Tuesday, May 20, 2014

Fakulteti i Historisë, Universiteti i Tiranës mbi reformën

 
Çështjet që ngrihen:
- Cilësia e raportimit (të dhënat, analiza)
- Financimi i arsimit të lartë
- Propozime për organizimin e institucioneve, vazhdimin e sistemit me kohë të pjesshme
Kritikë: Analiza e Këshillit të Fakultetit është më e mira deri tani ndër diskutimet mbi reformën, edhe përse disi e paorganizuar.
http://www.fhf.edu.al/mendime_per_draftin.html


Këshilli i Fakultetit të Historisë dhe të Filologjisë

Mendime mbi draftin për Reformimin e Arsimit të Lartë dhe Kërkimit Shkencor

Këshilli i Fakultetit të Historisë dhe të Filologjisë në mbledhjen e tij të datës 14.05. 2014 diskutoi rreth draftit të përgatitur nga komisioni për Arsimin e Lartë dhe Kërkimin Shkencor. Duke marrë në konsideratë dhe diskutimet e bëra në çdo departament të këtij fakulteti, ky Këshill gjykon se arsimi ynë i lartë ka nevojë doemos për reforma që të ndikojnë në përmirësimin cilësor të funksionimit të tij, porse ky draft i propozuar nuk rezulton se mund ta kryejë këtë rol. Si model anglo-sakson, i lidhur me standartet, traditat dhe legjislacionet specifike të atyre vendeve që e zbatojnë atë, rezulton se ky model nuk është njehsuar as në vendet e zhvilluara europiane e jo më të realizohet në realitetet tona, me mundësitë tejet modeste që disponojmë.

Reformat e pritshme në arsimin e lartë do të kishin për synim ta fuqizonin autonominë akademike, të krijonin kushte më të mira për zbatimin e programeve të avancuara e bashkëkohore, që tashmë janë bërë pjesë e kurrikulave universitare, të krijoheshin kushte reale për mbështetjen e kërkimit shkencor, për të arritur në modelimin e universiteteve si qendra nxitëse të progresit shoqëror.

Këshilli i përmbahet mendimit se duhen vlerësuar e mbështetur të gjitha ato arritje pozitive të derisotme, si në universitetet shtetërore - ashtu dhe në ato private dhe se çdo reformë që mund të ndërmerret duhet të jetë sa më afër modelit të universiteteve të rajonit të përfshira në Sistemin e Bolonjës dhe të konceptohet e zbatohet me realizëm, në përshtatje me mundësitë e shtetit, të shoqërisë dhe të vet individit në vendin tonë. Përndryshe, ato reforma që i largohen realitetit të sotëm të shoqërisë, i largohen përvojës së grumbulluar në gjithë këto vite, do të prodhojnë (siç e vërejmë edhe në këtë draft) ligje me nene artificiale pra, të pazbatueshme. Mendimet që parashtrohen më poshtë, vijnë nga diskutimet në çdo departament të fakultetit dhe shprehin përgjegjësinë e madhe për mbarëvajtjen e Arsimit të Lartë.
Materiali përbëhet nga dy pjesë:
 
  • Mendimet e Këshillit për problematikat e draftit;
  • Propozimet për reformimin e arsimit të lartë.
  • Mendimet e Këshillit për problematikat e draftit.
1.a. Drafti i propozuar pretendon se mbështetet në disa parime të njohura të organizimit të sistemit të lartë arsimor, por në thelb rezulton se i cënon parimet  mbi të cilat mbështetet ai sistem si: autonomia, demokracia  dhe e mira publike.
1b. Këshilli konstaton se drafti reflekton varfëri informacioni për sa i përket gjendjes në arsimin e lartë. Në shumë pjesë të tij informacionet dhe faktet ngatërrohen me opinione dhe perceptime dhe nuk ka referenca të qarta se në cilin model arsimor janë mbështetur vlerësimet e dhëna.
1.c. Këshilli vlerëson se në 59 IAL-të (publike e private) drafti orientohet vetëm në problematikën e universiteteve publike, duke lënë pa e trajtuar problematikën e universiteteve private në çështje tepër të rëndësishme si: burimet e financimit, organizimi dhe funksionimi, gjendja e tyre financiare sot, raportet e këtyre universiteteve me bizneset e tjera, si dhe çfarë mendohet për të ardhmen e universiteteve që nuk do të jenë fondacione. Nga ana tjetër, meqenëse synimi përfundimtar i kësaj reforme do të jetë shndërrimi i universiteteve publike dhe private  në fondacione, nuk bëhet asnjë analizë se si po funksionon ky model në të tria universitetet që janë tashmë fondacione. Theksojmë këtu se universitetet publike sot, as ligjërisht e as faktikisht nuk janë shtetërore për nga misioni dhe për nga pjesëmarrja publike në financimin e tyre. Sot Universiteti i Tiranës mbështetet nga fondi i kushtëzuar rreth 55% e buxhetit aktual të UT-së dhe Fakulteti i Historisë dhe i Filologjisë rreth 63% të buxhetit të tij e ka nga të ardhurat.  Pra, konstatimi në draft se buxheti i shtetit financon 39 milionë euro për universitetet dhe vetë ato krijojnë të ardhura 20 milionë euro nuk qëndron si raport për UT-në dhe ende më pak nuk qëndron për Fakultetin tonë. Madje ky raport është gati i përmbysur, pra, studentët me tarifat e shkollimit mbajnë peshën kryesore në buxhetin universitar, një rast ky aspak i ngjashëm me universitetet homologe publike në rajon.

