Tuesday, June 10, 2014

Dëshmi nga akademikë të punësuar në sektorin privat

 

Gazeta Dita, 9 qershor, 2014

 

Jam kthyer në Shqipëri me 28 euro në kuletë të mbetura nga bursa e muajit të fundit, pa bagazhe të pasurish, me të vetmin pishman të mbetur pas: tre kutitë me libra në shtëpinë e mikut tim lindor në perëndim. Kisha shpresë, gëzim, një PhD të mbaruar jashtë, dy prindër pensionistë që më donin afër dhe siç thashë, 28 euro në kuletë.

Tri javë më vonë më takuan me një personazh që nuk e njihja, i interesuar për prurjet e perëndimit, që premtonte punë të vërtetë akademike, mësimdhënie dhe kërkim shkencor, ofronte rrogë të mirë dhe impresionohej shumë kur ti përdorje emra shkollash anglo-saxone, sidomos kur i thoje në anglisht. Më tha “mos u prenoto” në tjetër vend, shprehje që më tingëlloi e çuditshme, por unë bëra siç tha ai, nuk “u prenotova” në tjetër vend.

Akti 1, SOS-Plagjatura

Si “e prenotuar” tashmë zyrtarisht për institucionin universitaro-kërkimoro-perëndimor të tij, veprimi im i parë prej akademiku ka qenë konstatimi i plagjiarizmit në një temë diplome që m`u ofrua për vlerësim. Plagjiarizmi sipas rregullores së institucionit ku tashmë punoja vlerësohej me 0 pikë dhe rezultonte në përjashtimin e studentit. Unë kreva të parën dhe të dytën sigurisht ua lashë në dorë njësive përkatëse në institucion. Pa dalë ende nga sekretaria ku kisha dorëzuar vlerësimin tim, ndjeva  pështjellimin që formohej rreth emrit tim. Unë, ajo e ardhura që andej, e kisha dorën të shtrënguar, isha e sertë, mendjemadhe, dhe mbi të gjitha kisha bërë të pabërën: në një ditë kohë të lënë për vlerësimin e temës së diplomës, unë e kisha lexuar atë!!

Të nesërmen e veprimit tim të parë prej akademiku, më pyetën nëse i qëndroja procesverbalit që kisha firmosur për temën plagjiaturë apo kisha dëshirë ta ndryshoja. Sigurisht që i qëndroja, kisha argumentuar qëndrimin tim në 4 faqe vlerësim, me të cilin vetë kolegët e mi të rinj në komisionin e diplomave, ishin tallur ndërsa rrufisnin makiaton e porositur nga bari poshtë në sallën lart.

Veprimi im i dytë si akademik ishte të jepja mësim. E mbaj mend si sot leksionin e parë, fytyrat e studentëve të ulur në fillim dhe të atyre nga fundi, që nuk prisnin një femër relativisht të shkurtër të mbante pa pushuar një leksion relativisht të gjatë.

Akti 2- Tatëpjeta

Veprimi im i tretë si akademik ka qenë të sugjeroja një grup potencial temash doktorature, duke qenë se institucioni universitaro-kërkimoro-perëndimor ku unë punoja tashmë, ishte bërë djepi i studimeve doktorale. Edhe pse isha mësuar që një kandidat potencial doktorature sugjeron vetë temën e tij, duke qenë se ka parakusht të paktën njohjen e disiplinës ku dëshiron të kryejë kërkim shkencor, sugjerova rreth pesë tema në profilin tim.

Këtu filloi e tatëpjeta! Temat e mia ishin të pakta në numër, unë duhej të sugjeroja një nën-disiplinë, brenda një disipline, që bashkuar me nën-disiplinat e tjera brenda disiplinave, të krijonin një drejtim. Unë duhet të shkruaja për boshte, akse, drejtëza, grupe boshtesh, tufa boshtesh, stiva boshtesh, në mënyrë të tillë që për çdonjërin prej numrit modest, elitar, të 300 prurjeve të reja për vitin e parë doktoral, të kishim vendin përkatës në bosht, aks, drejtëz, grup boshti, tufë boshti, stivë boshti…Këtu, mbase dëshira ime për të evituar gjeometrinë, aftësia e limituar e njohjes spaciale, kombinuar me presionin që gjithçka të bëhej gjeometrikisht dhe ligjërisht në rregull brenda afateve rekord, unë fillova të shpërqendrohem.

Një “akademik” i shpërqendruar nuk shërben për shumë, sidomos kur për të është e rëndësishme të përditësohet për të rejat e fundit në fushën e tij, por nuk gjen kohën e nevojshme për shkak të mbledhjeve të vona për boshtet, akset, tufat e stivat doktorale, sidomos kur numri i atyre që duhet të akomodohen, rritet me çdo arkëtim të bërë poshtë, të pasuar me një takim urgjent europiano-shkencor të bërë lart,

Akti 3- Rrumbullakosje

Veprimi im i katërt si akademik ishte të pyesja çdo të thotë pranim me kusht në një cikël pasues studimesh. Pyetja m’u shkoqit shumë shpejt: pranim me kusht në master është pranimi i atij/ asaj që nuk ka mbaruar ende bachelorin, me kushtin që një ditë ai (sigurisht) do ta mbarojë bachelorin dhe do të ketë avancuar në të njëjtën kohë dhe në master. I njëjti rregull vlen për doktoraturat. Tek këto të fundit, rregulli aplikohet mutatis mutandis jo vetëm në lidhje me studimet e mëparshme, por edhe për kritere të tjera pranuese, si p.sh. mesatarja apo gjuha e huaj. Pra, edhe nëse nuk përmbushen kriteret paraprakisht, ato prezumohen se do të përmbushen gjatë studimeve dhe çdo dyshim shkon në favor të të dyshuarit.

