Showing posts with label pedagog. Show all posts
Showing posts with label pedagog. Show all posts

Thursday, October 27, 2016

Pedagoge shprehin pakenaqesi gjate vizites se kryeministrit ne UT

Pedagogia e Gjuhe- Letersise, Prof. Dr. Dhurata Shehri i eshte pergjigjur permes nje shkrimi ne gazeten Panorama, vizites se Kryeministrit Rama ne UT, ku lajmeronte rritjen e pagave ne sistemin arsimor. Edhe pse kjo page nuk shpjegohet sesi do te rritet sa kohe qe aktet nenligjore qe rregullojne modelin e financimit, formulen dhe autonomine financiare te universiteteve publike nuk kane dale ende nga MAS.
 http://www.panorama.com.al/analiza-rritja-e-pagave-ne-arsim-pedagogia-rrezon-ramen/
Panorama, 26 Tetor, DHURATA SHEHRI
Dje Kryeministri Edi Rama organizoi një takim me pedagogët e universiteteve publike për t’u shpjeguar disa gjëra që ata nuk i dinin. Më konkretisht, ai i kishte thirrur pedagogët që t’u jepte një leksion për t’u shpjeguar atyre se:
– reforma në arsimin e lartë ishte shumë e mirë dhe se skeptikët duhet të stepeshin;
– se sistemi i konkurrimit dhe pranimit në universitete këtë vit ishte më i miri. Dhe si shpërblim për vëmendjen, për t’u dhënë sihariqin e një shtese page, që sipas tij ishte 15 %.
Ngaqë nuk isha e pranishme në atë takim, e ndoqa përmes mediave, si fjalën e Kryeministrit, ashtu edhe heshtjen e kolegëve të mi pedagogë të universiteteve publike, por meqenëse kam qenë dhe jam skeptike ndaj ligjit të ri të arsimit të lartë, përtej propagandës, nuk munda të marr ndonjë përgjigje të re për probleme të vjetra e të reja të arsimit të lartë shqiptar.
P.sh., Kryeministri nuk dha asnjë shpjegim se pse ligji, që ai e konsideron kaq të mrekullueshëm apo mrekullibërës dhe që ka të paktën një vit e një muaj që ka hyrë në fuqi, nuk është bërë ende i zbatueshëm për faktin e thjeshtë se qeveria e Kryeministrit Edi Rama nuk ka nxjerrë ende aktet nënligjore që do të bënin të mundur zbatimin e ligjit. Drafti i fundit i këtyre akteve nënligjore u shfaq, si gjithmonë, me urgjencë, për t’u parë me një afat 2-ditor nëpër e-mailet e stafit akademik në prag pushimesh dhe pas kësaj, ka tre muaj të tjerë që fle sirtarëve të zyrave të Qeverisë së Kryeministrit, pa u miratuar.
Universitetet publike shqiptare janë në prag të kolapsit për shkak të paaftësisë (në rastin më të mirë) të institucioneve përgjegjëse të shtetit për të bërë detyrën që u takon, nxjerrjen dhe miratimin e akteve nënligjore. Universitetet publike funksionojnë me një ligj të ri dhe me akte të vjetra që kundërshtohen prej të parit, me organe, statuse e rregullore të vjetra qkundërshtohen prej ligjit të ri reformator.