1.d. Nëqoftëse reforma do të realizohet siç propozohet në draft, atëhere kostoja e saj nuk përballohet nga të gjithë aktorët që përfshihen në këtë të mirë publike dhe pëgjegjësi publike, ku barra e kostos bie kryesisht mbi studentët dhe shteti i shmanget përgjegjësisë që ka për universitetet. Më konkretisht, në draft parashtrohet se kontributet nga shteti në fondin e kushtëzuar për arsimin lëvizin nga 2.2% në 2.8% e PPB, se kostoja e studentit është 460 euro (nga fondi i pakushtëzuar + fondi i kushtëzuar), se investimi për Arsimin e Lartë lëviz nga 0.4% - 0.6% të PPB-së, se vendet rrotull nesh investojnë për arsimin në tërësi mbi 3.5% të PPB-së dhe për universitetet 1%-3% të PPB-së. Por drafti nuk shprehet nëse Qeveria, siç është premtuar në programin elektoral, do të rritë përqindjen e PPB-së për arsimin, për të arritur standardet, qoftë edhe të vendeve të rajonit. Vetë drafti shprehet se në vende si Bullgaria dhe Rumania, kostoja e një studenti në vit shkon nga 1500 deri 2000 euro. Nëse Qeveria nuk rrit financimin për arsimin i bie që kostoja të mbulohet kryesisht nga studentët.
Më konkretisht:
  • Projektet e të gjitha natyrave, si burim i ardhshëm (i mundshëm) financimi për rritje fondesh, nuk ngrenë sot për sot peshë dhe nuk ka gjasa se në një periudhë afatshkurtër do të ngrenë peshë për shkak të krizës rajonale në përgjithësi dhe të asaj shqiptare në veçanti.
  • Donancionet , që ekziston edhe në ligjin aktual si mundësi financimi, nuk rezultojnë të jenë me dobi për universitetet, për shkak të nivelit të zhvillimit problematik të sipërmarrjes aktuale.
  • Në draft thuhet qartë se kjo kosto duhet të merret përsipër nga studentët dhe se shteti do t’i ndihmojë ata duke hyrë garant për kredi tek bankat, një përvojë kjo e njohur në vende të zhvilluara. Në gjendjen e papunësisë sot, për shkak të zhvillimit problemor të ekonomisë shqiptare, siç po ndodh për kreditimet në pushtetin vendor, bankat do të jenë të rezervuara për këto kreditime, pasi nuk do të kishte garanci për shlyerjen e tyre dhe kreditë e studentëve do t`i shtoheshin vëllimit të kredive të këqija bankare.
  • Këshilli i Fakultetit i konsideron familjet shqiptare partnere në zhvillimin e universitetit dhe nuk e gjykon të mundshme që ata të përballojnë kosto jashtë mundësive të tyre ekonomike, të cilat do të shkojnë menjëherë 1000-1500 euro. Për më tepër, në draft thuhet se për studimet në sistemin Master studentët pa dallim dhe pavarësisht nga të ardhurat familjare, duhet ta përballojnë vetë gjithë koston. Pra, praktikisht ky sistem kthehet në një shkollë vetëm për të pasurit, gjë që bie ndesh me vetë arsyen përse janë universitetet: për të vlerësuar trurin e jo “xhepin”. Nga ana tjetër, mbyllja e sistemit me kohë të pjesshme, i cili përbën 21 % të numrit të përgjithshëm të studentëve (në fakultetin tonë përbën 50%) të arsimit të lartë dhe nga pikëpamja kontribuese tarifore shumë më tepër se kaq; akoma më tej - kufizimi i pranimeve doktorale, si dhe vënia e mesatares 6 në pranim do të kishte si efekt uljen në mënyrë të ndjeshme të të ardhurave të universitetit, duke i vënë në diskutim edhe shifrat e përmendura në draft për të ardhurat.
