Sunday, June 8, 2014

MAS – tjetër premtim për akreditim

Sonila Isaku, Shqiptarja.com, 8 qershor 2014

Akreditimi i universiteteve në fund të vitit

TIRANE- Akreditimi i të gjitha universiteteve, si ato publike dhe private në vendin tonë, do të përfundojë në fund të këtij viti kalendarik. Ky fakt është pohuar nga vetë Ministrja e Arsimit, Lindita Nikolla gjatë një takimi që ka zhvilluar në qytetin e Vlorës, duke theksuar se agjencia e huaj anëtare e ENQA-s do të jetë ajo që do të zhvillojë procesin e akreditimit në vendin tonë. “Agjencia e huaj ndërkombëtare e akreditimit, anëtare e ENQA-s, do të mundësojë procesin e akreditimit të të gjithë IAL-ve publike dhe jopublike deri në fund të këtij viti”, ka pohuar Nikolla.
Sipas saj, agjencia do të japë rezultatet për universitet të cilat janë cilësore dhe do të akreditohen, të tjerëve do t’u lihet kohë për të përmirësuar punën, kurse ata që nuk plotësojnë parametrat për të ofruar diploma cilësore, nuk mund të jenë pjesë e reformës që po kryhet. Kjo do të thotë se në tetorin e 2014, kohë kur nis viti akademik sërish studentët nuk mund të kenë njohuri se cili universitet privat apo shtetëror është i akredituar apo jo, duke bërë që edhe ky vit akademik të nisë pa ndryshime.
Sipas afateve të përcaktuara, procesi i akreditimit do të vazhdojë paralel me reformën që po ndërmerret në arsimin e lartë, reformë e cila ka hapur një debat të gjerë publik si për fushën akademike ashtu edhe për vetë studentët. Kjo ka bërë që qeveria, të shtyjë afatin e miratimit të ligjit të ri, duke i lënë Komisionit të Arsimit të Lartë kohë për të bërë ndryshimet e duhura dhe për të dalë me një draft të ri. Kështu, miratimi i ligjit të ri për arsimin e lartë në sesionin e ardhshëm parlamentar, që përkon me vjeshtën e këtij viti dhe akreditimi i universiteteve në po të njëjtën periudhë do të bëjë të mundur që vitin e ardhshëm reforma e ndërmarrë në arsim të jetë plotësisht e zbatueshme.
Sa i përket reformës, ministrja Nikolla ka theksuar se ajo do të ndikojë në cilësinë e mësimdhënies por edhe në kërkim shkencor. “Reforma në arsimin e lartë dhe kërkimit shkencor lidhet me hapa konkrete në drejtim të përmirësimit të cilësor në organizimin e arsimit të lartë dhe funksionimin e IAL-ve. Fokusi dhe përpjekjet e kësaj reforme duhet të intensifikohen më tepër në cilësinë e mësimdhënies dhe të kërkimit shkencor”, ka theksuar Nikolla. Sipas saj, sigurimi i cilësisë në arsimin e lartë është kryefjala e kësaj reforme.


(d.a/shqiptarja.com)
http://www.shqiptarja.com/Aktualitet/2731/reforma-nikolla-akreditimi-i-universiteteve-n--fund-t--vitit-218803.html#sthash.NGUYppnm.dpuf

0 comments:

Post a Comment