Universitetet, madje, as nuk mund të shpërndajnë drejt ngarkesën, se po presin ende udhëzimin e ri; as mund të zgjedhin organe të promovimit akademik, se po presin udhëzimin e ri; as mund të japin tituj akademikë, se po presin aktet e reja. Kolegët e mi që morën pjesë kokulur në monologun e Kryeministrit, mund t’ia kishin bërë një pyetje se kur ka ndërmend ta shoqërojë ligjin mrekullibërës me akte nënligjore, po aq mrekullibërëse.
Kishte ca kohë që “sihariqi” për ngritjen, apo indeksimin e pagave po qarkullonte nëpër media e në ambiente akademike, por Kryeministri zgjodhi ditën e djeshme t’ua shpallte vetë pedagogëve duke ua shqiptuar shifrat me lekë të vjetra (se duken më shumë). Pagat indeksohen me 10-15% në varësi të kategorive, për shembull, profesorit, titullit më të lartë në hierarkinë akademike, i rritet paga me 10800 lekë, ndërkohë që prej tri vitesh, rroga e tij është ulur prej rritjes së taksës nga 10 në 15 %.
Po përtej indeksimit, apo rritjes siç pëlqen ta quajë, Kryeministri “harroi” të sqarojë kolegët pjesëmarrës në atë takim se në ligjin e tij reformues rrogat e pedagogëve nuk garantohen më, pasi ai e ka hequr grantin e pakushtëzuar të pagave që përballohej më parë nga buxheti i shtetit. Kryeministri bishtnoi duke bërë krahasimin me qeverinë e para tri viteve, por sot dhe në tri vitet e qeverisjes së tij pedagogët e universiteteve publike kanë të garantuara paga vetëm për 9-10 muaj në vit. Ndoshta me indeksimin që premton në mars, edhe më pak se 9 muaj.
Sa për studentët dhe pranimet e tyre në universitete, Kryeministri harroi të shpjegonte sepse pikërisht në ditën që ai po fliste për suksesin e pranimeve në universitete, po mbyllej faza e gjashtë e pranimit, dhe sipas të dhënave që na ofronte sistemi i ri i pranimit, rezultojnë ende të pambushura kuotat e degëve të preferuara ndër vite nga studentët shqiptarë: Drejtësia, 40 vende; Informatika, 51 vende; Financa, 47 vende; Administrim biznesi, 100 vende; Gazetaria 20 vende, Inxhinieria elektronike 29 vende; Inxhinieria e ndërtimit 39 vende; Arkitektura 19 vende; Farmacia 18 vende; Stomatologjia 10 vende e kështu me radhë.
Çuditërisht, nuk gjen asnjë të dhënë për kuota të lira nga universitetet jopublike në portalin e Ministrisë së Arsimit dhe Sporteve (klasifikimi. ualbania.rash.al). Nëse Kryeministri ka dashur të ndryshojë trendin e preferencave të studentëve shqiptarë për degët më të kërkuara të universiteteve publike, ka qenë vërtet i suksesshëm. Megjithatë, për një gjë Kryeministri duhet falënderuar.
Për t’ua dhënë gjithë këto informacione, përmes leksionit të tij, në ndryshim nga mësuesit apo akademikët, ai i nderoi më shumë pedagogët, pasi nuk i thirri në Kryeministri, por harxhoi pak minuta për të shkuar deri tek Universiteti Politeknik ku i kish mbledhur.