  •  
  •  
Më konkretisht:
Për Fakultetin e Historisë dhe të Filologjisë shteti investon 120 milionë lekë, prej të cilave 96 milionë për pagat, 9.3 milionë për bursat dhe pjesën tjetër për sigurime shoqërore e shëndetësore. Në Fakultetin tonë, të ardhurat nga fondi i kushtëzuar realizohen si vijon: sistemi me kohë të pjesshme siguron 61 milionë lekë, sistemi master 67 milionë, sistemi bachelor 39 milionë, sistemi doktoral 30 milionë. Pra, nëqoftëse do të zbatohet drafti, siç paraqitet, i bie që të lëvizin menjëherë shifrat nga sistemi me kohë të pjesshme, sistemi doktoral dhe pjesërisht bachelor, për shkak të mesatares, që do të thotë se fakulteti ynë do të humbasë mbi 50% të të ardhurave që ai ka aktualisht.
1.e. Në draft theksohet me të drejtë se ka pedagogë që janë punësuar në shumë institucione njëkohësisht dhe se ndalohet dypunësimi i tyre, gjë që ka qenë edhe shqetësimi ynë. Por kjo gjë bie ndesh në radhë të parë me Kodin e Punës. Ne e mirëkuptojmë se duhen kufizuar rastet ekstreme të angazhimit të pedagogëve në institucione të tjera, por s’mund të pengojmë mobilitetin, i cili është element i rëndësishëm i Sistemit të Bolonjës. Për më tepër, në kushtet kur paga më e lartë, ajo e profesorit është vetëm 640 euro, një rast ky i paprecedent për gjithë rajonin, kuptuar edhe Kosovën e Maqedoninë, ku paga e pedagogëve është më shumë se dyfishi i pagës që kemi ne, atëhere, duke kufizuar këto të ardhura që vijnë nga sistemi part-time, nga dypunësimi, nga pakësimi i sistemit full-time, në kushtet e zhvillimit të vetë shoqërisë shqiptare dhe të pamundësisë për projekte, kjo skemë e varfëron pedagogun maksimalisht pedagogun dhe e bën të paqëndrueshëm në institucionet tona përballë një oferte nga universitetet private sepse, për arsye të përmendura më lartë, universitetet tona do ta kenë të pamundur rritjen e pagave në këto kushte. Pra, mund të lindë fenomeni i braktisjes masive të IAL-ve publike, gjë që do të kishte pasoja të rënda për funksionimin normal të tyre.
1.f. Drafti ka prirje t’i shmanget Sistemit të Bolonjës, për të cilin është investuar gjithë këto vite dhe që sot funksionon si një sistem i gjithëpranuar, megjithë kritikat që i bëhen dhe ndonjë zbatimi të ngurtë të parimeve të tij edhe prej institucioneve tona. Rasti më tipik është ai i krijimit të masterit ekzekutiv të propozuar pas masterit normal, duke e shkëputur kërkimin nga formimi teorik si pjesë e doktoratës.
1.g. Universitetet publike dhe ato private  theksohet se do të trajtohen në periudhën e dytë të reformës si fondacione. Duket qartë se autorët e draftit e kanë pasur shumë vështirë të gjejnë një pikë konverguese kushtetuese dhe se koncepti i përfolur i OJQ-ve zëvendësohet me termin fondacion, ndërkohë që për universitetet private kjo lihet në dëshirë të tyre. Termi fondacion i rri keq traditës së universiteteve evropiane, të Evropës Juglindore, si dhe