kërkimore të vendit.
- Por ne mendojmë se mangësitë e Raportit të parë nuk janë më të shumta e më të rëndësishme, sesa meritat e tij dhe se, në tërësinë e vet, ky dokument, është një hap i parë, i suksesshëm, në procesin e reformimit të sistemit. Për më tepër, raporti në fjalë është thjesht një projekt i parë, dhe jo vetë “blueprint”-i, mbi të cilin do të mbështeten ndryshimet përfundimtare në ligjin mbi arsimin e lartë.
- E përshëndesim faktin që, për herë të parë në historinë e transformimit postkomunist në vendin tonë, një reformë sociale kaq e rëndësishme paraprihet nga një studim i detajuar dhe nga një diskutim masiv i grupeve kryesore të interesit, mbështetur në këtë dokument.
- Për vendin tonë, kjo kohë dhe kjo mundësi për ta reformuar sistemin e arsimit të lartë e të kërkimit shkencor nuk duhen humbur. Mjaft kohë dhe mundësi kemi humbur deri më sot.
- Nëse në shekullin e 21-të, Shqipëria do të vazhdojë të mbetet pas vendeve të tjera europiane ose do të zhvillohet si ato, kjo, në një masë të madhe, do të varet nga cilësia e arsimit që do t’u ofrojnë nxënësve dhe studentëve shqiptarë shkollat dhe universitetet tona.
- Modeli i suksesshëm që sugjerohet, edhe pse i paprovuar në kushtet e vendit tonë, nuk duhet të na bëjë pesimistë përtej së arsyeshmes.
-  Ky model ofron, mbi të gjitha, garanci për suksesin e tri shtyllave të rëndësishme të sistemit të arsimit të lartë:
(1) autonominë reale (jo të imagjinuar) financiare, administrative dhe akademike të universitetit
(2) konkurrencën e ndershme të vlerave
(3) stimulimin e talenteve.
- Nëse Raportit të parë për Reformimin e Arsimit të Lartë dhe Kërkimit Shkencor mund t’i bëhej një vërejtje esenciale, kjo do të ishte se, duke u fokusuar kryesisht në aspektet financiare e menaxheriale të reformës e të veprimtarisë së shkollave të larta, nuk është treguar vëmendja e duhur ndaj ndryshimeve përmbajtjesore që kërkohet të realizohen në arsimin e lartë dhe në kërkimin shkencor.
- Raporti mund të ishte orientuar më mirë nga fakti se, në fushën e arsimit të lartë, në shoqëritë më të avancuara, sot theksi vihet kryesisht në çështjet ku arsimi i lartë duhet t’i përqendrojë vëmendjen, investimet dhe përpjekjet e tij, pikërisht në përgatitjen e “punonjësve të dijes”, të cilët do të kryejnë punë duke u mbështetur në dijen.
- Me fjalë të tjera, kombinimi i njohurive teorike të qëndrueshme në disiplinat akademike bazë e në disiplina të tjera me problematikat qendrore të shekullit të 21-të dhe me aftësitë e nevojshme që duhet të kultivojë shkolla e lartë për këtë shekull të ri—të gjitha këto së bashku—do të duhej të ishin më mirë në fokusin e agjendës së reformës së sistemit universitar që propozohet për kushtet e vendit tonë.
- Ne jemi të ndërgjegjshëm se problemet dhe sfidat me të cilat ndeshet arsimi i lartë në Shqipëri janë të mëdha, por ato nuk duhen parë vetëm si pengesa, por edhe si oportunitete. Përveç kësaj, këto probleme e sfida nuk janë pa zgjidhje dhe zgjidhjet e tyre nuk janë të pamundura. Nga ana tjetër, askush nuk mund t’i dijë përgjigjet e të gjitha pyetjeve dhe zgjidhjet e të gjitha dilemave të nesërme.
- Sidoqoftë, më në fund, është kuptuar se çfarë mund të bëhet, ose më saktë, se nga mund të fillohet. Me projektin e propozuar duket se është hedhur një hap i parë në drejtimin e duhur, pasi është kuptuar se thelbi i reformës në arsimin e lartë qëndron në nevojën për të ndryshuar kulturën institucionale të universiteteve tona dhe se, gjithashtu, vlerësimi i të mësuarit si prioritet i shkollës së lartë kërkon ndryshime radikale―jo ndryshime të vogla, ose të pjesshme―në konceptet, në politikat dhe në praktikat e derisotme të institucioneve arsimore dhe akademike.

0 comments:

Post a Comment