Friday, March 4, 2016

Prof. Dr. Artan Fuga mbi procesin e zgjedhjeve ne UT

Prof. Dr. Artan Fuga, shef departamenti ne Universitetin e Tiranes, ka kritikuar rregulloren e Ministrise se Arsimit per periudhen e zgjedhjes se rektoreve. Kritika e tij nuk eshte e qarte, pasi nuk tregon se per cfare flitet konkretisht. Ka disa pretendime mbi provokime dhe nderhyrje te MAS ne procesin e zgjedhjeve, por shkrimi nuk permban ndonje argument. 

Sidoqofte me poshte artikulli i Prof. Dr. Fuges.. 
 http://www.hashtagalbania.com/index.php/2016/03/03/ministria-e-arsimit-po-vendos-diktature-ne-universitete/

Ministria e Arsimit po vendos diktaturë në universitete

Nga Artan Fuga (Facebook, 03 Mars 2016)
Jo, universitarët nuk e gëlltisin këtë rregullore që na provokon me rastin e zgjedhjeve të drejtuesve të universiteteve publike. Ne duam zgjedhje të lira dhe të ndershme të drejtuesve të rinj ! Punët kanë shkuar shumë larg. Na kërkohet të pranojmë dhe të bëhemi palë në shkeljen e ligjit dhe të Kushtetutës.
Po provokohemi duke na kërkuar të pajtohemi që për një periudhë të papërcaktuar kalendarike të pranojmë vendosjen e juntave me persona të komanduar nga politika në të gjithë hierarkinë universitare. Ata mund të bëjmë pastaj çfarë të duan me universitetet, me pedagogët dhe studentët.
Na duhet të mbrojmë ligjin gjysëm-demokratik në fuqi nga sulmet dhe atentatet që i bëhen nga vetë autorët e tij. Vetëm në diktaturën moniste ka ndodhur që shteti të shkeli me takat e këpucëve ligjet që ka nxjerrë vetë. Kjo nuk është sjellje demokratike, as diktatoriale, kjo është sjellje tiranike sepse nuk njeh asnjë normë a ligj, të mirë a të keq, me të cilën pushtetari duhet t’i lidhi duart vetes së vet.
Ligja trajtohet si një shuk letre i qullur që i hidhet universitarëve në fytyrë.
“Dashkeni edhe të zbatohet ligji ju intelektualë! Në satër!”
Kemi arritur larg. Një ministër guxon që me anë të një projekt-rregulloreje të shkelë me të dy këmbët ligjin dhe Kushtetutën. A ka më llogaridhënie në këtë shtet apo jo ? A ka më përgjegjshmëri qytetare apo jo?
Vetëm një injorant mund t’a hajë gënjeshtrën se diktatura dhe tirania, komandat ushtarake, janë mënyra më e mirë për të bërë zgjedhje demokratike në universitete apo në shkallë vendit. Me diktaturë nuk ndërtohet dot as demokraci, dhe as progres.
Kush ka frikë nga zgjedhjet e lira në universitete dhe kërkon t’i manipulojë ato me çdo kusht? Larg kësaj kulture që do të na kushtojë shumë shtrenjtë po kaloi në universitete!
Na kërkohet që drejtësia, pra ankimimi, të bëhen me gjykata ad hoc, antikushtetuese, si në kohë lufte, me juristë të zgjedhur a të komanduar nga Ministria, a thua nuk e përcakton kushtetuta e Shqipërisë se cili sistem ka të drejtë të bëjë drejtësi në vendin tonë!  Jo, universitetet nuk mund të drejtohen me komanda ushtarake, me junta të komanduara pa asnjë legjitimitet ligjor dhe moral, nuk mund t’u jepen komisarëve politikë pushtete të pakufizuara as për periudha të caktuara!
“Diktatura e përkohshme” në Shqipëri është një koncept i dalë boje. Që nga Roma e Lashtë dhe më parë në Greqinë Antike, diktatorët e përkohshëm ishin tiranë.
Universitarët po provokohen rëndë duke i ndëshkuar të pranojnë të drejtohen me të komanduar si në kazermat ushtarake me komandantë, që për turp, mund të caktohen pa asnjë kriter, mund të kenë qenë edhe të dënuar, trafikantë, pa asnjë gradë shkencore, me formim nga kurse dhe shkolla me provime të marra pa ardhur në provim, me diploma fallco, madje edhe ndoshta analfabetë. Asnjë pengesë për të gjithë këta!
Ne duam të zbatohet ligja dhe të zgjedhim lirisht e të rinovojmë drejtuesit tanë!
Jo, juntave ushtarake në universitete! 
Jo, puçit institucional në universitete!
Jo, “diktaturës të përkohshme” pa afat!
Jo manipulimit të zgjedhjeve të lira në Universitete me infrastruktura të komanduara dhe nën presionin e juntave ushtarake !
Jo teksteve zyrtare me gabime daktilografike, pa kulturë juridike, me gabime gjuhësore dhe logjike!
http://www.hashtagalbania.com/index.php/2016/03/03/ministria-e-arsimit-po-vendos-diktature-ne-universitete/