Wednesday, July 8, 2015

Studentë tregojnë mbi përvojën e shkollimit të tyre

 

image

Sa herë përflitet që cilësia e mësimdhënies në programet master në universitetet publike (apo në disa private) është e dobët. Pedagogët janë të papërgatitur, librat përmbajnë kopje ose sharlatanizma, silabuset janë thuajse të njëjtë për nga niveli me ato të programeve Bachelor etj.

Një student i programit Master në Institutin Evropian të Studimeve, pranë Universitetit të Tiranës, Alban Pira, dëshmon se ky perceptim mbi cilësinë e programit, është i vlefshëm edhe nga këndvështrimi i studentëve.

Alban Pira (Facebook, 7 Korrik, 2015)

….

Duke qenë se kam lirinë e plotë për ta thënë atë që di dhe atë që mendoj, po e marr përsiper të them shumë shkurt diçka në lidhje me programin e studimit Master në Studime Europiane pranë Institutit të Studimeve Europiane, dhe disa fakte në lidhje me disa nga pedagogët që zhvillojnë leksione aty.

Si fillim dua të them krejt shkoqur se ky program është një dështim total, ashtu si edhe shumica e programeve master në çdo universitet në Shqipëri; publik e privat. Kam studiuar një vit pranë Institutit të Studimeve Europiane dhe e vetmja gjë që kam marrë është një kosto financiare prej më shumë se 700 mijë lekësh. Pra më shumë se 700 mijë lekë të shkuara dem!

Mirëpo ky program studimi, ashtu siç na thanë ditën e parë të fillimit të leksioneve, konsiderohet një 'program elitar'. Kjo pasi aty japin leksione disa nga figurat akademike më në zë, si përshembull Paskal Milo apo Llambro Filo. Duke mos iu futur gjykimit mbi meritat e tyre akademike, dua të them se nuk kam kurrëfarë vlerësimi për asnjërin prej tyre. Përse? Sepse më shumë sesa shpërndarës dijesh këta janë tregtar librash, pra shesin libra, librat e tyre. Botojnë çdo gjashtë muaj nga një libër dhe jua shesin studentëve. Edhe vetë e kam bërë këtë gabim të pashlyeshëm: kam blerë librin e Paskal Milos 'Integrimi Europian'! Në mos gaboj çmimi është 15 mije lekë për libër. Siç thuhej dhe siç behej; pasi ta blesh librin duhet të shkosh dhe të marrësh një autograf nga 'profesori', në mënyrë që të kuptohet se e ke blerë librin dhe kështu nga kjo anë nuk ke telashe. Fatmirësisht çmenduria ime nuk arriti deri ketu, por e gjitha kjo për mua është e papërtypshme; kjo është elita akademike përpara të cilëve ne na kërkohet të përulemi?

Ne refuzojmë të përulemi përpara tyre. Kemi vite që angazhohemi kundër monopolizimit të dijes, kundër 'intelektualëve', 'profesorëve' e 'pedagogëve' pa asnjë vlerë publike; kundër militantëve të partive në botën akademike; kundër shtrëngimit të studentëve për të blerë libra me qëllim përfitimin e shkruesit të tij; kundër zhvatjes; kundër degjenerimit të universiteteve; kundër masakrimit të të gjithë idesë së arsimimit.


…….

0 comments:

Post a Comment