kontekstit të traditës universitare shqiptare. Në thelb kjo skemë ngjan, vetëm se nuk thuhet, me skemën e Reformës së Kilit dhe duket sikur shqetësimi më i madh i grupit të draftit është si të zgjidhë ndonjë kërkesë lobuese të ndonjë prej IAL-ve private, sepse në fazën e parë parashtrohet se universitetet private që do të duan të bëhen fondacione përfitojnë të ardhura financiare nga kërkimi dhe nga studentët ekselentë, të cilët transferojnë voucher-in e tyre drejt universitetit që preferojnë dhe, në fazën e dytë, këto universitete methemelues privatin, sikundër universitetet publike me themelues shtetin,transferojnë voucher-in e tyre (koston nga fondi i shtetit) pa dallim, në mënyrë të plotë: si kërkimin, inovacionin edhe mësimdhënien. Drafti nuk sqaron cili do të jetë roli i themeluesit të universitetit privat kundrejt fondacionit. Në qoftë se këto universitete janë me borxhe apo kanë devijuar kapitalet në burime të tjera, atëherë mbetet e paqartë në draft se si do të zgjidhet kjo situatë, kur ato të kalojnë në fondacione?
1.m. Drafti cënon rendë autonominë e universiteteve publike nëpërmjet pushtetit absolut që i jep bordit admnistrativ dhe menaxherëve të varur prej tij, duke i konsideruar “si pronarë de facto” të universiteteve. Ai propozon për të ngritur struktura menaxheriale të universitetit, të cilat Këshilli I vlerësohen të tejfryra dhe me kosto të madhe për universitetin, siç është rasti i menaxherëve dhe, për më tepër që nuk i përgjigjen realitetit tonë, pasi sot nuk ka fonde për t’u menaxhuar prej tyre, sepse fondi i pakushtëzuar nga shteti nuk mjafton as sa për 10 muaj rrogë. Sot universiteti menaxhohet nga dy organe kolegjiale të qarta për nga funksionet që kanë dhe natyrisht, duke marrë si anë të mirë përpjekjen për autonomi nga ana e draftbërësve, mund të saktësohen edhe më mirë funksionet që kryejnë këto organe kolegjiale, por tingëllon aspak etike të kërkohet nga ana e draftbërësve që bordet të jenë të mirëpaguar, kur nuk thuhet asgjë për mirëpagesën e profesorëve. Duket qartë se për draftbërësit koncepti menaxherial prevalon mbi konceptin akademik, kur dihet se është ky I fundit që duhet të udhëheqë universitetet.  Kjo vihet re edhe prej faktit se drafti nuk shpreh asgjë për autoritetet akademike si rektori, dekani, përgjegjësi i departamentit. Lihet në terr edhe roli i këshillit të fakultetit, i senatit dhe i këshillit të profesorëve. Cili do të jetë statusi i tyre? Si do të funksionojë ky dualizëm akademiko-menaxherial, kur dihet qartazi se universitetet nuk kanë lindur për shkak të menaxhimit, por për shkak të vizionit të tyre akademik. Ato janë institucione që ofrojnë dije për këdo dhe në çdo kohë. Nga ana tjetër, ka një mbingarkesë në agjenci menaxhimi e menaxherë, duke e çuar rolin e tyre deri atje sa edhe për marrjen në punë të një profesori, zgjedhjen e komisionit duhet ta bëjë menaxheri. Kështu konceptohet sikur profesorët janë disa punonjës të rëndomtë, që mjafton të përmbushen disa kritere formale dhe ata mund të merren në punë.