Veprimi im i pestë si akademik ishte të luaja pak me një urdhër për rrumbullakosje pikësh. Kisha vendosur një vlerësim jo kalues, i cili nëse do të rrumbullakosej do të shndërrohej në kalues, por kjo nënkupton sigurisht rrumbullakosjen në vlerën pasuese më të lartë. Vetëm se urdhri që më ish dhënë me firmën e atij që “prenotonte” akademikë, nuk specifikonte se çfarë rrumbullakosje duhej kryer, kështu që duke injoruar “common sensin” e institucionit perëndimoro-shkencoro-kërkimoro-doktoral ku punoja, unë e kryeva rrumbullakosjen, por në vlerën paraprijëse më të afërt! Pak dija që rrumbullakosje të tilla drejt së vërtetës së hidhur, do të bëheshin një ditë makthi i institucionit ku unë punoja!

Akti 4- Vari teneqen

Veprimi im i gjashtë si akademik ishte të korrigjoja provime, tashmë provimet formuese të doktoraturës: Fjalë e madhe, peshë e madhe, shaka e madhe! Urdhri i parë që morëm të gjithë ne të prenotuarit si akademikë, ishte që pyetjet e këtij provimi të madh të ishin brenda librave të pakët që dispononim realisht dhe jo brenda atyre që kishim deklaruar si tituj liderë për çdo drejtim, tufë boshti, apo rrënjë aksesh të doktoraturës. Problemi ishte që pavarësisht se institucioni kishte premtuar se titujt do të bliheshin, nga lart na vinte mesazhi se ata nuk ishin blerë, edhe pse nga poshtë kishte zëra se numri i atyre që ishin arkëtuar kalonte disa herë numrin e librave që duheshin blerë.  Urdhri i dytë i lidhur me veprimin tim të gjashtë prej akademiku, ishte që për të gjithë ata që nuk kishin kaluar provimin e madh të doktoraturës, t’u jepnim mundësinë të bënin një esse, me temë të lirë, që mund të varionte nga ciklet e udhëtimeve të shpendëve migruese, deri tek neo-liberalizimi i arsimit të lartë në Shqipëri. Vlerësimi i essesë më pas do të mblidhej me pikët e provimit, por të gjithë ne akademikët e prenotuar, kishim një problem të përbashkët: nuk na kishin thënë me sa pikë do të vlerësohej ky punim origjinal i kandidatëve doktoralë.

Këtu erdhi veprimi im i shtatë si akademik. artikulimi i pyetjes se përse duhej të dilte një rregull i tillë, se përse potencialisht dikush mund të merrte notën 12, në një provim që maksimalisht vlerësohet me 10 dhe përse duhej domsodoshmërisht të jepej një mundësi e trembëdhjetë për ata që nuk kishin njohuri kaluese. Përgjigja që mora ishte mishërim i njërës prej teorive më përparimtare në procesin mësimdhënës e mësimnxënës: Ne nuk kemi rregulla të qarta sepse i gjithë sistemi operon sipas parimit “learning by doing”, thënë shqip, ne mësojmë duke i bërë gjërat, ose thënë akoma më shqip “vari teneqen”! Prej veprimit tim të shtatë si akademik erdhi ai momenti që psikologët e quajnë “breakthrough”, ai casti ku muret që të kanë penguar të kuptosh, shëmben tërësisht. Prej veprimit tim të shtatë si akademik unë kuptova qartazi çdo të thoshte “prenotimi im”, atë frazën që më ish dukur e cuditshme dikur, tani e ndjeva të më rëndojë me gjithë qartësinë e saj mbi kokë. Qëllimi i institucionit ku unë isha “akademikja e prenotuar”, ishte larg nga të ofruarit e dijes, larg debatimit të ideve shkencore apo kryerjes së kërkimeve origjinale, qëllimi i tij ishte të përjetësonte brenda mureve të tij, krijesën që arkëtonte pa pushim nga cikli i parë i studimeve deri në infinit. Qëllimi i vërtetë i atij vendi ishte të fshihte numrin e vërtetë të klientëve, të shtonte radhët e tabelave ku ata listoheshin, dhe mbi të gjitha t`i vizatonte e reklamonte bukur konturet e këtyre tabelave: me ngjyrë të bardhë, transparente, të padukshme, numrat shtesë që nuk duhej kurrsesi të ishin, me ngjyrë blu, të fortë, të thellë, ata që mund të deklaroheshin. Qëllimi i institucionit po shndërrohej në institucionalizim të qëllimit dhe këtu, pashmangshmërisht, erdhi edhe veprimi im i tetë dhe i fundit prej akademiku: Dorëheqja!

Kam ikur prej andej pa bagazhe të pasurish, me dy rroga të kursyera e 28 euro në kuletë, me të vetmin pishman të mbetur pas: harresën e pafalshme që u kisha bërë tre kutive me libra në shtëpinë e mikut tim lindor në perëndim!

*P.S. Këtë shënim e kam pjesë të ditarit tim personal. Vendosa t’ua dërgoj pasi lexova në gazetën tuaj, artikullin: “Kur ta bën Çili inventarin… “. Kërkoj anonimat nëse vendosni ta botoni, sepse nuk dua të duket si betejë personale, ndaj me kast nuk kam pasqyruar në shënim dhe emrin e universitetit.

0 comments:

Post a Comment