2. Propozimet për reformimin e Arsimit të Lartë
2.a. Universitetet shqiptare kanë një përcaktim të dhënë qartë në Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë, që është autonomia. Ato duhet të funksionojnë si institucione autonome, si një e mirë dhe përgjegjësi publike, për realizimin e së cilës përgjegjësia bie mbi të gjithë aktorët.
2.b. Ne mendojmë se, nga pikëpamja e menaxhimit dhe financimit, universitetet duhet të marrin statuse të institucioneve tashmë të njohura nga Kushtetuta jonë, siç është autonomia vendore, prandaj propozojmë që të bëhet ndryshimin në Ligjin e Buxhetit, ku universitetet të trajtohen së bashku me pushtetin vendor, pra, të dalin nga institucionet e varësisë me destinacione të kontrolluara.  Kjo gjë do t’u jepte një pavarësi dhe zhdërvjellësi anës menaxheriale të universiteteve, për vetë natyrën që ato kanë, sipas parimit chek and balance.
2.c. Qeveria duhet ta rritë masën e financimit të arsimit, sikundër gjithë qeveritë e vendeve të rajonit, për vitin 2015 në masën nga 2.7% e PPB-së në 3.5% dhe universitetet nga rreth 0.5% e PPB-së aktualisht të shkojnë në 1%, ku 0.3% të planifikohet për kërkimin shkencor nga 0.18 % që është aktualisht. Për vitin 2016 masa e financimit të shkojë 4% e PPB-së, brenda së cilës universiteti të ketë 1.5 %, ku 0.5 % t’i jepen kërkimit shkencor.
2.d. Të realizohet një rritje graduale e tarifave të shkollimit në masën e mundësisë së familjeve shqiptare për të përballuar kostot dhe kjo të bëhet pasi të studiohet mirë gjendja e tyre kontribuese, në përputhje me mundësitë financiare të tyre.
2.e. Me shtimin e financave, të shihet mundësia e menjëhershme e rritjes së pagave të pedagogëve, të paktën në masën e pagave në Kosovë e Maqedoni. Kjo rritje të shoqërohet me kufizimin e angazhimit të tyre në shumë institucione.
2.f. Të bëhet ndryshimi në Ligjin e Arsimit të Lartë, ku universitetet të kenë të drejtën e kredimarrjes, si pushteti vendor, me garant shtetin, sepse praktikisht ato kanë mundësi likuiduese nga të ardhurat që sigurojnë, por nuk kanë mundësi për investime kapitale të menjëhershme. Kjo praktikë u ka dhënë një zhvillim infrastrukturor mjaft universiteteve në vende të tjera dhe me garanci të plotë edhe për bankat.
2.g. Të bëhet urgjentisht një vlerësim real i të gjitha unviersiteteve nga një agjensi e huaj akreditimi, për të dalluar qartë cilat janë universitete dhe cilat duhet të trajtohen si kolegje. Kjo agjenci do të grumbullonte një material më realist për IAL-të dhe do të sqaronte më mirë problematikën që paraqet drafti.
2.gj. E vlerësojmë si aspak të dobishme për universitetin (si privat ashtu edhe atë publik) kthimin e tyre në fondacione. Ne i mbështesim universitetet private si komplementarë të arsimit të lartë, me kusht që ato të plotësojnë, ashtu si dhe ne, të gjitha standardet akademike dhe universitare. Prandaj duhet të veprojë ligji për respektimin e standardeve dhe të lihen afate për zbatimin e tyre. Por jemi kundër përzierjes së institucioneve, të cilat janë krijuar nga burime të ndryshme. Për vetë misionin e tyre publik, jemi të mendimit se shteti mund të hartojë politika mbështetjeje për IAL-të private si: heqjen a pakësimin e detyrimeve tatimore e doganore, mbështetjen me grante të posaçme, me projekte kërkimi nga fondi i shtetit, por marrëdhënia publik – privat, të jetë e ndarë qartë.
2.l. Organigrama e menaxhimit të universiteteve të mbetet në thelb kjo që është, natyrisht duke bërë përmirësime apo ndryshime të pjesshme, duke qartësuar më mirë funksionet e strukturave menaxhuese dhe, në të gjitha rastet, ku të prevalojë vizioni akademik mbi vizionin menaxherial. Tani kemi një përvojë, e cila na jep mundësi për të bërë ndreqjet e nevojshme.
2.m. Për të zhvilluar universitetet, shteti duhet t’i konsiderojë ato si partnere. Nuk mund të ketë një strategji afatmesme dhe afatgjatë të univesitetit nëse nuk ka një strategji afatmesme dhe afatgjatë të zhvillimit të vendit. Këto janë dy pjesë që ecin në funksion të njëra-tjetrës dhe nuk mund të jenë fajtorë vetëm unversitetet për mungesë të një strategjie afatgjatë. Qeveria duhet t’i trajtojë si faktorë të rëndësishëm për zhvillimin e vendit, duke iu besuar projektet e zhvillimit, si dhe oponenca për projektet e donatorëve.
2.n. Sistemi part-time ka probleme serioze për të përmirësuar, një pjesë e të cilave lidhen edhe me infrastrukturën dhe ne jemi të vetëdijshëm se ai mund dhe duhet të reformohet. Propozojmë që ky sistem të reformohet sipas të sistemit “të mësuarit gjatë gjithë jetës”, që është një nga parimet e Sistemit të Bolonjës, sepse detyra e universitetit është të ofrojë dije për këdo dhe kurdoherë ka nevojë.
2.nj. Të reformohet menjëherë matura shtetërore dhe gjithë procedura e pranimit të studentëve në universitetet, ku universitetet të jenë pjesëmarrëse në pranimin e tyre, pasi ata të kenë kryer maturën shtetërore
Si përfundim, Këshilli i Fakultetit është i gatshëm të japë ndihmën e vet për reformimin e universiteteve, por ai në mënyrë unanime vlerësoi se ky draft i prezantuar nuk e realizon dot këtë mision. Është një model që nuk i përgjigjet as realitetit tonë dhe as realitetit të vendeve të tjera europiane.

Burimi: http://www.fhf.edu.al/mendime_per_draftin.html










0 comments:

Post a Comment